10 Porosite nga George Carlin
Sunday, September 9, 2012
Bibla dhe Seksi
Këtë të Diel Pastori i Kishës sonë kishte vendosur ta bazonte sermonin e rradhës në temën "Bibla dhe Seksi." Përshtypje të veçantë më bëri pjesa e mëposhtme e marrë nga Gjeneza, të cilën unë nuk guxoj ta përkthej, prandaj po e sjell në Anglisht: "And Er, Judah's firstborn, was wicked in the sight of the LORD; and the LORD slew him. And Judah said unto Onan, Go in unto thy brother's wife, and marry her, and raise up seed to thy brother. And Onan knew that the seed should not be his; and it came to pass, when he went in unto his brother's wife, that he spilled it on the ground, lest that he should give seed to his brother. And the thing which he did displeased the LORD: wherefore he slew him also." (Genesis 38:7-10). Meqënëse pastori e paralajmëroi grigjën që të ishin të përgatitur dhe të mos skuqeshin nga ato që do të dëgjonin, shumë nga të pranishmit nuk u skuqen. Sidoqoftë, nuk ishin të paktë ata që u zverdhën. Dënimi i Zotit për Onanin është i tmerrshëm, po të kesh parasysh se faji i tij i vetëm ishte që nuk "download-oi" aty ku duhet. Jo vetëm kaq, por në jetë të jetëve në fjalor ka mbetur shprehja "onanizëm", që pasaktësisht lidhet me një proces tjetër.
Pastaj Pastori filloi të fliste për incestin, duke u përpjekur të na mbushë mendjen të gjithëve se Kisha e mbështet atë plotësisht. Si argument ai solli disa pasazhe nga Bibla:
1. Gjeneza 2-23 - Dhe tha Adami, kjo është kockë nga kockat e mija, është mish nga mishi im: këtë do ta quaj Grua, sepse ka dalë nga burri.
2. Gjeneza 4:1-2 - Dhe Adami e njohu Evën si grua; prandaj Eva mbeti me barrë dhe polli Kainin, dhe tha, këtë njeri e kam dhuratë nga ZOTI. Pas kësaj ajo polli edhe vëllain e tij, Abelin. Dhe Abeli doli që ishte çoban, ndërsa Kaini kishte qëlluar bujk.
3. Gjeneza 4:17 - Dhe Kaini e njohu gruan e vet; ajo mbeti me barrë dhe polli Enokun...
Pasi i solli këto pjesë nga Bibla, Pastori shpjegoi se folja "e njohu" (Anglisht "knew") në Bibël përdoret në kuptimin "bëri seks me", ose "e shkërdheu", ose ndonjë fjalë tjetër në shqip që mund të përkthej nga folja Anglisht "fuck". Pas kësaj Pastori shpjegoi me hollësi se dy njerëzit e parë që krijoi Zoti dhe iu tha të shumoheshin ishin Adami dhe Eva (ose Ademi dhe Havaja, sipas një libri tjetër), dhe se këtyre të dyve Zoti iu tha "shumohuni", domethënë "njihuni, mbarsuni, dhe pillni". Sipas Biblës (dhe atij librit tjetër) Zoti nuk krijoji ndonjë femër tjetër nga balta, ose nga ndonjë brinjë tjetër e Adamit. Prandaj i bije që Kaini dhe Abeli të jenë "njohur" mirë me Evën, domethën me nënën e tyre.
Natyrisht, në këtë pikë të sermonit pati edhe nga ata që u skuqën - por këtë mund ta vije re vetëm duke e mbajtur kokën lart, jo si shumica e grigjës që i mbante sytë përtokë. Pati tek tuk edhe të vjella, por këto ishin shumë të rralla.
Por sytë ulur mund t'i mbante shumica e besimtarëve, por jo Pastori, i cili i vinte re të gjitha dhe nuk linte rast pa komentuar. Ai iu foli ashpër besimtarëve, duke iu thënë se ata nuk duhet të viheshin në siklet nga fjalët e Biblës, sepse ato ishin fjalët e Zotit vetë dhe se vetë Zoti ka pasur një qëllim të caktuar në shpalosjen e talentit të tij pornografik. Për shembull, tha Pastori, le të marrim një pjesë nga Ekzekiel 23 19-21 ku thuhet: "Megjithatë, ajo e shumëfishoi kurvërinë e vet, duke thirrur në kujtesë ditët e rinisë, ku e kishte lëshuar pa duar në tokën e Egjiptit. Ajo kish ditur të ndillte dashnorët më të mirë që e kishin atë veglën të madhe sa të gomarit, dhe që derdhnin në sasira si të kalit."
"Bibla," theksoi Pastori pas këtij pasazhi, është një libër shumë edukativ dhe duhet ta lexojnë me kujdes të rinj e të reja, pleq e të moshuar, fëmijë dhe bebe. Prandaj duhet mbajtur gjithmonë pranë shtratit.
Në këtë pikë të sermonit Kisha filloi të mbushej plot e përlot me njerëz. Me sa dukej, disa nga besimtarët, me të dëgjuar temën e Sermonit iu kishin dërguar nga një mesazh teksi miqve dhe të afërmve të tyre që zakonisht nuk vinin në Kishë, dhe këta ishin lëshuar me një frymë, nga ishin dhe nga s'ishin. Gjendja po bëhej e padurueshme. Njerëzit ishin ngjeshur keq me njëri tjetrin dhe, duke marrë parasysh temën e Sermonit, vajzat dhe gratë po ndjenin ca shtyrje dhe ngjeshje si të dyshimta. Por Pastori i Kishës sonë shquhet për gjakftohtësi dhe për rivlerësime të shpejta të gjendjes. Ai e kuptoi menjëherë se duhej ta zbrazte pak kishën. Pa dashur t'iu thoshte njerëzve të dilnin jashtë, ai kapi Biblën (përmbajtjen e të cilës duhet thënë se e zotëron në shkallën më të lartë) dhe filloi të lëçisë me zë të lartë:
Deuteronomy 23:1-2 - Burrat e dëmtuar te koqet, ose që e kanë atë mikun të prerë nuk lejohen të hyjë në tempullin e ZOTIT. Po kështu, në tempullin e ZOTIT nuk lejohen të hyjnë as kopilët; madje as pasardhësit e kopilëve deri në dhjetë breza nuk duhet të hyjnë në tempullin e ZOTIT.
Burrat çuan instiktivisht duart te koqet. Pastaj të gjithë filluan të numëronin me gishtërinj. Shumë shpejt kisha filloi të zbrazej. Kur e pa që po i iknin si shumë, Pastori u kollit lehtë dhe tha:
"Natyrisht, në këtë punën e kopilëve mund të bëhen edhe lëshime. Teknikisht, vetë Jezu Krishti ishte kopil, pasi Maria e zuri atë me Zotin, jo me Jozefin. Pra, Maria "njohu" Zotin, para se të "njihte" te shoqin e ligjshëm. Por kjo nuk e pengoi aspak Krishtin që të hynte tempujve sa herë që t'i donte qefin.
Në sallë mbeti një numër i pranueshëm njerëzit. Gratë filluan të merrnin frymë lirisht. Besimtarët ishin vërtet të mahnitur me aftësinë e Pastorit për të menduar shpejt zgjidhje të çastit dhe të efektshme. Të gjithë kishin mbetur gojë hapur dhe në kishë mund të dëgjoje edhe flatrat e mizës, kur Pastorit i shpëtoi një pordhë. A u skuq Pastori? A e humbi torruan? Aspak. Pa i lëvizur qerpiku, ai njomi gishtin me gjuhë dhe i dha një të shfletuar të shpejtë Biblës, duke e çuar menjëherë te Isaiah 16-11:
"Dhe prandaj nga vrima do të lëshoj një tingull të ëmbël që për Moabin do të jetë si melodi harpe..."
Ishte vërtet një Sermon i mrekullueshëm dhe bindës. Mezi pres të Dielën tjetër për të vajtur përsëri në Kishë.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment