Sunday, August 20, 2017

Sinonime dhe Antonime



E kundërta e komunizmit nuk është fashizmi.
Komunizmi është diktaturë. Po kështu edhe Fashizmi. Komunizmi dhe fashizmi janë të ngjashëm, jo të kundërt. E kundërta e tyre është një shoqëri demokratike dhe e lirë.
E kundërta e ekstremit të majtë nuk është ekstremi i djathtë.
Sepse e kundërta e ekstremit nuk mund të jetë ekstremi. E kundërta e ekstremit të majtë dhe atij të djathtë është  qëndrimi i moderuar, i logjikshëm, njerëzor, mendjehapur.
E kundërta e terrorizmit islamik nuk është terrorizmi i krishterë.
Terrorrizmi mbetet terrorizëm, pavarësisht nga libri i shenjtë që e mbështet. E kundërta e terrorizmit mbetet qëndrimi paqësor, dashuria për jetën dhe njerëzit.
E kundërta e nacionalizmit serb nuk është nacionalizmi grek. As nacionalizmi shqiptar.
Nacionalizmi ka për të kundërt idenë që të gjithë popujt janë të barabartë dhe kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën e tyre ashtu siç duan ata, pa iu hyrë në hise të tjerëve.
E kundërta e racizmit ndaj teje nuk është racizmi ndaj të tjerëve. Të gjithë njerëzit janët ë barabartë, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, forma e kokës, vendi ku kanë lindur. Ka vetëm një race – raca njerëzore. Racizmi është shprehja më e shëmtuar e kompleksit të inferioritetit.
E kundërta e Hillary Clinton nuk është Donald Trump. Janë që të dy zgjedhje shumë të këqija që iu vunë përpara amerikanëve në vitin 2016. Që njëri mund të jetë më keq se tjetri kjo diskutohet. Por që që të dy janë keq, vështirë se vihet në dyshim. Përkrahja pa rezerva e njërit për të kundërshtuar tjetrin nuk ka pikë kuptimi.
E kundërta e Sali Berishës nuk është Edi Rama. Në këtë ekuacion mund të vini edhe emra të tjerë - Basha, Meta, Ruci – në çfarëdo dyshe që të doni dhe të keni të njëjtën pamje të shëmtuar. Shqiptarët janë përpara një dileme të ngjashme me atë të amerikanëve – kanë përballë vetëm zgjedhje të këqija. Ndoshta duhet bërë diçka për të ndryshuar strukturën në thellësi. Çfarëdo që të bëhët, duhet nisur nga vetvetja e secilit. Demokracinë shqiptar nuk do ta bëjnë kurrë drejtuesit politikë. Nëqoftëse do të bëhet ndonjëherë, atë do ta bëjnë njerëzit vetë.
E kundërta e enver hoxhës nuk është…Jo, çdo gjë mund të jetë e kundërta e enver hoxhës, pasi ai është e keqja absolute.

No comments: