Qënkan
indinjuar tej mase supremacistët e racës së pastër ariano-shqiptare ngaqë lëvizja
e njerëzve me ngjyrë e gërshetuar me liberalizmin po iu rrezikon qytetërimin
dhe po iu hedh poshtë simbolet e përparimit. Fundi qytetërimit duket qartë në
rrëzimin e përmendores së Mbretit Leopold II të Belgjikës në Antverp, të statujës
së një skllavëpronari anglez në Londër, dhe të monumentit të Gjeneralit Robert
E. Lee në Charlottesville të Virgjinias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po
t’iu shtosh këtyre edhe denigrimin e figurës së dashur të Kristofor Kolombit
dhe heqjen nga katalogu i rrjetit HBO i filmit “Bashkë me Erën”, del qartë që
botës po i vjen fundi dhe komunistët liberalë së shpejti do t’i vërsulen edhe
figurave bazë të historisë pellazge – Jul Qezarit, Napoleonit, Churchillit, dhe
ndoshta gjithë filmave të Chuck Norris-it, duke i lënë pa trashëgimi sqimatarët
shqiptarë të kulturës botërore.
Nuk di nëse
këta të kulturuarit kanë marrë ndonjëherë mundimin të pyesin se si është e
mundur që sot, në vitin 2020 të ketë ende të ngritur në ndonjë vend të botës,
duke përfshirë edhe Antverpin e Belgjikës, një përmendore në kujtim të njërit
prej kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi. Mbreti Leopold II nuk është
thjesht pushtues racist – ai është arkitekti i një prej masakrave gjenocidale më
të pashembullta që ka njohur njerëzimi. Vrasjet, torturat e tmerrshme,
keqtrajtimet, shkatërrimet masive, skllavërimi, sakatimet, mendohet të kenë
shkaktuar rreth 15 milion viktima në Kongo, duke e ngritur Leopoldin e Belgjikës
në rangun e Maos, Stalinit, Hitlerit dhe të kriminelëve më të mëdhenjë që ka njohur
bota. Dhe të gjitha këto vrasje Mbreti Leopold i bënte pa dijeninë e popullit
dhe parlamentit belg, duke u fshehur pas një makinerie të sofistikuar
propagandistike. Lexoni “Zemrën e Errësirës” të Josef Konrad. Lexoni “Monologu
i Mbretit Leopold” të Mark Tuenit, po qe se përtoni të lexoni histori të mirëfilltë
për të marrë vesh se çfarë përbindëshi ka qënë Mbreti Leopold II i Belgjikës
dhe sa skandaloze është të mbash një përmendore të tij në qendër të Europës. Pastaj
sigurohuni nëse vërtet doni t’i dilni në mbrojtje monumentit të tij në Antverp.
A ja vlen të shkruash
për argumentuar se përse nuk asnjë arsye që të nderohet dhe të respektohet një
tregëtar skllevërish? A duhet të harxhosh kohë për të mbrojtur idenë që ata
njerëzve që e kanë vënë pasurinë duke transportuar në kushte nga më çnjerëzoret
skllevër nga Afrika në Amerikë nuk meritojnë të kenë monumente askund? Monumentet
e tyre janë ngritur në sajë të parave që kanë fituar dhe janë vërtet simbole
turpi për ata që i kanë ngritur, siç ishin simbole turpi për ata që i ngrinin
monumente Leninit, Stalinit dhe enverit në mes të Tiranës dhe të qyteteve të
tjerë të Shqipërisë. Të indinjohesh se një tregëtari skllevërish në Londër i
hiqet monumenti nuk është thjesht hipokrizi, nuk është thjesht shprehje e papërgjegjshme
shqetësimi për vlera që nuk ekzistojnë. Është mungesë e plotë respekti për
gjithë ato jetë njerëzish të shpërdoruara në mënyrën më të ulët. Është edhe
racizëm.
Racizëm është edhe të
derdhësh lotë krokodili për gjeneralin Robert E. Lee duke e ditur ose duke mos
e ditur se kush ishte ai. Lee ishte ushtaraku kryesor i forcave të Konfederatës
në Luftën Civile Amerikane. Kushdo që nuk e ka idenë se për çfarë u luftua në
Luftën Civile Amerikane, çfarë përfaqësonte Konfederata dhe çfarë përfaqësonte
Unioni, do t’i këshilloja t’i referohej çdo libri historie të SHBA dhe të përpiqej
të informohej që flamurin e Konfederatës e valëvisin sot grupimet e supremacistëve
të bardhë në SHBA. Konfederata nuk ishte Amerika në formën më të mirë të saj.
Konfederata nuk ishte as Amerika në çfarëdolloj forme. Konfederata ishte ajo që
luftoi për shkatërrimin e Unionit që sot quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
ajo që shkaktoi luftën civile për të ruajtur skllavërinë.
Për krimet e Kolombit
unë kam shkruar pak më gjatë. Kush është i interesuar mund të klikojë këtu: http://arbenkallamata.blogspot.com/2016/10/dita-e-kolombit-perse.html
Oh, mbeti edhe akti i
heqjes nga nga katalogu i HBO i filmit “Bashkë me Erën”. Pse i shqetëson kjo
mini-racistat shqiptarë? Shumë rrjete ndërprenë para ca kohe edhe “Shtëpinë e
Letrave” (House of Cards) për të mos shqetësuar shikuesit me fytyrën e
pervertit Kevin Spacey (megjithëse nga kanalet shqiptare seriali jepet
rregullisht). Në fund të fundit, ky është një vendim i një rrjeti televiziv, i
cili vë në hesap ndjenjat e shikuesve dhe llogarit si do të jetë më mirë për
të. HBO mendon që ata që nuk duan ta shohin atë film janë shumë më të tepërt në
numër se ata që duan ta shohin. Racistëve shqiptarë s’besoj se ka për t’ua
ndaluar njeri. Ndryshe nga kanalet televizive shqiptare, në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës dhe në përgjithësi në vendet demokratike kapitaliste ata që
drejtojnë stacionet televizive e vrasin pak rradaken për ndjenjat e shikuesve.
No comments:
Post a Comment