Friday, June 30, 2017

Kur dhe si hiqen drejtuesit e partive



Dy profesorë kanadezë William Cross (Carlton University) dhe Andre Blais (University of Montreal)  kanë kryer një studim ku krahasojnë procedurat e drejtimit të partive në Australi, Kanada, Irlandë, Zelandën e Re dhe Mbetërinë e Bashkuar. Me interes është fakti që nga këta pesë vende Kanadaja dallohet si i vetmi ku partitë politike nuk kanë procedura të përcaktuara me anë të të cilave anëtarët e partive mund të sfidojnë drejtuesit e tyre.
Studimi fokusohet edhe në mënyrën se si përfundojnë karrierat e drejtuesve të partive. Kjo ndodh normalisht në tre forma : 1. drejtuesi jep dorëheqjen (ose vullnetarisht, ose nën presion); 2. ai ose ajo hiqet nga posti; drejtuesi vdes (ose partia shpërbëhet). Cross the Blais studiuan largimin e 110 drejtuesve partiakë që nga Janari 1965 deri në janar 2008 dhe arritën në përfundimin se shumica e tyre (76%, ose 85 nga 110 drejtues) kanë dhënë dorëheqjen, dhe se shumica e atyre që kanë dhënë dorëheqjen (59, ose 54%) e kanë bërë këtë nën presion. Është e kuptueshme që shumica e atyre që kanë dhënë dorëheqjen nën presion e kanë bërë këtë për të shmangur heqjen me forcë.
Bije në sy numri i drejtuesve që janë hequr nga posti. Gjatë periudhës 43 vjeçare që përfshin studimi i Cross the Blais, vetëm 17 drejtues në këto pesë vende janë hequr pa dëshirën e tyre – 5 në Zelandën e Re, 7 në Australi, 3 në Mbretërinë e Bashkuar, 1 në Irlandë dhe 1 në Kanada. Gjatë të njëjtës periudhë vetëm 3 Kryeministra në pushtet janë detyruar të largohen nga anëtarët e partive të tyre – Margaret Thatcher (1979 – 1991) në Mbretërinë e Bashkuar, dhe Bob Hawke (1983 – 1991) e John Gorton (1968 – 1971) në Australi. Thatcher hipi në pushtet në 1979, por nga fundi i vitit 1990 Konservatorët anglezë ishin të shqetësuar sepse që prej 18 muajsh ata renditeshin pas Laburistëve në anketime. Të njëjtat anketime tregonin se ndryshimi i drejtimit të partisë do t’iu jepte Konservatorëve britanikë përparësi.
Këto shembuj flasin për dy pika të rëndësishme. Së pari, anëtarësitë e partive që janë në pushtet nuk janë edhe aq të prirura t’i detyrojnë drejtuesit e tyre (dhe Kryeministrat) të largohen nga partitë nëse këto ecini mirë në anketime. Të tre Kryeministrat që kanë dhënë dorëheqjen e kanë bërë këtë të detyruar nga rënia në anketime dhe rezultatet jo të mira në zgjedhje. Pika e dytë është që më shumë të prirura për t’i detyruar drejtuesit të tërhiqen janë partitë opozitare.
Shenimi im : Gjatë periudhës që unë kam jetuar në Kanada dhe kam ndjekur nga pak procesin politik këtu, mbaj mend këto dorëheqje drejtuesish partish  në plan federal :
1.       Padi ndejti 11 vjet në pushtet dhe pasi fitoi zgjedhjet për herë të tretë, Jean Chretien u largua vullnetarisht nga pozicioni i Kryeministrit dhe drejtuesit të Partisë Liberale.
2.       Vendin e tij e zuri Paul Martin i cili drejtoi partinë dhe vendin si kryeministër për 3 vjet. Në zgjedhjet e vitit 2006 ai humbi dhe fill pas kësaj kërkoi dorëheqjen si drejtues i partisë.
3.       Procesi i zgjedhjes së një drejtuesi tjetër partiak pasi është dhënë dorheqja e drejtuesit ekzistues është i gjatë dhe i ndërlikuar. Ai shkon deri një vit. Gjetë këtij viti partinë e drejton një drejtues i përkohshëm, i cili, me t’u zgjedhur drejtuesi i ri jep dorëheqjen. Drejtues i përkohshëm i Partisë Liberale në Kanada në vitin 2006-2007 ishte Bill Graham. Ai ia la vendin Sephane Dion.
4.       Pas dështimit të Dion në zgjedhje dhe dorëheqjes së tij, drejtues i partisë Liberale u bë Michael Ignatieff. Edhe ky nuk pati sukses në zgjedhje dhe u dorëhoq nga pozicioni për t’u zëvendësuar nga drejtuesi aktual i Partisë Liberale dhe Kryeministër i Kanadasë, Justin Trudeau (natyrisht pas një procesi të gjatë zgjedhor).
5.       Ndërkohë, nga Partia Konservatore, drejtuesi Stephen Harper qëndroi si Kryeministër nga viti 2006 deri në 2015, duke pasur një karrierë shumë të suksesshme. Megjithatë, ai dha dorëheqjen duke ia lënë vendin Rona Ambrose, e cila u bë drejtuese e përkohëshme e partisë deri në zgjedhjen e drejtuesit actual.
6.       Përpara disa muajsh dha dorëheqjen drejtuesi i Partisë së Re Demokratike (NDP) që është partia e tretë e madhe në Kanada. Arsyeja – në zgjedhjet e fundit partia humbi disa vende, megjithëse nuk pretendonte për pushtet.  

Monday, May 8, 2017

Fragment bisede



“Po na mbysin imigrantët” thane ca imigrantë.
“Vijnë këtu dhe, jo vetëm që nuk punojnë, por edhe marrin asistencë,” thanë nja dy që ishin në ndihmë sociale.
“Marrin asistencë dhe pastaj punojnë në të zezë,” u hodhën disa që s’kishin hapur kurrë llogari bankare dhe jepnin e merrnin vetëm ‘cash’.
“Dembela në kulm,” e mbështeti njëri që s’i kishte thënë ende punës ‘mirë mëngjes’.
“Që merren me lloj-lloj krimesh,” tha ai që sapo kishte dalë nga burgu.
“Janë edhe imoralë,” tundi kokën një prostitutë e dalë në pension.
 “Rrijnë gjithë ditën klubeve dhe kafeneve!”
“Do merrni ndonjë gjë tjetër se keni katër orë me nje late?” ndërhyri kamerierja.
“Po që nuk të lënë të shash as gejtë, as të zinjtë, as ata që ndërrojnë sekset…”
“Po qe duan t’iu ulin taksat atyre korporatave që e mbajnë gjallë këtë vend dhe të shtojnë programet sociale?!”
“Po që lejojnë abortin?”
“Po që duan t’i bëjnë universitetet falas që të shkojnë hyrja-byrja kush të mundet?”
“Allah – Allah! Tani duan të sjellin edhe muslimanë me shumicë.”
“Gjithë fajin e kanë këta të majtët, komunistët,” i vuri pikat mbi ‘i’ një ish-sekretar partie.
“Tcuk, tcuk, tcuk!” ia bënin të gjithë duke tundur kokat me inat.

Friday, April 21, 2017

Mbretëresha Nzinga



Keni dëgjuar të flitet për Mbretëreshën Nzinga, prijësen nga Afrika Perëndimore që iu vuri dërmën tregëtarëve të skllevërve dhe nuk i la të nënshtronin popullin e vet? Ka shumë mundësi që jo, pasi historia e Afrikës tregohet më së shumti sipas varjanteve të europianëve, dhe jo si ka ndodhur në të vërtetë.
Në shekullin e 17të pjesa perëndimore e Afrikës, pak a shumë aty ku sot ndodhet Anglola, ishte e ndarë në dy mbretëri. Këto dy mbretëri do t’i bashkonte në një të vetme dhe të fuqishme një grua me aftësi të rralla – Mbretëresha Nzinga.
I ati i Nzingës ishte King Ndongo, i cili sundonte mbi gjysmën e kombit të ndarë të Angolës. Në atë kohë mbretëria e Ndongos ishte në luftë me armiqtë e tyre në Kongo. Kjo ishte situata nga e cila përfituan misionarët portugezë në tregëtinë e tyre të skllevërve. Mbreti Ndongo u vu në anën e portugezëve me kusht që këta të mos merrnin skllevër nga Anglola, dhe portugezët e respektuan marrëveshjen për sa kohë që ai ishte gjallë. Por pas vdekjes së tij ata nuk e panë fare të arsyeshme që t’i qëndronin fjalës. I rrasën në burg edhe të birin edhe të nipin dhe vunë nën kontroll gjithë mbritërinë.
Këtu fillon historia e Nzingës, e cila s’kishte ndërmend ta linte mbretërinë e të atit t’i rrëshqiste nga duart. Ajo vajti drejt e në zyrën e guvernatorit portugez për t’i kërkuar jo vetëm lirimin e të vëllait, por edhe të të gjithë skllevërve angolezë.
Sipas legjendës, guvernatori nuk denjoi as t’i ofronte Nzingës të ulej në karrige dhe e la të fliste në këmbë. Por Nzinga, që gjithmonë mbante nja 50 shërbëtërë me vete, nuk e prishi terezinë. Ajo urdhëroi njërin nga shërbëtorët të ulej në gjunjë dhe të mbështetej në bërryla dhe vetë iu ul mbi kurriz. Gjesti i Nzingës pati efektin e duhur gjatë bisedimeve. Por efektin më të madh e pati kur nga fundi i bisedës ajo e urdhëroi shërbëtorin të ngrihej dhe pa i bërë syri tërr ia shqeu gurrmazin me thikë. Guvernatori e kuptoi se kishte të bënte me një njeri të fuqishëm.
Portugezët i liruan të burgosurit angolezë, duke përfshirë edhe vëllanë dhe nipin e Nzingës. Ndërsa kjo i vrau të dy, pasi nuk kishte ndërmend të mbante rrotull rivalë për fronin. Pas një lufte të ashpër për pushtet në 1624ajo u shpall mbretëreshë. Ajo pati vazhdimisht kundërshtarë të shumtë, pasi ideja e një sovraneje femër nuk pranohej lehtë. Në vitin 1629 Mbretëresha Nzinga arriti të krijonte një koloni të madhe në rajon të quajtur Matamba, dhe shpresonte t’i mposhtte përfundimisht portugezët ose të paktën t’i bindte ata të hynin në marrëveshje me të. Më në fund portugezët u dorëzuan në vitin 1656 dhe për dhjetë vitet që pasuan Mbretëresha Nzinga sundoi e patrazuar duke arritur ta shmangte kolonializimin e popullit të saj. Në fakt, Angola ruajti një farë pavarësie për një kohë të gjatë. Mbretëresha Nzinga vdiq në 1663 kur i kishte kaluar të tetëdhjetat dhe mbahet mend si një luftëtare e ashpër. Ajo nderohet sot në të katër anët e Afrikës.


Friday, March 31, 2017

Tre veçori të një katedraleje – dhe ca mendime shtesë



Fasada e Bazilikës me shqiponjën dykrenare
Kjo është Katedralja e Basilikës Santa Maria de Menor në Santo Domingo, kryeqyteti i Republikës Dominikane. Emri është paksa i gjatë, por kisha, në pamje të parë një ndërtesë e zakonshme kulti e stilit gotik, të bën përshtypje me të tjera veçori të saj.
Së pari, Santa Maria de Menor është katedralja e parë e ndërtuar në Botën e Re. Guri i themelit u vu në vitin 1512 dhe ndërtimi përfundoi në 1540. Tepër interesante po të mendosh që Kristofor Kolombi kishte vetëm 30 vjet që kur ishte bërë europiani i parë që shkelte në Botën e Re.  Kisha është goxha e madhe dhe duhet të ketë kërkuar shumë fuqi punëtore për t’u ndërtuar. Dhe duhet të kenë qënë të kryesisht skllevër të porsa sjellë nga Afrika, pasi në kohën kur është filluar ndërtimi i saj Kolombi dhe horrat e tij kishin arritur ta shfarosnin të gjithë popullsinë vendase.
Së dyti, mua s’kishte se si të mos më bënte përshtypje simboli i shqiponjës dy krenare mbi portalin e fasadës kryesore të katedrales. Kuptohet që fillimisht mendja më shkoi që arkitekti, ose mjeshtrat që e kanë punuar fasadën të kenë qënë shqiptarë. Por pastaj, e qetësova veten dhe fillova të vrisja mendjen se si ky simbol, aq i përhapur në mesjetë, tani në kohët moderne na ka mbetur vetëm ne, shqiptarëve, ndërsa të tjerët e kanë braktisur.
Së treti kisha, dhe sidomos historiku i saj më bënë të vras pak mendjen për interpretimin e historisë. Ciceroni, një vendas me njohuri mjaft të mira mbi historinë ndër të tjera vuri në dukje faktin që katedralja ishte plaçkitur dikur nga pirati Francis Drake.  Këtë fakt e theksoi jo një herë, por tri, si për të na kujtuar se kjo ishte tepër e rëndësishme dhe duhej mbajtur mirë parasysh.
Interiori i Katedrales

Francis Drake është figurë historike kontradiktore. Ai është hero për dikë, dhe pirat plaçkitës për dikë tjetër. Për anglezët ai ka qënë një kapiten, lundrues dhe politikan i periudhës Elisabetiane. Është lundërtari i dytë që ka kryer rrethrrotullimin përqark globit në 1577 – 1580, dhe i pari që arriti ta përfundonte atë si kapiten (Magelani vdiq në gjysmë të rrugës). Mbretëresha Elizabetë I i dha titull aristokratik dhe anglezët e vunë të dytin në komandë në kohën kur flota e tyre luftonte me armadën spanjolle.
Ndërkohë, nga spanjollët ai shihet si një pirat plaçkitës, që vërtitej në ujrat e karaibeve dhe iu sulmonte anijet dhe fortifikimet. Ata e njihnin me emrin El Draque. Aq i padëshirueshëm ishte, saqë Mbreti Filip II kishte premtuar 20,000 dukate për kokën e tij (rreth 6.5 milion dollarë me paratë e tanishme).  
Në një moment të caktuar historik El Draque kishte sulmuar Santo Domingon, e kishte pushtuar atë dhe kishte plaçkitur gjithë vlerat e grumbulluar në katedralen e Basilikës të Santa Maria de Menor. Ishte vërtet për t’u revoltuar, se si një anglez lëshohej nga deti, hynte me dhunë në qytetin e porsa themeluar dhe iu vidhte spanjollëve sendet me vlerë të grumbulluara në faltoren e tyre.
Megjithatë, duke dëgjuar këtë histori revoltuese nuk mund të mos më bënte përshtypje se si nuk revoltohej ciceroni me faktin që këta spanjollët kishin mbërritur aty pesëdhjetë vjet më parë, kishin gjetur rreth 3 milion njerëz të qetë, a paqedashës, që jetonin në tokat e tyre prej mijëra vjetësh dhe, jo vetëm që iu kishin marrë gjithçka – tokën, detin, shtëpitë - por edhe i kishin vrarë dhe zhdukur nga faqja e dheut me burra, gra, fëmijë, foshnja (vetë ciceroni përmendi shkarazi, por pa emocion, se spanjollët kishin zhdukur njëqind përqind të popullsisë së ishullit).
Mauzoleumi i Kristofor Kolombit në Santo Domingo
Ja ku ishte, një njeri krejtësisht normal dhe logjikisht i moralshëm, i arsimuar dhe elokuent, por që i vënë përpara dy fakteve historike, revoltohej me një vjedhje të thjeshtë sendesh që edhe mund të kenë qënë me vlerë, dhe injoronte, ose nuk arrinte të kapte dramacitetin e zhdukjes së një qytetërimi të tërë dhe të gjithë popullsisë që e ruante atë prej shekujsh. Dhe, ndërsa pirati El Draque urrehet dhe përbuzet nga dominikanët, vrasësist masiv Kristofor Kolombi i është ngritur një mauzoleum gjigand, doshta ndërtesa më impresionuese në të gjithë vendin dhe nderohet e respektohet si super hero.

Sa të indoktrinuar jemi nga mënyra se si na është injektuar historia e popullit dhe kulturës tonë nga shkolla dhe familja? Sa të droguar jemi nga propaganda nacionaliste? A jemi ne në gjendje, dhe jo vetëm ne, por kushdo në botë, që t’i shohim gjërat me gjak të ftohtë dhe me sy objektiv, përtej bindjeve të krijuara që në fëmijëri dhe të përforcuara në mënyrë subjektive? Shumë nga ne kemi bindjen që anë të caktuara të historisë janë të padiskutueshme, të paprekshme, të shenjta dhe nuk duhen ngacmuar. A s’do të ishte më mirë të ishim më mendjehapur dhe më të vëmendshëm për të dëgjuar dhe pranuar edhe interpretime alternative?