Sunday, December 14, 2014


A ka shpirt morri?

Nuk dihet nëse ishte frymëzuar nga filmi i Disney’t “All Dogs go to Heaven”, apo thjesht kishte pasur ndonjë komunikim me autoritetin përkatës, por Papa Francesku i befasoi katolikët këtë javë kur, krejt papritur hapi portat e Parajsës për të lejuar futjen në të të qenve. Papa e bëri komentin në një çast emocional, kur po fliste me një djalkë të pikëlluar se i kishte ngordhur qeni. “Mos u mërzit,” i tha ai fëmijës. “Portat e Parajsës janë të hapura për të gjithë.”

Diskutimi se ç’bëhet me qentë, macet, dhe krijesat e tjera pas vdekjes i ka cfilitur për mijëra vjet ata që besojnë te ekzistenca e parajsës dhe ferrit. Që qentë e macet të marin vizë për të vajtur në parajsë së pari duhet të kenë shpirt. Paraardhësi i Franceskut, Benedikti ishte i bindur që kafshët nuk kanë shpirt. Gjon Pali II, nga ana e vet, paska lënë diku të kuptohet se ishte partizan i vajtjes së disa kafshëve në Parajsë. Ndërkohë, një rradhë e gjatë Papësh e kanë kundërshtuar me forcë idenë që ndonjë krijesë tjetër veç njeriut të ketë shpirt.

Kundërthëniet e krerëve të kishës pasqyrohen edhe te besimtarët. Pjesa më konservatore e tyre, ata që quhen nganjëherë edhe të djathtë ekstremë, ose fondamentalistë, duket se s’para besojnë te vajtja e qenve dhe maceve në Parajsë. Në rastin konkret, mund të thuhet se këta dalin më katolikë se Papa.

Ndërsa disa liberalë dhe kryesisht ata që kanë kafshë shtëpiake – qen, mace, papagall, kanarinë, peshk të kuq, lepur, minj u gëzuan shumë nga vendimi i Franceskut.

Puna është se duke hapur portën e Parajsës për qentë dhe macet, Papa nuk mund ta mbajë atë mbyllur për qeniet e tjera. Bashkë me canis familiaris tani në parajsë do të kenë të drejtë të hyjnë edhe krokodilët, hienat, gjarpërinjtë, peshkaqenët, kandilat e detit, kërmijtë, pleshtat, mishkonjat, morrat, çimkat – gjithçka e gjallë që ekziston dhe që mendohet se është krijesë e Perëndisë. Në fund të fundit, përderisa qentë kanë shpirt, edhe ato duhet të kenë, apo jo? Përndryshe, ku është kufiri dhe kush e vendos atë?  

Pyetja “A ka shpirt qeni?” me pak imagjinatë mund të marë edhe formën: “A ka shpirt morri?” Dhe, nëse ka, ose nëse pranojmë atë që thotë Papa Francesku që ka, a bëjmë mëkat kur shtypim morra? A bëjmë mëkat kur vrasim brumbuj, miza, pleshta, çimka, etj., thjesht sepse ato na bezdisin duke shëtitur nëpër lëkurë dhe duke pirë nga një çikë gjak? A mos ne vetë, duke vrarë këto insekte, që me siguri do të shkojnë në Parajsë, i zvogëlojmë shanset vetes për të shkuar atje?

Duke lejuar kafshët në Parajsë Papa Franceskut ka entuziasmuar tej mase organizatat e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, si PETA. Tani ato kanë një argument më shumë për kauzën e tyre. Por ai ka ngritur peshë edhe grupet e vegjetarjanëve, të cilët thonë që njerëzit nuk duhet të ushqehen me mish kafshe, as me peshk, pasi ngrënia e tyre detyrimisht kërkon edhe vrasjen paraprake të tyre, që do të thotë vrasjen e një qenieje me shpirt, që sipas Biblës është mëkat. Me një fjalë, që sot e tutje, çdo katolik i mirë, që beson në ndershmërinë dhe në shenjtërinë e Papa Franceskut, duhet të kthehet në vegjetarjan. Katolicizmi në këtë rast, bije në kundërshtim me therrjet masive të qingjave për Pashkë, bije në kundërshtim me ngrënien e peshkut çdo të premte. Dhe me që ra fjala te peshqit, a bënte mëkat Krishti kur ushqente gjindjen me peshk? Hmm, gjëra të ndërlikuara vërtet.

Të gjitha këto më çojnë mua detyrimisht te një nga legjendat më makabre dhe më të tmerrshme të librave të shenjtë, Biblës dhe Kuranit – legjendës së Sakrifikimit të Isakut (për të krishterët) ose Ismailit (për muslimanët) nga Abrahami (Ibrahimi). Sipas legjendës, Zoti i kërkoi Abrahamit të sakrifikonte djalin e tij dhe kur ky, i bindur, po përpiqej ta therrte për t’i bërë qefin, Zoti ndërhyri dhe i tha të lëshonte djalin. Pastaj i kërkoi që, në vend të tij, të sakrifikonte një dash, që askush s’e mori vesh se si u gjend aty pranë. Abrahami therri dashin. Pyetja është, si e lejoji zoti Abrahamin që t’i merrte jetën një qenieje me shpirt? Ose, për ta vazhduar edhe më tej, a është shpirti i njeriut, që në këtë rast nuk u sakrifikua, më i vlefshëm se sa shpirti i dashit. Me sa shpirtra deshësh është i barazvlefshëm një shpirt njeriu? Sa shpirtra morrash duhen për të…?

Thursday, December 4, 2014


Gomerë dhe Miza
        Naumi shkruante në statusin e tij se dikush në mëmëdhe është bezdisur nga mizat, në një kohë kur aty po ngordhin në masë gomerët.
        Që t’i hyet më mirë kuptimit të muhabetit, Naumi është arkitekt. Që këtu nga Kanadaja ai ka shprehur në shtypin shqiptar, në facebook, dhe në letra të drejtpërdrejta autorëve indinjatën e tij si profesionist dhe qytetar për një përçudnim që po i bëhet qendrës së Korçës. Naumi nuk është thjesht arkitekt – ai është arkitekt shumë i mirë dhe intelektual me peshë në Korçë, ku e njohin të gjithë. Kur ai u ngrit të kundërshtonte shëmtimin nga një firmë arkitekturore gjermane dhe krerët e Bashkisë së Korçës të qendrës së qytetit, shumë korçarë e mbështetën me komente, duke bërë “like” dhe duke i dërguar mesazhe. Unë i di mirë këto, sepse kam qënë pranë kësaj historie.
         Çudia ishte se disa nga ata të cilët ia kishin pëlqyer shkrimet, që i kishin bërë “like” Naumit, po i bënin “lajka” edhe kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të tjerëve që kishin gisht pikërisht në atë që kritikonin shkrimet e Naumit. Mirëpo Naumi nga ata që s’ta përton dhe nuk e mbyll gojën kollaj kur sheh legenllëqe të tilla. Ai shkruajti përsëri, kësaj rradhe për ata që e kthejnë pllakën sa në një anë në tjetrën, duke iu qarë hallin për sikletin që i ka zënë.
        Kjo s’i ka shkuar për shtat të gjithëve, ndaj edhe ka dalë dikush që është ankuar se “sos gomerët që na ngordhën, po s’na lenë rehat as mizat.” Për sqarim të figurës letrare, mizat jemi ne, shqiptarët në emigracion që, si puna e Naumit, shkruajmë lartë e poshtë që nga përtej deteve dhe oqeaneve për problemet e atyre që kanë mbetur atje, në atdhe, me gomerët e ngordhur.
        Po të ishte një zë i veçuar s’do t’ia vlente të merreshe me të. Halli është që sikur janë shtuar ca si shumë këta që ankohen dhe akërrohen ndaj nesh, mizave të emigracionit. Prandaj them se ia vlen të futem edhe unë në këtë histori me bzzzz-in tim të bezdisur.
        Ne që kemi lënë Shqipërinë që nga viti 1990të e këtej duhet të jemi ndonja 1 milion e ca. Këtë e them me hamendje, pasi me sa di unë ata që kanë në dorë të mbajnë statistika, domethënë ata që kanë defterët në atdhe, nuk kanë marrë mundimin të na numërojnë.
        Mes nesh ka gjithçfarësh – hajdutë, prostituta, horra, mashtrues, burgaxhinj e kriminela. Por ka edhe shumë njerëz të ndershëm – ka plot punëtorë, zanatçinj të mirë, mjekë, ingjinerë, ekonomistë, gazetarë, mësues, shkencëtarë, profesorë universitetesh. Ka të ndershëm e të pandershëm. Ka nga ata që kanë ikur nga Shqipëria duke menduar që përtej kufijve është parajsa e dembelave. Por ka edhe nga ata kanë ikur me mendjen top, që do të bëjnë çdo lloj pune për të siguruar një jetë të ndershme. Këta më duket se janë shumica.
        Disave nuk iu ka ecur gjithçka si në vaj – janë rregulluar ku kanë mundur, me punëra poshtë nivelit të asaj që kanë bërë në Shqipëri, larg aftësive të tyre. Por ka shumë, shumë më tepër nga ç’ua pret mendja disave që bezdisen në Shqipëri, që kanë arritur sukses – ka ingjinerë që punojnë si ingjinerë, arkitektë që punojnë si arkitektë, kirurgë që operojnë, profesorë që japin leksione, financierë që drejtojnë kompani të mëdha – ka drejtorë uzinash, ka CEO, ka zëvendës-presidentë firmash të njohura në gjithë botën, ka gazetarë, poetë, dhe shkrimtarë që botojnë. Të arrish në këto nivele në vend të huaj, ku flitet gjuhë e huaj nuk është pak. Është shumë, dhe këta njerëz janë për t’u admiruar, jo për t’u injoruar si miza të bezdisshme.
        Pra ne jemi gjithfarësojësh – të mirë e të këqij, të suksesshëm e jo aq të suksesshëm, të ndershëm e të pandershëm, të aftë e të paaftë. Megjithatë, kemi një gjë të përbashkët – jemi larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë. A e kemi arritur atë? Them se përgjithësisht po. Po të mos e kishim arritur, do të ishim kthyer, siç janë kthyer shumë prej nesh. Për t’u kthyer në Shqipëri nuk kërkohet vizë.
        Një gjë tjetër që mendoj se e kemi të përbashkët është se, pavarësisht se ndoshta mund të jemi larguar me idenë që “të ikim, se ai vend nuk bëhet”, përsëri, thellë në zemër nuk e besojmë këtë. Ne sinqerisht shpresojmë dhe dëshirojmë që ai vend të bëhet – të bëhet një vend i zhvilluar, i denjë, ku njerëzit të respektojnë ligjin, të drejtën, njeri-tjetrin. Prandaj edhe nuk rrijmë rehat dhe herë pas herë japim ndonjë mendim për atë që ndodh aty. Ndoshta na gënjen mendja se mund të vazhdojmë të ndihmojmë sadopak përmes përvojës së ketushme.  
        Po a kemi të drejtë ne të japim mendim për ato që ndodhin aty? Kemi që ç’ke me të. Ne, mizat, jemi po aq shqiptarë sa edhe ata të bezdisurit që qajnë gomerët e ngordhur. Ne flasim po aq shqip sa edhe ata, ndoshta edhe ca më shumë. Ne na dhemb vendlindja po aq sa iu dhemb edhe atyre.
        Natyrisht, jo të gjitha ato që themi janë gjëra me mend. Mes nesh ka budallenj e të mençur, llafazanë e të heshtur, kritizerë dhe eruditë. Si ka midis ç’do grupimi tjetër. Por kjo s’do të thotë që dikush mund të ketë të drejtë të na heqë të drejtën e fjalës dhe të drejtën të japim mendim për atë që ndodh në Shqipëri. Ne do flasim e do japim mendim sa të na dojë qefi. Nëse ato që themi do t’i pëlqejnë dhe do t’i vlejnë njeriu, mirë. Nëse nuk i pëlqejnë, le t’i flakin tutje. Gjykimi mendimeve bëhet në bazë të atyre që thuhen apo shkruhen, jo në bazë të paragjykimit ndaj një grupi ku përfshihet ai apo ajo që e ka shkruar.  
        Shkurt muhabeti, gjërat nuk janë bardhë e zi dhe ne këtej nuk para na vjen mirë kur na krahasojnë me mizat. Atë vend të quajtur Shqipëri e duam po aq sa edhe ata që jetojnë atje. Ia duam të mirën dhe përpiqemi të japim ndonjë mendim duke i parë gjërat nga larg. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë ato që themi ne vetëm e vetëm ngaqë ne nuk jetojmë në Shqipëri, atëherë le të vazhdojë të merret me gomerët e ngordhur.

Wednesday, October 8, 2014

Defenestrimi i Dytë i Pragës


Kështjella e Pragës ku ndodhi Defenestrimi

Defenestrim quhet veprimi i hedhjes nga dritarja. Fjala rrjedh nga latinishtja (fenestra), por është përhapur nëpërmjet çekishtes (defenestrace) për shkak të dy Defenestrimeve të famshme të Pragës. I pari ka ndodhur në 1419, ndërsa i dyti në 1618. Të dy veprimet janë pasuar nga luftra të gjata dhe të përgjakshme në Bohemi e më gjerë.
Defenestrimi i Dytë i Pragës, 1618, është më i famshëm.  
Që prej vitit 1526 Bohemia sundohej nga Mretër Habsburgë të cilët ishin katolikë, por tolerantë ndaj protestantëve. Veçanërisht Perandori Roman dhe njëkohësisht mbret i Bohemisë Rudolfi II, por edhe i vëllai i tij Matthias, i cili për një farë kohë kontrollonte Boheminë, iu kishin dhënë fisnikëve protestantë shumë liri fetare. Por pasuesi i Matthiasit në fronin e Bohemisë, Ferdinand i Styrias erdhi me të tjera ide. Ai e bindi Perandorin të urdhëronte pezullimin e ndërtimit të  disa kishave protestante.  
Në 23 Maj 1618 katër aristokratë katolikë ishin mbledhur në Kancelerinë e Bohemisë. Ndërkohë, fisnikët protestantë ishin organizuar nën drejtimin e Kontit Thurn. Protestantë donin të siguroheshin që kishin qënë fisnikët katolikë ata që e kishin bindur Perandorin të ndalonte ngritjen e kishave protestante. Për këtë arsye ata i dërguan një letër fisnikëve katolikë të mbledhur në Kancelarinë e Bohemisë ku kërkonin sqarim.
Katër katolikët e mbledhur në Kanceleri kërkuan një javë kohë për t’u përgjigjur. Protestantët s’prisnin dot.  Ata shkuan drejt e në Kancelari ku ishin mbledhur fisnikët katolikë. Pasi lanë dy prej tyre të largohen, ata idetyruan dy të tjerët të pranonin se ishin fajtorë për letrën dërguar Perandorit. Katolikët kujtuan se do t’ia hidhnin me një arestim të përkohëshëm.  
Por Konti von Thurn kishte tjetër mendje: “Ju jeni armiqtë tanë dhe të fesë sonë dhe me letrën që i keni drejtuar Madhërisë së Tij keni dashur të godisni gjithë subjektet protestante…jeni përpjekur t’i detyroni protestantët të pranojnë fenë tuaj kundër dëshirave të tyre,” iu tha ai atyre. Pasta jai iu drejtua turmës së protestantëve: “Po t’i lemë gjallë këta të dy, do të humbasim mbështetjen e Madhërisë dhe gjithë fenë tonë…sepse prej tyre mund të presësh çdo lloj padrejtësie.”
Sheshi i Vjetër i Qytetit, Pragë, ku u ekzekutuan 27 fisnikë protestantë
Fill pas këtyre fjalëve ata kapën të dy fisnikët katolikë dhe, bashkë me sekretarin e tyre, i hodhën nga dritarja e katit të tretë. Megjithëse ranë nga 21 metra lart, asnjeri prej tyre nuk vdiq. Kjo iu dha shkas katolikëve të pretendonin se i kishte shpëtuar një ëngjëll, ose Virgjëresha Marie. Për të mohuar ndërhyrjen hyjnore në mbrojtje të katolikëve, protestantët thanë se ata kishin shpëtuar ngaqë kishin rënë mbi një pirg bajgash.
Kulla e Urës prej nga u varën 20 koka të prera
Sidoqoftë, defenestrimi nuk kaloi pa pasoja. Shumë shpejt fisnikët protestantë dhe Habsburgët katolikë filluan të krijojnë aleanca lufte. Ferdinandit dhe katolikëve nuk iu deshën më shumë se dy vjet për ta marrë përsëri pushtetin në Bohemi, pas Betejës së Malit të Bardhë në 8 Nëntor, 1620. Kjo njihet edhe si beteja e parë e Luftës Tridhjetë Vjeçare.
Më pas Praga u plaçkit dhe u masakrua. Disa muaj më vonë, njëzeteshtatë fisnikë bohemë u ekzekutuan në Sheshin e Vjetër të Qytetit (Staro Mesto). Njëzet prej tyreve iu prenë kokat dhe këto u ngulën çengela dhe u varën që nga Kulla e Urës. Lufta Tridhjetë Vjeçare sapo kishte filluar.  
(Shënim: Të gjitha fotot janë të mijat AK). 

Sunday, September 28, 2014

Enver Hoxha anti-komunist?!



Fotot e 40 klerikëve u ekspozuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të dëshmuar krimin e komunistëve, ose më saktë të Enver Hoxhës kundër fesë. Gjatë këtyre ditëve të ngjeshura me frymëzim fetar, pati dhe nga ata që e quajtën krim të ateizmit.
Nëse persekutimi i njerëzve të fesë e bën Enver Hoxhën ateist, çfarë do ta bënte atë persekutimi i komunistëve?
Ja një listë e përpiluar shpejt e shpejt e 41 komunistëve të persekutuar nga Enver Hoxha – vrarë, detyruar të vetvriten, torturuar, burgosur dhe internuar – njerëz të cilëve iu janë shkatërruar jeta dhe familjet në mënyrën më çnjerëzore. Janë shënuar vetëm 41 të parët që më erdhën ndërmend, ndoshta ngaqë të gjithë kanë qënë komunistë me funksione:
Abaz Fejzo; Anastas Lulo; Arif Hasko; Bedri Spahiu; Beqir Balluku; Dali Ndreu; Dashnor Mamaqi; Dhora Leka; Duro Shehu; Fadil Paçrami; Feçorr Shehu; Fiqerete Shehu; Gjin Marku; Kadri Hazbiu; Kasem Trebeshina; Koçi Xoxe; Koço Tashko; Koço Tashko; Lipe Nashi; Liri Belishova; Liri Gega; Llambi Ziçishti; Mehmet Shehu; Mihallaq Ziçishti; Muhamet Prodani; Mustafa Gjinishi; Nako Spiru; Nesti Nase; Panajot Plaku; Petrit Dume; Piro Dodbiba; Sadik Premtja; Sejfulla Malëshova; Teme Sejko; Thoma Deliana; Todi Lubonja; Tuk Jakova; Vasil Kati; Vaske Gjino; Xhavit Ismailaga; Xhavit Qesja…
Ka edhe shumë të tjerë, qindra të tjerë. Enver Hoxha ka vrarë edhe persekutuar ndoshta më shumë komunistë se sa pjestarë të ndonjë grupimi tjetër politik, fetar, apo shëqëror.
Natyrisht, unë nuk dua aspak të krahasoj këta të 41 me 40 klerikët e persekutuar, apo me çdo grupim tjetër. Megjithatë, persekutimi ka qënë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga masa e fajita apo e pafajësisë.
Pyetja është e thjeshtë: A e bën persekutimi i qindra komunistëve Enver Hoxhën anti-komunist? A mund të quhet ai në këtë rast kapitalist, ose imperialist?
Enver Hoxha nuk ishte as komunist, as kapitalist, as fetar, as ateist, as socialist, as fashist. Ai ishte thjesht nje kriminel patologjik i ardhur në pushtet që kishte për borxh të vriste këdo – edhe njerëzit më të afërm të tij (praktikisht ai vrau të kunatin që e kishte ndihmuar aq shumë, për të mos folur për gjithë ata shokë të afërm që i eliminoi pa iu dridhur qerpiku) dhe të zhdukte nga faqja e dheut cilindo që mund t’i dilte pengesë për mbajtjen e pushtetit. Ai s’kishte asnjë parim, nuk i përmbahej asnjë norme morale, etike, shoqërore. Ishte thjesht një njeri i paskrupull.
Enver Hoxha përdori komunizmin për të ardhur në fuqi sepse kështu iu krijuan rrethanat. Fare mirë ai mund të kishte përdorur fashizmin, monarkinë, ose edhe ndonjë sistem tjetër që do t’i kishte garantuar pushtet të pakufizuar. Sistemi i komunizmit i dha atij mundësi të pakufizuara, që nuk do t’ia jepte ndoshta asnje sistem tjetër shoqëror. Modeli i këtij sistemi i marrë drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovietik I Leninit dhe Stalinit, mënyra piramidale e funksionimit të shtetit, adhurimi deri në kult i njëshit, zhveshja e individit nga çdo e drejtë, liria e pakufizuar e udhëheqësit për të vendosur mbi fatin dhe jetën e të tjerëve, aparati i përsosur i përgjimit dhe spiunimit, si dhe një sërë elementësh të tjerë që përbënin thelbin e sistemit komunist ishin veglat më të përshtatshme të Enver Hoxhës për shprehjen e perversitetit të tij moral, për çfaqjen e plotë të tipareve më të përbindshme të tij.

Wednesday, September 17, 2014

Analize Bythe



Nga rubrika “Në 70-vjetorin e Çkërdhimit të Vendit”

Të më falin miqtë për futjen e një fjale të konsideruar si e papërdorshme në shqipen e shkruar, por unë s’gjeta fjalë tjetër dhe është një analizë që duhet ta bëj medoemos. Duhet ta bëj se është e nevojshme të bëhet dhe se s’më del e keqja po s’e bëra.
Shikoni gazetarin të pozicionuar në të dy fotografitë dhe vini re ndryshimin e pozicionit të bythës. Në figureën 2 gazetari e ka mbështetur bythën plotësisht në karrige, ndihet rehat dhe i sigurt. Trupin e mban drejt dhe shtylla kurrizore duket se është fare në rregull. E vështron të intervistuarin – që gjithsesi nuk është njeri pa pozitë, është Ministër i Brendshëm – në bebe të syrit, pa iu lëkundur fare qerpiku. Ka veshur një kostum blu – simbol i pushtetit, forcës, sigurisë, autoritetit, që ia jep të qënit gazetar i një rubrike të rëndësishme.
Në figurën 1 intervistuesi ndodhet përballë Hienës, Vampires, Panterës së Zezë, Zonjës, Shoqes, të Shoqes, Nanës Mbretëreshë, gruas së atij. Duket sikur gjithë titujt dhe autoriteti i plakës i kanë kaluar mbi supe intervistuesit dhe ia kanë përkulur shtyllën kurrizore, e cila, në mungesë të palcës, ka marrë trejtën hark. Supet janë lëshuar poshtë, dhe kostumi ngjyrë kafe – ngjyrë dominuese e kostumeve në kohën kur e intervistuara vriste dhe priste pa ia bërë syri tërr, është tërhequr në maksimum.
Por, mbi të gjitha flet pozicioni i Bythës së intervistuesit.
Bytha është mbështetur në qoshe të ndenjëses. Gjysma ka dalë jashtë, si për të thënë: “Zonjë, Shoqe, Mbretëreshë, Vejushë, Trashëgimtare, Vazhdimtare, unë që po të intervistoj nuk jam as ulur as në këmbë, as në bythë, as jashtë bythës. Unë dhe bytha ime janë si të duash ti që të jemi. Në çfarëdo pozicioni që do ti. Trupin po e mbaj të përkulur në shenjë respekti dhe adhurimi. Ndërsa për bythën vendos ti. Unë s’kam ç’të bëj. Po ta le në dorë, bëj me të ç’të duash.”
Natyrisht, Zonja – me që ra fjala, ai mund t’i drejtohesh me “Zonja” një monstre si Nexhmije Hoxha?! Normalisht, po të jesh militant komunist do duhet t’i drejtohesh me “Shoqja”, siç i drejtoheshin dhe referoheshin gjithë bythecët servilë në kohën kur ajo ua kishte jetën në dorë. Po t’i drejtoheshe në atë kohë me “Zonja” ajo të fuste në burg dhe të bënte të të harroheshin kockat. Ty, dhe gjithë sojit e sorrollopit tënd. Me breza. Seriozisht, kjo është dilemë e madhe. As “Zonja” dhe as “Shoqja” nuk vlejnë për këtë rast. Më e ndershmja do të ishte t’i thoshe “Shoqja Kriminele”, po s’besoj se ajo do të pranonte të intervistohej me këto kushte. Mund t’i drejtohesh thjesht me Nexhmije, ose Nexhi, për shkurt, por do të prishje gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne dhe do t’i tingëllonte keq dëgjuesit. Po a s’i ke prishur gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne duke ftuar në studio një kriminele të atij kalibri dhe duke i dhënë rast të vjellë në ekran dozën e zakonshme të propagandës që është mësuar ta vjellë për 70 vjetët e fundit të jetës së saj? Është vërtet bela dhe s’di si të bëjë njeriu i shkretë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për të mos e intervistuar atë qelbësirë. Ngdo që ta kthesh, duhet të bësh një kompromis me veten, domethënë duhet t’i japësh hark shtyllës kurrizore.
Desha të them që natyrisht, monstra i di të gjitha këto që mendon i përkuluri përpara saj. Ajo e di mirë që ai e ka shitur ose dhënë falas bythën që përpara se të bëhet intervista, duke rënë dakort me pyetjet që do të bëhen dhe përgjigjet që do të merren. Ajo e di që atë bythë në cep të ndenjëses, as të ulur, as të pa ulur, ajo e ka krejtësisht në dorë dhe mund të bëjë ç’t’i dojë qefi me të - ta hapë, ta shqyejë, ta mbushë me sende të rastit, ta kthejë mbrapsht, ta flakë tutje, t’ia dhurojë ndonjë veterani me rastin e përvjetorit të çlirimit. Sa për bythën e vet, pasi e ka fshirë mirë e mirë me surratin e intervistuesit, Zonjëza plakë e ka vendosur butë - butë jo vetëm mbi kolltuk, por edhe mbi një jastëçkë të bardhë - që në fakt, mund të mos jetë fare jastëçkë, por mund të jetë thjesht dinjiteti ose personaliteti i intervistuesit i mbushur me qime. Çfarë qimesh? Nuk po vazhdoj në këtë linjë se boll banale e kam bërë analizën deri këtu.
Nganjëherë s’ka fare nevojë ta dëgjosh një intervistë. Mjafton të analizosh pozicionet e bythëve. Disa bythë flasin më shumë dhe më qartë se gojët respektive.

Bigot



E keqja është që në shqip ne nuk kemi asnjë fjalë me të cilën të përkthejmë termin “bigot”. Unë u përpoqa me “google translate” dhe më doli “fanatik.” Jo, “bigot” nuk është fanatik. Më pranë kuptimi është me fjalën “racist”, por edhe ky nuk është i saktë. Bigot është një njeri që padrejtësisht urren një grup njerëzish të tjerë; ose që nuk pranon si të barabartë pjestarët e një ose disa grupeve të caktuara për shkak të racës, fesë, përkatësisë etnike apo krahinore, etj.
Për shembull Maks Velo. Maks Velo është shembull i shkëlqyer i një njeriu që mund ta quash me plot gojën BIGOT.
Natyrisht, Velon mund ta quash “anti-verior”, “anti-islamist”, “anti-shqiptar” dhe shumë anti të tjera. Por asnjëra nga këto nuk e përcakton atë aq saktë sa fjala “bigot”. Bigot nënkupton dikë që niset nga parimi se një grupim njerëzish janë më superiorë, ose më inferiorë se një grup tjetër, për shkak të një përkatësie të caktuar. Përkatësia mund të jetë çfarëdo – kombëtare, etnike, apo krahinore, ngjyrë e lëkurës, formë apo ngjyrë e syve, lartësi e shtatit, spërdredhje ose e flokëve, dialekt në të folur, besim apo mosbesim fetar, parapëlqime për ekipe futbolli.
Bigotizmi është i lidhur ngushtë me racizmin, diskriminimin dhe paragjykimin, me vlerësimin e individëve në bazë të karakteristikave imagjinare të të gjithë grupit. Në shqip kjo përkthehet me shprehjen “i fut të gjithë në një thes”. Për shembull, Maks Velo s’e ka për gjë që t’i fusë të gjithë në një thes, ose t’i ndajë të gjithë sipas thasëve që ka në kokë. Një thes e mbush me veriorë, një tjetër e mbush me jugorë. Pastaj, nuk mjaftohet me këtë, por krijon thasë të tjerë: thasë me muslimanë, me ortodoksë, me katolikë. Pastaj iu ve etiketa thasëve: thes i mirë, thes i keq. Thes me hajdutë, thes me të ndershëm. Thes me terroristë, thes me tolerantë. Thes me të qytetëruar, thes me njerëz të egër. Thes me drogaxhinj, thes me punëtorë. Thes i dashur, thes i urryer.
Logjikës prej bigoti të Maks Velos nuk mund t’i përgjigjesh me logjikë prej bigoti. Nuk mund t’i thuash Maks Velos që i ka vënë etiketat e thasëve gabim, që thesi që ai ka etiketuar si “thes i mirë“ duhet të jetë “thes i keq” dhe anasjelltas. E keqja nuk qëndron te etiketimi i gabuar i thasëve. E keqja qëndron te ideja e përdorimit të thasëve, pra qëndron që në thelbin e logjikës prej bigoti të Maks Velos apo të kujtdo tjetër. Pra nuk mund t’i përgjigjesh një logjike të gabuar me një logjikë po aq të gabuar. Nuk mund t’i përgjigjesh as me argumentin që te “thesi i keq” i Maks Velos ka shumë shembuj njerëzish të mirë, njerëzish të qytetëruar. Këtë logjikë Maks Velot nuk e marrin vesh.
Fatkeqsisht, nuk është vetëm Maks Velo bigot. Më parë kam shkruar që shumë nga ne shqiptarët jemi racistë. Tani e pranoj gabimin. Duhet të kisha përdorur që atëherë fjalën bigotë. Sidoqoftë, dua të përsëris që ka ardhur, ose ka kaluar koha, që ta pranojmë këtë problem dhe t’i drejtohemi atij, si shoqëri me dëshirën dhe vullnetin për ta luftuar. Përndryshe do t’i kemi punët pisk.
Reagimet ndaj komenteve prej bigoti të Maks Velos ishin më së shumti bigotiste. Disa me dëshirën e mirë për të mbrojtur pastërtinë dhe virtutet e veriorëve, ose të muslimanëve. Të tjerët me batakun e argumentave të qelbur që edhe jugorët dhe ortodoksët nuk janë më të mirë, ose janë më të këqinj.
Bigotizmi te Maks Velot dhe te shumë shqiptarë mbizotëron në qëndrimin ndaj krahinave – të gjitha krahinave, ndaj feve, të gjitha feve, ose mungesës së tyre, me qëndrimin ndaj grave, homoseksualëve, egjiptianëve, romëve, arumunëve, serbëve, grekëve, maqedonasve, afrikanëve, kinezëve, çifutëve, çekëve, fshatarëve, provincialëve, katnarëve – në një popullsi çuditërisht të vogël gjen aq forma racizmi sa të merren mendtë. Bigotizmi vërtitet haptazi nëpër mediat shoqërore dhe faqet e gazetave, me ngrefje për superioritetin e shqiptarëve, lashtësinë e shqiptaro-iliro-pellazgëve, parësinë e gjuhës shqipe, e turli budallëqesh të tjera pa mbarim. E gjen te përpjekjet qesharake për t’i nxjerrë shqiptarë të gjithë personalitetet e kulturës dhe shkencës botërore dhe për t’i sharë me rrënjë e degë futbollistët që nuk pranojnë të luajnë me përfaqësuesen e Shqipërisë apo të Kosovës.
Prandaj ajo që thotë Velo nuk të çudit shumë. Të revolton, t’i sjell zorrët te goja, por nuk të çudit. Ajo që të çudit është se si një gazetë serioze si Mapo vazhdon ta konsiderojë Velon si intelektual dhe ta botojë fjalë për fjalë. Velo është njeri i mbaruar nga ana intelektuale. Ai është i matufepsur. Një njeri që dërdëllit budallëqe të tilla tregon mirëfilli që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet intelektuale të botës të paktën këto 50 vjetët e fundit. Intelektualisht, Velo është një matuf që s’ngre dot pantallonat.
Bigotizmi i tipit të Velos mund të pritet, për shembull, nga një njeri që nuk di asnjë gjuhë të huaj; që nuk lexon, nuk dëgjon, dhe nuk ia ka idenë se ç’bëhet përtej urës së Dalanit, për një kokëtharë që s’ka lidhje me asnjë njeri të mençur dhe që e kalon kohën duke pirë raki me fërgesë. Por nuk mund të pritet nga një njeri që mbahet si intelektual.
Nëse Mapos do t’i trokiste në derë një batakçi dhe t’i thoshte fjalë për fjalë broçkullat që ka lëshuar nga goja Maks Velo, me siguri që redaktorët do ta kishte nxjerrë me shqelma përjashta dhe s’do t’iu kishte shkuar për asnjë çast mendja ta botonin. Por Mapo ia boton Velos të njëjtat fjalë sepse Velo mbahet si intelektual, si pasuri e kombit. Pikërisht këtu qëndron gabimi i Mapos. Velo nuk është intelektual dhe nuk duhet konsideruar si i tillë. Ai mund të ketë qënë dikur intelektual. Ndërsa sot është thjesht një Bigot i Matufepsur dhe atij i duhet kushtuar po aq vemendje sa meriton një bigot i matufepsur. As më shumë, as më pak.
Këtu s’bëhet fjalë për liri të shprehuri. Nuk bëhet fjalë as për të qënë “korrekt politikisht”. Këtu bëhet fjalë për të qënë në rregull nga trutë e kokës. Nëqoftëse dikush është matufepsur – dhe është krejtësisht e pranueshme që një njeri, qoftë nga mosha, qoftë për shkaqe të tjera, edhe do matufepset – atëherë gazeta s’ka asnjë detyrim moral që ta botojë. Ne mund të na vijë keq për Velon, të kujtojmë me nostalgji kohën kur atij i punonte mendja në rregull (nëqoftëse vërtet ka pasur një kohë të tillë), por jo më shumë se kaq.
Ndërkohë duhet t’i vemë gishtin kokës dhe të mendojmë seriozisht se sa nga bigotizmi dhe matufepsja e Velos na ka mbetur neve vetë në kokë. Sepse kam frikë se na ka mbetur goxha.
Si fillim, le të përpiqemi ta kuptojmë përkufizmin e fjalës “bigot” dhe ta fusim atë në fjalor.