Showing posts with label nacionalizmi. Show all posts
Showing posts with label nacionalizmi. Show all posts

Sunday, September 28, 2014

Enver Hoxha anti-komunist?!



Fotot e 40 klerikëve u ekspozuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të dëshmuar krimin e komunistëve, ose më saktë të Enver Hoxhës kundër fesë. Gjatë këtyre ditëve të ngjeshura me frymëzim fetar, pati dhe nga ata që e quajtën krim të ateizmit.
Nëse persekutimi i njerëzve të fesë e bën Enver Hoxhën ateist, çfarë do ta bënte atë persekutimi i komunistëve?
Ja një listë e përpiluar shpejt e shpejt e 41 komunistëve të persekutuar nga Enver Hoxha – vrarë, detyruar të vetvriten, torturuar, burgosur dhe internuar – njerëz të cilëve iu janë shkatërruar jeta dhe familjet në mënyrën më çnjerëzore. Janë shënuar vetëm 41 të parët që më erdhën ndërmend, ndoshta ngaqë të gjithë kanë qënë komunistë me funksione:
Abaz Fejzo; Anastas Lulo; Arif Hasko; Bedri Spahiu; Beqir Balluku; Dali Ndreu; Dashnor Mamaqi; Dhora Leka; Duro Shehu; Fadil Paçrami; Feçorr Shehu; Fiqerete Shehu; Gjin Marku; Kadri Hazbiu; Kasem Trebeshina; Koçi Xoxe; Koço Tashko; Koço Tashko; Lipe Nashi; Liri Belishova; Liri Gega; Llambi Ziçishti; Mehmet Shehu; Mihallaq Ziçishti; Muhamet Prodani; Mustafa Gjinishi; Nako Spiru; Nesti Nase; Panajot Plaku; Petrit Dume; Piro Dodbiba; Sadik Premtja; Sejfulla Malëshova; Teme Sejko; Thoma Deliana; Todi Lubonja; Tuk Jakova; Vasil Kati; Vaske Gjino; Xhavit Ismailaga; Xhavit Qesja…
Ka edhe shumë të tjerë, qindra të tjerë. Enver Hoxha ka vrarë edhe persekutuar ndoshta më shumë komunistë se sa pjestarë të ndonjë grupimi tjetër politik, fetar, apo shëqëror.
Natyrisht, unë nuk dua aspak të krahasoj këta të 41 me 40 klerikët e persekutuar, apo me çdo grupim tjetër. Megjithatë, persekutimi ka qënë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga masa e fajita apo e pafajësisë.
Pyetja është e thjeshtë: A e bën persekutimi i qindra komunistëve Enver Hoxhën anti-komunist? A mund të quhet ai në këtë rast kapitalist, ose imperialist?
Enver Hoxha nuk ishte as komunist, as kapitalist, as fetar, as ateist, as socialist, as fashist. Ai ishte thjesht nje kriminel patologjik i ardhur në pushtet që kishte për borxh të vriste këdo – edhe njerëzit më të afërm të tij (praktikisht ai vrau të kunatin që e kishte ndihmuar aq shumë, për të mos folur për gjithë ata shokë të afërm që i eliminoi pa iu dridhur qerpiku) dhe të zhdukte nga faqja e dheut cilindo që mund t’i dilte pengesë për mbajtjen e pushtetit. Ai s’kishte asnjë parim, nuk i përmbahej asnjë norme morale, etike, shoqërore. Ishte thjesht një njeri i paskrupull.
Enver Hoxha përdori komunizmin për të ardhur në fuqi sepse kështu iu krijuan rrethanat. Fare mirë ai mund të kishte përdorur fashizmin, monarkinë, ose edhe ndonjë sistem tjetër që do t’i kishte garantuar pushtet të pakufizuar. Sistemi i komunizmit i dha atij mundësi të pakufizuara, që nuk do t’ia jepte ndoshta asnje sistem tjetër shoqëror. Modeli i këtij sistemi i marrë drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovietik I Leninit dhe Stalinit, mënyra piramidale e funksionimit të shtetit, adhurimi deri në kult i njëshit, zhveshja e individit nga çdo e drejtë, liria e pakufizuar e udhëheqësit për të vendosur mbi fatin dhe jetën e të tjerëve, aparati i përsosur i përgjimit dhe spiunimit, si dhe një sërë elementësh të tjerë që përbënin thelbin e sistemit komunist ishin veglat më të përshtatshme të Enver Hoxhës për shprehjen e perversitetit të tij moral, për çfaqjen e plotë të tipareve më të përbindshme të tij.

Friday, April 22, 2011

Regjistrimi i Strucëve


Sa strucë jetojnë në Shqipëri? Sa prej tyre e mbajnë kokën mbi rërë? Sa duan ta fshehin të vërtetën, duke u munduar t’i fshihen asaj?

Po njerëz, sa ka? Sa jetojnë në fshat? Sa jetojnë në qytet? Sa jetojnë të ngujuar nëpër kulla? Sa janë të martuar? Sa vetë ka një familje tipike shqiptare?

Pyetjet janë pa fund dhe kur bëhen në kuadrin e regjistrimit të popullsisë (ose Census) të gjitha kanë një qëllim të caktuar - të përcaktojnë profilin e një vendi. Ato i shërbejnë qeverisë për të përcaktuar politikat shoqërore dhe ekonomike (nëse qeveria është në gjendje ta shfrytëzojë këtë burim). I shërbejnë shtetit për të përcaktuar politikën e brendshme dhe të jashtme. Vendet e qytetëruara e kanë shpikur dhe shfrytëzuar me kohë institucionin e "Censusit" për të nxjerrë të dhëna dhe për t'i shfrytëzuar ato.

Zogu, që u përpoq të bënte një shtet të vërtetë në Shqipëri, organizoi edhe numërimin e parë të shqiptarëve. Pastaj erdhën në fuqi kërpaçët, që kishin si parim kryesor të qeverisjes "futja si t'i vijë" - dhe dihet ç'ndodhi.

Në vitin 2011 në shqip nuk ka ende një fjalë për të përkthyer termin "Census". 20 vjet pas rënies së komunizmit shteti shqiptar nuk po arrin të realizojë dot regjistrimin si duhet të popullsisë. Këtë radhë, nyje gordiane është bërë pyetja: "Duhet regjistruar feja dhe kombësia (etniciteti) i popullsisë apo jo?"

Ata që thonë "jo" pretendojnë se, po ta regjistrohet feja dhe kombësia (etnicitetin), do t'i bëhej një dëm i pallogaritshëm çështjes kombëtare duke i shërbyer shovinistëve grekë. Pa dashur të fyej njeri, mua ky më duket pozicion prej struci.

1. Së pari, e vërteta s’ka qënë ndonjëherë në dëm të kombit shqiptar – të paktën unë kështu e kam mësuar historinë dhe nga kjo bazë nisem kur argumentoj. Përkundrazi, kanë qënë gënjeshtrat dhe shpifjet ato që na kanë hyrë në hak. Regjistrimi i të vërtetës vetëm të mira mund të sjellë.

2. Shovinistëve grekë nuk i leverdis numri i saktë i njerëzve që e konsiderojnë veten "grekë" në Shqiperi. Shovinistëve grekë iu leverdis numri i ekzagjeruar që ata kanë në kokë. Por edhe nëse numri që ata pretendojnë është i saktë, atëherë ne, shqiptarët, duhet të bëhemi më realiste dhe ta shohim të vërtetën në sy - të rishohim qëndrimet dhe politikat tona dhe të nisemi jo nga shifra imagjinare, por nga faktet e pakundërshtueshme. Për shembull, nëse në Shqipëri jetojnë veërtet 150 mijë grekë (gjë më mua më duket se s’ka aspak të ngjarë) atëherë ne s’mund të vazhdojmë t’i bijem murit me kokë dhe të mohojmë ekzistencën e tyre. Ne duhet të ndërtojmë një shtet që njeh dhe respekton praninë e 150 mijë grekëve. Zvicra, për shembull, përbëhet nga 65% gjermanë, 18% francezë dhe 10% Italianë. Kjo s’e ka penguar që të jetë shtet i pavarur dhe i fuqishëm, megjithëse është ngjitur me tre nga shtetet më të fuqishme të Europës të cilët, në periudha të caktuara historike nuk kanë qenë aspak paqësore dhe tolerante. Sidoqoftë, ky është një digression teorik, pasi mundësia që në Shqipëri të jetojnë 150 mijë grekë është gjithashtu teorike.

3. Shovinistëve grekë, sllavë dhe kushdoqoftë, iu leverdis statistika e kohës së Zogut, sipas të cilës shqiptarët janë një popull musliman (70%) me pakica të krishtere (ortodoksë 20%; katolikë 10%). Ata e kanë shfrytëzuar këtë statistikë të vjetëruar për ta margjinalizuar Shqipërinë dhe për ta mbajtur larg proceseve integruese në Europë. Atyre nuk iu leverdis e vërteta që shumica e shqiptarëve mund të mos duan fare të deklarohen, të identifikohen, apo të shoqërizohen me ndonjë lloj feje, që një pjesë e mirë vijnë nga familje të përzjera dhe as nuk mund e as nuk duan të identifikohen me ndonjë fe, dhe që nje përqindje shumë e vogël mund të jenë muslimanë apo të krishterë. Atyre nuk iu leverdis fakti që shqiptarët besimtarë e shohin besimin si diçka personale, që s'ka të bëjë fare me shtetin. Atyre nuk iu leverdis e vërteta tjetër që ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë, dhe jo grekë.

Në të katër anët e botës Shqipëria ulet e ngrihet si vend musliman, trajtohet nga media dhe politikanët si vend musliman, në një kohë kur shumica e shqiptarëve nuk ndihen fare si muslimanë (të pakten jo si muslimanë në kuptimin arab të fjalës). Nuk kam asgjë kundër të qenit musliman. Kushdo ka të drejtë të zgjedhë besimin ose mosbesimin e vet. Shqetësimi im është për të vërtetën. Nëse në regjistrimin e popullsisë 90% e shqiptarëve do të deklaroheshin muslimanë, atehëre kjo do të ishte e vërteta dhe unë do ta pranoja si të tillë. Në këtë rast, përsëri, do të duhet të rimendonim qëndrimin tonë ndaj kombit.

Të kërkosh të mos regjistrohet popullsia sipas fesë dhe përkatesisë kombëtare (etnicitetit) do të thotë të ndjekësh metodën e strucit dhe të futësh kokën nën rërë. Mua personalisht nuk do të më pëlqente që kombi im ta mbështeste dashurinë për atdheun te gënjeshtrat, ose te fshehja e të vërtetës. Dihet, për shembull, që Greqia pretendon se është vendi i vetëm etnikisht i pastër në Europë - ata thonë se popullsia e vendit është 100% greke, dhe që të gjithë janë ortodoksë. Kjo, kuptohet, është një gënjeshtër me bisht - një gënjeshtër qesharake, e ndyrë, dhe dashakeqese. Unë nuk do të doja kurrsesi që qeveria dhe shteti shqiptar të binte në këto nivele pafytyrësie.

Regjistrimi i popullsisë sipas fesë dhe kombësisë (etnicitetit) është i ligjshëm dhe kushtetues. Shteti ka të drejtë të pyesë, individi ka të drejtë të përgjigjet si të dojë. Në pyetësor duhet të ketë mundësi të zgjedhësh, dhe një nga zgjedhjet duhet t'i japë të drejtë atij që pyetet që të mos përgjigjet. Pyetësori duhet të jetë i paanshëm dhe të respektojë privacinë e atij që e plotëson.