Showing posts with label komunizmi. Show all posts
Showing posts with label komunizmi. Show all posts

Sunday, November 29, 2015

Përse nuk e festoj 29 Nëntorin



Unë jam tolerant me festat. Për shembull, megjithëse ateist, në një tryezë me një shoqëri të mirë, me një gotë verë, me një thelë gjeli, një bërxollë apo një biftek, festoj gjithë qef Divalin, Krishtlindjen, Hanakan, Bajramin, Vitin e Ri Kinez, Novruzin, Ditën e Verës, Thanksgiving, Vesakhan, Holin, Visun – kë të doni. Për këtë kam dëshmitarë.
Por 29 Nëntorin nuk pranoj ta festoj. Pse?
29 Nëntori si ditë e çlirimit të Shqipërisë është mashtrim. Të gjithë dokumentët e kohës tregojnë që Shqipëria është çliruar në 28 Nëntor 1944. Domethënë që ushtari i fundit hitlerian është larguar në këtë datë. Deri një vit më vonë kjo është mbajtur si data zyrtare e çlirimit edhe nga vetë Enver Hoxha.
Po të vihej thjesht në diskutim dita kur është larguar ushtria naziste nga Shqipëria, unë do ta kisha toleruar dhe do ta festoja me qef edhe 29 Nëntorin. Në fund të fundit bëhet fjalë për një çlirim dhe ne, shqiptarët, që e kemi zakon të kundërshtojmë njëri-tjetrin për çdo gjë, mbase do të ishte mirë të pajtoheshim në këtë pikë dhe ta ngrinim nga një gotë bashkë. Por puna nuk është kaq e thjeshtë.
29 Nëntori u zgjodh nga Enver Hoxha në kuadrin e hapave për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ku përfshiheshin edhe bashkimi i monedhës, heqja e doganave, falja e floririt dhe pasurive shqiptare bosëve të Beogradit, etj. 29 Nëntori për Jugosllavinë festohej si dita kur Këshilli AVNOJ shpalli Federatën Demokratike të Jugosllavisë. Enver Hoxha kërkonte ta njësonte edhe festën e çlirimit të Shqipërisë me këtë datë.
Ideja e përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi ishte pjesë e paneve të Titos për krijimin e një Konfederate Ballkanike me qendër Beogradin. Për sa kohë vazhdoi Lufta e Dytë Botërore Stalini ia ushqeu Titos këtë shpresë, pasi ai kishte nevojë për mbështetjen ushtarake të partizanëve jugosllavë dhe për një rezistencë anti-fashiste në të gjithë Ballkanin. Enver Hoxha ishte thjesht një hallkë e këtij plani, një vegël që i duhej Titos për ta pasur të lehtë punën në këtë pjesë të Ballkanit.
Por mbarimi i luftës solli të tjera përparësi për Stalinin. Atij nuk i leverdiste të kishte një fuqi të fortë në cepin e perandorisë së vet, aq më tepër nën Titon që flirtonte hapur me anglezët dhe amerikanët. Ideja e Federatës Ballkanike u hodh në kosh. Titoja u thartua me Stalinin.
A mund ta merrte Titoja Shqipërinë pas rënies së idesë së Federatës Ballkanike? Natyrisht që mund ta merrte. Stalini, megjithëse kundër konfederatës, i dha leje për këtë me foljen e famshme “gllabëroje” që citon Gjilasi. Por Titos i iku oreksi për të gllabëruar. Si mjeshtër i ekujlibrave politike ai e dinte që do t’i bëheshin ca si tepër shqiptarë në Jugosllavi dhe do t’i hapnin punë. Atij i leverdiste më mirët’i linte shqiptarët të ndarë në katër-pesë pjesë, dhe shtetin e Shqiptarëve në një gjendje sa më të keqe, që të mos iu bëhej zili shqiptarëve që kishte nën kontroll ai vetë. Hoxhës iu dha urdhëri: Rri aty, mbaje vendin baltë dhe mbretëro në mes të baltës. Për sa kohë që s’më hap punë mua, as unë s’do të të hap punë ty. Kufijtë do t’i kemi të ndarë, dhe të ndarë mirë. Hoxha natyrisht që u bind, dhe u lidh me Rusët për të rrumbullakosur alibinë. Por Titos dhe kërkesës së tij i shërbeu deri në frymën e fundit.
29 Nëntori për mua është një pjesë e shëmtuar e një plani të shëmtuar, thellësisht anti-kombëtar, anti-shqiptar. Festimi i kësaj date është pajtimi me tradhëtinë kombëtare të Enver Hoxhës.
Jo rrallë më pyesin : Si mund të mos e festosh ti këtë ditë, kur yt atë ka qënë partizan dhe ka luftuar për këtë ditë?
Im atë ka qënë partizan dhe ka luftuar për çlirimin e Shqipërisë dhe jo për 29 Nëntorin. Për këtë unë e respektoj edhe më shumë. Ai, dhe mijëra të tjerë si ai që dolën në mal dhe luftuan me ndershmëri kundër pushtuesit nuk ëndërronin as pasuri, as ofiqe, as luftë klasash, as regjimin e terrorit që vuri Enver Hoxha. Ata ëndërronin një Shqipëri të lirë nga pushtuesit dhe demokratike, një Shqipëri të begatshme për të gjithë. Këtë ëndërr ata kujtuan se e realizuan në 28 Nëntor 1944. Por ëndrra u vodh dhe u përdhos nga Enver Hoxha dhe klani rreth tij.
Dikush mund të thotë që po të mos kishte qënë Enver Hoxha, do të kishte dalë një tjetër që ta vidhte ëndrrën. Edhe kjo mund të kishte ndodhur. Një tjetër mund të thotë që kjo është gjëja më e rëndomtë - pas të gjithë lëvizjeve të mëdha, del një grup maskarenjsh që vjedh ëndrrën – siç u vodh dhe po vidhet ëndrra e studentëve të Dhjetorit dhe gjithë shqiptarëve për Demokraci. Edhe kjo është e vërtetë.
Për mua ka rëndësi që 28 Nëntori i vitit 1944 është data kur u çlirua Shqipëria nga fashizmi dhe u bë realitet një pjesë e ëndrrës së atyre partizanëve shqiptare që luftuan për liri. Ndrsa 29 Nëntori është data që caktoi ai, vjedhësi i ëndrrës, si fillim të pushtetit të tij të ndyrë. Ajo është data e tradhëtisë kombëtare.  29 Nëntor ishte emri që iu vu vjedhjes.
Prandaj edhe unë dua t’i qëndroj përkrah edhe të vërtetës, edhe t’im eti, edhe gjithë atyre që luftuan sinqerisht për një Shqipëri të lirë dhe demokratike kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë, por që u tradhëtuan në mënyrën më të poshtër. Fakti që kjo datë përkon me Ditën e Flamurit, me Shpalljen e Pavarësisë, datën më të rëndësishme deri më sot të kombit shqiptar, e bën atë edhe më të bukur. Thuhet se ajo përkon edhe me datën e mbërritjes së Skëndërbeut në Krujë. Aq më mirë. Trefish më mirë.
Në 28 Nëntor ne festojmë Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë - ngjarjen më të rëndësishme historike të kombit. Për herë të parë në historinë e vet në 28 Nëntor 1912 shqiptarët kishin një komb. Vërtet të cunguar, vërtet të coptuar, por e kishin. Ishte fillimi i një rruge. Në 28 Nëntor 1944 shqiptarët u çliruan nga një pushtim i poshtër dhe i pabesë - fillimisht nga fashistët Italianë, dhe pastaj nga nazistët gjermanë. Ndoshta jo në përmasat e 1912, edhe ky çlirim ishte i rëndësishëm. Asnjë popull, asnjë qytetar i ndershëm dhe patriot nuk e do dhe s’ka si ta dojë pushtimin e vendit të vet, nga kushdoqoftë dhe me çfarëdolloj justifikimi qoftë. Kur i festoj, unë kam rast të ngre dolli për të dyja këto ngjarje.

Sunday, September 28, 2014

Enver Hoxha anti-komunist?!



Fotot e 40 klerikëve u ekspozuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të dëshmuar krimin e komunistëve, ose më saktë të Enver Hoxhës kundër fesë. Gjatë këtyre ditëve të ngjeshura me frymëzim fetar, pati dhe nga ata që e quajtën krim të ateizmit.
Nëse persekutimi i njerëzve të fesë e bën Enver Hoxhën ateist, çfarë do ta bënte atë persekutimi i komunistëve?
Ja një listë e përpiluar shpejt e shpejt e 41 komunistëve të persekutuar nga Enver Hoxha – vrarë, detyruar të vetvriten, torturuar, burgosur dhe internuar – njerëz të cilëve iu janë shkatërruar jeta dhe familjet në mënyrën më çnjerëzore. Janë shënuar vetëm 41 të parët që më erdhën ndërmend, ndoshta ngaqë të gjithë kanë qënë komunistë me funksione:
Abaz Fejzo; Anastas Lulo; Arif Hasko; Bedri Spahiu; Beqir Balluku; Dali Ndreu; Dashnor Mamaqi; Dhora Leka; Duro Shehu; Fadil Paçrami; Feçorr Shehu; Fiqerete Shehu; Gjin Marku; Kadri Hazbiu; Kasem Trebeshina; Koçi Xoxe; Koço Tashko; Koço Tashko; Lipe Nashi; Liri Belishova; Liri Gega; Llambi Ziçishti; Mehmet Shehu; Mihallaq Ziçishti; Muhamet Prodani; Mustafa Gjinishi; Nako Spiru; Nesti Nase; Panajot Plaku; Petrit Dume; Piro Dodbiba; Sadik Premtja; Sejfulla Malëshova; Teme Sejko; Thoma Deliana; Todi Lubonja; Tuk Jakova; Vasil Kati; Vaske Gjino; Xhavit Ismailaga; Xhavit Qesja…
Ka edhe shumë të tjerë, qindra të tjerë. Enver Hoxha ka vrarë edhe persekutuar ndoshta më shumë komunistë se sa pjestarë të ndonjë grupimi tjetër politik, fetar, apo shëqëror.
Natyrisht, unë nuk dua aspak të krahasoj këta të 41 me 40 klerikët e persekutuar, apo me çdo grupim tjetër. Megjithatë, persekutimi ka qënë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga masa e fajita apo e pafajësisë.
Pyetja është e thjeshtë: A e bën persekutimi i qindra komunistëve Enver Hoxhën anti-komunist? A mund të quhet ai në këtë rast kapitalist, ose imperialist?
Enver Hoxha nuk ishte as komunist, as kapitalist, as fetar, as ateist, as socialist, as fashist. Ai ishte thjesht nje kriminel patologjik i ardhur në pushtet që kishte për borxh të vriste këdo – edhe njerëzit më të afërm të tij (praktikisht ai vrau të kunatin që e kishte ndihmuar aq shumë, për të mos folur për gjithë ata shokë të afërm që i eliminoi pa iu dridhur qerpiku) dhe të zhdukte nga faqja e dheut cilindo që mund t’i dilte pengesë për mbajtjen e pushtetit. Ai s’kishte asnjë parim, nuk i përmbahej asnjë norme morale, etike, shoqërore. Ishte thjesht një njeri i paskrupull.
Enver Hoxha përdori komunizmin për të ardhur në fuqi sepse kështu iu krijuan rrethanat. Fare mirë ai mund të kishte përdorur fashizmin, monarkinë, ose edhe ndonjë sistem tjetër që do t’i kishte garantuar pushtet të pakufizuar. Sistemi i komunizmit i dha atij mundësi të pakufizuara, që nuk do t’ia jepte ndoshta asnje sistem tjetër shoqëror. Modeli i këtij sistemi i marrë drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovietik I Leninit dhe Stalinit, mënyra piramidale e funksionimit të shtetit, adhurimi deri në kult i njëshit, zhveshja e individit nga çdo e drejtë, liria e pakufizuar e udhëheqësit për të vendosur mbi fatin dhe jetën e të tjerëve, aparati i përsosur i përgjimit dhe spiunimit, si dhe një sërë elementësh të tjerë që përbënin thelbin e sistemit komunist ishin veglat më të përshtatshme të Enver Hoxhës për shprehjen e perversitetit të tij moral, për çfaqjen e plotë të tipareve më të përbindshme të tij.

Monday, October 14, 2013

Porositë e Katovicës



Zbardhet letra që Sekretari i Parë i KQ të Bashkimit Sovietik, Mikail Gorbaçov  i ka drejtuar Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia.*

Shtator 1989


I dashur tavarish Ramiz,
Po ju dërgoj këtë letër dhe materialin përcjellës, megjithëse Partia Komuniste e Bashkimit Sovietik dhe Partia e Punës së Shqipërisë nuk kanë marrëdhënie. Kjo nuk na pengon ne, komunistët rusë, që të ruajmë respekt, nderim dhe dashuri të veçantë për komunistët shqiptarë dhe të shqetësohemi seriozisht për fatin e tyre. Në fakt, e ardhmja e komunistëve shqiptarë është preokupimi kryesor për ne në këto ditë kur komunizmit në përgjithësi duket se po i vjen fundi dhe kur unë, personalisht, po ndikoj më tepër se kushdo për shpejtimin e këtij fundi.
Megjithëse ju nuk pranoni të vini në mbledhjet tona (pavarësisht nga lutjet e vazhdueshme), ne e ndjejmë për detyrë t’iu njoftojmë, pasi e kemi të qartë që ju jeni fanar ndriçues i komunizmit staliniano-enverist në Europë dhe në Botë, ideale për të cilat, siç dihet, unë s’kam pikë konsiderate.
Prandaj, më lejoni t’iu informoj për marrëveshjen e Katovicës, Poloni, ku ne, udhëheqësit e vendeve komuniste diskutuam në fshehtësinë më të madhe dhe vendosëm për të ardhmen e secilit vend.
Kuptohet, qëllimi i këtij plani është që të lemë në pushtet komunistët. Për këtë, vendosëm pranimin e sistemit shumëpartiak në të gjithë vendet ish-komuniste, me kusht që ne t’i organizojme vetë partitë e ndryshme duke vënë njerëz të caktuar në krye të tyre. Këta njerëz s’ka nevojë të jemi ne. S’ka nevojë të jenë as fëmijët apo farefisi yne. Po cilët do të jenë ata? Këtë do ta shpjegojmë më poshtë.
Duhet sqaruar që në fillim se ne bëmë disa përjashtime nga përpjekjet tona. Për shembull, menduam ta të mos e çajmë fare kokën për Gjermaninë Lindore, pasi nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë për komunistët gjermanë dhe s’kemi përse i ndihmojmë ata të rrijnë në pushtet. Megjithëse gjermanolindorët kanë qënë shumë afër Moskës, ne duam më shumë komunistët shqiptarë dhe element të caktuar në Partinë tuaj. Po kështu, nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë as për komunistët polakë, çekosllovakë, dhe hungarezë. Vullnetarisht kemi hequr dorë edhe nga ndihma për komunistët e vendeve Balltike, pavarësisht se këto vende janë ende pjesë e BS dhe shumë anëtarë partie atje janë rusë etnikë. Të gjithë  këta do t’i lëmë në dorë të borgjezisë europiane, SHBA-ve dhe imperializmit në përgjithësi. Ndërsa komunistët Jugosllavë i kemi bezdi, prandaj kemi vendosur t’i vemë në sherr me njëri-tjetrin, që të vriten e të sakatohen, dhe që pastaj nga Jugosllavia të dalin gjashtë-shtatë shtete me të cilat nuk kemi vendosur ende çdo të bëhet.  Sa për Rumaninë, vendosëm të dënojmë me vdekje Çausheskun dhe të shoqen, dhe të ndihmojmë komunistët Romunë që nuk janë në pushtet tani.

Të gjitha këto masa i morëm megjithëse shkojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat gjeopolitike të Rusisë dhe Bashkimit Sovietik. Por për ne, hë për hë, kanë më shumë rëndësi disa komunistë ose elementë të caktuar me prirje të veçanta, të cilët kemi vendosur t’i bëjmë trashëgimtarë të pushteteve në Rusi, Ukrainë, Bullgari, Rumani, Moldova, Azerbajxhan, Armeni, Turkmenistan, Kazakistan dhe, veçanërisht, në Shqipëri. Ekspozenë e mëposhtme po e përqëndroj te Shqipëria, pasi kjo lidhet drejtpërdrejt me ju. Dua t’iu siguroj se mbledhja e fshehtë e Katovicës, nga gjashtë ditë punimesh, katër ia kushtoi Shqipërisë dhe atyre shqiptarëve që do të trashëgojnë pushtetin aty.
Ja çfarë vendosëm:
Shokët shqiptarë, për të ruajtur pushtetin duhet të pranojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmin politik. Ne e dimë se sa e vështirë është të pranoni respektimin e të drejtave të njeriut, pasi kjo bije kryekëput në kundërshtim me idetë bazë të marksizëm-leninizmit dhe me të gjithë instiktet tuaja, por jemi të bindur që ju do të gjeni forca ta pranoni këtë formalisht, ndërkohë që realisht do të vazhdoni të mos i respektoni ato.
Pika më e nxehtë është pluralizmi politik. Ne ju udhëzojmë që të jeni të fundit në Europë që ta pranoni pluralizmin politik. Kjo do t’iu japë përparësi të mëdha. Gjithashtu, ju udhëzojmë t’i organizoni vetë partitë politike, të ndara në dy kampe të mëdha – të majtë dhe të djathtë. Këtu duhet të luani me kujdes. Në partitë e majta duhet të fusni elementë anti-komunistë (për shembull, ish-ministra të brendshëm, ish-bij komunistësh, mbështetës të flaktë të Enver Hoxhës, etj). Në krye të tyre mund të zgjidhni ndonjë anti-komunist të thekur nga Fakulteti i Ekonomisë, apo Shkolla e Partisë Vladimir Iliç Lenin. Duhet një njeri inteligjent që të ketë qef të prishë para, që luan kumar, dhe që s’ka skrupuj, Për shembull Fatos Nano, për të cilin pjesmarrësit e mbledhje së Katovicës kanë adhurim të veçantë. Ky do të jetë i përkohshëm/i përhershëm, pasi do të luajë vetëm një rol kalimtar në shndërrimin e partisë tuaj nga Parti e Punës së Shqipërisë, në Parti Socialist të Shqipërisë, por edhe do të aktivizohet më vonë duke u rikthyer në pushtet. Nano dhe gjithë të tjerët do të zëvendësohen përfundimisht me njeriun për të cilin ne jemi vërtet të shqetësuar dhe për të cilin kemi vendosur që ta trashëgojë realisht pushtetin dhe pasurinë  në Shqipëri.
Rreth Partisë kryesore të Majtë, do të krijoni parti të tjera të majta satelite, në krye të të cilave mund të jenë ish-Ministra Kulture, apo eksponentë të tjerë anti-komunistë të Partisë tuaj. Partitë e majta do të jenë anti-komuniste.
Nga ana tjetër, partitë e djathta do të jenë pro-komuniste. Për këtë do të duhet të dërgoni një numër të pakufizuar agjentësh të fshehur në këto parti. Në krye të partisë më të madhe të djathtë, të cilën mendoj ta quani Partia Demokratike kemi menduar të jetë mjeku dhe kryeagjenti komunist rus, kardiologu Sali Berisha. Pjesmarrësit e Katovicës janë shumë të impresionuar nga mundësitë dhe ambiciet e tij politike dhe shumë të shqetësuar që ai të arrijë të trashëgojë një pjesë të pushtetit në Shqipëri. Krahas tij në atë parti mund të fusni arkitektë, ish-të burgosur politikë, mjekë me shumicë, matematicienë dhe pedagogë nga fakultetet e tjera. Por duhet që të gjithë të jenë komunistë të vendosur.
Pra, pamja do të jetë kjo – nga njëra anë partitë komuniste/antikomuniste dhe nga ana tjetër partitë antikomuniste/komuniste. Në krye të këtyre partive do të jenë gjithmonë njerëzit tanë.
Po me ju, njerëzit që sot për sot keni pushtetin në Shqipëri, me anëtarët e byrosë politike, me shoqen Nexhmie Hoxha dhe familjen e tyre, me ju personalisht, çdo të bëhet? Juve kemi vendosur t’iu sakrifikojmë pjesërisht. Nuk do t’iu lemë në duart e turmave, që t’iu shqyejnë fare, por do t’iu mbrojmë. Ju mund të hani nga një ose dy vjet burg secili, por kjo është lule po ta krahasosh me krimet që keni kryer gjatë dyzetepesë vjetëve në pushtet.
A do ta pranoni ju një zgjidhje të tillë? Natyrisht që do ta pranoni, pasi iu sugjerohet nga Bashkimi Sovietik, që ju keni që në 1960tën që e dëgjoni me vëmendje, sidomos kur iu thotë që të lini pushtetin. Gjithashtu, ne e dijmë shpirtin tuaj vetmohues. Kur të merrni vesh se në interes të kujt do të organizohet e gjithë kjo, do të hidheni përpjetë dhe do t’i thoni të gjithë burgut “Hapu!”
Ja si do veproni. Hapi i parë do të jetë organizimi i hyrjes në ambasada të disa mijëra njerëzve. Me këtë, do të largoni nga Shqipëria elementët më të rrezikshëm. Në krye të tyre do të vini Syçin e Kinostudios.
Pas kësaj, do të organizoni lëvizjen studentore. Gjeni dikë nga krahina e Doktorit që ta vini në krye të saj. Ti, shoku Ramiz, do të bësh një mbledhje me përfaqësuesit e studentëve dhe pastaj do të pranosh pluralizmin. Këtu fillon loja, pasi do futësh në veprim Berishën, që të dalë në krye të studentëve. Ndërkohë, do fillosh të ngresh Nanon që të dalë në krye të PPSH-së. Me të dalë në skenë partitë kryesore, vazhdo me ato anësore. Organizoni sa më shumë parti që të jetë e mundur.
Filloni të lironi pak e nga pak nga burgu të dënuarit politikë. Fillimisht ata do të shkojnë me partinë e antikomuniste/komuniste, ndërsa më vonë do kalojnë me partinë komuniste/antikomuniste. Kuptoni?
Nanon, pasi ta ketë kthyer Partinë e Punës në Parti Socialiste do ta sillni për nja një vit në pushtet. Lereni të vjedhë ca nga ndihmat, pastaj, hiqeni, dhe vini Berishën. Këtij do t’i mbushni mendjen që ta fusë Nanon në burg. Bindeni që t’iu rrasë edhe ju nga pak në burg.
Berishën lereni nja pesë vjet në pushtet, pastaj rrëzoheni. Rrrëzimin do t’ia bëni në mënyrë sa më spektakolare, mundësisht me fishekziare ose me të shtëna kallashnikovësh në ajër. Zhurma duhet të jetë sa më e madhe, pasi këtu fillon përgatitja e ardhjes së Mesias, të dërguarit të Kominternit, në pushtet. Ardhja Mesias do të jetë graduale, e natyrshme. Në fillim do të zëvendësoni Berishën me ndonjë njeri të panjohur nga Gjirokastra. Pastaj ktheni në pushtet Nanon, të cilin do ta keni nxjerrë nga burgu gjatë kohës së fishekziarëve.
Nano di vetë si të veprojë. Do t’ua sjellë njerëzve në majë të hundës, duke hedhur para nëpër kazino, duke  ndërruar gratë, duke bredhur sa andej këndej dhe duke mos bërë asnjë kokërr pune. Ndërkohë, Mesia do të fillojë të grumbullojë gjithmonë e më shumë pushtet.
Tani erdhi koha t’iu zbulojmë kush do të jetë Mesia e komunizmit kapitalist. Mbledhja e Katovicës është e mendimit që, për Shqipërinë ky njeri të jetë Ilir Meta (me të shoqen). Të gjitha lëvizjet do të bëhen në mënyrë që të përfitojë sa më shumë pushtet dhe para Ilir Meta. Në fakt, ky është edhe thelbi i Katovicës – lënia trashëgim e pushtetit komunist Ilir Metës.
Ilir Metës i duhen nja dy vjet si kryeministër, sa t’iu mbushë mendjen njerëzve që mund ta bëjë atë punë dhe sa të krijojë mbështetje. T’i jepet ndihmë e pakursyer këtij komunisti internacionalist të talentuar i cili, më mirë se kushdo do të dijë t’i nxjerrë bojën të ashtuquajturës demokraci perëndimore. Pas Ilir Metës, vini Majkon nja dy vjet të tjerë dhe pastaj sillni përsëri Nanon. Ky do ta bëjë aq baltë, saqë do të hapë dy shtigje të rëndësishme: nostalgjinë e njerëzve për Berishën, dhe përçarjen brenda Partisë Socialiste.
Kështu do të krijohet mundësia që PS të ndahet në dysh dhe në krahun e vogël të saj të dalë Ilir Meta, tashmë i fuqizuar ekonomikisht si milioner dhe bos. Në krahun tjetër do të vihet dikush që duket sikur s’ka asnjë lidhej me Partinë Socialiste dhe me politikën, Edi Rama. Po, po, Edi Rama, basketbollisti, piktori, ai djali i gjatë. Mos u çudisni, Katovica ka shumë konsideratë për të.
Berishën lëreni nja tetë vjet në pushtet, por jo në pushtet të pakufizuar. Lëreni në pushtet të kushtëzuar. Të kushtëzuar nga aleanca me Ilir Metën. Ky do të dijë ta kthejë administratën në korrupsion të kulluar dhe ta vërë në shërbim të tij. Korrupsioni do t’i rrisë atij pushtetin dhe paranë dhe, nga ana tjetër, do t’i nxjerrë bojën sistemit demokratik, duke i bërë njerëzit që ta shohin me nostalgji komunizmin. Më vonë Metën do ta ndani nga Berisha dhe do t’ia bashkoni Ramës. Në këtë mënyrë, Berisha do të humbasë zgjedhjet, por do të krijohet situata ideale, të cilën e kemi planifikuar me aq hollësi ne në Katovicë. Do të krijohet gjendja kur asnjë nga partitë e mëdha, as partia komuniste/antikomuniste dhe as partia antikomuniste/komuniste nuk do të jenë në gjendje të krijojnë qeveri pa përkrahjen e Ilir Metës – Mesias së Marksizëm Leninizmit në Shqipëri. Vetëm ky do të jetë në gjendje t’ua zvjerrdhë demokracinë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata të qajnë për Enver Hoxhën. Natyrisht, do të kenë kaluar njëzeteca vjet; ca nga ju do të kenë vdekur; por kujtimi i shokut Enver, që ne Rusët e duam aq shumë, do të bëhet gjithmonë e më i dashur.  
Shkurt, për Katovicën ka rëndësi jetike që në Shqipëri të mbretërojë Mesia Ilir Meta.
Ne kemi besim se shokët shqiptarë, Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë, Ju personalisht shoku Ramiz dhe vetë Shoqja Nexhmije do ta përqafoni planin tonë dhe do të dini se si të veproni për t’ia trashëguar pushtetin në Shqipëri Ilir Metës. Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese.
Rroftë Internacionalizmi Proletar! Lavdi Marksizëm Leninizmit fitimtar! Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë! I përjetshëm qoftë kujtimi i shokut Enver Hoxha! Poshtë imperializmi Amerikan dhe social imperializmi Sovietik! Uuups! Rroftë shoku Ilir Meta! Rroftë shoqja Monika Kryemadhi! Rroftë Zamir Mane! 

Shënim: Origjinali në rusisht i kësaj letre gjendet në arkivin personal të zotit Mikail Gorbaçov
. Me kërkesën e një grupi të interesuarish, ai pati mirësinë të na e nisë me email.
Arben Kallamata