Friday, February 28, 2020

Se si m'u kujtua...

E mban mend njeri apo më është fiksuar kot mua që kjo fytyra që sot kryeson Parlamentin njëpartiak shqiptar është arratisur në Greqi në vitin 1997? E mban mend njeri, apo më është fiksuar kot mua që nja gjashtë vjet para se të arratisej ai ka qënë Ministër i Punëve të Brendëshme? Dhe, nëqoftëse nuk më është fiksuar kot mua, por kështu ka qënë vërtet, pavarësisht se nuk para kujtohet ky fakt nga publiku i gjerë, a di njeri të thotë se si e pritën grekët këtë ish-ministrin shqiptar të Punëve të Brendëshme që iu kishte vajtur atje për t’iu kërkuar strehim dhe ndihmë?
Krahëhapur, do thosha unë. Dhe jo ngaqë ishte veshur si grua dhe iu ngacmonte grekëve fantazitë seksuale. Me atë fytyrë që ka ai s’besoj se ndjell dot njeri (e kam fjalën për fytyrën shpirtërore, se atë fizike nuk më lejon etika profesionale t’ia përgojoj).
Nejse, po përse do ta prisnin grekët krahëhapur një ish-ministër të punëve të brendëshme të Shqipërisë që shkonte dorëzohej te ata dhe iu kërkonte ndihmë për të shpëtuar lëkurën? A e ka pyetur njeri Kalorësin e Fytyrës së Inatosur kur është kthyer se çfarë zoçkash i kanë kërkuar kolegët grekë të nxjerrë nga barku për t’i dhënë, si shpërblim, ndihmën e tyre? Ja, këtë s’mbaj mend ta kem lexuar apo dëgjuar gjëkundi. Do me ketë shpëtuar prandaj sinqerisht kërkoj ndihmë që të ma sqaroni.
Se puna është kështu – Ministria e Brendëshme ka qënë Ministri e Brendëshme, me gjithë strukturat e saj të brendëshme – sigurimin, agjentët, spiunët, hetuesit, oficerët, e të tjerë. Në krye të të gjithëve ishte ky që arratisej. Jo një agjent apo spiun i thjeshtë, jo një oficer apo hetues i rëndomtë, apo qoftë me përgjegjësi. Por kreu i tyre. Në gjuhën e kompjutareve quhet ‘motherboard’. Sa mund të gëzoheshin grekët nëse atyre do t’iu dorëzohej një agjent i thjeshtë shqiptar? Sa të gëzuar do të kenë qënë ata kur iu ka trokitur në dorë kreu i të gjithë agjentëve shqiptarë? A thua ta kenë përmbajtur veten dhe të mos i kenë bërë asnjë pyetje? A thua nuk iu ka shkuar mendja për asnjë pazarllëk, por e kanë drejtuar menjëherë në ndonjë vilë buzë detit duke i thënë: Rri qetësohu këtu, pa merak fare, sa të bëhet gati situata dhe të kthehesh në Shqipëri për të vazhduar karrierën tënde politike me të cilën ne s’kemi, nuk duam të kemi, dhe s’kemi për të pasur asnjëherë ndonjë lidhje? Grekët njihen si krijesa të sinqerta dhe të padjallëzuara, por jo deri në këtë shkallë, apo jo?
Se ç’u tha dhe se ç’u bë në Greqi ne nuk e dijmë. Atë e dijnë vetëm Gramoz Ruçi dhe ata ustallarët e Athinës. Ne dijmë vetëm që ky zotëria u kthye, hipur si gjithmonë majë kalit, kalë të cilit nuk ia ka zbritur asnjëherë dhe s’besoj se do t’ia zbresë derisa të arrijë moshën e shoqes Nexhmie. Edhe kali gjallë do jetë, se është kalë grek. Kuajt grekë rrojnë me shekuj, me mijëvjeçarë.
Seç m’u kujtuan kot këto ndodhi të 23 vjetëve të shkuara tani që Kryemadhëria e ka mprehur shpatën edhe një herë për të luftuar korrupsionin. Ndoshta ma kujtoi ajo shpresa e mekur se do të kujtohet dikush, dikur, ta fillojë spastrimin e vendit nga ai llum i pisët që e mbuloi Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997.

Tuesday, February 18, 2020

Tundimi


(Fragment nga romani Hijet e Muzgut)
 
Përmes grykës së Shkumbinit
Shtrihet Kopshti i S’Edinit
Kjo parajsë në mes malesh
Ngjitu-zbritu, s’di të ndalesh
S’di të ndalesh, ngjitu-zbritu
Ngjitu-zbritu, ha e dhitu.

 Zoti u përpoq të vinte në jetë të njëjtin plan edhe me banorët e Kopshtit të S’Edinit mes maleve të Xhyrës, në rrethinat e Librazhdit pranë Skampës, në luginën e Shkumbinit, në kërthizë të botës, në Ballkanin Perëndimor. Por banorët e parë të atyre trevave nuk e hëngrën atë koqe ulliri. Domethënë, nuk e hëngrën atë koqe molle. Kur iu afrua Gjarpri dhe filloi t’iu fliste Qygjja dhe Palloshi ishin ulur nën hijen e një peme e po bisedonin të shpenguar, të dy cullakë, siç i kishte krijuar dhe rikrijuar Zoti. Qygjja me një boshllëk në fund të barkut dhe Palloshi me një zgjatim që i ngjante shumë atij zgjatimi që kishte pasur dikur Qygjja kur kishte qenë vetëm, por që tani nuk e mbante mend se kishin kaluar shumë kohë.
- A po mërziteni, o miq? - i pyeti Gjarpri me zë fishkëllyes.
- Ne nuk mërzitemi kurrë, - tha Palloshi. - Përderisa s’kemi asnjë punë për të bërë, nuk kemi as përse të mërzitemi. Mërzitet ai që ka punë. Ose mërzitet nga puna, ose mërzitet kur mbaron punën dhe s’ka ç’të bëjë.
Me këto fjalë të mençura Qygjja dhe Palloshi ia dhanë gazit për tri ditë rresht. Në fund të fundit, ata kohën e kishin me bollëk dhe s’kishin përse t’i vinin vetes kufizime kohore kur qeshnin. Gjarpri, i cili gjithashtu nuk dukej të kishte probleme të kësaj natyre, i priti me durim derisa mbaruan dhe vazhdoi krejt i qetë:
- Megjithatë, jeta mund të jetë edhe më interesante se sa të rrish pa bërë gjë.
- E ç’ka mund të jetë interesante se sa të rrish pa bërë gjë në përjetësi? - pyeti Qygjja . - Çfarë mund të jetë më interesante se sa mos kesh koqe pune për të bërë? Cila lloj jete mund të jetë më interesante se sa një jetë ku s’i thua asnjëherë punës “mirëmëngjesi”.
- Një jetë me dije dhe njohuri, - tha Gjarpri. - Një jetë në kërkim të përgjigjeve për shumë pyetje që të lindin në kokë. Një jetë me emocione të reja që vijnë pas arritjeve të shumta.
- Për çfarë pyetjeje e ke fjalën? - ia priti Palloshi.
- Për shembull: Si u krijua njeriu? Përse ekziston bota? Sa larg janë yjet në qiell? Si mund të zbërthehet atomi në grimca më të vogla? A e ka bërë pula vezën apo veza pulën?
- E kush e çan kokën të gjejë përgjigje për pyetje të tilla?! - ia pat Qygjja.
- Po edhe sikur ta çanim kokën, si mund t’i gjenim përgjigjet? - ia priti Palloshi.
- Fare e lehtë, - u hodh gjithë gëzim Gjarpri, të cilit iu duk se i dolën në shteg. - Mjafton të hani një kokërr nga ajo pema aty.
Qygjja dhe Palloshi i hodhën një sy një peme të bukur të mbushur me kokrra të kuqe për të cilën Zoti i kishte porositur që të mos e preknin me dorë se po ta preknin do t’i gjente belaja.
- Mos e fol, - ia priti Palloshi. - As që na vete mendja të hamë fruta. As zarzavate. Ne kemi mish me bollëk - pula, viça, derra, dele, keca, lepuj të butë dhe të egër, kemi mish kaprolli dhe fazani, breshka dhe bretkosa, kërmij dhe harabela. Ç’na duhet të hamë fruta?
Gjarpri i pa i çuditur. S’i kishte rënë kurrë rasti të merrej me njerëz të tillë.
- Po ju s’i keni provuar ato fruta. Provojini njëherë dhe do t’iu pëlqejnë. Veç kësaj edhe do t’iu mbushin me dije.
- Ik ore mbushu, se s’kemi nevojë as për dije, as për fruta, - ia priti Palloshi.
- Dhe meqë ra fjala e të provuarit, - tha Qygjja, - nuk kemi provuar ndonjëherë mish gjarpri. Dhe fap, një të zgjatur dorën, e kapi Gjarprin dhe ia këputi kokën. Pas kësaj, ia hoqën lëkurën, e pastruan mirë e mirë, e vunë në tigan dhe e skuqën si ngjalë. Iu shijoi si kurrë ndonjëherë.
Ky veprim i dha Palloshit dhe Qygjes një farë përparësie në krahasim me dy të ngjashmit e tyre në anën tjetër të botës. Ata arritën të shmangin dëbimin nga Kopshti i S’Edinit në Xhyrë të Librazhdit. Kur erdhi Zoti që t’i vizitojë dhe t’i shohë ç’bënin, ai vuri re se pema frutore ishte e paprekur.
- Po Gjarpri ç’u bë?! - pyeti Zoti i çuditur.
Në fakt, asnjëherë nuk është marrë vesh se kush ishte, në të vërtetë, Gjarpri - ishte thjesht ndonjë agjent i fshehtë i Zotit, i dërguar posaçërisht për të provokuar çiftin e ri dhe për t’i shtyrë në ngasje që të hanin pemën e ndaluar me qëllim që të realizohej plani i fshehtë i Zotit për t’i dëbuar njerëzit nga kopshtet, apo ishte agjent i pavarur, provokator në profesion të lirë, që vërtitej sa në një kopsht të përsosur në tjetrin, duke u përpjekur të ngatërronte dynjanë dhe t’iu prishte të ardhmen njerëzve të pavdekshëm? Asnjë nga librat e shenjtë nuk jep sqarime të hollësishme rreth natyrës së lidhjeve shoqërore apo profesionale të Gjarprit me Zotin. Nga mënyra se si u soll Zoti vis a vis çiftit Pallosh-Qygje, mund të nxirret përfundimi se Ai (Zoti) duhet të kishte një farë dijenie për veprimtaritë e Gjarprit dhe, madje, ndiente edhe një farë përgjegjësie për sigurinë e tij.
Megjithëse jo shumë të ndërlikuar në lëmin e dijes (për vetë faktin që nuk kishin pranuar të hanin pemën e ndaluar), me atë budallallëkun e tyre, ose më saktë, me shejtan-budallallëkun e tyre, Palloshi dhe Qygjja e ndjenë që kështu duhet të ishte puna, prandaj nuk u përgjigjën menjëherë. Madje nuk u përgjigjën kurrë dhe Zoti as që kishte për ta marrë vesh në jetë të jetëve fatin e Gjarprit sikur Qygjja të mos kishte ulur kokën dhe mos e kishte ngulur vështrimin te një palë çizme të reja me lëkurë gjarpri që kishte veshur.
- Hmm! - ia bëri Zoti me vete. - Ata të Edinit, Adami me Evën, si mëkat fillestar zgjodhën seksin. Këta të S’Edinit paskan zgjedhur vrasjen dhe vjedhjen.
- Nuk e keni parë fare Gjarprin?! - gjëmoi Zoti.
- Jo, - u përgjigjën njëzëri Palloshi me Qygjen.
- Edhe gënjeshtrën, - i shtoi Zoti me vete një të tretë listës së mëkateve fillestare të banorëve të Kopshtit të S’Edinit në Xhyrë të Librazhdit.
Për këto tre mëkate - vrasjen, vjedhjen dhe gënjeshtrën Zotit iu ngritën nervat, ndonëse jo aq lart sa i ishin ngritur para disa kohësh në lidhje me mëkatin e seksit. Kjo u dëshmua edhe në formën e dënimit që iu dha.
- Meqë nuk e keni ngrënë mollën e dijes dhe keni pranuar me vetëdije të plotë që të mbeteni në jetë të jetëve dhe brez pas brezi injorantë, nuk do t’iu dëboj nga Kopshti i S’Edinit, - tha ai mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të Palloshit dhe Qygjes.
Aq u entuziazmuan të dy banorët e Xhyrës, saqë Palloshi ngriti dorën dhe, ashtu duke qeshur, vërejti:
- Për më tepër kjo nuk është as mollë. Mua më duket më shumë si shegë.
Zoti e pa pemën me vëmendje dhe s’dihet përse i shpëtoi një - Ups! Por nuk e bëri veten.
- Megjithatë, - bubulliu duke vendosur një heshtje varri te dy të pranishmit, - kjo s’ndryshon asgjë. Pavarësisht mosngrënies së frutave të ndaluara, ju keni kryer tri mëkate të tjera fillestare dhe për këtë do të ndëshkoheni. Së pari, ju duhet të punoni, për të siguruar mirëqenien. Hajde shëndet!
Dhe u zhduk në qiell.
Palloshi dhe Qygjja mbetën vetëm. Nuk dinin ç’të thoshin. Fjala punë iu kishte rënë si bombë. Çdo gjë do ta kishin pranuar me qejf, po jo punën.
- Të thashë mos t’i vishje çizmet sot, - tha Palloshi.
- E ku e dija unë që do të vinte sot, - u justifikua Qygjja.
- Si tha, “duhet të punoni për të siguruar mirëqenien”?
- Po, kështu më duket se tha.
- Unë s’e kam fort qejf punën, - tha Palloshi.
- As unë, - ia priti Qygjja. - Puna s’ka asnjë lidhje me traditat tona.
- Por mbase është kështu: Po punove shumë, siguron mirëqenie të lartë. Po punove pak, ose po nuk punove fare ke më pak mirëqenie.
- E ç’na duhet mirëqenia a lartë? - ia priti Qygjja. - Ne do të punojmë fare pak, sa për të siguruar një mirëqenie minimale. Sa për ta shtyrë. Pjesën tjetër të mirëqenies ose do ta vjedhim, ose do ta grabitim gjëkundi. Të paktën na la këtu në Kopshtin e S’Edinit ku ke ç’të vjedhësh.
Dhe kështu e lanë që ata dhe, në jetë të jetëve, brez pas brezi, kushdo që do të vinte pas tyre, do të vazhdonin të punonin pak, fare pak, sa për të thënë, paçka se edhe mirëqenia që do të siguronin do të ishte e pakët, fare e pakët, sa për të thënë. Me sa duket edhe Zoti ishte në rregull me këtë zgjidhje. Atij nuk i bënte shumë përshtypje nëse njerëzit punonin apo s’punonin, kishin apo s’kishin mirëqenie, dinin apo s’dinin, mjafton që të vazhdonin ta respektonin dhe t’i luteshin Atij. Për të rëndësi parësore kishte seksi.

Në fillim


(Fragment nga romani Hijet e Muzgut)
Koha: Fillimi i kohës
... Kur i mbaroi të gjitha Zoti u duk i kënaqur. Ama jo krejt i kënaqur. I kishte mbetur një copëz kënaqësie pa iu plotësuar. Zoti vuri re se i mungonte diçka. I mungonte diçka që t’i gëzonte të gjitha këto dhe, mbi të gjitha, t’i ishte Atij mirënjohës për çka kishte krijuar. Diçka që t’i lutej e t’i falej, t’i trembej e ta donte, dhe jo të vërtitej pa e çarë kokën për ekzistencën e tij, siç bënin kafshët dhe sendet e tjera.
- Më duhet diçka që të jetë në gjendje t’i vrasë dhe t’i hajë këto kafshë moskokëçarëse, - tha Zoti. - Më duhet dikush që t’i shkatërrojë këto pyje të bukura, t’i presë këto pemë të larta; ta prishë këtë ajër kaq të pastër; t’i ndotë këto ujëra të kulluara; t’i thyejë këta shkëmbinj kokëfortë; t’i nxjerrë nga nëntoka mineralet dhe naftën, që as unë s’e di përse i kam futur aq thellë; ta qelbë ajrin dhe ta turbullojë ujin; diçka që t’i bëjë të gjitha lëmsh. Dhe kjo diçka duhet bërë sipas shëmbëlltyrës sime.
Kështu Zoti krijoi njeriun. Jo një, po dy. Të ndarë dhe të pavarur nga njëri-tjetri. Të shkëputur me dete, oqeane, kilometra malesh e kontinentesh. Njërin, e vuri në një kopsht të bukur, në Kopshtin e Edinit, me të gjitha të mirat, në mes të oqeanit, dhe e quajti Adam. Kopshti i Edinit ishte diku në një nga ishujt pranë bregut lindor të Afrikës.
Tjetrin e vuri në mes të disa maleve të bukura, zhytur në pyje të gjelbëruara dhe pemë të panumërta, në një tokë me dhè të kuqërremtë, në një kopsht të cilin e quajti “S’Edin”. Njeriun e dytë e quajti Qygj. Kopshti i S’Edinit ishte diku në Ballkanin Jugperëndimor, në Europën Juglindore, pranë një lumi të vogël shkumues, që quhej Shkumbin, diku rrotull një pike që quhej Xhyrë.
Të dy njerëzit e parë ishin burra, pasi Zoti i krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij dhe Zoti, dihet mirëfilli, që është burrë, me qime të ashpra dhe lesh në të katërta anët, me koqe e me gjithçka tjetër që vjen me paketën e një burri. Sepse Zoti mund të vijë në tri forma, si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, por që të tria format janë burra. Asnjë nga format nuk është grua. Prandaj edhe dy njerëzit e parë që u krijuan ishin burra, sepse Zoti ishte i vendosur t’i krijonte njerëzit e parë në shëmbëlltyrën e tij.
Të palidhur me njëri-tjetrin, të pavarur nga njëri-tjetri, mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, Adami dhe Qygji jetonin nën vëzhgimin e kujdesshëm dhe të vazhdueshëm - por jo të pandërprerë të Zotit. Ata jetuan disa qindra vjet kështu, të vetmuar, pjesë e eksperimentit të Zotit, i cili përsëriste vazhdimisht me vete: - Punë e paqme! Zoti është tip që kënaqet me punën e tij.
Megjithatë, erdhi një ditë që edhe Ai, bashkë me dy njerëzit që kishte krijuar, u mërzitën. I pari u mërzit Adami. Ai iu drejtua Zotit:
- O Zot i madh, - i tha, - ndihem i vetmuar. Shikoj përreth dhe vë re se të gjitha kafshët që ke krijuar këtu në Kopshtin e Edinit e kanë nga një shok, nga një partner, me të cilin eglendisen: ujku kruhet pas ujkonjës; ariu polar ngjishet pas arushës polare (sepse në Kopshtin e, Edinit pavarësisht nga klima, rronin të gjitha llojet e kafshëve); qentë ua hipin gjithë qejf buçeve. Vetëm unë s’kam me kë të gërvëlisem. Ata lindin kalamaj e shumohen, kurse unë kam mbetur firar.
Zoti kroi kokën dhe i dha të drejtë.
- Jam i një mendimi me ty, - tha Ai. - Ty të duhet një njeri, domethënë njeri femër. Unë ta bëj, por duhet të të heq një kockë. Le të themi një brinjë.
- Po unë mezi i kam brinjët dhe më duhen për të mbajtur kafazin e kraharorit, - ia ktheu Adami.
- S’ka problem, - ia mbushi mendjen Zoti. - Kafazi i kraharorit mund të rrijë për bukuri edhe me një brinjë mangët. Unë kaq e kam pazarin, një brinjë. Po të duash merre, po të duash lëre.
Adami pranoi dhe Zoti i hoqi atij një brinjë nga kafazi i kraharorit. Megjithëse Zoti i hoqi një brinjë, Adami mbeti me numër të plotë brinjësh dhe kjo s’u mor vesh kurrë sesi ndodhi. Ja, këto janë mrekullitë e Zotit, që mendja e gjorë njerëzore nuk është në gjendje t’i shpjegojë. Se Zoti, që di të shkuarën, edhe të sotmen, edhe të ardhmen, do ta ketë ditur që një ditë prej ditësh Adami do t’i kërkonte t’i krijonte ndonjë shoqe nga brinja, prandaj kur e krijoi fillimisht atë e bëri me brinjë të plota, ndoshta edhe me një brinjë shtesë, të cilën po t’ia hiqte, do t’i mbeteshin përsëri të plota, por edhe kur s’ia kishte hequr, përsëri ishin të plota. Punët e Zotit janë tepër të ndërlikuara dhe duhen marrë me besim, jo me arsyetim logjik.
Pasi hoqi brinjën, Zoti kreu një përpunim gjenetik duke krijuar prej saj njerien, të cilën e quajti Eva. Kësaj Zoti i tha: - Ti je krijesë dytësore, jo e njëjtë me
Adamin. Je e detyruar t’i bindesh gjithë jetën atij, t’i shërbesh me besnikëri, ta dëgjosh dhe t’i bësh kalamaj sa herë t’i teket atij. Po të bëj pak më të shkurtër dhe më të dobët, që ai të ketë mundësi të të kontrollojë dhe të të hyjë në dru, po qe se i jepet rasti. Si kompensim, po të jap një llapë më të gjatë, që ta përdorësh si të të vijë për mbarë.
Eva nxori llapën dhe u bë gati të ankohej, por ishte vonë. Zoti qe zhdukur.
. . .
Njëkohësisht me pazarllëkun që bëhej në Kopshtin e Edinit, mijëra kilometra tutje, dy oqeane dhe shtatë dete larg, Zoti përpiqej të arrinte një marrëveshje të ngjashme me Qygjin, në Kopshtin e bukur të S’Edinit, pranë vendit të bekuar të quajtur Xhyrë. Zoti kishte dhe ka aftësinë të ndodhet në dy ose më shumë vende të ndryshme në të njëjtën kohë, pasi për të, koha dhe hapësira nuk kanë pikë rëndësie, veçanërisht në rastet kur nuk duhet të kenë. Ndërsa kur duhet të kenë, kanë.
- O Qygj i shkretë, - i tha Zoti. - Ty të duhet një shoqe, sepse edhe emri që ke tingëllon shumë i vetmuar. Të duhet dikush që të të ndihmojë dhe ta ndihmosh. Një njeri tjetër, një njerie, me të cilën të shkëmbesh nja dy fjalë. Prandaj do të të shkul një brinjë.
- Kjo më duket ide shumë e mirë, - tha Qygji. - Vetëm, të lutem, mos më hiq brinjë. Brinjët dhembin.
Më shkul ndonjë gjë tjetër që të ketë më pak dhimbje dhe të mos më prishë punë.
- Po çfarë të të shkul? - pyeti Zoti?
- Ja, më shkul apendicitin. Se ç’kam një parandjenjë që atë ma ke vënë kot.
- Hm, - ia bëri Zoti. - Të ditka bytha! Mos do të thuash se unë bëj gjëra kot, pa vlerë?
- Po edhe aq plot nuk duket se ke bërë, - tha Qygji, që donte të hiqej sa më i zgjuar dhe s’tregonte ndonjë shenjë të veçantë respekti për Zotin. Zotit nuk i pëlqente shumë ky qëndrim prej kapadaiu, por s’kishte ç’bënte. Në fund të fundit, vetë e kishte krijuar Qygjin kështu, shëmbëlltyrë të vetes së tij, fodull dhe kapadai.
- Apendicitin nuk ta heq sikur kaq ta bësh dhembin, - tha Zoti duke treguar gishtin e mesit, të cilin në atë çast e kishte nja tre kilometra të gjatë.
Qygji e pa me vëmendje gishtin dhe e kuptoi që ishte e pamundur ta bënte dhëmbin aq, prandaj filloi të vrasë mendjen, për të shkulur ndonjë pjesë tjetër të trupit.
- Po sikur të të shkul një kockë nga ai zgjatimi në fund të barkut? Në fund të fundit, ai s’ka ç’të duhet me kockë, - i sugjeroi Zoti si pa e pasur shumë mendjen aty.
- Ky zgjatimi këtu? - tha Qygji duke ulur kokën. - Vërtet, as ky s’më hyn shumë në punë. Shkule të gjithin.
- Ndoshta të duhet kur pshurresh, - tha Zoti. - Që t’i japësh drejtimin e duhur dhe mos spërkatësh.
- Ç’ia fut kot edhe ti, - tha Qygji. - Unë pshurrem shkurreve, ku të më zërë. Hiqe fare, se s’më duhet.
- Mirë, - tha Zoti i gëzuar. - Meqë nuk e dashke, po ta heq ty dhe po ia jap atij që do të krijoj. Që sot e tutje, ti do të jesh femra, ndërsa ai që do të krijoj do të jetë mashkulli.
Qygji s’e kishte fare idenë për çfarë flitej.
- Si të duash, - ia bëri, pa e vrarë mendjen fare.
Dhe kështu u bë. Zoti kreu operacionin e parë ndërgjinor duke e kthyer Qygjin në femër. Me këtë rast ai ia ndërroi edhe emrin nga Qygj në Qygje. Pastaj, Ai kreu përpunimin e dytë (ose, po të kemi parasysh njëkohshmërinë e veprimeve të Zotit, mund të themi të parë) gjenetik, duke krijuar një njeri nga penisi i një tjetri. Njeriun e porsakrijuar nga zgjatimi i tepërt i Qygjit e bëri mashkull. Pasi e krijoi, Zoti tha:
- Nisur nga prejardhja, mendoj që njeriu i ri i sapokrijuar të quhet Pallosh.
Qygjes iu duk i drejtë mendimi. Edhe Palloshit të sapokrijuar iu duk me vend.

Saturday, February 15, 2020

Po s’te vrau, të forcon.


Padyshim gjella me pa shije që na u servir këtë javë ishte ajo biseda në studion e Fevziut e Kryeministrit Edi Rama. Ishte jo vetëm pa shije, por edhe e prishur, e qelbur, nga ato gjellët që të shkaktojnë të vjella dhe diharre. Një gjellë që përzjente arrogancën dhe rrugaçërinë e Kryeministrit me nivelin mizerabël profesional, etik, dhe kulturor të atyre që kishin ardhur ta vinin me shpatulla për muri.
Më shumë se gjithçka tjetër rropullitë e barkut t’i përzjente fakti që ja ku ishin, pesë gazetarë - analistë, kryeredaktorë, figura të shquara me Kryeministrin përballë, me rastin më të mirë për ta mbërthyer objektin e sulmeve të tyre, me mundësinë e pastër për ta vënë atë me shpatulla pas muri dhe rezultati ishte një vrimë në ujë. Asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje të parashtronte dhe të mbështeste një argument për të qënë.
Gjysmë ora e parë e diskutimit u hodh në plehëra me debatin idiot për blindimin e xhamave të makinës. A thua se të qënit apo të mos qënit e blinduar makina kishte ndonjë farë rëndësie. Pastaj u kalua në temën edhe më idiote – pse kishte dalë Rama në fotografi me një person i cili më pas është dënuar, një tjetër argument që nuk i prishte asnjë punë Kryeministrit. Pastaj...
Pastaj unë e ktheva TV në gjëra më interesante dhe më pak acaruese dhe do ta kisha harruar fare shijen e asaj gjelle të pështirë sikur të mos më ishte çfaqur përsëri tani në fundjavë, kësaj rradhe nga kjo anë e oqeanit, si për të vërtetuar edhe një herë që edhe ne që jetojmë përtej kufijve shqiptarë jemi, nuk kemi ndryshuar.
Në të katër anët po qarkullon një letër që një vajzë shqiptare që kryen punë kërkimore në Universitetin e Otavës i ka shkruar Kryeministrit të Kanadasë Trudo ku i shpreh indinjatën për takimin që ky ka pasur me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe për faktin që e ka quajtur atë mik. Kjo është njëlloj si të fillosh t’i diskutosh Ramës blindimin e makinës. 
Kanadaja ka vënë kandidaturën për në Këshillin e Sigurimit. Është në praktikën e të gjithë shteteve që kandidojnë për forume të ndryshme të OKBsë që të bëjnë fushatë për të mbledhur sa më shumë vota. Në këtë kuadër diplomatët dhe drejtuesit e shteteve kandiduese takojnë diplomatë dhe drejtues të shteteve të tjerë që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është praktikë mëse normale dhe rëndom shfrytezohen forume ndërkombëtare ose samite, siç ishte Konferenca e Munihut për Sigurinë,  në të cilat mblidhen disa kryetarë shtetesh dhe mund të realizohen disa takime brenda një kohe të shkurtër. Thjesht kërkohet vota dhe, ndoshta, si shkëmbim premtohet një favor i të njëjtit standard. Në këtë kuadër Trudeau takoi edhe Presidentin e Iranit, megjithë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve dhe megjithë reaksionin që mund të ketë brenda Kanadasë për këtë. Takimi i Trudosë me Ramën ka qënë brenda kësaj logjike dhe mua nuk më duket se mund të nxjerrim konkluzione nga ky takim - as që Rama është i larë sepse ka takuar Trudonë, as që Trudoja është i ndohtur se ka takuar Ramën.
Në anglisht ka një shprehje: “What doesn’t kill, makes you stronger,” që pak a shumë përkthehet Po s’të vrau, të forcon. Kuptimi i kësaj shprehje është edhe që sulmet e dobëta, të paargumentuara, lehjet dhe sharjet e pambështetura në fakte, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i rrisin imunitetin dhe ndoshta edhe prestigjin atij që sulmohet. Një nga arsyet e forcimit të pozitave të Ramës është paefektshmëria e opozitës dhe atyre që e kundërshtojnë. Rama nuk mund të detyrohet të ikë duke i vënë përpara fakte të paqëna ose argumenta pa vlerë. Rama mund të detyrohet të ikë vetëm me arsyetim bindës, me fakte të pakundërshtueshme, me logjikë dhe pa emocione boshe. Jo rastësisht, deri më sot fushata më e efektshme kundër tij ka qënë mbrojtja e Teatrit Kombëtar.

Friday, January 24, 2020

Mite të provokuara

Shënime nga Artan Gjyzel Hasani mbi librin “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës
Banalizimi i Të Keqes, bërja qesharake e saj është ndonjëherë një mjet më i dobishëm sesa studimet akademike në përpjekjen për të çmitizuar Mitet e rremë. Këtë ka bërë edhe autori Arben Kallamata në romanin e tij, një prozë satirike historike që ngërthen një periudhë kohore nga Zanafilla, krijimin e dy njerëzve të parë mbi Dhe, lindjen e fesë Monoteiste dhe deri në Rënien e Perandorisë Romake.
Të gjitha këto të vendosura në një kontekst domosdoshmërisht Pellazg, miti mbi të cilin ngrihet Parëndësia jonë e Madhërishme.
Libri vjen në një epokë kur busulla pellazge e shqiptarëve, nën efektin e sharlatanizmit dhe amatorizmit bashkëkohor i “tregon” ata në qendër të botës dhe gjuhën e tyre e shpall si gjuha e parë që u fol, madje dhe simbolika e shqiponjës me duar shenjohet që nga Alaska deri në tributë e Afrikës.
Në thelb “Hijet e Muzgut” është një libër kundër mitizimit.
Arben Kallamata, mbartës i një kulture të gjerë e të thellë, në këtë libër hap diafragmën e këndvështrimit të tij duke i dhënë mundësi lexuesit, krejt pa sforcim, të shikojë botën dhe veten nën perceptime origjinale dhe arsyetime të reja. Autori provokon, shpik, sajon situata të cilat vënë në dyshim marrëdhëniet reale të shqiptarëve me veten, me tjetrin e huaj, me historinë e tyre, me veset dhe virtytet e tyre si komb.
“Hijet e Muzgut” është shkruar në një mënyrë tërheqëse.
400 faqet e librit janë fragmentuar në “kapituj” të shkurtër e të zhdërvjelltë që lexohen me po atë kërshëri me të cilën do të shihnim radiografinë pneumonike të gropës së gjoksit tonë kombëtar, nëse kjo gjë do të kishte qenë teknikisht e mundur.
Humori fin, grotesku, situatat e vazhdueshme komike dhe tragjike njëkohësisht, nxjerrin në pah mentalitetin e çuditshëm pellazg të shekullit të 21 ndër bashkëkombasit tanë që si kompensim të të qënurit krejt në hije të vlerave që ofron e sotmja moderne perëndimore, e përfytyrojnë kombin tonë si qendër të botës, gjuhëve dhe qytetërimeve.
Frazat jane ndërtuar në mënyrë të natyrshme dhe pa sforcime që synojnë artificialisht zbukurimin e tyre.
“Hijet e Muzgut” në mënyrë të guximshme dëshmon një nivel sipëran të autoironisë në nivelin kombëtar duke provokuar thellë ndjeshmërinë qesharake pellazge, herë artificiale, e më shpesh absurde të shqiptarëve të sotëm.
Loja me emrat mitike të figurave historike është një tjetër gjetje satirizuese në epokën e sotme ku shpjegimi i origjinës së fjalëve të planetit vetëm nga gjuha shqipe është bërë një zeje kolektive me përdorim gjithnjë e më të shpeshtë. Në thelb Shqipëria e sotme është një vend etimologësh dhe historianësh, dy sëmundje të natyrshme pellazgësh të ditëve tona, ngjitëse më shumë sesa gripi.
Duket sikur libri vjen me vonesë në letërsinë shqipe, por ndonjëherë për realitetet shqiptare vonesa është në fakt koha e duhur. Ne shqiptarët jemi njerëz emotivë dhe përjetimet tona në të mirë në të keqe janë të ekzagjeruara deri në kufijtë e absurdit, shpesh edhe të budallallëkut. Kompleksi i inferioritetit të vendit të vogël kurohet duke shpikur një komb të madh – pak a shumë diçka e ngjashme me trininë folklorike të dhisë, bishtit përpjetë dhe zgjebes.
Kompleksi i një kombi që në vazhdën e historisë vetëm e kanë tkurrur, copëtuar e gjymtuar është te krijimi i mitit të rremë të një populli trim e qëndrestar dhe, paskëtaj të ketë legjitimitetin të mburret me sajesën e vet trimërore duke harruar se mbijetesa nuk përbën kurrë një arsye për t’u mburrur, pasi në thelb nuk është tjetër, por arma e vetme e të dobtëve dhe të pafuqishmëve.
Shqiptarët duhet të fillojnë të riformatojnë raportet e tyre me historinë dhe vendin e tyre në histori, raportet e tyre me madhështinë dhe thjeshtësinë, me fajin dhe fajtorët, veten dhe tjetrin e huaj. Çdo çmitizim i Gënjeshtrës i shërben afrimit me të Vërtetën dhe ky afrim i bën njerëzit dhe mentalitetin e tyre Racional. Dhe pikërisht Racionaliteti është tipari që na mungon ne shqiptarëve tradicionalisht. Leximi i këtij libri të Arben Kallamatës mund të shërbejë si hap i parë në rrugëtimin tonë drejt hapjes së mendjeve tona të mbyllura nga madhështitë tona të vockla.
Një sugjerim, ndoshta në një botim të dytë titulli i librit mund të jetë ndryshe. “Hijet e Muzgut” është peshë e lehtë për një libër kaq të rëndë në brendinë e tij, pasi nuk kemi të bëjmë me një romancë apo narracion melodramatik me muzgje dashurish dhe hije kujtimesh, por me një prozë historike satirike që ngërthen mijëra vjet  brenda vetes, Zotin si personazh dhe Zanafillën e jetës, Zullumet Pellazge të vdekatarëve, Perandoritë dhe qytetërimet e famshme antike, heronjtë e filozofët e tyre, krijimin e Fesë monoteiste, luftërat e mëdha të epokave, e shumë më tepër.
Dhe së fundmi, edhe dy fjalë që marrin shkas jo nga “Hijet e Muzgut”, por nga jehona e tij në media dhe ndër lexues: Për librat e mirë duhet folur, por edhe duhet shkruar, në mënyrë që në kaosin e sotëm të botimeve dhe në epokën e grafomanisë librat e mirë të mos humbasin e të injorohen në harresë. Në Shqipëri mungon Kritika letrare si institucion, mungojnë kritikët e mirëfilltë dhe ata pak që janë shumë shpesh notojnë në ujërat e sigurta klienteliste të qokave.  
Kështu që “barra” e vënies në dukje të vlerave fatkeqësisht  na bie ne autorëve që duhet të tejkalojmë veten dhe egot personale, njohjet e mosnjohjet, simpatitë dhe antipatitë njerëzore, cmirat dhe zilitë e zakonshme mes artistëve dhe krijuesve,  dhe të kuptojmë që edhe vlerësimi realist i veprës së mirë të një autori të ri, apo të panjohur për ne në thelb bën pjesë në krijimtarinë tonë personale letrare dhe në kontributin që ne si autorë mëtojmë të japim në Letrat shqipe. E kush më mirë se vetë shkrimtarët mund të shërbente për lexuesit si guida orientuese drejt letërsisë së mirë?
Toronto, Janar 2020

LIBRI\ Davariten “Hijet e Muzgut”…

 
Intervistë ekskluzive me shkrimtarin Arben Kallamata
Toronto- Kanada
 
Vetëm pak ditë më parë, në Toronto u promovua romani “Hijet e muzgut”, i autorit shqiptar Arben Kallamata. Kështu, libri i shtëpisë botuese “Toena”, i paraqitur për herë të parë në Panairin e Librit “Tirana 2019” në nëntorin e kaluar, më në fund bëhet i njohur edhe për lexuesin shqiptar që jeton në Kanada. Eventi i njoftuar para disa javësh, mblodhi miq e dashamirës të shumtë të librit shqip, duke tejkaluar pritshmëritë e organizatorëve. Madje disa dhjetra amatorë të letërsisë, patën rastin ta kenë romanin “Hijet e muzgut” edhe me një autograf të autorit. Nisur edhe nga interesimi në rritje i lexuesve shqiptarë të provincës së Kebekut e më gjerë, Albanian Montreal Press sjell shkrimtarin Arben Kallamata, në një intervistë ekskluzive, ku ai zbulon përmbledhtaz rrugëtimin e tij, ngjarjet në roman, përzgjedhjen e personazheve dhe qëllimin e tij si autor duke ia lënë lexuesit vlerësimin dhe gjykimin e mëtejshëm për gjithçka ndodh në roman.
 
Libri juaj “Hijet e Muzgut” botuar në nëntor 2019 trajton me gjuhën e satirës argumente shumë interesante mbi historinë e qytetërimit. Na thoni dy fjalë më shumë për këtë si edhe rëndësinë që ka ky botim për ju.
 Para së gjithash dua të theksoj se bëhet fjalë për një roman, pra për letërsi artistike, imagjinare. Pavarësisht se tema është historike, pavarësisht se një pjesë e personazheve janë historikë dhe shumë ngjarje përputhen me ç’ka ka ndodhur historikisht, “Hijet e Muzgut” nuk është gjë tjetër veçse krijim letrar. Si i tillë libri nuk ka për qëllim dhe nuk merr përsipër të argumentojë. Si krijues, unë thjesht kam këndvështrimin tim për ngjarjet historike dhe do të më pëlqente që lexuesi të tregohej mendjehapur dhe dyshes si ndaj meje ashtu edhe ndaj mënyrës se si ai vetë e ka perceptuar historinë deri tani. Në fund të fundit, ka arsye të forta që një pjesë e mirë e historisë që na është mësuar, ose që vazhdon të na mësohet të shihet me dyshim. Na janë paraqitur si vlera pikërisht ato që kanë qënë anti-vlera, na janë paraqitur si ndriçuese ato forca që sollën t’errin njëmijëvjeçar, na janë paraqitur si promotorë të zhvillimit pikërisht frenuesit e dhunshëm dhe të vetëdijshëm të zhvillimit. Jam munduar që satirën në libër ta përdor në mënyrë organike, pra aty ku duhet, aty ku është e domosdoshme dhe jo të bëj satirë për hirë të satires, siç mund të jenë, ta zemë disa mite, kulte, apo idhuj që ne i marrim si të mirëqenë. Prej kohësh ka zënë vend mes nesh dhe është ngurtësuar miti i popullit më të lashtë të rajonit dhe të botës, i kombit të parë, autokton, domethënë vendas në atë territor që kur është krijuar bota. Ky është absurditet. Eshtë ngritur dhe trumbetohet miti i gjuhës më të vjetër, më të pasur, më të pastër të rajonit dhe të gjithë botës, deri në budallallëkun që thuhet se është gjuha me të cilën flisnin perënditë, edhe ato të Olimpit dhe ato të Egjiptit të Lashtë. Të njëjtët njerëz që flasin për gjuhën e perëndive betohen për dhe i falen Perëndisë së besimit monoteist. Këtyre i bashkëngjitet edhe marrëzia tjetër, prirja për t’i nxjerrë të gjithë figurat e rëndësishme, historike dhe aktuale, me origjinë shqiptare. Veçanërisht ata që mbahen si heronj, si heronj pozitivë, sepse ata të tjerët ‘të liqtë‘ nuk mund të jenë shqiptarë. Eshtë një krekosje e përbashkët qesharake të cilës nuk ke se si të mos i përqasesh me satirë. Kur Rilindasit formëzuan idenë e krijimit të Kombit shqiptar u pa e arsyeshme të qëmtoheshin pika të historisë që do të ndihmonin në krijimin e një miti të përbashkët, të domosdoshëm për formëzimin e krenarisë kombëtare, krenarisë që do t’i nevojitet një kombi që porsa po krijohej në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të ’20-të. Puna e tyre funksionoi për bukuri. Vetëdija kombëtare u krijua, shteti, megjithëse i cunguar, u formua. Kjo ndodhi mëse një shekull përpara. Nuk ka asnjë arsye që ne sot, në shekullin e njëzetenjë-të të vazhdojmë t’i biem gjoksit për vlera që s’kanë pikë rëndësie dhe të mos marrim parasysh të tjerat, ato të domosdoshmet. Aq më tepër të sajojmë çdo ditë marrëzira të reja. Ne sillemi si rrugaçë, bërtasim lartë e poshtë, nuk jemi në gjendje të bëjmë një palë zgjedhje për të qenë, i hakërrohemi njëri-tjetrit dhe madje edhe ngremë dorë kundër njëri-tjetrit, ndërkohë që mburremi si populli më i lashtë, me gjuhën më të vjetër. Për çfarë e përdorim ne gjuhën më të vjetër? Për ta bastarduar në medie në mënyrën më të shëmtuar, për t’u grindur në ekran duke folur të gjithë përnjëherësh. Që në vitet ’30-të të shekullit të njëzetë intelektualë si Branko Merxhani dhe Vangjel Koça, flisnin për ‘neo-shqiptarizmën’, për idenë e mbështetjes së vetëdijes shqiptare te kultura, te përparimi, te një shoqëri e ngritur, elitare, dhe jo te vlera të pavërtetueshme të së kaluarës. Po bëhet një shekull dhe ende nuk kujtohemi t’ia vemë veshin seriozisht kësaj ideje. Sa për pjesën e dytë të pyetjes, natyrisht që botimi ka shumë rëndësi për mua si autor, sepse romani “Hijet e Muzgut” më ka dhënë mundësi të shpreh vetveten. Sidoqoftë, e rëndësishme është se çdo të jetë ai për lexuesit – a do të ketë vlerësimin e tyre. Deri tani jam i kënaqur nga pritja.
 
Duke qenë roman historik, me siguri u është dashur të studioni edhe periudhat përkatëse dhe t’u referoheni dokumenteve historike. Sa kohë iu është dashur të përgatiteni për këtë libër?
 Eshtë e vërtetë që kam lexuar shumë, veçanërisht për periudhën e para-rënies së Romës. Por këtë lexim nuk e kam bërë si studiues i historisë, pasi as kam pasur ndërmend dhe as pretendoj të shkruaj libër historie. Unë kam lexuar thjesht me kureshtje, pasi historia është një nga pasionet e mia. Gjithashtu më ka tërhequr qytetërimi romak, ajo periudhë e mahnitshme e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ku u arritën lartësi të paimagjinueshme në arkitekturë, në shkencë, në letërsi, në pikturë dhe në skulpturë, në zhvillimin e administratës dhe vendosjes së ligjeve, në komunikim – në të gjitha fushat e jetës. Ne e njohim pak atë periudhë dhe fatkeqsisht e njohim përmes këndvështrimit të atyre që e kanë shkatërruar. Shumë informacion ose është zhdukur, ose mbahet i fshehtë ose, në rastin më të rëndomtë, është shtrembëruar. Unë jam përpjekur të lexoj autorë të ndikuar pak ose aspak nga ideologjitë sunduese pas-romake, autorë mendjehapur që e shohin zhvillimin e historisë pa filtra ideorë. Dhe jam përpjekur të krijoj këndëvshtrimin tim sa më të pavarur për atë që ka ndodhur dhe për shkaqet që sollën shkatërrimin e gjithë atij qytetërimi. Për këtë më është dashur kohë. Megjithatë, për të shkruar “Hijet e Muzgut” dhe për të mbledhur materiale specifike për të, më janë dashur rreth pesë vjet.
 
“Hijet e Muzgut” është rekomanduar për t’u lexuar nga njerëz të letrave shqipe. Si mendon se do të ndikojë kjo te lexuesi?
 Eshtë e vërtetë që romanin e kanë rekomanduar gjerësisht në rrjetet sociale gjë që për mua ka qënë kënaqësi. Më pëlqen kur vlerësohem nga çdo lexues dhe ia di për nder kujtdo që, së pari e lexon librin tim dhe, së dyti, merr shpreh mendim për të. Për mua nuk ka shumë rëndësi që lexuesi të pajtohet me këndvështrimin tim. Secili prej nesh ka dhe duhet të ketë këndvështrime të ndryshme. Për mua është vlerësim edhe qëndrimi kritik, edhe një mospajtimi. Natyrisht që më bëhet qefi shumë kur mësoj që librin e kanë lexuar dhe e diskutojnë edhe njerëz seriozë, të kualifikuar dhe profesionalë, fjala e të cilëve ka peshë. Prej tyre lexoj me kurreshtje mendimin që kanë për stilin, për gjuhën, për strukturën e romanit. Çdo rekomandim që jepet për librin shton kurreshtjen dhe shton numrin e lexuesve. Si autor dëshiroj dhe shpresoj që vepra ime të lexohet nga sa më shumë njerëz.
 
Komuniteti shqiptar në Kanada është tashmë i konsoliduar prej vitesh. Madje po rritet edhe brezi i dytë i shqiptarëve të ardhur pas viteve ‘90-të. Sipas jush, cila është pesha që duhet të ketë një botim i shkruar shqip për brezat që rriten larg Shqipërisë?

Ka dy pika të rëndësishme në pyetjen tuaj. Së pari, është fjala ‘shqip’. Domethënë ka rëndësi që letërsia që iu jepet atyre të jetë në gjuhën shqipe - në një gjuhë të pastër, të pasur, të larmishme shqipe. Po aq sa jam kundër përpjekjeve për ta nxjerrë shqipen si gjuhën më të vjetër të botës, po aq edhe dua që shqipja të mbetet një gjuhë e bukur, e logjikshme, e zhdërvjelltë, e pabastarduar, një gjuhë pa ndikime, pa struktura gramatikore të deformuara. Brezi i ri i shqiptaro-kanadezëve pikërisht për këtë ka nevojë, për një letërsi shqipe me një gjuhë të pastër shqipe. Anglishten dhe frëngjishten ata i dinë vetë. Nga ana tjetër, brezi i ri i shqiptaro-kanadezëve rritet në afërsi me arritjet më të larta të kulturës botërore, rritet në mjediset ku janë shkruar romanet e Margaret Atwood e Timothy Findley, tregimet e Alice Munrosë, me poezitë e Leonard Cohen, për të mos folur për afërsinë që ka me kulturën që vjen nga poshtë kufirit, nga Amerika. Pra është lexues me kërkesa, nëqoftëse është lexues. Eshtë e frikshme t’iu afrohesh atyre me një libër në shqip. Eshtë përgjegjësi e madhe. Po arrite t’ua fitosh zemrën, është sukses i jashtëzakonshëm. Në fund të fundit unë do të desha që ata ta vlerësonin veprën letrare në shqip jo duke e parë me syrin patriotik, si një qeleshe apo flamur kuqezi që vjen nga atdheu, por duke gjetur në të vlera të vërteta gjuhësore dhe artistike, një letërsi bashkëkohore e moderne.
Bisedoi: Blerina Ruka
 
https://www.facebook.com/notes/albanian-montreal-press/libri-davariten-hijet-e-muzgut/813234089103962/

Martesë me përdhunuesin


Martesë me përdhunuesin është ligji që Erdogani po përpiqet të kalojë në Parlamentin turk. Nuk ka gjë më të fëlliqur. Ligji iu jep mundësi pedofilëve dhe përdhunuesve t’i shpëtojnë burgut nëqoftëse pranojnë të martohen me viktimat e tyre. Me një fjalë, viktimat e përdhunimit detyrohen të vazhdojnë të përdhunohen përjetësisht nga kriminelët. Nuk ka shprehje më të qartë se kjo të mendësisë që e sheh gruan si mall, si pronë.

Megjithatë, ky ligj nuk është as i ri, as i paparë e as i padëgjuar. Sipas Wikipedias, martesa e dhunuesit me viktimën e vet është parë historikisht si zgjidhje e logjikshme. Në shoqëritë e hershme ‘virgjëria’ konsiderohej cilësi e çmuar për femrat dhe viktimat e përdhunimeve nuk kishin shumë shanse që të martoheshin nëse e humbisnin. Për këtë arsye ligji i detyronte përdhunuesit të martoheshin me viktimat.
Një nga referencat më të hershme gjendet në librin e Ligjit të Përtërirë (Deuteronomy) 22 :28 – 29 të Dhiatës së Vjetër: ‘Nëse një burrë gjen një vajzë që është e virgjër dhe e pazënë dhe e kap atë dhe shtrihet me të dhe kjo punë merret vesh, atëherë burri që është shtrirë me të duhet t’i japë të atit të vajzës pesëdhjetë shelekë argjendi dhe ajo duhet të bëhet gruaja e tij, sepse ai e ka dhunuar; ai nuk mund ta divorcojë asnjëherë.’ Pra, nuk ka rëndësi që vajza ka pranuar apo nuk ka pranuar të kryejë aktin seksual, dhe pavarësisht nëse ajo ka apo jo dëshirë të martohet me këtë burrë, burri është i detyruar të martohet me të dhe t’i paguajë prindërve të saj një pajë për ta zgjidhur konfliktin.
Dhiata e Vjetër nuk e specifikon nëse akti seksual kryhet me dhunë apo jo. Në mesjetën e krishterë europiane, një burrë mund të ‘përdhunonte’ një grua dhe pas kësaj ajo kishte të drejtë të zgjidhte, ose ndodhej në presion për të zgjedhur nëse do martohej apo jo me përdhunuesin, pasi pas aktit ajo konsiderohej mall i dëmtuar dhe me mundësi shumë të pakta për t’u martuar.
Në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore ligjet e martesës me përdhunuesin të vendosura fill pas fitimit të pavarësive në mes të shekullit të njëzetë e kishin zanafillën në një përzjerje të traditave ekzistuese arabe të zonës, ligjshmërisë islamike (shkollës Hanafi), ligjeve Perandorake Otomane dhe ligjeve europiane (franceze dhe Britanike). Gruaja është trajtuar historikisht si pronë e të atit. Kur përdhunohej ajo shihej si mall i prishur, prandaj dhunuesi duhej ose të paguante dëmshpërblim ose të pranonte të merrte gjënë e dëmtuar dhe të martohej me viktimën.
Ligjet e martesës me përdhunuesin kanë qënë të përhapura në të gjithë botën deri në vitet 1970të. Në 1997 ligje të tilla kishin 15 vende të Amerikës Latine, Argjentina, Brazili, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Hondurasi, Nikaragua, Panamaja, Peruja, Paraguaji, Republika Dominikane, Uruguaji dhe Venezuela. Italia ka pasur ligje të ngjashme deri në vitin 1981.
Sipas një raporti të një grupi të Bankës Botërore deri në vitin 2017 ligjet e martesës së viktimës me përdhunuesin i mbanin ende 12 vende -  Angola, Bahrain, Guinea Equatoriale, Eritrea, Iraku, Jordania (e ka hequr në Gusht 2017), Lebani, Libia, Palestina, FIlipinet, Siria, dhe Tunizia (e ka hequr në Korrik 2017)
Sulltani Erdogan po bën edhe një hap tjetër drejt ligjeve të kohës së Kalifatit.