Saturday, May 14, 2022

Dëmkontrolle


Dy qyfyre politike nga Amerika e Veriut

1. Kongresisti republikan amerikan Medison Kauthorn (Cawthorn) po përpiqet të kontrollojë dëmin ndaj figurës së tij nga shpërndarja e disa fotove ku ai ka pozuar i veshur si zonjë. Historia është paksa më e thellë se kaq: Para disa kohësh i pyetur nga drejtuesi në një podcast se sa të vërteta ishin skenat që përshkruheshin në serialin “Shtëpi letrash” (Hause of Cards), Kauthorni u përgjegj “shumë“. Pastaj vijoi duke rrëfyer se si kongresist i ri ai ishte ftuar shpesh në mbrëmje të organizuara nga kolegët e tij më të moshuar republikanë që jo rrallë shndërroheshin në orgji. Me sa duket Kauthorni ka dërdëllisur në podcast pa u menduar mirë dhe pa llogaritur se kolegëve të tij të më të moshuar republikanë mund të mos iu pëlqenin që orgjitë e tyre të tema të diskutimeve publike dhe, për rrjedhojë, të reagonin duke gërmuar në arkivat e fotove të tij.

Kauthorn përfaqëson Karolinën e Veriut dhe thotë që është rritur me dhe vazhdon të mbartë vlerat më të mira të Krishtërimit. “Unë ndjek besimin Judeo të Krishter,” ka deklaruar ai. “Kam një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Jezu Krishtin. Nëse mendoni për ideologjinë time politike, ose nga rrjedh ajo, etika dhe morali im dhe si e ndaj unë të mirën nga e keqja buron nga Jeruzalemi, nga vlerat Judeo të Krishtera.” Kauthorn i përket grupit më konservator të republicanëve dhe është luftëtar i vendosur politik i të drejtave të LGTB.

2. Ministri i Arsimit i Ontarios Stefan Liçi po përpiqet të kontrollojë dëmin e shkaktuar nga akuzat se në vitet e studentllëkut ka marrë pjesë në inskenime ceremonish me tregëti skllevërish dhe në rituale ku nxitej seksi me dhitë. Humori me plagën më të dhimbshme të historisë së kontinentit dhe ushtrimi i bestialitetit nuk kanë qënë aspak pjesë e programit mësimor. Përkundrazi, ato janë elemente të ritualeve të vëllazërisë Sigma Chi në Universitetin Western në London, Ontario. 


Duke lënë mënjanë anët revoltuese dhe komike të lajmit, Liço paraqet interes sepse ka qënë ndër ministrat më të njohur të kabinetit të kryeministrit Dag Ford, i cili tani është në fushatë për t’u rizgjedhur. Jo vetëm për faktin se Arsimi është nga përparësitë e pushtetit të provincave në Kanada, por edhe sepse Ford, si shumica e politikanëve konservatorë të provincës e kanë halë në sy shkollën dhe mësuesit. Me këtë nuk dua të them që Ford është kryeministër i keq. Vetëm se unë nuk pajtohem me politikën e tij arsimore. Personalisht bëja gjithmonë çudi se si mund të gjendej një njeri që të vihej në krye të Ministrisë së Arsimit dhe të ishte i gatshëm për të shkatërruar fushën që drejtonte. Zakonisht për këto lloj punësh zgjidhen njerëzit me shtyllën kurrizore më të epshme. Ja që u zgjidh edhe enigma Liçi.

Shënim: Fotoja e Kauthorn është e vërtetë, ndërsa tabela që mban në dorë Liçi është e montuar. 

 

Thursday, February 10, 2022

Jepini Qezarit atë që është e Qezarit

(Thuhet se e ka thënë Jezu Krishti)

Shpjegim për miqtë e mij që nuk jetojnë në Kanada

Kanadaja është shtet federal. Kjo do të thotë që në Kanada qeverisja bëhet në tri nivele: Federal, Provincial, dhe Bashkiak. Në nivelin e parë është Parlamenti Federal (i të gjithë vendit) i përbërë nga dy dhoma, ajo e Komunave dhe Senati. Këta nxjerrin ligje që lidhen me drejtimin e të gjithë vendit. Në krye të shtetit qëndron Mbretëresha, e cila përfaqësohet nga Guvernatori(ja) i/e Pergjithshëm. Qeverinë e drejton Kryeministri, kryetari i partisë që ka fituar më shumë vota në zgjedhjet federale.

Çdo provincë dhe territor i Kanadasë ka parlamentin e vet me fuqi të nxjerrë ligje dhe të kontrollojë se si funksionon qeveria përkatëse.  Parlamentet provinciale miratojnë ligje që zbatohen brenda kufijve të provincës/territorit. Provincat kanë edhe qeverinë e tyre, të dala nga partitë e provincës, apo të territorit, të cilat mund ose mund të mos përkojnë në emërtim me partitë federale, por nuk kanë asnjë vartësi prej tyre. Përfaqësuesi(ja) i/e Mbretëreshës në Provincë/Territor, quhet Zv.Guvernator(e). Kreu i qeverisë provinciale/territoriale quhet Premier (nuk po e përkthej).

Pushteti bashkiak përbëhet nga këshillat bashkiake dhe kryetarët e tyre. Anëtarët e këshillave bashkiake dhe kryetarët e bashkive nuk janë të lejuar të kenë lidhje partiake. Ata nuk zgjidhen si përfaqësues të ndonjë partie, por si përfaqësues të vetvetes.

Me përjashtim të imigracionit, bujqësisë dhe mjedisit, ku i bashkërendojnë veprimet, pushteti federal dhe ai provincial kanë detyra krejtësisht të ndara në fushat e tjera. Qeveria federale merret me mbrotjen e vendit, politikën e jashtme, qytetarinë, tregëtinë ndërkombëtare, çështjet aborigjinale, policinë dhe drejtësinë kriminale. Provincat kujdesen për arsimin, shëndetësinë, burimet natyrore, autostradat, të drejtat e pronës dhe ato qytetare.

Në dallim nga mënyra se si kryhen punët në Shqipëri, pushtetet në Kanada janë të pavarura nga njëra-tjetra. Domethënë që Kryeministrit nuk ia var njeri kur vjen puna për përgjegjësi të Provincave apo të Bashkive. Kryeministrin dhe partinë e tij nuk e pyet njeri se kush do zgjidhet në krye të provincave apo bashkive edhe në rastet kur partitë e provincave që fitojnë kanë të njëjtën emërtim me atë të partisë federale. Gjithashtu, pushtetit federal nuk i merret dora për projekte, politika apo plane që janë përgjegjësi e provincës. Kjo mund të jetë një pikë paksa e vështirë për t’u kuptuar nga shqiptarët, por është e rëndësishme. Nuk mund të kalohet thjesht duke thënë “i di unë hilet e këtij vendi, se vij nga Europa Lindore.”

Kanadaja ka 10 provinca dhe 3 territore. Pavarësisht se sot pushtetin federal e kanë me pakicë Liberalët, provincat dhe territoret kanë qeveri ose konservatore, ose liberale, ose të ndonjë partie tjetër. Në provincën më të madhe, për shembull, në Ontario, të njëjtët votues zgjedhin një qeveri federale liberale dhe një qeveri provinciale konservatore. Vitet e fundit liberalët e Ontarios kanë qënë partia e tretë në zgjedhje, pavarësisht se partia me të njëjtën emër në shkallë vendi ka qënë në pushtet. Nga 10 provinca, vetëm njëra prej tyre, Newfoundland e Labrador ka qeveri Liberale, ndërsa gjashtë të tjera kanë qeveri konservatore.

Tani futemi në temë. Shëndetësia në Kanada është përgjegjësi e pushtetit provincial/territorial. Masat për ruajtjen e shëndetit publik merren nga qeveria Provinciale, jo nga ajo federale. Të gjitha masat e mara në Kanada për mbrojtjen popullsisë nga epidemia e kovidit janë marrë nga provincat, jo nga pushteti federal. Ontario ka marrë masa që janë të ndryshme nga ato të Kebekut, të Albertës, apo të Manitobës. Dje u njoftua që Alberta (me qeveri konservatore) hoqi kufizimin për përdorimin e pasaportave të vaksinimit dhe planin për të kaluar hap pas hapi në heqjen e kufizimeve të tjera, ndërkohë që Ontairo (gjithashtu me qeveri konservatore) ende nuk e ka dhënë një njoftim të tillë.

Maskat, vaksinat, testet, mbylljet, hapjet, kufizimet, oraret, janë të gjitha masa të marra nga qeveritë e provincave. Natyrisht, qeveria federale ka bërë punën që i takon në lidhje me gjendjen, kryesisht për sigurimin (si përgjegjëse për marrëdhëniet dhe tregëtinë me botën) të numrit të duhur të vaksinave apo maskave. Në këtë funksion ajo ka marrë edhe masat që mendon se janë të nevojshme për kalimin e kufirit. Këtu hyn edhe pakënaqësia e kamjonistëve të pavaksinuar me qeverinë federale.

Por kamjonistët, opinionistët, analistët, etj., nuk kanë përse t’i përvishen qeverisë federale dhe kryeministrit në lidhje me diçka që nuk e ka përgjegjësi – as për kufizimet në hapjen e mbylljen e kafeneve, klubeve, palestrave, sallave të koncerteve etj., as për vaksinimin dhe pasaportat përkatëse, as për maskat dhe as për testet anti-kovid. Këto administrohen tërësisht nga provincat.

E ndjej të nevojshme të them, megjithëse nuk iam aspak i detyruar, që unë nuk po i dal në mbrojtje Justin Trudeau-së. Nuk kam votuar asnjëherë dhe nuk kam ndonjë simpati për të si politikan. Thjesht po i shkruaj këto sepse kështu është e vërteta. Jepini Qezarit atë që i takon Qezarit.

Çdo ulërimë që dëgjoni e lexoni për kufizime të lirive të qytetarëve kanadezë nga ana e qeverisë federale si përpjekje e Liberalëve për të vendosur diktaturë të majtë në Kanada është thjesht një broçkull, një marrëzi pa asnjë bazë logjike dhe vërtetësie. Fakti që janë shumë vetë që ulërijnë kur e shprehin këtë marrëzi nuk e bën atë më të vërtetë. Kanadaja është vend ku demokracia funksionon mirë, pavarësisht se jo çdo gjë është e përsosur. Në fund të fundit, demokracia është rrugë, nuk është destinacion. Ata që i fryjnë burive të alarmit ose nuk e njohin gjendjen, ose e njohin por parapëlqejnë ta injorojnë të vërtetën për motive të tjera, motive që nuk janë aspak demokratike.

Masat kundra kovidit në Ontario ku unë jetoj janë marrë thuajse të gjitha nga qeveria e saj konservatore me në krye Doug Ford. Për Doug Ford unë personalisht kam po aq simpati sa edhe për Justin Trudeau (thuajse zero). Megjithatë, për mendimin tim në periudhën e pandemisë ka vepruar përgjithësisht mirë, me urtësi. E them këtë, pasi ai ka pasur aq mençuri sa të dëgjojë specialistët dhe të veprojë sipas këshillave të tyre. Politikanët duhet të dëgjojnë specialistët. Megjithëse këto kohët e fundit Ontario është në prag të zgjedhjeve provinciale, Ford vazhdon të ndjekë politika që ia diktojnë specialistët e fushës. Ndoshta me këtë strategji ai i ka dhënë plot shanse vetes që të zgjidhet përsëri.

Më sipër shkruajta se ky shpjegim është për miqtë e mij që nuk jetojnë në Kanada. Shumica e miqve të mij që jetojnë në Kanada i dijnë këto gjëra, dhe s’kanë nevojë për shpjegime. Ata që nuk i dijnë s’kanë për t’i mësuar ndonjëherë, pavarësisht se çfarë iu shpjegohet dhe kush ua shpjegon. Ata që i dijnë dhe nuk i marrin parasysh kur shkruajnë dhe komentojnë sepse nuk iu përputhen me idetë e tyre fikse thjesht janë për të qarë hallin.

 

Wednesday, February 2, 2022

Duke kërkuar çfarë të kërkosh

Arben Kallamata

Sfida më e madhe e Lëvizjes Kamioniste Kanadeze (LKK) ishte të merrej vesh çfarë kërkonin. Dhe jo thjesht ta merrte vesh publiku i jashtëm, por që ta kuptonin vetë pjesmarrësit dhe organizatorët e saj.

Faktikisht LKK (mua më pëlqen ta lexoj Le-Ke-Ke) u nis si një protestë anti-vax, domethënë anti-vaksinë, e nxitur nga masat kufizuese që i ishin imponuar elementit bosht të kësaj lëvizjeje, domethënë 10 përqind të kamjonistëve kanadezë që nuk binden për t’u vaksinuar dhe që e ndjejnë drejtpërdrejt në xhep kufizimin kur nuk i lenë të kapërcejnë kufirin Kanada-Amerikë. Natyrisht, në përkrahje të tyre do të vinin edhe 10 përqind të popullsisë së Kanadasë të cilëve nuk iu ka dalë ende frika nga gjilpëra.

Të lidhur përmes rrjeteve sociale që kanë veti të bashkojnë përfaqësuesit e shkëputur të çdo lloj ideje të skajshme duke i bindur se janë rryma ideore e shoqërore të fuqishme, kamionistët u nisën nga Vankuveri drejt kryeqytetit të vendit, Otavës për të protestuar dhe kërkuar të drejtën e tyre për t’u hedhur këtej dhe andej kufirit pa qënë nevoja të shpohen, të mbajnë maska, apo të ngjeshin tampona në hundë. Natyrisht, lëvizja ishte e hapur për këdo që donte t’i bashkohej dhe që përputhej me idetë e tyre, pavarësisht nëse ngisnin kamjona apo biçikleta. Ftesa ishte e hapur dhe u pranua nga një pjesë e 10 përqindëshit anti-vaks të popullsisë Kanadeze si dhe u përkrah moralisht dhe rrjete-socialisht nga përqindje edhe më të larta të popullsive të pavaksinuara në ShBa, Europë, Rusi, dhe, natyrisht, Shqipëri.

Largësia nga Vankuveri në Otavë është 4631.2 kilometra dhe, po të ngasësh pa u ndalur duhen 43 orë rrugë. Natyrisht, kamjonistëve të LKKsë iu desh më shumë kohë. Po e përmend kohën, sepse është element i rëndësishëm i rrëfimit. Shumë gjëra ndodhin në kohë, dhe sa më shumë kohë kalon, aq më shumë gjëra ndodhin. Në lidhje me LKKnë, gjatë kohës që ata udhëtonin nga bregu Perëndimor për në Kryeqytet rradhët e tyre u shtuan dhe u shumuan, përkrahësit në të gjithë botën u bënë më të zëshëm, rrjetet sociale u mbushën me artikuj bindës, por u përcaktuan edhe disa probleme.

Nga më të mprehtët ishte që kamjonistët kishin harruar se 10 përqindëshi që ata përfaqësonin binte disi ndesh me pjesën tjetër, që ata nuk e përfaqësonin dhe që, në një mënyrë apo në një tjetër mund të kishte mendim të ndryshëm prej tyre. Diku pranë Otavës, ose ndoshta pasi kishin hyrë atje, ata u kujtuan për me faktin që pjesa tjetër që mbetet nga 10 përqindëshi është 90 përqind, hesap të cilin organizatorët e një proteste duhet ta kishin bërë që në fillim. 90 përqind e kamjonistëve (në një llogari të thjeshtë, duke pasur parasysh se Kanadaja numëron 120,000 të tillë, dilte se duhet të ishin rreth 108 mijë) duken sikur janë goxha në krahasim me 12 mijë. Nuk po i hyj llogarisë për të gjithë popullsinë e vendit. Nga ana e marrëdhënieve publike një hesap i tillë nuk del shumë në leverdi të protestuesve. Diku në Otave kamjonistët antivaks dhe antivaksët jo-kamjoninistë e kuptuan se iu duhej edhe më shumë përfaqësim, edhe më shumë mbështetje. Prandaj, si pa u kuptuar, pa e marrë vesh njeri, tema e protestës u zhvendos drejt një pike që mund ta përkrahte kushdo, i vaksinuar apo i pavaksinuar – Liria.

Nuk qe thjesht puna që u lanë në baltë aspiratat anti-vakse, anti-tampone dhe anti-maskë të disa kamjonistëve për të lëvizur lirisht nga një anë e kufirit në tjetrën. Puna ishte që Liria solli telashe të tjera. Doli se Liri po kërkonin edhe ca njerëz që mbanin flamuj me zvastika, domethënë nazistë. Për fat të mirë Kanadaja nuk ka aq shumë të tillë, por sidoqoftë, jo aq pak sa t’i injorosh fare. Është vështirë të harrosh se një nga pikat e programeve të grupimeve neonaziste të paktën është ruajtja e pastërtisë racore, e shprehur në urrejtjen dhe mospranimin e emigrantëve.

Hm! Paksa problematike kjo kur ke parasysh që një pjesë e mirë e pjesmarrësve të LKKsë janë imigrantë. Rastësisht dëgjoja njërin prej tyre duke dhënë një intervistë shumë i shqetësuar për këtë dukuri. Natyrisht, neonazistëve iu janë bashkuar edhe një dorë homofobësh e ksenofobësh, pro-lifers and low lifers të tjerë. Madje u gjendën edhe idiotë që mbanin flamuj të Konfederatës amerikane, që nuk i bashkon asgjë, absolutisht asnjë pikë historike apo logjike me Kanadanë. Nuk mungoi të jepte mendimin e tij as profesori i çekujlibruar Jordan Peterson, i cili në një nga përçartjet e rradhës iu kërkoi drejtuesve konservatorë të provincave Scott Moe, Jason Kenney dhe Doug Ford të shfrytëzonin rastin dhe të rrëzonin qeverinë federale të Trudosë. Një ndërhyrje krejt e papërgjegjshme dhe në mospërputhje të plotë me të gjitha parimet e demokracisë.

Shpejt u vu re LKK e kthyer në Lëvizje për Liri, kishte aq shumë liri saqë nuk merrej vesh ç’bëhej. Në fakt, Lëvizja për Liri brenda një kohe të shkurtër vërtetoi pikërisht absurditetin e saj – në Kanada është idiotizëm të protestosh për liri, sepse, për atë kuptim ka shumica e arsyeshme e popullsisë Kanadaja nuk është vend ku mungon liria. Njerëzit ndiqnin me habi nga ekrani karvanin e madh të kamjonëve dhe turmën jo dhe aq të madhe të protestuesve që bllokonin kryeqytetin e vendit duke u vërtitur të lirshëm, duke bërë çfarë iu donte qefi, duke nxjerrë turlilloj parrullash dhe flamuj të pështirë dhe, përsëri, duke kërkuar Liri. Për çfarë?  

Këtu doli përsëri e nevojshme që t’i kthehej pak dashurisë së parë dhe të thuhej se kërkohej liri për të hequr masat ndaj kovidit. Më në fund u duk sikur po arrihej të formulohej diçka e logjikshme dhe e pranueshme. Ne jemi luftëtarë të lirisë nga masat shtrënguese të qeverisë për pandeminë.

Kush nuk do që të hiqen masat shtrënguese ndaj pandemisë? Unë për vete dua. Pse nuk dola në protestë? Sepse masat shtrënguese ndaj valës së Omikronit në Ontario u vunë diku në fillim të Janarit dhe, që ditën kur u vunë u deklarua se ato do të mbaheshin në fuqi deri në datën 31 Janar. Dhe ashtu u bë. Masat u hoqën në 31 Janar. Pritet që të ngrihet së shpejti çdo lloj kufizimi. Po të kishte duruar edhe një ditë LKK do t’i kishte plotësuar kërkesat e veta pa qënë nevoja të ngisnin gjithë ato traqe për 4631.2 kilometra dhe të protestonin në pikë të të ftohtit.

Një shtesë e vogël gjoja si pa lidhje: Sot, në datën 2 Shkurt, Partia Konservatore Kanadeze ka organizuar një votim konfidence për drejtuesin e saj, Erin O’Toole. Historia e PKK (jo LKK) është e gjatë dhe e ndërlikuar dhe përmban disa ndarje dhe bashkime. Bashkimi i fundit i konservatorëve kanadezë u krye nën Stephen Harper, i cili e drejtoi jo vetëm partinë por edhe vendin në mënyrë të shkëlqyer për një kohë të gjatë. Personalisht, unë e shoh Harperin si një nga kryeministrat më të mirë që ka pasur Kanadaja. Kur Harper u largua nga skena politike, posti i tij duhej zëvendësuar. Në zgjedhjet e fundit brenda Partisë Konservatore pati disa kandidatë, ndër të cilët më i mundshmi për të fituar ishte Peter MacCay, ish Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Harper. Nga raundi i parë i votimeve Peter MacCay mori më shumë vota nga të gjithë kandidatët e tjerë, por jo aq sa të fitonte drejtimin e partisë. Erin O’Toole doli i dyti. Duhej një raund tjetër. Ndërkohë, u pa qartë se fituesin do ta vendoste një minorancë e partisë, grupimi ultrakonservator i saj, një përqindje e vogël dhe normalisht pa peshë e përbërë pikërisht nga ekstremistët e djathtë. I pyetur përpara votimit se, nëqoftëse do të zgjidhej a do t’i merrte parasysh kërkesat e tyre, Peter MacCay u përgjigj drejtpërdrejt dhe prerë: Jo. Kërkesat e këtij grupimi janë jashtë çdo standarti demokratik për t’u marrë parasysh nga politikanë serioz kanadezë (e theksoj, kanadezë). Ndërkohë, Erin O’Toole përdori tjetër taktikë. Ai premtoi se do t’i merrte parasysh, mjafton që t’i jepnin votën. Ata ia dhanë dhe ai zgjodh. Pasi u zgjodh, ai bëri atë që do të bënte çdo politikan me dy para mend në kokë - i braktisi ekstremistët.

Pyetja është: Sa gisht ka ky grupimi ekstrem i partisë konservatore që ka thirrur për t’i kërkuar llogari sot Erin O’Toole’s në organizimin e protestave në të kamjonistëve në Otavë? A ka ndonjë lidhje protesta e LKKsë me votimin e sotëm të PKKsë? Sa nga ata që tundnin svastikat në protestën e Otavës do të votojnë sot për drejtuesin e Partisë Konservatore. Unë për vete s’kam asnjë detyrim që t’i përgjigjem kësaj pyetje, prandaj po e le hapur. Le të shohim çdo të ndodhë sot me Partinë Konservatore Kanadeze. Kushdo që do ta pëlqejë rezultatin është i lirë ta festojë në ndonjë restorant apo pub. Janë të gjitha të hapura, sepse kufizimet janë hequr.

Meqë ra fjala, partia opozitare e Kanadasë, partia konservatore, po organizon votë konfidence për kryetarin. Nëse ndonjëri i bën shoqërizim ky fakt me ndonjë gjë që po ndodh në ndonjë vend tjetër, dhe nëse do të kuptojë se si kryehet procesi në një vend demokratik, le ta ndjekë pak politikën kanadeze. Duket e mërzitshme, por është shumë interesante dhe e vlefshme, pasi është ashtu si duhet të jetë. Pavarësisht se cila parti është në pushtet, mua më pëlqen që jam qytetar i këtij vendi. 

Thursday, January 20, 2022

Shkopi dhe karrota*

Britanikët, që kanë përvojë jo të pakët në punët e perandorimit – domethënë të nënshtrimit të të tjerëve, përdorin shprehjen idiomatike: carrot and stick (edhe karrotën, edhe shkopin) e dëgjuar rëndom krahas fjalës diplomaci. Është një formë përqasje në marëdhëniet dypalëshe që nuk e kanë shpikur anglezët dhe nuk e kanë përdorur vetëm ata. Në jetë të jetëve ka qënë një metodë e efektshme e shteteve, individëve dhe organizmave (kryesisht të jashtligjshme, mafjoze) për të ushtruar kontroll mbi të tjerët, për t’i detyruar ata të bëjnë atë që do ti.

Ne shqiptarët jemi aq për të qarë hallin saqë të gjithë ata që merren me ne kanë tundimin për të futur në punë shkopin dhe karrotën. Kushdo që ka pasur interes dhe i është dhënë mundësia e ka përdorur. Megjithatë, të jesh vend i vogël nuk do të thotë se je i dënuar të bëhesh viktimë . Në botë gjen raste plot të kombeve më të pakët në numër që dijnë t’i bëjnë ballë shkopit dhe karrotës. Sekreti është të kesh politikanë të aftë dhe të ndërgjegjshëm, që punojnë për të mirën e vendit, mendje të mprehta dhe zemra të ndjeshme. Këta ne na kanë munguar. Ahmet Zogu, me gjithë dinakërinë dhe dëshirën e tij për të bërë diçka, kafshoi më shumë se ç’duhej nga karrota e Italisë, i bindur se do shpëtonte. Atë e gënjeu mendja se Italia nuk do ishte aq e çmendur sa t’i sillte anijet dhe tanket në portet e Durrësit dhe Vlorës. Por, për fatin e tij të keq fqinjët i kontrollonte Musolini, prandaj ne hëngrëm shkopin, shkopin që solli si pasojë hoxhën. Ky, nga ana e vet iu fut si i babëzitur karrotës jugosllave. Pastaj, iu kthye asaj sovjetike. Për t’i shpëtuar drurit të tyre u lëshua pas kinezëve. Në fund fare, e la fare karrotën, e lëshoi popullin e vet të hante bar dhe të duronte shkopin që ai e shmangu nga vetja. Të tjerët që erdhën pas tij as e kanë pasur idenë ç’bëjnë. Ne vazhdojmë të vuajmë nga politikanë jo profesionistë, që nuk kanë asgjë të qartë në lidhje me interesat e vendit dhe që veprojnë me instinkte bajraktarësh, pavarësisht se turma që iu vete nga pas nuk e ka për gjë t’i cilësojë si burra shteti.

Kaq për ne. Të hidhemi te turku. Erdogani është thjesht një diktator. Pa pretenduar se e njoh mirë historinë e Turqisë, unë e shoh Erdoganin si e kundërta e Ataturkut, krijuesit të Turqisë moderne. Ataturku, nga ana e vet, ishte e kundërta e sulltanatit, e kundërta e perandorisë osmane dhe kalifatit. Ai përfaqësonte rrymën politike që e ktheu Turqinë nga monarki islamike në republikë laike dhe e kërkonte zhvillimin e saj jo duke u bazuar te përhapja gjeografike, por te ruajtja e kufijve të një shteti pak a shumë etnik dhe te modernizimi i kombit. Rezultati ekonomik dhe, pak-a-shumë shoqëror, i këndvështrimit të Ataturkut është Turqia e sotme moderne.

Ataturku e njihte mendësinë e popullit që drejtonte, e dinte nostalgjinë e një pjese të turqve për periudhën ‘e lavdishme’ të perandorisë otomane dhe, lidhur ngushtë me këtë, edhe për lidhjen e tyre me fenë (Sulltani ishte njëkohësisht edhe Kalif). Për Turqinë moderne rikthimi i nostalgjikëve në pushtet dhe ringjallja e ëndrrave të vjetra të sulltanatit mbetën gjithmonë rrezik real. Prandaj Ataturku ishte i detyruar të krijonte një sistem të dyfishtë - demokratiko-diktatorial, që të ndalonte pikërisht rikthimin e nostalgjikëve të Perandorisë Otomane në pushtet. Roli i gjykatësit dhe policit për të përcaktuar se kush ishte nostalgjiku që rrezikonte demokracinë iu la ushtrisë turke. Këta ndërhynin me grusht shteti sa herë bindeshin që një parti në pushtet fillonte të vinte ligje dhe merrte masa që dëmtonin vizionin e shtetit laik. Detyrë që ata e kryen për një shekull, derisa doli një njeri dinak si Erdogani, që shfrytëzoi rrethanat për ta thyer sistemin. Jo rastësisht, goditja më e madhe ishte shkatërrimi i ushtrisë, arrestimi i mbi 6000 ushtarakëve në vitin 2016.  

Erdogani është e kundërta e Ataturkut. Ai është nga ata diktatorët e rinj, që përpiqen të ruajnë maskën e njeriut të zgjedhur me vota të lira dhe që shfrytëzojnë çdo lloj pjese gri të ligjit për të mbajtur pushtetin. Ashtu si Putini, ai është hedhur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit dhe anasjelltas për të zgjatur në pafundësi qëndrimin në krye (pelivanllëk që e kanë praktikuar edhe të tjerë, nëse iu kujtohet).  Erdogani është tipiku i nostalgjikut që do ta kthejë vendin në lavdinë e dikurshme, në një perandori të madhe islamike. E gjithë praktika e diplomacisë ndërkombëtare të Erdoganit ka këtë drejtim. Turqia duket se ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian; ajo i ka acaruar marrëdhëniet me partnerët e saj Europianë, madje edhe me Naton dhe është lëshuar me forcë drejt ekspansionit ushtarak, diplomatik, e kulturor.

Le t’i kthehemi shkopijve dhe karrotave. Ndihma e dhënë për tërmetin është pjesë e karrotës. Edhe vizitat që bën Erdogani në Shqipëri (begenisja) duhet parë si karrotë. Ajo xhamija e madhe e ngritur në mes të Tiranës (bashkë me shumë të tjera) janë dhënë si karrotë, megjithëse ato minaret e larta kanë pamjen e shkopijve, hujve. Filmat dhe serialet turq që kanë mbytur programet e televizioneve më të mëdha shqiptare janë padyshim karrota.

Shkopijtë, druri i vërtetë nuk ka nisur dhe ndoshta nuk do të nisë për një kohë të gjatë deri sa të ketë aq shumë shqiptarë që të kenë ngrënë aq shumë karrota sa të jenë të gatshëm t’i ngrenë vithet përpjetë për të pranuar hurin. Ardhja e Erdoganit në Tiranë pikërisht në 17 Janar është një shkop i vogël, shkop prove. Sa për të parë se sa mban kurrizi i shqiptarëve tani për tani. Emërtimi i lagjes “Erdogan” është gjithashtu pjesë e shkopit – dhe një pjesë e ndyrë, e pështirë, sepse ato 450 milion Euro ndihmë i ka dhënë shteti turk, populli turk, jo Erdogani nga xhepi i vet.

Erdogani dhe ata që bëjnë politikën turke e kanë më se të qartë se ç’është Skëndërbeu për shqiptarët. Ata e dijnë që nuk është thjesht një prijës që ka luftuar osmanët para 500 vjetëve, por është simboli, frymëzimi që Rilindasit zgjodhën për të krijuar kombin. Për krijimin e kombit të tyre grekët u frymëzuan nga qytetërimi i lashtë grek; italianët nga qytetërimi i lashtë romak, bullgarët nga lavdia e perandorisë bullgare, serbët dhe sllavët nga pansllavizmi. Shqiptarët e ngritën kombin me fytyrën e Skënderbeut. Të gjitha këto Erdogani i di mirë. Ai zgjodhi pikërisht përvjetorin e Skënderbeut për të ardhur diku aty afër, në Laç dhe për t'iu kujtuar shqiptarëbe se ishte ai që po i mban me karrota. Ndërkohë, shkopi i tij tatonte pulsin patriotik, maste durimin, kontrollonte shkallën e tolerancës ose, për të qënë më të saktë, të nënshtrimit.

Erdoganit dhe erdoganizmit ndoshta mund të mos i vijë kurrë rasti ta përdorë shkopin kundër Shqipërisë ashtu siç e përdori Musolini. Por ndoshta edhe mund t’i vijë. Ku i dihet? Numri i dashnorëve të Babës sa vjen e rritet. Deri para njëzet vjetëve vështirë se gjeje njeri që i qante syri për të. Të paktën askush nuk e shprehte dashurinë publikisht. Sot haxhiqamilët i gjen në të katër anët. Ku dihet ç’ndodh nesër?

_____________

*Meqë pakkush mbeti pa dhënë mendim për vizitën në Shqipëri të presidentit turk në 17 Janar thashë se s’do bëhej gjëma po ta jepja edhe unë dylekshin tim.

Saturday, December 18, 2021

Fjalë të urta hollandeze


 









Fjalë të urta hollandeze (Nederlandse Spreekwoorde) titullohet tabloja në vaj e piktorit Pieter Bruegel (Ati) në të cilën njerëzit dhe, deri në një farë mase kafshët dhe sendet shërbejnë për të ilustruar idioma gjuhësore dhe fjalë të urta hollandeze. Në pikturën e tij – një në vargun e disa serive me të njëjtën temë - Bruegel duket se ka dashur të përfshijë gjithë budallallëkun dhe mendjelehtësinë njerëzore. Djali i tij, Pieter Bruegel i Riu u specializua në riprodhimin e kopjeve të piktuarave të të atit, duke pikturuar të paktën 16 varjante të Fjalë të urta hollandeze. Të gjitha varjantet e pikturuara nga të dy Bruegelët, atë e bir, janë në një farë mase të ndryshme nga njëra-tjetra dhe ilustrojnë proverba dhe idioma të ndryshme gjuhësore.

Është interesante të vihet re se shumë nga fjalët e urta dhe shprehjet popullore hollandeze kanë të barazvlefshmet e tyre në shqip. Por edhe ato që nuk e kanë mund të kuptohen lehtë. Më poshtë janë dhënë disa nga detajet me fjalën e urtë ose idiomën gjuhësore të përkthyer fjalë për fjalë nga hollandishtja, si edhe me shpjegimin përkatës. Disa prej tyre që janë njëlloj si në shqip nuk janë shpjeguar. 



























Wednesday, September 1, 2021

Futboll me Panajot Panon


Vetëm çmenduria e komunizmit mund t’i jepte rastin një kërpaçi si puna ime të luante futboll me nje super yll si Panajot Pano. Por në atë sistem mbretëronte shtresimi i vlerave dhe unë tani kam fatin të ruaj një kujtim të bukur.

Them ‘kërpaçi si puna ime’ pasi nuk kam qënë shquar asnjëherë si futbollist. Domethënë nuk bëja pjesë as në ekipin e shkollës, as në të klasës dhe në lagje, kur ndaheshim në skuadra, mua më binte rradha nga të fundit të zgjidhesha, ose më saktë, të përfundoja në ndonjë anë.

Në verën e vitit 1981 bashkë me vëllanë e madh, një shokun e tij dhe një shokun tim kishim zënë një kabinë te Iliria në Durrës. Besoj se i mbani mend rreshtat e kabinave prej dërrase të Ilirisë. Ngjitur me ne ishin dy vëllezër binjakë nga Tirana, ndërsa përballë, pak djathtas, e kishte kabinën Ai vetë - Panajoti.

Kur e pamë për herë të parë atë mëngjes nuk po u besonim syve. Kishim dalë në atë palo verandë të kabinës për të pirë kafen e mëngjesit – ndoshta edhe për të ngrënë mëngjesin, ose thjesht për të shpëtuar pak nga era e djersës, gazrave, dhe duhanit kur përballë na çfaqjet pamja idilike e familjes së yllit të futbollit shqiptar. Natyrisht, vëmendjen na e tërhoqi fillimisht Rebeka, gruaja e bukur e Panajotit, që po kujdesej që dy fëmijët, djalë e vajzë, të hanin mëngjesin. Ndërkohë Panajoti hynte e dilte duke i shërbyer asaj kafenë. Zotni i vërtetë.

Ne duhet të ishim të fiksuar me sytë andej pa pikë takti, sepse Panajoti e vuri re dhe na përshëndeti. Kur mbaruan mëngjesin erdhi dhe na takoi. Ne i ofruam uzo.

Pse uzo? Sepse uzo kishim me bollëk. Shoku i vëllait tim, Pinia ishte ingjiner kimist dhe duhet të ishte shumë i aftë pasi bënte një uzo të mrekullueshme. Dhe me shumicë. Atë pesëmbëdhjetëditësh kemi bërë kurën e uzos. Jo vetëm kaq, por kishim edhe me çfarë e tërhiqnim Panajotin te kabina jonë. U bëmë miq. Ai nuk pinte shumë, por dukej që i pëlqente të rrinte ‘me çunat’.

Nuk kam qënë ndonjëherë tifoz i Partizanit. Kam patur fatin që fëmijërinë ta kaloj në një shtëpi ku kishim mure të përbashkët me familjen e Arben Çelës dhe s’kisha se si të mos rritesha me zemrën te Tirana. Pavarësisht tifozllëkut, në atë kohë besoj se të gjithë e pranonin si të vërtetë të padiskutueshme që Pano ishte numri një i futbollit shqiptar. Në përfytyrimin tim si fëmijë, Pano qëndronte në një rang me Pelen – Pano qe më i madhi i Shqipërisë, Pele ishte më i madhi i botës. Bëhej fjalë për të mëdhenjtë fare. Tifozllëku nuk hynte në punë.

Kur e njoha unë Panoja duhet të kishte nja pesë-gjashtë vjet që kishte lënë futbollin, ishte në burrë i qeshur, shumë i butë dhe komunikues. Pasditeve dhe darkave rrinte me ne deri vonë. Nuk mbaj mend per çfarë flisnim dhe, aq më pak mbaj mend të kemi folur për futbollin. Turbullt më kujtohet se ata dy binjakët ngjitur tregonin shumë anekdota ‘me spec’ dhe kishin një humor politik që kalonte në kufijtë e të rrezikshmes, aq më tepër po të kihet parasysh se flitet për periudhën më të errët të diktaturës. Panoja qeshte me të madhe.

Futboll luanim në rërë. Mund të kemi luajtur dy ose tre herë me të. Rrinte në mbrojtje, ndoshta në portë dhe dilte rrallë në sulm, ngaqë nuk donte të shiste mend. Por nuk mund të le pa përmendur që në atë fushë ishte një tjetër xhevair – Ledio, djali i Panajotit, që në atë kohë duhet të ishte nja 12 vjeç dhe shumë shpejt do të bëhej edhe ai një yll më vete. Nuk ishte Panajoti, ishte Ledio që kur luanim futboll na vërtiste të gjithë dhe s’e kapnim dot. Panoja qeshte i kënaqur dhe dukshëm krenar.

Shkurt, unë kam luajtur futboll me Panajot Panon. Edhe me Ledio Panon. Diçka për t’u mburrur, apo jo?! 

Monday, August 9, 2021

Popujt bëjnë paqe

Popujt luftojnë. Pastaj bëjnë paqe. Paqja është mjeti më i mirë për të kundërshtuar luftën. Për të bërë paqen popujt harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, ose mundohen ta shtyjnë luftën sa më thellë në kujtesë. Dhe falin. Mbi të gjitha, falin. Edhe nëse nuk harrojnë, popujt falin.

Lufta është çfaqja më e ndyrë, më e egër, më e shëmtuar e natyrës njerëzore. Vrasjet, përdhunimet, varret massive, torturat, uria, shkatërrimi pa fund janë shprehje e instikteve të pakontrolluara të trashëguara nga hallka të hershme më të pazhvilluara në zinxhirin e evolucionit të species.

Popujt luftojnë, por nuk janë popujt që i hapin luftrat. Përkundrazi, janë elementët më të egër, më të papërgjegjshëm, më të pangopur të popujve ata që i çojnë njerëzit në luftë. Popujt gënjehen, mashtrohen, ose detyrohen të luftojnë.

Paqja është shprehja më e bukur dhe më fisnike e fytyrës njerëzore. Kufijtë e hapur, komunikimi i lirshëm, shkëmbimet ekonomike dhe kulturore, plazhet e mbushura, turizmi i ndërsjelltë, njerëz që pijnë birrë së bashku, konkurrenca e bukur sportive, qetësia dhe siguria që po i rrit fëmijtë në një mjedis të sigurt. Paqja zgjat më shumë se lufta. Gjithmonë ka zgjatur më shumë se lufta, pavarësisht se historia shkruan vetëm për luftrat.

Popujt duan paqen, prandaj edhe vendoset paqja. Njerëzit duan të jenë të qetë, të shkëmbejnë mallra me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë muzikë dhe sporte, të lëvizin lirisht, të bashkëpunojnë, të dashurohen.

Natyrisht, në materien përbërëse të popujve ka edhe elementë që nuk përshtaten me paqen, që duan të ruajnë të ndezur thëngjijtë e agresivitetit. Ka edhe politikanë që duan të mbajnë të ndezur flakët e urrejtjes. Ka edhe nacionalistë, shovinistë, arrivistë, provokatorë. Ka edhe facebookistë që gjejnë sport me se të merren.

Tetëdhjetë vjet më parë populli polak u masakrua nga gjermanët dhe nga rusët. Sot polakët livizin lirisht në Gjermani dhe në Rusi. Francezët u pushtuan nga gjermanët. Tani janë gati një shtet. Vietnamezët u dogjën  me napalm amerikan. Tani amerikanët shkojnë lirisht si turistë në vendin që i mundi në luftë dhe vietnamezët emigrojnë në Amerikë për një jetë më të mirë. Këta popuj kanë zgjedhur rrugën e paqes.

Plagët e luftrave mund të shërohen dhe duhet të shërohen. Eshtë më e vështirë t’i mjekosh dhe t’i shërosh se sa t’i acarosh. Për të acaruar një plagë nuk kërkohet shumë mend – mjafton ta kruash, ta gërvishtësh. Për ta shëruar duhet mençuri, durim, zemërgjerësi. A e kemi?!