Wednesday, July 2, 2014

Çunat e Tironës – Ata të Vërtetët



“Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun tirone, nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte njerëzit,” shkruan Kryeministri i Shqipërisë për Artan Santon.
Nuk e kam njohur Artan Santos dhe s’kam informacion të mjaftueshëm t’iu bashkohem as atyre që po derdhin lot për humbjen e madhe, as atyre që thonë se u qërua mafjozi i rradhës. Mua më bën përshtypje ajo që shkruan Kryeministi: “çun tirone, nga ata të vërtetët”. Ky është Kryeministri që Shqipëria ka vënë në ballë për t’u futur në Europë, por që në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit të njëzetenjë flet ende me gjuhën e shëmtuar raciste të shekullit të njëzetë. Ky është Kryeministri që pretendon se po i sjell qytetërimin vendit, që e mban veten si të përparuar, krahasuar me paraardhësin e tij, i cili ishte shpellari, maloku, katnari.
Shprehja e Ramës nuk është rastësi. Në një sistem politik ku partitë politike konkurrojnë pa programe të qarta, ku ndryshimin midis njërës dhe tjetrës e përbëjnë elementë jashtë interesave të vërteta të zhvillimit të vendit, nuk është fare çudi që përkatësia krahinore, prejardhja gjeografike, dialekti, lidhjet fisnore etj., të dalin në plan të parë. Paksa më i shprehur se Nano në këtë pikë, Rama e ka pasur gjithmonë për zemër avazin e përparësisë të lindur të qytetarëve dhe, veçanërisht të kryeqytetarëve ndaj qënieve më të ulëta të lindura në rrethe, në fshatra, në malësi, në veri, veçanërisht në veri, ku nuk ka shtëpia, por vetëm shpella dhe njerëz që bashkëjetojnë me arinjtë.
Shtresëzimi i shoqërisë shqiptare sipas përkatësive ndaj qendrave të banimit duhet të jetë një dukuri e mirëfilltë komuniste – domethënë e sjellë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe e kristalizuar nën këtë regjim. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, i gjithë territori i sotëm i Shqipërisë ishte një krahinë e humbur e Perandorisë osmane. Në atë kohë duhet të ketë pasur rëndësi Stambolli, por s’besoj se ka pasur ndonjë ndjenjë ndryshim nëse dikush vinte nga Vlora, nga Durrësi, nga Korça, nga Elbasani, nga Gjirokastra apo nga Shkodra (jo e jo nga Tirana). Nuk besoj se ka pasur ndonjë rëndësi të madhe edhe nëse vije nga ndonjë prej fshatrave apo qyteteve të vogla. Shtresëzimi bëhej në bazë të titujve që jepte pushtuesi turk – Pasha, Bej, etj., në bazë të të pasurisë dhe ndikimeve fisnore. Tirana u caktuar kryeqytet i vendit edhe për të shmangur dhënien e përparësisë ndonjërit prej qyteteve të mësipërm. Pak a shumë ky barazpeshim u ruajt edhe gjatë periudhës së Mbretërisë, pavarësisht se familja mbretërore jetonte në Tiranë dhe atje ishin zyrat më të rëndësishme të shtetit. Por nuk besoj se njerëzit e nderuar që jetonin në qytetet e tjerë të Shqipërisë shiheshin dytësorë ngaqë nuk banonin në Tiranë.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet ndryshoi gjendja. Ata filluan ndërtimin e një sistemi të mbështetur te rrathë bashkëqëndrorë që buronin dhe kontrolloheshin nga Enver Hoxha. Hoxha natyrisht mori modelin stalinist-rus të pushtetit të përqëndruar, por ai s’ishte shumë larg vizionit humoristik të një hoxhe tjetër, Nastradin Hoxhës, i cili thoshte që qendra e botës është te bytha e gomarit tim. Qendra e botës shqiptare ishte Enver Hoxha.
Rreth Enver Hoxhës u krijua i famshmi Bllok, ku banonte ajkëa e ajkës, cipa më të pastër dhe më të vyer e kajmakut komunist, Byroja Politike. (Po të kishte pasur fatin të kishte jetuar në Bllok Edi Rama, s’është çudi që tani të fliste edhe për “çuna blloku, nga ata të vërtetët”). Ata që jetonin në Bllok – kriminelët e Byrosë dhe familjet e tyre, me kuç e me maç, ishin pjesa më superiore e racës superiore shqiptare. Ata ushqeheshin, visheshin dhe jetonin më mirë se të tjerët. Ata kishin mundësi më të mëdha kontakti me botën e jashtme përmes televizorëve, manjetofonëve, revistave, dhe daljes së drejtpërdrejtë. Pas këtyre, vinin të gjithë ata që jetonin në Tiranë, të ndarë, natyrisht sipas vendit ku jetonin. Sepse, po të jetoje në Tiranë të Re, ose rrotull sheshit Skënderbe, ishe racë më e lartë se ata që jetonin te Kinostudio, në Laprakë, ose në Kombinat. Në fakt, vendi ku jetoje fliste për lidhjet që kishe me regjimin – sa më pranë qendrës, sa më pranë bllokut, aq më të forta i kishe lidhjet me ajkën e ajkës. Dhe bashkë me to edhe një dorë privilegjesh të vogla por shumë të rëndësishme për kohën – ndonjë copë mish pa tallon, ndonjë rrugë jashtë shtetit aty-këtu, autorizimi për televizor para të tjerëve, dhe kontakte më të shpeshta me ajkën e racës shqiptare, banorët e bllokut. Kishte edhe tironsa denbabaden, domethënë nga ata që kishin jetuar në Tiranë që kur qyteti ishte ende fshat, ose kishin ardhur aty gjatë kohës së zgjerimit pasi ishte shpallur kryeqytet. Por këtyre, për të përdorur në shprehje të çunave të tironës, atyre të vërtetëve, “s’para ua fuste njeri në pordhë,” sepse jetonin në shtëpia përdhese, hanin groshë vorbulle dhe s’merrnin vesh nga dynjaja. Tirons, në kuptimin e “çunit të tironës, atij të vërtetit”, ishe vetëm po të kishe lidhje të forta dhe të dëgjoje Hiparein (Hit Parade) te italioni. Tironsit pa lidhje, ata që mezi nxirrnin pesëmbëdhjetë ditëshin, s’shkonin në shkolla dhe s’gjenin dot punëra të mira, ata që s’kishin televizor për të parë Sanremon, që s’kishin manjetofon me shirit për të dëgjuar Bitëllsat, nuk ishin çuna tirone, nga ata të vërtetët, për të cilët flet Rama.
Sistemi i rrathëve koncentrikë shtrihej në rrethe, ku në qendër viheshin guvernatorët e Enver Hoxhës, Sekretarët e Parë të Partive. I njëjti sistem vazhdohej edhe me fshatrat.
Me përjashtim të venies së vetes në qendër të gjithçkaje, Hoxha nuk e vriste mendjen të krijonte balanca pushteti – përkundrazi, i shmangte ato. Në këtë vështrim, asnjë rreth nuk favorizohej ndaj tjetrit. Sidoqoftë, historikisht regjimi i Hoxhës ishte mbështetur më shumë në Jugë të vendit se sa në Veri, ku rezistenca ndaj komunizmit kishte qënë shumë më e fortë. Prandaj ndarja Veri-Jugë pasqyrohej edhe në barazpeshimet e pushtetit të tij, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe. Njerëzit më me ndikim në pushtet vinin nga Jugu; Jugu ishte më i privilegjuar sepse këta njerëz i jepnin privilegje lidhjeve të tyre farefisnore; ndërkohë që Veriu nuk gëzonte përkrahje. Në këto kushte, nuk kishte se si të mos lindte edhe një disnivel zhvillimi ekonomik midis Jugut dhe Veriut, me një pjesë të jugorëve që e mbanin veten si racë superiore ndaj veriorëve.
Nuk duhet të harrojmë këtu që Hoxha i ruante të ngrira këto ndarje duke mos lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Askush nuk kishte të drejtë të lëvizte pa lejen e tij (ose të puthadorëve të tij) nga fshati në qytet, nga qyteti i vogël në atë të madh, nga qyteti në kryeqytet dhe, kuptohet, nga kryeqyteti në Bllok. Ato pak lëvizje që kryeheshin, bëheshin për t’i dhënë dorën ose për të shpërblyer ndonjë sahanlëpirës, për të ndëshkuar dikë (sipas shkallës së ndëshkimit varej edhe distanca e largimit nga qendra) ose, për të shkarthisur kuadrot sipas sistemit të qarkullimit – hiq ata që po mendojnë se e meritojnë privilegjin, dhe sill ca të tjerë që janë më të etur për t’u servilosur dhe më besnikë.
Ky sistem i mbrapshtë “vlerash” (ose më saktë antivlerash), i krijuar nga një pushtet kriminal, krijoji një shtresim që mori përmasa qesharake, deri në racizëm. Njerëzit që lindnin dhe rriteshin në rrethe, përbuzeshin apriori nga “tiranasit”. Ata që lindnin dhe rriteshin në fshat përbuzeshin nga “qytetarët”. Secili e mbante veten më lart se të tjerët. Pothuajse më lart se të gjithë, pas atyre që lindnin dhe rriteshin në Bllok, ishin “çunat e Tironës, ata të vërtetët.” Sistemi krijonte një shtresëzim të imët në rrafshin e mirëqënies dhe edukimit (flitet për edukimin në kushtet e komunizmit), shtresëzim që nuk ishte aspak i bazuar te vlerat reale të njerëzve, por te lidhjet e tyre me sistemin. Kuptohet, nuk flitet për një ndarje të pastër, por për një ndarje që gjithsesi ekzistonte dhe ishte aq e ndjeshme saqë vazhdon të perceptohet edhe sot.
Të vjen të përzjerë që gati njëzetepesë vjet pas rënies së komunizmit, Kryeministri i vendit merret ende me fëlliqësi të tilla. Në vend që të jetë një faktor pajtimi midis të gjithë shqiptarëve – brenda dhe jashtë Shqipërisë - në vend që të përpiqet të sjellë frymën e tolerancës dhe mirëkuptimin, frymën e barazisë shoqërore, të respektit të ndërsjelltë midis qenieve njerëzore ai i bije burisë së superioritetit të çunave të Tironës.
Por nuk është vetëm Kryeministri, as vetëm partia e tij. Njerëz me mendje të ngjashme do të gjesh në të katër anët e spektrit politik në Shqipëri, te të gjithë shqiptarët dhe kudo që janë. Mund të gjesh, për shembull, “çuna Tirone” që hiqen sikur janë “të djathtë“, kundër komunizmit, nga familje të persekutuara në periudhën e komunizmit, nga familje dikur të pasura dhe me tradita, që ngrefen lart e poshtë duke ironizuar “katnarët” (jo katundarët, as katunarët, por “katnarët” – kjo është fjala në kod që përdoret jo për fshatarët, por për këdo që nuk është “çun Tirone, nga ata të vërtetët”). Këta çuna, që tani i kanë kapërcyer të pesëdhjetat, vërtiten nëpër Itali, Amerikë, Kanada, Gjermani, e në të katër anët e botës, dhe vazhdojnë të lëngëzohen plot nostalgji për sistemin e ndyrë shoqëror të krijuar nga komunizmi, dhe njëkohësisht duke u hequr si viktima të komunizmit, si përfaqësues të një aristokracie të mohuar, si gjaku blu i shqiptarëve, që ishte blu në kohën e Turqisë, mbeti blu në kohën e Zogut dhe, për çudi, nuk u skuq fare në kohën e komunizmit, megjithëse ata që e kanë në damare mbetën gjithmonë “çuna Tirone, nga ata të vërtetët”. 
Arben Kallamata


Sunday, June 22, 2014

Lërini racizmat, shijoni futbollin.



Çohesh në mëngjes dhe nga gjërat e para që lexon në fb është: “… sepse jane nda gjanat me supremaci edhe race tashti”. Kjo shprehje pa pikë kuptimi, ky grupim fjalësh që megjithë idiotësinë e vet përsëri dallohet që është i ndyrë, ishte shkruar diku poshte statusit të një mikut tim, që komentonte ndeshjen Gjermani dhe Ganë pa asnjë notë racizmi. E megjithatë, zonja qe e kishte shkruar nuk mund të rrinte pa nxjerrë në dy rreshta të paorganizuara gramatikisht supremacinë e saj, përbuzjen për racat e ulta dhe simpatinë për racën arjane. Nuk do t’ia vlente fare të merreshe me të sikur të ishte rast i veçantë. Por jo rrallë sheh në statuse të ndryshme shprehje të shëmtuara të racizmit, ngazëllimin e injorancës dhe inferioritetit me idene e rreme se njerëzit janë të ndarë në superiorë dhe inferiorë, në raca më të mira dhe më të këqija, më të afta dhe më të paafta. Dhe që, natyrisht, ne, shqiptarët – pikërisht ne, shqiptarët – ndodhemi atje, në majën e klasifikimit. Të gjithë atje, në majë, të ndarë në tiranas, shkodranë, vlonjatë, fshatarë, qytetarë, malokë, fushatarë, të bardhë, evgjitë, romë, çobenj, vorrabomsa, lapraksa, kombinatas – njëri më superior se tjetri, secili më superior se të gjithë, të gjithë bashkë më superiorë se sllavët, grekët, turqit, mongolët, kinezët, indianët, afrikanët, kolumbianët, çifutët, lekurkuqtë, lëkurverdhët, lëkurzinjtë. Vetëm me gjermanët s’u hakemi dot, po jemi thjesht barabar. Veçanërisht tani gjatë kampionatit botëror idiotësi të tilla vazhdojnë të dalin drejtpërdrejt dhe tërthorazi në komentet dhe tifozllëqet raciste ndonëse çdo logjikë dhe çdo statisticë del kundër tyre.
O njerëz: Brazili mbetet ekipi më i suksesshëm i të gjitha kohërave; Pele është futbollisti më i madh deri më sot; lojtarë afrikanë si Essien, Muntari, Drogba, etj. janë njëqind herë më të mirë se sa çdo lojtar që ka nxjerrë raca “superiore” shqiptare gjatë gjithë historisë së saj; vetëm Drogba, ka më shumë pasuri të fituar nga futbolli (mbi 90 milion dollarë) se të gjithë futbollistët shqiptarë të të gjitha kohërave të mbledhur së bashku. Vende të “prapambetura” afrikane si Ghana, Nigeria, Algjeria, Bregu i Fildishtë, etj. janë bërë tashmë të rregullt në një kampionat ku ne, superiorët e botës, raca e pastër arjane e bregut perëndimor të gadishullit ballkanik as nuk qasemi dot.
Lërini racizmat dhe shijoni futbollin.

Tuesday, June 3, 2014

E ngritën, e ngritën, e ngritën Qelbësirën!



Sa herë sjell në mendje 20 shkurtin e vitit 1991, më oshëtin në vesh thirrja “E hodhëm, e hodhëm, e hodhëm Qelbësirën!” Bashkë me gëzimin për përmbysjen e diktatorit, ajo shprehte edhe mposhtjen përfundimtare të frikës, ngazëllimin që me rënien e imazhit të fëlliqur të diktatorit njerëzit kishin të drejtë të thoshin çfarë të donin, duke përfshirë edhe të drejtën për ta quajtur mu në mes të sheshit qelbësirën “Qelbësirë!”
Nën shembullin e Tiranës, po atë ditë Qelbësira u rrëzua edhe nga sheshet kryesore të qyteteve të tjerë të vendit.  Por Qelbësira kishte përkrahës në Tiranë dhe në rrethe. Njerëz të ndotur nga pisllëku i tij, njerëz që nuk shkundnin dot tej frikën, njerëz të molepsur nga ideologjia e pisët, besnikë ushtarakë e civilë, me ose pa kasketa. Trushplarët kokërruar të shkollës famëkeqe ushtarake u ngritën në mbrojtje të komandantit të tyre dhe ulërinin për ringritjen e monumentit të qelbësirës dhe rikthimin e shijes së terrorit për popullsinë e Tiranës.
Ndoshta ato ditë zëvendësi i qelbësirës, që nuk është shquar kurrë për kurojo, nuk guxuar ta lejojë kthimin. Puna e ringritjes së qelbësirës sikur u la në harresë. Më pas, njerëzit e mposhtën frikën përfundimisht, dhe madje u arrit një pikë kur ishte turp i madh të dilje e të mbroje qelbësirën. Për ndonja pesëmbëdhjetë-njëzet vjet. Por si duket komunizmi është vërtet farë e keqe, siç e përshkruajnë. Sepse tani fara ka mbirë dhe është ngjitur deri në instancat më të larta shtetërore, aq sa është bërë e pranueshme edhe për politikanët që të mbyllen në të njëjtat salla dhe të buzëqeshin kur nostalgjikët duartrokasin dhe brohorasin si në ato vite kur qelbësira mprehte shpatën dhe priste koka për situatën. Të ashtuquajturta provokime të drojtura të Pesë Majit u pasuan dje me veprimtari të planifikuara për 24 Majin, ku njeriu më i rëndësishëm i politikës shqiptare, kryebanditi Ilir Meta merr fjalën dhe vlerëson të ashtuquajturën Luftë Nacional Clirimtare e cila nuk ishte as luftë, as nacionale dhe as clirimtare dhe një kongres që hodhi themelet e diktaturës.
Dhe jo, nuk bëra lapsus kur e quajta njeriu më i rëndësishëm i politikës shqiptare, sepse praktikisht ai është - pushteti më i lartë që ka në dorë të rrëzojë dhe të ngrejë qeveri; esenca e korrupsionit që e ka mbuluar vendin; simboli i zhulit, i makutërisë, i paturpësisë dhe gjithçkaje të mbrapshtë. Ndoshta për këtë arsye nuk duhet të çuditemi aspak që ai ka edhe guximin, edhe dëshirën, edhe paturpësinë të tentojë ringjalljen e sistemit të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehun, të cilin e paska idhull personal.
A ka arritur Meta pikën ku mund të bëjë ç’t’i dojë qefi dhe ku shqiptarët nuk kanë fuqi ta kundërshtojnë? Kam frikë se po. Në këtë rast, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të vemë duart në kokë dhe të ulërijmë: E ngritën, e ngritën, e ngritën Qelbësirën.

Saturday, April 5, 2014

Maska e dobët e korrupsionit





Është dëshpëruese kur sheh sa thellë depërton korrupsioni, babëzia dhe mungesa e skrupullit në të gjithë strukturat shtetërore. Por është edhe më dëshpëruese kur sheh se metastazat nuk ndalen te shteti, por shtrihen edhe ato anë të shoqërisë qytetare që mendohen si shpresa e fundit t’u mbrojtur nga e keqja.
Rreth një muaj më parë Deklarata për Shtyp e një grupimi intelektualësh i quajtur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore tërhoqi vëmendjen jo vetëm të  mediave në Shqipëri dhe jashtë saj, por edhe të UNESCO-s me shqetësimin se qeveria shqiptare ia kishte dhënë Parkun Kombëtar të Butrintit një personi privat. Akti i dhënies ishte kryer në ditët e fundit të qeverisë Berisha. Autorët i drejtoheshin të shqetësuar qeverisë së re me lutjen që të merrte masa për ta anulluar këtë vendim. UNESCO nga ana e saj, iu përgjegj shqetësimit të intelektualëve shqiptarë me një letër drejtuar qeverisë shqiptare ku kërkonte hetimin e gjendjes dhe informacion të mëtejshëm.
Natyrisht,  një lexues i paanshëm i një deklarate të tillë nuk ka se si të mos shqetësohet dhe të mos e shohë si serioze – një qeveri qe ka humbur zgjedhjet dhe që para se të dorëzojë pushtetin shpërndan pa përgjegjësi si pronë private një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së vendit; një grup intelektualësh të pavarur, të ndershëm që ngrenë zërin për një padrejtësi të madhe ndaj diçkaje kaq sublime sa trashëgimia kulturore;  UNESCO e shqetësuar për çka ndodh në Shqipëri.
E keqja është se lexuesi nuk ka nge dhe mundësi ta ndjekë e ta gjurmojë gjithmonë të vërtetën. Këtë punë mund dhe duhet ta kryejë shtypi, por gazetarët merren me gjëra të tjera, tepër të thella. Ndërkohë që, edhe pak po ta gërvishtësh këtë histori do të çuditesh se sa erë të keqe vjen.
Së pari nuk duhet shumë mund për të parë se intelektualët e pavarur që përbëjnë forumin e pavarur për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk janë edhe aq të pavarur.
Në faqen e tij të FaceBook Forumi e përshkruan veten si: “…një grupim vullnetar intelektualësh dhe aktivistësh publikë, pa bindje politike, por me dëshirën për të mbrojtur trashëgiminë kulturore…” Nuk është vështirë të mësosh se ata janë pikërisht e kundërta – një grupim aktivistësh me bindje dhe lidhje të forta politike.  Auron Tare është ish-Deputet i Parlamentit Shqiptar, përfaqësues i Partisë Socialiste; Artan Shkreli është Këshilltar aktual i Kryeministrit Rama; Artan Lame ka qënë Zëvendës Ministër dhe Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës nën Edi Ramën, ndërsa tani është Drejtor i ALUIZNI-t.
Natyrisht, paraqitja e intelektualëve të varur si intelektualë të pavarur mund të mos jetë mashtrim i patolerueshëm. Mund të pretendohet se në Shqipëri ka një shkallë të tillë ndërgjegje qytetare sa që nëpunësit e qeverisë Rama, për shembull, janë nga ata intelektualë që punojnë 8 orë në zyrat e qeverisë ose në parlament duke e parë veten si pjesë të karrocës së kryeministrit, por ama, me të dalë nga zyra, e shkëpusin veten nga partia, lënë mënjanë lidhjet partiake dhe i përkushtohen endrrave të tyre të pavarur intelektuale. Prandaj ja vlen të lihen mënjanë pretendimet e rreme për pavarësi intelektuale dhe t’i hidhet një sy vërtetësisë së atyre që thonë.  
Thjesht duke lexuar deklaratën për shtyp nuk mund të mos të të bijen në sy disa kundërthënie – të cilat mund të jenë thjesht gabime njerëzish jo fort të mprehtë intelektualisht, ose përpjekje për të çoroditur lexuesin. Në fund të paragrafit të parë të Deklaratës për Mediat (të cilën mund ta gjeni në “http://www.shekulli.com.al/website/images/images19/1911812_10152305442778394_1275117971_n.jpg”) shkruhet se Parku i Butrintit “Ju është kthyer si pronë disa pronarëve privatë muajt e fundit të Qeverisjes Berisha.” Në fund paragrafit të dytë shkruhet se “…edhe Qyteti Antik 3000 vjeçar i Butrintit tashmë ju është kthyer Pronarëve fiktivë.” Në fund të paragrafit të tretë i bëhet thirrje Qeverisë Rama që ta anullojë këtë vendim dhe Prokurorisë së Përgjithshme “të hapë hetime për këtë çështje, duke nxjerrë përpara drejtësisë ata që kanë falsifikuar dokumentat apo kanë thyer ligjet shqiptare për zonën e mborjtur të Butrintit”. Pra, në fillim shkruhet për pronarë private, pastaj kalohet te pronarë fiktivë, dhe në fund në falsifikues dokumentash që kanë shkelur ligjin – tre kategori të ndryshme, ku e treta përbën një akuzë serioze ligjore, e cila ose duhet vërtetuar me dokumenta, ose duhet t’i vërë para përgjegjësisë ligjore akuzuesit.
Deklarata në fakt tingëllon më shumë si një lojë fjalësh për të prekur telat e lexuesit në lidhje me një çështje shumë të ndjeshme – korrupsionin në kthimin e pronave. Me qindra ish-pronarë shqiptarë, pasi janë shpronësuar në mënyrën më çnjerëzore nga komunizmi, pasi janë syrgjynosur burgjeve e internimeve, pasi kanë vuajtur për pesëdhjetë vjet luftën e klasave, kanë mbi njëzet vjet (që nga 1992 e deri sot) që sorrollaten dyerve të administratave shtetërore (demokrate apo socialiste) në kërkim të pronave të dikurshme, në kërkim të asaj që iu takon me ligj. Një ushtri fallsifikatorësh e kriminelësh ordinerë, një arradhe administratorësh e gjykatësish të korruptuar deri në palcë, një koalicion demokrato-socialist ministrash, zëvendës ministrash, drejtorësh drejtorish, prokurorësh e juristësh, kanë bërë ç’është e mundur për të përfituar nga pronat e ish-pronarëve të dikurshëm, për të thithur rrushfete e shitur privilegje dhe për të mos iu dhënë asnjë centimetër nga pronat e tyre pronarëve të ligjshëm.
Shumë ish-pronarë tokash e pasurish, si edhe trashëgimtarë të tyre kanë vdekur me pengun se edhe njëzet vjet pas rrëzimit të komunizmit nuk kanë mundur të marrin atë që iu takon. Kjo është ndoshta një nga tragjeditë më të mëdha të shoqërisë shqiptare post-komuniste. Paaftësia e një shoqërie  në kushtet e lirisë për t’i dhënë individit atë që i takon.
Pjesë e këtij kalvari janë edhe 13 pronarë (bashkë me shtetin shqiptar si bashkëpronar bëhen 14) që kërkojnë tokat e të parëve të tyre në zonën e Ksamilit. E gjithë zona ka pasur pronarë - pronarë të ligjshëm, me dokumenta, tapi, shkrime historike, gjithçka të nevojshme për të vërtetuar pronësinë. Janë njerëz realë ata që i kanë pasur prona ato toka, siç janë edhe njerëz realë pasardhësit e tyre që jetojnë sot. Akuza që ngrenë intelektualët e varur (tashmë s’i quajmë dot të pavarur), nëpunësit shtetërorë që kanë formuar mbi bazën e gënjeshtrave për identitetin e tyre Forumin për Trashëgimisë Kulturore, sipas të cilave pronarët e tokave në Parkun e Butrintit janë fiktivë, ose kanë falsifikuar dokumentat, ose kanë shkelur ligjin, janë akuza të pavërteta. Pronarët nuk janë fiktivë, por realë. Ata nuk kanë falsifikuar dokumenta, por i kanë këto dokumenta. Tokat rreth Butrintit, hapësira e Ksamilit nuk ka qënë Wild Wide West – Perëndimi i Egër i Pamatë i Amerikës, me toka që s’i përkisnin kërkujt, pavarësisht se Auron Tare hiqet sikur s’e ka ditur kurrë këtë fakt.
Kur një grup falsifikatorësh (dhe tani e kam fjalën për anëtarët e Forumit) mblidhen të ngrenë një akuzë të tillë serioze kushdo do të presë që ata të jenë tepër të sofistikuar, finokë, të mençur – njerëz që i njohin ligjet mirë dhe që dijnë se si t’i spërdredhin ato. Por për çudi, as kjo nuk është e vërtetë. Në faqen e Top Channel mund të ndjekësh një video nga emisioni radiofonik Wake Up (Pjesa 3) në të cilën njëri prej pronarëve legjitimë të zonës në fjalë, Agimi Toro debaton me intelektualin e varur, ish-Deputetin Auron Tare në lidhje me akuzat e Forumit të këtij të fundit (http://www.top-channel.tv/video.php?id=38635).
Që në fillim Tare tërhiqet nga termat pronarë fiktivë, falsifikatorë, dhe shkelës të ligjit që përbëjnë thelbin e deklaratës për shtyp të cilën ai ka dalë ta mbrojë në këtë debat. Intelektuali i varur Tare s’e ka për gjë ta mohojë atë që ka shkruar në deklaratën e grupit të tij që sensibilizoi UNESCO-n dhe opinionin publik, dhe me paturpësinë më të madhe deklaron : “Unë nuk do t’iu hyj dokumentave. Nuk jam gjykatës i dokumentave.”
Megjithatë Tare del ngul këmbë që “Parku nuk mund të jetë pronë private” – pavarësisht se ai është. Si argument për këtë ai sjell hamendësimin që Ugolini (arkeologu Italian që bëri kërkime në vitet 20-30të në Butrint) duhet të ketë bërë marrëveshje me gjyshin e Agim Toros (një nga pronarët e atëhershëm të tokave) dhe jo me mbretin Zog. Dhe kur merr përgjigjen që po, e ka bërë, atëherë mbetet i habitur.
Vërtetimi i pronësisë dhe i të drejtës ligjore të pronarëve të zonës nuk është pjesa më interesante e kësaj videoje. Pjesa më interesante është kapsllëku intelektual dhe padituria për ligjet e ligjvënësit Auron Tare. Ndërkohë kur ti pret që ish Deputeti, ish Drejtori i Parkut të Butrintit, Drejtori i gjithë Bregdetit Shqiptar, anëtari dhe zëdhënësi i Forumit për Mbrojtjen e Pasurisë Kombëtare, përfaqësuesi i familjes Rothçaild në Shqipëri të të japë ujë në bisht të lugës me njohuri të thella dhe argumente ligjore, veçanërisht kur flitet për një zonë në të cilën ai ka punuar disa vjet, përballë të del një njeri i hutuar, që s’di ç’flet, që vihet me shpatulla për muri që pesë minutat e para. Aq keq zihet Tare ne argumenta, saqe detyrohet të deklarojë: “Ne s’kemi të bëjmë me pronarët, ish-pronarët. Ne e kemi problemin me institucionet shtetërore. Nuk mundet shteti shqiptar t’i njohe këto lloj pronash.”Se ku shkojnë akuzat për falsifikatorët, për shkelësit e ligjit, për marrjen e pronave në minutat e fundit, këtë vetëm Tare di ta thotë.
Përfundimi i gjithë kësaj meseleje qesharake është paksa i frikshëm – njerëzit e korruptuar dhe të babëzitur kërkojnë me çdo mënyrë, qoftë me anë të forcës së pushtetit, qoftë me grupime “jo-qeveritare”, qoftë me forume intelektualësh të pavarur, për të arritur synimet e tyre. Shpresa e vetme në këtë rast është që njerëzit e thjeshtë ta dijnë se këta nuk janë medoemos njerëz të mençur e finokë, intelektualë të sofistikuar që s’i kap dot me fjalë. Jo, në shumicën e rasteve janë po aq kokëtrashë sa janë edhe të korruptuar, prandaj edhe me pak durim e me fakte edhe mund t’iu ndalet dora.