Thursday, April 29, 2021

Pisllëku nuk ikën vetë

Ndodhi ajo që s’duhej të ndodhte – një forcë politike fiton zgjedhjet për herë të tretë. Për më tepër kjo forcë politike është Partia Socialiste, që mban me vete një barrë të rëndë bagazhi erëqelbur, ku kutërbimi i xhaketave dhe kasketave gjithë djerse e gjak të komunizmit ngatërrohet me xhepat e fryrë të korrupsionit, bollkat e shëmtuara dhe atletet e palara të një kryetari arrogant e cinik dhe lloj-lloj kostumesh mariftxhinjsh votë-vjedhës, votë blerës e votues-mashtrues. Dhe po të kesh parasysh atë që Mark Tuen shkruante më shumë se një shekull e ca më parë, që politikanët dhe pelenat e foshnjave duhen ndërruar sa më shpesh dhe për të njëjtën arsye, merret me mend se sa i domosdoshëm ishte shkëmbimi i roleve të aktorëve në skenën politike këtë pranverë.

Unë nuk do të merrem me pisllëkun, sepse pisllëku dihet ku dhe si është, siç edhe dihet mirëfilli që pisllëku nuk ikën vetë, por duhet pastruar. Do merrem vetëm me ata që kishin për detyrë ta pastronin, ose të paktën të drejtonin veprimin e pastrimit. Këtë detyrë këto tetë vjet të fundit e ka pasur mbi supe Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha dhe nuk e kanë kryer. Ata kanë dështuar në përpjekjen e tyre për ta pastruar Shqipërinë nga pisllëku. Prandaj është logjike që Lulzim Basha të pranojë hapur se nuk ka qënë në gjendje të kryente ose të drejtonte pastrimin dhe të japë dorëheqjen.

Këto ditë dorëheqja është bërë një temë mjaft e ndjeshme, sidomos për tifozët e nxehtë të PDsë që kërcejnë menjëherë përpjetë dhe të hidhen në grykë me njëqindmijë akuza sapo iu përmend atë tabu. Arsyetimi i tyre – Basha nuk ka faj për dështimin, pasi zgjedhjet u manipuluan nga Rama. Pra sipas tyre përgjegjësinë që Rama merr mandatin e tretë e ka vetëm Rama, ndërsa Basha i duhet PDsë tani që të drejtojë sulmin tjetër për demaskimin e manipulimit të zgjedhjeve. Vetë Bashës duket se i ka ardhur pas oreksit ky arsyetim, sepse nuk vonoi të dalë me parrullën: Beteja sapo ka nisur, duke lënë të kuptojë që tani tifozeria e tij duhet të mobilizohet për ta ndjekur atë në aventura të reja pa bereqet.

Në fakt beteja sapo ka përfunduar dhe Basha është ai që e ka humbur. Para se të përveshë mëngët për të nisur një betejë tjetër që në të gjitha gjasat do ta humbasë, ai do të bënte gjënë më dinjitoze, që është pranimi i humbjes dhe marrja përsipër e përgjegjësive. Pra, të pranojë që ka humbur dy zgjedhje të përgjithshme; që ka dështuar plotësisht me strategjinë e daljes nga parlamenti, duke i lënë dorë të lirë Ramës të kontrollojë për një kohë të gjatë pa kokëçarje organin ligjvënës të vendit; që ka dalë bllof në mënyrë të pajustifikueshme me strategjinë e çadrës; që u fut qorrazi dhe pa qënë nevoja në lojën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, prej nga doli si rruar-qethur; dhe që ka gabuar rëndë dhe me pasoja të rënda në vendimin për bojkotimin e zgjedhjeve vendore.

Vetëm njëri nga këto gabime të kaluara do t’i kishin mjaftuar një partie të vërtetë demokratike që të kërkonte dorëheqjen e kryetarit të saj. Por në Shqipëri nuk operohet me dorëheqje dhe këtu është një problem tjetër i Bashës dhe i PDsë, të cilën është e nevojshme ta kuptojnë mirë edhe drejtuesit e PDsë edhe tifozeria e saj. (Fjalën ‘tifozeri’ e përdor qëllimisht duke iu referuar jo të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDsë, por vetëm asaj pjese që ndjek verbërisht njërin apo tjetrin drejtues pa arritur të analizojë asnjë veprim dhe pa u përpjekur të arsyetojë se cilat veprime janë vërtet në të mirë të një partie dhe një shoqërie demokratike).

Nëse Lulëzim Bashës i ka mbetur një shteg i vetëm largimi me nder nga kryetarllëku i PDsë, ky është dorëheqja duke marrë përsipër, si veprim të fundit politik, riorganizmin e Partisë dhe krijimin e një klime për funksionim demokratik e modern brenda saj për të zgjedhur kryetarin e rradhës. Pra, në vend që të shkojë kot energjitë e veta, të partisë dhe të simpantizantëve të vet në përpjekje për të justifikuar dështimin e rradhës, ai do t’i sillte një shërbim me vlera gjithë vendit dhe partisë së tij duke e riorganizuar atë gjatë periudhës së dorëheqjes. PD ka nevojë të ndërrojë misionin dhe funksionin e saj, përndryshe nuk e pastron dot kurrë pisllëkun e Edi Ramës dhe të socialistëve.

Nga ana strategjike, PD mund ta luftojë të keqen duke i vënë përballë të mirën, dhe jo një të keqe më të vogël siç është përpjekur të bëjë deri tani. Kjo do të thotë që alternativa e korrupsionit, e diktatit, e mendësive komuniste nuk është një korrupsion më i vogël, diktati më i butë, apo mendësia komuniste më e moderuar (e paraqitur si antikomuniste), por janë ndershmëria dhe ligji, janë marrëdhëniet e hapura demokratike, është vizioni për të ecur përpara me këndvështrimin e shekullit të 21.

Basha dhe PD i dolën përballë PS në këto zgjedhje jo me ndonjë program të dallueshëm dhe bindshëm ekonomiko-shoqëror, por kryesisht me parrullën e luftës kundër korrupsionit. Por dështuan sepse, ndër të tjera, korrupsionin nuk mund ta luftosh në aleancë me një forcë politike të superkorruptuar si LSI, e drejtuar nga një çift matrimonial politikanësh të korruptuar. Sado i pastër dhe i panjollosur të paraqitej Basha vetë në këtë betejë, aleanca me LSInë i hidhte atij sipër rrobën e qelbur të korrupsionit duke ia bërë të pamundur përpjekjen për t’iu mbushur mendjen zgjedhësve. Njerëzit nuk janë të bindur që po të merrte pushtetin PD e Bashës dhe LSI e Metës do të përvishnin mëngët për të luftuar korrupsionin. Meta dhe e shoqja nuk mund të luftojë korrupsionin, sepse nuk mund të luftojnë vetveten. Aleanca me ta është një tjetër dështim i politikës së Bashës.

Basha dhe PD flasin sot kundër vjedhjes së votës, kundra dhjetra-mijë votave të pavlefshme. Por njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë që po të ishte Basha në pushtet nuk do të bënte të njëjtën gjë, sepse edhe vetë PD e ka një njollë manipulimi votash, të cilën Basha nuk ka marrë asnjëherë mundimin ta pastrojë, ose të paktën nuk ka dhënë asnjë shenjë distancimi prej saj. Vetë Basha është vënë në krye të PDsë me procese të dyshimta votimi, gjë që ka shkaktuar largimin nga partia të shumë prej ish-veprimtarëve të saj, të cilët e kanë ndjerë që i kanë pasur të mbyllura shtigjet e konkurrimit të ndershëm.

Që t’i mbushë mendjen njerëzve se vërtet lufton manipulimin e votave, nga Basha dhe PD pritet të fillojnë ta luftojnë atë brenda vetes. Ai duhet të thërrasë dhe të rimbledhë të gjithë të larguarit dhe të krijojë kushte për një konkurim të hapur, të pastër, model për postin e kryetarit të PD. Vetëm kështu mund të dilet para shqiptarëve duke thënë: Ja si i bëjmë ne zgjedhjet brenda Partisë. Kështu duam t’i bëjmë edhe zgjedhjet e përgjithshme. Këto janë standartet tona.  Ne nuk kemi standartet e njeriut të fortë që dikton gjithçka në parti dhe në shtet. Nuk kemi as standartet e një partie që drejtohet nga një çift burrë e grua, që ia kalojnë kryesinë e partisë njëri-tjetrit sikur ta kenë pronë (që në fakt e kanë).

I vetmi shans për Bashën që të largohet i nderuar është nëse ai arrin të lerë pas një PD e cila të ketë hequr dorë nga mendësia komuniste e luftës së klasave dhe e kapjes pas parrullave boshe që s’i mbushin më mendjen asnjë nejriu. Pozicionimit të PDsë si një parti ‘e djathtë‘ në kuptimin që lufton ‘të majtët’ domethënë komunistët, nuk i ka mbetur pikë kuptimi. Së pari, PS, pavarësisht nga emri, nuk është parti e majtë. PS është sot partia e oligarkëve, e një grupi të vogël njerëzish super të fuqishëm ekonomikisht, që ka në krye një njeri që mbështetet mbi supet dhe xhepat e këtyre njerëzve të fuqishëm dhe që nuk i lënë asnjë hapësirë biznesit të vogël dhe atij të mesëm, le më pastaj fukarait. Eshtë më se e vërtetë që PS mban rreth vetes disa figura të qelbura të komunizmit si Gramoz Ruci dhe enveristë të tjerë të vegjël që vazhdojnë t’i mbajnë erë me nostalgji fustaneve të Nexhmije Hoxhës, por kjo është thjesht nga ato kockat që ata ia hedhin PDsë për ta hutuar, që të ketë ku të lehë, dhe që njëkohësisht i ruan PSsë një numër të caktuar votash fanatikësh që edhe pas tridhjetë vjetësh nuk e kanë marrë vesh që komunizmi ka marrë fund. Nëse mund të përcaktohet në terma ideologjikë, PS e Ramës nuk është as parti komuniste, as parti socialiste. Më së shumti ajo mund të jetë parti fashiste. Në këtë kuptim, PD duhet ta kuptojë që fashizmi nuk luftohet duke i dalë më djathtas, duke u bërë edhe më fashist. As duke i dalë majtas. Fashizmi luftohet me të kundërtën e vet, me demokracinë. PD duhet thjesht t’i qëndrojë besnike emërtimit të vet dhe të ndjekë parimet e saj që në krijim – të jetë parti demokratike, e demokratizuar vetë dhe që kërkon demokratizimin e vendit.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se gjendja politike në vend sot është shumë e keqe dhe aspak premtuese për të ardhmen e vendit. Regjimi i Ramës rrezikon të kthehet në një diktaturë afatgjatë dhe përpjekja për ta hedhur atë, duke marrë parasysh manipulimet që ai bën, mgjan e vështirë për t’u realizuar. Por nuk është e pamundur. Të mos harrojmë se si arriti PD të sigurojë mbështetjen e shqiptarëve në vitin 1992, duke kthyer përmbys rezultatin e zgjedhjeve të një viti më parë dhe duke hedhur poshtë një parti që kishte pesëdhjetë vjet që sundonte me metodat më të ndyra të mundshme. Ajo mrekulli u arrit vetëm në saje të një rruge të re që u propozua, të një alternative moderne, krejt të ndryshme, të një mendësie shumë më të përparuar që u përqafua me enthusiazëm nga një shumicë e ndjeshme e popullit, aq sa ishte e pamundur ta manipuloje. PD dhe shqiptarët i kanë forcat që ta arrijnë përsëri një gjë të tillë. Por, si forca e vetme politike që iu jep shpresë shqiptarëve, PD ka nevojë që paraprakisht të ripërtërijë vetveten.

 

 

Tuesday, April 20, 2021

Kaq të paaftë qënkemi?!


Kjo puna e patronazhistitëve është shqetësuese në disa plane. Shumë prej nesh janë skandalizuar nga shkelja flagrante e ligjit dhe për këtë kanë të drejtë.
Por ka edhe anë të tjera për të cilat duhet të na dalë gjumi natën. Për shembull kur mendon se sa të paaftë jemi.

Aq të paaftë saqë edhe një spiunllëk të thjeshtë si puna e patronazhimit nuk e bëjmë si duhet. Të paaftë dhe dembela. Po ta shikosh me vëmendje patronazhistët kanë marrë përsipër diçka fare të thjeshtë, që kërkon shumë pak punë e, megjithatë, as asaj nuk i shkojnë dot deri në fund. Pasi kanë kopjuar të dhënat personale të njerëzve të vjedhura nga ndonjë database shtetërore, e vetmja punë që iu mbetej për të bërë ka qënë verifikimi i parapëlqimit politik. Kaq.

Pra, e vetmja gjë që iu është kërkuar të bëjnë, të vetmen punë për të cilën janë paguar, apo kanë marrë urdhër partie, apo kanë dalë vullnetarë, apo janë detyruar me metoda mafjoze – nuk i di detajet – të vetmen detyrë që iu është caktuar ka qënë përcaktimi i anësisë apo paanësisë politike të viktimave që kanë pasur në patronazh. Pikërisht këtë ose nuk e kanë bërë fare, ose e kanë bërë keq, shkel e shko duke ia futur kot. Jo vetëm unë dhe familiarët e mij, por edhe shumë që njoh unë, dhe shumë të tjerë në rrjete sociale, dëshmojnë se patronazhistët i kanë rënë shkurt duke i regjistruar njerëzit si simpatizantë të PS-së kur nuk janë, por edhe nganjëherë si të PD-së, kur janë thjesht të paanshëm.  

Kjo është vërtet serioze sepse vërteton që ne nuk jemi në gjendje të bëjmë asgjë, as si individë, as si shtet, as si parti, as si çdo lloj organizimi tjetër. Kjo tregon se jemi njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm dhe nuk mund të na zihet besë.

Më keq nga të gjithë ne, si popull, si popull spiun-patronazhist, ka dështuar Ai, organizatori, kreu, Kreuministri. Ai është përpjekur të organizojë një sistem (sado i paligjshëm e mafioz qoftë) që t’i shërbejë atij dhe grupimit që e mbështet atë, e megjithatë nuk ka arritur ta bëjë. Ka ngritur rrjetin e spiunëve vullnetarë (ose e ka riaktivizuar atë), iu ka dhënë detyrën dhe përgjegjësinë përkatëse, iu ka shpjeguar rëndësinë, dhe…hiç, asnjë rezultat. Gjithë ajo punë, gjithë ai mund, gjithë ato energji, gjithë ai investim moral (imoral) i shkuar dëm!

Prandaj, në vend që t’iu dalë në mbrojtje patronazhistëve dhe të na mallkojë ne të tjerëve duke thënë ‘Iu marrshi të keqen patronazhistëve’, Kryeministri duhet të jetë i hapur dhe të pranojë që patronazhistët nuk e kanë kryer hiç atë detyrë që ai iu ka ngarkuar dhe që, në këtë kuptim, si kreu i tyre, si kryepatronazhist, edhe ai vetë ka dështuar me turp. Ata që punojnë për të dhe i shërbejnë atij kanë po aq (pak) respekt për të sa edhe të tjerët që duan ta heqin qafe. Megjithatë, Kryepatronazhisti nuk duhet ta marrë si fyerje personale. Eshtë thjesht shprehje e dembelizmit dhe e paaftësisë sonë për të bërë një punë si duhet – qoftë për ta mbajtur, qoftë për ta hequr qafe atë vetë si Krye-i-pa-aftë.  

 

Friday, March 12, 2021

Humor mbretëror

 A janë racistë mbretërorët?! Hahaha!


Humori më i bukur i javës vjen nga ose në lidhje me familjen mbretërore britanike, një humor i hollë, i thellë, dhe në disa përmasa. Nusja e nipçes së vogël të Mbretëreshës, Meghan Markle deklaron në një intervistë me Oprah Winfreyn se dikush nga mbretërorët ka bërë komente raciste në lidhje me fëmijët e saj të ardhshëm. Oprah duket e shokuar. Media amerikane dhe ajo britanike gjithashtu. Rrjetet sociale zjejnë. Në dy orë orë intervistë mbushur me kotësira, ky qe kumti që i ka tronditur më shumë edhe përkrahësit e Meganit (frymës së re), edhe ata të Mbretërisë (traditës).

Nuk e mbaj dot të qeshurin kur mendoj se si mund të jetë pritur kjo në Buckingham Palace. Dua të them, me çfarë lloj habije. A janë habitur që Markle nuk e ka ditur që ata janë racista që para se të lidhej me Harryn? Janë habitur që Oprah nuk e di që ata janë racista? Janë habitur që paska njerëz diku atje tutje, diku poshtë këmbëve të tyre, që vërtet mendojnë se ata nuk janë racista? Apo thjesht janë habitur që dikush guxoka që racizmin e tyre ta quajë racizëm të zakonshëm, njerëzor, vdekëtar, dhe në bazë të kësaj logjike ta shohin atë si të papranueshëm?

Familja Mbretërore nuk janë thjesht racista: Ata janë personifikimi i racizmit. Vetë qënia e tyre mbështetet te racizmi. I gjithë institucioni i monarkisë është koncept racist. Në themel të monarkive, të paktën atyre europiane, qëndron ideja e të drejtës hyjnore. Mbretëritë e sotme europiane nisën të gëlojnë në mesjetën e hershme si forma bazë e sundimit dhe, që në fillesat e tyre u mbështetën nga Kisha. Ideja se Zoti i ka dhënë pushtet tokësor monarkut njëlloj siç i ka dhënë pushtet shpirtëror Kishës, veçanërisht Papës ka qënë mbizotëruese në shoqëritë mesjetare europiane shumë kohë përpara se sa shkenca politike të krijonte termin ‘e drejta hyjnore e mbretërve’. Mbreti Rikard I i Anglisë në 1193 deklaronte: “Unë kam lindur në një sërë që nuk njeh asgjë më lart se vetja veç Zotit, dhe vetëm atij i përgjigjem për veprimet e mia.” Ai ishte i pari që përdori moton: Dieu at mon droit (Zoti dhe e drejta ime), që edhe sot e kësaj dite qëndron në themel të monarkisë në Mbretërinë e Bashkuar. Me daljen e shteteve-kombe dhe pas periudhës së Reformacionit Protestant në shekullin e 16të, teoria e të drejtës hyjnore u përdor për të justifikuar autoritetin e mbretit si në çështjet politike ashtu edhe në ato shtetërore. Henriku i VIII i Anglisë e shpalli veten Kreu Supreme i Kishës së Anglisë, ndësa Xhejms VI i Skocisë, që më vonë u bë edhe Xhejms I i Anglisë e zhvilloi idenë si teori politike: Sundimi i Monarkisë është gjëja më supreme në botë, sepse mbretërit janë jo vetëm zëvendësuesit e Zotit në tokë dhe ata që qëndrojnë në fronin e Zotit, por edhe Zoti vetë, dhe quhen zot…Në librat e shenjtë mbretërit thirren Zot, ndërsa pushteti i tyre krahasohet me pushtetin hyjnor…

Vështirë të gjendet përcaktim më racist. Në fund të fundit, racizmi nuk është gjë tjetër veçse vlerësimi i një lidhjeje gjaku si më superiore ose më inferiore se sa tjetra. 

Gjithçka në ekzistencën e mbretërive buron nga ky koncept. Shtresimet dhe nënshtresimet e rangjeve aristokratike bazohen të gjitha në shkallën e pastërtisë të gjakut mbretëror, në afërsinë apo largësinë e lidhjeve me familjen mbretërore. Familjet mbretërore janë përzjerë tradicionalisht me njëra-tjetrën, duke u munduar të ruajnë të pacënuar pastërtinë e ‘gjakut hyjnor’. Prandaj kemi edhe lidhjet në pellgun e përbashkët të gjakut të të gjitha familjeve mbretërore europane – të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin.

Nuk besoj se ka njeri në planet që të mos e ketë parasysh fytyrën e ngrirë, pa shprehje, pa buzëqeshje, pa asnjë lloj emocioni të Mbretëreshës Elizabetë II. Ajo është maska e monarkut, e supozuar që të jetë e çliruar nga ndjenjat njerëzore, është pamja e racës më superiore të mundshme, racës mbretërore. Është shprehja më e qartë dhe më e dukshme e racizmit.

Prej kohësh monarkitë janë vënë në siklet sepse u është dashur të përballen me zhvillime të reja politike, shoqërore, ekonomike që e kanë nxjerrë institucionin e tyre jashtë loje. Monarkia është një anakronizëm mesjetar që nuk përputhet në asnjë pikë me demokracinë, me të drejtat universale të njeriut, me gjithçka që mban erë zhvillim, ose të paktën që është pranuar gjerësisht si zhvillim nga pjesa dërrmuese e njerëzve pas fillimit të shekullit të njëzetë dhe këtej. Prandaj monarkitë, dhe posaçërisht familja mbretërore britanike ka mëse një shekull që i janë futur punës për të marrë pamje tjetër, më të afërt, më njerëzore, më moderne, më të pranueshme. Në fillim bënë një hap të vockël duke lejuar Dianën, një rang më i ulët të martohej me princin trashëgimtar. Diana ishte gjithsesi aristokrate, por përsëri iu solli probleme. Pastaj bënë hapin tjetër, dhe lejuan William të martohej me një ‘commoner’ (vetë përdorimi i termit është tejet racist), që të paktën ishte shumë e pasur. Së fundi, lejuan Harryn të merrte një aktore gjysmë afro-amerikane, ndërkohë që një hap i ngjashëm në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë i kushtoi fronin Xhorxh VI.

Për ata, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e zotit në tokë, të gjithë të tjerët janë inferiorë, krijesa të dorës së dyte në kuptimin racist të fjalës – domethënë për arsye sepse kanë lindur në rangje më të ulët. Ata qëndrojnë atje lart, raca gjysmë-zot – Mbretëresha, Duka, Princi i Wellsit, kalamajtë e tyre, soj e sorollopi duke mbajtur rreth vetes një grupim më i ulët në rang, më të pranueshëm për ta që quhen aristokratë, njerëz me tituj. Pastaj vijnë ‘commoners’, qeniet më të ulta, ne të tjerët, që kemi lindur për t’u sunduar prej tyre.

A e bëjnë dallimin racor ata midis ‘commoners’ që e kanë lëkurën më të bardhë dhe atyre që e kanë më të errët? Ndoshta e bëjnë, ndoshta nuk e bëjnë. Ka shumë të ngjarë që për ta të mos ketë pikë rëndësie. Por nëse nuk e bëjnë nuk do të thotë që nuk janë racista. Ata mbeten racista në thelb. E bëjnë apo nuk e bëjnë dallimin, kjo nuk ndryshon gjë. Ata mbeten racista, vetëm se në mbretëror.

A i dinte Meghan Markle këto para se të pranonte të hynte nuse në familjen mbretërore? Logjikisht duhet t’i dinte. Turp për të nëse nuk i dinte. Por është turp për të edhe nëse i ka ditur dhe përsëri ka pranuar, sepse kjo tregon që ka pranuar të martohet krejtësisht e vetëdijshme për atë që e pret. Turp për të edhe nëse ndihet e skandalizuar nga komentet raciste të dikujt në familjen mbretërore, sepse prej tyre nuk ke ç’pret tjetër. Edhe sikur mos ta shprehin, ata e mendojnë, sepse kështu janë lindur, rritur dhe edukuar. Ngado që ta kthesh, Markle tregon mungesë karakteri dhe integriteti, ndërsa përpjekja e saj për t’u hequr si e persekutuar është qesharake.

Qesharak është edhe qëndrimi i Harryt, që mundohet të paraqitet si jo-racist, ndërkohë që vazhdon të ngulë këmbë që një pjesë e pasurisë së familjes raciste prej nga ai rrjedh vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut i takojnë atij dhe të shoqes.

Qesharak është edhe reagimi i Oprahs dhe i medias në tërësi. Vërtet duhet një deklaratë e Meghan Markle për t’iu kujtuar atyre që pjestarët e familjes mbretërore janë racistë?! Qesharak është qëndrimi i të gjithë atyre amerikanëve që prishin gjumin për fatet e monarkisë britanike, ndërprerja e lidhjeve me të cilën janë arsyeja dhe thelbi i ekzistencës së tyre si komb. Dhe këtu futen të gjithë, edhe ata që mbajnë anën e Meghanit, duke indinjuar që tani po e markan vesh që familja mbretërore janë racistë, edhe të tjerët, që për arsye krejt të pashpjegueshme, mbajnë anën e mbretërisë.

Sidoqoftë unë për vete zbavitem kur përpiqem të përfytyroj reagimin e pjestarëve të familjes mbretërore. Nuk di si ndihen ata - të fyer, të çuditur, të hutuar, të indinjuar, apo thjesht iu vjen për të qeshur me gjithë këtë histori pa kuptim.

 

 

Thursday, January 21, 2021

Lajthitje Logjike*


Lexova një status dje ku thuhej se në Gjermani 33 persona të vaksinuar mbas një jave janë testuar dhe kanë dalë pozitivë me Covid-19. Ky fakt interpretohej të paktën siç e kuptova unë, si prove që vërtetonte se vaksinat nuk janë krijuar për të mbrojtur nga virusi por për qëllime të tjera, të errëta.

Duke pasur vërtet respekt për atë që e kishte postuar statusin, unë i bëra vetëm një koment të thatë, ku shpreha mendimin se, meqënëse vaksinat deklarohen se mbrojnë në një përqindje të caktuar, atëherë do të ketë dhe një përqindje njerëzish që nuk mbroheshin prej tyre. Pra, nëse thuhet se vaksina mbron 97 perqind, është krejt normale që në 100 vetë 3 do të jenë më të prekshëm nga virusi.

Përgjigja që mora ishte thjesht konstatim që mua më mungonte logjika. Prandaj e tërhoqa komentin dhe nuk e ndoqa më atë fill bisede.

Sidoqoftë kur dikush për të cilin ke mendim pozitiv ta thotë në fytyrë se nuk ke logjikë, ia vlen të përpiqesh të kuptosh se çfarë mund të çalojë me logjikën tënde. Prandaj e vura në dyshim atë që kisha shkruar dhe u vura të verifikoj

Kërkova në disa burime, por po sjell këtu një shpjegim disi të përmbledhur dhe të qartë që gjeta te « The Conversation’ (Bashkëbisedimi) – një rrjet portalesh të medias jo-qeveritare që boton në Internet artikuj të shkruar nga akademikë dhe kërkues shkencorë. Ja shpjegimi :

Nëse Pfizer/BioNTech raporton se vaksina e tyre është 90% e efektshme, kjo do të thotë se vaksina e tyre ka parandaluar simptoma të COVID-19 në 90 përqind të atyre që e kanë marë vaksinën në krahasim me placebon. Shkencëtarët mendojnë se kjo shifër, e përcaktuar në kushtet e studimeve klinike është shumë e lartë dhe, gjatë përdorimit të gjërë do të vazhdojë të bjerë përgjatë përballjes me realitetin. Shumë pak vaksina të prodhuara deri më sot arrijnë të kenë efektivitet mbi 90%. Vaksinat e gripit e kanë veprueshmërinë 40% deri në 60% dhe megjithatë përdorimi i tyre mbron me miliona jetë njerëzish. 

Pra asnjë vaksinë nuk parashikohet të mbrojë 100% të njerëzve. Autoritetet e shëndetsisë në vende të ndryshme miratojnë përdorimin e vaksinave që kanë aftësi parandaluese mbi 50%.

Këto janë të vërtetat shkencore, që shkruajnë shkencëtarët dhe ato duhen lexuar ashtu siç janë. Pra, jo me paragjykimin që dikush po pretendon se me të marrë vaksinën mund të lëshohesh e të përqafosh rrugëve këdo që të të dalë përpara. Kur marrim vaksinën ne bëjmë një hap përpara për të ndaluar përhapjen e një sëmundjeje të rrezikshme, që mbetet gjithsesi e rrezikshme.

Kështu e kap logjika ime këtë temë. Logjika ime më thotë që kur flitet për shkencë të anoj më tepër te mendimi i komunitetit kërkimor-shkencor dhe jo te teoritë konspirative. Me logjikën time, kur flitet për vaksinën unë iu besoj më shumë shkencëtarëve dhe studiuesve, atyre që kanë zhdukur polimelitin, fruthin, rubeolën dhe plot sëmundje të tjera dhe vazhdojnë të punojnë për të mirën e njerëzve duke shfrytëzuar dijet e tyre të marra në vite e vite shkollimi në universitetet më të mira që ka bota. Me logjikën time unë nuk iu shkoj pas teorive të gjeneruara nga njerëz me kapacitete intelektuale, morale dhe etike të dyshimta që përhapin idenë se gjithë qeveritë e botës janë bashkuar në një konspiracion të heshtur të organizuar nga Soros dhe Bill Gates për t’i injektuar njerëzimit mikroçipe e për t’i kthyer në zombie.

Shënim : Lajthitje logjike janë argumentat që mbështeten në arsyetim të gabuar, megjithëse në pamje të parë duken mjaft tërheqëse për një lexues të pavëmendshëm. Zakonisht ato ndahen në tre grupe të ndryshme : lajthitje të ethosit (karakterit), pathosit (emocioneve) dhe logosit (logjikës).

Tuesday, January 19, 2021

Pëllumbi i Paqes?!

Pas pretendimit se do të ishte Presidenti që do ta bënte Amerikën të madhe përsëri, që nuk ndodhi (përkundrazi, Amerika ra në Janarin e 2021 në pikën më të ulët të saj që nga Lufta Civile); pas shpresës se do të luftonte establishmentin, megjithëse si miliarder ai ishte vetë establishmenti dhe s’kishte se si të luftonte shtresën e vet dhe nuk e luftoi; pas pritjes së kotë që të kthente bizneset e larguara; pas fantazisë së shthurrur se po lufton komunizmin imagjinar të miliarderëve dhe politikanëve si Obama apo edhe Mitch MCConnell, së fundi ka dalë, nuk dihet nga ç’sirtar argumenti që Trump është presidenti më paqësor në historinë e Amerikës.

Ky argument vështirë se do ta justifikojnte përpjekjen për të shkatërruar me çdo mënyrë, duke përfshirë edhe dhunën, rendin kushtetues të demokracisë më të konsoliduar në botë. Sepse historia njeh jo pak raste satrapësh e kriminelësh të neveritshëm që nuk iu kanë hapur luftë vendeve të tjerë, si për shembull Enver Hoxha, Kim Jong-un-i, Fidel Kastro, Pol Pot, Mbreti Leopold II apo edhe Vladimir Iliç Lenin.


Megjithatë ia vlen të shihen edhe faktet për t’u mësuar nëse Trump është vërtet pëllumbi i paqes që po na paraqitet, nëse është vërtet humanisti zemërdhembshur që nuk pranon të bëjë luftra se i dhimbsen viktimat e pafajshme.  

Me t’u bërë President Trumpi  i hoqi ushtrisë amerikane dhe CIA-s kufizimet për goditjet arjore dhe me dronë. Në Mars të vitit 2017 administrata e tij i dha dorë të lirë CIA të kryente sulme me dronë pa qënë nevoja t’i merrte leje Pantagonit apo Shtëpisë së Bardhë.

Në të njëjtën kohë ai hoqi të gjithë rregullat e administratës së Obamës që kërkonin ‘thuajse garanci të plotë‘ se nuk do të kishte vdekje civilësh para se të merrej vendim për goditje me dronë jashtë zonave zyrtarisht në luftë. Paralelisht me këtë, me urdhër ekzekutiv Trump hoqi e qeverisë amerikane detyrimin për të raportuar numrin e civilëve të vrarë nga dronat.

Rezultati? Brenda gjashtë muajve të parë të presidencës së Trumpit Shtetet e Bashkuara kanë vrarë në Irak dhe në Siri më tepër civilë se sa në kohën e Obamës kur luftohej kundër ISIS. Sipas Pentagonit në 2017 janë vrarë nga ushtria amerikane 499 civilë, megjithëse numri mendohet të jetë më i lartë.

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara shkruan se në vitin 2019 forcat e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan kanë vrarë më tepër civilë se sa Talibani dhe ISIS bashkë (305 kundrejt 227 për periudhën Janar – Mars 2019).

 Zyra Gazetarëve Hetimorë llogarit që goditjet amerikane me dronë në Jemen gjatë vitit 2017 të jenë shtuar 300 perqind. Po kështu rritje patën edhe goditjet me dronë në Somali. Airwars, organizatë monitoruese me qendër në Britani, raporton se gjatë vitit 2020 në Jemen janë vrarë të paktën 86 civilë nga sulmet e drejtpërdrejta të dronave amerikane. Ndërkohë The Daily Beast shkruan se gjatë tetë vjetëve kur President i SHBA ka qënë Obama janë kryer 186 sulme me dronë në Jemen, Somali dhe Pakistan, ndërsa vetëm në dy vjetët e parë të presidencës së Trumpit u kryen 238 të tillë. Vetëm në Jemen gjatë dy vjetëve të parë të Trump ka pasur 176 goditje ajrore, krahasuar me 154 të kryera atje në të tetë vjetë të presidencës së Obamës.  

Friday, December 18, 2020

Ekspozita e Parë e Artit

Në 18 Dhjetor 1994, tre kërkues shpellash po eksploronin një kanion në jugë të Francës, kur ndjenë një rrymë të ngrohtë ajri që vinte nga një pirg gurësh. Zhvendosja e tyre nxorri në dritë një shpellë gjigande që kishte qëndruar fshehur nga bota e jashtme për qindra shekuj. Brenda shpellës u gjetën mbi 200 piktura murale kafshësh që dikur vërtiteshin të lira në Francë dhe në gjithë Europën – rinocerontë, luanë, arinj dhe bizonë - portrete të mrekullueshme që edhe sot vazhdojnë të konsiderohen si pikturat më të vjetra në botë.

Zbulimi i asaj që do të njihej më vonë me emrin e njërit prej kërkuesve si Shpella Shovè shkaktoi një tërmet të vërtet në qarqet akademike, ndërkohë që pjesa tjetër e botës nuk pati shumë rast të njihej me të. Ngjarja u pasqyrua përciptazi në disa njoftime lajmesh dhe publikut të gjerë nuk i iu dha shumë rasti të njihej me pikturat sepse shpella u vulos menjëherë dhe në të lejohet hyrja vetëm për kërkime shkencore.

Sipas studimeve, vizatimet janë krijuar rreth 35,000 vjet më parë dhe kanë natyrë fetare. Shpella, që ndodhet në zonën Ardeche, në Francën Jugore, nuk duhet të ketë qënë ndonjëherë e banuar nga njerëzit. Ajo është në fakt një rrjet galerish të errëta nëntokësore, disa prej të cilat arrinin lartësinë 30 metra dhe gjatësinë 70 metra. Artistëve të Epokës së Gurit do t’iu jenë dashur me siguri pishtarë për të ndriçuar aty brenda.

Vizatimet flasin për një nivel aftësish artistike që i befasoi shkencëtarët. Ato janë vërtet kryevepra ku ndërthuren teknika të lëvizjeve me dritë-hijet dhe këndvështrimi perspektiv. Por shpella Shovè nuk është thjesht zbulimi më i madh artistic i dhjetëvjeçarit. Ajo mund të japë përgjigje edhe një prej mistereve më të mëdha të shkencës – evoluimit të mendjes krijuese të njeriut.

Mendohet që Homo sapiens u zhvilluan fillimisht përpara 150,000 vjetësh në Afrikë. 50,000 vjet më vonë ata filluan të shpërndahen nëpër botë. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë që arti të ketë ekzistuar më herët se sa 40,000 e fundit. Pikërisht në këtë periudhë, dhe në 12,000 vitet në vazhdim në Australi, në Europë dhe në Afrikë duhet të ketë ndodhur një revolucion intelektual i pashpjegueshëm, gjatë të cilit filloi të prodhohej art. Shkencëtarët e kanë ende të pamundur ta shpjegojnë se si mund të jetë zhvilluar arti thuajse njëkohësisht në tre zona kaq të largëta nga njëra-tjetra. Ndoshta gjurmët e shpellës Shavej do të ndihmojnë që një ditë t’i jepet përgjigje pyetjes se si dhe pse pikërisht në atë periudhë njerëzimi u bë i aftë që të mendonte simbolikisht.  

Shënim: Kur hapa kompjuterin në mëngjes, pashë se Google sot përkujtonte 26 vjetorin e zbulimit të Grotte Chauvet, Shpellës Shovè. Kam parë një dokumentar dhe kam lexuar dy-tre artikuj në lidhje me këtë zbulim të mrekullueshëm. M’u kujtua edhe se ndërmjet teksteve të mësimdhënies kisha edhe një lexim jo të gjatë, të cilit për fat të keq nuk ia di autorin por që më ka lënë shumë mbresa. E përktheva për ta postuar këtu. Kush ka interes, do t’i rekomandoja të ndiqte lidhjen e mëposhtme për të mësuar më shumë rreth këtij zbulimi. Eshtë një bashkëpunim i Google me UNESCO-n.

https://artsandculture.google.com/project/chauvet-cave

Wednesday, November 25, 2020

I dashur mik, virtual apo real,

Për mua vlera më e madhe që solli kalimi nga diktatura në demokraci është liria e gojës. Jo liria për të ngrënë pa tollon, por liria për të folur, për të shprehur hapur atë që mendon. Unë e kuptoj demokracinë si një mjedis ku lulëzojnë shumë mendime dhe ku secili ka të ketë të drejtë të shprehë lirisht të vetin, veçanërisht kur bije fjala për politikanë, për të ashtuquajturit ‘lidera’. Në liri kushdo ka të drejtë të krijojë parapëlqimet e veta politike dhe të përkrahë politikanët që ia mbushin mendjen.

Prandaj të lutem, i dashur mik, kuptoje që unë kam të drejtë të jap mendimin tim, të çmoj apo përçmoj cilindo politikan që më do qefi. Kam të drejtë të ngre lart, apo të ul poshtë këdo parti apo rrymë politike, ideologjike, propagandistike a fetare që e shoh të arsyeshme. Kam të drejtë ta shpreh hapur mendimin tim. Kjo është e drejta që ma jep demokracia.  Politikanët dhe partitë politike janë figura publike dhe duke pranuar të jenë të tilla, kanë pranuar vetë të vihen në shënjestër të gjykimit tonë, domethënë edhe të gjykimit tim si qytetar i lirë, dhe ky gjykim mund të jetë pozitiv, siç mund të jetë edhe negativ.

Ti, i dashur mik, nuk ke përse të ndihesh i fyer kur unë ul poshtë një politikan, njëlloj siç nuk kam as unë arsye për t’u ndjerë i fyer kur ti e ngre atë lart. Anasjelltas, unë s’kam përse të ndihem i fyer kur ti shan dhe abuzon politikanët që ti i mendon si të padenjë, siç edhe ti nuk ke përse të ndihesh keq kur unë ngre lart ndonjërin që mund të adhuroj (megjithëse në rastin tim kjo nuk ndodh thuajse kurrë). Për ta thënë më shkurt, nuk ka asnjë arsye përse të ndihesh i fyer nga unë. Kur unë kritikoj politikanin nuk e kam me ty, por me politikanin. Në rastin e politikanëve, edhe po të jenë pjestarë të afërt të familjes tënde, unë përsëri e kam me ata, jo me ty. Se ç’mendon ti për ta , është puna jote.  

E përsëri, më duhet ta pranoj që edhe ti ke të drejtë të ndihesh i fyer. Kjo puna e fyerjes, e të ndjerit i fyer domethënë, është kthyer si modë këto kohët e fundit. Me një fjalë ka filluar të çfaqet një hollim ndjenjash i paparë ndonjëherë. Disa e kanë bërë si modë që, porsa dëgjojnë apo lexojnë diçka që nuk iu pëlqen, hidhen e thonë : ‘Ndihem i fyer’, ose ‘Eshtë fyese’, ose ‘Na prek ndjenjat’. Normalisht këtyre ankesave qaramane i duhet dhënë përgjigja : ‘Pune e madhe shumë.’ Megjithatë, për hir të të qënit deri në fund i paanshëm më duhet të them se po, ti ke të drejtë të ndihesh i fyer.

Është e drejta jote të ndihesh si të duash nga çfarë lexon lart e poshtë. Njerëzit kanë regjistra emocionalë të ndryshëm dhe unë nuk kam asnjë autoritet të përcaktoj se kur dhe sa duhet t’i preken telat e zemrës të tjerëve. Por, meqënëse ke të drejtë të ndihesh i fyer, kjo nuk do të thotë se ti ke të drejtë të kthehesh e të më fyesh mua, drejtpërdrejt, si njeri, vetëm e vetëm se unë kam ulur idhullin tënd, liderin tënd, njeriun për të cilin ti ke votuar, ose ke dashur të votosh në pamundësi të të drejtës për të votuar. Sepse unë, në rastin më të keq po fyej atë, ndërsa ti po vjen e më fyen mua. Sikur nuk shkon, apo jo?

Megjithatë, jetojmë në një botë të lirë dhe ti mund të thuash se edhe këtë të drejtë e ke, domethënë të drejtën të shprehësh mendimin tënd për mua, pra mund të thuash se ke të drejtë të më fyesh mua (në atë shkallë sa ta lejon ligji). Për hir të lirisë së shprehjes unë do ta pranoj edhe të drejtën që ke ti që të shprehësh mendime fyese në lidhje me mua. E pranoj, është e drejta jote.  

Por nëse ti e ushtron këtë të drejtë, pra të drejtën për të më fyer mua drejtpërdrejt, në publik, në faqen time, ose tëndën, ose të përbashkët të facebookut, mos prit të mbetesh miku im. Real, jo e jo, por as virtual. Pavarësisht se këtu në fb jemi  bërë të gjithë si këmbët e dhisë dhe quajmë ‘miq’ me të njohur e të panjohur, vazhdon të mbahet në këmbë një farë kuptimi redimentar i fjalës ‘mik’. Dhe shkalla e parë e të qënit ‘mik’ në facebook është pikërisht kjo – përmbajtja për të mos e fyer tjetrin. Dhe me fjalën 'tjetrin’ unë kuptoj mikun, virtual apo real, dhe jo politikanin.

Prandaj, i dashur mik real apo virtual, përpara se të vesh gishtat mbi tastjerë dhe të fillosh t’i përgjigjesh gjithë emocion statusit tim për këdo politikan apo figurë publike, për cdo broçkull idologjike apo politike, për çdolloj idhulli apo të adhuruari që ekziston në botën reale apo imagjinare të njerëzimit, do të ishte mirë të merrje një herë frymë thellë, të numëroje deri në dhjetë dhe të mendoheshe: A dua vërtet ta fyej këtë mikun tim në facebook dhe ta prish një herë e përgjithmonë miqësinë (reale apo virtuale) me të? A ia vlen ta humbas një mik për hir të mënyrës se si ndihem unë në lidhje me filan politikan? A më bën nder mua fyerja publikisht e një njeriu që e njoh dhe me të cilin kam marrëdhënie normale, njerëzore, për arsyen e vetme se ai ka mendim të ndryshëm nga unë në lidhje me dikë që ndodhet larg, tepër larg nesh dhe që s’ka as idenë më të vogël të ekzistencës time, të mikut tim, dhe të të gjithëve të tjerëve rrotull nesh?

Nëse me gjak të ftohtë kësaj pyetjeje i përgjigjesh po, domethënë nëse vërtet mendon se ia vlen ta prishësh miqësinë me mua për shkak të idhullit tënd, atëherë vazhdo, jepu gishtave. Edhe unë nuk do të hezitoj të të heq nga lista e miqve, si nuk kam hezituar të heq, për të njëjtën arsye, një numër jo të vogël para teje, duke përfshirë ndër ta edhe njerëz për të cilët kam pasur dikur respekt dhe i kam ditur si të kulturuar.

Nëse, nga ana tjetër, ti nuk fyesh nga ato që them unë për atë politikanin apo politikën, ose nëse fyesh por di ta përmbash veten dhe nuk të shkon ndërmend të më fyesh mua si shpagim për fyerjen që ndjen vetë ngaqë të është sulmuar idhulli, atëherë ne mbetemi miq dhe unë do të di ta vlerësoj këtë miqësi. Unë do të dij ta respektoj mendimin tënd, sado i ndryshëm të jetë nga i imi. Në fakt, një nga kënaqësitë më të mëdha që më jep facebuku është pikërisht mundësia për të shkëmbyer mendime, vecanërisht mendime të kundërta. Unë asnjëherë nuk i jam shmangur kësaj dhe e kam parë si gjimnastikë për mendjen dhe si mundësi për ta forcuar, jo dobësuar miqësinë. Miqtë që mendojnë ndryshe mua nuk më fyejnë - përkundrazi, më ndihmojnë të vras mendjen dhe të kontrolloj mendimet e mia, më ndihmojnë t’i shoh gjërat në këndvështrime të ndryshme. Jo vetëm aq, por shpesh herë edhe t’i ndryshoj mendimet e mia. Dhe kjo më bën të ndihem mirë.