Saturday, March 14, 2020

E kemi tepruar zullumin


Kjo figurë tregon historinë e Tokës. Planeti ynë llogaritet të jetë krijuar rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Oksigjeni në atmosferë u shtua para 2 miliardë vjetësh. Pastaj, pasi kaluan 250 million vjet filluan të lindin qelizat e para me bërthamë, si fillim i jetës në tokë. Prej tyre u zhvilluan bimët dhe kafshët e para të planetit. Para 200 million vjetësh në tokë u çfaqën si zotër të gjithëpushtetshëm dinosaurët, të cilët e mbajtën planetin në kontroll për 65 milion vjet. Format e para të njerëzve, shumë të ndryshme nga ne, u çfaqën përpara 2 milion vjetësh. Domethënë, nga 4 miliardë e 500 milionë vjet, toka i ka kaluar të paktën 4 miliardë dhe 498 milionë vjet pa njerëz, ose pa qenie të ngjashme me njerëzit. Njerëzit e ngjashëm me ne janë çfaqur më së shumti këto 200 mijë vjetët e fundit.
Nga çdo këndvështrim që ta marrësh, ne, njerëzit, jemi të ardhurit rishtaz në planet, jemi jabanxhinjtë, jemi fruthat. Mirëpo ne kemi ardhur me një arrogancë dhe një mungesë përgjegjësie të paparë ndonjëherë. Ne s’pyesim për asgjë, veç menderes sonë. I kem hyrë tokës – veçanërisht këto 200 vjetët e fundit – dhe e kemi shkatërruar në një masë të frikshme. Kemi ndohtur ujrat dhe ajrin. Kemi vrarë, me apo pa qëllim me miliona e miliona kafshë dhe bimë, madje kemi kryer gjenocide të përmasave të mëdha duke zhdukur specie të tëra. Ne jemi qeniet që vrasim një elefant që peshon 6 mijë kilogram jo sepse na duhet për ta ngrënë, por për t’i marrë dhëmbët dhe për të bërë figurina me to. Ne jemi ata që iu kemi zënë vendin dhe iu kemi zhdukur mjedisin ku mund të jetojnë speciet e tjera. Ne po shkatërrojmë pyjet e Amazonës, po mbushim me plehra Himalajet, po helmojmë peshqit e balenat, po i bëjmë zogjtë të hanë sende plastike, po e zbrazim nëntokën nga mineralet dhe lëngjet që i qarkullojnë. Ne shtohemi pa pikë përgjegjësie, për kënaqësinë tonë, dhe nuk ngopemi duke marrë, e marrë nga ky planet. Disa nga ne kanë kështjella të mëdha për të jetuar, ndoshta disa të tilla, dhe nuk i vret aspak ndërgjegja se sa pjesë të planetit zënë ose sa burime natyrore shkatërrojnë vetëm për tekat e tyre. Ne kemi krijuar armë me të cilat mund ta rrafshojmë Tokën dhe ta zhdukim një herë e përgjithmonë jetën në të, vetëm e vetëm se kështu mund t’iu teket një grushti prej nesh që, zakonisht nuk janë as më të zgjuarit dhe as më të përgjegjëshmit.
Kush jemi ne dhe a i meritojmë të gjitha këto? Ne nuk jemi më të fortët fizikisht – shumë specie të tjera kanë forcë muskujsh dhe rezistencë shumë më të madhe. Nuk jemi as më të shpejtit, as më të shkathtit, as më të aftët për të ecur, ose për të notuar, ose për të fluturuar. Nuk jemi as më të mëdhenjtë në trup, as më të vegjëlit, as më të durueshmit ndaj vapës, apo të ftohtit, apo lagështirës, apo thatësirës.
Ah, po, ne jemi më të zgjuarit, më të ndërlikuarit, qënia e vetme me aftësinë për të arsyetuar, për të krijuar vegla dhe armë. Me ‘zgjuarsinë‘ dhe ndërlikimin tonë ne kemi arritur një farë epërsie. Por a është kjo epërsi e mjaftueshme për të mbijetuar? Mos vallë ne jemi të zgjuar deri në një farë mase, sa për të krijuar një epërsi të përkohëshme?
Në fund të fundit, në natyrë nuk mbijeton as më i forti, as më i shkathti, as më i zgjuari. Mbijeton ai që arrin t’i përshtatet më mirë natyrës. A jemi ne ata që kemi ditur t’i përshtatemi më mirë natyrës? Nuk ma do mendja. Ne vetëm e kemi shkatërruar natyrën, mjedisin përreth dhe e kemi shfrytëzuar atë pa pikë kriteri, pa e vrarë mendjen fare për të ardhmen. Dhe nuk është fare çudi që natyra të kërkojë të mbrojë vetveten, të na heqë qafe. Nuk është fare çudi që të dalin qënie më të afta se ne, qënie të zonja për të na vënë poshtë, siç vume ne poshtë gjithë ato specie që i kemi zhdukur nga faqja e dheut, ose që i keqpërdorim cdo ditë nëpër therrtore. Këto qënie që do të na mposhtin ne s’ka nevojë fare të jenë më të forta, më të zgjuara, më të ndërlikuara se ne. Mjafton të jenë më të afta për t’u përshtatur ndaj natyrës dhe luftës për mbijetesë. Ato mund të jenë edhe qenie fare mikroskopike, të padukshme për syrin tonë, të pakapshme, por të afta që të na vënë poshtë. Mund të jenë fare mirë viruse.
A s’ka ardhur koha t’i thërresim mendjes dhe të mendojmë për të rikrijuar raporte më të logjikshme me natyrën, raporte me të cilat të mund të mbijetojmë ca më gjatë?! Këto ditë që rrijmë të ngujuar në shtëpi, duke u përpjekur të mbrohemi nga një armik që nuk e dijmë nga dhe si po na sulmon, ndoshta duhet të vrasim pak mendjen për këtë dhe të bëhemi pakëz më të ndërgjegjshëm. Sepse, sinqerisht, mua më duket se e kemi tepruar zullumin.

Monday, March 2, 2020

Për romanin “HIJET E MUZGUT” të Arben Kallamatës

(Nga Kujtim Dashi)
Historia e letërsisë, qoftë e huaj apo ajo shqipe, e njeh dukurinë, që përbri një emri e mbiemri të një autori të njohur, kur ka dalë prej tyre ndonjë pinjoll, që ka lëvruar letërsinë si paraardhësi. Ka vijuar traditën dhe ka korrur sukses, i kanë vënë në kllapa cilësorin i Riu a Biri natyrisht për t’i dalluar nga paraardhësit, si bie fjala, Aleksandër Dyma (père) dhe Aleksandër Dyma Biri, apo Gavril Dara i Riu etj.
Besoj që, përjashtuar veprën tjetër të Arben Kallamatës, të cilën, për shkak të kaosit të botimtarisë e të distribuimit a të vetë njohjes tonë, të mungesës së kritikës letrare institucionale apo dhe pazgjidhshmërisht edhe me hierarkinë katrahurë ireale të atyre vlerave që krijojnë autorët si brenda, por dhe jashtë vendit, nuk e njohim të plotë, mbase vetëm romani i tij “Hijet e muzgut”, na jep të drejtën ta quajmë Kallamata, Biri apo i Riu, duke u nisur nga trashëgimia e vyer në këtë zhanër e të atit, shkrimtarit të njohur Miço Kallmata, veprën e të cilit e kemi njohur që në gjallje të autorit dhe, mbase tani, suksesi i të birit do të bëhet sebep që të nëpërmendet kontributi i të atit në tërësi, sidomos me veprat e tij të këtij zhanri si, "I fundit i oxhakut" (1971); "Nën hijen e dordolecëve"(1973), "Asnjanësia e Zotit Lulo" (1978); si dhe shkrimin kurajoz e jehonëgjerë në vitin 1991 me titull "Proletarë të të gjitha vendeve - shpërndahuni". Përveçse Fieri që e ka “kujtuar” duke e bërë “Qytetar nderi” të tij mbi të si për mjaft autorë të tjerë që nuk janë më fizkisht është hedhur pelerina e harrimit.
Megjithëse ka lëndë jashtëzakonisht të pasur jetësore e tema të panumërta, në raport me letërsinë satirike të trashëguar, në këto 2-3 dekadat e fundit, letërsia satirike, mendoj, se ka njëfarë prapambetje e topitje relative, të cilën, mendoj se e “zgjon” suksesshëm ky roman i Arben Kallamatës, të cilin as s’e njoh e as s’e kam takuar ndonjëherë. Pa dashur të hyjmë në shkaqet e kësaj prapambetjeje e topitje, do të veçoja njerën, dominancën e spektakleve televizive, që krijojnë iluzionin e ezaurimit të problematikës satirike të bollshme në realitetin shqiptar.
Romani me një titull metaforik e sinjifikativ për hijet e muzgta të kohëve në diakroni, por që “gjëmon” për kohët moderne në sinkroni “Hijet e muzgut” në një frymë e stil konician, demitizues e delegjendarizues mjeshtëror vetëqortues e vetëpërqeshësh, gjithë humor sarkastik, nuk i “heq pluhurat” realiteteve që fokuson, por i ka vënë plojën rëndshëm dhe, pamëshirshëm, satirizon dukuritë me të cilat ndeshemi përditë, sidomos në rrjetet sociale, në grafomaninë glorifikuese pseudoshkencore, i cili shpesh herë predominohet, përhapet e shumëfishohet si budallallëk (siç thotë dhe Umberto Eco për përhapjen epidemike të budallallëkut në rrjetet sociale, që edhe një profani i jep të drejtën të shprehet në barazi të plotë me një nobelist) nga gjysmakërstudiues, amatorë “autoktonë” (siç përtallet me këtë term autori) delirantë, taksativë e çudibërës me 99.99 % siguri në “zbulimet” e “konkluzionet” e tyre të vonuara në sofrën e historisë, naïve e ashkencore apo fanataziste, pa asnjë ballafaqim pikëpamjesh apo qoftë dhe me një fusnotë për shkak të injirancës e megallomanisë të pashoqe, profanizmit, protagonizmit alibik e fiktiv, rishikimit të historisë së botës, rajonit e të vendit (edhe sipas, por sidomos në kundërshtim të hapur e “të vonuar” nga “ex katedra” gjithnjë “autoktone” dhe mbarë të gjitha versioneve të njohura a të shkruara në librat e shenjtë apo në veprat shkencore e letrare që nga Homeri e këtej, në mitet e legjendat, “përparësia” e të cilave synohet të serviret si të vërteta shkencore e të padiskutueshme më, muhurvënëse a priori, aksiomatike, kështu është e s’ka ndryshe se “thom û”, na kanë hyrë në hak bota), duke e nxjerrë këtë të fundit, si kërthiza apo treva (e rajonizuar nga autori brigjeve e maleve nga kalon Shkumbini, pra Via Egnatia e njohur, apo siç shprehet po ai në roman:”Zoti u përpoq të vinte në jetë të njëjtin plan edhe me banorët e kopështit të S’Edinit mes maleve të Xhyrës në rrethinat e Librazhdit pranë Skampës në luginën e Shkumbinit në kërthizë të botës, në Ballkanin Perëndimor.) nga është ngjizë e gjithë bota mbarë, apo siç thojnë kinezët Cungo, apo qendra e botës, si “drita magjike” që ka shpëndarë e ndritur të gjithë vendet e popujt, është zanafilla e gjeneza e gjithçkaje, që ka Qy(q)gjijtë Toskë e Gegë më trima, më të mençur, më vizionarët e të zotët e kësaj dynjaje. Dhe se një mori personazhesh që ka krijuar autori, si Palloshi, Qygjia, Rufusi (njëfarë Ternardie shqiptar i satirizuar skajshëm) Helena, Afërdita, Konstanti e Konstandini, Zana e Malit, Eusebio, Grepi i Madh, vëllezërit Mateo, Gjin, Mark, Pavllo dhe…Cuf (Atë Kallamata e vizaton bukur: Përjashtim bënte vëllai Cuf, i cili kishte probleme në funksionimin si “vëlla” dhe anonte më shumë nga funksionimi si Marie. Vëlla Cufi konsiderohej krejtësisht i padëmshëm dhe përdorej nganjëherë nga vëllezërit e tjerë thjesht për të shuar kurreshtjen ose, siç përdorej shprehja midis vëllezërve, “për të ndërruar gjellë”), të cilët më pas shpallen Meshkiopë, si Meshkopi Mateo, Meshkopi Gjon, Meshkopi Mark, Meshkopi Pavllo, përveç Cufit, që ka një « fat » tjetër. e shtatë Marijet, krijuesi Zot, Lenka e Virgjër e Tepelenës, Pirua, (ia vlen të vëmë në spikamë etimologjinë e këtij emri të shquar, sipas autorit: “kishte dy cilësi të shquara që e bënin atë të quhej 'i Madh'. Ai ishte trim i çartur dhe pijetar i shquar. I pëlqente shumë rakija e rrushit dhe vera e kuqe. Prandaj edhe emrin ia kishin vënë 'Piro', pasi rrinte gjithë ditën i pirë. Piroja pinte aq shumë, saqë u desh t’i shtonin edhe një mbiemër tjetër 'i të Pirit',. Kështuqë e quanin Piroja i Madh i të Pirit.), Kapedan Sulua, Kapedan Batoja, Kapedan Dashi, Kapedan Kokëmadhi dhe nja dhjetë kapedanë të tjerë të dorës së dytë. Përkrah Piros së Madh të të Pirit qëndronte Lame Lëçitësi. etj, etj, apo edhe ato episodikë, përmes situatave, episodeve, ngjarjeve e batutave të panumërta të ndërthurura njëra me tjetrën plot humor e satirë të hollë rindërtojnë marroçshe versionin origjinal të tyre që në zanafillë e përgjatë gjithë rrjedhave të historisë së vendit, të rajonit e botës, në gjithçka të kësaj bote deri në teoritë “filozofike” etj.
Ia vlen të citojmë një nga “deduksionet” më interesante e të jeremosura të romanit:” Pellazgët kanë themeluar Romën, kanë themeluar Trojën, kanë themeluar Butrintin, kanë themeluar Athinën, kanë themeluar Aleksandrinë dhe tani po themelojnë Kostandinopojën. Pellazgët kanë vënë bazat e qytetërimit të botës dhe nuk do të lejojnë njeri t’i marrë nëpër këmbë. » apo
« …kishte të dhëna të sakta se një bashkim panpellazgjik nuk kishte sy për qabe të ndodhte në ndonjë të ardhme të afërt ose të largët. » apo
« Këta njerëz (të katakombeve në Romë, ku i cvendos ngjarjet romancieri), shumica pa punë e pa zanat kishin të paktën të siguruar strehën falas nëpër labirintet e katakombeve dhe hanin po falas duke u mbështetur kryesisht në ekonominë ndihmëse të vjedhjeve, lypjeve dhe prostitucionit, veprimtari që kërkonin shkallën më të ulët të vetëvlerësimit, nivelin më bazë të kërkesave morale dhe…. »
Që t’i rprodhojmë këtu do të ishte një ndërmarrje e vështirë po aq sa dhe të vetëpërmbahesh për të mos bërë një gjë të tillë, se i takon thuajse të rishkruash krejt tekstin, herë me gjithë kontekst e herë jashtë tij, thjesht ndoshta për një batutë pikante nga një pafundësi e tyre, kur nuk të ndahet për një çast buzagazi, por mendoj se botimi i këtij romani dhe jehona e tij e mirëmenaxhuar, do të jetë një kontrapunkt letraro-artistik dhe përpjekje e suksesshme për t’i kthjelluar e vënë disi fre këtyre përçartjeve megallomane të takëmit të sipërpërmendur, që në çdo gjë, në çdo zbulim e në çdo fjalë empirikisht e në mënyrë komike, do të gjejnë medoemos gjurmë pellazge e të pellazgjishtes, lavdi a heroizma të paqena a të ekzagjeruara, pra si produkte “Made in Pellazgjia!” të historisë që deri më tani na paskësh hyrë në hak, por në suazën e një recence ndonjë batutë pikante edhe mund ta zëmë në gojë, për të ritheksuar vlerat satirike që përcjell autori në këtë roman, si bie fjala, Siç na dogjën, do t’i djegim, si “kredo gjenetike” që në zanafillë ndër ne shqiptarët;
- Ah, Mama, Mama. Qygjia ishte njeriu i parë që foli. Qygjia foli shqip, gjuhën e parë, nënën e gjuhëve. Qygjes i vinin fjalët vetvetiu – nuk kishte nevojë t’i kërkonte apo t’i mësonte nga njeri;
Helena
“Nëse hetojmë prejardhjen e fjalës “Hellas” do na çojë dhe kjo se helenët nuk vijnë nga jugu, siç thotë Kordati, por nga Iliria.
Studiues…e nxjerrin prejardhjen e “Hellas” nga rrënja pellazge “el-“ që do të thotë ose ndoshta ka kuptimin e lartësisë dhe e hasim në një numër të konsiderueshëm toponimesh të botës pellazge, që nga Italia Qendrore deri në Azi të Vogël;
Tjetrin (Zoti) e vuri në mes të disa maleve të bukur, zhytur në pyje të gjelbëruar dhe pemë të panumërta, në një tokë me dhè të kuqërremtë, në një kopësht të cilin e quajti S’Edin. Njeriun e dytë e quajti Qygj. Kopështi i S’Edinit ishte diku në Ballkanin Jug-Perëndimor, në Europën Jug-Lindore, pranë një lumi të vogël shkumbues që quhej Shkumbin, diku rrotull një pike që quhej Xhyrë.
Të dy njerëzit e parë ishin burra, pasi Zoti i krijoi sipas shëmbëlltyrës të vet dhe Zoti dihet mirëfilli që është burrë, me qime të ashpra dhe lesh në të katër anët, me koqe e me gjithçka tjetër që vjen me paketën e një burri. Sepse zoti mund të vijë në tre forma, si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, por që të tri format janë burra. Asnjë nga format nuk është grua. Prandaj edhe dy njerëzit e parë që u krijuan ishin burra, sepse Zoti ishte i vendosur t’i krijonte dy të njerëzit e parë në shëmbëlltyrën e vet.…Apo:
Fitorja e Piros. Fitorja e leshit. Nuk mbeti burrë në këmbë. Nuk mbeti kalë në këmbë. Nuk mbeti bagëti në këmbë. E përse? Për një kurvickë që u kthye me dobiç nga Italia.
Sa sipër, do të thosha që vepra të tilla si kjo që kemi në shqyrtim, për shkak të temës së trajtuar gjerësisht dhe nivelit artistik, humorit e satirës për të cilën është i etur lexuesi, pa bërë krahasime dhe spostime hiearkike vlerash, do të thosha se shpesh kanë fatin, bie fjala, si të Zylos së Dritëroit, përthithen shpejt e mirë nga lexuesi dhe ushtrojnë ndikim jo të vogël tek ai dhe në mjedisin shoqëror, duke u bërë shpesh popullor personazhet e tyre apo dhe referenca për kundërvënie situatash të ngjashme që vazhdojnë ende.
Kallamata Biri apo i Riu me mjeshtëri artistike e gjuhë shprehëse të zhanrit me një fantazi të shfrenuar dhe humor e sarkazëm, që nuk e ndeshim fort shpesh as në vepra “revizionuese-satirike” letrare apo dhe kinematografike, që mendoj se është më e zhvilluar prej shumë kohësh në botë, kryesisht, ku kanë gjetur terren për ta përcjellë të shkuarën me gaz e jo më me patetizma, me shtrembërime flagrante fitimtarësh, me të pavërteta etj, jep “versionin” e tij të krijimit të botës në tërësi dhe të asaj shqiptare dhe të çdo zanafille tjetër të jetës sociale, përmes situatave e batutave që të shkrijnë së qeshuri shpesh herë në një mënyrë të tillë saqë sikur të mos vezullojë ndonjë batutë, episod a ngjarje në rrjedhën narrative t’i vënë në dyshim njohuritë që ke marrë në bankat e shkollës e në jetë dhe të duket ky triller satirik të bëhet aq i besueshëm si i tillë saqë të duket sikur është e vërtetë, e vetmja madje si e tillë dhe siç na ka rastisë të lexojmë Ungjillin sipas Jezu Krishtit, Gjonit, Mateut, Lukës, Markut, për analogji dhe humor do të thoshim tani edhe Bota në tërësi dhe Bota shqiptare në veçanti, sipas Arben Kallamtës. Kësisoj përveç një narratori që përhap satirikisht rishkrimin e botës mbarë me epiqendër Epirin e Ilirinë, apo kryeqendrën e Tepelenës, Xhyrën, Romën etj, Kallamata i Riu ose Biri në roman kthehet edhe si një guidë a udhërrëfyes i historisë, duke përcjellë informacione “serioze” për kohën, vende, njerëz e ngjarje me një “saktësi” historike që të shkrin së qeshuri.
Romani “Hijet e muzgut” përveçësohet edhe për strukturën e tij kompozicionale e ndarë në pjesë, për emërtimet e këndshme të krerëve, si (Pjesa e Parë – Pellazgët) dhe Pjesa e Dytë - Të Pirët – Tëpiriotët, Helena e Dytë dhe Piroja i Madh Tëpirit, Kthesa 263 EeRe, Lind një yll 267 EeR, Rryma të nëndheshme 290 – 285 PER Në Romë 271 EeR, Konstandini i ri 275 EeR, Lekoja i Madh, Rrëfim në 281 PER për ngjarje të viteve 336 – 323 PER Në Aleksandri 326 EeR, Fitorja e Piros 2, Shtriga 326 EeR, 80 PER, Kompromise të mëdha 279 PER, Ariusi325 EeR, INTERMEXO 2 – TOKE DJERRE Pjesa e Tretë – të Lirë, Mbretëresha e Detit etj. për poezitë e përshtatura a të krijuara enkas në aperturë të kapitujve, të cilat të gjitha në tërësi janë funksionale e në funksion të nëra tjetrës. Në roman gjithçka “flet” çdo detaj me humor e satirë. Gjuha e përdorur nga autori është mjaft e pasur dhe e përzgjedhur për individualizimin e karakterizimin e personazheve e të situatave. Stili i të shkruarit rrjedh bukur e natyrshëm, duke ndërthurur mirë kohët narrative dhe në disa raste duke e bërë edhe lexuesin pjesë aktive të rrëfimit të vet. Ka një dialog të shkathët, dinamik e “folës” me satirë.
Autori në tekst nuk e ka shkruar postulatin a fjalinë “salvaxhente” që “Çdo ngjashmëri me persona e ngjarje reale është krejt e rastit”, pasi s’ia ka nevojën, romani është vepër zgjuese për kush do ta lexojë përsëmbari dhe shumë kush nga areali shqiptar ka për të parë veten në këtë vepër të rëndësishme satirike.
Siç mund të jetë kuptuar nga përmbajtja e kësaj recence, e cila nuk e analizon hollësisht veprën, por cek gjërat më esenciale, mendoj që romani është i botueshëm dhe do të jetë, besoj, një sukses i dyanashëm, i autorit dhe i vetë Botimeve Toena, aq më tepër kur mendon zbrazëtinë që ekziston në këtë zhanër.
Tiranë, më 8 prill 2019
________
Recenca e fundit që bëra, kur punoja për disa vite(lexohet edhe ndryshe konfidencialisht, ama) part time në Botimet Toena. U gëzova shumë që e gjeta në dok. e mia të kompjuterit. Ua sugjeroj ta lexoni romanin “Hijet e Muzgut” të Arben Kallamatës.

Friday, February 28, 2020

Se si m'u kujtua...

E mban mend njeri apo më është fiksuar kot mua që kjo fytyra që sot kryeson Parlamentin njëpartiak shqiptar është arratisur në Greqi në vitin 1997? E mban mend njeri, apo më është fiksuar kot mua që nja gjashtë vjet para se të arratisej ai ka qënë Ministër i Punëve të Brendëshme? Dhe, nëqoftëse nuk më është fiksuar kot mua, por kështu ka qënë vërtet, pavarësisht se nuk para kujtohet ky fakt nga publiku i gjerë, a di njeri të thotë se si e pritën grekët këtë ish-ministrin shqiptar të Punëve të Brendëshme që iu kishte vajtur atje për t’iu kërkuar strehim dhe ndihmë?
Krahëhapur, do thosha unë. Dhe jo ngaqë ishte veshur si grua dhe iu ngacmonte grekëve fantazitë seksuale. Me atë fytyrë që ka ai s’besoj se ndjell dot njeri (e kam fjalën për fytyrën shpirtërore, se atë fizike nuk më lejon etika profesionale t’ia përgojoj).
Nejse, po përse do ta prisnin grekët krahëhapur një ish-ministër të punëve të brendëshme të Shqipërisë që shkonte dorëzohej te ata dhe iu kërkonte ndihmë për të shpëtuar lëkurën? A e ka pyetur njeri Kalorësin e Fytyrës së Inatosur kur është kthyer se çfarë zoçkash i kanë kërkuar kolegët grekë të nxjerrë nga barku për t’i dhënë, si shpërblim, ndihmën e tyre? Ja, këtë s’mbaj mend ta kem lexuar apo dëgjuar gjëkundi. Do me ketë shpëtuar prandaj sinqerisht kërkoj ndihmë që të ma sqaroni.
Se puna është kështu – Ministria e Brendëshme ka qënë Ministri e Brendëshme, me gjithë strukturat e saj të brendëshme – sigurimin, agjentët, spiunët, hetuesit, oficerët, e të tjerë. Në krye të të gjithëve ishte ky që arratisej. Jo një agjent apo spiun i thjeshtë, jo një oficer apo hetues i rëndomtë, apo qoftë me përgjegjësi. Por kreu i tyre. Në gjuhën e kompjutareve quhet ‘motherboard’. Sa mund të gëzoheshin grekët nëse atyre do t’iu dorëzohej një agjent i thjeshtë shqiptar? Sa të gëzuar do të kenë qënë ata kur iu ka trokitur në dorë kreu i të gjithë agjentëve shqiptarë? A thua ta kenë përmbajtur veten dhe të mos i kenë bërë asnjë pyetje? A thua nuk iu ka shkuar mendja për asnjë pazarllëk, por e kanë drejtuar menjëherë në ndonjë vilë buzë detit duke i thënë: Rri qetësohu këtu, pa merak fare, sa të bëhet gati situata dhe të kthehesh në Shqipëri për të vazhduar karrierën tënde politike me të cilën ne s’kemi, nuk duam të kemi, dhe s’kemi për të pasur asnjëherë ndonjë lidhje? Grekët njihen si krijesa të sinqerta dhe të padjallëzuara, por jo deri në këtë shkallë, apo jo?
Se ç’u tha dhe se ç’u bë në Greqi ne nuk e dijmë. Atë e dijnë vetëm Gramoz Ruçi dhe ata ustallarët e Athinës. Ne dijmë vetëm që ky zotëria u kthye, hipur si gjithmonë majë kalit, kalë të cilit nuk ia ka zbritur asnjëherë dhe s’besoj se do t’ia zbresë derisa të arrijë moshën e shoqes Nexhmie. Edhe kali gjallë do jetë, se është kalë grek. Kuajt grekë rrojnë me shekuj, me mijëvjeçarë.
Seç m’u kujtuan kot këto ndodhi të 23 vjetëve të shkuara tani që Kryemadhëria e ka mprehur shpatën edhe një herë për të luftuar korrupsionin. Ndoshta ma kujtoi ajo shpresa e mekur se do të kujtohet dikush, dikur, ta fillojë spastrimin e vendit nga ai llum i pisët që e mbuloi Shqipërinë në vitin e mbrapshtë 1997.

Tuesday, February 18, 2020

Tundimi


(Fragment nga romani Hijet e Muzgut)
 
Përmes grykës së Shkumbinit
Shtrihet Kopshti i S’Edinit
Kjo parajsë në mes malesh
Ngjitu-zbritu, s’di të ndalesh
S’di të ndalesh, ngjitu-zbritu
Ngjitu-zbritu, ha e dhitu.

 Zoti u përpoq të vinte në jetë të njëjtin plan edhe me banorët e Kopshtit të S’Edinit mes maleve të Xhyrës, në rrethinat e Librazhdit pranë Skampës, në luginën e Shkumbinit, në kërthizë të botës, në Ballkanin Perëndimor. Por banorët e parë të atyre trevave nuk e hëngrën atë koqe ulliri. Domethënë, nuk e hëngrën atë koqe molle. Kur iu afrua Gjarpri dhe filloi t’iu fliste Qygjja dhe Palloshi ishin ulur nën hijen e një peme e po bisedonin të shpenguar, të dy cullakë, siç i kishte krijuar dhe rikrijuar Zoti. Qygjja me një boshllëk në fund të barkut dhe Palloshi me një zgjatim që i ngjante shumë atij zgjatimi që kishte pasur dikur Qygjja kur kishte qenë vetëm, por që tani nuk e mbante mend se kishin kaluar shumë kohë.
- A po mërziteni, o miq? - i pyeti Gjarpri me zë fishkëllyes.
- Ne nuk mërzitemi kurrë, - tha Palloshi. - Përderisa s’kemi asnjë punë për të bërë, nuk kemi as përse të mërzitemi. Mërzitet ai që ka punë. Ose mërzitet nga puna, ose mërzitet kur mbaron punën dhe s’ka ç’të bëjë.
Me këto fjalë të mençura Qygjja dhe Palloshi ia dhanë gazit për tri ditë rresht. Në fund të fundit, ata kohën e kishin me bollëk dhe s’kishin përse t’i vinin vetes kufizime kohore kur qeshnin. Gjarpri, i cili gjithashtu nuk dukej të kishte probleme të kësaj natyre, i priti me durim derisa mbaruan dhe vazhdoi krejt i qetë:
- Megjithatë, jeta mund të jetë edhe më interesante se sa të rrish pa bërë gjë.
- E ç’ka mund të jetë interesante se sa të rrish pa bërë gjë në përjetësi? - pyeti Qygjja . - Çfarë mund të jetë më interesante se sa mos kesh koqe pune për të bërë? Cila lloj jete mund të jetë më interesante se sa një jetë ku s’i thua asnjëherë punës “mirëmëngjesi”.
- Një jetë me dije dhe njohuri, - tha Gjarpri. - Një jetë në kërkim të përgjigjeve për shumë pyetje që të lindin në kokë. Një jetë me emocione të reja që vijnë pas arritjeve të shumta.
- Për çfarë pyetjeje e ke fjalën? - ia priti Palloshi.
- Për shembull: Si u krijua njeriu? Përse ekziston bota? Sa larg janë yjet në qiell? Si mund të zbërthehet atomi në grimca më të vogla? A e ka bërë pula vezën apo veza pulën?
- E kush e çan kokën të gjejë përgjigje për pyetje të tilla?! - ia pat Qygjja.
- Po edhe sikur ta çanim kokën, si mund t’i gjenim përgjigjet? - ia priti Palloshi.
- Fare e lehtë, - u hodh gjithë gëzim Gjarpri, të cilit iu duk se i dolën në shteg. - Mjafton të hani një kokërr nga ajo pema aty.
Qygjja dhe Palloshi i hodhën një sy një peme të bukur të mbushur me kokrra të kuqe për të cilën Zoti i kishte porositur që të mos e preknin me dorë se po ta preknin do t’i gjente belaja.
- Mos e fol, - ia priti Palloshi. - As që na vete mendja të hamë fruta. As zarzavate. Ne kemi mish me bollëk - pula, viça, derra, dele, keca, lepuj të butë dhe të egër, kemi mish kaprolli dhe fazani, breshka dhe bretkosa, kërmij dhe harabela. Ç’na duhet të hamë fruta?
Gjarpri i pa i çuditur. S’i kishte rënë kurrë rasti të merrej me njerëz të tillë.
- Po ju s’i keni provuar ato fruta. Provojini njëherë dhe do t’iu pëlqejnë. Veç kësaj edhe do t’iu mbushin me dije.
- Ik ore mbushu, se s’kemi nevojë as për dije, as për fruta, - ia priti Palloshi.
- Dhe meqë ra fjala e të provuarit, - tha Qygjja, - nuk kemi provuar ndonjëherë mish gjarpri. Dhe fap, një të zgjatur dorën, e kapi Gjarprin dhe ia këputi kokën. Pas kësaj, ia hoqën lëkurën, e pastruan mirë e mirë, e vunë në tigan dhe e skuqën si ngjalë. Iu shijoi si kurrë ndonjëherë.
Ky veprim i dha Palloshit dhe Qygjes një farë përparësie në krahasim me dy të ngjashmit e tyre në anën tjetër të botës. Ata arritën të shmangin dëbimin nga Kopshti i S’Edinit në Xhyrë të Librazhdit. Kur erdhi Zoti që t’i vizitojë dhe t’i shohë ç’bënin, ai vuri re se pema frutore ishte e paprekur.
- Po Gjarpri ç’u bë?! - pyeti Zoti i çuditur.
Në fakt, asnjëherë nuk është marrë vesh se kush ishte, në të vërtetë, Gjarpri - ishte thjesht ndonjë agjent i fshehtë i Zotit, i dërguar posaçërisht për të provokuar çiftin e ri dhe për t’i shtyrë në ngasje që të hanin pemën e ndaluar me qëllim që të realizohej plani i fshehtë i Zotit për t’i dëbuar njerëzit nga kopshtet, apo ishte agjent i pavarur, provokator në profesion të lirë, që vërtitej sa në një kopsht të përsosur në tjetrin, duke u përpjekur të ngatërronte dynjanë dhe t’iu prishte të ardhmen njerëzve të pavdekshëm? Asnjë nga librat e shenjtë nuk jep sqarime të hollësishme rreth natyrës së lidhjeve shoqërore apo profesionale të Gjarprit me Zotin. Nga mënyra se si u soll Zoti vis a vis çiftit Pallosh-Qygje, mund të nxirret përfundimi se Ai (Zoti) duhet të kishte një farë dijenie për veprimtaritë e Gjarprit dhe, madje, ndiente edhe një farë përgjegjësie për sigurinë e tij.
Megjithëse jo shumë të ndërlikuar në lëmin e dijes (për vetë faktin që nuk kishin pranuar të hanin pemën e ndaluar), me atë budallallëkun e tyre, ose më saktë, me shejtan-budallallëkun e tyre, Palloshi dhe Qygjja e ndjenë që kështu duhet të ishte puna, prandaj nuk u përgjigjën menjëherë. Madje nuk u përgjigjën kurrë dhe Zoti as që kishte për ta marrë vesh në jetë të jetëve fatin e Gjarprit sikur Qygjja të mos kishte ulur kokën dhe mos e kishte ngulur vështrimin te një palë çizme të reja me lëkurë gjarpri që kishte veshur.
- Hmm! - ia bëri Zoti me vete. - Ata të Edinit, Adami me Evën, si mëkat fillestar zgjodhën seksin. Këta të S’Edinit paskan zgjedhur vrasjen dhe vjedhjen.
- Nuk e keni parë fare Gjarprin?! - gjëmoi Zoti.
- Jo, - u përgjigjën njëzëri Palloshi me Qygjen.
- Edhe gënjeshtrën, - i shtoi Zoti me vete një të tretë listës së mëkateve fillestare të banorëve të Kopshtit të S’Edinit në Xhyrë të Librazhdit.
Për këto tre mëkate - vrasjen, vjedhjen dhe gënjeshtrën Zotit iu ngritën nervat, ndonëse jo aq lart sa i ishin ngritur para disa kohësh në lidhje me mëkatin e seksit. Kjo u dëshmua edhe në formën e dënimit që iu dha.
- Meqë nuk e keni ngrënë mollën e dijes dhe keni pranuar me vetëdije të plotë që të mbeteni në jetë të jetëve dhe brez pas brezi injorantë, nuk do t’iu dëboj nga Kopshti i S’Edinit, - tha ai mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve të Palloshit dhe Qygjes.
Aq u entuziazmuan të dy banorët e Xhyrës, saqë Palloshi ngriti dorën dhe, ashtu duke qeshur, vërejti:
- Për më tepër kjo nuk është as mollë. Mua më duket më shumë si shegë.
Zoti e pa pemën me vëmendje dhe s’dihet përse i shpëtoi një - Ups! Por nuk e bëri veten.
- Megjithatë, - bubulliu duke vendosur një heshtje varri te dy të pranishmit, - kjo s’ndryshon asgjë. Pavarësisht mosngrënies së frutave të ndaluara, ju keni kryer tri mëkate të tjera fillestare dhe për këtë do të ndëshkoheni. Së pari, ju duhet të punoni, për të siguruar mirëqenien. Hajde shëndet!
Dhe u zhduk në qiell.
Palloshi dhe Qygjja mbetën vetëm. Nuk dinin ç’të thoshin. Fjala punë iu kishte rënë si bombë. Çdo gjë do ta kishin pranuar me qejf, po jo punën.
- Të thashë mos t’i vishje çizmet sot, - tha Palloshi.
- E ku e dija unë që do të vinte sot, - u justifikua Qygjja.
- Si tha, “duhet të punoni për të siguruar mirëqenien”?
- Po, kështu më duket se tha.
- Unë s’e kam fort qejf punën, - tha Palloshi.
- As unë, - ia priti Qygjja. - Puna s’ka asnjë lidhje me traditat tona.
- Por mbase është kështu: Po punove shumë, siguron mirëqenie të lartë. Po punove pak, ose po nuk punove fare ke më pak mirëqenie.
- E ç’na duhet mirëqenia a lartë? - ia priti Qygjja. - Ne do të punojmë fare pak, sa për të siguruar një mirëqenie minimale. Sa për ta shtyrë. Pjesën tjetër të mirëqenies ose do ta vjedhim, ose do ta grabitim gjëkundi. Të paktën na la këtu në Kopshtin e S’Edinit ku ke ç’të vjedhësh.
Dhe kështu e lanë që ata dhe, në jetë të jetëve, brez pas brezi, kushdo që do të vinte pas tyre, do të vazhdonin të punonin pak, fare pak, sa për të thënë, paçka se edhe mirëqenia që do të siguronin do të ishte e pakët, fare e pakët, sa për të thënë. Me sa duket edhe Zoti ishte në rregull me këtë zgjidhje. Atij nuk i bënte shumë përshtypje nëse njerëzit punonin apo s’punonin, kishin apo s’kishin mirëqenie, dinin apo s’dinin, mjafton që të vazhdonin ta respektonin dhe t’i luteshin Atij. Për të rëndësi parësore kishte seksi.

Në fillim


(Fragment nga romani Hijet e Muzgut)
Koha: Fillimi i kohës
... Kur i mbaroi të gjitha Zoti u duk i kënaqur. Ama jo krejt i kënaqur. I kishte mbetur një copëz kënaqësie pa iu plotësuar. Zoti vuri re se i mungonte diçka. I mungonte diçka që t’i gëzonte të gjitha këto dhe, mbi të gjitha, t’i ishte Atij mirënjohës për çka kishte krijuar. Diçka që t’i lutej e t’i falej, t’i trembej e ta donte, dhe jo të vërtitej pa e çarë kokën për ekzistencën e tij, siç bënin kafshët dhe sendet e tjera.
- Më duhet diçka që të jetë në gjendje t’i vrasë dhe t’i hajë këto kafshë moskokëçarëse, - tha Zoti. - Më duhet dikush që t’i shkatërrojë këto pyje të bukura, t’i presë këto pemë të larta; ta prishë këtë ajër kaq të pastër; t’i ndotë këto ujëra të kulluara; t’i thyejë këta shkëmbinj kokëfortë; t’i nxjerrë nga nëntoka mineralet dhe naftën, që as unë s’e di përse i kam futur aq thellë; ta qelbë ajrin dhe ta turbullojë ujin; diçka që t’i bëjë të gjitha lëmsh. Dhe kjo diçka duhet bërë sipas shëmbëlltyrës sime.
Kështu Zoti krijoi njeriun. Jo një, po dy. Të ndarë dhe të pavarur nga njëri-tjetri. Të shkëputur me dete, oqeane, kilometra malesh e kontinentesh. Njërin, e vuri në një kopsht të bukur, në Kopshtin e Edinit, me të gjitha të mirat, në mes të oqeanit, dhe e quajti Adam. Kopshti i Edinit ishte diku në një nga ishujt pranë bregut lindor të Afrikës.
Tjetrin e vuri në mes të disa maleve të bukura, zhytur në pyje të gjelbëruara dhe pemë të panumërta, në një tokë me dhè të kuqërremtë, në një kopsht të cilin e quajti “S’Edin”. Njeriun e dytë e quajti Qygj. Kopshti i S’Edinit ishte diku në Ballkanin Jugperëndimor, në Europën Juglindore, pranë një lumi të vogël shkumues, që quhej Shkumbin, diku rrotull një pike që quhej Xhyrë.
Të dy njerëzit e parë ishin burra, pasi Zoti i krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij dhe Zoti, dihet mirëfilli, që është burrë, me qime të ashpra dhe lesh në të katërta anët, me koqe e me gjithçka tjetër që vjen me paketën e një burri. Sepse Zoti mund të vijë në tri forma, si Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë, por që të tria format janë burra. Asnjë nga format nuk është grua. Prandaj edhe dy njerëzit e parë që u krijuan ishin burra, sepse Zoti ishte i vendosur t’i krijonte njerëzit e parë në shëmbëlltyrën e tij.
Të palidhur me njëri-tjetrin, të pavarur nga njëri-tjetri, mijëra kilometra larg njëri-tjetrit, Adami dhe Qygji jetonin nën vëzhgimin e kujdesshëm dhe të vazhdueshëm - por jo të pandërprerë të Zotit. Ata jetuan disa qindra vjet kështu, të vetmuar, pjesë e eksperimentit të Zotit, i cili përsëriste vazhdimisht me vete: - Punë e paqme! Zoti është tip që kënaqet me punën e tij.
Megjithatë, erdhi një ditë që edhe Ai, bashkë me dy njerëzit që kishte krijuar, u mërzitën. I pari u mërzit Adami. Ai iu drejtua Zotit:
- O Zot i madh, - i tha, - ndihem i vetmuar. Shikoj përreth dhe vë re se të gjitha kafshët që ke krijuar këtu në Kopshtin e Edinit e kanë nga një shok, nga një partner, me të cilin eglendisen: ujku kruhet pas ujkonjës; ariu polar ngjishet pas arushës polare (sepse në Kopshtin e, Edinit pavarësisht nga klima, rronin të gjitha llojet e kafshëve); qentë ua hipin gjithë qejf buçeve. Vetëm unë s’kam me kë të gërvëlisem. Ata lindin kalamaj e shumohen, kurse unë kam mbetur firar.
Zoti kroi kokën dhe i dha të drejtë.
- Jam i një mendimi me ty, - tha Ai. - Ty të duhet një njeri, domethënë njeri femër. Unë ta bëj, por duhet të të heq një kockë. Le të themi një brinjë.
- Po unë mezi i kam brinjët dhe më duhen për të mbajtur kafazin e kraharorit, - ia ktheu Adami.
- S’ka problem, - ia mbushi mendjen Zoti. - Kafazi i kraharorit mund të rrijë për bukuri edhe me një brinjë mangët. Unë kaq e kam pazarin, një brinjë. Po të duash merre, po të duash lëre.
Adami pranoi dhe Zoti i hoqi atij një brinjë nga kafazi i kraharorit. Megjithëse Zoti i hoqi një brinjë, Adami mbeti me numër të plotë brinjësh dhe kjo s’u mor vesh kurrë sesi ndodhi. Ja, këto janë mrekullitë e Zotit, që mendja e gjorë njerëzore nuk është në gjendje t’i shpjegojë. Se Zoti, që di të shkuarën, edhe të sotmen, edhe të ardhmen, do ta ketë ditur që një ditë prej ditësh Adami do t’i kërkonte t’i krijonte ndonjë shoqe nga brinja, prandaj kur e krijoi fillimisht atë e bëri me brinjë të plota, ndoshta edhe me një brinjë shtesë, të cilën po t’ia hiqte, do t’i mbeteshin përsëri të plota, por edhe kur s’ia kishte hequr, përsëri ishin të plota. Punët e Zotit janë tepër të ndërlikuara dhe duhen marrë me besim, jo me arsyetim logjik.
Pasi hoqi brinjën, Zoti kreu një përpunim gjenetik duke krijuar prej saj njerien, të cilën e quajti Eva. Kësaj Zoti i tha: - Ti je krijesë dytësore, jo e njëjtë me
Adamin. Je e detyruar t’i bindesh gjithë jetën atij, t’i shërbesh me besnikëri, ta dëgjosh dhe t’i bësh kalamaj sa herë t’i teket atij. Po të bëj pak më të shkurtër dhe më të dobët, që ai të ketë mundësi të të kontrollojë dhe të të hyjë në dru, po qe se i jepet rasti. Si kompensim, po të jap një llapë më të gjatë, që ta përdorësh si të të vijë për mbarë.
Eva nxori llapën dhe u bë gati të ankohej, por ishte vonë. Zoti qe zhdukur.
. . .
Njëkohësisht me pazarllëkun që bëhej në Kopshtin e Edinit, mijëra kilometra tutje, dy oqeane dhe shtatë dete larg, Zoti përpiqej të arrinte një marrëveshje të ngjashme me Qygjin, në Kopshtin e bukur të S’Edinit, pranë vendit të bekuar të quajtur Xhyrë. Zoti kishte dhe ka aftësinë të ndodhet në dy ose më shumë vende të ndryshme në të njëjtën kohë, pasi për të, koha dhe hapësira nuk kanë pikë rëndësie, veçanërisht në rastet kur nuk duhet të kenë. Ndërsa kur duhet të kenë, kanë.
- O Qygj i shkretë, - i tha Zoti. - Ty të duhet një shoqe, sepse edhe emri që ke tingëllon shumë i vetmuar. Të duhet dikush që të të ndihmojë dhe ta ndihmosh. Një njeri tjetër, një njerie, me të cilën të shkëmbesh nja dy fjalë. Prandaj do të të shkul një brinjë.
- Kjo më duket ide shumë e mirë, - tha Qygji. - Vetëm, të lutem, mos më hiq brinjë. Brinjët dhembin.
Më shkul ndonjë gjë tjetër që të ketë më pak dhimbje dhe të mos më prishë punë.
- Po çfarë të të shkul? - pyeti Zoti?
- Ja, më shkul apendicitin. Se ç’kam një parandjenjë që atë ma ke vënë kot.
- Hm, - ia bëri Zoti. - Të ditka bytha! Mos do të thuash se unë bëj gjëra kot, pa vlerë?
- Po edhe aq plot nuk duket se ke bërë, - tha Qygji, që donte të hiqej sa më i zgjuar dhe s’tregonte ndonjë shenjë të veçantë respekti për Zotin. Zotit nuk i pëlqente shumë ky qëndrim prej kapadaiu, por s’kishte ç’bënte. Në fund të fundit, vetë e kishte krijuar Qygjin kështu, shëmbëlltyrë të vetes së tij, fodull dhe kapadai.
- Apendicitin nuk ta heq sikur kaq ta bësh dhembin, - tha Zoti duke treguar gishtin e mesit, të cilin në atë çast e kishte nja tre kilometra të gjatë.
Qygji e pa me vëmendje gishtin dhe e kuptoi që ishte e pamundur ta bënte dhëmbin aq, prandaj filloi të vrasë mendjen, për të shkulur ndonjë pjesë tjetër të trupit.
- Po sikur të të shkul një kockë nga ai zgjatimi në fund të barkut? Në fund të fundit, ai s’ka ç’të duhet me kockë, - i sugjeroi Zoti si pa e pasur shumë mendjen aty.
- Ky zgjatimi këtu? - tha Qygji duke ulur kokën. - Vërtet, as ky s’më hyn shumë në punë. Shkule të gjithin.
- Ndoshta të duhet kur pshurresh, - tha Zoti. - Që t’i japësh drejtimin e duhur dhe mos spërkatësh.
- Ç’ia fut kot edhe ti, - tha Qygji. - Unë pshurrem shkurreve, ku të më zërë. Hiqe fare, se s’më duhet.
- Mirë, - tha Zoti i gëzuar. - Meqë nuk e dashke, po ta heq ty dhe po ia jap atij që do të krijoj. Që sot e tutje, ti do të jesh femra, ndërsa ai që do të krijoj do të jetë mashkulli.
Qygji s’e kishte fare idenë për çfarë flitej.
- Si të duash, - ia bëri, pa e vrarë mendjen fare.
Dhe kështu u bë. Zoti kreu operacionin e parë ndërgjinor duke e kthyer Qygjin në femër. Me këtë rast ai ia ndërroi edhe emrin nga Qygj në Qygje. Pastaj, Ai kreu përpunimin e dytë (ose, po të kemi parasysh njëkohshmërinë e veprimeve të Zotit, mund të themi të parë) gjenetik, duke krijuar një njeri nga penisi i një tjetri. Njeriun e porsakrijuar nga zgjatimi i tepërt i Qygjit e bëri mashkull. Pasi e krijoi, Zoti tha:
- Nisur nga prejardhja, mendoj që njeriu i ri i sapokrijuar të quhet Pallosh.
Qygjes iu duk i drejtë mendimi. Edhe Palloshit të sapokrijuar iu duk me vend.

Saturday, February 15, 2020

Po s’te vrau, të forcon.


Padyshim gjella me pa shije që na u servir këtë javë ishte ajo biseda në studion e Fevziut e Kryeministrit Edi Rama. Ishte jo vetëm pa shije, por edhe e prishur, e qelbur, nga ato gjellët që të shkaktojnë të vjella dhe diharre. Një gjellë që përzjente arrogancën dhe rrugaçërinë e Kryeministrit me nivelin mizerabël profesional, etik, dhe kulturor të atyre që kishin ardhur ta vinin me shpatulla për muri.
Më shumë se gjithçka tjetër rropullitë e barkut t’i përzjente fakti që ja ku ishin, pesë gazetarë - analistë, kryeredaktorë, figura të shquara me Kryeministrin përballë, me rastin më të mirë për ta mbërthyer objektin e sulmeve të tyre, me mundësinë e pastër për ta vënë atë me shpatulla pas muri dhe rezultati ishte një vrimë në ujë. Asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje të parashtronte dhe të mbështeste një argument për të qënë.
Gjysmë ora e parë e diskutimit u hodh në plehëra me debatin idiot për blindimin e xhamave të makinës. A thua se të qënit apo të mos qënit e blinduar makina kishte ndonjë farë rëndësie. Pastaj u kalua në temën edhe më idiote – pse kishte dalë Rama në fotografi me një person i cili më pas është dënuar, një tjetër argument që nuk i prishte asnjë punë Kryeministrit. Pastaj...
Pastaj unë e ktheva TV në gjëra më interesante dhe më pak acaruese dhe do ta kisha harruar fare shijen e asaj gjelle të pështirë sikur të mos më ishte çfaqur përsëri tani në fundjavë, kësaj rradhe nga kjo anë e oqeanit, si për të vërtetuar edhe një herë që edhe ne që jetojmë përtej kufijve shqiptarë jemi, nuk kemi ndryshuar.
Në të katër anët po qarkullon një letër që një vajzë shqiptare që kryen punë kërkimore në Universitetin e Otavës i ka shkruar Kryeministrit të Kanadasë Trudo ku i shpreh indinjatën për takimin që ky ka pasur me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe për faktin që e ka quajtur atë mik. Kjo është njëlloj si të fillosh t’i diskutosh Ramës blindimin e makinës. 
Kanadaja ka vënë kandidaturën për në Këshillin e Sigurimit. Është në praktikën e të gjithë shteteve që kandidojnë për forume të ndryshme të OKBsë që të bëjnë fushatë për të mbledhur sa më shumë vota. Në këtë kuadër diplomatët dhe drejtuesit e shteteve kandiduese takojnë diplomatë dhe drejtues të shteteve të tjerë që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është praktikë mëse normale dhe rëndom shfrytezohen forume ndërkombëtare ose samite, siç ishte Konferenca e Munihut për Sigurinë,  në të cilat mblidhen disa kryetarë shtetesh dhe mund të realizohen disa takime brenda një kohe të shkurtër. Thjesht kërkohet vota dhe, ndoshta, si shkëmbim premtohet një favor i të njëjtit standard. Në këtë kuadër Trudeau takoi edhe Presidentin e Iranit, megjithë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve dhe megjithë reaksionin që mund të ketë brenda Kanadasë për këtë. Takimi i Trudosë me Ramën ka qënë brenda kësaj logjike dhe mua nuk më duket se mund të nxjerrim konkluzione nga ky takim - as që Rama është i larë sepse ka takuar Trudonë, as që Trudoja është i ndohtur se ka takuar Ramën.
Në anglisht ka një shprehje: “What doesn’t kill, makes you stronger,” që pak a shumë përkthehet Po s’të vrau, të forcon. Kuptimi i kësaj shprehje është edhe që sulmet e dobëta, të paargumentuara, lehjet dhe sharjet e pambështetura në fakte, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i rrisin imunitetin dhe ndoshta edhe prestigjin atij që sulmohet. Një nga arsyet e forcimit të pozitave të Ramës është paefektshmëria e opozitës dhe atyre që e kundërshtojnë. Rama nuk mund të detyrohet të ikë duke i vënë përpara fakte të paqëna ose argumenta pa vlerë. Rama mund të detyrohet të ikë vetëm me arsyetim bindës, me fakte të pakundërshtueshme, me logjikë dhe pa emocione boshe. Jo rastësisht, deri më sot fushata më e efektshme kundër tij ka qënë mbrojtja e Teatrit Kombëtar.