Friday, August 28, 2020

Fakte Alternative dhe e Djathta Alternative

Fakte alternative (përkthimi shqip: të vërteta ndryshe) është një shprehje që tashmë ka hyrë në fjalorin e përditshëm politik në Shtetet e Bashkuara. Ajo është përdorur për herë të parë në 22 Janar 2017 nga Këshilltarja e Presidentit Amerikan Kellyanne Conway gjatë një interviste për emisionin “Takim me Shtypin” (Meet the Press) të rrjetit televiziv NBC. Gjatë intervistës, gazetari i njohur Chuck Todd i kërkoi Conway-t të shpjegonte se si mund t’i lejohej Sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer të gënjente haptazi në takimin me gazetarët për gjëra që ishin lehtë të verifikueshme. Një Sekretar Shtypi nuk mund të dalë kundër fakteve. Conway u përgjegj duke thënë që Spenseri nuk kishte gënjyer. Thjesht kishte dhënë ‘fakte alternative’. Chuck Todd e kundërshtoi aty për aty: ‘Dëgjo, faktet alternative nuk janë fakte. Ato janë thjesht gënjeshtra.” Conway nuk u përgjigj.

Përdorimi i shprehjes “fakte alternative” për të mbuluar gënjeshtra që mund të kundërshtohen fare lehtë me fakte u prit me humor nga media në Shtetet e Bashkuara. Gazetarë prestigjozë si Dan Rather dhe Jill Abramson e cilësuan shprehjen tipike orwelliane, duke e lidhur veçanërisht me termin ‘doublethink’ (dymendim). Me interes është fakti që pas këtij cilësimi, shitja e “1984” të Orwellit u rrit 95 herë brenda katër ditëve, duke e ngjitur atë në krye të listës së librave më të blerë në Amazon.com.

Më pas Conway u përpoq ta përkufizonte ‘fakte alternative’ si ‘fakte shtesë dhe informacion alternativ.’

E Djathta Alternative, Alternative Right ose shkurt Alt-Right është një lëvizje jo shumë e përqëndruar e të djathtës ekstreme të nacionalistëve të bardhë amerikanë. Në grupet që e quajnë veten pjesë të alt-right hyjnë nacionalistët e bardhë, supremacistët e bardhë, separatistët e bardhë, populistët e djathtë, racistët, anti-komunistët, anti-zionistët, anti-imigrantët, mohuesit e holokaustit, ksenofobët, anti-semitët, anti-feministët, homofobët dhe islamofobët. Lëvizja është kryesisht dukuri interneti që e ka origjinën në fillim të viteve 2010 në SHBA por që është përhapur edhe në vende të tjerë të botës.

Termi Alt-Right është përdorur për herë të parë nga i vetëquajturi filosof paleokonservativ Paul Gottfried në 2008 në fjalimin e titulluar “Rënia dhe ngritja e të Djathtës Alternative”. Shprehja u përvetësua shpejt nga Richard Spencer, President i Institutit të Politikës Kombëtare dhe themelues i lëvizjes E Djathta Alternative. Spencer, Neo-Nazisti më i njohur amerikan e pa termin më se të përshtatshëm për të maskuar fytyrën e vërtetë të organizatës që ai drejton dhe për ta bërë më tërheqëse për të rekrutuar anëtarë të rinj.

Ndër të tjera Richard Spenser kërkon kthimin e Bashkimit Europian në një perandori të bardhë raciste dhe krijimin e një shteti etnikisht të bardhë në Amerikën e Veriut. Atij i është ndaluar hyrja në shumë vende të Europës. Spencer njihet edhe për mbështetjen ndaj dhunës kundër gjithkujt që s’është i bardhë. Ai ka dalë haptaz në mbrojtje të skllavërimit të haitianëve nga të bardhët, pastrimit etnik të minoriteteve raciale nga Shtetet e Bashkuara, si edhe pastrimin etnik të turqve nga Anadoll.

Një ndër burimet informative të lëvizjes Alt-Right është portali Beritbart News. Richard Spenser e ka quajtur Breitbart ‘porta e madhe drejt ideve dhe shkrimtarëve të Alt-Right’. Breitbart është krijesë e konservatorit Andrew Breitbart në vitin 2005, që pas vdekjes së tij në 2012 ra në duart e Steve Banon i cili i dha një drejtim më agresiv nga e djathta ekstreme. Vetë Bannon e ka quajtur Breitbart ‘platformë për alt-right’ (2016, intervistë për Mother Jones).

Të dhënat janë marrë nga Wikipedia.

Friday, July 17, 2020

Milionerë të të gjitha vendeve, bashkohuni!


Mësohet se një numër rekord futbollistësh janë anëtarësuar në Partinë Komuniste Marksiste-Leniniste Black Lives Matter. Ekipe dhe liga të tëra në Angli, Gjermani, Shtetet e Bashkuara e më gjerë po i bashkohen ‘en-mase’ grupimit të ri politik që synon ndërrimin e rendit shoqëror botëror.
“Kur u njoha me parimet ideologjike të marksizmit që qëndrojnë në bazë të programit të Partisë BLM nuk mund t’i bëja dot ballë  tundimit për të dhënë sa më parë edhe unë ndihmesën time,’ shpjegon futbollisti francez i Manchester United Paul Pogba, që ndihet i pakënaqur me rrogën e tij mizerabël prej 313,000 dollarë amerikanë ose 274,000 euro në javë. “Përse të mos paguhemi të gjithë futbollistët njëlloj?’, pyet ai i revoltuar duke pasur parasysh rrogat maramendëse të lojtarëve të tjerë në ligat e Ballkanit perëndimor.
Futbollisti polak i Bajernit të Munihut Robert Lewandowski i cili fiton vetëm 15 milion dollarë në vit dhe llogaritet të ketë grumbulluar jo më shumë se 45 milion dollarë gjatë gjithë jetës së tij duke u rropatur fushave të futbollit shpjegon se është nisur nga motive të tjera për t’iu bashkuar revolucionit komunist marksist-leninist ndërkombëtar:
“Mua nuk më tërheq barazia,’ thotë ai. ‘Por kur mora vesh se miliarderi Xhorxh Soros po dhuronte 250 milion dollarë nga paratë e tij për t’ia shpërndarë në mënyrë të barabartë 26 milion pjesmarrësve të partisë në të gjithë botën nuk mund të mos pranoja të anëtarësohesha. Unë jam gati të heq dorë nga të gjitha që kam fituar deri më sot në mënyrë që të marr pjesën që më takon nga pasuria që po shpërndan Sorosi.”
“Për mua është thjesht problem politik,” sqaron futbollisti i Liverpulit Mohamed Sala, “Përderisa marksizmi është e vetmja mënyrë për të rrëzuar Presidentin Trump, unë do ta përqafoj atë sikur ta di që i humb të gjitha, duke përfshirë edhe titullin Kampion që sapo fituam.”
Analisto-Akademiku Tërmet Syçi nga Universiteti i Xhyrës në Shqipëri shpjegon se ideologjia marksiste është bërë çuditërisht shumë tërheqëse dhe ka infektuar një numër të madh futbollistësh dhe sportistësh të fushave të tjera, si edhe shumë njerëz të tjerë të famshëm në të gjithë botën, por veçanërisht në në SHBA. Basketbollisti Lebron Xheims që mezi mban shpirtin gjallë me ato 37 milion dollarë të qelbura që fiton në vit, çifti Alex Rodriguez dhe Jennifer Lopez, Beyonce dhe Madonna, Drake, Taylor Swift, Joaquin Phoenix, Michael Jordan, Leonardo DiCaprio, Lady Gaga dhe shumë të tjerë po bëhen gati të grisin llogaritë bankare dhe t’iu përvishen kodrave dhe maleve për t’i bërë ato pjellore si edhe fushat.
“Janë çmendur të gjithë,” thotë Syçi duke vënë duart në kokë. “As unë s’di ta shpjegoj se si janë infektuar nga ajo ideologji e rrezikshme. Unë e kuptoj që qëllimi është që të rrëzohet Presidenti Trump dhe që e vetmja mënyrë për ta rrëzuar një president në Amerikë ka qënë dhe mbetet padyshim revolucioni proletar marksist-leninist. Por nuk e prisja kurrë që gjithë Partia Demokrate amerikane të bëhej kaq e majtë - gjithë ata kongresmenë e senatorë kapitalistë që janë kthyer në marksistë vetëm për një qëllim të caktuar. Tradhëtarë, tradhëtarë të fëlliqur të idealit kapitalist. Ndoshta ajo parti duhet nxjerrë jashtë ligjit.’
I pyetur nëse mendon se ka lidhje midis përhapjes së marksizmit dhe epidemisë së Covid-19 akademiko-analisti shqiptar të përplas një vështrim sarkastik ngultazi, psherëtin i dëshpëruar nga niveli i ulët intelektual i pyetjes, dhe parapëlqen t’i bjerë shkurt :
‘Kjo është thjesht ana tjetër e të njëjtës medalje. Covid-19, martesat e gejve, vaksinat, toka e rrumbullakët, çmimet Oscar, skllavëria e Lufta Civile Amerikane, monumentet që rrëzohen, tërmetet artificiale, maskat e detyruara, emrat e gjinisë asnjëanëse, janë të gjitha pjesë e të njëjtit plan djallëzor.’

Thursday, July 16, 2020

Të gjithë vandalët një fytyrë kanë


Çfarë ndryshimi ka kthimi që po i bën Erdogani Shën Sofisë në xhami nga kthimi që iu bëri Enver Hoxha kishave, katedraleve, xhamive në vatra kulture e pallate sporti? Nuk ka shumë ndryshim. Të dyja janë vandalizma kundër një trashëgimie të caktuar, krime kulturore. Çfarë ndryshimi kanë këto të dyja nga kthimi që i bëri Ferdinandi III i Spanjës xhamisë së famshme të kalifit Abu Yaqub Jusufi në Katedralen e Seviles që njohim ne sot? Pikë ndryshimi.
Lista është pa fund nga të gjitha anët: të krishterë që prishin faltore dhe monumente të të tjerëve përpara tyre dhe muslimanë që prishin kisha, faltore të të tjerëve, diktatore që prishin ose shndërrojnë rrënjët ideologjike të paraardhësve për t’i përdorur ato për nevojat a tyre ideologjike. Të krishterë që kthejnë xhamitë në kisha dhe muslimanë që kthejnë kishat në xhami.
Vetëm në Romë numërohen me dhjetra objekte të qytetërimit të lashtë romak që janë përvetësuar dhe përshtatur për t’i shërbyer krishterimit. Ndër to Curia Iulia, Selia e Senatit Romak u kthye në kishë të krishterë në shekullin e shtatë; Bazilika e Shën Pjetrit që është edhe sot e kësaj dite katedralja e Vatikanit ngrihet mbi një nekropol romak; Panteoni i famshëm ka shërbyer për një kohë të gjatë si Santa Maria Rotonda, Banjat e Dioklecianit u kthyen në Santa Maria degli Angeli e dei Martiri dhe San Bernardo alle Terme; ndërsa Koliseumin e shohim sot çerek të rrënuar vetëm se të krishterët i hiqnin gurët për t’i përdorur si materjal ndërtimi në kishat e ndryshme të Romës.  Shnderrimi i tempujve, faltoreve dhe objekteve të tjera në kisha e katedrale shtrihet në të gjithë botën dhe përfshin shkatërrime pafund. Katedralja Metropolitane e qytetit të Meksikos ngrihet mbi një tempull Aztek, ndërsa kisha Nuestra Senora de los Remedios është ndërtuar mbi Piramidën e Madhe të Cholulas.  
Me të ardhur në pushtet, muslimanë e të krishterë kanë përveshur mëngët për të shkatërruar apo përshtatur për nevojat e veta atë që kishin ndërtuar të tjerët para tyre. Muhameti kthehu Mekën dhe gurin e saj të famshëm nga një vend adhurimi dhe peligrinazhi për besimtarët politeistë në qendër turistike të besimit të tij, ndërsa pasuesit e islamit kanë kthyer me qindar kisha, tempuj Hindu, Xhaine dhe Budiste në xhami. Shën Sofia është një dhe më e njohura midis dhjetra e dhjetra kishave të kthyera në xhami brenda territorit të Turqisë, pa përmendur të tjerat kudo ku sundonte perandoria Otomane.
Përse çuditemi me Erdoganin?! Ai s’është gjë tjetër veçse një vandal në rradhën e gjatë të vandalëve që përpara tij. Të gjithë janë të bindur se miku i tyre imagjinar është më i mirë se i të tjerëve, ose më saktë është i vetmi që duhet adhuruar, prandaj askujt nuk i dridhen duart kur prish apo përshtat.   

Saturday, July 11, 2020

Kapini se na vodhën Akilin!


Një intervistë e botuar në Koha Jonë mban titullin përshkrues “Akademiku Apollon Baçe: Akili, Pirro dhe Aleksandri i Madh janë paraardhës të shqiptarëve. Grekët na vodhën historinë.” Titulli është gati po aq i gjatë sa krejt intervista, të cilën ndoshta s’ka nevojë fare ta lexosh, pasi s’thotë asgjë më tepër. Por nuk është ky problemi. Problemi është që një akademik merret me përralla, me fantazi, me letërsi artistike dhe lëshon përcaktime amatoreske, duke hapur thesin dhe duke ftuar gjithfarëlloj entuziastësh nacionalistë që të hiqen si akademikë. Niveli i diskutimit nuk ndryshon shumë.
Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe që një akademik të merret me letërsinë artistike, me përralla dhe me legjenda. Edhe këto janë fusha studimi të specializuar. Por kur akademiku përpiqet t’i kalojë përrallat si të vërteta historike ndryshon puna. Në këtë rast lind pyetja: A ka fakte shkencore Akademiku Apollon Baçe për ta mbështetur teorinë e tij që Akili është shqiptar dhe grekët na e kanë grabitur, apo ia fut qesim? Nëse do të kishte të dhëna shkencore atëherë nuk do të ishte keq që, si akademik, t’i paraqiste ato. Do të përbënin me të vërtetë një nga zbulimet më të rëndësishme të historike të kohës. Nëse s’ka të dhëna shkencore, faktike, atëherë mund të dalim në përfundimin se flet dhe shkruan qesim.

Shkollimi i Akilit - Eugene Delacroix, 1862
Akili është personazh i një legjende, i një përralle të lashtë popullore të krijuar të paktën tremijë vjet më parë. Eshtë personazh imagjinar, i lindur nga Nereida Thetis dhe Mbreti Peleus i Myrmidonëve. A e di vallë Akademiku Apollon Baçe se çfarë janë Nereidat? Janë krijesa imagjinare, gjysmë perëndi, si Zanat e maleve, por më saktë, Zana të detit. Janë disa motra gjysmëperëndi që shoqërojnë Perëndinë e Detit Poseidon. Kjo është nëna e Akilit, që Akademiku Apollon Baçe pretendon që është shqiptar dhe jo grek. Nuk di ç’mendim ka Akademiku Apollon Baçe për nënshtetësinë a mësuesit të Akilit, Centaurit Chiron.  A është Centauri Chiron shqiptar, apo grek? 
Thetis duke zhytur Akilin ne ujrat e Shkumbinit?!

Kushdo që ka të paktën disa njohuri bazë amatore për mitologjinë greke, ose që merr mundimin të shfletojë ndonjë libër apo të hapë ndonjë faqe Interneti mund të mësojë se, duke dashur ta bëjë Akilin të pavdekshëm, Thetis e zhyti atë në ujrat e lumit Styx duke e mbajtur prej thembrës, e vetmja pjesë e trupit që nuk iu lag dhe i mbeti e vdekshme. Shqiptarit, jo grekut Akil, sipas Akademikut Apollon.
Personazhi imagjinar i Akilit lidhet me luftën e Trojës që datohet diku në shekullin e 12-13 para erës sonë, një periudhë në të cilën një Akademik që fut hundët në histori duhet ta dijë mirë që nuk ekzistonin as grekë dhe as shqiptarë. Ekziston një koncept i papërcaktuar qartë për qytetërimin e lashtë grek, koncept i krijuar në kohët modern nga studiues modernë. Përveç lidhjes gjeografike dhe emocionale ai ka shumë pak të përbashkët me kombin e sotëm grek apo me kombin e sotëm shqiptar. Më tepër është ideja e një kulture me pika të përbashkëta, siç mund të kemi sot idenë e kulturës perëndimore, apo kulturës arabe, etj. në të cilën përfshiheshin një mori popullsish, administrimesh politike dhe organizimesh shoqërore që ndryshonin vazhdimisht formë dhe përmbajtje. Koncepti i kombeve grekë dhe shqiptarë ka lindur shumë më vonë se mitologjia greke, madje shumë më vonë edhe se Aleksandri i Madh apo Pirroja i Epirit.
Akuzat e tipit “ata na vodhën neve’ janë thjesht emocionale e nuk kanë asnjë të vërtetë shkencore. Ato i shkojnë më tepër për shtat propagandistëve nacionalistë dhe organizatorëve të turmave të tifozëve nëpër stadium se sa studiuesve seriozë që e quajnë vete akademikë. Mirëpo këtu qëndron edhe një nga problemet që kemi ne – te paaftësia për të bërë dallimin midis specialistit dhe amatorit. Akademikët bijen në nivelin e amatorëve dhe amatorët ulërijnë sikur janë të gjithë akademikë. Përfundimi është që asnjeri nuk na merr serizisht për ato që themi dhe ne vazhdojmë t’iu bijem ca avazeve boshe që i bëjnë të huajt të buzëqeshin me ëndje, me dashamirësi, por me asgjë më tepër.

Friday, June 12, 2020

Të gjykosh me moralin e kohës


Lufta Civile Amerikane (1861-1865) është ndër të paktat konflikte madhore ku dallimi midis të mirës dhe të keqes, midis të moralshmes dhe të pamoralshmes është i qartë. Në mesin e shekullit të 19të, diçka më shumë se 70 vjet pas krijimit Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetën veten të ndarë më dysh në qëndrimin ndaj skllavërisë. Ndërsa shtetet në veri e kishin ndaluar me ligj dhe e dënonin praktikën e mbajtjes së skllevërve, në një pjesë të madhe të jugut ajo ishte ende normë.
Qëndrimi i ndryshëm ndaj skllavërisë nuk kishte të bënte vetëm me të qënit mendjehapur apo mendjembyllur, liberal apo konservator. Ai ishte i lidhur edhe me interesa ekonomike. Një pjesë e shteteve të jugut e kishin ngritur ekonominë e tyre mbi plantacionet e mëdha të pambukut, prodhimi dhe mbledhja e të cilit bazohej te puna e papaguar e skllevërve. Skllevërit shiheshin jo si njerëz që mund të kishin apo mund të mos kishin të drejta, por thjesht si mall, si komoditet, si mjet prodhimi pa shpenzime. Ata trajtoheshin, ose më saktë, keqtrajtoheshin si qenie të dorës së dytë.
Në shtetet e veriut ekonomia bazohej mbi faktorë të tjerë që kërkonin modernizimin, përqafimin e revolucionit industrial, mbështetjen te përparimi teknik e shkencor. Në planin ekonomik në Veri skllavëria ishte e panevojshme, madje edhe e dëmshme. Në planin moral, njerëzor ajo ishte e papranueshme.
Qëndrimi ndaj skllavërisë ishte tema qendrore e zgjedhjeve presidenciale të vitit 1860. Partia Republikane e drejtuar nga Abraham Linkoln premtonte nxjerrjen jashtë ligji të skllavërisë në të gjithë territoret e Shteteve të Bashkuara, ndërsa politikanë nga shtatë shtete të jugut ngulnin këmbë se kjo shkelte të drejtat e tyre kushtetuese. Përfaqësuesit e shteteve të jugut kërcënuan se po të fitonte Partia Republikane do të shkëputeshin nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër tre parti kryesore të quajtura unioniste mbronin idenë që askush nuk kishte të drejtë të shkëputej. Ato ishin Partia Republikane, Partia Demokrate dhe Partia e Unionistëve Kushtetues. Kandidatët e të tre këtyre partive fituan 82 përqind të votave dhe, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara president u zgjodh një Republikan, Abraham Lincoln.
Pra, kur flitet për ata që mbështesnin skllavërinë përpara dhe gjatë Luftës Civile Amerikane nuk bëhet fjalë për njerëz që mund të ishin përparimtarë në mendime por që rrethanat e kohës i detyronin të pranonin skllavërinë. Flitet për njerëz regresivë edhe për moralin e kohës, që dilnin kundër mendimit të 82 përqind të votuesve të Shteteve të Bashkuara të cilët kërkonin nxjerrjen jashtë ligji të kësaj praktike çnjerëzore.  Jo vetëm kaq, por ata u treguan të gatshëm të luftonin me armë në dorë për të shkatërruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm e vetëm që të mbronin të drejtën për të skllavëruar të tjerët. Në krye të ushtrisë së këtyre njerëzve ishte Gjenerali Robert E. Lee.
Duke parë përfundimin e zgjedhjeve dhe pashmangshmërinë e ndalimit me ligj të skllavërisë shtetet e jugut vendosën të shkëputen nga Shtetet e Bashkuara dhe të shpallin atë që ata e quajtën Konfederatë. Duhet thënë se edhe në këto shtete një pjesë e mirë e popullsisë, diçka më pak se 50 përqind, kishin votuar për kandidatët Unionistë.
Lufta civile e Shteteve të Bashkuara filloi në 12 Prill 1861 kur forcat e Konfederatës sulmuan Fort Sumter. Ajo zgjati deri në 1865 duke iu marrë jetën afro 750 mijë ushtarëve dhe ndoshta një numri shumë më të madh civilësh.
Lufta përfundoi me fitoren e forcave të bashkimit (Unionit) dhe me krijimin e asaj Amerike qe njohim sot. Ajo i dha fund një herë e përgjithmonë skllavërisë. Sipas Censusit të vitit 1860 në shtetet e Jugut të Amerikës kishte  3,953,762 skllevër. Afro katër millionë njerëz fituan lirinë.
Në krye të forcave të shteteve të jugut që luftonin për ruajtjen e skllavërisë ishte Gjenerali Robert E. Lee. Ai u mposht nga forcat e Unionit në betejën e famshme të Getysburgut. Në mbarim të luftës, si edhe shumë pjesmarrësve të tjerë në luftën Gjeneralit Lee iu ofrua amnisti, me kusht që ai të bënte kërkesë me shkrim. Lee pranoi dhe bëri kërkesë për falje. Mbas luftës ai ndërroi edhe qëndrim në lidhje me skllavërinë duke mbështeti idenë që skllevërit e liruar të shkolloheshin. Megjithatë, deri në fund të jetës së tij ai kundërshtoi barazinë midis racave dhe mbrojti idenë që njerëzit me ngjyrë në Amerikë nuk duhet të kishin të drejtën të votonin.
Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrimi ndaj figurës së Robert E. Lee shkon pak a shumë paralel me qëndrimin ndaj idesë së Konfederatës. Veçanërisht në shtetet e Jugut në SHBA gjenden ende nostalgjikë që vazhdojnë të valvitin krenarë flamurin e Konfederatës, pavarësisht se kjo bije diametralisht kundër idesë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por më tepër se sa dëshira për t’u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara këto grupime të supremacistëve të bardhë i bashkon racizmi, egërsia ndaj njerëzve me ngjyrë, ndaj latinove, ndaj emigrantëve, ndaj hebrejve, ndaj muslimanëve, ndaj kujtdo që ata e shohin si të ndryshëm. Mbrojtja e simboleve të Konfederatës në Shtetet e Bashkuara sot përkthehet thjesht në luftë për të mbrojtur supremacinë e bardhë.
Megjithëse në të gjallë të tij vetë Lee e kundërshtonte ndërtimin e përkujtimoreve për kryengritjen e konfederatës me arsyetimin se ato s’do të bënin gjë tjetër veçse do të mbanin plagët e hapura, supremacistët e majtë u kujdesën që statuja të tij të lartësoheshin në shumë qytete të Jugut. Pas vdekjes Lee u kthye në ikonë për të gjithë mbështetësit e të ashtuquajturës ‘çështje e humbur’, të cilët synonin të krijonin një imazh romantik për Konfederatën dhe të mbanin sa më të fortë supremacinë e bardhë në Jug. Monumentet e tij filluan të mbinin në qytete të ndryshme të Jugut. Më e njohura prej tyre ishte monumenti që iu ngrit në New Orleans në 1884 (18 metra e lartë). Ajo statujë u zhvendos në vitin 2017.
Një tjetër monument i Gjeneralit Lee ngrihet në qendër të Charlottesville, Virginia. Në vitin 2017 banorët e Virginias kërkuan që monumenti të hiqej me arsyetimin që Rober E. Lee nuk kishte pasur kurrë ndonjë veprimtari në Charlottesville dhe nuk kishte asnjë lidhje me qytetin, kuptohet, veç simbolikës që kishte qënë një gjeneral i Konfederatës dhe kishte drejtuar luftën për ruajtjen e skllavërisë dhe shkëputjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propozimi u hodh në votë dhe Bashkia, me shumicë votash (3 me 2) vendosën ta heqin. Monumenti nuk është hequr ende sot e kësaj dite, as pasi guvernatori i shtetit mori vendim të dëgjojë zërin e protestuesve të lëvizjes “S’marr dot frymë“ që shpërtheu pas vrasjes së George Lloyd.
Robert E. Lee nuk ishte nuk është aspak një figurë përparimtare e kohës së vet i cili për rrethanat përtej vullnetit të tij ose për shkak se ashtu ishin normat e kohës nuk dilte dot kundër skllavërisë. Robert E. Lee drejtonte trupat ushtarake të Konfederatës së Shteteve të Jugut të cilët për të mbrojtur skllavërinë kërkonin të prishnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Robert E. Lee ishte ushtaraku që luftoi me armë për të kundërshtuar zgjedhjen e Presidentit Linkoln. Robert E. Lee mbronte trajtimin si skllevër të 4 milion njerëzve në një kohë kur 82 përqind e popullit amerikan kishte votuar për lirimin e tyre. Edhe me standartet e kohes kur ka jetuar ai është i pajustifikueshëm.  
Robert E. Lee dhe Abraham Lincoln ishin në dy anë të kundërta të një lufte civile dhe përfaqësonin dy morale krejtësisht të papajtueshme. Barazimi që i u bëhet sot atyre qoftë nga vandalët injorantë që përpiqen të shkatërrojnë gjithçka, qoftë nga mbrojtësit e supremacistëve të bardhë është thjesht i pakuptimtë.

Leopoldistët shqiptarë dhe fundi i botës


Qënkan indinjuar tej mase supremacistët e racës së pastër ariano-shqiptare ngaqë lëvizja e njerëzve me ngjyrë e gërshetuar me liberalizmin po iu rrezikon qytetërimin dhe po iu hedh poshtë simbolet e përparimit. Fundi qytetërimit duket qartë në rrëzimin e përmendores së Mbretit Leopold II të Belgjikës në Antverp, të statujës së një skllavëpronari anglez në Londër, dhe të monumentit të Gjeneralit Robert E. Lee në Charlottesville të Virgjinias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po t’iu shtosh këtyre edhe denigrimin e figurës së dashur të Kristofor Kolombit dhe heqjen nga katalogu i rrjetit HBO i filmit “Bashkë me Erën”, del qartë që botës po i vjen fundi dhe komunistët liberalë së shpejti do t’i vërsulen edhe figurave bazë të historisë pellazge – Jul Qezarit, Napoleonit, Churchillit, dhe ndoshta gjithë filmave të Chuck Norris-it, duke i lënë pa trashëgimi sqimatarët shqiptarë të kulturës botërore.
Nuk di nëse këta të kulturuarit kanë marrë ndonjëherë mundimin të pyesin se si është e mundur që sot, në vitin 2020 të ketë ende të ngritur në ndonjë vend të botës, duke përfshirë edhe Antverpin e Belgjikës, një përmendore në kujtim të njërit prej kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi. Mbreti Leopold II nuk është thjesht pushtues racist – ai është arkitekti i një prej masakrave gjenocidale më të pashembullta që ka njohur njerëzimi. Vrasjet, torturat e tmerrshme, keqtrajtimet, shkatërrimet masive, skllavërimi, sakatimet, mendohet të kenë shkaktuar rreth 15 milion viktima në Kongo, duke e ngritur Leopoldin e Belgjikës në rangun e Maos, Stalinit, Hitlerit dhe të kriminelëve më të mëdhenjë që ka njohur bota. Dhe të gjitha këto vrasje Mbreti Leopold i bënte pa dijeninë e popullit dhe parlamentit belg, duke u fshehur pas një makinerie të sofistikuar propagandistike. Lexoni “Zemrën e Errësirës” të Josef Konrad. Lexoni “Monologu i Mbretit Leopold” të Mark Tuenit, po qe se përtoni të lexoni histori të mirëfilltë për të marrë vesh se çfarë përbindëshi ka qënë Mbreti Leopold II i Belgjikës dhe sa skandaloze është të mbash një përmendore të tij në qendër të Europës. Pastaj sigurohuni nëse vërtet doni t’i dilni në mbrojtje monumentit të tij në Antverp.
A ja vlen të shkruash për argumentuar se përse nuk asnjë arsye që të nderohet dhe të respektohet një tregëtar skllevërish? A duhet të harxhosh kohë për të mbrojtur idenë që ata njerëzve që e kanë vënë pasurinë duke transportuar në kushte nga më çnjerëzoret skllevër nga Afrika në Amerikë nuk meritojnë të kenë monumente askund? Monumentet e tyre janë ngritur në sajë të parave që kanë fituar dhe janë vërtet simbole turpi për ata që i kanë ngritur, siç ishin simbole turpi për ata që i ngrinin monumente Leninit, Stalinit dhe enverit në mes të Tiranës dhe të qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Të indinjohesh se një tregëtari skllevërish në Londër i hiqet monumenti nuk është thjesht hipokrizi, nuk është thjesht shprehje e papërgjegjshme shqetësimi për vlera që nuk ekzistojnë. Është mungesë e plotë respekti për gjithë ato jetë njerëzish të shpërdoruara në mënyrën më të ulët. Është edhe racizëm.
Racizëm është edhe të derdhësh lotë krokodili për gjeneralin Robert E. Lee duke e ditur ose duke mos e ditur se kush ishte ai. Lee ishte ushtaraku kryesor i forcave të Konfederatës në Luftën Civile Amerikane. Kushdo që nuk e ka idenë se për çfarë u luftua në Luftën Civile Amerikane, çfarë përfaqësonte Konfederata dhe çfarë përfaqësonte Unioni, do t’i këshilloja t’i referohej çdo libri historie të SHBA dhe të përpiqej të informohej që flamurin e Konfederatës e valëvisin sot grupimet e supremacistëve të bardhë në SHBA. Konfederata nuk ishte Amerika në formën më të mirë të saj. Konfederata nuk ishte as Amerika në çfarëdolloj forme. Konfederata ishte ajo që luftoi për shkatërrimin e Unionit që sot quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo që shkaktoi luftën civile për të ruajtur skllavërinë.
Për krimet e Kolombit unë kam shkruar pak më gjatë. Kush është i interesuar mund të klikojë këtu: http://arbenkallamata.blogspot.com/2016/10/dita-e-kolombit-perse.html
Oh, mbeti edhe akti i heqjes nga nga katalogu i HBO i filmit “Bashkë me Erën”. Pse i shqetëson kjo mini-racistat shqiptarë? Shumë rrjete ndërprenë para ca kohe edhe “Shtëpinë e Letrave” (House of Cards) për të mos shqetësuar shikuesit me fytyrën e pervertit Kevin Spacey (megjithëse nga kanalet shqiptare seriali jepet rregullisht). Në fund të fundit, ky është një vendim i një rrjeti televiziv, i cili vë në hesap ndjenjat e shikuesve dhe llogarit si do të jetë më mirë për të. HBO mendon që ata që nuk duan ta shohin atë film janë shumë më të tepërt në numër se ata që duan ta shohin. Racistëve shqiptarë s’besoj se ka për t’ua ndaluar njeri. Ndryshe nga kanalet televizive shqiptare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në përgjithësi në vendet demokratike kapitaliste ata që drejtojnë stacionet televizive e vrasin pak rradaken për ndjenjat e shikuesve.

Thursday, May 7, 2020

Heroi i Kujt…


…ka lindur më 6 Maj?

Arben Kallamata
A kemi nevojë që vorbullës së gënjeshtrave që na vërtiten dita ditës t’i shtojmë edhe ditëlindjen e Skënderbeut? A ia vlen që shprehjes së përditshme të padijes dhe krenarisë për të qënin të paditur t’i shtojmë edhe një dëshmi tjetër? A nxjerrim ndonjë dobi duke i shtuar fakteve të shumta për mungesën e kulturës dhe etikës, për mosnjohjen e parimeve më të thjeshta morale të të drejtës dhe të vërtetës, edhe një mashtrim tjetër? A nuk mjafton që shtiremi sikur jemi, pa qënë aspak ekspertë në politikë, filosofi, letërsi, art, sport, mjekësi, ingjineri, sociologji, gazetari, gjuhësi, sizmologji, por duam të dalim edhe si specialistë në fushën e historisë duke shpikur apo përhapur gënjeshtra për data që nuk i ka përcaktuar dot asnjë shkencëtar deri më sot? Apo ndoshta imazhi që i kemi krijuar vetes si patriotë, nacionalistë, atdhetarë, shqiptaromëdhej nuk ndihet shumë i sigurt pa i ngjeshur edhe disa mballoma rrenash që as vetë nuk i dijmë kush i ka sajuar?
A duhet të zgjedhim cili është heroi komnbëtar?
Dita e saktë e lindjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut nuk është gjetur ende. Të paktën deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë dokument që ta vërtetojë atë. Përcaktimi i 6 Majit është një veprim arbitrar, propagandistik, keqdashës dhe i dëmshëm që shfrytëzon injorancën tonë për të zënë rrënjë. Ai është edhe një veprim i ulët, tinzar, krejtësisht anti-shqiptar.
Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes. Ky është fakt, është një e vërtetë. Të vërtetat nuk hidhen poshtë me gënjeshtra. Ato hidhen poshtë me fakte. E vërteta që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes nuk mund të hidhet poshtë duke shpikur ditë lindje sipas dëshirave dhe interesave të grupimeve të caktuar dhe duke ftuar sa më shumë vetë që ta pranojnë gënjeshtrën. Të vërtetën që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes mund ta hedhësh poshtë vetëm me një të vërtetë tjetër – duke gjetur një dokument që e vërteton atë. Përderisa nuk je në gjendje ta gjesh, atëherë më mirë hesht.
Fakti që Gjergj Kastriotit nuk i dihet dita e lindjes – madje as muaji i lindjes; madje-madje, as viti i lindjes – nuk ia ul aspak vlerat atij si Hero Kombëtar i shqiptarëve. Ai mbetet figura historike më e rëndësishme e kombit, simboli dhe frymëzimi i krijimit të tij.
As përpjekjet për t’i caktuar arbitrarisht një datë lindje atij nuk ia ulin rëndësinë figurës së Gjergj Kastriotit. Ato na ulin vlerat dhe rëndësinë ne, sepse na paraqesin si një tufë injorantësh emocionalë të papërgjegjshëm, që jemi gati të gëlltisim çdo lloj karameleje që na shërbejnë. Duke i shpërndarë këto broçkulla ne s’bëjmë gjë tjetër veçse iu japin argumente për të vërtetuar tezat e tyre anti-shqiptarëve, ose anti-Kastriotëve.
Dhe, meqë ra fjala e sa për sqarim të gjithë patriotëve të flaktë, 6 Maji është zgjedhur pikërisht për t’ua hequr shqiptarëve heroin kombëtar dhe për ta kthyer atë në një figurë të ortodoksëve sllavë të Ballkanit. 6 Maji është caktuar arbitrarisht si ditëlindja e Gjergj Kastrioti Skëndërbeut pasi është data kur Serbët, Kroatët, Maqedonët, Bullgarët – përgjithësisht sllavët ortodoksë të Ballkanit festojnë Shën Gjergjin.
Po ta shohësh me kujdes kjo është për të vënë duart në kokë. Shën Gjergji i Krishtërimit është një figurë gjysmë-imagjinare, si shumë shenjtorë të tjerë, që mendohet se ka ekzistuar diku në shekullin e dytë, të tretë, të pestë ose të gjashtë. Hapni çdo enciklopedi, kontrolloni Wikipedian në Internet (dy minuta kohë) për të parë sa pasaktësi ka për shekullin kur ka jetuar ai. Shën Gjergji nihet si ushtar romak i krishterë që mposhti kuçedrën, ose dragonin (sipas Kishës në përgjithësi). Për detajet, Kishat ndahen sipas denominacioneve. Katolikët, protestantët dhe ortodoksët grekë  ngulin këmbë që Shën Gjergji është vrarë në 23 Prill (dijnë datën, por nuk e kanë fare idenë as për vitin, as shekullin kur ka ndodhur). Ortodoksët  rusë thonë se është fikur diku në Shtator. Ndërsa sllavët e Ballkanit ia festojnë ditën e vdekjes në 6 Maj.
Dita kur ai është vrarë festohet si dita e Shën Gjergjit.
Pra, për hir të këtij Shën Gjergjit që paska vrarë kuçedrën (përrallë me bisht), që ka jetuar në shekullin e (oh, nuk dihet shekulli), por që është vrarë ose në 23 Prill, ose në 6 Maj, ose në Shtator, ne duhet t’i marrim pikërisht datën 6 Maj, atë datë kur ortodoksët sllavë të Ballkanit mendojnë se është vrarë  heroi i tyre që vrau kuçedrën dhe t’ia veshim atë si ditëlindje Gjergj Kastriotit, heroit tonë Kombëtar. Pse? Sepse kështu na serviret nga kisha ortodokse e cila kërkon ta kthejë atë nga heroin kombëtar të shqiptarëve që hodhi themelet e identitetit kombëtar shqiptar, në hero të krishterimit.
Ja këtu të çon padija e veshur me kostum patriotizmi. Prandaj përpara se ta postoni dhe ripostoni çdo 6 Maj atë përshëndetje patriotike gjithë pathos për ditëlindjen imagjinare të Gjergj Kastriotit, mendohuni pak në emër të kujt po gënjeni.