Ne flasim e lexojmë (gjithmonë më pak se duhet) për të përndjekurit
e regjimit, për të burgosurit politikë, për të internuarit, për
figura anti-komuniste ose thjesht mendjehapura që kanë vuajtur trajtën më të
ashpër, më të pashpirt të egërsisë njerësore. Janë më së shumti burra, ndërkohë
që rrallëherë kujtohemi për atë dhimbjen tjetër të madhe, dhimbjen e grave dhe
vajzave, e foshnjave, fëmijëve, që vuanin përkrah tyre.
Pikërisht këtë ka dashur të na kthejë në kujtesë Bujar Alamani
me filmin e tij dokumentar “Fluturat”, që iu çfaq ditën e shtunë, në datën 15
Tetor, 2022 për shqiptarët e Torontos në një nga teatrot e Kinemave Cineplex në
Etobiko.
“Flutrat” e Alimanit është ajo ana tjetër e dhimbjes, anë që
ose nuk e njohim, ose e mbajmë të ndrydhur në vetëdijen tonë shoqërore. Është drama
stërmadhe e gjithë atyre familjarëve të të burgosurve që jetuan, shpresuan dhe
pritën me zemër të dridhur fatin e tyre dhe të të afërme të tyre nga sektorët e
internimit. Ne kemi folur (kurrsesi aq sa dhe si duhet) për gjyqet e sajuara, për
dënimet e pajustifikuar, për torturat e paligjshme, për vrasijet mizore në
burgje. Por pak, shumë pak jemi ndalur te vuajtjet e familjarëve, te inkoherencën
logjike e internimeve, te mungesa e plotë e justifikimit ligjor për vendimet që
shkatërronin plotësisht aq shumë jetë njerëzish të pafajshëm.
“Fluturat” është mozaiku i ndjenjave jetësore të 21 grave
dhe vajzave që rikujtojnë tmerrin e fëmijërisë dhe rinisë së tyre në sektorin e
internimit në Gradishtë të Lushnjes. I gjithë filmi është një klithmë, të cilën
Alimani dhe, natyrisht edhe vetë zonjat protagoniste, kanë arritur ta japin qetë,
bukur, plot dinjitet. Nuk është bërtitje, nuk është ekzagjërim, nuk është shfrehje
e pakontrolluar ndjenjash, megjithese të gjitha këto do të ishin plotësisht të
justifikuara për vuajtjet që ato kanë kaluar.
Me një gjuhë të pastër dhe tejet elokuente, me emocion të përmbajtur
trimërisht, gratë e intervistuara qëndrojnë me rradhë përpara kamerës dhe
paraqesin akuzën e tyre ndaj një sistemi, një shoqërie që në mënyrën më të përbindshme
i vinte etiketën armik foshnjeve të porsalindura, përndiqte, përbuzte,
torturonte dhe mundohej t’i shkatërronte ëndrrat fëmijëve të pafajshëm, iu
vriste adoleshencën vajzave të reja që s’i kishin bërë dëm kërkujt në jetë. Ato
risjellin në kujtesë punën e rëndë, kushtet e papërballueshme, mungesat e
mjeteve më të domosdoshme të jetesës dhe, mbi të gjitha, trajtimin çnjerëzor
nga shumë prej atyre që kishin përreth. Flasin për tmerrin që ngjallte ardhja në
intervale të rregullta të “xhipit” të Degës së Punëve të Brendshme për të arrestuar
ndonjë prej baballarëve apo vëllezërve të tyre, për shpirtvogëlsinë e
brigadierit që i detyron të punojnë të zhytura në ujë e baltë pa asnjë shpërblim,
për cinizmin e drejtorit të shkollës që gjen kënaqësi në torturimin e një nxënëseje
krejtësisht të pafajshme. Tregojnë për mallin e papërballueshëm për etërit e
burgosur, torturuar e vrarë, për udhëtimet e gjata dhe cfilitëse drejt burgjeve
për t’iu çuar të afërmve pak ushqim, ndërkohë që shtëpinë pas i kanë lënë bosh.
Artistikisht Bujar Alimani është në të njëjtin hap me
mesazhin që përcjellin personazhet e tij. Kamera, në dukje statike dhe e
paangazhuar, iu le grave hapësirë të plotë të shprehin vetveten. Ai di të kombinojë
bukur intervistat me pamjet e kursyera filmike nga e kaluara dhe ato
origjinale. Dokumentari ka një ritëm të brendshëm dhe nuk të lodh. Përkundrazi,
të bën ta ndjekësh me një frymë.
“Fluturat” është një dëshmi e gjallë e asaj ane të dhimbjes
së shoqërisë shqiptare që ne nuk duhet ta lemë kurrsesi në harresë. Pranimi dhe
kujtesa kolektive e një krimi monstruoz është më e pakta dhe, njëkohësisht, më
e domosdoshmja që ne si shoqëri mund dhe duhet të bëjmë jo vetëm për të
respektuar ata që kanë vuajtur, jo vetëm për të pastruar ndërgjegjet tona, por
edhe për t’i shërbyer vetvetes, për të mos lejuar përsëritjen. Filma si “Fluturat”
duhet të jenë pjesë e programit mësimor në shkolla.
Në këtë vështrim është për t’u çmuar veçanërisht nisma e dy
organizatave të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto, Albanian Canadian
Development Alternative, themeluar nga Rudin Dakli dhe RH Scholarship themeluar
nga Rej Haxhillari që e sollën filmin për shqiptarët e Torontos. Nëse filmi do
ishte në DVD shumë prej nesh, të pranishmëve, do të ishim të lumtur të kishim
një kopje të tij në shtëpitë tona.
No comments:
Post a Comment