Tuesday, May 28, 2019

Logjikë mbrapsh

(Që shpjegon se si arriti Kadare me një deklaratë të pakonfirmuar në vitin 2008 të pushojë nga puna ambasadorin Bardhyl Kokalari në 1995.)
Mes valës së përgjithshme të enthusiazmit mbarë popullor për zgjedhjen e një shqiptareje (suedeze) si Eurodeputete, nuk kishte si të humbej rasti pa iu kthyer, si gjithmonë, edhe sportit të preferuar
kombëtar, hedhjes baltë mbi Kadarenë. Kur nuk shkojnë punët mirë në qeveri, e ka fajin Kadareja; kur duan të prishin Teatrin Kombëtar e ka fajin Kadareja; kur ndërpriten dritat apo uji, e ka fajin Kadareja; kur humbet ekipi kombëtar i futbollit, kuptohet, e ka fajin Kadareja.Por kësaj rradhe pati diçka edhe më origjinale. Lidhja me Kadarenë u bë për një rast të gëzueshëm, për një festë kombëtare siç ishte zgjedhja e Arba Kokalarit si përfaqësuese suedeze në Parlamentin Europian. Edhe për diçka në dukje fatlume, u gjet mënyra si të përbaltet Kadareja.
Skenar-Akuza: Kadareja i kërkon veglës së tij qorre, Sali Berishës (atëherë President i Republikës) që të pushojë nga puna Ambasadorin e Shqipërisë në Suedi, Bardhyl Kokalarin. Ky e pushon në vend dhe Kokalari s’ka rrugëzgjidhje tjetër veçse të qëndrojë në Suedi, ku rrit dhe edukon të bijën që bëhet eurodeputete.
Aq keq na ka mbërthyer budallallëku kolektiv, sa këtë arsyetim do ta gjesh këto ditë të shpërndarë dhe rishpërndarë në të katër anët e rrjeteve sociale, portaleve dhe gazetave që shkruajnë shqip. Por nuk është vetëm budallëku që të mahnit. Është edhe aftësia për t’i gëlltitur gënjeshtrat kallëp, pa i përtypur fare. Le ta shohim pak me kujdes.
Kokalari ka qënë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Suedi që nga viti 1992 (kur në pushtet erdhi Partia Demokratike) deri në 1995 (kur në pushtet ishte ende Partia Demokratike). U pushua nga detyra sepse ndihmoi një shqiptar që kërkonte strehim politik në Suedi që të mbushte dokumentat përkatëse.
Le ta sqarojmë pak këtë pikë se është e rëndësishme. Sipas Konventës së Helsinkit, një person mund të marrë strehim politik në një vend tjetër nëqoftëse vërteton që në vendin e vet ndihet i rrezikuar (me jetë ose me burgim, ose me ndëshkim fizik), për shkak të veprimtarisë politike. Pra, Ambasadori i Shqipërisë në Suedi, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, ndihmonte një shqiptar që të plotësonte dokumentat për të vërtetuar se ndiqej dhe persekutohej nga qeveria shqiptare, qeveria e Partisë Demokratike, e kryesuar nga Presidenti Sali Berisha, të cilën Ambasadori Bardhyl Kokalari paguhej për ta përfaqësuar në Suedi. Në anglisht ka një shprehje për këtë: “Mind boggling!”
Me t’u marrë vesh kjo, qeveria shqiptare s’kishte rrugë tjetër veçse ta pezullonte ambasadorin dhe t’i kërkonte të ktehehj në vend.
Këtu vjen veprimi i dytë spektakolar i Ambasadorit Bardhyl Kokalari. Nga ambasador, nga përfaqësues i qeverisë Shqiptare në Suedi, ai kthehet në azilant politik, pra kërkon strehim politik me arsyetimin që jeta e tij dhe e familjes së tij është në rrezik sepse kërcënohet nga qeveria shqiptare, qeveri të cilën deri pak ditë më parë ai e kishte përfaqësuar. Megjithëse nuk është i vetmi diplomat shqiptar që e ka bërë këtë yrnek, kjo nuk do të thotë që Bardhyl Kokalari ka vepruar në mënyrën më të ndershme dhe më të drejtë të mundshme.
Ja çfarë shkruan Radio Free Europe (Newsline)(1) në 16 Janar 1997: “Ndërkohë, qeveria suedeze ka vendosur t’i japë ish ambasadorit shqiptar dhjetë ditë afat që të largohet nga vendi. Bardhyl Kokalari ka kërkuar azil politik në 1994, duke thënë që rrezikon të dënohet me vdekje për tradhëti nëqoftëse e detyrojnë të kthehet në Shqipëri. Ai është thirrur të kthehet në Tiranë pasi kishte ndihmuar një strehim kërkues që t’i shkruante një letër autoriteteve të imigracionit suedez. (përkthimi im, AK).
Si lidhet pushimi dhe azilkërkimi i Kokalarit me Kadarenë? Trembëdhjetë vjet më vonë (13 vjet!!!), sipas Gazeta Shqiptare (Ballkanweb.com, 17 Nëntor 2008)(2) Kadare ka thënë në mjediset e Hotel Çajupit në Gjirokastër se arsyeja përse atij nuk i është dhënë çmimin Nobel është se një ish-ambasador i Shqipërisë ka shkruar kundër tij. Në një intervistë me Alfred Pezën tre ditë më pas (Tirana Observer, 20 nëntor 2008)(3) Kadare e mohon të ketë përmendur emër diplomati apo çmimin Nobel.
Ato ditë, albeu.com poston një intervistë e Bardhyl Kokalarit për ngjarjen. Teksa mohon që t’i ketë shkruar letër Akademisë Mbretërore Suedeze, Kokalari pohon se ai për herë të parë po e dëgjon nga intervistuesi këtë akuzë (në 19 Nëntor 2008)(4). Pra, Kokalari e dëgjon akuzën e Kadaresë ditën që thuhet se është bërë, domethënë trembëdhjetë vjet pasi është pushuar nga puna.
Pak rëndësi ka nëse Kadare e ka përmendur Kokalarin me emër apo jo. E rëndësishme është që pa u shpikur ende makina e transferimit në kohë është e pamundur që një akuzë e Kadaresë e vitin 2008 të ketë shkaktuar pushimin nga puna të Bardhyl Kokalarit në 1995. Mua për vete s’më del hesapi. Mbase iu del të gjithë atyre që po e akuzojnë Kadarenë lart e poshtë këto ditë.

Së fundi citohet Natasha Lako të ketë pohuar se është e vërtetë që Kokalari i ka shkruar Akademisë Mbretërore Suedeze. Nëse po, atëherë mbetemi te fjala e Natasha Lakos kundrejt asaj të Kokalarit për t'i dhënë përgjigje pyejtes: A ka shkruar ky i fundit letër kundër dhënies së Nobelit Kadaresë? Zakonisht, kur peshohet fjala e njërit kundër asaj të tjetrit është vështirë ta ndash kandarin. Por po të kesh parasysh që Bardhyl Kokalari duke qënë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ndihmonte shqiptarët që të kërkonin strehim politik me motivacionin që iu rrezikohej jeta nga qeveria e Republikës së Shqipërisë; po të kesh parasysh që edhe vetë Kokalari kërkoi strehim politik duke pretenduar se do ta dënonte me vdekje (!!!) ajo qeveri që e kishte emëruar ambasador, pra po të kesh parasysh mungesën e plotë të integritetit të Kokalarit, vështirë e ke të mos i besosh Natasha Lakos.



Wednesday, April 10, 2019

Armiku ynë i përbashkët


“Këta janë më keq se Enver Hoxha,” iu përgjigj një zonjë komentit tim në postimin e një miku ku po diskutohej korrupsioni i politikanëve të sotëm. “Enveri vetëm një shtëpi kishte, kurse këta…”
Iu përgjigja duke shkruar se never hoxha ishte e keqja më e madhe e mundshme; se ai nuk kishte nevojë për pasuri dhe llogari bankare, sepse kishte pushtet absolut në Shqipëri. Domethënë që ai kontrollonte në mënyrë të plotë gjithë pasurite e burimet natyrore të vendit dhe të gjithë njerëzit që jetonin brenda territorit të tij. Njerëzit që jetonin në Shqipëri ishin praktikisht skllevër të Enver Hoxhës dhe familjes së tij, skllevër pa të drejta dhe pa liri. Ai i detyronte të punonin dhe të jetonin ku i donte qefi atij dhe i paguante sa i donte qefi atij. Ai i vriste, i burgoste, i internonte sipas dëshirës dhe nuk pyeste nëse ata ishin punëtorë apo fshatarë të thjeshtë, ministra apo kryeministra. Ai ishte i izoluar prej tyre, i urrente ata dhe tallej me ta. Në këto kushte për neverin dhe familjen e tij nuk kishte kuptim pasuria.
Nuk ma do mendja që never hoxha të ketë mbajtur ndonjëherë para në xhep. Nuk ma do mendja që ai ta ketë parë ndonjëherë portën e ndonjë dyqani apo lokali për të blerë. Ai, e shoqja dhe fëmijët nuk merrnin kredi për të paguar për makinat që përdornin, nuk paguanin benzinë dhe nuk llogarisnin sa duhet të ishte rroga e shoferave, truprojave apo shërbyesve të tjerë që iu vinin vërdallë 24 orë në ditë. Gjithçka që mund të blinte paraja brenda vendit ata e kishin të garantuar pa qënë nevoja të përdornin kartëmonedha. Po edhe sikur t’iu duheshin kishte njerëz që ua sillnin shukat sipas nevojave. Kur djemtë, vajza nuset e dhëndëri i tij dilnin jashtë vendit, kishte të tjerë që i mbanin nëpër çanta tufat e dollarëve të cilat nxirreshin nga një fond i veçantë i buxhetit të shtetit që ishte pjesë e pronës së madhe të familjes së neverit të quajtur Shqipëri. As ata dhe as shpurra e atyre që i shoqëronin nuk kishin nevojë të shtrëngonin dorën në shpenzimet që bënin.
Natyrisht, asaj zonjës unë iu përgjigja më shkurt. Por thelbi ishte i njëjtë. Për çudi, ajo u duk e zhgënjyer: “Paskemi jetuar në realitete te ndryshme,” shkruajti.
Vërtet?! Vërtet kemi jetuar në dy realitete të ndryshme? Vërtet, sot, tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit ka njerëz që iu duket e paperceptueshme që never hoxha të ketë qënë diktatori absolut, dora e hekurt që kontrollonte gjithçka në vend? Kaq të dobët e kemi kujtesën kolektive sa të mos mbajmë mend që njeriu e kishte thuajse të pamundur të zhvendosej ne një fshat në një qytet për një jetë më të mirë? Ose nga një qytet i vogël në një më të madh? Ose që qeveria, domethënë neveri ose interesat e tij përcaktonin nëse duhej të studioje apo të mos studioje në shkollë të lartë, për çfarë të studioje dhe ku duhej të punoje?
Ndoshta, këto mund të harrohen. Po a mund të harrohet që ai rraste në burg dhe internonte sipas dëshirës? A mund të mohoet që me mijëra jetë njerëzish janë ndërprerë në mënyrën më brutale duke u hedhur si mbeturina përpara skuadrave të pushkatimit, trikëmbëshave të varjeve, rrahjeve deri në vdekje, burgimeve të tmerrshme apo internimeve të pamëshirshme? Nuk po shkoj te shkatërrimi sistematik i ekonomisë së vendit, varfërimi ekstrem i individit, mungesat e artikujve më të domosdoshëm të jetës së përditshme – veshjeve, ushqimeve, mjeteve të transportit. Nuk po hyj as në fushën delikate, shpesh të paperceptueshme dhe ndoshta të harruar të bjerrjes së plotë të personalitetit të njeriut, mohimit të të drejtave dhe lirive bazë të mendimit të lirë, të shprehjes së tij hapur, të zgjedhjes së mënyrës se si e dëshiron ta shohësh jetën.
Oh, po tani ka korrupsion. A thua atëherë s’kishte korrupsion. A thua tridhjet e ca vjet më parë nuk kishte profesorë universiteti që pranonin favore (financiare, seksuale, ose në forma të tjera) për të kaluar studentë të dobët. A thua në atë kohë nuk funksiononte sistemi i ndërhyrjes për të zgjidhur problemet, që ishte formë shkëmbimi ‘në natyrë‘ e asaj që është sot shkëmbim me para. A thua në atë kohë nuk i zinte vendet më të mira të punës djali i filanit dhe nipi i fistekut. A thua atëherë brigadieri i kooperativës nuk ia jepte punën më të lehtë kooperativistes me cica më të mëdha dhe më të disponueshme dhe a thua nuk gëlonin në rangjet më të larta të partisë dhe shtetit pervertë si Gjelil Gjoni e Feçor Shehu.
Çfarë shoqërie mund të arrijmë të ndërtojmë sot nëse nuk kemi një kuptim pak a shumë të qartë dhe të njësuar të të shkuarës së përbashkët? Pa dyshim një shoqëri të paqartë, që s’di se ku vete.
Kjo paqartësi vjen nga pozicionimi idiot i forcave kryesore politike në vend. Njëra prej tyre nuk ka arritur dhe me sa duket nuk dëshiron të arrijë të shkëputet nga e kaluara e saj – ajo vazhdon të kapet haptazi dhe fshehurazi pas simboleve dhe ikonave të komunizmit – që nga figura e diktatorit e bashkëpunëtorët e tij, te e ashtuquajtura datë e çlirimit, që nga praktikat e kongreseve te uniteti i çeliktë dhe militantizmi, që nga populizmi e deri te propaganda mashtruese. Tjetra ka rënë krejtësisht prè e kësaj loje. Ka 30 vjet që PD propagandon antikomunizmin si të vetmen vlerë të saj dhe luftën kundër komunizmit si të vetmin mision për të cilin është krijuar dhe ekziston. Përtej kësaj, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Ndarja në të majtë dhe në të djathtë në politikën shqiptare katandiset thjesht në ndarje midis atyre që nuk e dënojnë never hoxhën dhe regjimin e tij dhe atyre që e dënojnë.
Në këtë situatë idiote, të dyja partitë janë praktikisht e njëjta – me programe ekonomike dhe sociale të ngjashme, por me qëndrime të kundërta përsa i përket komunizmit. Dhe kjo ka bërë që edhe elektorati të ndahet më dysh – në përkrahës të njërës, që e mohojnë komunizmin, dhe në përkrahës të tjetrës, që e shohin atë me nostalgji. Ndërkohë, politikanët e të dyja palëve bëjnë të njëjtën gjë kur janë në pushtet – mbushin xhepat dhe pasurohen, duke u përpjekur ta zhvendosin vëmendjen e njerëzve të thjeshtë nga problemet reale të vendit te ndeshja komunizmën-antikomunizëm – ndeshje që duhet të kishte mbaruar në vitin 1991.
Si duhet të kishte mbaruar ndeshja? Duhej të kishte mbaruar me përfundimin që never hoxha dhe regjimi i tij ishte një e keqe e madhe e përbashkët, që në shkallë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme infektoi dhe dëmtoi të gjithë shqiptarët. Duhej të kishte mbaruar me përfundimin që të gjithë së bashku, të ndarë në dy, tre, apo katër parti të fillonim të përpiqeshim për të gjetur rrugët që t’i neutralizonim sa më shpejt efektet negative të asaj sëmundjeje, me përfundimin që brezat e ardhshme ta kishin gjithmonë të qartë se komunizmi dhe enver hoxha ishin dhe mbeten armiku ynë i përbashkët dhe se lufta politike në pluralizëm nuk ka pse të ketë lidhje me ta.

Friday, March 8, 2019

Një skandal, disa mësime


Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe Partia Liberale që kryeson janë përfshirë në një skandal politik. Trudeau dhe këshilltarët e tij akuzohen se kanë ushtruar presion mbi Ministren e Drejtësisë (njëkohësisht edhe Prokurore e Përgjithshme) që të arrihet një marrëveshje me kompaninë e ndërtimit SNC Lavalin, një nga më të mëdhatë në vend. Ministrja Jody Wilson-Raybould nuk ka pranuar ndërhyrjen dhe ka dhënë dorëheqjen. Trudeau ka mohuar që ka pasur ndërhyrje. Në mbështetje të ish Ministres së Drejtësisë dhe me arsyetimin se ka humbur besimin te mënyra se si drejton Kryeministri ka dhënë dorëheqjen edhe Ministrja  Shërbimeve për Indigjenët, Dr. Jane Philpott.  
SNC Lavalin është kompani e madhe ndërtimi. Prej vitesh ajo është në hetim nga organet e drejtësisë pas publikimit të lidhjeve të saj korruptive me ish-diktatorin e Libisë Mohamar Kadafi. Duke qënë në proces hetimi kompania nuk mund të marrë projekte qeveritare. Sipas dëshmisë së dhënë në Parlament nga ish-Ministrja Wilson-Rebauld Kryeministri Trudeau dhe këshilltarët i kanë ushtruar presion asaj që në kapacitetin e Prokurores së Përgjithshme të ndikojë mbi organet e drejtësisë që të arrihet një marrëveshje me SNC Lavalin dhe t’i jepen fund hetimeve. Ndërhyrja konsiderohet shkelje e kopetencave të Kryeministrit dhe cënim i pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Trudeau hipi në pushtet duke premtuar veprime politike të hapura, llogaridhënie dhe transparencë. Skandali i fundit ia ka rrëzuar të gjithë reputacionin dhe i ka dëmtuar imazhin si politikan.   
Së pari, skandali vërteton edhe një herë që Kanadaja është një vend demokratik, ku pavarësisht përpjekjeve të politikanëve të veçantë, ekziston pavarësia e sistemit të drejtësisë. Politikanë dhe njerëz të korruptuar do gjenden kudo, por në një shtet ligjor ata nuk kanë terren të lirë për të vepruar pa pengesa dhe pa kontroll.
Së dyti, skandali dëshmoi se ka njerëz të ndershëm, të gatshëm që të heqin dorë nga privilegjet e posteve për hir të parimeve të drejtësisë. Të dy ministret e dorëhequra janë gra, të cilat kanë hyrë në sferat e larta të politikës kanadeze pas ardhjes në fuqi të Liberalëve. Kryeministri Trudeau ndërtoi një kabinet ministror në përbërje të të cilit pesëdhjetë përqind ishin gra, fakt me të cilin ai fitoi pikë në opinionin publik kanadez dhe atë ndërkombëtar. Pavarësisht se ky vendim po del praktikisht kundër interesave të tij të çastit në lidhje me skandalin në fjalë, ai vërteton që ka qënë një zgjedhje e drejtë dhe e vlefshme për vendin. Të paktën këto dy ministre kanë dëshmuar një shkallë të lartë integriteti dhe ndershmërie.
Së treti, të bën përshtypje mënyra e qetë, e urtë dhe demokratike si po vepron opozita konservatore në këtë rast. Duke i mëshuar fort kartës së skandalit, duke ngulur këmbë që të dalë e vërteta në shesh, ata po veprojnë me të gjitha mekanizmat që iu lejon të veprojë  një sistem demokratik, brenda parlamentit, pa u përpjekur për ta çuar debatin rrugëve. Kryetari i Partisë Konservatore Andrew Scheer është treguar shumë i matur në deklaratat e tij, duke u distancuar nga akuzat ekstreme dhe duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve ligjorë. Ai thotë që Trudeau ka humbur besimin, po shpenzon shumë kohë duke kontrolluar dëmin që i është bërë figurës së tij dhe të partisë së tij dhe nuk është në gjendje të qeverisë si duhet, prandaj duhet të japë dorëheqjen. Asnjë akuzë e pabazuar.
Por edhe më interesant nga të gjitha këto është qëndrimi i njerëzve të thjeshtë, votuesve. Duke përjashtuar një përqindje të vogël partizanësh të flaktë partiakë që janë mbështesin udhëheqjen e partisë pa asnjë rezervë në çdo situate, shumica dërrmuese e kanadezëve janë më tepër të interesuar që të ruhen të paprekura institucionet demokratike se sa të dalë fajtor apo i pafajshëm ky apo ai politikan. Për kanadezët e thjeshtë në këtë rast nuk ka pikë rëndësie as fati i politikanit Trudeau, as fati i politikanes Joddy Wilson-Rebauld. Për ta ka rëndësi Kanadaja dhe demokracia.
A ka korrupsion në një vend demokratik? Po, ka. Kudo që ka politikanë do të ketë edhe politikanë të korruptuar, do të ketë edhe njerëz që shfrytëzojnë pozitën për të përfituar politikisht dhe/ose financiarisht. Por kjo s’do të thotë se mund të vihet shenja e barazimit midis një demokracie dhe një sistemi të pakonsoliduar, ku gjithçka është ende fluide dhe ku nuk funksionon si duhet asnjë nga organizmat dhe institucionet demokratike. Sepse në demokraci ekzistojnë edhe mekanizmat, edhe pavarësia e pushteteve, edhe parimet edhe njerëzit që i mbajnë, ruajnë dhe mbështesin këto parime. Sistemi demokratik nuk është dhe nuk mund të jetë i përsosur. Më tepër se sistem i konsoliduar, demokracia është një rrugë me ngjitje e zbritje, kthese majtas e djathtas, por një rrugë që ecën në një drejtim të caktuar.

Thursday, February 7, 2019

Mesele pe Korçe

Taqka i Lenkës, ose siç e quanin doçëria Taqkë Cingaridhka, i kërkoi të gjyshes, Olimbisë, që në mëhallë njihej si Maqovica ndihmë për të veshur gurkashkën. Maqovica, që sapo kishte marë shpirton në dorë për të ndezur fufuçkën, fshiu duart në mësallë dhe rrëmbeu griben t’i ujdiste leshkat që i kishte lëmsh.
-          Nuk shkohet në shkollë si i handakosur, - i tha.
-          Po lemë me rehat se do mbodhisem, - u qurravit Cingaridhka.
-          E dembelhanë, prit se dukesh si lugat i fandaksur. E mbushe kallamarin me mellan? Po molidhen e vure në çantë?
-          I vura të gjitha – rezervën, rigën, perigjelin.
-          Po kanonkën? Do të të duhet për të hequr perithorin. Se pastaj s’di ku ti fillosh galavizhdat.
-          Të thashë rigën, kanonkën, rulemanin. Mos u bëj humbamenkë fare.
-          Të rashë kokës që të të çuknavit mirë, - u hakërrye Maqovica. – I ke bërë mathimat apo do të të zënë gafil edhe sot? Se ngelesh përpara klasës si torobell pastaj dhe të shtijen ata xerxevulët me tebeshir. Të ngulin edhe ndonjë pineskë tjetër nga prapa.
-          Unë s’jam humbameno, de. Atë gallofin që më shturi me tebeshir e bëra terbjet vetë. I kërcyen sytë si bumbrekë.
-          Edhe vish shoshonkat se është llapavec jashtë. Do marrësh ndonjë plevit që të çuditesh.
-          Shoshonkat nuk i vesh se dukem si dudum. Këpuckës sapo ia sheshova një peronë që më vriste gishtin.
-          Epo dil me lepitka e me benevrekë atëherë.
-          Jo po si ti që gajase dynjanë duke gjezdisur me penuar dhe fëshfëshe në mes të dimrit.
-          Pika që s’të bije. Unë më mirë dal gollomesh se të ve fëshfëshkën.
-          Iiii, - ia bëri Cingaridhka që mënd u mek kur iu pataks e gjyshja gollomesh në mendje.
-          Lëviz, tani. Mos më rri si gur pe shtufi.
-          Prit se s’kam marrë patumkat. Kemi fiskulturë në palestër sot.
-          Ja ku i ke gjurmashkat. Po bollkat e fiskulturës ku i ke?
-          Varur në kremastar.
-          Ua, bollkat në kremastar, si të jenë dolloma. More ndonjë gjë për të ngrënë në pushim, apo do mbllaçitësh mastikë tërë ditën?
-          Do ble hallvëkoskë me.
-          Bli ushqim pe tamami, mos m’i harxho paratë për fuga dhe ashikë, hallvëkoska dhe pisuska akulloreje se je tharë si cironkë dhe je bërë si pe pe rotke më dyzaj. S’të thonë kot cingaridhe.
Taqkë Cingaridhja u kujtua që s’kishte futur në çantë as fugën vëndkë pëndkë, as onomain patik. Po pastaj e la atë muhabet se atë ditë kishte dëborë dhe e kishin lënë të shkonin te kolovajzja e madhe në Shëndëllia. Hekurishtat i kishte me vete.
-          E mos shko të shkasësh andej nga kukumalja se thyen ndonjë gollganë, - ia bleu mendjen Maqovica.
-          Jo po do luaj si çupkat me posta biz dhe me ngrika-shkrika, - i tha të gjyshes. – Shiko të na bësh ndonjë lakror ti, atë bëj.
-          Ja gati pecin, si t’i duash petët, të holla, me kulaçka.
-          Ose na bëj ndonjë petanik me fasule.
-          Mos do edhe kërnacka me ndonjë çiçkë raki?
-          Jo se rakia e babit është shollomotkë.
-          Prandaj e doje trebishonin ti, të hapje shishkën e rakisë?
-          Epo s’është shishkë pe birre që ta hap me bishtin e furkulicës.
-          Pika ty, di ti malukat nga rakia. Ti je si ligavec gollash. S’ke ndërruar akoma pizhamatë.
-          Po çfarë do ti me, të bëhem si kade pe vere që të më thërrasin gollozdrum?
-          Ah po ti i mer të gjitha llafet jangllësh. Vetëm yt atë të bën terbjet.
-          Po sikur të na bësh ndonjë paçe pe kormine? Na zuri barku lakër armè gjithë muajin. Ose na tiganis ato mëlçiçkat që blemë dje në Gjela Italani.
-          Ikë tani se të mora okllainë. Na bëre me dhimbje koke.
-          Po mer me ndonjë apkë. Ose pi ca ujë  me limua.
-          Ja sa të mbaroj kortinkat se kam për t’iu bërë azhuret, do pastroj ca pezhishkat, t’i mbledh ne farashkë  e ti çoj në ashefkë. Pastaj do mbulohem me levenxkë të ngrohem ca se u plevitosa. Mos m’u mbështet mbi priftul se e theve.
-          Epo ku është lugashka të mbath këpucët?
-          Ikë tani xerxevul se na rokanise kokën. Kur të mbarosh ktheu në shtëpi, mos m’u mbodhis rrugëve. Se atë bëni ti, argalisesh me mangot nëpër ulica.
-          Se mos ke punë tjetër ti, si ngjelkë i merr të gjithë nëpër gojë.
Plaka i vuri reskën portës dhe ku kthye në kuzhinë të bënte pak mëmëligje për mëngjes. Do ta hante me ca peksimadhe që i kish mbetur që prëmë. S’kishte këllqe për t’u marrë me atë djalë. Pastaj u kujtua që djali kishte ditëlindjen dhe filloi të vrasë mendjen ti bënte ndonjë ëmbëlsirë. Kishte kohë që s’ishte bërë mukaet të gatuante ndonjë trishkë. Djalka kishte qef karidhaton, po nuk ia kishte ngenë. Le që atë e kishte bërë në kollozhek, para gjashtë muajsh. E mbante mend mirë se e kishin ngrënë me imonik, pasi kishin pasur edhe një sallatë të mirë me domate sërëke. Po afronte viti i ri dhe duhej blerë edhe ndonjë miskë.

Saturday, February 2, 2019

Rubrika: Fjalë të huaja që s’i kemi në shqip


Po sikur ta kthejmë? Të shohim ndonjë fjalë shqip që nuk ekziston në anglisht, për shembull.
Duke pasur parasysh që anglishtja është gjuha më e pasur e botës dhe fjalori i zgjeruar i Oksfordit sot numëron mbi 1 milion fjalë, ndërkohë që gjuhët e tjera të mëdha llogariten te rreth 200 mijë fjalë secila (nuk kam ndonjë të dhënë sa fjalë numëron një fjalor i plotë i shqipes), duket si e pamundur të gjesh fjalë në shqip që nuk janë në anglisht. Megjithatë ka terma të veçantë që përshkruajnë nocione tepër specifike për kulturën shqiptare që nuk arrijnë të kenë të barazvlefshmin e tyre të plotë në anglisht.
Një fjalë e tillë, e rëndomtë për ne dhe e pakapshme për anglishtfolësit është folja ‘përtoj’.
E di që njohësit e thellë të anglishtes do të hidhen me dhjetra sinonime, me shprehje dhe folje që i afrohen kuptimit të foljes shqipe ‘përtoj’. Megjithatë, unë ngul këmbë në sfidën time që një e barazvlefshme që ta ketë të gjithë ngarkesën kuptimore dhe nënkuptimore, emocionale të kësaj foljeje të shqipes është e pamundur të gjendet në anglisht.
Në anglisht ka shprehje si ‘I don’t feel like’ që përdoren për të treguar se dikush nuk është i gatshëm të kryejë një veprim apo një punë. Por ‘I don’t feel like’ ka kuptim edhe më të gjerë edhe paksa më të ndryshëm. Sepse mund thuhet ‘I don’t feel like washing the dishes’ – që do të thotë nuk më vjen për të larë enët, ose I don’t feel like pasta – nuk më haen makaronat). Krejt ndryshe nga kuptimi i foljes përtoj.
Mund të merret edhe fjala ‘laze’. Si folje, laze ka lidhje me ‘lazy’ që në fakt është mbiemër i barazvlefshëm me mbiemrin përtac, dembel. Por folja ‘laze’ ka më tepër kuptimin që sorrollatesh kot pa bërë ndonjë punë, se sa kuptimin e mirëfilltë të foljes shqipe përtoj. Laze nënkupton që s’bën asgjë, që i merr gjërat lehtë, duke u relaksuar, pra duke i lëshuar muskujt. Laze është shprehje pasiviteti, mosveprimi. 
Vini re sa fjalë i duhen kësaj karikature
për të përshkruar nocionin përtoj.
Ndërsa folja shqipe përtoj është folje e trajtës veprore. Ne përdorim një folje në veprore për të shprehur mungesën e plotë të dëshirës për të vepruar. Nuk mjaftohemi që të themi diçka të butë, për shembull që nuk ndihemi shumë mirë për të kryer diçka, nuk kemi vullnet për ta bërë atë, ose na mungon dëshira, entuziazmi, energjitë, forca fizike dhe mendore për të vepruar. Jo, jo, ne i kemi të gjitha këto, por ‘përtojmë‘, domethënë jemi krejtësisht të vetëdijshëm se duhet ta bëjmë, se është një gjë që kërkohet ta bëjmë, se i kemi edhe forcat, edhe mundësitë, edhe energjinë, edhe gjithçka tjetër që ta bëjmë por nuk e bëjmë sepse ne vetë zgjedhim që të përtojmë. Të përtuarit për ne është veprim njëqindpërqind i vetëdijshëm, i vullnetshëm, të cilin ne e kryejmë me bindje të plotë. Folja ka një ngarkesë nënkuptimore që të jep përshtypjen sikur ai që përton është disi krenar për përtacinë e vet. Është, si të thuash, një privilegj, një përparësi që e kemi ndaj të tjerëve. Të përtuarit është shprehje e krenarisë kombëtare. Është si të thuash: Juve vazhdoni punoni sa t’iu dalë shpirti, unë për vete përtoj. Zgjedhja ime e vetëdijshme midis punës, veprimit fizik dhe intelektual dhe të mos punuarit është që të përtoj. Të përtuarit është një lloj aktiviteti, një lloj pune, zanati, profesioni. Profesioni – përtac.  

Wednesday, January 16, 2019

Rubrika “Fjalë që s’i kemi në shqip” – Fiction


Nga të gjitha fjalët që nuk i kemi në shqip kjo është më befasuesja. Si është e mundur që pikërisht kjo fjalë të mos ketë një të barazvlefshme të plotë në gjuhën tone; si është e mundur që një populli kaq letërsidashës, ose më saktë, kaq letërsiprodhues t’i mungojë një prej fjalëve më thelbësore të fjalorit të prodhimit letrar – fiction? Si është e mundur që një komb që mund të ketë përqindjen më të lartë të fiction-shkruesve dhe fiction-botuesve në botë të mos ketë fjalë për përshkruar termin fiction? Si është e mundur që zanatçinjve të profesionit më të përhapur në vend t’iu mungojë fjala më thelbësore e mundit dhe djersës së tyre intelektuale?
E di, do të thoni që kemi fjalë të tjera, që përdorim fjalën ‘roman’, ose ‘tregim’, ose ‘letërsi artistike’. Por asnjëra nga këto nuk është e njëjtë me fjalën ‘fiction’. Roman dhe tregim janë zhanre të letërsisë. Letërsi artistike është tepër e përgjithshme. Në fund të fundit, një letërsi mund të jetë ‘fiction’ dhe t’i mungojë arti, të mos jetë fare artistike. Ose mund të jetë non-fiction dhe të jetë shkruar gjithë art.
Fjala ‘fantazi’? Jo, as kjo nuk e zëvendëson. Trillim, siç e përkthen ‘google translate’? Diku afër, por trillim është më e gjërë, sepse është më pranë fjalës ‘gënjeshtër’.
Ja si përkufizohet ‘fiction’ në një fjalor anglisht:
1.       Letërsi në formë proze, veçanërisht tregimesh dhe romanesh, që përshkruan ngjarje dhe personazhe të përfytyruar
2.       Shpikje dhe gënjeshtra, e kundërta e fakteve
3.       Besim ose thënie që është e rreme, por që shpesh mbahet si e vërtetë sepse kështu është më e leverdisshme
Nga të tre përkufizimet, unë mendoj se kyçi për zgjidhjen e enigmës se përse nuk ka në shqip një fjalë e barazvlefshme me fjalën ‘fiction’ qëndron te i dyti. Pikërisht te përballja e ‘fiction’ me të kundërtën e vet ‘fakt’ qëndron përgjigja – ne, si popull, e kemi të vështirë të dallojmë faktin nga fiction. Për ne, të dyja këto nocione janë të shkrira te njëra tjetra, të pandashme, të pakundërvënëshme. Kjo është edhe arsyeja që nuk kemi fjalë për të shprehur dallimin midis tyre.
Në lëmin e letërsisë, për shembull, ne thuajse na mungon plotësisht letërsia faktike, dokumentare, e bazuar në të dhëna dhe e besueshme për vërtetësinë e saj. Autorët shqiptarë të letërsisë ‘non-fiction’ s’e kanë pasur asnjëherë për gjë të përzjejnë fantazinë me ralitetin, të shpërfillin ndarjen midis tyre, të ngatërrojnë faktet ose t’i zgjedhin dhe  interpretojnë ato sipas qefit të tyre. Vepra dokumentare të mirëfillta, biografi të njerëzve të shquara, histori të periudhave të caktuar, që të jenë bazuar plotësisht në fakte dhe në interpretimin e paanshëm dhe jopolitik të tyre gjenden shumë rrallë të shkruara në gjuhën shqipe. Letërsia faktike është ndoshta pjesa më e dobët e korpusit të letrave shqip (të më falin ata pak autorë që kanë bërë punë të shkëlqyera në këtë fushë).
E gjitha kjo e le letërsinë fiktive (ou, po përpiqem të përshtat një fjalë të huaj) pa të kundërtën e saj, duke ia hequr fare nevojën për t’u përcaktuar si e tillë. Prandaj edhe më së shumti ne përdorim fjalën ‘letërsi’, pa marrë mundimin të sqarojmë që ajo është prodhim i imagjinatës. Në fund të fundit, ne e marrim të mirëqënë që kur njeriu ulet të shkruajë gërma të zeza në fushë të bardhë, kombinimi i tyre duhet të jetë patjetër frut i fantazisë dhe dëshirave tona dhe nuk ka nevojë të ketë asnjë lidhje me realitetin.  Fakt dhe fiction për ne janë një, prandaj s’kemi pasur anjë nevojë t’i dallojmë nga njëra tjetra me fjalë të ndryshme.

Friday, December 28, 2018

Rubrika: Gjakatarë me nam



Arkiduka Franz Ferdinand, i njohur në histori si viktima e atentatit në Sarajevë që shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore, në të cilën gjetën vdekjen 9 milionë ushtarë dhe 7 milionë civilë, mbante edhe vetë një record gjakderdhje sa ishte gjallë. Gjatë jetës së tij ai ka vrarë jo pak por 274,899 kafshë.
Arkiduka me taborrin e ndihmësve në gjah
Nga dihet shifra e saktë? Mesa duket, Arkiduka nuk ishte vetëm vrasës i apasionuar kafshësh, por edhe regjistrues i pëpiktë i të gjitha krimeve të tij. Natyrisht, shumica e kafshëve të vrara ishin shpendë gjahu – fazanë, fushnja etj., që ia lëshonin para çiftes taborri i njerëzve që e shoqëronin në gjah, ndërkohë që një numër shërbëtorësh i rimbushnin pa pushim dyfekët. Megjithatë, ai ka vrarë edhe kafshë katërkëmbëshe – rreth 5000 të tilla, duke përfshirë elefantë, kangurë, koala, majmunë, tigra dhe arinj. Makutërisë së tij për të vrarë nuk i kanë shpëtuar as iriqët e ketrat.
Salla e trofeve të Arkidukës në Pallatin Konopiste, Ceki
Këtë katil pa ndjenja shkrimtari austriak Karl Kraus e përshkruan si njeri “që s’merte mundimin të të përshëndeste … që nuk ndjente asnjë lloj detyrimi për të kërkuar diku në thellësitë e asaj zone të paeksploruar për të që vienezët e quajnë zemër.” Ndërsa historian gjerman Michael Freund e cilëson si “njeri me energji të pafrymëzuar, me pamje dhe emocione të errëta, që rezatonte një frymë të çuditshme dhe lëshonte një hije dhune dhe papërgjegjësie … një personalitet krejt i veçantë mes butësisë miqësore që karakterizonte shoqërinë austriake të kohës.”
Ndonëse egërsia e Franz Ferdinandit duket e pashoqe, duket se ai ka pasur edhe konkurentë të tjerë në kënaqësinë për të marrë sa më shumë jetë krijesash të pafajshme. Lordi britanik Ripon mban rekordin e turpshëm me 556813 kafshë të vrara nga viti 1867 në 1923.
Përshtatur nga një shkrim i Paul Ratner në Bigthink.com