Monday, August 29, 2022

Lea Ypi dhe Sindroma Shqiptare e Shën Kollit

Arben Kallamata

Sindroma e Shën Kollit (Santa Claus Syndrome) quhet ndikimi psikologjik te fëmijët e gënjeshtrës së Babagjyshit të Krishtlindjes, ose Shën Kollit. Përtej përrallës së plakushit hokatar që iu shpërndan fëmijëve dhurata nga vrima e oxhakut qëndron një gënjeshtër e madhe me pjesëmarrjen e thuajse gjithë shoqërisë. Kur rriten dhe e marin vesh të vërtetën, njerëzit janë të detyruar të vazhdojnë të gënjejnë të miturit për të mos i prishur lezetin lojës.

Në librin “Të lirë - të rritesh në fund të historisë“, Lea Ypi në formë autobiografike përcjell dramën që shoqëron kalimin e saj përmes Sindromës Shqiptare të Shën Kollit, përrallës së ndyrë që iu është treguar fëmijëve dhe të rriturve për 45 vjet të diktaturës komuniste.

“Kur e ke kuptuar që nuk ekziston Shën Kolli?” është pyetje që në perëndim bëhet rëndom. Përgjigjet vërtiten kryesisht te mosha e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë. Por të kuptuarit e të vërtetës është traumatik dhe shumica e njerëzve e mbajnë mend me saktësi çastin kur është thyer magjia dhe janë bërë të vetëdijshëm se kanë qënë të mashtruar.

“Kur e ke kuptuar që komunizmi ishte sistem antinjerëzor, që në krye të shtetit ishte një diktator i pashpirt dhe që ti jetoje në një nga vendet më të mjerueshme të planetit?” është një pyetje që ne shqiptarët ia bëjmë rrallë njëri-tjetrit, megjithëse shumica e ka përjetuar sindromën. Jo të paktë janë ata që nuk kanë dalë ende nga sindroma dhe vazhdojnë të besojnë te mrekullia e komunizmit. Të tjerë, në krahun e kundërt, nuk pranojnë ta kenë kaluar ndonjëherë atë fazë dhe përbetohen që kanë lindur me urrejtje për regjimin. Të dyja palët vazhdojnë të rigjenerojnë përralla.

Unë hamendësoj se për shumicën duhet të jetë e njëjta moshë kur në perëndim njerëzit kuptojnë se nuk ekziston Shën Kolli. Janë vitet kur individi fillon i analizon ca gjëra, ka vëmendje të dëgjojë dhe të kuptojë më shumë ç’thuhet në familje dhe rreth saj dhe, ajo që është më e rëndësishme, familjarët ndihen më të sigurt t’i besojnë sekrete të rëndësishëm.

Merita e Lea Ypit te “Të lirë“ është se është krejtësisht e shpenguar kur përshkruan me haptazi, qartë dhe realizëm përvojën e saj. E lindur në vitin 1979, Lea 11 vjeçare ia paraqet veten lexuesit në fund të vitit 1990 duke përqafuar këmbët e statujës së Stalinit të cilës ia kanë hequr kokën demonstruesit. Vajzë e një familje me prejardhje nga shtresat e pasura të shqiptarëve të para luftës, ajo është rritur me gënjeshtrën se jeton në sistemin shoqëror më të përparuar të botës, nën kujdesin e një partie që mendon vetëm për popullin dhe të një udhëheqësi të dashur që rrezaton dashuri dhe mirësi për të gjithë.

Çfarë i shtyn prindërit, veçanërisht në një familje “të deklasuarish” të gënjejnë fëmijët për realitetin përreth? Është frika, instinkti i vetëruajtjes, i mbrojtjes së fëmijëve, është një cikël i imponuar në formën më të fëlliqur nga i cili e ke të vështirë të dalësh. Ndodhesh në një sistem shoqëror-politik kur për një fjalë goje përfundon në burg, familja shkon në internim dhe jetë njerëzish shkatërrohen, kthehen përmbys. Nëna dhe babai nuk mund të jenë të sigurt që fëmija e tyre katër-pesë vjeçar nuk do të përsërisë në kopësht dhe, më vonë, në shkollë, ato që dëgjon të flitet në shtëpi. Prandaj, në sy të fëmijës flasin sikur të kenë sekretarin e partisë në dhomë.

Fëmija rritet duke u edukuar nga prindët që të dojë udhëheqësin dhe partinë. Në kopësht e në shkollë vazhdon të dëgjojë, madje me tone më të forta, të njëjtën histori. Të gjitha lëndët mësimore përshkohen nga filli i kuq i ideologjisë së partisë. Kur del nga shkolla për të luajtur me bashkëmoshatarët mbizotëron e njëjta frymë, sepse të secili prej tyre, në familjet përkatëse, ka ka marë të njëjtën dozë mashtrimi.

Pamundësia për ta edukuar fëmijën si do dhe si duhet, frika për t’i mësuar të vërtetën është ndër krimet më të mëdha të diktaturës.

Një nga episodet  më interesante të librit është marrëdhënia e familjes Ypi me fqinjët, Papasët, Donikën, ish punonjëse poste në pension dhe Mihalin, ish-partizan, sekretar partie. Midis dy familjeve shkaktohet një sherr serioz në lidhje me një kanaçe koka-kole, të cilin ata arrijnë ta kapërcejnë duke rivendosur marrëdhëniet normale. Në darkën e përbashkët për të festuar pajtimin, Lea e vogël, fare pa të keq plas bombën: “Këta s’duan të kenë fare të bëjnë me Xhaxhin Enver,” thotë ajo për prindërit e saj, “vazhdojnë të më premtojnë që do ta vënë fotografinë e tij në mur dhe gjithmonë i bëjnë bisht. Më duket se nuk e duan Xhaxhin Enver.” Të gjithë ngrinë. Po tani?

“Mihali u vrenjt,” shkruan Lea. Pastaj m’u kthye mua me një vështrim jashtëzakonisht serioz, madje të sertë në fytyrë. “Eja këtu,” më tha…”Kujtoja se ishe vajzë e zgjuar…Ajo që sapo the nuk ishte gjë që e thonë vajzat e zgjuara. Ishte budallëk me brirë. Budallëku më i madh që kam dëgjuar prej teje…”

Papasët ishin në lojë, pjesë e sindromës. Edhe ata nuk besonin, por luanin rolin e tyre, si gjithë të tjerët. Pleqtë e urtë u treguan njerëz dhe nuk e shitën as Lean, as prindët e saj.

Përplasja me të vërtetën Leas i vjen papritur dhe jo natyrshëm. Në vitin 1990 prindërit e saj janë të detyruar ta pranojnë që ngrehina e gënjeshtrës për të mbrojtur vajzën dhe veten është thjesht tymnajë. Me të drejtë Lea e vogël ndihet e prerë në besë nga njerëzit më të afërt të saj dhe ve në dyshim ndershmërinë e tyre dhe të gjithë shoqërisë.

Pyetja që lind duke lexuar librin është “Pse kaq vonë?” Pse pritën Ypët fundin e vitit 1990 që t’i tregonin vajzës të vërtetën.

“Unë e mësova të vërtetën kur nuk ishte më e rrezikshme, por edhe në një kohë kur isha aq e rritur sa të pyesja veten përse më kishte gënjyer familja për një kohë aq të gjatë. Ndoshta nuk kishin besim te unë. Po nëse nuk kishin, përse duhet të kisha unë te ata?” shkruan Ypi*.

Shumë shqiptarë kanë filluar të flasin hapur në familje dhe në rrethe të ngushta shoqërore një ose dy vjet pas vdekjes së diktatorit. Në 1989 e kishte marrë ferra uratën, kishte rënë Muri i Berlinit dhe ishte pushkatuar Çaushesku. Në shumë mjedise flitej hapur se regjimit i kishte ardhur fundi. Të paktën ata të rritur që ishin të vetëdijshëm për mashtrimin e madh ndiheshin të sigurt se diktaturës i kishin rënë dhëmbët.  Duket pak e çuditshme që të vazhdoje ta mbaje fëmijën me përrallën e Shën Kollit. Ndoshta si të persekutuar që ishin prindërit e Leas kanë dashur të jenë më të kujdesshëm se të tjerët deri në fund. Sindroma e Shqiptare e Shën Kollit është më e fortë në hallkat më delikate të saj.

 *  *  *

Kur më ra fillimisht në dorë “Të lirë…” i Lea Ypit pata një lloj ngurrimi për ta lexuar. Kisha parë shkarazi për disa minuta një intervistë të autores në TV ku në tre katër raste përdori togfjalëshin Xhaxhi Enver, për të cilin kam alergji. Fjala ‘xhaxhi’ në shqip shpreh një marrëdhënie afërsie shpirtërore, një lloj dashurie fëminore për një njeri të afërt të familjes. E bashkuar me atë emër të urryer të shkakton pështjellim në zorrë. Është njëlloj si të thuash Xhaxhi Hitler, ose Xhaxhi Kriminel. Përgjithësisht ndër shqiptarët e përdorin ata që s'kanë dalë ende nga Sindroma dhe kanë nostalgji për atë kohë të mbrapshtë.

Jo, nuk më kishin ndikuar aspak komentet negative në rrjetet sociale, sharjet e papërmbajtura dhe akuzat si marksiste nga njerëz që ashiqare nuk kishin marrë mundimin të lexonin librin. Ndërsa fakti që ajo jep Marksizëm në Shkollën e Londrës për Ekonomi vetëm më intrigonte. Unë kam arritur ta ndaj Marksin filosof nga forma e marksizmit që u përdor gjerësisht si fytyrë ideolgjike e diktaturës.

Sidoqoftë, rast për ta lexuar u bë djali që e bleu, e lexoi shpejt dhe fliste me pasion për librin. Ai ka lindur në 1991 dhe ka shumë kurreshtje të ballafaqojë “përrallën” që ne si prindër i kemi treguar me “përrallat” që tregojnë njerëz të tjerë.

Bëra mirë që e lexova sepse ia vlente plotësisht. Në këtë shkrim u ndala vetëm në pjesën e parë, që mendoj se është edhe pjesa më e mirë e librit. Urime Leas.

Kujtdo që lexon këto rreshta, veçanërisht nëse nuk e kanë jetuar periudhën e komunizmit shqiptar, ia rekomandoj fort këtë libër. Do të mësoni shumë të vërteta, veçanërisht të vërtetën për Sindromën Shqiptare të Shën Kollit dhe gënjeshtrën e madhe kolektive.

 

 

*Përkthimet e pasazheve janë të miat (AK) pasi në dorë kam vetëm librin anglisht, jo botimin shqip. 

Friday, August 26, 2022

Udhëtim për në Viktoria.


Viktoria është kryeqyteti i British Kolumbias dhe ndodhet ne Ishullin e Vankuverit. Vankuveri është qyteti më i madh, por nuk ndodhet në ishullin e Vankuverit, por në kontinent. Dita e tretë për ne ishte nga ato ditë kur e ke të vështirë të përcaktosh çfarë qe më e bukur, rruga apo pikëmbërritja.

Nga Vankuveri (qyteti) duhet të marrësh traget për të shkuar në Vankuver (ishull). Udhëtimi zgjat një orë e gjysmë por është një kënaqësi më vete. Në gjysmë orën e parë sheh se si iu largohesh maleve të larta, ndërsa pjesën tjetër trageti gjarpëron mes ishujve të shumtë. Kaltërsia e detit dhe e qiellit luajnë me të gjelbrën e thellë të pishave në ishujt përreth. Po të mos jenë pikat shumëngjyrëshe të varkave të vogla aty-këtu, mund të të duket vetja sikur je zhvendosur pesëqindmijë, njëmiljon vjet prapa në kohë. Është një bukuri e përjetshme.

Ti thua me vete se ky udhëtim ia vlente qoftë edhe për rrugën, por pastaj arrin në Viktoria dhe fillon të dyshosh. Viktoria është bukuri më vete. Gjëja e parë që të bije në sy është mungesa e qiejgërvishtësve. Kjo nuk do të thotë që nuk ka ndërtesa të rënda mbresëlënëse. 


Gjurmët e talentit të Francis Ratenbërit duken qartë në Hotelin Fairmont Empress dhe të famshmen ndërtesë të Asamblesë Legjislative të British Kolumbias. (Për arkitektin Francis Ratenbërin do të shkruaj një herë tjetër, pasi meriton hyrje më vete.)

Ndër befasitë më të këndshme për ne ishte Fisherman’s Wharf (Skela e Peshkatarit), jo vetëm për shtëpizat e vogla gjithë ngjyra, por edhe për ushqimin e shijshëm me peshk të freskët.

Kthimi ishte përsëri kënaqësi dhe një orë e gjysmë lundrim nuk u ndje fare. 

Saturday, August 13, 2022

Gjuaji me bosht

Ti je duke diskutuar në tryezë, në facebook, në debat televiziv, në gazetë. Ke sjellë argumenta, ndihesh i sigurt, madje të duket edhe sikur e ke vënë disi përpara dhe po e mposht kundërshtarin kur, fap, ai të nxjerr Boshtin.

Ti mbetesh pa fjalë, pa asnjë kundër-argument, pa asnjë shteg nga të shpëtosh. Sepse kur tjetri të nxjerr boshtin duhet të dorëzohesh. Boshti është i pakundërshtueshëm.

Një nga boshtet e hershëm ka qënë ai Romë-Berlin-Tokjo. Po të të sulmonin me boshtin Romë-Berlin-Tokjo fill pas Luftës së Dytë Botërore ishe i mbaruar, ose përfundoje në litar, ose në burgim pa afat

Më vonë dolën boshte të tjerë, boshti Moskë-Beograd, ai anglo-amerikan. Ose të tjerë që s’kishin fare lidhje me kryeqytete apo me gjeografinë, boshti imperialisto-revizionist, boshti social-imperialist.

Sot boshti mund të jetë i çfarëdollojshëm, etno-ideologjik (sllavo-komunist), etno-fetar (sllavo-ortodoks), ose thjesht nacionalist (greko-serb). Mund të jetë i jashtëm, por edhe i brendshëm, si për shembull boshti vllaho-ortodoks. Në vartësi nga përdoruesi, boshti mund të jetë i majtë ose i djathtë. Veçanërisht parapëlqehen boshtet ndërkombëtare: soroist, trampist, liberal, konservator.

Kur të sulmojnë me bosht është e pamundur të mbrohesh, me përjashtim të rasteve kur ke gati edhe ti boshtin e kundërt. Atëherë kemi kryqëzim boshtesh dhe beteja mund të shkojë pa fund, por gjithmonë përfundon me barazim.

Kur përdor boshtin si argument nuk ke nevojë as të dish shumë, as të mendohesh shumë, dhe as të kërkosh shumë. Mjafton të mbash mend emrin e boshtit. Boshti nuk është nga ato armët e ndërlikuara që duhet t’i kalibrosh mirë, apo t’i drejtosh si duhet. Nuk ka nevojë as të rrafshosh thepin me shqekëzën. Nuk të hyjnë në punë as fjalët e ndërlikuara, as konstruktet e vështira gramatikore, as drejtshkrimi, as shenjat e pikësimit. Mjafton ta kapësh boshtin, të mbyllësh sytë dhe ta lëshosh: islamofob, homofob, marksist, fashist, racist. Boshtin e përdorin me të njëjtin efekt edhe profesionistë të shquar, që kanë vite që mbushin faqe gazetash dhe botojnë libra, edhe amatorë enthuziastë që mezi njohin gërmat në tastierat e celularëve, edhe kushdo në mes të tyre që përton të mendojë. Nganjëherë mund të marrësh edhe boshtin e dikujt tjetër dhe t’ia përplasësh tjetrit në fytyrë. Ky quhet bosht-citim, ose citim-bosht, si të duash.

Nuk ka rëndësi forma. Rëndësi ka të dish që kur mbetesh keq dhe s’sheh tjetër rrugëdalje, gjuaji tjetrit me bosht. E ke të sigurt që do ta hedhësh pa frymë në tokë. 

Monday, August 1, 2022

Doktrina e Zbulimit


Në foto është Papa Francesku duke meshuar në Faltoren e Shën-Anës-së-Bupresë në Kebek, në 28 Korrik 2022, teksa dy indigjenë kanë hapur një banderolë ku shkruhet: Anullo Doktrinën e Zbulimit (anglisht Doctrine of Discovery). Dy ditë më parë, në Maskuasis të Albertës, Papa iu kishte kërkuar publikisht falje popullsive vendase për “abuzimet e këqija” siç i quajti ai, që Kisha Katolike kishte kryer në shkollat rezidenciale të Kanadasë. Shumë nga indigjenët janë lënë me ndjenjën që kërkesa e faljes nuk është e mjaftueshme.

Por çfarë është Doktrina e Zbulimit që ata i kërkojnë Papës të anullojë? Në një artikull në “National Post” (30 Korrik, 2022), Xhesika Mandi shpjegon se Doktrina e Zbulimit, bazuar në idenë që europianët mund të pretendojnë territore që s’iu takojnë, është dokumenti që i çeli shtegun Ligjit Indian dhe shkollave rezidenciale.

Doktrina e Zbulimit bën pjesë në grupin e koncepteve ligjore ndërkombëtare të quajtura jus gentium, ose “ligji i kombeve”, që u përdorën nga disa vende europiane në shekujt 14 dhe 15. Ajo buron nga parimi i “terra nullius” që përligj pushtimin e territoreve të pabanuara, dhe që me kalimin e kohës u ndryshua duke marrë kuptimin toka të pabanuara nga ‘njerëz të qytetëruar’.

Doktrina buron nga një seri Letrash Papale (Papalis Taurus), që janë deklarata zyrtare të Papës si përfaqësues i pushtetit të Zotit në Tokë. Shekujt 14 dhe 15 ishin kohë kur Kisha Katolike kishte pushtet të madh mbi qeveritë e Europës dhe Letrat Papale konsideroheshin ligj ndërkombëtar.

Letrat Papale iu dhanë disa vendeve europiane, kryesisht Portugalisë dhe Spanjës të drejtën të pushtonin toka jo-të krishtera dhe luajtën një rol thelbësor në kolonizimin e Botës së Re, posaçërisht dy Amerikave.

Pa kaluar shumë kohë nga qarkullimi i Letrave Papale, mbretëritë e Francës dhe Anglisë, dhe bashkë me to edhe disa vende të tjerë europianë, përmes “ligjit të kombeve” shpallën Doktrinën e Zbulimit, të cilën më vonë do ta përdornin si justifikim për të pushtuar toka të reja.

Doktrina e Zbulimit ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe me pasoja afatgjata për kombet indigjene të Kanadasë, sepse së pari justifikonte marrjen e tokave të tyre nga kolonizatorët europianë.

Europianët e parë që mbërritën në pjesën veri-lindore të Amerikës së Veriut vendosën t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me vendasit duke nënshkruar Traktatet e para të Paqes dhe Miqësisë. Këto traktate ishin të rëndësishme, pasi nuk iu kërkonin vendasve që të lëshonin tokën e tyre.

Megjithatë, në 1763, Mbreti Xhorxh III i Britanisë nxorri Shpalljen Mbretërore të mbështetur në Doktrinën e Zbulimit, me anë të të cilës vendoste pronësinë e tij mbi Amerikën e Veriut. Dokumenti përmendte edhe të drejtën e indigjenëve për tokat që kishin në atë kohë në zotërim dhe se tokat që nuk iu ishin marrë ende atyre do të mbroheshin me traktate të veçanta. Kjo i hapi rrugën periudhës së traktateve, në të cilat grupet e ndryshme indigjene filluan të lëshonin territore të tyre në këmbim të disa përfitimeve, duke përfshirë këtu edhe tokat e rezervateve.

Ideja se të krishterët e Europës kishin të drejtën e pronësisë mbi toka që nuk iu takonin qëndronte në thelb të Doktrinës së Zbulimit, në bazë të të cilës u ndërtuan Ligji Indian i Kanadasë dhe sistemi i shkollave rezidenciale.

Doktrina e Zbulimit u kthye në parim ligjor në vitin 1823 kur Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, në gjyqin Xhonson kundër Makintosh, një rast kur dy individë pretendonin  se kishin blerë të njëjtën ngastër toke, njëri nga indigjenët vendas ndërsa tjetri nga qeveria federale. Në vendimin Kryegjykatësi Xhon Marshal përdori Letrat Papale dhe Doktrinën e Zbulimit për të përcaktuar se nuk është e mundur të blesh tokë nga indigjenët vendas sepse ata nuk kanë pasur kurrë pronësi mbi të. Kur u kolonizua toka u bë amerikane. Ky vendim u pasqyrua më vonë, në 1888 edhe në gjykatat kanadeze, gjatë një mosmarrëveshjeje midis qeverisë së Ontarios dhe një territori jo rezervat të Traktatit 3. Gjykata Supreme e Kanadasë vendosi që, pavarësisht se Kanadaja dikur kishte qënë tokë indigjene, kur u zbulua nga europianët ajo u bë pronë e tyre, prandaj toka ishte territor federal.

Natyrisht, vendimet u morën pa u konsultuar me grupimet indigjene.

A do të arrijë Vatikani ta anullojë Doktrinën e Zbulimit? Ndoshta po. Përgjithësisht, peshkopët kanadezë të Kishës Katolike janë kundër saj. 

Tuesday, July 12, 2022

Shënime nga Kuba

Pjesa e Parë

Kjo është një foto nga qyteti Kaibarien (Caibarien) në provincën e Santa Klarës. Eshtë pjesa e re e qytetit – dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë asnjë nga këto ndërtesa parafabrikate nuk ekzistonte. Ne shqiptarëve na kujtojnë shumë gjëra, edhe ndërtesat, edhe hekurat e dritareve. Për kubanët janë parajsa e ëndërruar. Apartamentet iu jepen si shpërblim vetëm atyre që punojnë për turizmin në hotelet e plazheve aty pranë. Pas pesë vjetë pune merr të drejtën të hysh në apartament. Pas pesëmbëdhjetë vjetëve qera, apartamenti bëhet i joti. Po t’i krahasosh apartamentet me shtëpitë e tjera të qytetit duken luks i vërtetë.

Vini re fuçitë e mëdha blu në taracat e ndërtesave. Janë depozita uji, kuptohet. Ujësjellësi i ndërtuar dhjetëvjeçarë më parë, ishte parashikuar vetëm për pjesën e vjetër të qytetit. Tani popullsia është dyfishuar, ndërsa sasia e ujit po ajo. Shoqëruesi në autobuz na shpjegoi se në qytet uji vjen një herë në katër ditë.

Po, shoqëruesit flasin edhe për mungesat, vështirësitë, varfërinë dhe padrejtësitë. Në dallim nga njëzet vjet më parë kur flisnin me enthusiazëm vetëm për fitoret e revolucionit dhe për jetën e shkëlyqer në komunizëm, tani iu është hapur goja. Në fakt, hapja (e gojës) ka ardhur gradualisht. Tashmë edhe parrullat e shumta në rrugë, ku mbizotërojnë ato për Çe Guevarën, janë rralluar. Ndoshta drejtuesit e shtetit kuban po heqin dorë nga propaganda revolucionare. E ç’iu duhet? Ne ruajmë sundimin, juve jepini llapës sa të doni. Po qe se iu shkon mendja të protestoni, iu shtypim si miza.

Në të katër anët e botës ata që sundojnë po e vrasin mendjen gjithmonë e më pak për -izma. Tani sundohet pa teori, pa komunizëm, pa fashizëm, pa…Sundohet kryesisht me gogola, me armiq realë apo imagjinarë: i majti, i djathti, diktatori, luftënxitësi, terroristi, embargoisti.

Propaganda vazhdon vetëm në lidhje me, ose më saktë, kundër Amerikës. Për të gjitha, veçanërisht për varfërinë dhe mungesat e ka fajin Amerika dhe embargoja e saj. Popullit i duhet një përrallë me një armik të madh që sjell fatkeqsi.

Pjesa e dytë

Kuba duket në prag të falimentimit. E pasaktë. Kuba e ka kaluar me kohë fazën e falimentimit. Aq keq është puna saqë mungesat duken edhe në vitrinë - në hotelet për të huaj, shpresa e fundit e ekonomisë kubane.

Dikur vendi mbahej me prodhimin e sheqerit, duhanit dhe rumit. Amerikanët u munduan t’i sabotojnë duke prodhuar sheqer me shumicë dhe më lirë, por Kubanët vazhduan të mbanin tregje sheqeri në BRSS dhe Europën Lindore. Pas 1990tës edhe ky treg u mbyll. Mbetën duhani dhe rumi. Duhanin s’para e ka qef njeri tani, ndërsa rumi ka shumë konkurrentë. Shpresa e fundit për të nxjerrë ndonjë pare është turizmi. Bum – Pandemia e Kovidit.

Kjo e fundit duhet t’i ketë trembur keq. Kur mbërritëm në hotel na ra në sy mirësjellja e pazakontë dhe përkujdesi për të mos lenë asnjeri të pakënaqur. E para gjë që të shkon në mendje është: Këto dy vjet këta do ta kenë kuptuar se ç’do të thotë të humbasësh klientët. Po t’i lexosh shënimet që shkruajnë pushuesit për përvojat e tyre në Kubë këto kohët e fundit, të bijen në sy lavdërimet për mirësjelljen dhe dashamirësinë e personelit.

Surpriza më e këndëshme – kanë instaluar internetin. Tani mund të lidhesh edhe nga dhoma, ndërsa përpara pandemisë të nxinte jetën një kompjuter i ngadalshëm që të merrte paret dhe nuk të jepte mundësi për një orë të kontrolloje emailin.

Mungon letra, çdo lloj letre me përjashtim të asaj higjenike. Një nga punonjësit na shpjegoi se në fabrikën e letrës ishte prishur një pajisje dhe nuk po e zëvendësonin dot. Nuk i le Amerika ta zëvendësojnë(?!). Mungesa e letrave i detyron që në restorant të shërbejnë me peceta të bardha prej lecke, të cilat duhen larë vazhdimisht. Kjo bën që makinat larëse të jenë të zëna me pecetat dhe jo me peshqirët. Pushuesit e shkretë heqin picirin për të ndërruar peshqirët e plazhit dhe ato të banjës.

Pjesa e tretë


Mungon nafta, benzina. Kuba nuk prodhon naftë. Sa ishte Fideli gjallë, atë e merrnin nga Venezuela. Shavezi ishte mik i ngushtë i Kastros. Madje ka zëra që grushtin e shtetit në Venezuelë e kanë organizuar trimat operativë të Kastros me qëllim që ky të kishte kontroll mbi naftën e Venezuelës.

Por punet duhet të kenë ndryshuar. Nga qyteti Kaibarien ku banojnë në parafabrikate punonjësit e hoteleve, deri te plazhet është një rrugë dyzetetetë kilometra. Punonjësit i lëvizin me autobuzë. Por tani që s’ka naftë s’ka as autobuzë. Shumë punonjës i mbajnë dy-tre ditë rresht në hotel.

Administratorët e hoteleve kanë qënë të detyruar të bëjnë një lëshim. Punonjësit mund të hanë në restorant. Kjo ka bërë që shumica e kamerierëve dhe shërbyesve të tjerë të jenë mbi peshë. Dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë të bënte përshtypje sa elegantë ishin kubanët. Tani të bën përshtypje sa të shëndoshë janë.

Nuk jam kundër që punonjësit të ushqehen në hotel, por duhet të bëjnë pak kujdes se nuk është mirë për shëndetin. Vështirë t’i këshilloje të hanin më shumë zarzavate, pasi zarzavatet mungonin thuajse plotësisht. Me përjashtim të bizeleve, patateve, orizit, dhe lakrave, nuk gjen gjë tjetër të mbirë në tokë. Mishi dhe peshku janë me bollëk.

Po ankohem shumë, më duket. Kushdo mund të pyesë: Për çfarë dreqin shkon atje? Më mirë se ta shpjegoj, shikoni fotot.

Pjesa e katërt

Dikur, para Kovidit, në hotelet kubane gjeje turistë nga gjithë bota, me përjashtim, kuptohet, të amerikanëve. Por hasje shumë edhe nga Europa. Këtë vit thuajse të gjithë turistët në hotelin tonë janë nga Kanadaja. Kam hasur vetëm një çift italian, nga Siçilia, si dhe një italian tjetër të cilin e identifikova nga kapelja me stemë të Alfa-Romeos.

Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin pushues nga Kanadaja?

Do t’i kishte hotelet bosh.

Tani për turistët nga Kanadaja. Familja në të djathtë tonë vjen nga Kanadaja, por flasin rusisht. Më tutje është një çift që flasin serbisht. Pas tyre dy familje që flasin gjithashtu rusisht dhe më tutje një familje e madhe që flasin spanjisht. Të gjithë nga Kanadaja.

Janë edhe një grup i madh, shumë i madh vjetnamezësh, rreth 25-30 vetë. Edhe këta nga Kanadaja.

Edhe ne vijmë nga Kanadaja. Si ne, edhe nja tre familje të tjera shqiptare, po nga Kanadaja.

Kanadezët e rritur flasin anglisht me aksent të huaj. Fëmijët flasin anglisht pa aksent. Është edhe një grup kanadezësh nga Montreali që flasin frëngjisht. Kanadezët e rritur që e flasin anglisht pa aksent nuk para shkojnë në Karaibe për pushime. Pëlqejnë më shumë ato që i quajnë ‘cottage’, shtëpitë e pyllit, buzë liqeneve. E vajtura në Kubë apo në Meksikë iu duket aventurë që ia vlen ta ndërmarrësh vetëm në dimër.

Kë do dërgonte Kanadaja në plazhet e Kubës po të mos kishte imigrantët?

Çfarë do bënte Kuba po të mos i vinin si pushues imigrantët e Kanadasë?

Do t’i kishte hotelet bosh, vetëm me dy-tre familje frëngjishtfolëse nga Kebeku dhe me tre Italianë.

Pjesa e Pestë

Imigrantët e Kanadasë vijnë në Kubë. Kubanët emigrojnë kryesisht në Shtetet e Bashkuara, kuptohet në rrugë të tërthorta. Një punonjës i hotelit na shpjegonte se si ata që duan të shkojnë në SHBA kalojnë fillimisht në Nikaragua, ku mund të futen lirisht, dhe prej andej drejtohen për në Meksikë dhe, më tutje, në Amerikë.

Përqëndrimi më i madh i kubanëve në SHBA është në Florida. Kubanët e Floridas urrejnë Kastron e komunizmin dhe i ushtrojnë presion qeverive amerikane që të shtrëngojnë sa më shumë embargo ekonomike kundër vendit të tyre, duke shpresuar që komunistët kubanë do të dorëzohen.

Florida është shtet që voton kryesisht për Republikanët dhe në këtë anim politik luan një rol të rëndësishëm edhe komuniteti i kubanëve. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000 kur konkurronin Al Gore dhe Xhorxh W. Bushi Florida për pak kaloi nga ana e demokratëve. Të dyja partitë në SHBA e dijnë se sa rëndësi ka për zgjedhjet presidenciale komuniteti kuban, prandaj mundohen ta marrin me të mirë atë. Obama ishte i vetmi që bëri hapa për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Kubë, duke vendosur edhe marrëdhënie diplomatike dhe liruar bllokadën ekonomike. Trampi zhbëu gjithçka në kishte bërë Obama, madje edhe e shtrëngoi ca. Biden nuk ka bërë asnjë hap të zhbërë atë qe bëri Trampi.

Ka gjashtëdhjetë vjet që Amerika i bën embargo ekonomike Kubës sepse ka presionin e kubanëve të Amerikës. Ka gjashtëdhjetë vjet që politika e embargos nuk ka pasur kurrfarë suksesi. Komunistët e Kubës nuk dorëzohen sikur edhe bar të hanë. Ata që hanë bar janë populli kuban, sepse ata që sundojnë në Kubë nuk hanë bar. Me një fjalë, kubanët e Amerikës i bëjnë presion qeverisë amerikane që të shtrengojë embargon ndaj Kubës duke shkaktuar varfërimin e vazhdueshëm të popullit kuban.

Pjesa e Gjashtë


Kubanët mburren se kanë plazhet më të mira në botë. Në fakt kanë plazhe shumë të bukura. Kush shkel në Santa Klara i thonë se plazhi më i mirë i Kubës është padyshim në Kajo Ensenachos. Për Mozën dhe mua Kajo Ensenachos është vendi më i bukur në botë. Deti është kryesisht i qetë, me një sipërfaqe si pasqyrë; rëra është e bardhë dhe pak e ngjeshur, e përsosur edhe për të ecur përgjatë bregut. Përgjithësisht është vend i qetë, me pak pushues, dhe të krijon ndjesinë e një plazhi privat. Natyra përreth është sa e patrazuar, aq edhe e patrazueshme. Kur del shëtitje gjen guacka të mëdha sa një pjepër që në anglisht quhen kang (conch shells), yje deti të mëdhej, peshq dhe gaforre me shumicë, si edhe lloje të ndryshme zogjsh. Në ishull nuk ka asnjë kafshë katërkëmbëshe.

Kur je atje, rrallëherë të shkon mendja se ka gjë tjetër më të rëndësishme në botë. 

Friday, June 24, 2022

Gilead*


“Unë e krijova Gileadin. Gjykata supreme po e bën atë të realitet.” Margaret Atwood.

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i dha fund sot të drejtës kushtetuese të grave për të abortuar duke e kthyer vendin gjysmë shekulli pas, në ato kohë të errëta kur gra dhe vajza vdisnin viktima të praktikave jo-profesionale dhe kushteve të këqija me të cilat kryheshin ilegalisht ndërhyrje në trupin e tyre. Praktikisht, ky është kurorëzimi i suksesshëm i përpjekjeve të evangjelistëve dhe fundamentalistëve të krishterë për të tërhequr për hunde politikën amerikane.

Teksa prej dhjetëvjeçarësh në pjesën dërrmuese të vendeve demokratike të botës e drejta e grave për të vendosur mbi trupin e tyre është hequr nga diskutimi shoqëror duke u parë si çështje e zgjidhur, në Amerikë ajo ka mbijetuar si një ndër pikat më të nxehta të debateve politike. Kjo në sajë të ndikimit dhe forcës financiare të qarqeve ekstremiste fetare.

Ishte pikërisht synimi për të arritur te kjo ditë arsyeja përse fundamentalistët e krishterë e vunë arsenalin e tyre politik në mbështetje të një figure moralisht të diskretituar si Donald Tramp, i cili ua shpërbleu mbështetjen duke përzgjedhur kandidaturat që ata i imponuan për në Gjykatën Supreme. Përmes manipulimeve dhe shfrytëzimit të fuqisë së votës në Senat kundrejt praktikave të mëparshme, ai arriti të emërojë tre prej tyre, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barret dhe të përmbysë ekujlibrin e gjykimit në institutin më të lartë të drejtësisë amerikane.

Natyrisht, Trump e gënjente mendja se gjykatësit e emëruar prej tij do t’ia mbanin mend nderin dhe do t’ia kthenin borxhin kur të vinte puna për të kontestuar zgjedhjet. Por nuk ndodhi ashtu sepse gjykatësit dhe turma e evangjelistëve që iu rrinte nga pas nuk e shihnin veten të detyruar ndaj Trumpit, por ndaj synimit për ta kthyer Amerikën në teokraci. Trampi për ta ishte thjesht vegël e përkohëshme për të arritur një qëllim strategjik.

Vendimi i sotëm shihet si një bombë e lëshuar pa përgjegjësi në shesh-betejën e ashpër të përplasjeve shoqërore që kanë përfshirë prej kohësh Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që pritet që ajo të pasohet nga tronditje të forta, efekti afatgjatë është vështirë të parashikohet. Le të shpresojmë që të jetë një alarm për të zgjuar njerëzit dhe veçanërisht gratë në të dy krahët e spektrit të ashpërsuar politik dhe për t’i rikujtuar të gjithëve se prapa tymnajës së lehtë të problemeve dytësore të përemrave dhe mbiemrave gjinore, fshihet artileria e rëndë që shkatërron themelet e të drejtave të tyre.

*Gilead është Amerika imagjinare në distopinë e Margaret Atwood “The Handmaid’s Tale” që në shqip është përkthyer “Rrëfimi i Shërbëtores.”

Saturday, May 14, 2022

Dëmkontrolle


Dy qyfyre politike nga Amerika e Veriut

1. Kongresisti republikan amerikan Medison Kauthorn (Cawthorn) po përpiqet të kontrollojë dëmin ndaj figurës së tij nga shpërndarja e disa fotove ku ai ka pozuar i veshur si zonjë. Historia është paksa më e thellë se kaq: Para disa kohësh i pyetur nga drejtuesi në një podcast se sa të vërteta ishin skenat që përshkruheshin në serialin “Shtëpi letrash” (Hause of Cards), Kauthorni u përgjegj “shumë“. Pastaj vijoi duke rrëfyer se si kongresist i ri ai ishte ftuar shpesh në mbrëmje të organizuara nga kolegët e tij më të moshuar republikanë që jo rrallë shndërroheshin në orgji. Me sa duket Kauthorni ka dërdëllisur në podcast pa u menduar mirë dhe pa llogaritur se kolegëve të tij të më të moshuar republikanë mund të mos iu pëlqenin që orgjitë e tyre të tema të diskutimeve publike dhe, për rrjedhojë, të reagonin duke gërmuar në arkivat e fotove të tij.

Kauthorn përfaqëson Karolinën e Veriut dhe thotë që është rritur me dhe vazhdon të mbartë vlerat më të mira të Krishtërimit. “Unë ndjek besimin Judeo të Krishter,” ka deklaruar ai. “Kam një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Jezu Krishtin. Nëse mendoni për ideologjinë time politike, ose nga rrjedh ajo, etika dhe morali im dhe si e ndaj unë të mirën nga e keqja buron nga Jeruzalemi, nga vlerat Judeo të Krishtera.” Kauthorn i përket grupit më konservator të republicanëve dhe është luftëtar i vendosur politik i të drejtave të LGTB.

2. Ministri i Arsimit i Ontarios Stefan Liçi po përpiqet të kontrollojë dëmin e shkaktuar nga akuzat se në vitet e studentllëkut ka marrë pjesë në inskenime ceremonish me tregëti skllevërish dhe në rituale ku nxitej seksi me dhitë. Humori me plagën më të dhimbshme të historisë së kontinentit dhe ushtrimi i bestialitetit nuk kanë qënë aspak pjesë e programit mësimor. Përkundrazi, ato janë elemente të ritualeve të vëllazërisë Sigma Chi në Universitetin Western në London, Ontario. 


Duke lënë mënjanë anët revoltuese dhe komike të lajmit, Liço paraqet interes sepse ka qënë ndër ministrat më të njohur të kabinetit të kryeministrit Dag Ford, i cili tani është në fushatë për t’u rizgjedhur. Jo vetëm për faktin se Arsimi është nga përparësitë e pushtetit të provincave në Kanada, por edhe sepse Ford, si shumica e politikanëve konservatorë të provincës e kanë halë në sy shkollën dhe mësuesit. Me këtë nuk dua të them që Ford është kryeministër i keq. Vetëm se unë nuk pajtohem me politikën e tij arsimore. Personalisht bëja gjithmonë çudi se si mund të gjendej një njeri që të vihej në krye të Ministrisë së Arsimit dhe të ishte i gatshëm për të shkatërruar fushën që drejtonte. Zakonisht për këto lloj punësh zgjidhen njerëzit me shtyllën kurrizore më të epshme. Ja që u zgjidh edhe enigma Liçi.

Shënim: Fotoja e Kauthorn është e vërtetë, ndërsa tabela që mban në dorë Liçi është e montuar.