Monday, February 13, 2017

Dashuria mbi nënshtrimin



Kjo fotografi ka disa vjet që qarkullon në internet duke mahnitur shumë njerëz me aktin e heshtur, por thellësisht të guximshëm të mospajtimit me shumicën. Padyshim, në atë foto mund të ketë edhe shumë të tjerë që nuk e kanë përkrahur, ose nuk e kanë dashur regjimin nazist, por veprimi, ose mosveprimi i atij burri që qëndron duarkryq teksa të tjerët shprehin besnikërinë është i rrallë. Veçanërisht po të kihet parasysh që përballë këtyre njerëzve që përshëndesin me dorën e shtrirë ndodhet vetë Hitleri.
August Landmesser
I pabinduri quhet August Landmesser. Fotoja është marrë në 13 Qershor 1936 në kantjerin detar Blohm + Voss ku ai punonte dhe ku, krejt papritur u çfaq për vizitë vetë Fyrheri. Mesa duket Landmesser nuk ka mundur ta detyrojë veten të ngrerë dorën lart për të përshëndetur një njeri që në atë kohë ai nuk e honepste.
Historia e August Landmesserit është vërtet interesante. Fillimisht, duke dashur të ecte në karrierë ai u regjistrua në rradhët e Partisë Naziste. Por më vonë, ai ra në dashuri me Irma Eckler një vajzë çifute dhe shumë shpejt e kuptoi se duhej të zgjidhte midis dashurisë dhe partisë. Fotoja tregon se ai ka zgjedhur të parën. 
Irma Eckler
Fejesa i solli përjashtimin nga partia. Ata u martuan dhe lindën një vajzë. Në 1937 u përpoqën familjarisht të kalonin në Danimarkë, por nuk mundën, sepse u kapën në kufi. August Landmasser u akuzua për shnderim të racës dhe u fut në burg për një periudhë të shkurtër. Më vonë ata u përpoqën përsëri të dilnin nga Gjermania, dhe përsëri u kapën. Irma u dërgua sa në një burg, në një kamp përqëndrimi, ku edhe lindi vajzën e tyre të dytë. Të dyja vajzat u morën nga shteti dhe iu dhanë për t’i rritur dhe edukuar familje të tjera. Irma vdiq në vitin 1942 në dhomat e gazit në Bernburg. August Landmesser u lirua nga burgu në 1941, por më vonë, kur Gjermania naziste ishte keq për trupa ushtarësh, u mobilizua me forcë në një njësi ish-të burgosurish dhe u dërgua në Kroaci. Aty u vra katër muaj para mbarimit të luftës.
Një histori e dhimbshme ndër shumë të tjera të ngjashme. Megjithatë, nuk mund të mos admirosh forcën e karakterit të këtij njeriu të thjeshtë i cili nuk ia nënshtroi diktaturës dashurinë.
Nuk di ç’paralele mund të bëhen me ne shqiptarët. Përpara disa ditësh hodha për diskutim në një status idenë e nënshtrimit tonë kolektiv në diktaturë. Ne i kemi pasur jashtëzakonisht të paktë zërat kundërshtarë, qoftë edhe të këtij karakteri, të qëndrimit të heshtur e duarkryq kur të tjerët përshëndesnin me zell. Statusi gjeti mbështetje, siç pati edhe shumë reagime e shumë rrahje gjoksi, por ndonjë August Landmesser nuk u çfaq gjëkundi. E keqja është që ata njerëzit që dikur përshëndesnin me dorën lart ose me grushtin pranë ballit, tani kanë ngritur gishtin tregues për t’ia tundur para syve në mënyrë akuzuese njëri-tjetrit. Këta janë trimat që akërrehen dhe ulërasin 30 vjet pasi ka mbaruar davaja.
Megjithatë, nesër është Shën Valentini dhe unë shpresoj që këto rreshta të lexohen si një histori që flet për fitoren e dashurisë mbi nënshtrimin ndaj diktaturës. Në fund të fundit, diktaturat dhe dashuria nuk kanë shkuar kurrë mirë me njëra-tjetrën.

Saturday, February 11, 2017

Popull monumental



Bashkia e Sarandës ka vendosur të heqë nga lulishtja kryesore e qytetit bustin e Hillary Clintonit. Mësohet se këshilli bashkiak i qytetit ka shpallur konkursin dhe po kërkon mjetet financiare për të ngritur bustin e Betsy DeVos. “Me këtë zëvendësim, këshilli bashkiak i qytetit do të shprehë përkrahjen ndaj zhvillimit të arsimit, shkencës
dhe përparimit shoqëror. Profesoresha Betsy DeVos njihet si reformatore e shquar e sitemit arsimor,” tha për shtypin zëdhënësi i Bashkisë.
Ndërkohë, për të kursyer fondet, Kryeministria po diskuton nxjerrjen e një urdhëresë që bustet e personaliteteve botërore në qendër të qyteteve shqiptare të bëhen prej plasteline. Në këtë mënyrë, materjali i përdorur nuk shkon dëm. Me plastelinën e bustit të Betsy DeVos në të ardhmen mund të bëhet busti i George Sorosit, mjafton që t’i ntrashet ca koka dhe t’i shkurtohen pak flokët. E njëjta sasi plasteline mund të përdoret për bustin e Erdoganit, Mugabes dhe personaliteteve të tjerë botërorë, sipas rastit.
Një debat i ngjashëm është hapur edhe në Prishtinë, veçanërisht në lidhje me të ardhmen e statujës gjigande të Presidentit Clinton. Për këtë është ngritur një grup studimor nga qeveria e Kosovës, i cili ka arritur në përfundimin se në rastin e një vizite iminente nga Presidenti Trump nuk është fare e nevojshme që të zhvendoset statuja. Mjafton t’i mbulohet koka me ndonjë qese plastmasi dhe të zëvendësohet emri poshtë.
Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë po diskutojnë edhe për hapjen e një varreze të përbashkët bustesh e monumentesh diku në rrethinat e Kukësit.

Wednesday, January 25, 2017

Kush shkon e çfarë mbetet



Kujtdo që e ka jetuar kohën e komunizmit i kujtohet stigma e pushtetit ndaj artit dhe muzikës së degjeneruar borgjezo-revizioniste. Aq i rrezikshëm ishte ai për komunistët saqë njerëzit përfundonin edhe burgjeve e internimeve të akuzuar si simpatizantë të këtij apo atij artisti. Megjithatë, rinia, të paktën ajo pjesë e rinisë që shihte përtej kornizës së ngushtë të komunizmit, i ndiqte me adhurim artistët më të mirë të viteve 1960të, 1970të dhe 1980të.
Interesante ishte që shumë nga artistët që konsideroheshin të rrezikshëm nga strukturat partiake të kohës së enverit, nuk shiheshin me sy të mirë as nga qeveritë dhe shtresat konservatore të vendeve perëndimore. Kjo ndodhte sepse këngëtarët dhe artistët më të mirë ishin njëkohësisht edhe aktivistë për të drejta shoqërore. Ata që sjellin risi në muzikë dhe art, sjellin një frymë të re edhe në marrëdhëniet e shoqërisë, duke shkatërruar dogmat, duke mospërfillur pushtetin e çfarëdo forme, duke sfiduar autoritetin, dhe duke i dhënë krah lëvizjeve për emancipim. Pavarësisht nga ngjyrat e pushtetit, shumica e artistëve janë konsideruar gjithmonë rrezik për establishmentin.
Por ndërsa komunizmi i luftonte haptazi dhe me dhunë, në rrethanat e lirisë së vendeve demokratike kapitaliste ata nuk hiqeshin qafe kollaj. Sulmet ndaj tyre kanë qënë gjithmonë të kujdesshme dhe të maskuara mirë. Heminguein e ndiqte FBI i Huverit, Trumbon dhe skenaristë të tjerë i sulmoi dhe madje burgosi makartizmi, siç detyroi e njëjta periudhë histerie Çarli Çaplin që të mos kthehej në SHBA për një kohë të gjatë, Xhon Lenonin e kishte halë në sy dhe nuk i jepte qytetarinë Niksoni. Një gjë ka mbetur e pandryshueshme – pushteti, çfarëdolloj pushteti, nuk ka qënë dhe nuk ka se si të ketë qënë në të njëjtën pozicionim me artistët, sepse artistët janë zakonisht një hap përpara.
Artistët më të shquar kanë qënë edhe veprimtarë shoqërorë tepër aktivë - Xhon Lennon dhe Beatles, Mick Jagger dhe Rolling Stones, Xhoan Baez, Bob Dylan, Paul Simon dhe Art Garfunkel, Xhimi Hendrix, Bob Marley, Neil Young, Bono, Eric Clapton, Phil Collins, Madonna, Xhenis Xhoplin, Elton Xhon, Fredi Mercury, Harry Belafonte – lista mund të shkojë pa fund. Këta janë idhujt e rinisë së viteve 1960 – 1990 dhe të rinisë së sotme. Ata këndonin dhe frymëzonin për barazi shoqërore, për liri të individit, për paqen dhe dhënien fund të luftës në Vietnam e kudo, për të drejtat e grave e të pakicave me ngjyrë, për të drejtat e homoseksualëve dhe për liri seksuale, për shembje të tabuve dhe rregullave konservatore. Ata kanë frymëzuar breza të tërë të rinjsh dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në shndërrime tepër të rëndësishme të shoqërisë.
S’ka se si të mos të të pështjellohen zorrët e barkut kur lexon sot komsomolas shqiptarë të ekzaltuar të cilët, në emër të luftës kundër “majtizmit” ose “komunizmit” (!!??) përdorin të njëjtën terminologji që përdornin sekretarët e dikurshëm të partive për t’u hakërryer kundër artistëve më të mirë -- njerëz të degjeneruar, plehëra të shoqërisë, dekadentë, të çthurrur moralisht, drogaxhinj. Ngelesh pa frymë nga urrejtja me të cilën i janë vërsulur fletërrufeistët e rrjeteve sociale Madonës dhe Meryl Streep sepse kanë guxuar të flasin kundër udhëheqësit të dashur dhe të pagabueshëm Donald Trump. Nuk është aspak çudi që shumë prej tyre të jenë të njëjtët njerëz që i përdornin të njëjtat fjalë për të shprehur përkrahjen ndaj atij udhëheqësit tjetër të dashur dhe të pagabueshëm.
Politikanët dhe kryetarët e shteteve shkojnë e vijnë. Jo vetëm në demokraci, ku për fat të mirë sistemi i ndërron si plaçka të vjetra çdo katër apo tetë vjet, por edhe në diktatura, ku sado që zgjasin, vjen një ditë dhe i kosit vdekja. Artistët e mëdhenj mbeten të pavdekshëm. Zërat e Bob Marlit dhe Xhon Lenon, Xhenis Xhoplin dhe Fredi Mërkuri vazhdojnë dhe kumbojnë jo vetëm me ritmet dhe meloditë e tyre, por edhe me mesazhet e fuqishme të lirisë dhe barazisë shoqërore. Nuk ka dyshim që në rradhët e tyre do të hyjë edhe Madona, si këngëtare, koreografe dhe artiste gjigande, pavarësisht çakejve që çirren sot.

Monday, January 23, 2017

Shikoni ujkun



Në bazë të cilit ligj do të dënohet ajo gruaja që iu fliste fëmijëve me simpati për terroristët e ISIS-it dhe Bin Ladenin? Policia e ka arrestuar për «Nxitje të urrejtjes ose grindjeve» por në asnjë fjalë të saj nuk duket se ajo ka nxitur ndonjë urrejtje apo grindje. Ajo thjesht mundohet të nxisë dashurinë për dy organizata terroriste islamike. A s’është kjo njëlloj si gjithë ata që shprehin lart e poshtë ditën me djell admirimin për Hitlerin, ose për Enver Hoxhën? Përse dënohet ajo dhe nuk dënohen Pëllumb Xhufi, Muharrem Xhafa, Nexhmije Hoxha, Vito Kapo, Idajet Beqiri, Sabit Brokaj apo qoftë edhe Alfred Mojsiu që dalin hapur në shtyp në përkrahje të kriminelëve si enver hoxha dhe mehmet shehu?  E vetmja mënyrë se si mund të dënohen me burg për gjërat që thonë këta dhe ajo gruaja është duke ri-kthyer ligjin e “Agjitacionit dhe Propagandës” të komunizmit.  
Mund të arrestosh një njeri dhe ta dënosh atë sepse shprehu mendimin e saj, por kjo, përveç dhunimit të lirisë së shprehjes dhe të mendimit, nuk zgjidh gjë. Opinionin e shprehur prej saj e ka formuar një ideologji e caktuar. Atë e mbështet një aparat i tërë propagandistik dhe ideologjik, i cili lejohet të veprojë lirisht në Shqipëri dhe, ajo që është më alarmante, të hyjë edhe në institucione që quhen shkolla. Madje përhapësit e këtyre ideve të mbrapshta quhen “mësues”, megjithëse ato nuk iu mësojnë nxënësve asgjë tjetër veç bazës ideologjike të ISIS dhe Al Kaidës. Ka shumë të ngjarë që edhe financimi i shkollës së saj të jetë nga i njëjti burim që financon ISIS dhe Al Kaidën.
Dënimi me burg i kësaj gruaje nuk do të sjellë asgjë. Nxënësit e asaj shkolle do të vazhdojnë të indoktrinohen sistematikisht nga dikush tjetër. Atyre do të vazhdohet t’iu shplahen trutë me të njëjtat përralla. Përderisa vazhdojnë të lejohen shkollat fetare s’kemi përse çuditemi që në to fëmijëve t’u mësohen gjëra të tilla. Të lejosh shkolla që kanë për synim përhapjen e një ideologjije të caktuar, është njëlloj si të lejosh shkolla që përhapin marksizmin. Nëse do të kishim shkolla marksiste-leniniste, komuniste, s’do të kishim asnjë arsye për t’u çuditur që në to të flitej me simpati për enver hoxhën, stalinin, maon e këdo tjetër dhe arrestimi i mësuesve të tyre do të ishte krejtësisht i pakuptimtë.
Shikoni ujkun, mos u hutoni pas gjurmëve.

Thursday, November 17, 2016

"Komunisti" George Soros

A mund të më shpjegoni pak se në çfarë universi, ose me çfarë rregull treshi, apo katërshi, del George Sorosi komunist? Me sa di unë, Soros është një derr kapitalisti që s’e ka shokun, një nga më të pasurit në botë, me nja 25 miliardë dollarë nëpër xhepa. Unë e di që ai përdor një pjesë të vogël të tyre për hobin e tij – futjen e hundës në punët e brendshme politike të vendeve të ndryshme. Di që ka edhe një fiksim me shoqëritë e hapura (Open Society) dhe që për shkak të këtij hobi ka bërë shumë armiq. Por s’di se si t’i bëj llogaritë që ai të më dalë komunist. Madje edhe ‘stalinist’ siç e përcaktonte një zonjë e nderuar në një koment.
Kam lexuar edhe disa të tjerë që në mbështetje të akuzës për veprimtari komuniste përmendin faktin që ai mbështet Hillary Clinton. Në fakt, duke mbështetur Hillary Clinton Soros provon pikërisht të kundërtën, që është një kapitalist nga ata më të thekurit. Soros nuk hyn në listën e donatorëve më të mëdhenj të fushatës së Clintonit. Atë listë e kryesonjnë organizma me reputacionin më të keq të mundshëm të kapitalizmit si JPMorgan Chase & Co., Goldman Sachs, Citgroup Inc. etj. Në listën e donatorëve të pa shpallur të Clinton flitet se janë edhe ca sheikë nga Arabia Saudite. Por s’ma do mendja se gjendet ndonjë komunist.
Pyetja ime është e thjeshtë: Si del Sorosi komunist? Dhe përpara se të më vërsulet ndonjëri duke më quajtur mua Sorosian komunist, dua të theksoj se s’kam asnjë simpati për Jorgon e Budapestit.

Post-Truth

Fjalori i Oksfordit ka përcaktuar fjalën “post-truth” (pas-të-vërtetës) si fjalën më të rëndësishme të vitit 2016. Fjala ‘post-truth’ përcakufizohet nga fjalori si mbiemër ‘që ka lidhje me ose që përcakton rrethana në të cilat faktet, të vërtetat objektive ndikojnë shumë më pak në formimin e opinionit publik se sa ndjellja që iu bëhet emocioneve apo besimeve personale të paracaktuara. Redaktorët e fjalorit vunë në dukje se përdorimi i termit ‘post-truth’ në vitin 2016 ishte rritur gati 2000 % në krahasim me vitin e kaluar. Kjo rritje e jashtëzakonshme ka pasur lidhje të drejtpërdrejtë me referendumin për BE-në në Mbretërinë e Bashkuar dhe fushatën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Edhe në shqip ne përdorim togfjalësha si ‘pas-luftës’, ‘pas-dasmës’ ose edhe shprehjen popullore ‘si kofini pas-të-vjeli’, për të përshkruar një periudhë në të cilën diçka ka mbaruar dhe një situatë krejt tjetër mbizotëron. ‘Post-truth’ pra përdoret për të treguar se të vërtetës i ka ikur koha, me faktet s’merret më njeri, dhe njerëzit orientohen nga emocionet, nga ndjenjat dhe paragjykimet. Pikërisht këtyre dijnë t’iu drejtohen më së mirë politikanët, duke i shfrytëzuar ato për përfitimet e tyre. Faktet janë kthyer në diçka të bezdishme, të neveritshme, që ua ngrenë nervat njerëzve. Nuk është çudi që urrejtja, racizmi, nacionalizmi ekstrem, e kanë mbytur logjikën dhe faktet. Prandaj sheh njerëz jeta e të cilëve varet nga programet sociale të votojnë në masë për partinë që premton shkurtimin e programeve sociale; punëtorë të varfër që ankohen se nuk iu dalin paratë, të votojnë për kandidatin që iu premton se do t’i pakësojë taksat e të pasurve; imigrantë që votojnë për masa të rrepta kundër imigrantëve; njerëz që dëshirojnë të lutfojnë korrupsionin dhe votojnë për kandidatët më të korruptuar; konservatorë që duan familje të rregullta e të pastra, që votojnë për manjakë seksualë të deklaruar. Rëndësi ka kush të prek telat e zemrës, jo kush të jep fakte me të cilat duhet të lodhësh kokën. Eshtë epoka e pas-të-vërtetës.