Saturday, December 21, 2024

Fenomeni Manxhone

Luixhi Manxhone është ndoshta emri më i lakuar gjatë muajit dhjetor në median tradicionale dhe ato shoqërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vrasja spektakulare përpara hotelit Hilton në Manhatan e Brian Thompson, Oficerit të Parë Ekzekutiv (CEO) të kompanisë së sigurimeve shoqërore UnitedHealthcare në daten 4 dhjetor dhe arrestimi i djaloshit 26 vjeçar pesë ditë më vonë në Altuna, Pensilvani janë ndjekur me emocione të kundërta nga miliona njerëz, një pjesë e të cilëve e kanë dënuar si një atentat kriminal, teksa një shumicë çuditërisht e madhe e brohorasin si veprim heroik, si sakrificën e një mbrojtësi vetëflijues të drejtësisë.

Në të gdhirë të datës 4 dhjetor 2024, përpara njërës prej hyrjeve të Hilton në Manhatan një person që u përshkrua si “mashkull, i bardhë, me maskë” shtiu tre herë me një pistoletë duke vrarë 50 vjeçarin Brajën Tompson, kreun e kompanisë amerikane të siguracioneve UnitedHealthcare. Vrasësi u largua nga vendi i krimit duke lënë pas vetëm imazhin e një njeriu të maskuar dhe tre gëzhoja plumbash në të cilat ishin gdhendur fjalët “delay”, “deny”, “depose” – “vono”, “moho”, “elimino”, që i bënin jehonë motos famëkeqe të kompanive të sigurimeve (delay-deny-defend, d.m.th. vono, moho, mbrohu) si përpjekje për të mos paguar kërkesat e klientëve për shpërblim siguracioni. Shtangia nga akti i dhunshëm ia la shpejt vendin një vale të gjerë zemërimi të shprehur përgjithësisht në median shoqërore ndaj kompanive të sigurimeve që njihen si grumbulluese gjigande fitimesh, përgjithësisht duke u përpjekur për të paguar një numër sa më të vogël kërkesash dhe duke lënë shpesh herë në baltë klientët e tyre. Ndjenjat publikut të gjerë nuk kishin si të mos nxiteshin edhe nga fakti që Brajën Tompson, kreu i kompanisë që tërheq të ardhura nga sigurimi i 46 milionë amerikanëve merrte një rrogë vjetore prej 10 milionë dollarësh, ndërkohë që atentatori i tij ishte një djalosh simpatik 26 vjeçar, që kishte kryer si “valedictorian” një shkollë private në Baltimore dhe përfunduar cum laude shkollën Inxhinjerike të Universitetit të Pensilvanisë, i cili e bënte fare të qartë se motivi për veprimin e tij eksterm ishte mosaprovimi i politikave të vonimit, mohimit dhe eliminimit të kërkesave të qytetarëve për të marrë nga kompania e sigurimeve shëndetsore atë çka iu takonte.

Për pesë ditë njerëzit prisnin me kurreshtje se si do të shkonte fati i atentatorit. Më së fundi, ai u identifikua dhe arrestua në një restorant McDonald’s në Altuna, Pensilvani, pas telefonatës së një punonjësi të atjeshëm. Manxhone akuzohet për një serë krimesh, ndër të cilat bije në sy Vrasje e shkallës së pare (vrasje në vijim të një akti terrorizmi sipas përcaktimit të Ligjit të Anti-Terrorizmit të vitit 2001). Nëse merren parasysh nga juria ato mund të çojnë deri në dënim me vdekje.

Kapja dhe akuzat për terrorizëm i dhanë edhe një shtytje tjetër diskutimit të ngjarjes dhe personazheve nga kanalet konvencionale të medias, rrjetet e mëdha televizive dhe gazetat. Por shtytjen më të madhe ia dhanë medias shoqërore, tik-tokut, fejsbukut, instagramit, etj. ku Luixhi Manxhone ka marrë statusin e Robin Hudit.

Për analistët e shumtë të ngjarjes pyetja është: Si ka arritur shoqëria amerikane në atë pikë sa të trajtojë si hero një vrasës atentator, një njeri që padiskutimisht ka kryer një veprim të dhunshëm, të paligjshëm? Ndoshta përgjigja është te imazhi gjithmonë e më i shëmtuar i korporatave, kompanive të fuqishme që shfrytëzojnë pa mëshirë njerëzit dhe që për hir të fitimeve iu janë larguar qëllimeve për të cilat ekzistojnë. Kompanitë e siguracionit shihen si depo gjigande parash, që janë në gjendje të thithin edhe qindarkat nga llogaritë e njerëzve të thjeshtë, ndërkohë që fitimet iu shënojnë rregullisht shifra rekord dhe të ardhurat e krerëve të tyre sa vijnë e shtohen. Rroga prej 10 milionë dollarësh në vit e viktimës së atentatit puthitej plotësisht me tablonë e përgjithshme të këtij përfytyrimi, duke e bërë atë edhe më të urryer.

Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë është sot një nga problemet më të mprehta të shoqërisë. Në vitin 2024 në Shtetet e Bashkuara dhjetë përqind të popullsisë kontrollojnë mbi dy të tretat e pasurisë kombëtare, ndërkohë që gjysma, pesëdhjetë përqind, kanë në duar vetëm 2.5 përqind të pasurisë së përgjithshme. E ndërsa të pasurit gjejnë mënyra për të kontrolluar politikën në favor të tyre dhe për t’u pasuruar edhe më tej, pjesa më e madhe e popullsisë e sheh çdo ditë e më shumë veten të pafuqishëm dhe pa rrugëdalje. Gjendja, sipas fjalëve të Manxhones kur po transportohej nga policia është: “…krejtësisht fyese për inteligjencën e popullit amerikan dhe për përvojën e jetës së tyre.”

A është Luixhi Manxhone rrugëdalje, apo thjesht shfryrje kolektive inati?! 

Sunday, December 15, 2024

Vox in Rama


E ndërroni rrugën kur atë ua pret ndonjë mace e zezë? Është një veprim që e bëjnë ndoshta nëntë nga dhjetë vetë, shumë prej të cilëve duke sharë e mallkuar krijesën e pafajshme. Pak vetë e dinë nga buron kjo armiqësi kolektive ndaj një qenieje që, përveç ngjyrës së qimes, nuk e dallon asgjë nga i gjithë trungu familjar i felinëve, duke filluar nga macet e vogla e deri te tigrat e luanët.

I njëqind-e-shtatëdhjetë-e-teti Papë i Kishës Katolike, Gregori IX ka sunduar në fronin më të rëndësishëm të Evropës nga 1227 në 1241. Ai njihet për anti-semitizmin, për institucionalizimin e gjyqeve të inkuizicionit dhe, mbi të gjitha, për urrejtjen ndaj maceve në përgjithësi dhe atyre të zeza në veçanti.

Bëhet fjalë për fazën e dytë të Mesjetës Evropiane, një periudhë historike e përcaktuar si Kohërat e Errësirës, kur mbi kontinent padiskutuar autoriteti i fesë, kur dija, kultura, artet, letërsia, filozofia, shkenca, kishin shekuj që mbaheshin të burgosura në bodrumet e katedralave, manastireve dhe arkivave të Kishës Katolike. Megjithatë, në shekullin e 13të autoriteti i Kishës Katolike si “kisha universale” kishte nisur të lëkundej disi. Priftërinj dhe mendimtarë po dilnin me ide të rrezikshme, ndër të cilat edhe propozimi që njerëzit mund të lidheshin drejtpërdrejt me Zotin, pa ndërmjetësimin e Kishës. Institucioni i Papës rrezikonte të humbiste autoritetin e padiskutueshëm dhe i duhej të vepronte. Një shekull para Gregorit IX, Papa Lucius III kishte nisur fushatën famëkeqe të inkuizicionit, luftës së egër kundër heretikëve, kundërshtarëve të besimit, e cila menjëherë mori përmasat e një histerie kolektive të pakontrolluar kundër kujtdo që nuk shihej me sy të mirë nga pushteti i fesë. Viktimat përndiqeshin nga turma të ndërsyera dhe përfundonin në tortura dhe ekzekutime publike nga më të egrat.  

Në 13 qershor 1233, Gregori IX nxorri dekretin e titulluar Vox in Rama me anë të cilit i shpallte luftë maceve, veçanërisht atyre të zeza. Shkak për këtë u bë thashethemi për një kult satanik në Gjermani, në ceremonitë e të cilit thuhej se, si shenjë adhurimi për Luciferin, anëtarët i puthnin të prapmen e një maceje të zezë, ritual që i hapte rrugën orgjive të papërmbajtura seksuale. Kisha nuk mund ta lejonte kurrsesi herezi të tilla. Macja e zezë u shpall simbol i Djallit. Dekreti i Papës iu bënte thirrje besimtarëve: Catum vivere non patieris – mos lini mace gjallë.

Dekreti i Papës ishte fjala e Zotit. Në të katër anët e Evropës turmat u lëshuan të shfarosnin macet, të bindur se po luftonin djallin. Dhe, teksa njerëzve iu ngulitej në vetëdijë frika nga macet e zeza, me qindra-mijëra qenie të shkreta janë sakrifikoheshin për një përrallë që s’dihej se ku e kishte burimin.

Që supersticioni për macet e zeza e ka burimin te Dekreti i Papës Gregori IX nuk vihet në dyshim. Ajo që vihet në dyshim është: Sa ka ndikuar shfarosja e maceve e nxitur nga Kisha Katolike në Murtajën e Zezë që përfshiu Evropën një shekull më vonë? Është vërtetuar se Murtaja e Zezë (Bubonike) vjen nga një bakterie e quajtur Yersinia pestis, e cila u përhap në Evropë kryesisht përmes pleshtave të mbartur nga minjtë. Ajo që nuk dihet me siguri është sa lidhet numri i madh i minjve përhapës të sëmundjes me mungesën e maceve që të shfarosura nga Dekreti famëkeq i Papës? Ajo që dihet është se Mortaja e Zezë (përkatësisht Vdekja e Zezë) shfarosi gati 2 të tretat e popullsisë së Evropës (rreth 100 milion njerëz), ndërsa në Kinë dhe Azi rreth 5 milion.  

Thuhet se sot bota udhëhiqet nga njerëz me aftësi morale dhe intelektuale të dyshimta. Ngado që të hedhësh sytë do të gjesh drejtuesh shtetesh të vegjël e të mëdhenj që ngjajnë më tepër si dordolecë. Njerëzit sikur po i merr malli për ata të mençurit e dikurshëm, që udhëhiqnin plot urtësi, zgjuarsi dhe largpamësi. Unë u vura të kërkoj më të ndriturit prej tyre dhe ja, në thellësitë e historisë, gjeta Gregorin IX.

Herë tjetër, kur t’iu presë rrugën ndonjë mace e zezë, para se të ndërroni rrugën kujtohuni që paragjykimin supersticioz e keni peshqesh nga Papa Gregori IX. 

Sunday, September 22, 2024

Kur dëgjon se Rama po mendon të krijojë një SHTET bektashi në Shqipëri, dy gjëra të venë në mendje, ky njeri ose është krejt i çmendur, ose tallet. Por shpejt kujtohesh se këto të vijnë në mendje me çdo gjë që bën Kryeministri i Shqipërisë. Pastaj të kap trishtimi, sepse cilado prej tyre të jetë e vërtetë, ose edhe sikur asnjëra prej tyre të mos jetë e vërtetë, ti e kupton se Shqipëria ka rënë përsëri në diktaturë, pas tridhjetë vjetësh ajo është kthyer aty ku ishte në vitin 1985, pavarësisht se forma e ushtrimit të pushtetit absolut është e ndryshme.

“Deri tani, thotë Z. Rama, që vetë është katolik jo praktikan, vetëm disa nga ndihmësit e tij më të afërt kanë dijeni për planin…” shkuran Endru Higins për Nju Jork Taims, në raportimin e 21 Shtatorit të titulluar “Shqipëria planifikon një shtet të ri musliman brenda kryeqytetit të saj”.

Plani për krijimin e një shteti fetar brenda kryeqytetit është paraqitur si ide vetjake e Ramës, e pabazuar në ndonjë kërkesë të shoqërisë shqiptare, e pa konsultuar me asnjë forcë politike, duke përfshirë këtu edhe partinë e kukullave që drejton vetë ai, e pa votuar në asnjë referendurm apo plebishit popullor, e pa mbështetur në asnjë nevojë ekonomike, politike, apo shpirtërore të ndonjë shtrese, le më pas të shumicës apo të gjithë popullsisë së Tiranës a Shqipërisë. Është thjeshtë ideja e një njeriu që e sheh veten si diktator, sundues të vetëm, të madh, të pavdekshëm, të pagabueshëm, i cili, për çudi, ka arritur në një çast historik kur mendon se diktatorllëkun e vet mund t’ua shesë pa vështirësi edhe vendeve që mburren me sistemet e tyre demokratike.

Ideja e krijimit të një mikro-shteti fetar brenda kufijve të kryeqytetit të një shteti laik nuk është origjinale e Udhëheqësit të Lavdishëm dhe të Pagabueshëm Edi Rama. Një tjetër “udhëheqës i madh”, një tjetër diktator i ka paraprirë atij. Në 11 shkurt 1929 Benito Musolini, Kryeministër i Italisë i hapi rrugën një monstruoziteti të tillë duke nënshkruar Traktatin Lateran në bazë të të cilit Mbreti Viktor Emanueli III pranonte themelimin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit nën drejtimin e kryetarit të tij Papës Piu XI.

Musolini kishte shtatë vjet që kishte hipur në pushtet dhe gjente një mënyrë për konsolidimin e pushtetit të tij absolut në një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të kohës dhe për të siguruar përkrahjen e qindra milionë katolikëve në botë. Edi Rama ka 11 vjet që i ka hipur kalit mbrapsht në një vend të vockël të Ballkanit dhe duket se ka gjetur një mënyrë për të shpallur statusin e tij si diktatoruc dhe për t’u marrë si i mirëqënë në këtë status nga diplomacitë e shteteve të mëdha që mesa duket nuk e vrasin më mendjen fare se çfarë sistemi politik apo shoqëror, çfarë statusi mendor apo psikologjik e sundon ai atë një pëllëmb vend me popullsi të përgjysmuar.

Për çfarë i duhet Edi Ramës një shtet bektashi në mes të Tiranës?

Vështirë të përcaktosh se si veprom mendja diabolike e një diktatori, qoftë ky i përmasave minimale si Edi Rama. Sidoqoftë, një nga përfitimet tashmë është shprehur në pasqyrimin që i është bërë idesë së tij, domethënë që shtypi dhe ndoshta opinion diplomatik në Perëndim e merr si të mirëqenë statusin e tij si diktatoruc i Shqipërisë dhe nuk iu bëhet shumë vonë për këtë. Është, si të thuash, një miratim i heshtur për kalimin e Shqipërisë nga një demokraci me zgjedhje të lira në diktaturë absolute, ku një dorë e fortë ideon dhe përcakton ecurinë e vendit.

Për çfarë i duhet botës një shtet bektashi në Tiranë të Shqipërisë?

Për hiç asgjë. Veçse për ndonjë humor të rastit, për botën nuk ka pikë rëndësie se ç’bën një vend pa pikë rëndësie me një pjesë të besimetarëve të vet. Për botën nuk ka pikë rëndësie nëse Rama iu jep besimtarëve të vet statusin e shtetit, mbretërisë apo edhe perandorisë.

Për çfarë iu duhet besimtarëve bektashij të Shqipërisë një shtet brenda kufijve të Tiranës? Po të nisesh nga lajmet në përgjithësi, besimtarët bektashinj dhe baballarët e teqeve në Shqipëri as që duhet të kenë dijeni se çka bluajtur kryegjyshi i tyre Mondi me Kryeministrin Edi Rama. Ndoshta k-gjysh Mondit mund t’i guduliset sedra personale me një status të ri. Mbase atij vetë mund t’i shtohen edhe të ardhurat duke qenë edhe k-gjysh dhe k-ministër i një entiteti sado absurd që të jetë ai. Megjithatë, vështirë të thuash që ideja e një mikro-shteti bektashi pajtohet me parimet e fesë bektashjane, pavarësisht se përgjigjen përfundimtare për këtë mund ta japin vetëm teologët bektashjanë.

Çfarë i duhet shqiptarëve një shtet bektashi në Tiranë?

Absolutisht për asgjë. Shqiptarët nuk po bëjnë dot një shtet, le më pastaj të bëjnë edhe një tjetër brenda tij. Sidoqoftë, Edi Rama mund ta shesë idenë si një marifet interesant për të promovuar turizmin, por nuk mund të fshehë idenë që në këtë rast ai po vepron si diktator absolut.

Pyetja e vërtetë në këtë rast është: A mund ta përballojnë shqiptarët “luksin” e lidhjes së fatit të tyre me një diktator të ri? Nga historia dihet se diktatorët e shfrytëzojnë vendin e tyre ose deri në vdekje, ose derisa gjindet dikush apo diçka që i heq qafe. Musolini, diktatori që krijoji Shtetin e Qytetit të Vatikanit brenda kufijve të Romës përfundoi i varur me kokë poshtë. Sadam Huseni, diktatori i Irakut, përfundoi në një vrimë nën tokë. Kadafi hëngri plumb pas qafe. Noriega dhe Milosheviçi i kaluan ditët e fundit të jetës të sëmurë nëpër burgje. Por, që të arrinin deri aty ku arritën ata i sollën popujve të tyre me qindra-mijëra viktima luftrash idiote, shkatërrim ekonomik dhe mjerim, i sollën trauma të vërteta shoqërore që nuk harrojnë lehtë. Lidhjet e forta me diktatorët janë gjithmonë në dëm të popujve që i krijojnë. Edi Rama mund të arrijë të mbijetojë si diktator për sa kohë të jetë gjallë, por, ashtu si edhe nga paraardhësi i tij enver hoxha, Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ka për t’iu ardhur asgjë e mirë. Atij mund të vijë dita edhe të rrëzohet, ndoshta edhe me dhunë, siç janë rrëzuar shumë të tjerë, pavarësisht përkrahjes që iu është dukur se kanë pasur nga Perëndimi. Por këtë rrëzim, të dhunshëm apo jo, është më mirë t’ia sjellin vetë shqiptarët, sepse po iu la në dorë të huajve, ata e bëjnë pa shumë konsideratë për atë që ata e quajnë “collateral damage”.

Edi Rama tashmë e ka konfirmuar veten si diktator. Është koha që shqiptarët të fillojnë të mendojnë seriozisht për heqjen e tij. 

Friday, August 2, 2024

Ai apo Ajo?


Pyetja e parë: A duhet të konkurrojë Imane Khelif në boksin për femra?

Përgjigja ime: Askush nuk duhet të konkurrojë në boksin për femra. As në boksin për meshkuj. Personalisht jam kundër boksit, që nuk më duket sport por shprehje e primitivitetit, e instinkteve më të ulëta të njeriut për të ushtruar pa arsye bindëse dhunë fizike kundër tjetrit. Boksi nuk duhet të ekzistojë si sport. Aq më pak nuk duhet lejuar në Lojrat Olimpike.

Pyetja e dytë: A duhet të konkurrojnë me gratë sportistët që kanë tipare mashkullore?

Përgjigja ime: Këtu ndërlikohet pak puna. Nëse e shtrojmë këtë pyetje – dhe këto ditët e fundit pas përplasjes së Imane Khelif me Anxhela Karinin ka shumë “të djathtë” “konservatorë” që kanë ngritur zërin e protestës – pra, nëse e shtrojmë këtë pyetje, duhet të pranojmë se shkencërisht ka njerëz që lindin “gabimisht” në një gjini. Domethënë ka njerëz që lindin si meshkuj por janë femra dhe, e kundërta, njerëz që lindin si femra, por janë si përbërje hormonesh, meshkuj. Është një dukuri gjenetike që ndodh dhe, ndonëse e rrallë, është në natyrën e njeriut. Deri para ndeshjes, gjeje me shumicë nga ata që mëshonin idesë se kjo nuk është natyrale (ose e pa “sanksionuar” nga Zoti); se është një trill i lëvizjes liberalo-soroiste Woke, që synon shkatërrimin e shoqërisë njerëzore; se është një nga planet e “iluminatit” për t’i detyruar fëmijët e shkollave të ndërrojnë sekset.

Pas ndeshjes, krejt papritur, të njëjtët njerëz morën tjetër drejtim. Ata e pranojnë që Imane Khelif është burrë i lindur si grua dhe se ajo është pranuar të marrë pjesë në lojrat olimpike si pjesë e konspiracionit botëror për të shkatërruar femrat, familjen, shoqërinë. Sinqerisht unë jam shumë i paqartë me këtë lloj arsyetimi, megjithëse më duket se është bërë një hap i rëndësishëm përpara në pranimin e ekzistencës së njerëzve të lindur në gjini “të gabuar”.

Përgjigja ime ndaj pyetjes është “jo?” (me pikëpyetje nga pas). Burrat duhet të konkurojnë me burrat, grate me gratë. Por, duhet përcaktuar kriteri ndarës – kush do të konsiderohet burrë, dhe kush grua? Këtu gjërat ndërlikohen pak.

Shkenca ka arritur ta përcaktojë këtë. Në vendet e zhvilluara shkenca iu vjen në ndihmë njerëzve me gjini të dyshimtë që të përcaktojnë identitetin e tyre me ndërhyrje kirurgjikale dhe kura hormonale. Aty ku dominon feja, ose mendimi i ngurtësuar, ndërhyrjet konsiderohen sakreligj, të papranueshme. Njerëzit me prirje liberale mendojnë se ata që lindin me identitet gjinor të papërcaktuar qartë, kanë të drejtë të vendosin për trupin dhe përkatësinë e tyre; ndërsa ata me prirje konservatore dhe, veçanërisht fetare (të të gjitha feve) janë të bindur që të gjithë janë të detyruar të rrijnë ashtu siç i ka krijuar Zoti dhe se prirjet për ndërrimin e gjinive janë pjesë e një konspiracioni ndërkombëtar liberal.

Për rastin në fjalë, IBA (International Boxing Association – Shoqata Ndërkombëtare e Boksit), shkon me shkencën dhe nuk i pranon sportistët me tipare gjenetike mashkullore që të marrin pjesë në veprimtaritë e grave. Imane Khelif nuk lejohet të marrë pjesë në veprimtaritë e IBA-së. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) është më tradicional dhe shkon me certifikatën e lindjes – nëse dikush në lindje është përcaktuar nga mjeku si femër, atëherë konsiderohet femër dhe mund të marrë pjesë në veprimtaritë e grave. Imane Khelif lejohet të marrë pjesë në Lojrat Olimpike.  

Pra unë them “jo”, burrat nuk duhet të konkurojnë me grate, por duhet përcaktuar se kush do të quhet burrë dhe kush grua. Këtë përcaktim, për mendimin tim duhet ta bëjë shkenca, jo njerëzit që flasin qesim.

Megjithatë, kjo pyetje nxjerr edhe një nënpyetje. Nëse shkenca përcakton se kush është burrë dhe kush grua në shkallë të atyre që shihen si tregues normalë për gjini të caktuara, atëherë ç’bëhet me treguesit jo-normalë? Për shembull, sportistë të caktuar kanë tregues gjenetikë të jashtëzakonshëm të cilët iu japin atyre përparësi ndaj të tjerëve. Majkëll Felps, për shembull, kishte trup të jashtëzakonshëm dhe fuqi të rralla. A duhej lejuar ai të konkurronte? Basketbollisti francez Viktor Uembanajama është 2 metra e 24 cm i gjatë. A duhet lejuar ai të luajë me të tjerët që nuk i afrohen krahut të tij në një sport ku gjatësia është element thelbësor? Basketbollistja Zhang Ziyu e Kinës është 2 metra e 20 centimetra dhe duket në fushë si një e rritur që luan me kalamajtë e kopështit. Çdo të bëhet me të? Ka shumë sportistë që i kanë treguesat fizikë të jashtëzakonshëm. Mos duhet që organizmat ndërkombëtare të vënë kufizime për ta dhe, nëqoftëse po, ç’kuptim do të kishte konkurrenca sportive?

Gjërat janë disi më të ndërlikuara nga sa duken në plan të parë, prandaj nuk është mirë të nxitohemi dhe të reagojmë me përfundime sapo shohim diçka që në një fare mënyre na përputhet ose bije ndesh me perceptimet tona të mëparshme.

Pyetja e tretë. Megjithëse përgjigjen time e kam dhënë më sipër, thjesht doja ta shtroja si pyetje pasi ka rëndësi: A duhen lejuar njerëzit të ndërrojnë gjini?  A do të donit që Imane Khelif të kishte kryer operacion gjenetik dhe të identifikohej plotësisht si burrë, apo preferoni që ai/ajo të rrijë ashtu siç është?

Shënim: Përgjigjia ime për këtë pyetje është: këtë duhet ta vendosë vetëm Imane Khelif, askush tjetër. Përgjigjen tuaj mund ta jepni në komente. Gjithashtu në komente mund të përgjigjeni edhe për një pyetje tjetër që më lindi kur po shkruaja fjalinë e fundit të këtij shkrimi: a duhet t’i drejtohemi Imane Khelif me ai apo me ajo? A mund ta përcaktoni përemrin?

“Asgjë nuk duket ashtu siç është; asgjë nuk është ashtu siç duket” – Arben Kallamata “Hijet e Muzgut”. 

Sunday, May 12, 2024

Burra me fustan


Nuk di përse disa nga bashkëkombasit tanë i kanë kaq bezdi burrat me fustan. Më saktë duhet thënë burrat me fustan që këndojnë nëpër festivale, jo të gjithë burrat me fustan. Për shembull, nuk kam dëgjuar njeri të shprehet i alarmuar për ndonjë nga burrat me fustan në këtë përzjerjen që përgatita unë shpejt e shpejt për të ilustruar këtë shënim.

“Sepse këta që këndojnë në festivale me fustan kanë si synim të na prishin gjënë më të shenjtë që kemi, familjen,” lexova dike të jepte shpjegim.

Nuk e di se çka bërë ky zvicerani me gjini të papërcaktuar për t’iu prishur shenjtërinë e familjes shqiptarëve. Di të them se ka bërë shumë më pak se sa disa nga këta
burrat me fustan në këtë kolazh. Padyshim shumë më pak se sa ai pari lart, që ia mbajnë fustanin e larë në flori dy burra të tjerë, dhe që qëndron në krye të një organizate beqarësh me përqindje të frikshme pedofilësh. Por edhe më pak se i dyti, Luigji i 14të, të cilin minifundi dhe këpucët me taka nuk e penguan të ishte ndër tiranët më të egër që ka njohur njerëzimi dhe të mbante një numër rekord dashnoresh. As i treti, Henriku i 8të, nuk besoj se është frymëzim për familjen e shëndoshë shqiptare – veç dashnoreve, ai mori gjashtë gra, dy prej të cilave iu preu kokën. Për të justifikuar ndarjen nga grate, ai u shkëput nga Kisha katolike, shpalli kishën e tij, dhe i hapi rrugën kasaphanave pa fund. I katërti, ai me fustan të bardhë, duket krejt i pafajshëm. Ai thjesht gëzon frytet e naftës në tokën e vet, bashkë me katër gra që i mban paralel njëra-tjetrës. Ndërsa ata që vallzojnë vërtet nuk i bëjnë keq njeriu. Thjesht gëzojnë duke luajtur bashkë. Ata dhe të tjerët më pas i vura vetëm për të thënë që ka edhe burra me fustan që nuk i prishin punë asnjë njeriu.

Sikleti dhe frika nga këta që këndojnë me fustane në Eurovizion më duket paksa e ekzagjëruar. Lëreni tjetrin, ose tjetrën, ose më saktë, të tjerët, të vishen si të duan. Ne që kemi ca vite mbi kurriz kemi jetuar një kohë kur të diktonin si të visheshe – jo i ke pantallonat e ngushta, jo i ke të gjera; jo e ke fundin sipër gjurit, jo e ke poshtë nyjes së qetes. Po të bëje ndonjë thagmë dhe ta teproje në ndonjë festival, ta fuste tjetri kokës me plenum të KQ dhe përfundoje burgjeve e internimeve. Ajo kohë quhej diktaturë komuniste. Mos e harroni.  

Saturday, May 4, 2024

Kapsulë kohe

Shënime për librin “Çizme lëkure në kohë lufte” të Ajkuna Daklit

“Nuk e vras mendjen shumë se kush do ta lexojë,” iu përgjegj Ajkuna Dakli pyetjes sa e interesuar ishte që libri i saj të pëlqehej nga brezi i ri. “Unë e kam bërë timen. Libri do të rrijë diku, në ndonjë raft. Mendimi se dikur, në të ardhmen, do t’i bjerë dikujt në dorë, do ta hapë dhe do ta pëlqejë, më jep kënaqësi.”

“Time capsule,” mendova unë në anglisht. Pastaj u kujtova dhe guglova shpejt, për të gjetur se shprehja ishte përkthyer edhe në shqip – kapsulë kohore, ose kapsulë kohe.

Sapo kisha hyrë disi me vonesë në një sallë në qendër të Torontos ku shkrimtarët Ajkuna Dakli dhe Flurans Ilia paraqisnin librat e tyre. Përgjigja e drejtpërdrejtë, pa kurrfarë pompoziteti, thjesht e sinqertë më pëlqeu. Më bëri edhe kurreshtar edhe për librin me tregime “Çizme lëkure në kohë lufte” (Onufri, 2020), të cilin sapo e mbarova së lexuari.

Çuditërisht, gjatë gjithë kohës që lexoja nuk më ndahej nga mendja ideja e “kapsulës kohore” që ndoshta është shprehja më e saktë për ta përcaktuar atë libër. Në përputhje me mënyrën se si u përgjigj dhe si foli atë ditë në sallë, Ajkuna ka edhe stilin e të shkruarit – të drejtpërdrejtë, pa pompozitet, të efektshëm, pa kurrfarë sforcimi. “Çizme…” është një vëllim tregimesh që ngjajnë shumë me kujtime, kujtime fëmijërie, por që në fakt përbëjnë një mozaik artistik i një jete të jetuar në Shqipërinë e viteve 70-80të. Them “mozaik” sepse rrëfimet kanë një lidhje organike me njëra-tjetrës, aq sa po të imagjinosh një lëndë ngjitëse për to, i gjithë libri mund të perceptohet edhe si roman. Por më mirë që s’është roman. Shumë më mirë që është ashtu siç është. Sepse çdo tregim ka një pikë kyçe, ka një çast “aha”-je, një gjetje që është pika më e forte e librit sepse shkrimtarja thuajse nuk merr asnjëherë mundimin ta shtjellojë me fjalë dhe ia le në dorë lexuesit ta perceptojë. “Po të duash kape, po të duash lere të të kalojë, të vazhdojë të rrijë aty në raft,” duket sikur thotë ajo. “Mua nuk më intereson shumë.” Pak a shumë si ai qëndrimi me lexuesin e të ardhmes – po të t’iu bjerë në dorë dhe ta lexojnë, le ta pëlqejnë. Ajkuna Dakli di ta lerë këtë pikë me shumë mençuri në ajër, pa e ndërlikuar më tepër se ç’duhet, pa e thjeshtuar aq sa të të fyejë inteligjencën. Aq sa duket sikur këtë e bën pa u menduar, megjithëse jam më se i sigurt që duhet të jetë rezultat i një llogaritje mjaft të kujdesshme. Në art kjo quhet ‘ndiesi e masës”, dhe Ajkuna Dakli e zotëron plotësisht.

Ndiesia e masës ndihet edhe në stil, në gjuhë, në gjithë mënyrën se si shtjellohen tregimet – thjesht, pa të bërtitura, pa dramacitete të tepërta e, megjithatë, kurrsesi nuk mund të thuhet pa emocion e pa mendim. Sepse të gjithë tregimet e kanë të shprehur edhe revoltën, edhe kundërshtinë e prerë për padrejtësitë e kohës, edhe keqardhjen për jetët e ndrydhura dhe, shpesh herë, edhe të shkuara dëm. Por me masë, me qetësi, pa klithur.

Duke mos e njohur autoren (e takoja për herë të parë pikërisht në atë sallë) marr guximin të hamendësoj që kjo ndjenjë mase dhe vetë përmbajtje, kjo qetësi në të shprehur, është rezultat edhe i përvojës së jetës së saj këtu, në Kanada. Në faqen e fundit libri ka të shënuar vendin dhe datën – Toronto, 2019, dhe unë do të thosha që Ajkuna, pavarësisht se ka shkruar shqip dhe për një përmbajtje tërësisht shqiptare, pavarësisht se nuk merr asnjë pozicion artificial për t’u hequr si “e huaj”, shkruan si shkrimtare shqiptaro-kanadeze.

Mua libri më pëlqeu. E lexova me dy frymë – gjysmën një ditë dhe deri në fund ditën tjetër. Do ta rekomandoja pa frikë dhe do të më vinte keq që ai të priste fatin e tij në ndonjë raft si kapsulë kohe që pret të rizbulohet rastësisht. 

Saturday, January 20, 2024

Ç’të mbjellësh do të korrësh


Në verën e vitit 1993 pata rast të bëj një bisedë me ish-sekretarin e ambasadës amerikane në Tiranë, Kris Hill. Takimin e kisha kërkuar unë, me rekomandimin e Bill Kovaç, gazetarit të shquar amerikan i cili ishte edhe kuratori i programit Nieman që unë porsa kisha kryer në SHBA. Kris Hill duhej të njihej me Bill, sepse më ftoi menjëherë në zyrë.

Nëntëdhjetetre ishte ende kohë e shpresave të mëdha. Të porsa dalë nga mizerja e diktaturës, ne jetonim ende në standarte ekonomike dhe marrëdhënie shoqërore jo shumë të ndryshme prej saj. Megjithatë, gjërat po ndryshonin shpejt dhe unë, si shumë të tjerë përreth, kishim të ngulitur në kokë idenë se përpara veç të mira na prisnin. Çdo pengesë, çdo vëshirësi, çdo hendek apo devijim e shihnim si të përkohshëm, madje edhe të natyrshëm, të nevojshëm në rrugën drejt asaj që ne e përfytyronim si shoqëri demokratike.

Në SHBA kisha parë zgjedhjet presidenciale të vitit 1992, kalimin e butë dhe pa asnjë incident të pushtetit nga duart e Bushit (të madh) të cilin ne shqiptarët që në atë kohë mbështesnim demokracinë e adhuronim, te Bill Klinton, që shkëlqente me energjitë, forcën intelektuale dhe zhdërvjelltësinë e të shprehurit. Kisha mësuar shumë gjëra për mënyrën se si funksiononte një sistem demokratik (të paktën teorikisht, megjithëse edhe praktikisht Amerika e fillimit të viteve 1990-të ishte shumë më pranë demokracisë se sa sot) dhe kisha vërejtur te shumica e njerëzve që kisha njohur atje interesin dhe dashamirësinë ndaj një vendi që porsa dilte nga diktatura, si Shqipëria.

Nuk kishte asnjë arsye që të mos prisja vetvetiu të njëjtin këndvështrim edhe nga bashkëbiseduesi. Për më tepër, në 1993 ne e shihnim ambasadën amerikane, si edhe përfaqësitë e tjera të vendeve perëndimore në Tiranë, si zyra të hapura me qëllimin e vetëm që të na ndihmonin ne shqiptarëve për të arritur atë që donim, ngritjen e një sistemi demokratik politiko-shoqëror, përparimin e shpejtë ekonomik dhe, ndoshta brenda një periudhe sa më të shkurtër, renditjen e vendit si të barabartë me shtetet e tjera të Europës.

Nuk e di sa naiv duhet t’i jem dukur Kris Hillit, që vështronte ftohtë me dy sy në ngjyrën e një qielli të pastër, por të akullt. Diku në bisedë, ai më pyeti drejtpërdrejt, krejt papritur dhe pa asnjë lidhje me bisedën:

“Çfarë mendon për arrestimin e Fatos Nanos?”

Ishte korrik 1993 dhe arrestimi i Nanos (çështje ditësh) qe padyshim tema kryesore e të gjitha bisedave politike. Në atë kohë unë për Nanon nuk kisha asnjë mendim pozitiv. E shihja, bashkë me të gjithë ata që ngulmonin të mbanin në këmbë strukturat e kalbura të PPSH-së, si simbol të regresit, të përpjekjeve për të frenuar çdo mundësi përparimi për shoqërinë shqiptare, si një karrierist të paskrupull, që shfrytëzonte çdo rast për të qëndruar në majë të pushtetit. E urreja për përkrahjen që i jepte atyre që ne i quanim “kasketa”, një përzjerje ish punonjësish të sigurimit të shtetit me sekretarë partije e veteranë të luftës, që vazhdonin t’i qëndronin besnik Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. E përbuzja veçanërisht për atë intervistën ku me cinizëm ishte shprehur: “Të mirë, të keq, të gjithë e kemi nga një babë…” duke na veshur si “babë“ dhe duke dashur të na bindë të mos hedhim poshtë monstrën më të fëlliqur që kishte parë ai vend.

Megjithatë, unë isha kategorikisht kundër arrestimit të Fatos Nanos. Jo sepse kisha ndonjë mendim të palëkundur në lidhje me akuzat për korrupsion që i bëheshin, por sepse kisha (dhe kam) bindjen që arrestimi i tij do të ishte një goditje për demokracinë shqiptare. Arrestimi i Fatos Nanos do të krijonte parangjarjen e dënimit me burg të kryetarit të qeverisë pasi ishte larguar nga pushteti, do të ligjëronte praktikën e arrestimit të liderit të opozitës, të kundërshtarit politik. Kjo do të ishte goditje fatale për demokracinë.

Demokracinë e bën të qëndrueshme qarkullimi i pushtetit, kalimi i butë dhe me mirëkuptim i qeverisjes nga një dorë në tjetrën, nga një alternativë në të kundërtën e saj. Por ky kalim nuk mund të realizohet kurrsesi nëse kundërshtarin politik e sheh si armik për vdekje, si një rrezik që duhet asgjësuar dhe që, kur ke mundësi ta heqësh qafe, mund ta bësh duke e burgosur, duke e shpallur armik, duke e vrarë.

Isha 33 vjeç, por këto i dija sepse sapo i kisha studiuar në shkollë dhe sepse në atë kohë ne i mbanim veshët dhe sytë katër për të mësuar sa më shumë për rendin e ri shoqëror që ëndërronim të krijonim. Unë e mendoja se edhe Kris Hill, diplomat amerikan, i ri në moshë, do të pajtohej plotësisht me këto ide. Prandaj ia shpreha mendimin tim pa pikë hezitimi, i bindur se do të dinte ta vlerësonte. Imagjinoni habinë dhe hutimin tim kur pashë që iu nxi në fytyrë. Pa u përpjekur të tregonte ndonjë vetëpërmbajtje, qoftë edhe diplomatike, ai u lëshua në një shfryrje të lirë inati kundër Nanos, nga e cila më ka mbetur në mendje përsëritja e frazës “son of a bitch”.

Më pas biseda nuk ngjiti më. Unë kërkova lejë të largohesha duke u ndarë me një njeri që, pa keqardhje, nuk do ta takoja më kurrë.

Disa ditë më pas, Nano u arrestua. Berisha vendosi parangjarjen – kryetari i partisë kundërshtare, ish-kryeministri i vendit mund të futet në burg. Praktikat e Enver Hoxhës që fuste në burg, eliminonte, vriste, internonte ata që ai mendonte se i shkonin kundër, në një fare mënyre po vazhdonin.

Një parantezë të shkurtër: Dikush mund të thotë që nuk ishte Berisha ai që e futi Nanon në burg por ishte drejtësia, sepse Nano ishte i korruptuar, etj., etj. Kushdo që ka jetuar në Shqipëri e di mirë që kjo s’ka pikë kuptimi. Sistemi shqiptar i drejtësisë, të paktën që nga viti 1944 e këtej, nuk ka qenë asnjë sekondë i pavarur nga politika dhe, rrjedhimisht, nga numri një i pushtetit.

Duke burgosur Nanon, Berisha u kthye automatikisht në njeriun më të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri. Çfarëdo reformash dhe arritjesh të sillte ai, përsëri, fakti që kishte dënuar me burg kundërshtarin politik e bënte atë vetë prè të hakmarrjes politike. Me t’u ndërruar pushtetet, ata që do të hipnin në fuqi, do të kishin dorën e lirë për të bërë të njëjtën gjë edhe me të. E vetmja mënyrë që Berisha ta shmangte këtë fund për veten ishte ndejtja në pushtet pakufizim, në përjetësi.

Të gjitha veprimet kryesore politike të Berishës mbas këtij hapi fatal – referendumi i vitit 1994, zgjedhjet famëkeqe të vitit 1996, ngulmimi për të mbajtur pushtetin deri sa vendi u përfshi nga flakët në 1997, në një farë mënyre ishin rrjedhojë e këtij hapi dhe mund të shihen si reagim ndaj këtij realiteti.

Është meritë e padiskutueshme e Fatos Nanos që kur erdhi në pushtet në 1997, megjithëse i porsa dalë nga burgu, nuk iu kthyer hakmarrjes por toleroi. Është meritë e kryeministrave që pasuan, Majko dhe Meta, që nuk menduan për asnjë çast t’i riktheheshin asaj rruge. Është meritë e vetë Berishës, që pasi erdhi përsëri në pushtet për tetë vjet rresht tregoi pjekuri politike duke mos iu rikthyer asaj praktike.

Dhe ja ku jemi tani, tridhjetë vjet më vonë, me Ramën që zgjon nga gjumi përbindëshin. Retorika e sulmeve dhe kundërsulmeve me sharje dhe kërcënime, akuzat ekstreme reciproke për veprimtari kriminale dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, kanë kulmuar me heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Berishës. Përsëri, nuk ka pikë rëndësie nëse akuzat janë të vërteta apo fallco. Ato askush nuk ka autoritetin t’i vërtetojë, aq më pak sistemi gjyqësor shqiptar. Edhe vetë përkrahësit e Ramës nuk besoj se janë të bindur që Berisha është i korruptuar.

Rëndësi ka vetëm fakti që Berisha është në arrest shtëpie dhe rezikon të shkojë në burg. Nëse kjo ndodh, atëherë Ramën nga pushteti do ta heqë vetëm dhuna, ose vdekja, kushdo që të ndodhë e para. Pra një përsëritje e 1997-ës, ose e 1985-ës. Të dy skenaret janë të dhimbshme për Shqipërinë dhe varrmihëse për demokracinë shqiptare. Nëse Rama e do pak Shqipërinë dhe shumë veten, do të bënte mirë t’i kërkonte urgjentisht presidentit Begaj (që është praktikisht kukulla e tij) që ta shpallte faljen e Berishës. Është e vetmja rrugëzgjidhje e logjikshme. Përndryshe: ç’të mbjellësh do të korrësh.

Që shprehjen e barazvlefshme në anglisht e ka:

What goes around, comes around

E solla në anglisht për të shtuar edhe dy fjalë për atdheun e personazhit në hyrje të këtij shkrimi, diplomatit Kris Hill. What goes around, comes around. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në një vit zgjdhjesh presidenciale, ndërkohë që njëri prej dy kandidatëve të mundshëm për president po e kalon kohën sa në fushatë, e sa në sallat e gjyqeve. Nuk kam qenë asnjë sekondë përkrahës i Donald Trampit. Përkundrazi, e shikoj si rrezikun më të madh për të ardhmen e Amerikës. Megjithatë, precedent i burgosjes së tij më duket i frikshëm. Për mendimin tim, ligjërisht Trampi e meriton të kalbet në klub për tradhëtinë e madhe ndaj demokracisë amerikane në 6 Janar 2021, por edhe për një mori shkeljesh financiare dhe maskarallëqesh e shkeljesh të tjera të ligjit. E, përsëri, them që i duhet shmangur dënimi me burg. Amerikanët duhet të gjejnë me forma demokratike, me forcën e votës mënyrën se si ta hedhin në koshin e plehrave të historisë dhe t’ia mbyllin gojën një herë e përgjithmonë.

Pse e lidha me Amerikën? A mos dua të them se amerikanët, Kris Hill me shokë, e nxitën Berishën që të burgoste Nanon dhe të krijonte precedentin dhe tani po e provojnë në kurrizin e tyre? Nuk e di. Në atë kohë, kur flisja drejtpërdrejt me Kris Hill, as që më shkonte mendja ta mendoja. Tani nuk jam shumë i sigurt. Nuk jam edhe aq i sigurt se kush dhe pse i fryn në vesh Ramës që të bëjë të njëjtën gjë me Berishën. Nuk jam në gjendje të gjykoj as për motivet, nëse kjo është e vërtetë. Ndoshta amerikanët nuk janë edhe aq të interesuar për një zhvillim të rregullt demokratik të Shqipërisë. Koha do ta tregojë.

Pavarësisht se çfarë duan ose kërkojnë amerikanët, shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të përpiqen të ndërtojnë një sistem qarkullimi të butë, tolerant dhe demokratik të pushtetit.