Wednesday, January 29, 2014



Të vështrosh nga lartësitë e Kometës
Arben Kallamata
(Këto shënime janë botuar si parathënie për "Viti i Mbrapshtë" në vellimin e 12 te Veprës se Kadaresë)


Hapni Google Earth dhe, në anën e majtë të ekranit, ku lexon “Fluturo në…” shtoni “Selishtë, Albania”.  Pastaj shtypni butonin “Fillo kërkimin”. Procesi i kërkimit është i mahnitshëm. Në qendër të ekranit çfaqet Toka që rrotullohet, afrohet, zmadhohet me shpejtësi në rritje, derisa, brenda sekondave, e gjeni veten të zhvendosur nga lartësitë e satelitit në një pamjeje thuajse të prekshme e të përqëndruar të një fshati të Dibrës.
Google Earth është krijuar nga kompania amerikane Keyhole, Inc. në vitin 2004. Afro njëzet vjet përpara saj, megjithëse në një medium krejt tjetër, Kadare përdorte të njëjtin efekt për ta futur lexuesin në brendësi të një prej kryeveprave të tij, “Viti i mbrapshtë“. Në hapje të novelës e gjen veten në lartësitë kozmike, diku pranë një komete të akullt që pezullon mbi tokë njëlloj si satelitët e sotëm. Prej aty, Kadare të mbërthen fort dhe të tërheq me vrull drejt fshatit Selishtë. Ky është vetëm fillimi, vetëm goditja e parë. Pasi të jep pak çaste të marrësh frymë, “Viti i Mbrapshtë“ të zhyt në një vorbull marramendëse, në brendësi të një gjendjeje sa fantastike e absurde, aq edhe të vërtetë e të mundshme. Ndërkohë, ti s’ke fare kohë të mendosh se Selishtën, pikënisjen e ngjarjeve, Kadare e ka zhvendosur nga Dibra në Mokërr, emri të cilës s’bën gjë tjetër veçse të përforcon në mënyrë të nënvetëdijshme përshtypjen e një rrotullimi të pafund, të një bluarje të pamëshirshme, të një vorbulle të pandalshme. Si lexues ndjehesh krejtësisht i përpirë nga lëvizja e çrregullt që është realiteti i Shqipërisë në vitin e turbullt pas lindjes së saj si shtet, ose që fare mirë mund të merret si realiteti i Shqipërisë në të gjithë vitet e saj të mbrapshtë, qofshin 1913, 1939, 1944, 1967, 1985, 1991, apo 1997.
“Viti i mbrapshtë“ u botua fillimisht në 1986 si pjesë e vëllimit me tregime e novela “Koha e Shkrimeve”. Në fund të novelës është shënuar data Nëntor 1985. Pavarësisht faktit të padiskutueshëm që “Viti i Mbrapshtë“ është nga ato vepra universale përcaktimi i kohës së krijimit të së cilës as ia ul dhe as ia ngre vlerat, rrethanat në të cilat është shkruar kanë rëndësi për të kuptuar një anë të debatuar të Kadaresë.
Në vitin 1985 Shqipëria nuk ishte shumë larg botës orwelliane të vitit “1984”. Diktatori ishte varrosur në Prill, ndërsa pasardhësit e tij çirreshin e përbetoheshin për “vazhdimësinë“. Ramiz Alia nuk i kishte nisur ende lojrat mashtruese të lëshim-shtrëngimit dhe ping-pongun politik me damën e zezë. Kokat e njerëzve mbaheshin si kurrë ndonjëherë nën goditjen ritmike të propagandës së ditëve të Enverit, javëve të Enverit, muajve të Enverit. Nuk dukej asnjë shenjë se e ardhmja deri në përjetësi s’do t’i takonte Enverit dhe kreu eunuk i vendit, që nuk mori dot guximin qoftë edhe të anashkalonte trashëgiminë kriminale të udhëheqësit të tij shpirtëror, betohej për qiell e për dhe se Enver Hoxha kishte vetëm ditëlindje dhe  nuk do të vdiste kurrë. Me synime krejtësisht të mbrapshta të një strategjie oruelliane, ai përpiqej të mbante lart në jetë të jetëve portretin e Vëllait të Madh dhe të bindte shqiptarët se ai nuk kishte vdekur, nuk mund të vdiste dhe nuk do të vdiste – pra asgjë nuk kishte ndryshuar dhe nuk do të ndryshonte. Ideatorët dhe zbatuesit e këtij plani makabër, Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe gjithë aparati i tyre kriminal bënin sytë katër për të shuar që në krijim çdo shenjë se gjërat mund të ndryshonin, çdo ide që mund të lejonte iluzione në mendjet e njerëzve. Në 1985 diktatura komuniste shqiptare ruante ende të pandryshuar vrullin e egërsisë së pashembullt të krijuesit të saj, Enver Hoxhës.   
Në këtë situatë të molepsur njerëzit ende përgjonin dhe i ruheshin përgjimit të njeri-tjetrit. Ende nuk ankoheshe dot se shitoret ishin zbrazur, apo se supa e mencës së ndërmarrjes nuk kishte shije. Ende nuk e ktheje dot radion apo televizionin në një stacion të huaj pa pasur frikë se do të të spiunonte fqinji, ndërsa rradhat për vezë, qumësht e djathë vinin e zgjateshin dita ditës. Letërsia bashkëkohore botërore në Bibliotekën Kombëtare ruhej me çelës në fondin rezervat, kurse ata pak libra që përktheheshin duhet të ishin shkruar përpara fillimit të shekullit të njëzetë. Fjala e shkruar dhe e botuar kontrollohej nga një mekanizëm i tërë partiak, shtetëror e vullnetar, ndërsa dënimet me burgime të rënda për agjitacion e propagandë vazhdonin të praktikoheshin si gjithmonë. Në letërsi dhe arte nuk kishte ndryshuar asgjë. Realizmi Socialist ishte e vetmja rrugë e mundshme dhe e detyrueshme nëqoftëse doje të shkruaje. Kërkesat dhe kriteret e tij përpunoheshin dhe shtrëngoheshin në mënyrë “krijuese” nga një aparat i tërë kritikësh, teoricienësh dhe sahanlëporisish letrarë. Populli ushqehej me parrulla dhe fraza të gatshme, dhe shprehja “liri e fjalës” as që ekzistonte në fjalor.
E bëra gjithë këtë përvijim për të theksuar se sa e rrezikshme, e guximshme dhe delikate ishte në 1985 të shkruaje e botoje diçka që nuk i përshtatej kallëpeve të kohës. Nuk është fjala thjesht për elementë të prekshëm – ta zëmë, paraqitjen me vërtetësi të një personazhi të turpshëm historik si Haxhi Qamili, i cili për shkaqe të çuditshme dhe krejtësisht kundër logjikës së interesave kombëtare shqiptare kishte gëzuar përkrahjen e hapur të Enver Hoxhës, pra ishte zyrtarisht i paprekshëm. Pra nuk është fjala thjesht për guximin e Kadaresë për ta flakur si mbeturinë të panevojshme këtë njollë të historisë së Shqipërisë që paraqitej si e hero popullor nga propaganda zyrtare. Fjala është për atë guximin tjetër, më të madh, për guximin artistik dhe krijues për të shkruar diçka që s’përputhej në asnjë gërmë me normat e realizmit socialist shqiptar dhe për t’i dhënë lexuesit diçka të bukur.
Sipas shabllonit të përcaktuar nga Gorki, vepra e realizmit socialist duhet të jetë art proletar i lidhur me klasën punëtore dhe që kuptohet prej saj; të përmbajë skena tipike nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë; të jetë realiste nga paraqitja dhe të mbështesë parimet e shtetit. Teoricienët ideologjikë të letërsisë dhe artit komunist shqiptar, duke i mpleksur këto përkufizime me ide edhe më të skajshme huazuar nga revolucioni kulturor kinez, krijuan një mishmash kriteresh shtrënguese, si vënia në qendër e heroit pozitiv, i cili duhet të përçonte vijën e partisë; përshkrimi i çdo faqeje, paragrafi, fjalie apo fjale nga filli i kuq i ideologjisë komuniste, mohimi i artit dekadent borgjezo-revizionist, e të tjera si këto. Mund ta lexosh “Viti i Mbrapshtë“ njëqind herë dhe të mos arrish të dallosh aty asnjë nga këto kërkesa. Kjo, sepse Kadare, në mënyrë të çuditshme, moskokëcarëse, kryeneçe ose, quajeni si të doni, tregon një mospërfillje të plotë, një mohim të hapur të parimeve shtrënguese të realizmit socialist.
“Viti i Mbrapshtë“ nuk ka në qendër asnjë proletar, asnjë përçues të vijës së Partisë. Në të nuk gjen skena tipike nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë. Nuk ka asnjë pjesë ku të mendohet se Kadare është ndalur, ka analizuar apo ka vrarë mendjen t’ia përshtasë krijimin e tij nomeve të realizmit socialist. Nuk ka asnjë rresht për të cilin mund të gjykosh – ky këtu është vënë për shkak të censurës, ose autocensurës.
Në vend të artit proletar të lidhur me klasën punëtore, “Viti i Mbrapshtë“ ka në qendër një stuhi të pandalshme ngjarjesh, një mori njerëzish, ushtrish e formacionesh ushtarake, bandash e çetash pa formë, që në të shumtën e rasteve shtyhen nga motive të turbullta, të errëta, ogurzeza, ose të pashpjegueshme. Paralel me “zogorinë e qenve që vraponin me ulërimë nëpër kufirin shqiptaro-malazes, dilnin nga pjesa e tij lindore, për t’u sulur turravrap drejt kufirit greko-maqedonas…”, pa asnjë kuptim dhe logjikë vërtiten ushtritë franceze, greke, italiane, serbe, deri te njerëzit e Uk Bajraktarit, të cilët ndjekin një hartë austriake të gjetur rastësisht në rrugë, shenjat e të cilës as që arrinin t’i kuptonin. Kjo mund të jetë gjithçka, por kurrsesi mënyra se si e paraqet shkrimtari i realizmit socialist gjendjen e vendit një vit pas krijimit të shtetit shqiptar.
Normalisht, ngjeshja e një morie ngjarjesh e rrethanash brenda fushës pamore të një novele do t’i kishte kërkuar shkrimtarit të sakrifikonte në drejtim të personazheve. Por me mjeshtërinë e tij Kadare krijon jo një por disa personazhe që të mbeten në kujtesë, dhe këtë e realizon pikërisht ngaqë është i shkëputur nga skema. Shestan Verdha, i vetmi që mund të trajtohet si “hero”, nuk ka asgjë të përbashkët me heroin pozitiv të realizmit socialist. Përveç dashurisë për vendin e tyre dhe një drejtpeshimi moral, Shestan Verdha dhe luftëtarët e çetës së tij janë përgjithësisht po aq të paqartë për atë që bëjnë sa edhe gjithë personazhet e tjerë që bluhen nga mokra e luftës ballkanike. Novelën e popullojnë një mori portretesh të tjerë, që nga Sara Stringa e deri te Kus Babai, që nga Sofi Shënburg e deri te konsulli Italian, që nga pishtarmbajtësi i Haxhi Qamilit e deri te vjehrra e Alush Tabutgjatit, karaktere të gjallë, të vërtetë, të prekshëm e, njëkohësisht fantastikë, jashtë kornizave.
Kjo është mënyra se si shkruante Kadare në kontekstin e Shqipërisë së vitit 1985. Ana tjetër, po aq e rëndësishme, ishte se si lexohej Kadare në atë kohë ose, më saktë, çdo të thoshte për lexuesin shqiptar të kishte në dorë një libër si “Viti i Mbrapshtë“.
Më kujtohet që vëllimin “Koha e Shkrimeve” e kam blerë thuajse nën dorë, nga disa pak kopje që shpërndaheshin “me mik” në Lidhjen e Shkrimtarëve. Si zakonisht, dhjetëmijë copë të tirazhit nuk arrinin as të vendoseshin në raftet e librarive. Kjo ndodhte gjithmonë me Kadarenë dhe nuk ndodhte me asnjë shkrimtar tjetër.
Në këndvështrimin e lexuesit shqiptar të kohës vepra e Kadaresë paraqet një shkëputje fatlume nga njëtrajtshmëria e letërsisë që prodhohej në vend dhe asaj që përkthehej. E para mbytej që në krijim nga autocensura dhe përpjekjet e dhunshme për t’iu nënshtruar kërkesave të realizmit socialist, ndërsa tjetra, gjithçka e përkthyer nga letërsia botërore përzgjidhej me shumë kujdes, kalonte përmes një procesi të imët kontrolli e miratimi, pastaj redaktohej, sakatohej dhe përdhosej pa pikë mëshire, derisa t’i përshtatej kallëpeve zyrtarë. Lexuesit shqiptar i mungonte plotësisht lidhja me letërsinë e vërtetë bashkokohore dhe ndoshta e vetmja pikë që e realizonte këtë lidhje ishte Ismail Kadare.
Jo rastësisht në vitet 1970-1980të Kadarenë  e akuzonin se i shkruante veprat “për të huajt” me synimin që t’i botoheshin jashtë vendit, duke shpërfillur lexuesin shqiptar. E thënë në një vend të mbyllur e të izoluar, me një atmosferë mbytëse dhe armiqësore për çdo arritje të qytetërimit perëndimor, në kushtet e një diktature kafshërore, akuza ishte tepër e rrezikshme. Ajo përmbante në vetvete nënkuptimin se Kadare i drejtohej lexuesit të korruptuar borgjez. Për çudi, kjo akuzë vazhdon të përsëritet në mënyrë të pakuptimtë edhe sot e kësaj dite. Harrohet se të shkruaje për shqiptarët” në vitin 1985 do të thoshte t’i përshtateshe kallëpeve të realizmit socialist.  
E vërteta është se Kadare shkruante për një lexues universal, shumë mirë të edukuar, të aftë për të vlerësuar dhe shijuar si duhet letërsinë e vërtetë. Këtë lexues ai e gjente në Perëndim, me librat që i botoheshin fillimisht në Francë e, që atje, në Europë dhe gjithë botën, por e gjente edhe në Shqipëri. E gjente në atë pjesë të lexuesit shqiptar që dinte ta lexonte si duhet letërsinë dhe që ishte aq mendjehapur sa ta pranonte vlerën e penës së Kadarese dhe, veçanërisht, të pranonte të edukohej prej tij.
Duke shkruar për këtë lloj lexuesi, Kadare ka luajtur një rol ndoshta të pakrahasueshëm si edukues i disa brezave lexuesish shqiptarë. Nuk besoj që ai ta ketë bërë me qëllim këtë, ose të ketë vrarë mendjen se si do t’i edukojë ato që shkruan. Megjithatë, arti i tij i madh dhe universal ishte aq i ndryshëm nga gjithçka tjetër përreth, saqë është e pamundur të nënvleftësosh rolin edukues dhe emancipues të tij. Duke lexuar Kadarenë njerëzit mësonin se si të vlerësonin të bukurën dhe intelektualen, mësonin se arti i vërtetë shkruhej përtej skemave dhe shablloneve, mësonin se ekzistonte një botë dhe, veçanërisht një botëkuptim, një mënyrë të vështruari e saj që ndryshonte nga grija mbytëse e peizazhit të jetës së përditshme të shqiptarëve.
I detyruar ndoshta nga rrethanat të shkruante midis rreshtave, Kadare i mësoi shqiptarët se si lexohej midis rreshtave dhe se si të kapnin kuptime të padukshme. Ai iu solli atyre parimin e ajsbergut – vetëm një e shtata qëndron mbi sipërfaqe, pjesën tjetër kërkojeni vetë. Edhe kur nuk arrinin ta kuptonin, lexuesit shqiptarë u mësuan të gërrmonin për të gjetur mendimin e fshehtë. Kadare iu jepte dhuratën e imagjinatës. Në një shoqëri ku të vije pikëpyetje ishte një akt i dënueshëm, Kadare i mësonte lexuesit e tij se si të pyesnin dhe të kërkonin përgjigje.
Në një farë mënyre librat e Kadaresë ishin si ajo bakllavaja e mbuluar me cohë jeshile që mbante në kokë portjeri i konsullatës turke në Durrës duke u kthyer nga furra e Stasit, “i ndjekur pas nga dy nëpunës të konsullatës, të dy me fytyra tejet serioze.” Në një ndër skenat e mrekullueshme të “Viti i Mbrapshtë“, bakllavaja, që i dërgohet Konsullit anglez kthehet në objekt hamendësimesh – sa është diametri, dhe ç’kuptim ka? Me sa petë është bërë? Ku qëndron mesazhi i fshehtë i saj? Çdo të ndodhë më tutje? Interpretimet janë nga më të çuditshmet dhe më kundërthënëse. Në mënyrë krejt të ngjashme, stili shumëkuptimshëm i Kadaresë hapte shtigje të pafund për pyetje dhe interpretime – përse është thënë kjo frazë, dhe përse është shprehur kështu? Kujt kërkon t’i bjerë me këtë? Po këtu, ku e ka fjalën? Të rrallë janë ata shkrimtarë që e shkaktojnë këtë efekt. Kadareja i shtynte njerëzit t’i lëshonin frè mendimit, në një kohë kur mendimi i lirë nuk ishte aspak i mirëpritur. Ai i bënte njerëzit të dyshonin, në një kohë kur kërkohej bindja dhe nënshtrimi. 
Edhe sot, dhjetëvjeçarë të gjatë më pas, në rrethana krejtësisht të papërfytyrueshme për atë kohë, “Viti i mbrapshtë“, si shumë libra të tjerë të Kadaresë, të bën të mendohesh, të përfytyrosh, të ëndërrosh dhe, mbi të gjitha, të bën të ndihesh mirë intelektualisht. Ai është prodhim i një pene që shkruante përtej kufizimeve idiote të kohës dhe që dilte dukshëm mbi çdo meskinitet të rrethanave në të cilat ka qënë e detyruar të shkruajë. Është art i vërtetë, i gjithëkohshëm, që i shkruar në kushtet e shtypjes më të madhe të mundshme, përbën revoltë dhe kundërshtim, jo të ndrydhur, por të shprehur haptaz, publikisht. Kadare nuk ka shkruar duke e parë botën nga frëngjia e bunkerit shqiptar. Ai vështronte nga lartësitë e kometës dhe që atje na dërgonte nënqeshjen e tij me shumë kuptime.  

Wednesday, December 18, 2013

A Jemi Racistë ne Shqiptarët?



Arben Kallamata
A janë racistë shqiptarët? Këtë pyetje ma ka bërë për herë të parë një amerikan në 1992. Pa u menduar iu përgjigja “Jo!” Një ‘jo’ e sigurt, pa pikë hezitimi. Dy minuta më vonë e kuptova se i vetmi argument ku e mbështesja përgjigjen ishte emocional – ideja e përgjithshme se fjala “racist” ka ngarkesë negative, gjë që binte ndesh me idenë time për kombin tim.
Më se një dhjetëvjeçar më pas kam pasur rast ta rishikoj, ta rivlerësoj, dhe ta përqas me sa mundem atë përgjigje me faktet dhe të vërtetën. Përfundimi, duhet ta pranoj, me del kam qënë krejtësisht gabim. Sot të njëjtës pyetje do t’i jepja një PO të madhe, të sikletshme.
Megjithëse Po-ja nuk mund të përfshijë të gjithë shqiptarët, kam frikë se do të kapte pjesën më të madhe. Njoh shumë njerëz që nuk i përqasen fare përkufizimit të racistit, siç edhe mund të them se shkalla e racizmit, ose e keqdashjes raciste varjon nga një njeri te tjetri. Iu vura këtij shkrimi jo për të denigruar apo ulur njeri, por për të hapur një diskutim në njohje dhe përmirësim të vetes.
Në vija të përgjithshme racizmi nënkupton veprime, praktika, dhe besime që i shohin qeniet njerëzore të ndara sipas disa tipareve, aftësive ose cilësive të caktuara - personaliteti, zgjuarsia, vlerat morale, apo karakteristika të tjera të sjelljes kulturore. Në bazë të tij qëndron bindja se racat mund të renditen sipas një shkallëzimi ku disa qëndrojnë më lart dhe disa më poshtë, dhe se njerëz e racave të ndryshme duhen trajtuar ndryshe.
Racizmi dhe dallimi (diskriminimi) janë terma që përdoren shpesh për të përshkruar ndarjen në bazë etnie ose kulture, pavarësisht nëse ndryshimet përshkruhen apo jo si racore. Sipas Konventës Ndërkombëtare së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dallimit Racor (Nju Jork, 4 Janar 1969), nuk ka asnjë ndryshim midis dallimit racor dhe dallimit etnik. Superioriteti i bazuar në dallimet racore është shkencërisht i pabazuar, moralisht i ndëshkueshëm, shoqërisht i padrejtë dhe i rrezikshëm. Dallimi racor nuk ka asnjë justifikim, asnjëherë, as si teori, as si praktikë.
Le të përpiqemi ta përqasim këtë përkufizim me qëndrimin që kemi mbajtur historikisht ne shqiptarët ndaj dy popullsive që i kemi pasur mes vetes prej shekujsh – vllehëve dhe egjiptianëve. Origjina e vllehëve të Ballkanit nuk është përcaktuar ndonjëherë skatësisht, por sipas një teorie mbizotëruese, ata mendohen të jenë popullsi me prejardhje ilire të cilat flasin një gjuhë latine. Ka edhe teori të tjera, por që të gjitha pajtohen në një pikë - vllehët kanë jetuar në këto troje ndoshta që prej dymijë vjetësh. Vllehët mund të gjenden praktikisht në të gjithë shtetet e Ballkanit dhe fatkeqsisht, nga të gjitha popullsitë e gadishullit janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, ose mënjanuar si “të huaj” – vetë fjala “vlleh” vjen nga gjermanishtja e vjetër – walha – i huaj. Në trojet tona, i vetmi ndryshim i kësaj popullsie nga të tjerët është që ata flasin edhe një gjuhë tjetër veç shqipes, një gjuhë latine. Janë po aq të vjetër, po aq autoktonë sa ç’pretendojnë të jenë një pjesë e popullsisë rreth tyre, madje shumë më të vjetër, shumë më autoktonë se shumë të tjerë. E, megjithatë, ende sot segmente të të ashtuquajturve “shqiptarë të kulluar” nuk i pranojnë vllehët si pjesë të kombit të vet, përdorin ndaj tyre terma përbuzës (çobanë, llaci-faci, çopen, etj.) dhe ngrysin vetullat kur flitet për ta.
Diskriminimi që vihet re ndaj vllehëve çohet në ekstrem në qëndrimin ndaj egjiptianëve të Shqipërisë (Ashkalijtë në Kosovë, magjypt në veri, ose jevgjit në pjesën më të madhe të territorit të RS), të cilët jo vetëm që nuk janë integruar, por edhe përbuzen dhe keqtrajtohen si “racë më e ulët”. Po shkruaj termin “egjiptianë” pasi fjalët jevg dhe magjyp kanë marrë në gjuhën shqipe një nënkuptim aq të poshtër, aq të neveritshëm, aq racist, sa të vjen turp t’i përdorësh. Vetë ngarkesa nënkuptimore e këtyre fjalëve flet qartë për shkallën e racizmit.
Gjurmët e hershme të egjiptianëve në gadishullin e Ballkanit mund të gjinden që në shkrimet e grekëve të lashtë. Ndoshta prejardhja e atyre që jetojnë mes nesh mund të mos jetë edhe aq e lashtë, por kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe dyqind apo njëqind vjet të kenë kaluar që nga ardhja e tyre, trajtimi që iu është bërë është i padurueshëm.
Këta njerëz, që janë krejtësisht shqiptarë - jetojnë në Shqipëri, kanë pasaporta shqiptare, kryejnë shërbimin ushtarak, flasin shqip, e duan vendin e tyre– nuk kanë pasur asnjëherë të drejtat që kanë pasur të tjerët përreth. Dhe kjo ndoshta vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës. Egjiptianët e Shqipërisë janë përgjithësisht popullsi qytetëse, të cilët kanë qënë të detyruar të jetojnë në getot e tyre, në lagje të veçanta dhe të kryejnë punë të dorës së dytë - shërbyes në familjet e “bardha”, teneqepunues, tregëtarë të vegjël, pastrues (rrugësh, institucionesh, banjash publike), ahengxhinj, instrumentistë, etj. Edhe kur për arsye zhvillimi urban i kanë lëvizur nga getot, atyre iu jepeshin katet përdhese të ndërtesave, ndërkohë që “shtresa e lartë“, “popullsia e zgjedhur”, “superiorët e bardhë” kapnin katet e sipërme.
Me qindra vjet jetesë mes nesh për ta s’kanë qënë kurrë bashkëjetesë. Martesat e racës “superiore” shqiptare me shqiptaro-egjiptianët inferiorë janë parë gjithmonë si skandale  të padëgjuara, ndërkohë që “të bardhët e pasur” nuk kanë munguar të flirtojnë me gratë apo burrat zeshkanë. Dyert e shkollave shqiptare kanë qënë kryesisht të ngushta për të pranuar njerëzit me ngjyrë, ndërkohë që edhe në shumë zanate ata nuk arrinin të qaseshin. Ky lloj qëndrimi ndaj pjesës me ngjyrë errët të popullsisë shqiptare ka qënë mbështetur heshturazi ose haptazi nga të gjitha qeveritë shqiptare, që prej krijimit të shtetit e deri më sot.
Unë nuk e di saktësisht se ç’përqindje të popullit shqiptar përbëjnë egjiptianët sot, por di të them se prej tyre nuk kemi pasur ende anëtarë parlamenti, anëtarë qeverie, kryetarë bashkie, njerëz të zgjedhur apo të caktuar në poste të rëndësishëm. Ndaj tyre ka pasur vetëm nënvlerësim dhe përbuzje. Ndoshta është koha që qeveria shqiptare, Kryeministri, Presidenti, Parlamenti, t’iu kërkojë publikisht falje në emër të pjesës tjetër të popullit, këtyre njerëzve, këtyre nënave, etërëve, fëmijëve, vajzave e djemve që jetojnë midis nesh dhe që trajtohen në mënyrën më të papranueshme për çdo normë të moralit njerëzor. Jo vetëm kaq, por shteti shqiptar do të bënte mirë të organizonte programe  të veçantë për shkollimin e tyre, për t’iu dhënë mundësi të fitojnë kohën e humbur.
Pa arritur të korrigjojmë sjelljen tonë ndaj atyre që jemi mësuar nga ca standarte të pakuptimtë shoqërorë t’i shohim si inferiorë, ne nuk kemi përse të presim dhe të kërkojmë të na trajtojnë të tjerët si të barabartë. Shumë shqiptarë e kanë ndjerë drejtpërdrejt në lëkurë dhe janë indinjuar nga racizmi i një pjese të popullsisë greke, italiane, apo europiano-perëndimore ndaj tyre, veçanërisht në vitet 1990të. Shumë nga ne jemi hedhur përpjetë dhe kemi protestuar. Ironikisht, jo rrallëherë dëgjon shprehje të tilla si: “Na kanë trajtuar si jevgjit!” – a thua se trajtimi që iu bëjmë ne egjiptianëve është më i justifikuar se sa trajtimi që na bëjnë italianët apo grekët ne.
Ne jemi popull racist jo sepse jemi popull i keq, por sepse në këtë drejtim kemi trashëguar një kulturë të keqe. Kultura jonë kombëtare kundrejt racizmit ka qënë historikisht dhe mbetet edhe sot e kësaj dite e pamoralshme, e gabuar. Paragjykimet tona racore, dallimet që mundohemi të bëjmë ndaj njerëzve që janë të ndryshëm nga ne janë të të papranueshme. Këto paragjykime dhe dallime na janë ngulitur në kokë nga familja, nga shoqëria, nga media, nga çdo qelizë e jetës, prandaj është e vështirë t’i shkulim. Kërkohet një përpjekje e gjerë, në shkallë kombëtare, për t’i hequr qafe ato. Kërkohet një program i tërë, shtetëror dhe i shoqërisë qytetare, për t’u çliruar nga mendësi të tilla mesjetare. Por asgjë nuk mund të realizohet pa kryer hapin e parë - pa e analizuar, identifikuar, dhe pranuar problemin. Dhe problemi është se ne jemi racistë. Kjo është diçka e keqe, jashtëzakonisht e keqe për të cilën duhet të na vijë turp.

Monday, October 14, 2013

Porositë e Katovicës



Zbardhet letra që Sekretari i Parë i KQ të Bashkimit Sovietik, Mikail Gorbaçov  i ka drejtuar Sekretarit të Parë të KQ të PPSH-së Ramiz Alia.*

Shtator 1989


I dashur tavarish Ramiz,
Po ju dërgoj këtë letër dhe materialin përcjellës, megjithëse Partia Komuniste e Bashkimit Sovietik dhe Partia e Punës së Shqipërisë nuk kanë marrëdhënie. Kjo nuk na pengon ne, komunistët rusë, që të ruajmë respekt, nderim dhe dashuri të veçantë për komunistët shqiptarë dhe të shqetësohemi seriozisht për fatin e tyre. Në fakt, e ardhmja e komunistëve shqiptarë është preokupimi kryesor për ne në këto ditë kur komunizmit në përgjithësi duket se po i vjen fundi dhe kur unë, personalisht, po ndikoj më tepër se kushdo për shpejtimin e këtij fundi.
Megjithëse ju nuk pranoni të vini në mbledhjet tona (pavarësisht nga lutjet e vazhdueshme), ne e ndjejmë për detyrë t’iu njoftojmë, pasi e kemi të qartë që ju jeni fanar ndriçues i komunizmit staliniano-enverist në Europë dhe në Botë, ideale për të cilat, siç dihet, unë s’kam pikë konsiderate.
Prandaj, më lejoni t’iu informoj për marrëveshjen e Katovicës, Poloni, ku ne, udhëheqësit e vendeve komuniste diskutuam në fshehtësinë më të madhe dhe vendosëm për të ardhmen e secilit vend.
Kuptohet, qëllimi i këtij plani është që të lemë në pushtet komunistët. Për këtë, vendosëm pranimin e sistemit shumëpartiak në të gjithë vendet ish-komuniste, me kusht që ne t’i organizojme vetë partitë e ndryshme duke vënë njerëz të caktuar në krye të tyre. Këta njerëz s’ka nevojë të jemi ne. S’ka nevojë të jenë as fëmijët apo farefisi yne. Po cilët do të jenë ata? Këtë do ta shpjegojmë më poshtë.
Duhet sqaruar që në fillim se ne bëmë disa përjashtime nga përpjekjet tona. Për shembull, menduam ta të mos e çajmë fare kokën për Gjermaninë Lindore, pasi nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë për komunistët gjermanë dhe s’kemi përse i ndihmojmë ata të rrijnë në pushtet. Megjithëse gjermanolindorët kanë qënë shumë afër Moskës, ne duam më shumë komunistët shqiptarë dhe element të caktuar në Partinë tuaj. Po kështu, nuk kemi ndonjë dashuri të veçantë as për komunistët polakë, çekosllovakë, dhe hungarezë. Vullnetarisht kemi hequr dorë edhe nga ndihma për komunistët e vendeve Balltike, pavarësisht se këto vende janë ende pjesë e BS dhe shumë anëtarë partie atje janë rusë etnikë. Të gjithë  këta do t’i lëmë në dorë të borgjezisë europiane, SHBA-ve dhe imperializmit në përgjithësi. Ndërsa komunistët Jugosllavë i kemi bezdi, prandaj kemi vendosur t’i vemë në sherr me njëri-tjetrin, që të vriten e të sakatohen, dhe që pastaj nga Jugosllavia të dalin gjashtë-shtatë shtete me të cilat nuk kemi vendosur ende çdo të bëhet.  Sa për Rumaninë, vendosëm të dënojmë me vdekje Çausheskun dhe të shoqen, dhe të ndihmojmë komunistët Romunë që nuk janë në pushtet tani.

Të gjitha këto masa i morëm megjithëse shkojnë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat gjeopolitike të Rusisë dhe Bashkimit Sovietik. Por për ne, hë për hë, kanë më shumë rëndësi disa komunistë ose elementë të caktuar me prirje të veçanta, të cilët kemi vendosur t’i bëjmë trashëgimtarë të pushteteve në Rusi, Ukrainë, Bullgari, Rumani, Moldova, Azerbajxhan, Armeni, Turkmenistan, Kazakistan dhe, veçanërisht, në Shqipëri. Ekspozenë e mëposhtme po e përqëndroj te Shqipëria, pasi kjo lidhet drejtpërdrejt me ju. Dua t’iu siguroj se mbledhja e fshehtë e Katovicës, nga gjashtë ditë punimesh, katër ia kushtoi Shqipërisë dhe atyre shqiptarëve që do të trashëgojnë pushtetin aty.
Ja çfarë vendosëm:
Shokët shqiptarë, për të ruajtur pushtetin duhet të pranojnë respektimin e të drejtave të njeriut dhe pluralizmin politik. Ne e dimë se sa e vështirë është të pranoni respektimin e të drejtave të njeriut, pasi kjo bije kryekëput në kundërshtim me idetë bazë të marksizëm-leninizmit dhe me të gjithë instiktet tuaja, por jemi të bindur që ju do të gjeni forca ta pranoni këtë formalisht, ndërkohë që realisht do të vazhdoni të mos i respektoni ato.
Pika më e nxehtë është pluralizmi politik. Ne ju udhëzojmë që të jeni të fundit në Europë që ta pranoni pluralizmin politik. Kjo do t’iu japë përparësi të mëdha. Gjithashtu, ju udhëzojmë t’i organizoni vetë partitë politike, të ndara në dy kampe të mëdha – të majtë dhe të djathtë. Këtu duhet të luani me kujdes. Në partitë e majta duhet të fusni elementë anti-komunistë (për shembull, ish-ministra të brendshëm, ish-bij komunistësh, mbështetës të flaktë të Enver Hoxhës, etj). Në krye të tyre mund të zgjidhni ndonjë anti-komunist të thekur nga Fakulteti i Ekonomisë, apo Shkolla e Partisë Vladimir Iliç Lenin. Duhet një njeri inteligjent që të ketë qef të prishë para, që luan kumar, dhe që s’ka skrupuj, Për shembull Fatos Nano, për të cilin pjesmarrësit e mbledhje së Katovicës kanë adhurim të veçantë. Ky do të jetë i përkohshëm/i përhershëm, pasi do të luajë vetëm një rol kalimtar në shndërrimin e partisë tuaj nga Parti e Punës së Shqipërisë, në Parti Socialist të Shqipërisë, por edhe do të aktivizohet më vonë duke u rikthyer në pushtet. Nano dhe gjithë të tjerët do të zëvendësohen përfundimisht me njeriun për të cilin ne jemi vërtet të shqetësuar dhe për të cilin kemi vendosur që ta trashëgojë realisht pushtetin dhe pasurinë  në Shqipëri.
Rreth Partisë kryesore të Majtë, do të krijoni parti të tjera të majta satelite, në krye të të cilave mund të jenë ish-Ministra Kulture, apo eksponentë të tjerë anti-komunistë të Partisë tuaj. Partitë e majta do të jenë anti-komuniste.
Nga ana tjetër, partitë e djathta do të jenë pro-komuniste. Për këtë do të duhet të dërgoni një numër të pakufizuar agjentësh të fshehur në këto parti. Në krye të partisë më të madhe të djathtë, të cilën mendoj ta quani Partia Demokratike kemi menduar të jetë mjeku dhe kryeagjenti komunist rus, kardiologu Sali Berisha. Pjesmarrësit e Katovicës janë shumë të impresionuar nga mundësitë dhe ambiciet e tij politike dhe shumë të shqetësuar që ai të arrijë të trashëgojë një pjesë të pushtetit në Shqipëri. Krahas tij në atë parti mund të fusni arkitektë, ish-të burgosur politikë, mjekë me shumicë, matematicienë dhe pedagogë nga fakultetet e tjera. Por duhet që të gjithë të jenë komunistë të vendosur.
Pra, pamja do të jetë kjo – nga njëra anë partitë komuniste/antikomuniste dhe nga ana tjetër partitë antikomuniste/komuniste. Në krye të këtyre partive do të jenë gjithmonë njerëzit tanë.
Po me ju, njerëzit që sot për sot keni pushtetin në Shqipëri, me anëtarët e byrosë politike, me shoqen Nexhmie Hoxha dhe familjen e tyre, me ju personalisht, çdo të bëhet? Juve kemi vendosur t’iu sakrifikojmë pjesërisht. Nuk do t’iu lemë në duart e turmave, që t’iu shqyejnë fare, por do t’iu mbrojmë. Ju mund të hani nga një ose dy vjet burg secili, por kjo është lule po ta krahasosh me krimet që keni kryer gjatë dyzetepesë vjetëve në pushtet.
A do ta pranoni ju një zgjidhje të tillë? Natyrisht që do ta pranoni, pasi iu sugjerohet nga Bashkimi Sovietik, që ju keni që në 1960tën që e dëgjoni me vëmendje, sidomos kur iu thotë që të lini pushtetin. Gjithashtu, ne e dijmë shpirtin tuaj vetmohues. Kur të merrni vesh se në interes të kujt do të organizohet e gjithë kjo, do të hidheni përpjetë dhe do t’i thoni të gjithë burgut “Hapu!”
Ja si do veproni. Hapi i parë do të jetë organizimi i hyrjes në ambasada të disa mijëra njerëzve. Me këtë, do të largoni nga Shqipëria elementët më të rrezikshëm. Në krye të tyre do të vini Syçin e Kinostudios.
Pas kësaj, do të organizoni lëvizjen studentore. Gjeni dikë nga krahina e Doktorit që ta vini në krye të saj. Ti, shoku Ramiz, do të bësh një mbledhje me përfaqësuesit e studentëve dhe pastaj do të pranosh pluralizmin. Këtu fillon loja, pasi do futësh në veprim Berishën, që të dalë në krye të studentëve. Ndërkohë, do fillosh të ngresh Nanon që të dalë në krye të PPSH-së. Me të dalë në skenë partitë kryesore, vazhdo me ato anësore. Organizoni sa më shumë parti që të jetë e mundur.
Filloni të lironi pak e nga pak nga burgu të dënuarit politikë. Fillimisht ata do të shkojnë me partinë e antikomuniste/komuniste, ndërsa më vonë do kalojnë me partinë komuniste/antikomuniste. Kuptoni?
Nanon, pasi ta ketë kthyer Partinë e Punës në Parti Socialiste do ta sillni për nja një vit në pushtet. Lereni të vjedhë ca nga ndihmat, pastaj, hiqeni, dhe vini Berishën. Këtij do t’i mbushni mendjen që ta fusë Nanon në burg. Bindeni që t’iu rrasë edhe ju nga pak në burg.
Berishën lereni nja pesë vjet në pushtet, pastaj rrëzoheni. Rrrëzimin do t’ia bëni në mënyrë sa më spektakolare, mundësisht me fishekziare ose me të shtëna kallashnikovësh në ajër. Zhurma duhet të jetë sa më e madhe, pasi këtu fillon përgatitja e ardhjes së Mesias, të dërguarit të Kominternit, në pushtet. Ardhja Mesias do të jetë graduale, e natyrshme. Në fillim do të zëvendësoni Berishën me ndonjë njeri të panjohur nga Gjirokastra. Pastaj ktheni në pushtet Nanon, të cilin do ta keni nxjerrë nga burgu gjatë kohës së fishekziarëve.
Nano di vetë si të veprojë. Do t’ua sjellë njerëzve në majë të hundës, duke hedhur para nëpër kazino, duke  ndërruar gratë, duke bredhur sa andej këndej dhe duke mos bërë asnjë kokërr pune. Ndërkohë, Mesia do të fillojë të grumbullojë gjithmonë e më shumë pushtet.
Tani erdhi koha t’iu zbulojmë kush do të jetë Mesia e komunizmit kapitalist. Mbledhja e Katovicës është e mendimit që, për Shqipërinë ky njeri të jetë Ilir Meta (me të shoqen). Të gjitha lëvizjet do të bëhen në mënyrë që të përfitojë sa më shumë pushtet dhe para Ilir Meta. Në fakt, ky është edhe thelbi i Katovicës – lënia trashëgim e pushtetit komunist Ilir Metës.
Ilir Metës i duhen nja dy vjet si kryeministër, sa t’iu mbushë mendjen njerëzve që mund ta bëjë atë punë dhe sa të krijojë mbështetje. T’i jepet ndihmë e pakursyer këtij komunisti internacionalist të talentuar i cili, më mirë se kushdo do të dijë t’i nxjerrë bojën të ashtuquajturës demokraci perëndimore. Pas Ilir Metës, vini Majkon nja dy vjet të tjerë dhe pastaj sillni përsëri Nanon. Ky do ta bëjë aq baltë, saqë do të hapë dy shtigje të rëndësishme: nostalgjinë e njerëzve për Berishën, dhe përçarjen brenda Partisë Socialiste.
Kështu do të krijohet mundësia që PS të ndahet në dysh dhe në krahun e vogël të saj të dalë Ilir Meta, tashmë i fuqizuar ekonomikisht si milioner dhe bos. Në krahun tjetër do të vihet dikush që duket sikur s’ka asnjë lidhej me Partinë Socialiste dhe me politikën, Edi Rama. Po, po, Edi Rama, basketbollisti, piktori, ai djali i gjatë. Mos u çudisni, Katovica ka shumë konsideratë për të.
Berishën lëreni nja tetë vjet në pushtet, por jo në pushtet të pakufizuar. Lëreni në pushtet të kushtëzuar. Të kushtëzuar nga aleanca me Ilir Metën. Ky do të dijë ta kthejë administratën në korrupsion të kulluar dhe ta vërë në shërbim të tij. Korrupsioni do t’i rrisë atij pushtetin dhe paranë dhe, nga ana tjetër, do t’i nxjerrë bojën sistemit demokratik, duke i bërë njerëzit që ta shohin me nostalgji komunizmin. Më vonë Metën do ta ndani nga Berisha dhe do t’ia bashkoni Ramës. Në këtë mënyrë, Berisha do të humbasë zgjedhjet, por do të krijohet situata ideale, të cilën e kemi planifikuar me aq hollësi ne në Katovicë. Do të krijohet gjendja kur asnjë nga partitë e mëdha, as partia komuniste/antikomuniste dhe as partia antikomuniste/komuniste nuk do të jenë në gjendje të krijojnë qeveri pa përkrahjen e Ilir Metës – Mesias së Marksizëm Leninizmit në Shqipëri. Vetëm ky do të jetë në gjendje t’ua zvjerrdhë demokracinë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata të qajnë për Enver Hoxhën. Natyrisht, do të kenë kaluar njëzeteca vjet; ca nga ju do të kenë vdekur; por kujtimi i shokut Enver, që ne Rusët e duam aq shumë, do të bëhet gjithmonë e më i dashur.  
Shkurt, për Katovicën ka rëndësi jetike që në Shqipëri të mbretërojë Mesia Ilir Meta.
Ne kemi besim se shokët shqiptarë, Byroja Politike e Partisë së Punës së Shqipërisë, Ju personalisht shoku Ramiz dhe vetë Shoqja Nexhmije do ta përqafoni planin tonë dhe do të dini se si të veproni për t’ia trashëguar pushtetin në Shqipëri Ilir Metës. Ju urojmë punë të mbarë dhe suksese.
Rroftë Internacionalizmi Proletar! Lavdi Marksizëm Leninizmit fitimtar! Rroftë Partia e Punës e Shqipërisë! I përjetshëm qoftë kujtimi i shokut Enver Hoxha! Poshtë imperializmi Amerikan dhe social imperializmi Sovietik! Uuups! Rroftë shoku Ilir Meta! Rroftë shoqja Monika Kryemadhi! Rroftë Zamir Mane! 

Shënim: Origjinali në rusisht i kësaj letre gjendet në arkivin personal të zotit Mikail Gorbaçov
. Me kërkesën e një grupi të interesuarish, ai pati mirësinë të na e nisë me email.
Arben Kallamata