Sunday, September 28, 2014

Enver Hoxha anti-komunist?!



Fotot e 40 klerikëve u ekspozuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të dëshmuar krimin e komunistëve, ose më saktë të Enver Hoxhës kundër fesë. Gjatë këtyre ditëve të ngjeshura me frymëzim fetar, pati dhe nga ata që e quajtën krim të ateizmit.
Nëse persekutimi i njerëzve të fesë e bën Enver Hoxhën ateist, çfarë do ta bënte atë persekutimi i komunistëve?
Ja një listë e përpiluar shpejt e shpejt e 41 komunistëve të persekutuar nga Enver Hoxha – vrarë, detyruar të vetvriten, torturuar, burgosur dhe internuar – njerëz të cilëve iu janë shkatërruar jeta dhe familjet në mënyrën më çnjerëzore. Janë shënuar vetëm 41 të parët që më erdhën ndërmend, ndoshta ngaqë të gjithë kanë qënë komunistë me funksione:
Abaz Fejzo; Anastas Lulo; Arif Hasko; Bedri Spahiu; Beqir Balluku; Dali Ndreu; Dashnor Mamaqi; Dhora Leka; Duro Shehu; Fadil Paçrami; Feçorr Shehu; Fiqerete Shehu; Gjin Marku; Kadri Hazbiu; Kasem Trebeshina; Koçi Xoxe; Koço Tashko; Koço Tashko; Lipe Nashi; Liri Belishova; Liri Gega; Llambi Ziçishti; Mehmet Shehu; Mihallaq Ziçishti; Muhamet Prodani; Mustafa Gjinishi; Nako Spiru; Nesti Nase; Panajot Plaku; Petrit Dume; Piro Dodbiba; Sadik Premtja; Sejfulla Malëshova; Teme Sejko; Thoma Deliana; Todi Lubonja; Tuk Jakova; Vasil Kati; Vaske Gjino; Xhavit Ismailaga; Xhavit Qesja…
Ka edhe shumë të tjerë, qindra të tjerë. Enver Hoxha ka vrarë edhe persekutuar ndoshta më shumë komunistë se sa pjestarë të ndonjë grupimi tjetër politik, fetar, apo shëqëror.
Natyrisht, unë nuk dua aspak të krahasoj këta të 41 me 40 klerikët e persekutuar, apo me çdo grupim tjetër. Megjithatë, persekutimi ka qënë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht nga masa e fajita apo e pafajësisë.
Pyetja është e thjeshtë: A e bën persekutimi i qindra komunistëve Enver Hoxhën anti-komunist? A mund të quhet ai në këtë rast kapitalist, ose imperialist?
Enver Hoxha nuk ishte as komunist, as kapitalist, as fetar, as ateist, as socialist, as fashist. Ai ishte thjesht nje kriminel patologjik i ardhur në pushtet që kishte për borxh të vriste këdo – edhe njerëzit më të afërm të tij (praktikisht ai vrau të kunatin që e kishte ndihmuar aq shumë, për të mos folur për gjithë ata shokë të afërm që i eliminoi pa iu dridhur qerpiku) dhe të zhdukte nga faqja e dheut cilindo që mund t’i dilte pengesë për mbajtjen e pushtetit. Ai s’kishte asnjë parim, nuk i përmbahej asnjë norme morale, etike, shoqërore. Ishte thjesht një njeri i paskrupull.
Enver Hoxha përdori komunizmin për të ardhur në fuqi sepse kështu iu krijuan rrethanat. Fare mirë ai mund të kishte përdorur fashizmin, monarkinë, ose edhe ndonjë sistem tjetër që do t’i kishte garantuar pushtet të pakufizuar. Sistemi i komunizmit i dha atij mundësi të pakufizuara, që nuk do t’ia jepte ndoshta asnje sistem tjetër shoqëror. Modeli i këtij sistemi i marrë drejtpërdrejt nga Bashkimi Sovietik I Leninit dhe Stalinit, mënyra piramidale e funksionimit të shtetit, adhurimi deri në kult i njëshit, zhveshja e individit nga çdo e drejtë, liria e pakufizuar e udhëheqësit për të vendosur mbi fatin dhe jetën e të tjerëve, aparati i përsosur i përgjimit dhe spiunimit, si dhe një sërë elementësh të tjerë që përbënin thelbin e sistemit komunist ishin veglat më të përshtatshme të Enver Hoxhës për shprehjen e perversitetit të tij moral, për çfaqjen e plotë të tipareve më të përbindshme të tij.

Wednesday, September 17, 2014

Analize Bythe



Nga rubrika “Në 70-vjetorin e Çkërdhimit të Vendit”

Të më falin miqtë për futjen e një fjale të konsideruar si e papërdorshme në shqipen e shkruar, por unë s’gjeta fjalë tjetër dhe është një analizë që duhet ta bëj medoemos. Duhet ta bëj se është e nevojshme të bëhet dhe se s’më del e keqja po s’e bëra.
Shikoni gazetarin të pozicionuar në të dy fotografitë dhe vini re ndryshimin e pozicionit të bythës. Në figureën 2 gazetari e ka mbështetur bythën plotësisht në karrige, ndihet rehat dhe i sigurt. Trupin e mban drejt dhe shtylla kurrizore duket se është fare në rregull. E vështron të intervistuarin – që gjithsesi nuk është njeri pa pozitë, është Ministër i Brendshëm – në bebe të syrit, pa iu lëkundur fare qerpiku. Ka veshur një kostum blu – simbol i pushtetit, forcës, sigurisë, autoritetit, që ia jep të qënit gazetar i një rubrike të rëndësishme.
Në figurën 1 intervistuesi ndodhet përballë Hienës, Vampires, Panterës së Zezë, Zonjës, Shoqes, të Shoqes, Nanës Mbretëreshë, gruas së atij. Duket sikur gjithë titujt dhe autoriteti i plakës i kanë kaluar mbi supe intervistuesit dhe ia kanë përkulur shtyllën kurrizore, e cila, në mungesë të palcës, ka marrë trejtën hark. Supet janë lëshuar poshtë, dhe kostumi ngjyrë kafe – ngjyrë dominuese e kostumeve në kohën kur e intervistuara vriste dhe priste pa ia bërë syri tërr, është tërhequr në maksimum.
Por, mbi të gjitha flet pozicioni i Bythës së intervistuesit.
Bytha është mbështetur në qoshe të ndenjëses. Gjysma ka dalë jashtë, si për të thënë: “Zonjë, Shoqe, Mbretëreshë, Vejushë, Trashëgimtare, Vazhdimtare, unë që po të intervistoj nuk jam as ulur as në këmbë, as në bythë, as jashtë bythës. Unë dhe bytha ime janë si të duash ti që të jemi. Në çfarëdo pozicioni që do ti. Trupin po e mbaj të përkulur në shenjë respekti dhe adhurimi. Ndërsa për bythën vendos ti. Unë s’kam ç’të bëj. Po ta le në dorë, bëj me të ç’të duash.”
Natyrisht, Zonja – me që ra fjala, ai mund t’i drejtohesh me “Zonja” një monstre si Nexhmije Hoxha?! Normalisht, po të jesh militant komunist do duhet t’i drejtohesh me “Shoqja”, siç i drejtoheshin dhe referoheshin gjithë bythecët servilë në kohën kur ajo ua kishte jetën në dorë. Po t’i drejtoheshe në atë kohë me “Zonja” ajo të fuste në burg dhe të bënte të të harroheshin kockat. Ty, dhe gjithë sojit e sorrollopit tënd. Me breza. Seriozisht, kjo është dilemë e madhe. As “Zonja” dhe as “Shoqja” nuk vlejnë për këtë rast. Më e ndershmja do të ishte t’i thoshe “Shoqja Kriminele”, po s’besoj se ajo do të pranonte të intervistohej me këto kushte. Mund t’i drejtohesh thjesht me Nexhmije, ose Nexhi, për shkurt, por do të prishje gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne dhe do t’i tingëllonte keq dëgjuesit. Po a s’i ke prishur gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne duke ftuar në studio një kriminele të atij kalibri dhe duke i dhënë rast të vjellë në ekran dozën e zakonshme të propagandës që është mësuar ta vjellë për 70 vjetët e fundit të jetës së saj? Është vërtet bela dhe s’di si të bëjë njeriu i shkretë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për të mos e intervistuar atë qelbësirë. Ngdo që ta kthesh, duhet të bësh një kompromis me veten, domethënë duhet t’i japësh hark shtyllës kurrizore.
Desha të them që natyrisht, monstra i di të gjitha këto që mendon i përkuluri përpara saj. Ajo e di mirë që ai e ka shitur ose dhënë falas bythën që përpara se të bëhet intervista, duke rënë dakort me pyetjet që do të bëhen dhe përgjigjet që do të merren. Ajo e di që atë bythë në cep të ndenjëses, as të ulur, as të pa ulur, ajo e ka krejtësisht në dorë dhe mund të bëjë ç’t’i dojë qefi me të - ta hapë, ta shqyejë, ta mbushë me sende të rastit, ta kthejë mbrapsht, ta flakë tutje, t’ia dhurojë ndonjë veterani me rastin e përvjetorit të çlirimit. Sa për bythën e vet, pasi e ka fshirë mirë e mirë me surratin e intervistuesit, Zonjëza plakë e ka vendosur butë - butë jo vetëm mbi kolltuk, por edhe mbi një jastëçkë të bardhë - që në fakt, mund të mos jetë fare jastëçkë, por mund të jetë thjesht dinjiteti ose personaliteti i intervistuesit i mbushur me qime. Çfarë qimesh? Nuk po vazhdoj në këtë linjë se boll banale e kam bërë analizën deri këtu.
Nganjëherë s’ka fare nevojë ta dëgjosh një intervistë. Mjafton të analizosh pozicionet e bythëve. Disa bythë flasin më shumë dhe më qartë se gojët respektive.

Bigot



E keqja është që në shqip ne nuk kemi asnjë fjalë me të cilën të përkthejmë termin “bigot”. Unë u përpoqa me “google translate” dhe më doli “fanatik.” Jo, “bigot” nuk është fanatik. Më pranë kuptimi është me fjalën “racist”, por edhe ky nuk është i saktë. Bigot është një njeri që padrejtësisht urren një grup njerëzish të tjerë; ose që nuk pranon si të barabartë pjestarët e një ose disa grupeve të caktuara për shkak të racës, fesë, përkatësisë etnike apo krahinore, etj.
Për shembull Maks Velo. Maks Velo është shembull i shkëlqyer i një njeriu që mund ta quash me plot gojën BIGOT.
Natyrisht, Velon mund ta quash “anti-verior”, “anti-islamist”, “anti-shqiptar” dhe shumë anti të tjera. Por asnjëra nga këto nuk e përcakton atë aq saktë sa fjala “bigot”. Bigot nënkupton dikë që niset nga parimi se një grupim njerëzish janë më superiorë, ose më inferiorë se një grup tjetër, për shkak të një përkatësie të caktuar. Përkatësia mund të jetë çfarëdo – kombëtare, etnike, apo krahinore, ngjyrë e lëkurës, formë apo ngjyrë e syve, lartësi e shtatit, spërdredhje ose e flokëve, dialekt në të folur, besim apo mosbesim fetar, parapëlqime për ekipe futbolli.
Bigotizmi është i lidhur ngushtë me racizmin, diskriminimin dhe paragjykimin, me vlerësimin e individëve në bazë të karakteristikave imagjinare të të gjithë grupit. Në shqip kjo përkthehet me shprehjen “i fut të gjithë në një thes”. Për shembull, Maks Velo s’e ka për gjë që t’i fusë të gjithë në një thes, ose t’i ndajë të gjithë sipas thasëve që ka në kokë. Një thes e mbush me veriorë, një tjetër e mbush me jugorë. Pastaj, nuk mjaftohet me këtë, por krijon thasë të tjerë: thasë me muslimanë, me ortodoksë, me katolikë. Pastaj iu ve etiketa thasëve: thes i mirë, thes i keq. Thes me hajdutë, thes me të ndershëm. Thes me terroristë, thes me tolerantë. Thes me të qytetëruar, thes me njerëz të egër. Thes me drogaxhinj, thes me punëtorë. Thes i dashur, thes i urryer.
Logjikës prej bigoti të Maks Velos nuk mund t’i përgjigjesh me logjikë prej bigoti. Nuk mund t’i thuash Maks Velos që i ka vënë etiketat e thasëve gabim, që thesi që ai ka etiketuar si “thes i mirë“ duhet të jetë “thes i keq” dhe anasjelltas. E keqja nuk qëndron te etiketimi i gabuar i thasëve. E keqja qëndron te ideja e përdorimit të thasëve, pra qëndron që në thelbin e logjikës prej bigoti të Maks Velos apo të kujtdo tjetër. Pra nuk mund t’i përgjigjesh një logjike të gabuar me një logjikë po aq të gabuar. Nuk mund t’i përgjigjesh as me argumentin që te “thesi i keq” i Maks Velos ka shumë shembuj njerëzish të mirë, njerëzish të qytetëruar. Këtë logjikë Maks Velot nuk e marrin vesh.
Fatkeqsisht, nuk është vetëm Maks Velo bigot. Më parë kam shkruar që shumë nga ne shqiptarët jemi racistë. Tani e pranoj gabimin. Duhet të kisha përdorur që atëherë fjalën bigotë. Sidoqoftë, dua të përsëris që ka ardhur, ose ka kaluar koha, që ta pranojmë këtë problem dhe t’i drejtohemi atij, si shoqëri me dëshirën dhe vullnetin për ta luftuar. Përndryshe do t’i kemi punët pisk.
Reagimet ndaj komenteve prej bigoti të Maks Velos ishin më së shumti bigotiste. Disa me dëshirën e mirë për të mbrojtur pastërtinë dhe virtutet e veriorëve, ose të muslimanëve. Të tjerët me batakun e argumentave të qelbur që edhe jugorët dhe ortodoksët nuk janë më të mirë, ose janë më të këqinj.
Bigotizmi te Maks Velot dhe te shumë shqiptarë mbizotëron në qëndrimin ndaj krahinave – të gjitha krahinave, ndaj feve, të gjitha feve, ose mungesës së tyre, me qëndrimin ndaj grave, homoseksualëve, egjiptianëve, romëve, arumunëve, serbëve, grekëve, maqedonasve, afrikanëve, kinezëve, çifutëve, çekëve, fshatarëve, provincialëve, katnarëve – në një popullsi çuditërisht të vogël gjen aq forma racizmi sa të merren mendtë. Bigotizmi vërtitet haptazi nëpër mediat shoqërore dhe faqet e gazetave, me ngrefje për superioritetin e shqiptarëve, lashtësinë e shqiptaro-iliro-pellazgëve, parësinë e gjuhës shqipe, e turli budallëqesh të tjera pa mbarim. E gjen te përpjekjet qesharake për t’i nxjerrë shqiptarë të gjithë personalitetet e kulturës dhe shkencës botërore dhe për t’i sharë me rrënjë e degë futbollistët që nuk pranojnë të luajnë me përfaqësuesen e Shqipërisë apo të Kosovës.
Prandaj ajo që thotë Velo nuk të çudit shumë. Të revolton, t’i sjell zorrët te goja, por nuk të çudit. Ajo që të çudit është se si një gazetë serioze si Mapo vazhdon ta konsiderojë Velon si intelektual dhe ta botojë fjalë për fjalë. Velo është njeri i mbaruar nga ana intelektuale. Ai është i matufepsur. Një njeri që dërdëllit budallëqe të tilla tregon mirëfilli që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet intelektuale të botës të paktën këto 50 vjetët e fundit. Intelektualisht, Velo është një matuf që s’ngre dot pantallonat.
Bigotizmi i tipit të Velos mund të pritet, për shembull, nga një njeri që nuk di asnjë gjuhë të huaj; që nuk lexon, nuk dëgjon, dhe nuk ia ka idenë se ç’bëhet përtej urës së Dalanit, për një kokëtharë që s’ka lidhje me asnjë njeri të mençur dhe që e kalon kohën duke pirë raki me fërgesë. Por nuk mund të pritet nga një njeri që mbahet si intelektual.
Nëse Mapos do t’i trokiste në derë një batakçi dhe t’i thoshte fjalë për fjalë broçkullat që ka lëshuar nga goja Maks Velo, me siguri që redaktorët do ta kishte nxjerrë me shqelma përjashta dhe s’do t’iu kishte shkuar për asnjë çast mendja ta botonin. Por Mapo ia boton Velos të njëjtat fjalë sepse Velo mbahet si intelektual, si pasuri e kombit. Pikërisht këtu qëndron gabimi i Mapos. Velo nuk është intelektual dhe nuk duhet konsideruar si i tillë. Ai mund të ketë qënë dikur intelektual. Ndërsa sot është thjesht një Bigot i Matufepsur dhe atij i duhet kushtuar po aq vemendje sa meriton një bigot i matufepsur. As më shumë, as më pak.
Këtu s’bëhet fjalë për liri të shprehuri. Nuk bëhet fjalë as për të qënë “korrekt politikisht”. Këtu bëhet fjalë për të qënë në rregull nga trutë e kokës. Nëqoftëse dikush është matufepsur – dhe është krejtësisht e pranueshme që një njeri, qoftë nga mosha, qoftë për shkaqe të tjera, edhe do matufepset – atëherë gazeta s’ka asnjë detyrim moral që ta botojë. Ne mund të na vijë keq për Velon, të kujtojmë me nostalgji kohën kur atij i punonte mendja në rregull (nëqoftëse vërtet ka pasur një kohë të tillë), por jo më shumë se kaq.
Ndërkohë duhet t’i vemë gishtin kokës dhe të mendojmë seriozisht se sa nga bigotizmi dhe matufepsja e Velos na ka mbetur neve vetë në kokë. Sepse kam frikë se na ka mbetur goxha.
Si fillim, le të përpiqemi ta kuptojmë përkufizmin e fjalës “bigot” dhe ta fusim atë në fjalor.

Kush do t’i dalë përpara Papës në Shqipëri?



Nga Rubrika “Në 70 vjetorin e çkërdhimit të Vendit”

Sipas Federiko Lombardit, drejtor i zyrës së shtypit të Vatikanit, qëllimi i parë i vizitës së Papës në Shqipëri do të jetë nderimi i viktimave të komunizmit. Qëllime dytësore do të jenë theksimi i marrëdhënieve të mira midis krishterimit dhe islamit dhe kujtimi i Nënë Terezës.  
Qofsha i gabuar, por qëllimi kresor i vizitës së Papës duket sikur po anashkalohet nga shtypi shqiptar. Ndoshta ata që janë në pushtet nuk kanë shumë qef që t’i vihet kaq shumë theks nderimit të viktimave të komunizmit, në një kohë kur ata janë përfshirë në një fushatë për nderimin e shkaktarëve të këtyre viktimave, duke përfshirë edhe kryekriminelin Enver Hoxha.
Pritja e Papës që tani është mbushur me hipokrizi e maskarallëk. Zyrtarisht duhet të dalë Kryeministri që mbyll sytë ndaj hosanave që po i bëhen Enver Hoxhës dhe bandës së tij me rastin e 70 vjetorit të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare. Por mund ta prese edhe kryetari i Kuvendit Popullor, Ilir Meta, bashkë me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe tufat e pinonierëve të Enverit, të rinj e pleq, që po mbushin kohet e fundit faqet e gazetave dhe ekranet me ngjyrën e gjakut shqiptar të derdhur nga komunistët. Ndoshta do të ketë edhe historianë si puna e Paskal Milos e politikanë si Gramoz Ruci. Në këtë rast s’do të bënin keq ta mbushnin sheshin me njerëz të besuar të Partisë, veteranë dhe të rinj të apasionuar pas idealit komunist, sepse këta do të ishin të gjithë gati për të duartrokitur. S’do ishte keq të vinin edhe ndonje “Albanian Celebrity” si puna e Nexhmije Hoxhës, si për t’i vënë kapak gjithë muhabetit.
Nuk di se çfarë efekti mund të ketë nderimi që poi u bën Papa viktimave të komunizmit (bulevardi kryesor qënka mbushur me portrete priftërinjsh të vrarë, a thua këta janë të vetmit) kur përballë tij do të jenë përkrahësit e flaktë të atyre që i shkaktuan këto viktima. Një gjë dihet me siguri – sapo Papa t’i hipë avjonit për t’u kthyer në Vatikan, qeveritarucët shqiptarë do t’i rikthehen punës për përgatitjen e festimeve të 70 vjetorit të çkërdhimit të vendit. Dhe s’kanë faj, do të kenë humbur një ditë të vyer nga puna e tyre intensive dhe realizimi i detyrave të planit.