Friday, March 8, 2019

Një skandal, disa mësime


Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe Partia Liberale që kryeson janë përfshirë në një skandal politik. Trudeau dhe këshilltarët e tij akuzohen se kanë ushtruar presion mbi Ministren e Drejtësisë (njëkohësisht edhe Prokurore e Përgjithshme) që të arrihet një marrëveshje me kompaninë e ndërtimit SNC Lavalin, një nga më të mëdhatë në vend. Ministrja Jody Wilson-Raybould nuk ka pranuar ndërhyrjen dhe ka dhënë dorëheqjen. Trudeau ka mohuar që ka pasur ndërhyrje. Në mbështetje të ish Ministres së Drejtësisë dhe me arsyetimin se ka humbur besimin te mënyra se si drejton Kryeministri ka dhënë dorëheqjen edhe Ministrja  Shërbimeve për Indigjenët, Dr. Jane Philpott.  
SNC Lavalin është kompani e madhe ndërtimi. Prej vitesh ajo është në hetim nga organet e drejtësisë pas publikimit të lidhjeve të saj korruptive me ish-diktatorin e Libisë Mohamar Kadafi. Duke qënë në proces hetimi kompania nuk mund të marrë projekte qeveritare. Sipas dëshmisë së dhënë në Parlament nga ish-Ministrja Wilson-Rebauld Kryeministri Trudeau dhe këshilltarët i kanë ushtruar presion asaj që në kapacitetin e Prokurores së Përgjithshme të ndikojë mbi organet e drejtësisë që të arrihet një marrëveshje me SNC Lavalin dhe t’i jepen fund hetimeve. Ndërhyrja konsiderohet shkelje e kopetencave të Kryeministrit dhe cënim i pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Trudeau hipi në pushtet duke premtuar veprime politike të hapura, llogaridhënie dhe transparencë. Skandali i fundit ia ka rrëzuar të gjithë reputacionin dhe i ka dëmtuar imazhin si politikan.   
Së pari, skandali vërteton edhe një herë që Kanadaja është një vend demokratik, ku pavarësisht përpjekjeve të politikanëve të veçantë, ekziston pavarësia e sistemit të drejtësisë. Politikanë dhe njerëz të korruptuar do gjenden kudo, por në një shtet ligjor ata nuk kanë terren të lirë për të vepruar pa pengesa dhe pa kontroll.
Së dyti, skandali dëshmoi se ka njerëz të ndershëm, të gatshëm që të heqin dorë nga privilegjet e posteve për hir të parimeve të drejtësisë. Të dy ministret e dorëhequra janë gra, të cilat kanë hyrë në sferat e larta të politikës kanadeze pas ardhjes në fuqi të Liberalëve. Kryeministri Trudeau ndërtoi një kabinet ministror në përbërje të të cilit pesëdhjetë përqind ishin gra, fakt me të cilin ai fitoi pikë në opinionin publik kanadez dhe atë ndërkombëtar. Pavarësisht se ky vendim po del praktikisht kundër interesave të tij të çastit në lidhje me skandalin në fjalë, ai vërteton që ka qënë një zgjedhje e drejtë dhe e vlefshme për vendin. Të paktën këto dy ministre kanë dëshmuar një shkallë të lartë integriteti dhe ndershmërie.
Së treti, të bën përshtypje mënyra e qetë, e urtë dhe demokratike si po vepron opozita konservatore në këtë rast. Duke i mëshuar fort kartës së skandalit, duke ngulur këmbë që të dalë e vërteta në shesh, ata po veprojnë me të gjitha mekanizmat që iu lejon të veprojë  një sistem demokratik, brenda parlamentit, pa u përpjekur për ta çuar debatin rrugëve. Kryetari i Partisë Konservatore Andrew Scheer është treguar shumë i matur në deklaratat e tij, duke u distancuar nga akuzat ekstreme dhe duke qëndruar gjithmonë brenda kufijve ligjorë. Ai thotë që Trudeau ka humbur besimin, po shpenzon shumë kohë duke kontrolluar dëmin që i është bërë figurës së tij dhe të partisë së tij dhe nuk është në gjendje të qeverisë si duhet, prandaj duhet të japë dorëheqjen. Asnjë akuzë e pabazuar.
Por edhe më interesant nga të gjitha këto është qëndrimi i njerëzve të thjeshtë, votuesve. Duke përjashtuar një përqindje të vogël partizanësh të flaktë partiakë që janë mbështesin udhëheqjen e partisë pa asnjë rezervë në çdo situate, shumica dërrmuese e kanadezëve janë më tepër të interesuar që të ruhen të paprekura institucionet demokratike se sa të dalë fajtor apo i pafajshëm ky apo ai politikan. Për kanadezët e thjeshtë në këtë rast nuk ka pikë rëndësie as fati i politikanit Trudeau, as fati i politikanes Joddy Wilson-Rebauld. Për ta ka rëndësi Kanadaja dhe demokracia.
A ka korrupsion në një vend demokratik? Po, ka. Kudo që ka politikanë do të ketë edhe politikanë të korruptuar, do të ketë edhe njerëz që shfrytëzojnë pozitën për të përfituar politikisht dhe/ose financiarisht. Por kjo s’do të thotë se mund të vihet shenja e barazimit midis një demokracie dhe një sistemi të pakonsoliduar, ku gjithçka është ende fluide dhe ku nuk funksionon si duhet asnjë nga organizmat dhe institucionet demokratike. Sepse në demokraci ekzistojnë edhe mekanizmat, edhe pavarësia e pushteteve, edhe parimet edhe njerëzit që i mbajnë, ruajnë dhe mbështesin këto parime. Sistemi demokratik nuk është dhe nuk mund të jetë i përsosur. Më tepër se sistem i konsoliduar, demokracia është një rrugë me ngjitje e zbritje, kthese majtas e djathtas, por një rrugë që ecën në një drejtim të caktuar.

Thursday, February 7, 2019

Mesele pe Korçe

Taqka i Lenkës, ose siç e quanin doçëria Taqkë Cingaridhka, i kërkoi të gjyshes, Olimbisë, që në mëhallë njihej si Maqovica ndihmë për të veshur gurkashkën. Maqovica, që sapo kishte marë shpirton në dorë për të ndezur fufuçkën, fshiu duart në mësallë dhe rrëmbeu griben t’i ujdiste leshkat që i kishte lëmsh.
-          Nuk shkohet në shkollë si i handakosur, - i tha.
-          Po lemë me rehat se do mbodhisem, - u qurravit Cingaridhka.
-          E dembelhanë, prit se dukesh si lugat i fandaksur. E mbushe kallamarin me mellan? Po molidhen e vure në çantë?
-          I vura të gjitha – rezervën, rigën, perigjelin.
-          Po kanonkën? Do të të duhet për të hequr perithorin. Se pastaj s’di ku ti fillosh galavizhdat.
-          Të thashë rigën, kanonkën, rulemanin. Mos u bëj humbamenkë fare.
-          Të rashë kokës që të të çuknavit mirë, - u hakërrye Maqovica. – I ke bërë mathimat apo do të të zënë gafil edhe sot? Se ngelesh përpara klasës si torobell pastaj dhe të shtijen ata xerxevulët me tebeshir. Të ngulin edhe ndonjë pineskë tjetër nga prapa.
-          Unë s’jam humbameno, de. Atë gallofin që më shturi me tebeshir e bëra terbjet vetë. I kërcyen sytë si bumbrekë.
-          Edhe vish shoshonkat se është llapavec jashtë. Do marrësh ndonjë plevit që të çuditesh.
-          Shoshonkat nuk i vesh se dukem si dudum. Këpuckës sapo ia sheshova një peronë që më vriste gishtin.
-          Epo dil me lepitka e me benevrekë atëherë.
-          Jo po si ti që gajase dynjanë duke gjezdisur me penuar dhe fëshfëshe në mes të dimrit.
-          Pika që s’të bije. Unë më mirë dal gollomesh se të ve fëshfëshkën.
-          Iiii, - ia bëri Cingaridhka që mënd u mek kur iu pataks e gjyshja gollomesh në mendje.
-          Lëviz, tani. Mos më rri si gur pe shtufi.
-          Prit se s’kam marrë patumkat. Kemi fiskulturë në palestër sot.
-          Ja ku i ke gjurmashkat. Po bollkat e fiskulturës ku i ke?
-          Varur në kremastar.
-          Ua, bollkat në kremastar, si të jenë dolloma. More ndonjë gjë për të ngrënë në pushim, apo do mbllaçitësh mastikë tërë ditën?
-          Do ble hallvëkoskë me.
-          Bli ushqim pe tamami, mos m’i harxho paratë për fuga dhe ashikë, hallvëkoska dhe pisuska akulloreje se je tharë si cironkë dhe je bërë si pe pe rotke më dyzaj. S’të thonë kot cingaridhe.
Taqkë Cingaridhja u kujtua që s’kishte futur në çantë as fugën vëndkë pëndkë, as onomain patik. Po pastaj e la atë muhabet se atë ditë kishte dëborë dhe e kishin lënë të shkonin te kolovajzja e madhe në Shëndëllia. Hekurishtat i kishte me vete.
-          E mos shko të shkasësh andej nga kukumalja se thyen ndonjë gollganë, - ia bleu mendjen Maqovica.
-          Jo po do luaj si çupkat me posta biz dhe me ngrika-shkrika, - i tha të gjyshes. – Shiko të na bësh ndonjë lakror ti, atë bëj.
-          Ja gati pecin, si t’i duash petët, të holla, me kulaçka.
-          Ose na bëj ndonjë petanik me fasule.
-          Mos do edhe kërnacka me ndonjë çiçkë raki?
-          Jo se rakia e babit është shollomotkë.
-          Prandaj e doje trebishonin ti, të hapje shishkën e rakisë?
-          Epo s’është shishkë pe birre që ta hap me bishtin e furkulicës.
-          Pika ty, di ti malukat nga rakia. Ti je si ligavec gollash. S’ke ndërruar akoma pizhamatë.
-          Po çfarë do ti me, të bëhem si kade pe vere që të më thërrasin gollozdrum?
-          Ah po ti i mer të gjitha llafet jangllësh. Vetëm yt atë të bën terbjet.
-          Po sikur të na bësh ndonjë paçe pe kormine? Na zuri barku lakër armè gjithë muajin. Ose na tiganis ato mëlçiçkat që blemë dje në Gjela Italani.
-          Ikë tani se të mora okllainë. Na bëre me dhimbje koke.
-          Po mer me ndonjë apkë. Ose pi ca ujë  me limua.
-          Ja sa të mbaroj kortinkat se kam për t’iu bërë azhuret, do pastroj ca pezhishkat, t’i mbledh ne farashkë  e ti çoj në ashefkë. Pastaj do mbulohem me levenxkë të ngrohem ca se u plevitosa. Mos m’u mbështet mbi priftul se e theve.
-          Epo ku është lugashka të mbath këpucët?
-          Ikë tani xerxevul se na rokanise kokën. Kur të mbarosh ktheu në shtëpi, mos m’u mbodhis rrugëve. Se atë bëni ti, argalisesh me mangot nëpër ulica.
-          Se mos ke punë tjetër ti, si ngjelkë i merr të gjithë nëpër gojë.
Plaka i vuri reskën portës dhe ku kthye në kuzhinë të bënte pak mëmëligje për mëngjes. Do ta hante me ca peksimadhe që i kish mbetur që prëmë. S’kishte këllqe për t’u marrë me atë djalë. Pastaj u kujtua që djali kishte ditëlindjen dhe filloi të vrasë mendjen ti bënte ndonjë ëmbëlsirë. Kishte kohë që s’ishte bërë mukaet të gatuante ndonjë trishkë. Djalka kishte qef karidhaton, po nuk ia kishte ngenë. Le që atë e kishte bërë në kollozhek, para gjashtë muajsh. E mbante mend mirë se e kishin ngrënë me imonik, pasi kishin pasur edhe një sallatë të mirë me domate sërëke. Po afronte viti i ri dhe duhej blerë edhe ndonjë miskë.

Saturday, February 2, 2019

Rubrika: Fjalë të huaja që s’i kemi në shqip


Po sikur ta kthejmë? Të shohim ndonjë fjalë shqip që nuk ekziston në anglisht, për shembull.
Duke pasur parasysh që anglishtja është gjuha më e pasur e botës dhe fjalori i zgjeruar i Oksfordit sot numëron mbi 1 milion fjalë, ndërkohë që gjuhët e tjera të mëdha llogariten te rreth 200 mijë fjalë secila (nuk kam ndonjë të dhënë sa fjalë numëron një fjalor i plotë i shqipes), duket si e pamundur të gjesh fjalë në shqip që nuk janë në anglisht. Megjithatë ka terma të veçantë që përshkruajnë nocione tepër specifike për kulturën shqiptare që nuk arrijnë të kenë të barazvlefshmin e tyre të plotë në anglisht.
Një fjalë e tillë, e rëndomtë për ne dhe e pakapshme për anglishtfolësit është folja ‘përtoj’.
E di që njohësit e thellë të anglishtes do të hidhen me dhjetra sinonime, me shprehje dhe folje që i afrohen kuptimit të foljes shqipe ‘përtoj’. Megjithatë, unë ngul këmbë në sfidën time që një e barazvlefshme që ta ketë të gjithë ngarkesën kuptimore dhe nënkuptimore, emocionale të kësaj foljeje të shqipes është e pamundur të gjendet në anglisht.
Në anglisht ka shprehje si ‘I don’t feel like’ që përdoren për të treguar se dikush nuk është i gatshëm të kryejë një veprim apo një punë. Por ‘I don’t feel like’ ka kuptim edhe më të gjerë edhe paksa më të ndryshëm. Sepse mund thuhet ‘I don’t feel like washing the dishes’ – që do të thotë nuk më vjen për të larë enët, ose I don’t feel like pasta – nuk më haen makaronat). Krejt ndryshe nga kuptimi i foljes përtoj.
Mund të merret edhe fjala ‘laze’. Si folje, laze ka lidhje me ‘lazy’ që në fakt është mbiemër i barazvlefshëm me mbiemrin përtac, dembel. Por folja ‘laze’ ka më tepër kuptimin që sorrollatesh kot pa bërë ndonjë punë, se sa kuptimin e mirëfilltë të foljes shqipe përtoj. Laze nënkupton që s’bën asgjë, që i merr gjërat lehtë, duke u relaksuar, pra duke i lëshuar muskujt. Laze është shprehje pasiviteti, mosveprimi. 
Vini re sa fjalë i duhen kësaj karikature
për të përshkruar nocionin përtoj.
Ndërsa folja shqipe përtoj është folje e trajtës veprore. Ne përdorim një folje në veprore për të shprehur mungesën e plotë të dëshirës për të vepruar. Nuk mjaftohemi që të themi diçka të butë, për shembull që nuk ndihemi shumë mirë për të kryer diçka, nuk kemi vullnet për ta bërë atë, ose na mungon dëshira, entuziazmi, energjitë, forca fizike dhe mendore për të vepruar. Jo, jo, ne i kemi të gjitha këto, por ‘përtojmë‘, domethënë jemi krejtësisht të vetëdijshëm se duhet ta bëjmë, se është një gjë që kërkohet ta bëjmë, se i kemi edhe forcat, edhe mundësitë, edhe energjinë, edhe gjithçka tjetër që ta bëjmë por nuk e bëjmë sepse ne vetë zgjedhim që të përtojmë. Të përtuarit për ne është veprim njëqindpërqind i vetëdijshëm, i vullnetshëm, të cilin ne e kryejmë me bindje të plotë. Folja ka një ngarkesë nënkuptimore që të jep përshtypjen sikur ai që përton është disi krenar për përtacinë e vet. Është, si të thuash, një privilegj, një përparësi që e kemi ndaj të tjerëve. Të përtuarit është shprehje e krenarisë kombëtare. Është si të thuash: Juve vazhdoni punoni sa t’iu dalë shpirti, unë për vete përtoj. Zgjedhja ime e vetëdijshme midis punës, veprimit fizik dhe intelektual dhe të mos punuarit është që të përtoj. Të përtuarit është një lloj aktiviteti, një lloj pune, zanati, profesioni. Profesioni – përtac.  

Wednesday, January 16, 2019

Rubrika “Fjalë që s’i kemi në shqip” – Fiction


Nga të gjitha fjalët që nuk i kemi në shqip kjo është më befasuesja. Si është e mundur që pikërisht kjo fjalë të mos ketë një të barazvlefshme të plotë në gjuhën tone; si është e mundur që një populli kaq letërsidashës, ose më saktë, kaq letërsiprodhues t’i mungojë një prej fjalëve më thelbësore të fjalorit të prodhimit letrar – fiction? Si është e mundur që një komb që mund të ketë përqindjen më të lartë të fiction-shkruesve dhe fiction-botuesve në botë të mos ketë fjalë për përshkruar termin fiction? Si është e mundur që zanatçinjve të profesionit më të përhapur në vend t’iu mungojë fjala më thelbësore e mundit dhe djersës së tyre intelektuale?
E di, do të thoni që kemi fjalë të tjera, që përdorim fjalën ‘roman’, ose ‘tregim’, ose ‘letërsi artistike’. Por asnjëra nga këto nuk është e njëjtë me fjalën ‘fiction’. Roman dhe tregim janë zhanre të letërsisë. Letërsi artistike është tepër e përgjithshme. Në fund të fundit, një letërsi mund të jetë ‘fiction’ dhe t’i mungojë arti, të mos jetë fare artistike. Ose mund të jetë non-fiction dhe të jetë shkruar gjithë art.
Fjala ‘fantazi’? Jo, as kjo nuk e zëvendëson. Trillim, siç e përkthen ‘google translate’? Diku afër, por trillim është më e gjërë, sepse është më pranë fjalës ‘gënjeshtër’.
Ja si përkufizohet ‘fiction’ në një fjalor anglisht:
1.       Letërsi në formë proze, veçanërisht tregimesh dhe romanesh, që përshkruan ngjarje dhe personazhe të përfytyruar
2.       Shpikje dhe gënjeshtra, e kundërta e fakteve
3.       Besim ose thënie që është e rreme, por që shpesh mbahet si e vërtetë sepse kështu është më e leverdisshme
Nga të tre përkufizimet, unë mendoj se kyçi për zgjidhjen e enigmës se përse nuk ka në shqip një fjalë e barazvlefshme me fjalën ‘fiction’ qëndron te i dyti. Pikërisht te përballja e ‘fiction’ me të kundërtën e vet ‘fakt’ qëndron përgjigja – ne, si popull, e kemi të vështirë të dallojmë faktin nga fiction. Për ne, të dyja këto nocione janë të shkrira te njëra tjetra, të pandashme, të pakundërvënëshme. Kjo është edhe arsyeja që nuk kemi fjalë për të shprehur dallimin midis tyre.
Në lëmin e letërsisë, për shembull, ne thuajse na mungon plotësisht letërsia faktike, dokumentare, e bazuar në të dhëna dhe e besueshme për vërtetësinë e saj. Autorët shqiptarë të letërsisë ‘non-fiction’ s’e kanë pasur asnjëherë për gjë të përzjejnë fantazinë me ralitetin, të shpërfillin ndarjen midis tyre, të ngatërrojnë faktet ose t’i zgjedhin dhe  interpretojnë ato sipas qefit të tyre. Vepra dokumentare të mirëfillta, biografi të njerëzve të shquara, histori të periudhave të caktuar, që të jenë bazuar plotësisht në fakte dhe në interpretimin e paanshëm dhe jopolitik të tyre gjenden shumë rrallë të shkruara në gjuhën shqipe. Letërsia faktike është ndoshta pjesa më e dobët e korpusit të letrave shqip (të më falin ata pak autorë që kanë bërë punë të shkëlqyera në këtë fushë).
E gjitha kjo e le letërsinë fiktive (ou, po përpiqem të përshtat një fjalë të huaj) pa të kundërtën e saj, duke ia hequr fare nevojën për t’u përcaktuar si e tillë. Prandaj edhe më së shumti ne përdorim fjalën ‘letërsi’, pa marrë mundimin të sqarojmë që ajo është prodhim i imagjinatës. Në fund të fundit, ne e marrim të mirëqënë që kur njeriu ulet të shkruajë gërma të zeza në fushë të bardhë, kombinimi i tyre duhet të jetë patjetër frut i fantazisë dhe dëshirave tona dhe nuk ka nevojë të ketë asnjë lidhje me realitetin.  Fakt dhe fiction për ne janë një, prandaj s’kemi pasur anjë nevojë t’i dallojmë nga njëra tjetra me fjalë të ndryshme.

Friday, December 28, 2018

Rubrika: Gjakatarë me nam



Arkiduka Franz Ferdinand, i njohur në histori si viktima e atentatit në Sarajevë që shkaktoi fillimin e Luftës së Parë Botërore, në të cilën gjetën vdekjen 9 milionë ushtarë dhe 7 milionë civilë, mbante edhe vetë një record gjakderdhje sa ishte gjallë. Gjatë jetës së tij ai ka vrarë jo pak por 274,899 kafshë.
Arkiduka me taborrin e ndihmësve në gjah
Nga dihet shifra e saktë? Mesa duket, Arkiduka nuk ishte vetëm vrasës i apasionuar kafshësh, por edhe regjistrues i pëpiktë i të gjitha krimeve të tij. Natyrisht, shumica e kafshëve të vrara ishin shpendë gjahu – fazanë, fushnja etj., që ia lëshonin para çiftes taborri i njerëzve që e shoqëronin në gjah, ndërkohë që një numër shërbëtorësh i rimbushnin pa pushim dyfekët. Megjithatë, ai ka vrarë edhe kafshë katërkëmbëshe – rreth 5000 të tilla, duke përfshirë elefantë, kangurë, koala, majmunë, tigra dhe arinj. Makutërisë së tij për të vrarë nuk i kanë shpëtuar as iriqët e ketrat.
Salla e trofeve të Arkidukës në Pallatin Konopiste, Ceki
Këtë katil pa ndjenja shkrimtari austriak Karl Kraus e përshkruan si njeri “që s’merte mundimin të të përshëndeste … që nuk ndjente asnjë lloj detyrimi për të kërkuar diku në thellësitë e asaj zone të paeksploruar për të që vienezët e quajnë zemër.” Ndërsa historian gjerman Michael Freund e cilëson si “njeri me energji të pafrymëzuar, me pamje dhe emocione të errëta, që rezatonte një frymë të çuditshme dhe lëshonte një hije dhune dhe papërgjegjësie … një personalitet krejt i veçantë mes butësisë miqësore që karakterizonte shoqërinë austriake të kohës.”
Ndonëse egërsia e Franz Ferdinandit duket e pashoqe, duket se ai ka pasur edhe konkurentë të tjerë në kënaqësinë për të marrë sa më shumë jetë krijesash të pafajshme. Lordi britanik Ripon mban rekordin e turpshëm me 556813 kafshë të vrara nga viti 1867 në 1923.
Përshtatur nga një shkrim i Paul Ratner në Bigthink.com

Tuesday, December 11, 2018

Rubrika: Fjalë që s’i kemi në shqip

Domethënë fjalë që s’i kemi ende të shqipëruara. Këtu nuk do të përfshihen fjalë të fjalorit teknik, apo shkencor, si për shembull ‘mouse’ i kompjuterit, të cilat kanë filluar të hyjnë në përdorim të përgjithshëm relativisht vonë në të gjitha gjuhët. Do të përfshihen fjalë që kanë të bëjnë me koncepte që në kulturën tonë i kemi konsideruar të panevojshme  t’i kemi. Do të përfshij edhe ndonje fjalë që ekziston në shqip, po që s’e gjej dot në anglisht. 
Privacy – kjo është fjala më e përshtatshme për ta nisur rubrikën. Në anglisht ka këtë përufizim: gjendja apo të qënurit i pa vëzhguar apo i pa shqetësuar nga njerëzit e tjerë;  gjendja apo të qënurit i pa shqetësuar nga kurreshtja e publikut.
Fjalë në këtë kuptim në shqip nuk ka. Të paktën nuk ka pasur deri në vitet 1990-të, sepse më pas është futur e pandryshuar nga anglishtja si ‘privaci’. Arsyeja përse nuk ka pasur fjalë është e thjeshtë: shoqëria shqiptare nuk të jepte kurrë privaci, as në të kaluarën e largët dhe as në kohën e komunizmit. Njerëzit as që e dinin ç’ishte privacia dhe as që mendonin se kjo ishte e domosdoshme. Natyrisht, përdoreshin fjalë si ‘fshehtësi’, për të nënkuptuar me një konotacion negativ veprime që kryeheshin larg syrit të të tjerëve. Google translate jep varjantin shqip ‘intimitet’, që lidhet më shumë me marrëdhëniet seksuale se sa me të drejtën e njeriut për të qënë i pashqetësuar nga sytë apo veshët kurreshtarë të njerëzve të tjerë, të shoqërisë, apo të shtetit. Veçanërisht në kohë të komunizmit koncepti i ‘privacisë‘ shihej si diçka e padëshirueshme, si një përpjekje për t’i shpëtuar syrit vigjëlent të partisë dhe sigurimit të shtetit, si një tentativeë për të kryer veprime të paligjshme. Privacia ishte gati-gati mëkat.
Kur përdoret fjala ‘privaci’ më shkon mendja te dy-tre kurorë që jetonin në një apartament të vogël. Ose te gatimi në banjë. A mund ta kishte konceptin e privacisë një adoleshent që rritej në një dhomë me dy ose tre vëllezër e motra të tjerë? Apo do ta fitonte më vonë, kur shkonte në universitet dhe jetonte me pesë të tjerë në një dhomë të vogël konvikti.
Sot koncepti dhe fjala privaci kanë hyrë të dyja kallëp në fjalorin e shqipes, pa asnjë përpjekje për t’u përshtatur. Këtu s’ka asgjë të keqe. Urojmë të mos ketë rrethana që t’i shtrembërohet ose t’i përshtatet kuptimi, sepse është një nga ato fjalë për të cilat ka më tepër rëndësi kuptimi se sa forma.
Së fundi, ngaqë s’kemi të barazvlefshëm në shqip të ‘privacy’, nuk mund të kemi as për ‘invasion of privacy’. 

Friday, November 30, 2018

Biblioteka e Librave të Djegur

Në kohën e Nazizmit në Gjermani letërsia e konsideruar si ‘anti-gjermane’ digjej publikisht. Librat e padëshirar mblidheshin pirg dhe iu vihej zjarri. Ishte një veprim i llogaritur për të përhapur tmerr dhe frikë.
40 vjet pas rënies së nazizmit një qytetar gjerman filloi të mblidhte atë që do të njihej më vonë si Biblioteka e Librave të Djegur. Georg P. Salzmann (1929-2013) nisi të grumbullonte libra të ndaluar. I ati kishte qënë nazist dhe kishte vrarë veten në vitin 1945, ngjarje kjo që Salzmann, ende adoleshent e kishte përjetuar me shumë dhimbje. Më pas ai u dha pas letërsisë dhe filloi pasionin e tij të vërtetë, mbledhjen e librave të ndaluar prej nazistëve. Salzmann arriti të mbledhë rreth 12000 libra të cilat ia shiti Universitetit të Aubsburgut në 2009.

Sot Biblioteka e Librave të Djegur është pjesë e Bibliotekës së Studimeve Gjermanike të universitetit. Librat e përmbledhjes së Salzmannit janë kryesisht botime para vitit 1933, që më vonë, për arsye të ndryshme, u bënë të padëshirueshëm për Nazistët. Pjesa më e madhe e tyre janë autorë hebrej. Të tjerë janë autorë socialistë apo komunistë, si edhe autorë kundër luftës, të cilët kishin kaluar përmes tmerreve të Luftës së Parë Botërore, pacifistë, si Erich Maria Remark, që kundërshtonin tmerret e luftës duke i përshkruar realisht ato në romanet e tyre.
Georg P. Salzmann e filloi mbledhjen e librave të ndaluar në vitin 1976. Libri i parë që bleu ishte “Beteja”, nga Ernst Weiss, botuar që në 1916. Ernst Weiss ishte mjek hebre, që emigroi në Francë. Në 1940 kur nazistët pushtuan Parisin ai u hodh nga dritarja që të mos e kapnin të gjallë. Kur filloi djegia e librave në vitet 1930 nga Gjermania ishin larguar shumë autorë të ndaluar, por jo të gjithë.
Universiteti nuk e pati të lehtë t’i blinte librat, pasi Salzmann nuk pranonte të ndahej prej tyre. Ai kishte frikë se mos librat do të viheshin në ndonjë fond të rezervuar për studiuesit dhe nuk do të ishin të lira për t’u përdorur nga kushdo. Për këtë arsye, biblioteka e universitetit vendosi që librat të ishin të hapur për të gjithë.

Çfarë literature digjnin nazistët në Gjermani?
Librat e tradhëtarëve, emigrantëve dhe autorëve nga vende të huaja që mendoheshin se sulmonin ose denigronin Gjernaminë e Re (H. G. Wells, Romain Rolland);
Letërsia e Marksizmit, Komunizmit dhe Bolshevizmit;
Letërsia pacifiste;
Letërsia me prirje dhe qëndrime liberale, demokratike dhe krijime që përkrahnin Republikën e Weimarit (Walther Rathenau, Heinrich Mann, Thomas Mann);
Të gjitha shkrimet historike që kishin për qëllim denigrimin e origjinës, shpirtit dhe kulturës së popullit gjerman, ose që të dëmtonin strukturën racore dhe idenë e Volk-ut, ose që mohonin rëndësinë e figurave historike duke mbështetur barazinë e masave, dhe që kërkonin t’i tërhiqnin masat drejt baltës (Emil Ludwig);
Shkrime të natyrës filosofike dhe shoqërore përmbajtja e të cilave merrej me ndriçimin shkencor të Darvinizmit dhe Monizmit modern (Ernst Haeckel);
Libra që propagandonin ‘art’ dekadent, pa gjak, ose thjesht konstruktivist (George Grosz, Otto Dix, Bauhaus, Felix Mendelssohn);
Shkrime mbi seksualitetin apo mbi edukatën seksuale që i shërbenin qëllimeve egocentrike të individit dhe që rrjedhimisht, shkatërronin krejtësisht parimet e racës dhe Volk-ut (Magnus Hirschfeld);
Shkrimet dekadente, shkatërruese dhe anti-Volk të liberatëve të ‘Asfalti dhe Qytetërimi” (Oskar Maria Graf, Heinrich Mann, Stefan Zweig, Jakob Wassermann, Franz Blei);
Letërsia e autorëve hebrej, pavarësisht nga fusha;
Letërsia argëtuese popullore që e trajton jetën dhe qëllimet e saj në mënyrë artificiale, jo-realiste dhe të sheqerosura, bazuar në pikëpamjet e shtresave të pasura dhe borgjezisë për jetën;
Letërsia nacionaliste dhe patriotike e shkruajtur keq;
Pornografi dhe letërsi erotike nga autorë hebrej;
Të gjithë librat që ulnin vlerat e pastërtisë gjermane.
(Shkruar me materjale te mara nga BBC dhe Wikipedia)