Wednesday, September 17, 2014

Analize Bythe



Nga rubrika “Në 70-vjetorin e Çkërdhimit të Vendit”

Të më falin miqtë për futjen e një fjale të konsideruar si e papërdorshme në shqipen e shkruar, por unë s’gjeta fjalë tjetër dhe është një analizë që duhet ta bëj medoemos. Duhet ta bëj se është e nevojshme të bëhet dhe se s’më del e keqja po s’e bëra.
Shikoni gazetarin të pozicionuar në të dy fotografitë dhe vini re ndryshimin e pozicionit të bythës. Në figureën 2 gazetari e ka mbështetur bythën plotësisht në karrige, ndihet rehat dhe i sigurt. Trupin e mban drejt dhe shtylla kurrizore duket se është fare në rregull. E vështron të intervistuarin – që gjithsesi nuk është njeri pa pozitë, është Ministër i Brendshëm – në bebe të syrit, pa iu lëkundur fare qerpiku. Ka veshur një kostum blu – simbol i pushtetit, forcës, sigurisë, autoritetit, që ia jep të qënit gazetar i një rubrike të rëndësishme.
Në figurën 1 intervistuesi ndodhet përballë Hienës, Vampires, Panterës së Zezë, Zonjës, Shoqes, të Shoqes, Nanës Mbretëreshë, gruas së atij. Duket sikur gjithë titujt dhe autoriteti i plakës i kanë kaluar mbi supe intervistuesit dhe ia kanë përkulur shtyllën kurrizore, e cila, në mungesë të palcës, ka marrë trejtën hark. Supet janë lëshuar poshtë, dhe kostumi ngjyrë kafe – ngjyrë dominuese e kostumeve në kohën kur e intervistuara vriste dhe priste pa ia bërë syri tërr, është tërhequr në maksimum.
Por, mbi të gjitha flet pozicioni i Bythës së intervistuesit.
Bytha është mbështetur në qoshe të ndenjëses. Gjysma ka dalë jashtë, si për të thënë: “Zonjë, Shoqe, Mbretëreshë, Vejushë, Trashëgimtare, Vazhdimtare, unë që po të intervistoj nuk jam as ulur as në këmbë, as në bythë, as jashtë bythës. Unë dhe bytha ime janë si të duash ti që të jemi. Në çfarëdo pozicioni që do ti. Trupin po e mbaj të përkulur në shenjë respekti dhe adhurimi. Ndërsa për bythën vendos ti. Unë s’kam ç’të bëj. Po ta le në dorë, bëj me të ç’të duash.”
Natyrisht, Zonja – me që ra fjala, ai mund t’i drejtohesh me “Zonja” një monstre si Nexhmije Hoxha?! Normalisht, po të jesh militant komunist do duhet t’i drejtohesh me “Shoqja”, siç i drejtoheshin dhe referoheshin gjithë bythecët servilë në kohën kur ajo ua kishte jetën në dorë. Po t’i drejtoheshe në atë kohë me “Zonja” ajo të fuste në burg dhe të bënte të të harroheshin kockat. Ty, dhe gjithë sojit e sorrollopit tënd. Me breza. Seriozisht, kjo është dilemë e madhe. As “Zonja” dhe as “Shoqja” nuk vlejnë për këtë rast. Më e ndershmja do të ishte t’i thoshe “Shoqja Kriminele”, po s’besoj se ajo do të pranonte të intervistohej me këto kushte. Mund t’i drejtohesh thjesht me Nexhmije, ose Nexhi, për shkurt, por do të prishje gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne dhe do t’i tingëllonte keq dëgjuesit. Po a s’i ke prishur gjithë konvencionet e mirësjelljes në një media moderne duke ftuar në studio një kriminele të atij kalibri dhe duke i dhënë rast të vjellë në ekran dozën e zakonshme të propagandës që është mësuar ta vjellë për 70 vjetët e fundit të jetës së saj? Është vërtet bela dhe s’di si të bëjë njeriu i shkretë. Ndoshta kjo është një arsye më tepër për të mos e intervistuar atë qelbësirë. Ngdo që ta kthesh, duhet të bësh një kompromis me veten, domethënë duhet t’i japësh hark shtyllës kurrizore.
Desha të them që natyrisht, monstra i di të gjitha këto që mendon i përkuluri përpara saj. Ajo e di mirë që ai e ka shitur ose dhënë falas bythën që përpara se të bëhet intervista, duke rënë dakort me pyetjet që do të bëhen dhe përgjigjet që do të merren. Ajo e di që atë bythë në cep të ndenjëses, as të ulur, as të pa ulur, ajo e ka krejtësisht në dorë dhe mund të bëjë ç’t’i dojë qefi me të - ta hapë, ta shqyejë, ta mbushë me sende të rastit, ta kthejë mbrapsht, ta flakë tutje, t’ia dhurojë ndonjë veterani me rastin e përvjetorit të çlirimit. Sa për bythën e vet, pasi e ka fshirë mirë e mirë me surratin e intervistuesit, Zonjëza plakë e ka vendosur butë - butë jo vetëm mbi kolltuk, por edhe mbi një jastëçkë të bardhë - që në fakt, mund të mos jetë fare jastëçkë, por mund të jetë thjesht dinjiteti ose personaliteti i intervistuesit i mbushur me qime. Çfarë qimesh? Nuk po vazhdoj në këtë linjë se boll banale e kam bërë analizën deri këtu.
Nganjëherë s’ka fare nevojë ta dëgjosh një intervistë. Mjafton të analizosh pozicionet e bythëve. Disa bythë flasin më shumë dhe më qartë se gojët respektive.

Bigot



E keqja është që në shqip ne nuk kemi asnjë fjalë me të cilën të përkthejmë termin “bigot”. Unë u përpoqa me “google translate” dhe më doli “fanatik.” Jo, “bigot” nuk është fanatik. Më pranë kuptimi është me fjalën “racist”, por edhe ky nuk është i saktë. Bigot është një njeri që padrejtësisht urren një grup njerëzish të tjerë; ose që nuk pranon si të barabartë pjestarët e një ose disa grupeve të caktuara për shkak të racës, fesë, përkatësisë etnike apo krahinore, etj.
Për shembull Maks Velo. Maks Velo është shembull i shkëlqyer i një njeriu që mund ta quash me plot gojën BIGOT.
Natyrisht, Velon mund ta quash “anti-verior”, “anti-islamist”, “anti-shqiptar” dhe shumë anti të tjera. Por asnjëra nga këto nuk e përcakton atë aq saktë sa fjala “bigot”. Bigot nënkupton dikë që niset nga parimi se një grupim njerëzish janë më superiorë, ose më inferiorë se një grup tjetër, për shkak të një përkatësie të caktuar. Përkatësia mund të jetë çfarëdo – kombëtare, etnike, apo krahinore, ngjyrë e lëkurës, formë apo ngjyrë e syve, lartësi e shtatit, spërdredhje ose e flokëve, dialekt në të folur, besim apo mosbesim fetar, parapëlqime për ekipe futbolli.
Bigotizmi është i lidhur ngushtë me racizmin, diskriminimin dhe paragjykimin, me vlerësimin e individëve në bazë të karakteristikave imagjinare të të gjithë grupit. Në shqip kjo përkthehet me shprehjen “i fut të gjithë në një thes”. Për shembull, Maks Velo s’e ka për gjë që t’i fusë të gjithë në një thes, ose t’i ndajë të gjithë sipas thasëve që ka në kokë. Një thes e mbush me veriorë, një tjetër e mbush me jugorë. Pastaj, nuk mjaftohet me këtë, por krijon thasë të tjerë: thasë me muslimanë, me ortodoksë, me katolikë. Pastaj iu ve etiketa thasëve: thes i mirë, thes i keq. Thes me hajdutë, thes me të ndershëm. Thes me terroristë, thes me tolerantë. Thes me të qytetëruar, thes me njerëz të egër. Thes me drogaxhinj, thes me punëtorë. Thes i dashur, thes i urryer.
Logjikës prej bigoti të Maks Velos nuk mund t’i përgjigjesh me logjikë prej bigoti. Nuk mund t’i thuash Maks Velos që i ka vënë etiketat e thasëve gabim, që thesi që ai ka etiketuar si “thes i mirë“ duhet të jetë “thes i keq” dhe anasjelltas. E keqja nuk qëndron te etiketimi i gabuar i thasëve. E keqja qëndron te ideja e përdorimit të thasëve, pra qëndron që në thelbin e logjikës prej bigoti të Maks Velos apo të kujtdo tjetër. Pra nuk mund t’i përgjigjesh një logjike të gabuar me një logjikë po aq të gabuar. Nuk mund t’i përgjigjesh as me argumentin që te “thesi i keq” i Maks Velos ka shumë shembuj njerëzish të mirë, njerëzish të qytetëruar. Këtë logjikë Maks Velot nuk e marrin vesh.
Fatkeqsisht, nuk është vetëm Maks Velo bigot. Më parë kam shkruar që shumë nga ne shqiptarët jemi racistë. Tani e pranoj gabimin. Duhet të kisha përdorur që atëherë fjalën bigotë. Sidoqoftë, dua të përsëris që ka ardhur, ose ka kaluar koha, që ta pranojmë këtë problem dhe t’i drejtohemi atij, si shoqëri me dëshirën dhe vullnetin për ta luftuar. Përndryshe do t’i kemi punët pisk.
Reagimet ndaj komenteve prej bigoti të Maks Velos ishin më së shumti bigotiste. Disa me dëshirën e mirë për të mbrojtur pastërtinë dhe virtutet e veriorëve, ose të muslimanëve. Të tjerët me batakun e argumentave të qelbur që edhe jugorët dhe ortodoksët nuk janë më të mirë, ose janë më të këqinj.
Bigotizmi te Maks Velot dhe te shumë shqiptarë mbizotëron në qëndrimin ndaj krahinave – të gjitha krahinave, ndaj feve, të gjitha feve, ose mungesës së tyre, me qëndrimin ndaj grave, homoseksualëve, egjiptianëve, romëve, arumunëve, serbëve, grekëve, maqedonasve, afrikanëve, kinezëve, çifutëve, çekëve, fshatarëve, provincialëve, katnarëve – në një popullsi çuditërisht të vogël gjen aq forma racizmi sa të merren mendtë. Bigotizmi vërtitet haptazi nëpër mediat shoqërore dhe faqet e gazetave, me ngrefje për superioritetin e shqiptarëve, lashtësinë e shqiptaro-iliro-pellazgëve, parësinë e gjuhës shqipe, e turli budallëqesh të tjera pa mbarim. E gjen te përpjekjet qesharake për t’i nxjerrë shqiptarë të gjithë personalitetet e kulturës dhe shkencës botërore dhe për t’i sharë me rrënjë e degë futbollistët që nuk pranojnë të luajnë me përfaqësuesen e Shqipërisë apo të Kosovës.
Prandaj ajo që thotë Velo nuk të çudit shumë. Të revolton, t’i sjell zorrët te goja, por nuk të çudit. Ajo që të çudit është se si një gazetë serioze si Mapo vazhdon ta konsiderojë Velon si intelektual dhe ta botojë fjalë për fjalë. Velo është njeri i mbaruar nga ana intelektuale. Ai është i matufepsur. Një njeri që dërdëllit budallëqe të tilla tregon mirëfilli që nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet intelektuale të botës të paktën këto 50 vjetët e fundit. Intelektualisht, Velo është një matuf që s’ngre dot pantallonat.
Bigotizmi i tipit të Velos mund të pritet, për shembull, nga një njeri që nuk di asnjë gjuhë të huaj; që nuk lexon, nuk dëgjon, dhe nuk ia ka idenë se ç’bëhet përtej urës së Dalanit, për një kokëtharë që s’ka lidhje me asnjë njeri të mençur dhe që e kalon kohën duke pirë raki me fërgesë. Por nuk mund të pritet nga një njeri që mbahet si intelektual.
Nëse Mapos do t’i trokiste në derë një batakçi dhe t’i thoshte fjalë për fjalë broçkullat që ka lëshuar nga goja Maks Velo, me siguri që redaktorët do ta kishte nxjerrë me shqelma përjashta dhe s’do t’iu kishte shkuar për asnjë çast mendja ta botonin. Por Mapo ia boton Velos të njëjtat fjalë sepse Velo mbahet si intelektual, si pasuri e kombit. Pikërisht këtu qëndron gabimi i Mapos. Velo nuk është intelektual dhe nuk duhet konsideruar si i tillë. Ai mund të ketë qënë dikur intelektual. Ndërsa sot është thjesht një Bigot i Matufepsur dhe atij i duhet kushtuar po aq vemendje sa meriton një bigot i matufepsur. As më shumë, as më pak.
Këtu s’bëhet fjalë për liri të shprehuri. Nuk bëhet fjalë as për të qënë “korrekt politikisht”. Këtu bëhet fjalë për të qënë në rregull nga trutë e kokës. Nëqoftëse dikush është matufepsur – dhe është krejtësisht e pranueshme që një njeri, qoftë nga mosha, qoftë për shkaqe të tjera, edhe do matufepset – atëherë gazeta s’ka asnjë detyrim moral që ta botojë. Ne mund të na vijë keq për Velon, të kujtojmë me nostalgji kohën kur atij i punonte mendja në rregull (nëqoftëse vërtet ka pasur një kohë të tillë), por jo më shumë se kaq.
Ndërkohë duhet t’i vemë gishtin kokës dhe të mendojmë seriozisht se sa nga bigotizmi dhe matufepsja e Velos na ka mbetur neve vetë në kokë. Sepse kam frikë se na ka mbetur goxha.
Si fillim, le të përpiqemi ta kuptojmë përkufizmin e fjalës “bigot” dhe ta fusim atë në fjalor.

Kush do t’i dalë përpara Papës në Shqipëri?



Nga Rubrika “Në 70 vjetorin e çkërdhimit të Vendit”

Sipas Federiko Lombardit, drejtor i zyrës së shtypit të Vatikanit, qëllimi i parë i vizitës së Papës në Shqipëri do të jetë nderimi i viktimave të komunizmit. Qëllime dytësore do të jenë theksimi i marrëdhënieve të mira midis krishterimit dhe islamit dhe kujtimi i Nënë Terezës.  
Qofsha i gabuar, por qëllimi kresor i vizitës së Papës duket sikur po anashkalohet nga shtypi shqiptar. Ndoshta ata që janë në pushtet nuk kanë shumë qef që t’i vihet kaq shumë theks nderimit të viktimave të komunizmit, në një kohë kur ata janë përfshirë në një fushatë për nderimin e shkaktarëve të këtyre viktimave, duke përfshirë edhe kryekriminelin Enver Hoxha.
Pritja e Papës që tani është mbushur me hipokrizi e maskarallëk. Zyrtarisht duhet të dalë Kryeministri që mbyll sytë ndaj hosanave që po i bëhen Enver Hoxhës dhe bandës së tij me rastin e 70 vjetorit të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare. Por mund ta prese edhe kryetari i Kuvendit Popullor, Ilir Meta, bashkë me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço dhe tufat e pinonierëve të Enverit, të rinj e pleq, që po mbushin kohet e fundit faqet e gazetave dhe ekranet me ngjyrën e gjakut shqiptar të derdhur nga komunistët. Ndoshta do të ketë edhe historianë si puna e Paskal Milos e politikanë si Gramoz Ruci. Në këtë rast s’do të bënin keq ta mbushnin sheshin me njerëz të besuar të Partisë, veteranë dhe të rinj të apasionuar pas idealit komunist, sepse këta do të ishin të gjithë gati për të duartrokitur. S’do ishte keq të vinin edhe ndonje “Albanian Celebrity” si puna e Nexhmije Hoxhës, si për t’i vënë kapak gjithë muhabetit.
Nuk di se çfarë efekti mund të ketë nderimi që poi u bën Papa viktimave të komunizmit (bulevardi kryesor qënka mbushur me portrete priftërinjsh të vrarë, a thua këta janë të vetmit) kur përballë tij do të jenë përkrahësit e flaktë të atyre që i shkaktuan këto viktima. Një gjë dihet me siguri – sapo Papa t’i hipë avjonit për t’u kthyer në Vatikan, qeveritarucët shqiptarë do t’i rikthehen punës për përgatitjen e festimeve të 70 vjetorit të çkërdhimit të vendit. Dhe s’kanë faj, do të kenë humbur një ditë të vyer nga puna e tyre intensive dhe realizimi i detyrave të planit.

Thursday, August 28, 2014

Barcelona – shënime udhëtimi (Pjesa e parë)



Zakonisht, përpara se të shkoj në një qytet, bëj një plan të detajuar të muzeve dhe vendeve që dua të vizitoj atje bazuar në njohuritë e mija paraprake dhe në këshillat e udhëtarëve të tjerë që tani i gjen me bollëk në Internet. Por për Barcelonën nuk parapërgatita asgje. Përse e bëra këtë gabim?
Nuk e di. Ndoshta ngaqë udhëtimi në Europë këtë verë përfshinte shumë pika të tjera. Ndoshta ngaqë mendova se atje do të kaloja një javë dhe do të kisha kohë të planifikoja me të mbërritur. Por ndoshta edhe ngaqë nuk kam qënë ndonjëherë i tërhequr fort nga kultura spanjolle – me përjashtim të Servantesit dhe Dalisë. Për Spanjën unë kam pasur njohuri të cekta, ndërsa për Barcelonën dija shumë pak – kryesisht që ishte qendër e kulturës katalane, që kishte nxjerrë një arkitekt të famshëm, Gaudin, dhe që, natyrisht, dominonte futbollin europian. Prandaj veç Gaudit dhe Camp Nou-t, s’prisja të shihja ndonjë gjë të madhe.
Që në aeroport kuptova se gabimi i bërë duhej korrigjuar urgjentisht. Kisha mbërritur në një qytet të mrekullueshëm, me hapësira dhe art pafund. Duke pritur të dilnin valixhet nga avjoni mësova se është i qyteti i pestë më i madh i Europës, pas Londrës, Parisit, Romës dhe zonës industriale të Ruhrit. Ka një histori të vjeër dhe tepër interesante, një botë shpirtërore krejt unike, dhe një kombinim të përsosur midis antikes dhe modernes. Për vizitorin qyteti është një thesar gjigand që pret të eksplorohet.
1.      BCN dhe Gaudi
Gaudi është qytetari më i rëndësishëm në historinë e Barcelonës. Është, si të thuash, mishërimi i shpirtit të atij qyteti. Një tregues i rëndësisë së Gaudit janë turmat e pafund të turistëve që vërtiten nëpër qytet sa nga një vepër e tij në tjetrën, duke hapur kuletat pa kursim dhe duke shkrepur aparatet fotografikë çdo sekondë.
Antoni Gaudi është një nga superstarët e arkitekturës botërore. I lindur në mes të shekullit të 19të, mbahet si ushtruesi më i njohur i Modernizmit Katalan, me vepra që pasqyrojnë tre pasionet më të mëdha të jetës së tij – arkitekturën, natyrën, dhe fenë.
E nisëm gjurmimin e veprave të Gaudit duke kërkuar Casa Batllo në Passeig de Gracia që rrezaton nga Plaza de Catalunya (një nga sheshet kryesore të qytetit). Diku në krah të majtë dallohet qartë i mbiquajturi Blloku i Mospërputhjes (Manzana de la Discordia), që përbëhet nga ndërtesa të projektuara prej katër arkitektëve modernistë: Lluis Domenech i Montaner, Antoni Gaudi, Joseph Puig i Cadafalch dhe Enric Sagner. Secili arkitekt ka pasur kokën e vet, prandaj ndërtesat nuk përputhen as me njëra tjetrën dhe as me lagjen përreth. Megjithatë, ato përputhen si vlera artistike dhe përbëjnë një tërheqje për turistët. Veçanërisht Casa Batllo e Gaudit, që dallohej qartë edhe nga stili, edhe nga numri i njerëzve të grumbulluara përpara saj.

Rreth 500 metra me tutje ndodhet një nga kryeveprat e Gaudit – La Pedrera. 
Kronologjikisht projekti i fundit i arkitektit, ajo është konceptuar si ndërtesë me apartamente për të varfërit, qeraja e të
cilës do të paguhej pjesërisht nga bashkia. Gaudi e bëri aq të bukur, saqë s’mund t’iu lihej të varfërve – iu kaloi turistëve.



Per fat të keq këtë vit fasada e saj po restaurohej, kështuqë patëm mundësi të shijonim vetëm terracën e famshme dhe pjesën e brendshme, apartamentet, të cilët flisnin shumë për mënyrën e jetesës në fillim të shekullit të njëzetë.


  



Padyshim kryevepra e Gaudit, ajo që ka përpirë gjithë frymëzimin dhe gjenialitetin e tij, është
Sagrada Familia, një kishë gjigande e filluar në 19 mars 1882 dhe që vazhdon të ndërtohet edhe sot e kësaj dite.



 


 Sagrada Familia do të thotë Familja e Shenjtë, dhe koncepti i familjes së shenjtë është në qendër të krijimit.
 Vizitori i Sagradës nuk di me çfarë të mahnitet më parë, me pamjen e jashtme imponuese, me detajet e pafund në të katër anët, me simbolizmin, apo me pjesën e brendshme që të le pa frymë.



Gaudi nuk shkëput asnjëherë dashurinë për natyrën nga pasioni i tij per fenë. Kolonat në pjesën e brendëshme të kishës përfaqësojnë pemët dhe degët e tyre – ato nuk vazhdojnë drejt, por hapen në forma nga më spektakularet. 

 

 Edhe nga jashtë gjen me shumicë motive të pemëve, frutave, zogjve dhe kafshëve, të gjithë natyrës.
 
Sagrada përdoret më tepër si atraksion turistik se sa si faltore. Besoj se mbi 90 përqind e njerëzve që hyjnë aty në një ditë të zakonshme paguajnë për të parë mrekullinë krijuese të Gaudit dhe jo për t’u lutur, megjithëse simbolizmi fetar mbizotëron në çdo detaj. 
Thuhet se një nga arsyet përse Sagrada Familja nuk përfundohet, megjithë përparimin e teknologjisë, është ngaqë Barcelona mendon se ashtu siç është mund të shfrytëzohet më mirë për turizëm. Ekonomia mbi të gjitha.
Në pjesën e bodrumit të kishës (crypt) është organizuar një muze interesant që shpjegon me hollësi procesin e krijimit të Sagradës nga Gaudi, maketet dhe projektet e tij pafund. Mua m’u duk si një shkollë e përsosur për arkitekturën.
 Një tjetër mrekulli e Gaudit është Park Guell. Konti Eusebi Guell duhet të ketë qënë një nga njerëzit më të pasur të Barcelonës. Në dallim nga ca njerëz të pasur në nja dy vende që njohim ne, Guell e përdorte pasurinë edhe për të bërë diçka të bukur. Natyrisht, ai kishte gjetur Gaudin, të cilit i kishte dhënë liri të plotë krijuese. Dhe Gaudi duket se e ka përdorur pa kursim lirinë e tij, pasi në Park Guell duket qartë që fantazia e arkitektit të madh nuk ka kufizime.

Parku është ndërtuar në një kodër të quajtur EL Carmel, në lagjen Gracia të Barcelonës dhe kap një sipërfaqe prej 17 hektarësh. U mendua fillimisht si një bllok banimi ku do të ngriheshin rreth 60 shtëpi, por si duket projekti nuk eci. Vetëm dy shtëpi përfshihen sot
në këtë park që gjithsesi është i mrekullueshëm dhe mbrohet nga UNESCO për vlerat e vete artistike dhe arkitektonike.
Dy fjalë shtesë për Gaudin dhe marrëdhënien e tij me Zotin. Gaudi padyshim ka qënë një arkitekt dhe artist gjenial dhe ishte i bindur që gjenialiteti dhe frymëzimi i tij buronin drejtpërdrejt nga i plotfuqishmi. Prandaj edhe pjesën më të madhe të veprës dhe jetës së tij ia përkushtoi pikërisht Zotit dhe fesë. Një ditë në vitin 1926, kur ishte 74 vjeç dhe tepër i njohur në të gjithë botën, Gaudi po kthehej në shtëpi nga kisha ku shkonte rregullisht për t’iu falur Zotit. I menduar siç ishte, e përfshin një tramvaj dhe e hedh në cep të rrugës. Disa kalimtarë iu afruan, por nuk e njohën kush ishte. I kontrolluan xhepat dhe nuk i gjetën asnjë dokument. Atëherë, duke menduar se ishte ndonjë i varfër i pastrehë, e morën dhe e çuan në një spital për të varfërit. Aty ai vdiq i vetmuar, pa asnjë njeri të dashur përreth, si një varfanjak pa asnjë qindarkë në xhep. Sot veprat e Gaudit janë tërheqja kryesore për visitorët e Barcelonës. Ato i sjellin qytetit dhe qytetarëve katalanas miliona euro të ardhura, punësojnë me mijëra njerëz dhe kënaqin me qindra-mijëra të tjerë.