(Shënime udhëtimi)
Pamje e Varshavës nga Pallati i Kulturës dhe Shkencave |
Kjo pamje është nga pjesa e vjetër e Varshavës që quhet Qyteti i Vjetër (Staro Miesto) |
Ja si dukej Staro Miesto në vitin 1945 pasi ishte shkatërruar nga nazistët. |
Dy fotografitë e para i kam marrë unë në Gusht 2019. Fotoja e tretë është marrë 74 vjet më parë, në të njejtin vend me të dytën, në një nga sheshet e Qytetit të Vjetër.
Mendimi i parë
Çfarë logjike të
mbrapshtë, çfarë egërsie, çfarë mungese përgjegjësie morale duhet të kesh që të
urdhërosh rrënimin e një qyteti në këtë shkallë? Me çfarë të drejte mund të
shkosh, të pushtosh një popull fqinj, ta shpallësh veten zot me anë të dhunës,
t’i ndash njerëzit në shtresime racore arbitrare duke vënë në krye atë që e
quan race jote, dhe pastaj t’i grabisësh, t’i burgosësh, t’i vrasësh, t'i cytësh kundër njer9 t’i
zhdukësh nga faqja e dheut dhe të shkatërrosh një trashëgimi
kulturore e historike të lënë brez pas brezi?!
Është folur shumë për
egërsinë e verbër naziste, por si duket nuk është mjaft. Ai krimineli me
mustaqe dhe ideologjia e vdekjes që përfaqësonte ka ende përkrahës, fatkeqsisht
edhe ndër shqiptarët. Ende gjen teoricienë konspirativë që mundohen të të
mbushin mendjen se ka qënë përparimtar, se është portretizuar padrejtësisht si
vrasës nga armiqtë e tij, dhe se në të vërtetë ka qënë paqësor, njerëzor.
Le t’ua thonë këto
dokrra polakëve, që një ditë të bukur u zgjuan për t’i parë qytetet e tyre të
pushtuara nga tanket naziste, që panë të ngrihej muri ndarës midis një zone që
u quajt Getoja e hebrejve, ku në tre kilometra katrore u ngjeshën mbi
katërqindmijë vetë, burra, gra, pleq, fëmijë, të gjithë me planin për t’u
shfarosur. Le t’ua thonë atyre që humbën njerëzit më të afërt, që panë t’iu
shkatërrohej e gjithë historia dhe t’iu bëheshin shkrumb monumentet në një
përpjekje të vetëdijshme për t’iu fshirë kujtesën kombëtare. Le t’ua thonë
fëmijëve të shfarosur në Treblinka dhe Aushvic.
Ata që përkrahin hitlerin
dhe nazizmin në esencë janë të njëjtë me ata që përkrahin komunizmin dhe enver
hoxhën. Asnjë njeri nuk ka të drejtë t’i marrë pa arsye jetën ose lirinë një
tjetri, aq më tepër një populli të tërë. Në Poloni nazistët vranë 6 milion
njerëz, gjysma e të cilëve hebrej, dhe shkatërruan qytetet kryesore. Gjashtë
milion ishte një e pesta e popullsisë së vendit. Vështirë të gjesh qëndrim më
absurd, më të pështirë, më të pamoralshëm se sa përkrahja për nazizmin dhe
Hitlerin.
Mendimi i dytë
Qyteti i Vjetër (Stare
Miasto), bashkë me pjesën më të madhe të gjithë Varshavës u rindërtua nga
polakët në dhjetë vjetët fill pas luftës. Gjysma e kësaj kohe u deshë për të
pastruar rrënojat e ndërtesave, për të hequr gurët, dheun, shkrumbin dhe …
kufomat. Polakët nuk pritën t’iu vinte njeri me fonde dhe lëmosha për t’ua
rindërtuar qytetet. Ata iu përveshën punës vetë. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve e
gjithë popullsia jepte gjysmën e të ardhurave si taksë për Fondin e
Rindërtimit. Qyteti i Vjetër u bë pothuajse si kishte qënë. Pjesa tjetër e
Varshavës u bë e re.
Tirana doli nga L2B me
gjysmë minareje të rrëzuar. Asgjë tjetër. Për gati pesëdhjetë vjet thuajse nuk
u ndërtua asgjë për të qënë dhe ndërtesat më të bukura mbetën ato që ishin
ngritur para se të vinin komunistët në pushtet, para luftës dhe gjatë saj.
Ndërkohë, u prishën shumë objekte të vjetra për t’u zëvendësuar me arkitekturën
komuniste.
Krahasimi? Polakët
janë popull punëtor dhe atdhedashës. Janë të edukuar, të moralshëm, të
ndershëm. Ata janë krenarë për të kaluarën e tyre, pa qënë nevoja të
pretendojnë budallëqe. Nuk thonë se kanë jetuar në ato troje dhe në të tjerat
përreth që në kohën kur u krijua bota dhe se perënditë kanë folur polonisht.
Jo. Japin fakte dhe dokumente historike se kanë arritur në ato anë diku nga
shekulli i dhjetë dhe kanë filluar të formojnë gradualisht kombin e tyre duke
pasur në bazë një fis që quheshin polonë, që do të thotë fshatarë. Përgjatë
historisë kanë pasur pjesë të ndritshme, siç kanë pasur edhe disfata. Ka pasur
periudha historike kur kanë qënë thuajse një perandori e madhe që shtrihej nga
Kievi në Balltik, siç edhe ka pasur edhe periudha kur janë zhdukur dhe
asimiluar krejtësisht si shtet – që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë deri
në fillim të atij të njëzetë. Kanë figura historike madhështore si Nikolla
Kopernikun, Mbretin Sobjeski (që shpëtoi Vjenën nga rrethimi otoman), Frederik
Shopenin, Marie Kyrinë, Lech Valesën, Jozef Konradin, etj. Pushtimi nazist dhe,
më vonë, ai sovjetik, u përpoq t’iu shuante identitetin. Ata rezistuan dhe iu
përveshën punës edhe më fort për ta rimëkembur Poloninë. Sot janë vendi me
rritjen më të shpejtë ekonomike në Europë dhe rrugët e Varshavës e të Krakovës
nuk dallojnë aspak nga çfarëdo qytet i Europës. Kanë mirëqënie dhe e kanë
arritur me punë.
Shqiptarët i bijen
gjoksit për heroizma imagjinare të të shkuarës, ndërkohë që s’kanë ditur të
ruajnë një relikë, një monument, një simbol të saj. Flasim e flasim e flasim e
s’bëjmë asgjë. Vetëm mundohemi të vjedhim njeri-tjetrin, të përfitojmë për vete,
pa pyetur se ç’bëhet me vendin.
Mendimi i tretë
Qyteti i Vjetër i
Varshavës (Staro Miasto) është rindërtuar siç ka qënë para lufte. Pallati
Mbretëror në qendër të tij është kopje e të parit. Universiteti, kishat,
Barbikani, muri rrethues - gjithçka është bërë siç ka qënë përpara se t’i
shkatërronte Hitleri. Kjo pjesë e bukur e qytetit, bashkë me të tjerra rreth
saj, tërheqin rreth 20 milion vizitorë në vit. Në Varshavë gjen plot lokale dhe
restorante ku njerëzit kanë mundësi të provojnë kryesisht gatime tradicionale
polake, të cilat janë të shijshme dhe jo të shtrenjta. Gjen edhe restorante
italianë, vietnameze, turke, franceze, indiane, por mbizotëron kuzhina
vendase.
Tridhjetë vjet pas
rënies së komunizmit në Shqipëri nuk është filluar ende puna për restaurimin e
ndonjë prej kështjellave të vendit, që janë një pasuri e pallogaritshme dhe do
të tërhiqnin si magnet shumë turistë nëqoftëse do të dihej si të
shfrytëzoheshin. E vetmja kështjellë që vizitohet është ajo e Krujës, me atë
përçudnim pseudo-modern që i ka bërë komunizmi dhe që s’mban fare erë
historie.
Në Durrës qyteti fsheh
vlera të pallogaritshme arkeologjike, të cilat po të zbuloheshin do të mund të
ktheheshin në thesare të vërteta. Por në vend që të zbulohen, ato vazhdojnë të
zhyten thellë e më thellë në tokë e në det nga pesha e ndërtimeve të reja me
apo pa leje.
Në Tiranë vështirë se
gjen gjë tjetër që të të sjellë ndërmend se si ka qënë qyteti dikur. Në vend që
të rindërtohej dhe restaurohej zona e Pazarit të Ri, për shembull, ose zona të
tjera që mund të tërhiqnin turistë, hijenat e ndërtimit janë lëshuar si të
babëzitur për të ngritur kate përmbi kate, me një rrëmujë arkitektonike dhe
urbanistike që t’i ngre qimet përpjetë.
I vetmi kompleks
arkitektonik i para komunizmit që ka mbetur disi i padëmtuar është ai i
projektuar dhe ndërtuar nga Italia përgjatë Bulevardit kryesor. Por me sa duket
edhe ai rrezikon të bjerë pre e babëzisë së mafjes së ndërtimit ose më saktë
mafjes së shkatërrimit. Pasi prishën Stadiumin Kombëtar, tani po përpiqen të
kapërcejnë pengesën që iu ka dalë me Teatrin Kombëtar dhe nuk është çudi që po
ta kalojnë atë t’i vërsulen edhe ndërtesave të ministrive e gjithçkaje tjetër
në të dy anët e rrugës që nga Sheshi Skënderbe te Universiteti.
Polakët u rrënuan nga
dy forca të huaja, nazizmi dhe komunizmi. Ata iu përveshën punës dhe vetë kanë
arritur t’i eliminojnë pasojat e rrënimeve. Ne s’kemi pasur nevojë të na e
sjellin rrënimin nga jashtë. E kemi bërë vetë. Komunizmin e bëmë vetë dhe
shkatërrimin e mëtejshëm po e vazhdojmë po vetë. Hitlerët i nxjerrim nga
rradhët tona.
Ata janë aty ku janë.
Ne jemi aty ku jemi, ku kemi qënë, dhe ku do vazhdojmë të jemi. Po qe se nuk
vëmë mend, kuptohet.
3 comments:
Beni, te lumte, te lumte, te lumte pena dhe mendja! Me teper s'kam ç'them. Ndjehem krenar qe ka bashkekombas me force intelektuale si tyja qe zberthejne tragjedine dhe dhimbjen tone kombetare ne menyre reale!
Falemnderit, Nini.
Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
*Spell për të mbetur shtatzënë.
*Magji për t'u ribashkuar.
*Shëroni çdo sëmundje.
* magji për fat të mirë.
*Magji për pasuri.
Dhe të tjerët.
Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
Whatsapp: +2349046229159
Post a Comment