Thursday, January 21, 2021

Lajthitje Logjike*


Lexova një status dje ku thuhej se në Gjermani 33 persona të vaksinuar mbas një jave janë testuar dhe kanë dalë pozitivë me Covid-19. Ky fakt interpretohej të paktën siç e kuptova unë, si prove që vërtetonte se vaksinat nuk janë krijuar për të mbrojtur nga virusi por për qëllime të tjera, të errëta.

Duke pasur vërtet respekt për atë që e kishte postuar statusin, unë i bëra vetëm një koment të thatë, ku shpreha mendimin se, meqënëse vaksinat deklarohen se mbrojnë në një përqindje të caktuar, atëherë do të ketë dhe një përqindje njerëzish që nuk mbroheshin prej tyre. Pra, nëse thuhet se vaksina mbron 97 perqind, është krejt normale që në 100 vetë 3 do të jenë më të prekshëm nga virusi.

Përgjigja që mora ishte thjesht konstatim që mua më mungonte logjika. Prandaj e tërhoqa komentin dhe nuk e ndoqa më atë fill bisede.

Sidoqoftë kur dikush për të cilin ke mendim pozitiv ta thotë në fytyrë se nuk ke logjikë, ia vlen të përpiqesh të kuptosh se çfarë mund të çalojë me logjikën tënde. Prandaj e vura në dyshim atë që kisha shkruar dhe u vura të verifikoj

Kërkova në disa burime, por po sjell këtu një shpjegim disi të përmbledhur dhe të qartë që gjeta te « The Conversation’ (Bashkëbisedimi) – një rrjet portalesh të medias jo-qeveritare që boton në Internet artikuj të shkruar nga akademikë dhe kërkues shkencorë. Ja shpjegimi :

Nëse Pfizer/BioNTech raporton se vaksina e tyre është 90% e efektshme, kjo do të thotë se vaksina e tyre ka parandaluar simptoma të COVID-19 në 90 përqind të atyre që e kanë marë vaksinën në krahasim me placebon. Shkencëtarët mendojnë se kjo shifër, e përcaktuar në kushtet e studimeve klinike është shumë e lartë dhe, gjatë përdorimit të gjërë do të vazhdojë të bjerë përgjatë përballjes me realitetin. Shumë pak vaksina të prodhuara deri më sot arrijnë të kenë efektivitet mbi 90%. Vaksinat e gripit e kanë veprueshmërinë 40% deri në 60% dhe megjithatë përdorimi i tyre mbron me miliona jetë njerëzish. 

Pra asnjë vaksinë nuk parashikohet të mbrojë 100% të njerëzve. Autoritetet e shëndetsisë në vende të ndryshme miratojnë përdorimin e vaksinave që kanë aftësi parandaluese mbi 50%.

Këto janë të vërtetat shkencore, që shkruajnë shkencëtarët dhe ato duhen lexuar ashtu siç janë. Pra, jo me paragjykimin që dikush po pretendon se me të marrë vaksinën mund të lëshohesh e të përqafosh rrugëve këdo që të të dalë përpara. Kur marrim vaksinën ne bëjmë një hap përpara për të ndaluar përhapjen e një sëmundjeje të rrezikshme, që mbetet gjithsesi e rrezikshme.

Kështu e kap logjika ime këtë temë. Logjika ime më thotë që kur flitet për shkencë të anoj më tepër te mendimi i komunitetit kërkimor-shkencor dhe jo te teoritë konspirative. Me logjikën time, kur flitet për vaksinën unë iu besoj më shumë shkencëtarëve dhe studiuesve, atyre që kanë zhdukur polimelitin, fruthin, rubeolën dhe plot sëmundje të tjera dhe vazhdojnë të punojnë për të mirën e njerëzve duke shfrytëzuar dijet e tyre të marra në vite e vite shkollimi në universitetet më të mira që ka bota. Me logjikën time unë nuk iu shkoj pas teorive të gjeneruara nga njerëz me kapacitete intelektuale, morale dhe etike të dyshimta që përhapin idenë se gjithë qeveritë e botës janë bashkuar në një konspiracion të heshtur të organizuar nga Soros dhe Bill Gates për t’i injektuar njerëzimit mikroçipe e për t’i kthyer në zombie.

Shënim : Lajthitje logjike janë argumentat që mbështeten në arsyetim të gabuar, megjithëse në pamje të parë duken mjaft tërheqëse për një lexues të pavëmendshëm. Zakonisht ato ndahen në tre grupe të ndryshme : lajthitje të ethosit (karakterit), pathosit (emocioneve) dhe logosit (logjikës).

Tuesday, January 19, 2021

Pëllumbi i Paqes?!

Pas pretendimit se do të ishte Presidenti që do ta bënte Amerikën të madhe përsëri, që nuk ndodhi (përkundrazi, Amerika ra në Janarin e 2021 në pikën më të ulët të saj që nga Lufta Civile); pas shpresës se do të luftonte establishmentin, megjithëse si miliarder ai ishte vetë establishmenti dhe s’kishte se si të luftonte shtresën e vet dhe nuk e luftoi; pas pritjes së kotë që të kthente bizneset e larguara; pas fantazisë së shthurrur se po lufton komunizmin imagjinar të miliarderëve dhe politikanëve si Obama apo edhe Mitch MCConnell, së fundi ka dalë, nuk dihet nga ç’sirtar argumenti që Trump është presidenti më paqësor në historinë e Amerikës.

Ky argument vështirë se do ta justifikojnte përpjekjen për të shkatërruar me çdo mënyrë, duke përfshirë edhe dhunën, rendin kushtetues të demokracisë më të konsoliduar në botë. Sepse historia njeh jo pak raste satrapësh e kriminelësh të neveritshëm që nuk iu kanë hapur luftë vendeve të tjerë, si për shembull Enver Hoxha, Kim Jong-un-i, Fidel Kastro, Pol Pot, Mbreti Leopold II apo edhe Vladimir Iliç Lenin.


Megjithatë ia vlen të shihen edhe faktet për t’u mësuar nëse Trump është vërtet pëllumbi i paqes që po na paraqitet, nëse është vërtet humanisti zemërdhembshur që nuk pranon të bëjë luftra se i dhimbsen viktimat e pafajshme.  

Me t’u bërë President Trumpi  i hoqi ushtrisë amerikane dhe CIA-s kufizimet për goditjet arjore dhe me dronë. Në Mars të vitit 2017 administrata e tij i dha dorë të lirë CIA të kryente sulme me dronë pa qënë nevoja t’i merrte leje Pantagonit apo Shtëpisë së Bardhë.

Në të njëjtën kohë ai hoqi të gjithë rregullat e administratës së Obamës që kërkonin ‘thuajse garanci të plotë‘ se nuk do të kishte vdekje civilësh para se të merrej vendim për goditje me dronë jashtë zonave zyrtarisht në luftë. Paralelisht me këtë, me urdhër ekzekutiv Trump hoqi e qeverisë amerikane detyrimin për të raportuar numrin e civilëve të vrarë nga dronat.

Rezultati? Brenda gjashtë muajve të parë të presidencës së Trumpit Shtetet e Bashkuara kanë vrarë në Irak dhe në Siri më tepër civilë se sa në kohën e Obamës kur luftohej kundër ISIS. Sipas Pentagonit në 2017 janë vrarë nga ushtria amerikane 499 civilë, megjithëse numri mendohet të jetë më i lartë.

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara shkruan se në vitin 2019 forcat e drejtuara nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan kanë vrarë më tepër civilë se sa Talibani dhe ISIS bashkë (305 kundrejt 227 për periudhën Janar – Mars 2019).

 Zyra Gazetarëve Hetimorë llogarit që goditjet amerikane me dronë në Jemen gjatë vitit 2017 të jenë shtuar 300 perqind. Po kështu rritje patën edhe goditjet me dronë në Somali. Airwars, organizatë monitoruese me qendër në Britani, raporton se gjatë vitit 2020 në Jemen janë vrarë të paktën 86 civilë nga sulmet e drejtpërdrejta të dronave amerikane. Ndërkohë The Daily Beast shkruan se gjatë tetë vjetëve kur President i SHBA ka qënë Obama janë kryer 186 sulme me dronë në Jemen, Somali dhe Pakistan, ndërsa vetëm në dy vjetët e parë të presidencës së Trumpit u kryen 238 të tillë. Vetëm në Jemen gjatë dy vjetëve të parë të Trump ka pasur 176 goditje ajrore, krahasuar me 154 të kryera atje në të tetë vjetë të presidencës së Obamës.  

Friday, December 18, 2020

Ekspozita e Parë e Artit

Në 18 Dhjetor 1994, tre kërkues shpellash po eksploronin një kanion në jugë të Francës, kur ndjenë një rrymë të ngrohtë ajri që vinte nga një pirg gurësh. Zhvendosja e tyre nxorri në dritë një shpellë gjigande që kishte qëndruar fshehur nga bota e jashtme për qindra shekuj. Brenda shpellës u gjetën mbi 200 piktura murale kafshësh që dikur vërtiteshin të lira në Francë dhe në gjithë Europën – rinocerontë, luanë, arinj dhe bizonë - portrete të mrekullueshme që edhe sot vazhdojnë të konsiderohen si pikturat më të vjetra në botë.

Zbulimi i asaj që do të njihej më vonë me emrin e njërit prej kërkuesve si Shpella Shovè shkaktoi një tërmet të vërtet në qarqet akademike, ndërkohë që pjesa tjetër e botës nuk pati shumë rast të njihej me të. Ngjarja u pasqyrua përciptazi në disa njoftime lajmesh dhe publikut të gjerë nuk i iu dha shumë rasti të njihej me pikturat sepse shpella u vulos menjëherë dhe në të lejohet hyrja vetëm për kërkime shkencore.

Sipas studimeve, vizatimet janë krijuar rreth 35,000 vjet më parë dhe kanë natyrë fetare. Shpella, që ndodhet në zonën Ardeche, në Francën Jugore, nuk duhet të ketë qënë ndonjëherë e banuar nga njerëzit. Ajo është në fakt një rrjet galerish të errëta nëntokësore, disa prej të cilat arrinin lartësinë 30 metra dhe gjatësinë 70 metra. Artistëve të Epokës së Gurit do t’iu jenë dashur me siguri pishtarë për të ndriçuar aty brenda.

Vizatimet flasin për një nivel aftësish artistike që i befasoi shkencëtarët. Ato janë vërtet kryevepra ku ndërthuren teknika të lëvizjeve me dritë-hijet dhe këndvështrimi perspektiv. Por shpella Shovè nuk është thjesht zbulimi më i madh artistic i dhjetëvjeçarit. Ajo mund të japë përgjigje edhe një prej mistereve më të mëdha të shkencës – evoluimit të mendjes krijuese të njeriut.

Mendohet që Homo sapiens u zhvilluan fillimisht përpara 150,000 vjetësh në Afrikë. 50,000 vjet më vonë ata filluan të shpërndahen nëpër botë. Megjithatë, nuk ka asnjë të dhënë që të tregojë që arti të ketë ekzistuar më herët se sa 40,000 e fundit. Pikërisht në këtë periudhë, dhe në 12,000 vitet në vazhdim në Australi, në Europë dhe në Afrikë duhet të ketë ndodhur një revolucion intelektual i pashpjegueshëm, gjatë të cilit filloi të prodhohej art. Shkencëtarët e kanë ende të pamundur ta shpjegojnë se si mund të jetë zhvilluar arti thuajse njëkohësisht në tre zona kaq të largëta nga njëra-tjetra. Ndoshta gjurmët e shpellës Shavej do të ndihmojnë që një ditë t’i jepet përgjigje pyetjes se si dhe pse pikërisht në atë periudhë njerëzimi u bë i aftë që të mendonte simbolikisht.  

Shënim: Kur hapa kompjuterin në mëngjes, pashë se Google sot përkujtonte 26 vjetorin e zbulimit të Grotte Chauvet, Shpellës Shovè. Kam parë një dokumentar dhe kam lexuar dy-tre artikuj në lidhje me këtë zbulim të mrekullueshëm. M’u kujtua edhe se ndërmjet teksteve të mësimdhënies kisha edhe një lexim jo të gjatë, të cilit për fat të keq nuk ia di autorin por që më ka lënë shumë mbresa. E përktheva për ta postuar këtu. Kush ka interes, do t’i rekomandoja të ndiqte lidhjen e mëposhtme për të mësuar më shumë rreth këtij zbulimi. Eshtë një bashkëpunim i Google me UNESCO-n.

https://artsandculture.google.com/project/chauvet-cave

Wednesday, November 25, 2020

I dashur mik, virtual apo real,

Për mua vlera më e madhe që solli kalimi nga diktatura në demokraci është liria e gojës. Jo liria për të ngrënë pa tollon, por liria për të folur, për të shprehur hapur atë që mendon. Unë e kuptoj demokracinë si një mjedis ku lulëzojnë shumë mendime dhe ku secili ka të ketë të drejtë të shprehë lirisht të vetin, veçanërisht kur bije fjala për politikanë, për të ashtuquajturit ‘lidera’. Në liri kushdo ka të drejtë të krijojë parapëlqimet e veta politike dhe të përkrahë politikanët që ia mbushin mendjen.

Prandaj të lutem, i dashur mik, kuptoje që unë kam të drejtë të jap mendimin tim, të çmoj apo përçmoj cilindo politikan që më do qefi. Kam të drejtë të ngre lart, apo të ul poshtë këdo parti apo rrymë politike, ideologjike, propagandistike a fetare që e shoh të arsyeshme. Kam të drejtë ta shpreh hapur mendimin tim. Kjo është e drejta që ma jep demokracia.  Politikanët dhe partitë politike janë figura publike dhe duke pranuar të jenë të tilla, kanë pranuar vetë të vihen në shënjestër të gjykimit tonë, domethënë edhe të gjykimit tim si qytetar i lirë, dhe ky gjykim mund të jetë pozitiv, siç mund të jetë edhe negativ.

Ti, i dashur mik, nuk ke përse të ndihesh i fyer kur unë ul poshtë një politikan, njëlloj siç nuk kam as unë arsye për t’u ndjerë i fyer kur ti e ngre atë lart. Anasjelltas, unë s’kam përse të ndihem i fyer kur ti shan dhe abuzon politikanët që ti i mendon si të padenjë, siç edhe ti nuk ke përse të ndihesh keq kur unë ngre lart ndonjërin që mund të adhuroj (megjithëse në rastin tim kjo nuk ndodh thuajse kurrë). Për ta thënë më shkurt, nuk ka asnjë arsye përse të ndihesh i fyer nga unë. Kur unë kritikoj politikanin nuk e kam me ty, por me politikanin. Në rastin e politikanëve, edhe po të jenë pjestarë të afërt të familjes tënde, unë përsëri e kam me ata, jo me ty. Se ç’mendon ti për ta , është puna jote.  

E përsëri, më duhet ta pranoj që edhe ti ke të drejtë të ndihesh i fyer. Kjo puna e fyerjes, e të ndjerit i fyer domethënë, është kthyer si modë këto kohët e fundit. Me një fjalë ka filluar të çfaqet një hollim ndjenjash i paparë ndonjëherë. Disa e kanë bërë si modë që, porsa dëgjojnë apo lexojnë diçka që nuk iu pëlqen, hidhen e thonë : ‘Ndihem i fyer’, ose ‘Eshtë fyese’, ose ‘Na prek ndjenjat’. Normalisht këtyre ankesave qaramane i duhet dhënë përgjigja : ‘Pune e madhe shumë.’ Megjithatë, për hir të të qënit deri në fund i paanshëm më duhet të them se po, ti ke të drejtë të ndihesh i fyer.

Është e drejta jote të ndihesh si të duash nga çfarë lexon lart e poshtë. Njerëzit kanë regjistra emocionalë të ndryshëm dhe unë nuk kam asnjë autoritet të përcaktoj se kur dhe sa duhet t’i preken telat e zemrës të tjerëve. Por, meqënëse ke të drejtë të ndihesh i fyer, kjo nuk do të thotë se ti ke të drejtë të kthehesh e të më fyesh mua, drejtpërdrejt, si njeri, vetëm e vetëm se unë kam ulur idhullin tënd, liderin tënd, njeriun për të cilin ti ke votuar, ose ke dashur të votosh në pamundësi të të drejtës për të votuar. Sepse unë, në rastin më të keq po fyej atë, ndërsa ti po vjen e më fyen mua. Sikur nuk shkon, apo jo?

Megjithatë, jetojmë në një botë të lirë dhe ti mund të thuash se edhe këtë të drejtë e ke, domethënë të drejtën të shprehësh mendimin tënd për mua, pra mund të thuash se ke të drejtë të më fyesh mua (në atë shkallë sa ta lejon ligji). Për hir të lirisë së shprehjes unë do ta pranoj edhe të drejtën që ke ti që të shprehësh mendime fyese në lidhje me mua. E pranoj, është e drejta jote.  

Por nëse ti e ushtron këtë të drejtë, pra të drejtën për të më fyer mua drejtpërdrejt, në publik, në faqen time, ose tëndën, ose të përbashkët të facebookut, mos prit të mbetesh miku im. Real, jo e jo, por as virtual. Pavarësisht se këtu në fb jemi  bërë të gjithë si këmbët e dhisë dhe quajmë ‘miq’ me të njohur e të panjohur, vazhdon të mbahet në këmbë një farë kuptimi redimentar i fjalës ‘mik’. Dhe shkalla e parë e të qënit ‘mik’ në facebook është pikërisht kjo – përmbajtja për të mos e fyer tjetrin. Dhe me fjalën 'tjetrin’ unë kuptoj mikun, virtual apo real, dhe jo politikanin.

Prandaj, i dashur mik real apo virtual, përpara se të vesh gishtat mbi tastjerë dhe të fillosh t’i përgjigjesh gjithë emocion statusit tim për këdo politikan apo figurë publike, për cdo broçkull idologjike apo politike, për çdolloj idhulli apo të adhuruari që ekziston në botën reale apo imagjinare të njerëzimit, do të ishte mirë të merrje një herë frymë thellë, të numëroje deri në dhjetë dhe të mendoheshe: A dua vërtet ta fyej këtë mikun tim në facebook dhe ta prish një herë e përgjithmonë miqësinë (reale apo virtuale) me të? A ia vlen ta humbas një mik për hir të mënyrës se si ndihem unë në lidhje me filan politikan? A më bën nder mua fyerja publikisht e një njeriu që e njoh dhe me të cilin kam marrëdhënie normale, njerëzore, për arsyen e vetme se ai ka mendim të ndryshëm nga unë në lidhje me dikë që ndodhet larg, tepër larg nesh dhe që s’ka as idenë më të vogël të ekzistencës time, të mikut tim, dhe të të gjithëve të tjerëve rrotull nesh?

Nëse me gjak të ftohtë kësaj pyetjeje i përgjigjesh po, domethënë nëse vërtet mendon se ia vlen ta prishësh miqësinë me mua për shkak të idhullit tënd, atëherë vazhdo, jepu gishtave. Edhe unë nuk do të hezitoj të të heq nga lista e miqve, si nuk kam hezituar të heq, për të njëjtën arsye, një numër jo të vogël para teje, duke përfshirë ndër ta edhe njerëz për të cilët kam pasur dikur respekt dhe i kam ditur si të kulturuar.

Nëse, nga ana tjetër, ti nuk fyesh nga ato që them unë për atë politikanin apo politikën, ose nëse fyesh por di ta përmbash veten dhe nuk të shkon ndërmend të më fyesh mua si shpagim për fyerjen që ndjen vetë ngaqë të është sulmuar idhulli, atëherë ne mbetemi miq dhe unë do të di ta vlerësoj këtë miqësi. Unë do të dij ta respektoj mendimin tënd, sado i ndryshëm të jetë nga i imi. Në fakt, një nga kënaqësitë më të mëdha që më jep facebuku është pikërisht mundësia për të shkëmbyer mendime, vecanërisht mendime të kundërta. Unë asnjëherë nuk i jam shmangur kësaj dhe e kam parë si gjimnastikë për mendjen dhe si mundësi për ta forcuar, jo dobësuar miqësinë. Miqtë që mendojnë ndryshe mua nuk më fyejnë - përkundrazi, më ndihmojnë të vras mendjen dhe të kontrolloj mendimet e mia, më ndihmojnë t’i shoh gjërat në këndvështrime të ndryshme. Jo vetëm aq, por shpesh herë edhe t’i ndryshoj mendimet e mia. Dhe kjo më bën të ndihem mirë.

Friday, November 20, 2020

Forca joshëse e Trumpit

 

Nga Sam Harris*

Prej vitesh jam përpjekur të kuptoj si është e mundur që gati gjysma e shoqërisë amerikane adhuron ose, të paktën, mbështet Donald Trump. Duke dashur të hedhur dritë mbi këtë mister kam folur edhe me mbështetës të Trumpit, por ndriçimi nuk ka ardhur që nuk ka ardhur. Për shembull, një nga të ftuarit e podkastit tim, Skot Adams e përcakton Trumpin si “mjeshtër për të bindur njerëzit’, ndoshta më i miri që ka njohur. Mirëpo problemi është se mua Trump më duket nga njerëzit më pak bindës që kam hasur. Sa herë e shoh kur flet më duket sikur kam përpara një mashtrues të rëndomtë dhe injorant. Në fakt, Trumpi e ka aq pak idenë se si e gjykojnë besueshmërinë e dikujt njerëz si unë, saqë përpjekjet e tij për t’u dukur i besueshëm, nëse ka të tilla, e bëjnë të duket edhe më qesharak, për të mos thënë i lajthitur. Prandaj të pretendosh se Trump ka forcë bindëse është njëlloj sikur të thuash që ka trup elegant prej atleti. Për mua argumente të tilla hidhen poshtë pa u shprehur mirë. E, megjithatë, fakti që gjysma e vendit e sheh atë me sy tjetër mbetet i pamohueshëm. 

Deri para disa minutash unë i isha dorëzuar idesë që nuk do të isha kurrë në gjendje ta kuptoja përse ndodh kjo. Por tani, krejt papritur, pikërisht në prag të zgjedhjeve të vitit 2020, zbulova se ku qëndron forca joshëse e njerëzve si Trumpi. Krejt papritur kuptova që atë e mbështesin pikërisht për të metat që ka, dhe jo pavarësisht prej tyre. Këtu qëndron sekreti. Pra kam arritur të kuptoj se pikërisht ato anë të tij që mua më duken si më të neveritshmet, janë anët që të tjerë jo vetëm janë të gatshëm të mos i marrin parasysh, por edhe që në vetvete përbëjnë arsyen për ta mbështetur atë. Këtë nuk kisha mundur ta perceptoja deri pak kohë më parë.

Në podkastin tim jam marrë gjerësisht me të metat e këtij njeriu. Për mua atij i mungojnë të gjitha virtutet për të cilat mund të gjenden fjalë në fjalor – mençuria, kurreshtja, shpirtmadhësia, zemërgjerësia, disiplina - çfarëdo vlere pozitive që t’iu vijë në mend, atij i mungon. Edhe ata që e mbështesin e dijnë këtë, e dijnë që ai është symbol i babëzillëkut dhe narcisizmit, i vogëlsisë shpirtërore dhe keqdashjes – keqdashjes së mirëfilltë. Ai është nga ata njerëz që e kanë urrejtjen të shkruar në ballë. Eshte njeri që s’e ka për gjë t’iu kthehet e t’i baltosë njerëzit për të cilët jo më larg se dje hiqej sikur i adhuronte. Njeri që, ndërsa kërkon me të madhe besnikëri nga ata që i vijnë rrotull, si tipar thelbësor të vetin ka pabesinë. Dhe të gjitha këto i shfaq hapur. Prandaj edhe e kam pasur të pamundur ta kuptoj se çfarë e bën atë tërheqës për njerëzit.

Por më duket se më në fund e kam zgjidhur enigmën. As vetë nuk e kuptoj përse m’u desh kaq kohë, sepse këto mendime jo vetëm që më janë vërtitur m e kohë në kokë, por edhe i kam dëgjuar nga të tjerët. Fakti është që vetëm tani po e arrij ta shoh si duhet se çfarë tregon piktura që kam përpara syve. Eshtë si një nga ato tablotë magjike, ku ti e ngul shikimin mbi një telajo të mbushur me pika në dukje pa lidhje, në një stereogram të padeshifrueshëm dhe ku, krejt papritur, përpara syve të del një imazh i qartë tredimensional.

Imazhi i forcës tërheqëse të Trumpit mund të kuptohet më mirë i krahasuar me mesazhet që përcjellin kundërshtarët e tij nga e majta. Vetëm kështu mund të arrijmë ta shohim pamjen e vërtetë tridimensionale të tij. Vetëm kështu do të arrijmë ta përfytyrojmë atë si duhet.

Ta fillojmë me gjysmën e pikturës që ka të bëjë me Trumpin. Diçka që Trump nuk e përcjell kurrë, dhe as që është në gjendje ta përcjellë, është ndjenja e superioritetit moral. Këtij njeriu nuk i gjendet asnjë hije ëngjëllore. Edhe kur i përqëndron gjithë energjinë e veta për të nxjerrë në pah vetë-madhështinë, edhe kur kërkon t’i ulë e t’i fyejë ata që e mbështesin, edhe kur e quan veten gjeni, në asnjë nga këto raste ai nuk arrin të përçojë idenë se është më i mirë se ju, më i ditur, më i denjë. Sepse nuk është, dhe këtë e dijnë të gjithë.

Ky njeri s’është gjë tjetër veçse një pirg i llahtarshëm mëkatesh i cili, dhe kjo ka tepër rëndësi, as që kërkon të jetë më shumë. Pikërisht për këtë arsye, për faktin që ai nuk gjykon njeri, sepse nuk është kurrsesi në gjendje të gjykojë njeri, ai i ofron hapësirë të sigurt çdo dobësie njerëzore, çdo hipokrizie apo ndjenje vetë-dyshuese. Ai ofron atë që asnjë prift nuk është në gjendje ta ofrojë bindshëm  – faljen e plotë të ndjenjës së turpit. Pafytyrësia e tij vepron si një ilaç çudibërës shpirtëror. Trumpi është Krishti i trashë. Ai është Krishti që i kap femrat nga poshtë. Ai është Krishti që ha hamburgers sa t’i dojë kokrra e qefit. Ai është Krishti që ta vesh me grusht surratit. Ai është Krishti që iu thotë të shporren andej nga kanë ardhur. Eshtë Krishti që s’kërkon ndonjëherë falje.

Tani merreni këtë pamje dhe vëreni përballë gjysmës tjetër të tablosë. Çfarë imazhi vjen nga e majta? Krejt e kundërta. Shenjtërim i plotë, gjykim i pamëshirshëm. Ti nuk je gjëkundi. Ti je fajtor jo vetëm për mëkatet e tua, por edhe për ato të baballarëve të tu. Ti ke në kurriz edhe krimet e skllavërisë, edhe ato të kolonializmit. Dhe po qëllove të jesh mashkull i bardhë heteroseksual, siç dihet mirë që janë kryesisht bërthama e mbështetësve të Trumpit, atëherë ti s’je gjë tjetër veçse një barbar racist, homofob, transfob dhe islamofob. Prandaj hidh poshtë statujat dhe përkule atë mut gjuri.

Kur vihen përballë këto dy imazhe krijojnë një tablo shumë të fuqishme. Të kuptohemi, unë nuk e ve në dyshim se shumë nga ju do ta kenë kuptuar këtë para meje, por për një arsye apo një tjetër m’u bë e qartë vetëm sot. S’besoj se është e nevojshme të shtoj këtu që vazhdoj t’i përmbahem plotësisht gjithçkaje që kam thënë deri tani për Trumpin.  Une e konsideroj atë krejtësisht të paaftë për detyrën, ndërsa shumë nga të metat e karakterit të tij i shoh si të rrezikshme për shoqërinë. Unë kam bindjen që duke qënë ai që është ai e ka dëmtuar politikën amerikane dhe e ka ulur imazhin e Amerikës në botë në atë shkallë saqë do të duhen dhjetëvjeçarë për ta riparuar. Prandaj shpresoj sinqerisht që do ta heqim qafe nesër. Sidoqoftë, tani besoj se kuptoj pak më mirë se përse nuk pajtohet me mendimet e mija gati gjysma e popullsisë së vendit. Dhe kjo më bën të ndihem më pak i hutuar dhe më pak i njëanshëm, ndoshta edhe më pak trap. Dhe ky është padyshim progress.

Marrë nga Podkasti “Making Sense”, episodi 224, 2 Nëntor 2020

Sunday, November 8, 2020

That night when Mother died

That night when Mother died, my heart was shattered to a thousand pieces and it gave me pain so unbearable that cannot be compared to anything else.

That night when Mother died cut my life into two parts - the before, and the after. Today the after is longer than the before, which is not fair at all, because no one should live a life that is longer without than it is with someone they love so much.
That night when Mother died I was 26. I was not dependent on her. She had given me everything, she had made me who I was, and I didn’t need her. I just loved her.
That night when Mother died I realized that it was pure love, free from any need, any interest, or anything a child expects from a parent. If anything, it was a moment in my life when I was ready to give something back to her. Because of this,
that night when Mother died I was almost angry at her. I felt betrayed that she wouldn’t let me have a chance to give her something back, even a tiny fraction of all the universe she had given so generously and selflessly to me. But then I realized that she would never do that. She wouldn’t accept anything in return for what she gave. She was a giver, a giver, a giver...forever.
That night when Mother died everything melted within me, and then froze. Since then, I haven’t been able to feel pain the same way, and I hope, and I wish, that I will never be able to for the rest of my life. No one deserves to feel that kind of pain twice.
That night when Mother died was the twentieth of October, when Korça gets its first snow. But it didn’t snow that night. The snow within me was enough.
That night when Mother died was 35 years ago...35 days ago...35 minutes ago...
That night when Mother died was 7600 km away...7600 m away ... was here
That night when Mother died has no time and space.
That night when Mother died...
Why am I writing this in English? Why am I thinking all this in English?
I know why. It is because I can’t bring myself to say “That night when Mother died...” in the language that Mother told me.

Thursday, October 22, 2020

Përballë Përbindëshave 2

Arben Kallamata

Pjesa e dytë: Dopamine


(Shënim hyrës: Kjo është pjesa e dytë e serisë së shkrimeve që kam përgatitur për marrëdhëniet tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi çdo ditë përpara syve – Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube, Snapchat, Netfix, etj. Idetë e shprehura në këto shkrime nuk janë origjinale. Unë jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë që i shqetësojnë njerëzit. Për ata që nuk e kanë lexuar pjesën e parë, do t’i rekomandoja që ta bënin këtë.)

Që të arrijnë të njohin mënyrën se si vepron mendja e secilit prej nesh kompanitë IT kanë nevojë për ndihmën tonë, për pjesmarrjen tonë në lojën e tyre. Ata nuk dërgojnë pyetësorë për të matur parapëlqimet tona. Përkundrazi, ata e studiojnë mendjen e secilit prej nesh përmes mënyrës se si sillemi ne kur përdorim mallin e tyre – kërkimin në Google, Facebook, videot e YouTube. Gjithçka që ne klikojmë iu jep kompjuterave të tyre një të dhënë më shumë për mënyrën se si operon mendja e secilit prej nesh. Sa më shumë klikojmë, aq më shumë gjëra mësojnë ata rreth nesh.

Tristan Harris shpjegon se lufta midis kompanive të tekut sot është e përqëndruar te tërheqja e vëmendjes së përdoruesve, domethënë, sa kohë kalojmë ne në një mjedis të caktuar. Shuma e përgjithshme vëmendjes së njerëzve nuk është një madhësi e pakufizuar. Ajo mund të përfytyrohet si një masë e caktuar, gjigande vërtet, por gjithsesi që i ka kufijtë e saj. Pikërisht për ndarjen e këtij malli që është vëmendja jonë, për tërheqjen e një thele sa më të majme nga kjo masë konkurrojnë sot të gjithë, bizneset, shoqatat, politikanët, lojrat, arti, gjithcka. Por mbi të gjitha, konkurrojnë kompanitë IT që kanë në dorë ta analizojnë dhe ndikojnë vëmendjen tonë.

Le të sjellim një shembull. YouTube kërkon të tërheqë sa më shumë vëmendjen e njerëzve duke i mbajtur ata të lidhur sa më gjatë të fiksuar te videot e veta. Për ta arritur këtë ata shpikin një marifet të vogël: pas çdo videoje që ti sheh, ata jo vetëm të rekomandojnë disa të tjera, por edhe fillojnë të luajmë automatikisht një tjetër. Pa e kuptuar, njerëzit gjejnë veten të ngujuar për orë të tëra duke parë video në YouTube.

Me ta parë këtë marifet, Facebook nuk mund të mbetej prapa. Një ditë prej ditësh ne vumë re që videot e postuara në Facebook filluan të hapen vetë, pa qënë nevoja t’i klikoje. Ti duhet të klikosh për t’i ndaluar, jo për t’i nisur. Natyrisht, pakkush nga ne e vrau mendjen ta analizonte përse ndodhte kjo.

Të njëjtën gjë bën edhe Netflix. Ti shikon një episod të një seriali televiziv dhe, pa e mbaruar ende mirë atë, ata fillojnë të të çfaqin automatikisht tjetrin. Asgjë nuk është rastësore. Gjithçka është e llogaritur. Të gjithë janë në gare kush e kush të na mbajë sa më gjatë lidhur pas aparateve dhe në faqet e tyre.

Dikush mund të thotë se edhe televizionet apo gazetat dikur kërkonin të njëjtën gjë, pra mënyrën se si t’i mbanin shikuesit apo lexuesit të lidhur. Por ato nuk kishin salla kontrolli që studionin shkencërisht se si ta tërhiqnin dhe ta drejtonin vëmendjen e njerëzve. Nuk kishin njerëz që të studionin emocionet njerëzore dhe t’i shfrytëzonin ato për t’i mbërthyer njerëzit sa më gjatë pranë pajisjeve elektronike.

Ne lexojmë diçka në Facebook dhe ndihemi të revoltuar. Revoltimi për secilin nga ne është emocion negativ. Jo për Zuckerbergun. Për të është emocion që na detyron ne ta bëjmë ‘share’ postimin në fjalë, t’i themi të tjerëve: lexojeni edhe juve këtë që më ngjalli mua emocion. Në këtë rast ndjesia e revoltës punon për llogari të Facebookut. Nëse unë, ose ti, do të kishim mundësi të zgjidhnim për të lexuar ose diçka që na shkakton revoltë, ose diçka që nuk na bën asnjë përshtypje, ne me siguri që do të zgjidhnim të parën. Është në natyrën njerëzore. Këtë e dijnë shumë mirë ata që janë në sallën e kontrollit dhe që kanë në dorë të na ushqejnë atë që duan të na ushqejnë. 

Sean Parker ka qënë presidenti i parë i Facebookut. Ja se si e përshkruante ai procesin para disa kohësh: “Puna është se si t’i detyrosh njerëzit të të kushtojnë sa më shumë kohë dhe sa më shumë vemendje të vetëdijshme që të jetë e mundur. Prandaj përdoruesve iu jepet herë pas herë nga një dozë e vogël dopamine përmes like-ve dhe komenteve për fotot apo për postimet. Kjo i shtyn ata të futen edhe më thellë. Pikërisht këto dobësi të psikologjisë së njeriut shfrytëzohen nga haker si puna ime. Shpikësit, krijuesit, unë, Marku (Zuckerberg)…e kuptuam këtë dhe nuk hezituam ta shfrytëzojmë.”

Po për çfarë dobësish bëhet fjalë? Njerëzit në përgjithësi kanë një nevojë të brendëshme për të qënë pjesë e diçkaje, një shtytje të brendëshme për status shoqëror. Prandaj edhe truri i njeriut e trajton çdo informacion për vetveten si formë shpërblimi. Sistemi i vlerave që kemi në tru aktivizohet sa herë që sjellja jonë shpërblehet me gjëra të prekshme, si para, apo ushqim. Por ai aktivizohet edhe kur merr informacion që na prek egon, informacion të cilit i jepet përgjithësisht përparësi.

(Këtu mbaron pjesa e dytë. Në vazhdim do të shohim se si na ‘ushqejnë‘ me informacion të gabuar, me informacion të shtrembëruar e të gënjeshtërt, duke na futur brenda vathëve, grazhdeve, apo kullotave sipas interesit të përbindëshve të tekut.)