Friday, October 21, 2011

Një padrejtësi e Akademisë së Arteve dhe Shkencës së Filmit në Hollivud

Të nderuar miq,

Javën e shkuar Akademija e Arteve dhe Shkencës së Filmit në Hollivud i bëri një surprizë të pakëndëshme artdashësve në përgjithësi dhe atyre shqiptarë në veçanti duke skualifikuar kandidaturën e filmit "Falja e Gjakut" nga pjesmarrja në Çmimet e Akademise (Oscar) në kategorinë e filmave të huaj (jo-Anglisht folës). Skualifikimi u bë me argumentin se filmi i Joshua Morston nuk ishte autentik sa duhej.

Ky është nga ato rastet tipike ku ne, shqiptarët, i bijem kokës sonë me shkelm. Skualifikimi erdhi pasi Akademisë iu dërgua një letër ankese nga një shqiptar -- nga regjisori i filmit që përfitoi drejtpërdrejt nga ky vendim.

"Falja e Gjakut" është ndër filmat më tëmirë dhe edhe më të suksesshëm të prodhuar në gjuhën shqip. Me një regjisor amerikan (Joshua Morston, i cili me vetëdije i vuri vetes detyrë të ndihej sa më shqiptar që të ishte e mundur, dhe e arriti këtë), filmi ka bashkë-skenarist shqiptar (Andamion Murataj) dhe një trupë aktorësh krejtësisht shqiptarë. Tema e filmit, një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë shqiptare sot -- gjakmarrja -- është tërësisht shqiptare. Pamjet janë të gjitha të marra në vend-ngjarje -- në Shqipëri; ndërsa trupa realizuese, sipas një interviste të Morston, është shqiptare në maksimumin e mundshëm për të pasur një film dinjitoz -- për vetë kushtet dhe gjendjen e teknikës kinematografike shqiptare, disa procese të përgatitjes së filmit nuk mund të realizohen me cilësinë e duhur në Shqipëri.

Joshua Morston është regjisor i njohur amerikan, i cili ka pasur sukses të veçantë me filmin e tij të mëparshëm "Maria Full of Grace" (Maria Plot Hire). "Falja e Gjakut" është filmi i tij i dytë i suksesshëm, me të cilin cili ka fituar Çmimin Ariu i Artë për skenarin në Festivalin e Filmit në Berlin dhe është pritur në mënyrë entuziaste nga kritika edhe në festivale të tjerë, veçanërisht në atë të Torontos në Shtator të këti viti. Filmi u zgjodh nga Komisioni Shqiptar i Çmimeve të Akademisë për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar. Gjithçka shkoi ashtu siç duhet të shkonte, deri në çastin kur në skenë doli ambicja profesionale dhe vogëlsia vetjake, e shprehur në formën e një letre dërguar Akademisë së Arteve dhe Shkencës Filmike në Hollivud, në të cilën argumentohej se "Falja e Gjakut" nuk ishte sa duhet film shqiptar. Shijen më të hidhur në këtë histori ta le fakti i ulët që autor i letrës është pikërisht regjisori i filmit të renditur i dyti si pretendent për të konkuruar, "Amnistia". E papritura është që Akademija e Arteve dhe Shkencës së Filmit në Hollivud e "hëngri" letrën dhe skualifikoi "Falja e Gjakut" duke i dhënë dritën jeshile regjisorit që kishte bërë ankesën.

Në se e mendoni, ashtu si edhe unë, që filmit shqiptar "Falja e Gjakut" i është bërë padrejtësi; nëse e ndjeni që Joshua Morstonit, (i cili u "ngujua" në kuptimin e vërtetë të fjalës për një vit me një familje shqiptare në veri të Shqipërisë për t'u ndjerë si shqiptar dhe për t'i hyrë nga brenda psikikës së shqiptari), i është ngulur një thikë pas shpine nga vetë shqiptarët; nëse dëshironi që një film i shkëlqyer të paraqesë Shqipërinë mes ajkës së filmave botërorë në ndarjen e Çmimeve Oscar; nëse besoni që e drejta duhet vënë në vend, atëherë kushtojini dy-tre minuta kohë. Më poshtë unë kam përgatitur një tekst të shkurtër të cilin mund ta kopjoni (copy and paste) dhe t'ia dërgoni drejtpërdrejt Akademisë së Arteve dhe Shkencës Filmike në Hollivud në adresën ose në website-n e dhënë. Do t'iu lutesha që, nëse e shihni të arsye, ta shpërndani këtë mesazh edhe për miqtë tuaj në facebook. Së fundi, dua t'iu siguroj të gjithëve që nuk njoh personalisht asnjë nga autorët e "Falja e Gjakut" dhe këtë përpjekje e bëj thjesht sepse e ndjej se është diçka që duhet ta bëj.

Ju falemnderit

Arben Kallamata





email: contact@oscars.org

website: http://www.oscars.org/contact/general.html

Subject: Albanian Entry for Foreign Language Film Award

Dear members of the Committee,

I was surprised and deeply disappointed to learn that the first choice for the Albanian entry for Foreign Language Film Award "Forgiveness of Blood" was disqualified on the ground of lack of authenticity. "Forgiveness of Blood" meets all the eligibility criteria for this category: it is a feature-length motion picture produced in Albania with a one hundred percent Albanian dialogue track. All the acting crew are Albanian nationals who speak fluent, local Albanian. The fact that "Forgiveness of Blood" was disqualified following a letter of complaint sent to the Academy by the very person who directly profited by this decision, the director of "Amnesty", doesn't do the Academy too much honour. I sincerely hope that the Academy of Motion Picture Arts and Sciences would find a way to reverse this decision.

Regards,



Teksti shqip (jo për tu dërguar):

Tema: Kandidatura shqiptare për Cmimin e Filmave në Gjuhë të Huaj

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

U befasova dhe u zhgënjeva kur mora vesh se kandidatura e parë shqiptare për Çmimin e Filmave në Gjuhë të Huaja, "Falja e Gjakut" ishte skualifikuar me arsyetimin se i mungonte autenticiteti. "Falja e Gjakut" i plotëson të gjitha kriteret e pranimit për këtë kategori: ai është një film me metrazh të plotë i prodhuar në Shqipëri me një dialog që zhvillohet njëqindpërqind në shqip. E gjithë trupa e aktorëve janë shqiptarë që flasin një shqipe të kulluar të krahinës. Fakti që "Falja e Gjakut" u skualifikua pas një letre ankese dërguar Akademisë pikërisht nga një njeri që përfitoi drejtpërdrejt nga ky vendim, regjisori i filmit "Amnestia", nuk e nderon Akademinë. Sinqerisht shpresoj që Akademija e Arteve dhe Shkencave Filmike do ta gjej mënyrën se si ta rikthejë vendimin e saj.

Përshëndetje,

Thursday, August 18, 2011

Bisedë në Studio 7


Miti
Drejtuesi i Emisionit: Mirëmbrëma të nderuar teleshikues. Minutat e sotme të Bisedës në Studio ia kemi kushtuar një teme tepër intelektuale - Luftës kunder Mitit. Për të na folur për këtë front të ri luftarak të shqiptarëve, kemi ftuar në studion tonë tre akademikë të kësaj fushe, nismëtarë të hershëm të lëvizjes kundër Mitit, zotërinjtë Dr. Dardan Kryemadhi e Prof. Floridan Kryemadhi dhe zonjën Prof.Dr. Daniela Kryemadhi. Të nderuar akademikë mirëmbrëma dhe mirëse keni ardhur në studio.
Akademikët (njëzëri): - Mirëmbrëma dhe mirëse ju gjetëm.
Drejtuesi i Emisionit: Përpara se të fillonim, do të desha të sqaronim diçka për teleshikuesit. Ju mbani të tre të njëjtin mbiemër. A keni lidhje me njëri-tjetrin?
Dr. Dardan Kryemadhi (duke parë nga kolegët i habitur) - Kurrfarë lidhje. Familja ime, megjthese mun me u njek shtatë breza n'qitet, i ka rrënjët te katuni Kryemadh i Shkodrës.
Prof. Floridan Kryemadhi (gjithashtu i habitur) - Ndërsa familja ime vjen pri katunit Kryemodh në Tironë, kuptohet, para iqin-e-ca-vjetësh, se ne jena tironsa, denbabaden.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Unë në fakt e kam mbiemrin nga burri. Ai vjen nga Kryemadhi i Korçës.
Drejtuesi i Emisionit: Pse, ka Kryemadh në Korçë?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Ç'është e vërteta në Korçë i thonë Kokëlopa, por ne e ndërruam se s'na tingëllonte aq mirë.
Drejtuesi i Emisionit: Pra, nuk ka asnjë lidhje gjaku midis tre akademikëve kryemëdhenj që kemi sonte në studio. Atëherë, le të hyjmë në temë. Si dhe pse e filluat lëvizjen kundër Mitit?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Nuk di për të tjerët, por unë e kam marrë shtytjen nga një fotograf në Korçë. E quanin Miti Kecka. Që kur isha e vogël e kisha frikë dhe për këtë arsye kam dalë gjithmonë në fotografi duke qarë. Shumë e shëmtuar. Më vonë, kur u rritëm dhe më doli frika, vura re se ai shpesh herë bënte sikur na nxirrte në fotografi, dhe pastaj na theshte se i qe djegur filmi. Qe atëherë, i urrej Mitët.
Drejtuesi i Emisionit (i befasuar): Pra, lëvizja juaj e paska nismën te njerëz konkretë?! Nuk është kundër Miteve?
Prof. Floridan Kryemadhi: Po, pra kundër Miteve. Kundër të gjithë Miteve. Për shembull, asht nji krutan që i thonë, Mit Skënderbeu. Nuk durohet.
Dr. Dardan Kryemadhi: Mit Skënderbeu jo vetëm që nuk asht krutan, por nuk asht as shqiptar. Baba i vet, Mit Ivani, ka qen serb. Edhe e ama. Tani na del Mit Skënderbeu dhe e hek veten si shqiptar. Jo vetëm kaq, po s'le rast pa ba sherr me një të njohurin tonë të vjetër, Mit Turk Pushtuesin.
Drejtuesi i Emisionit: Po Mit Turk-Pushtuesi, nuk hyn në listën e Mitëve qe luftoni?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Mit Turk-Pushtuesi, jo vetëm që s'ka qënë burrë i keq, siç e paraqesin, por ka qënë edhe burrë i shtruar, babaxhan, tolerant, dashamirës. Për shkak të Mit Skënderbeut i ka dalë nami si sherrxhi dhe ngatërrestar. Mit Turku në fakt ka qënë tregëtar i urtë, që s'të ngatërronte as fenë, as pavarësinë. Dolën ca thashethemexhinnj nga familja e Mit Rilindasve që i hapën namin e keq. Pastaj, ne e kemi inatin me Mitët shqiptarë, jo me të huajt. Nuk jemi kombëtarista. Jemi ndërkombëtarista, qytetarë të botës, thank you very much!
Drejtuesi i Emisionit: Si iu ka shkuar puna me Mit Skënderbeun?
Prof. Floridan Kryemadhi: Jo keq, po të kesh parasysh faktin që Mit Skënderbeut i del në krah gjithë lagjia. Në fakt, në lidhje me Mit Skënderbeun na është dashur të kërkojmë ndihmë nga jashtë. Jena lidh, për shembull, me të kundërtin e Mitit, me Shmitin. Thirrëm për ndihmë Shmit Zviceranin, për t'i thyer hundët Mit Skënderbeut.
Drejtuesi i Emisionit: Dhe erdhi Mit Zvicerani për t'u zënë me Mit Skënderbeun?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Jo bre, pse pe ata që ziren me grushta të dukemi ne ty? Ne luftojmë që t'i diskretitojmë. Pastaj, Mit Skënderbeu bredh gjithë ditën me Kalë, si kapadai.
Prof. Floridan Kryemadhi: S'kishte nevojë të vinte fare Mit Zvicerani. Ai botoi një libër, që pak a shumë përkitej me tezat tona. Një nga armët kryesore që ne përdorim në luftën kundër Miteve është demaskimi i prejardhjes së tyre, e faktit që nuk janë shqiptarë. Po e nxorre jo-shqiptar, Miti çvlerësohet, sepse s'ka shqiptar që e do një mit që s'është shqiptar. Mit Skënderbeu - Serb; Mit Naim Frashëri - Turk; Mita Tereza - Maqedonase...
Drejtuesi i Emisionit: Po emri Miti rrjedh nga Dhimitri, nga Mit'hat, nga Mitika, apo nga Dhimitra?
Dr. Dardan Kryemadhi: Ç'rëndësi ka? Le të rrjedhë nga të dojë. Ne kemi borxh ta shkatërrojmë.
Drejtuesi i Emisionit: Po për Mitet e popujve të tjerë, keni ndonjë qëndrim? A duhen rrëzuar edhe ata?
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Për kë e keni fjalën?
Drejtuesi i Emisionit: Po ja, për shembull, për Mit Robinhudin, ne Angli; ose për Mit Vilhelmtelin, në Zvicër.
Pro. Dr. Daniela Kryemadhi: Atyre you thonë Myth, jo Mit. Myth, Myth. E sheh sa bukur tingëllon? Myth, Myth...
Dr. Dardan Kryemadhi: Ata janë Mite zotninj, mor ti. Mite që s'kan ekzistu ndonjiherë. Ne shqiptarët kemi Mite historikë. Jo vetëm kaq, por kemi edhe Mite që janë ende gjallë. Ata s'durohen?
Prof. Floridan Kryemadhi: Ja, për shembull, një nga këta të gjallët që s'durohet, megjithëse i huaj, është Mit Romni, ai republikani që kërkon të kandidojë për president.
Drejtuesi i Emisionit: Po me Mit Romnin, ç'patët? Do na ngatërroni edhe me Ambasadën Amerikane, tani.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Imagjino ta kesh Mitin e gjallë nëpër këmbë?
Drejtuesi i Emisionit: E keni fjalën për Mit Kadarenë?
Dr. Dardan Kryemadhi: Edhe për atë. Ose, pikërisht për atë.
Drejtuesi i Emisionit: Po pse s'durohet Mit Kadareja? Keni ndonjë gjë kundër tij si shkrimtar?
Prof. Floridan Kryemadhi: Kjo s'ka lidhje fare me muhabetin.
Dr. Dardan Kryemadhi: Unë s'para lexoj letërsi dhe s'dua t'i hyj fare diskutimit se çfarë shkrimtari është. Vetë faktin që kërkon të marrë Çmimin Nobel t'i ngre nervat.
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Edhe që e ka gruan bjonde dhe ka shtëpi ne Paris dhe në Tiranë. Ku i gjen paratë, xhanëm?!
Dr. Dardan Kryemadhi: Me siguri prej spiunimeve -- spiuno për sigurimin e shtetit, për SHISH-in, për shërbimet sekrete franceze...
Prof. Dr. Daniela Kryemadhi: Jo vetëm kaq, por ai i del në mbrojtje edhe Mitëve të tjerë.
Drejtuesi i Emisionit: Kujt, për shembull?
Dr. Dardan Kryemadhi: Kujt s'i ka dalë në mbrojtje -- Mit Skënderbeut, Mit Rilindasve, Mita Terezes, deri edhe asaj plakës, Mita Gjuhashqipes.
Drejtuesi i Emisionit: Paska edhe Mit me emër të tillë?
Prof. Floridan Kryemadhi: Ka që ç'ke me të. Eshtë një plakë grindavece që hiqet sikur është nga më të vjetrat në Europë.
Drejtuesi i Emisionit: As ajo nuk është shqiptare.
Dr. Dardan Kryemadhi: As ajo. Hidhen ca dhe mundohen ta lidhin me Mit Ilirishten, që s'e ka parë njeri në botë si ka qënë. Ca të tjerë, akoma, me Mit Pellazgishten, e ku ta di unë se çfarë. Ose me Mit Trakishten.
Prof. Floridan Kryemadhi: Mit Gjuhashqipja është thjesht një kopile, që s'i dihet as nana, as baba. Nji bastarde e turqishtes, aromanishtes, greqishtes dhe serbishtes.
Dr. Dardan Kryemodhi: Edhe e Komunistave. Ata e krijuen, tuj injoru gegnishten.
Dr. Prof. Daniela Kryemadhi: Ashtu është. Po ne s'do lemë Mit në këmbë. Do ta s'pastrojmë Shqipërinë nga Mitet.
Drejtuesi i Emisionit: Të nderuar Akademikë, mendoj se mund ta mbyllim emisionin pa u nxehur keq gjakrat. Ju faleminderit për bisedën sqaruese.
Akademikët: Mender qofsh! Poshtë Miti!

Sunday, July 24, 2011

Bisedë në Studio 6


Drejtuesi i Emisionit: Mirëmbrëma të nderuar shikues. Po fillojmë emisionin "Bisedë në Studio" të cilin, si zakonisht, ia kushojmë ngjarjes më të rëndësishme të ditës. Siç dihet, ngjarja politike që mbizotëron sot opinionin publik të vendit dhe atë ndërkombëtar është pikërisht Pordha që lëshoi Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë në sallën e Parlamentit Europian në Bruksel. Për të diskutuar rreth Pordhës dhe impaktit të saj kemi ftuar në studio zotin Niko Farmaqi - përfaqësues i zyrës së shtypit në Ministrinë e Jashtme; zonjën Kristina Plasja - analiste mediatike; dhe zotin Nuri Barkqelbti, kryetar i lëvizjes së njohur "Aleanca Futja Pordhës Gri Sallatë". Për arësye që kuptohen, fjala "pordhë" do të konsiderohet normale dhe nuk do të censurohet në këtë emision. Pra, do të jetë e pranishme me shumicë. Të nderuar miq të ftuar, mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur të në studio.
Të gjithë: Mirëmbrëma dhe mirë se të gjetëm!
Drejtuesi i Emisionit: Përpara se t'iu drejtohem me pyetje, do të desha ta nisnim emisionin me një kronikë të shkurtër të ngjarjes së Brukselit, të cilën do ta ndjekim njëkohësisht me komentimin që i bën ekspertja e pordhëve në media, zonja Kristina Plasja. Le ta ndjekim.
Kristina Plasja (ndërsa në ekran çfaqet salla e Parlamentit Europian në Bruksel): - Siç e shikoni, të nderuar shikues, salla e Parlamentit Europian është mbushur relativisht plot me europarlamentarë. Ja tani, kamera është fokusuar të delegacioni shqiptar, i përbërë nga dy ministra, Ministri i Jashtëm dhe Ministrja e Integrimit. E pashpjegueshme është se si nuk ndodhen pranë tyre referentët apo drejtorët e drejtorive të MPJ. Ndiqni me vemendje se si kamera fokusohet te përfaqësuesi shqiptar. Vini re fytyrën e Ministrit të Jashtëm. Ky është pikërisht çasti përpara ngjarjes. Vini re edhe se si Ministri i Jashtëm anohet pak nga e majta - gjë që do të thotë që pordha do të dalë djathtas. Ja, pikërisht tani - ju lutem ngadalsoheni pak xhiron e transmetimit - tani ndodh lëshimi i pordhës. Shikoni në të majtë të ekranit, në vijë të drejtë me rreshtin ku ndodhet delegacioni shqiptar, është duke kaluar rastësisht eurodeputetja Doris Shum. Ndiqeni me vemendje se si e humbet ajo ekujlibrin nga impakti i pordhës, si përpiqet të mbahet pas karigeve, dhe si rrëzohet përdhe, pa ndjenja. Tani, ju lutem, vini re se si reagon pjesa tjetër e sallës. Eurodeputetët lënë sallën të lemerisur.
Niko Farmaqi: Pra ju po insinuoni se rrëzimi i eurodeputetes Doris Shum dhe lëvizja drejt daljes e eurodeputetëve të tjerë ka lidhje të drejtpërdrejtë me Pordhën e Ministrit?
Kristina Plasja: Unë nuk po insinuoj asgjë. Unë po interpretoj pamjen filmike. Por, le ta shohim edhe një herë videon, kësaj rradhe duke futur edhe efektin infra-ruzh. Për të sqaruar teleshikuesit, kamerat elektronike moderne kanë aftësi që ta kthejnë pamjen filmike në pamje me elementë rrezesh ultra të kuqe, të cilat tregojnë në ekran edhe detaje që s'arrin t'i kapë syri i thjeshtë i njeriut. Përsëri jemi në të njëjtën sallë, por me pamjen infra-ruzh. I dalloni tani siluetat e Ministrit të Jashtëm dhe Ministres së Integrimit? E vini re lëvizjen pak majtas të trupit të Ministrit? Shikoni pak se si në pjesën ku prapanicat e Ministrit prekin ndenjësen krijohet një si hapësirë. Ja dhe shpërthimi, pikërisht aty. Vini re si përhapet vala goditëse. Për efekt studimi, e kemi ngadalsuar lëvizjen njëmijëedyqindepesëdhjeteshtatë herë. Shikoni çastin kur vala goditëse - kryesisht rezonancë zanore dhe ndryshim në presionin e ajrit - godet eurodeputeten Doris Shum dhe e përplas përtokë.
Drejtuesi i Emisionit: E mahnitshme!
Kristina Plasja: Prisni, s'ka mbaruar. Infra-ruzh është në gjendje të kapë edhe goditjen biologjike. Vini re me vëmendje tani valën e dytë, e cila ka dalë njëkohësisht me të parën, por që përhapet pak më ngadalë. Vala e dytë është era. Efekti duket shkatërrues, destruktiv. Shikoni me sa intensitet përhapet vala e erës në të gjithë sallën, duke i detyruar eurodeputetët të largohen në panik. Ja, kjo është ngjarja. Atë mund ta komentoni si të doni.
Niko Farmaqi: Më falni, por videoja që ju transmetuat nuk ka zë. Si mund ta vërtetoni ju, dhe partnerët tuaj europianë që Ministri i Jashtëm lëshoi pordhë, dhe jo fëndë? Në një deklaratë që lëshuam për shtypin ne si Ministri e Jashtme sot në mëngjes pikërisht këtë theksonim: Ministri i Jashtëm ka lëshuar fëndë. Nuk bëhet fjalë për pordhë.
Drejtuesi i Emisionit: Shumë interesant ky zhvillim! Të presim si do të reagojë shtypi botëror pas deklaratës së fundit të Ministrisë së Jashtme. Sepse, duhet pranuar që, deri tani qëndrimi i medias ndrërkombëtare, veçanërisht asaj europiane, nuk ka qënë edhe aq dashamirës. Gazeta e njohur gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung dilte me titullin: "Pordhët e diplomacisë shqiptare kutërbojnë Europën e Bashkuar"; gazeta Vanguarda Obrera shpërthen: "Ministri i Jashtëm Shqiptar kishte ngrënë fasule dhe hudhra"; Il Manifesto shtron pyetjen: "Çfarë i bën pordhët e shqiptarëve kaq të padurueshme?!", e kështu me rradhë. E vetmja gazetë që mbante qëndrim pak a shumë të paanshëm ishte tabloidi anglez "The Fart", pronë e manjatit të medias Rupert Mërdok, e cila i kushon ngjarjes një numër special.
Nuri Barkqelbti: Më falni që po ndërhyj, por ne shqiptarët nuk kemi pse turpërohemi nga pordhët. Përkundrazi, qeveritarët tanë kanë për detyrë t'i tregojnë Europës dhe kujtdo në botë që jemi popull me pordhë. Europa na ka borxhe të mëdha ne si komb, prandaj duhet të na i durojë pordhët.
Kristina Plasja: Ndoshta keni të drejtë. Megjithatë, s'duhet harruar që pordhët e mëdha grisin brekët e reja.
Nuri Barkqelbti: Oh, ky është mentalitet i vjetër, që kur njerzit përdornin brekë bezeje, të cilat s'ishin aspak elastike. Ky problem nuk ekziston më. Përkundrazi, në mbështetje të gjestit të Ministrit të Jashtëm dhe për të treguar se ne s'kemi asgjë kundra qeverisë, lëvizja jonë mbarëkombëtare Aleanca Futja Pordhës Gri Sallatë ka vendosur të ndërmarrë nismën e re: Një Shqiptar, Një Pordhë. Mendojmë që këtë nismë do ta përkrahin të gjithë shqiptarët e vërtetë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Turqi, Bullgari, Mal të Zi, Rumani, Hungari, Rusi...
Niko Farmaqi: Megjithatë, ne si Ministri ngulin këmbë që Ministri lëshoi fëndë, jo pordhë.
Kristina Plasja: Ndoshta kjo ëshë më keq. Populli thotë: pordhët janë gazmore, fenat janë mizore.
Drejtuesi i Emisionit: Me sa duket, zonja Plasja paskeni dijeni të thella mbi folklorin e gazrave.
Kristina Plasja: Natyrisht që kam. Unë s'mund të vija në bisedën tuaj në studio e papërgatitur ose, si i thonë, t'ia fusja pordhës kot.
Niko Farmaqi: Pirdh o prift në Prill, i thonë kësaj.
Kristina Plasja: Ajo shprehje nuk ka shumë kuptim. Situatës do t'i shkonte më tepër: Pirdh se lirohesh. Megjithatë, le t'i kthehemi pretendimit tuaj, si Ministri, që gazi i lëshuar nga Ministri nuk ishte pordhë, por fëndë. Ndiqeni me vëmendje videon (regjija, ju lutem). Shikoni se si anohet nga e majta Ministri. Po të ishte për fëndë, s'do të kishte nevojë të anohej. Shikoni presionin e ajrit në pamjet në infraruzhë; rrathët koncentrikë që krijon goditja zanore. Padiskutim që është pordhë.
Niko Farmaqi: Të pretendosh që është pordhë dhe jo fëndë më duket qëndrim anti-kombëtar. Kjo e dëmton rëndë integrimin e Shqipërisë në strukturat europiane.
Kristina Plasja: Integrimin e dëmton pordha e Ministrit, jo pretendimi im. Shikoni edhe reagimin e Ministres së Integrimit fill pas lëshimit të pordhës. Ndiqeni buzëqeshjen e saj. Shikoni dhe diçka tjetër, që transmetohet për herë të parë sot: Ministrja e Integrimit i bën "qe palla" Ministrit të Jashtëm. Po këtë si e komentoni?
Niko Farmaqi: Me siguri që stacionet televizive kanë manipuluar pamjet filmike.
Kristina Plasja: Po për thashethemin që është përhapur sot në Bruksel, sipas të cilit Ministri me Ministren prej dy ditësh po luanin lojën "Kush pjerdh ose gromësin më shumë?" Një pordhë llogaritej dy pikë, një gromësirë një pikë. Thuhet se në momentin kur shpërtheu pordha, Ministrja e Integrimit ishte gjashtë pikë para.
Nuri Balkqelbti: Duke pjerdhur në mes të Parlamentit Europian, Ministri ynë i jashtëm i deklaroi botës se ne s'pjerdhim për njeri. Kjo është gjeniale. T'i thuash tjetrit "As që pjerdh fare", duke pjerdhur.
Kristina Plasja: Po kur s'pjerdhin për Europën, përse shkojnë në Parlamentin Europian?
Nuri Barkqelbti: Kot moj, për pordhë.
Kristina Plasja: Muhabeti me pordhë, pordha me karar.
Drejtuesi i Emisionit: Kush e hoqi tapën, se po vjen erë të keqe këtu.
Të gjithë kthejnë kokën nga Niko Farmaqi.
Niko Farmaqi: Çfarë? Pse u kthyet nga unë? Dëgjuat gjë ju? Keni fakte?
Drejtuesi i Emisionit: Jo. Megjithatë ju të Ministrisë së Jashtme e keni të ligjëruar fëndën, më duket.
Kristina Plasja: Unë po iki. S'u rrika këtu. Mirupafshim dhe faleminderit për ftesën. (Ngrihet dhe largohet duke mbajtur hundën me dorë).
Drejtuesi i Emisionit: Edhe unë mendoj që problemet dolëm. Ndoshta në ndonjë emision të ardhshëm do të bisedojmë më specifikisht për fëndat. Te nderuar teleshikues, feleminderit për vëmendjen. Natën e mirë dhe mirupafshim. Dhe, po të kini ndonjë siklet, pirdhni pa dert, se iu bën mirë. Për më tepër, siç doli sot, pordha është shprehje e karakterit kombëtar, shprehje e krenarisë kombëtare.

Wednesday, July 20, 2011

Pesë fjali - Pesë gafa


(...pa hyrë te përdhunimi që i bëhet gjuhës shqipe)
http://www.balkanweb.com/TV/index.php?id_categoria=48&id_ansalive=11513
Lidhja e mësipërme mund t'iu çojë te Ballkanweb, ku jepet një pjesë nga fjala e Kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë të datës 19 ose 20 Korrik, 2011. Unë bëra vetëm zbardhjen, të cilën e keni në fund të shkrimit bashkë me disa pjesë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në Pesë fjali ka Pesë gafa, përfshirë dhe shkelje të Kushtetutës.
Gafa e parë: Ndonëse nuk thuhet shprehimisht, sulmi i këtyre pesë fjalive të turbullta drejtohet kundër Aleancës Kuq e Zi dhe, posaçërisht udhëheqësit të saj Kreshnik Spahiu. Spahiu me Aleancën e tij mund të jenë ç'të duan, mund të kenë çdo fe të duan, por ata nuk janë deklaruar kurrë se veprojnë nga pozitat e ateistit. Aleanca Kuq e Zi nuk janë lëvizje ateiste. Ata janë lëvizje nacionaliste, shoviniste.
Gafa e Dytë: "...mjeranë ateistë që kanë frikë zotin ". Ateistët nuk e kanë frikë zotin. Zotin e kanë frikë ata që i besojnë zotit. Ateistët mbrojnë idenë që njerëzit duhet të jetojnë të lirë, pa frikën e zotit. Nëse Kryeministri nuk e di këtë, atëherë le të pyesë dhe ta mësojë.
Gafa e Tretë: "Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige." Kjo duket më tepër si bumerang, se sa si gafë. Pyetje: Kush e ka karrigen më të lartë shtetërore?
Gafa e Katërt: Ateistët nuk janë kundër numërimit të popullsisë në bazë të fesë dhe etnicitetit. Në fakt, nuk dihet të ketë ndonjë qëndrim të caktuar të ateistëve për këtë problem, për vetë faktin që nuk ka ndonjë organizatë të ateistëve që t'iu diktojë anëtarëve politika të caktuara. Ateizmi është mungesë besimi te ekzistenca e një qenieje të mbinatyrshme, jo platformë politike. Personalisht, duke qënë ateist, jam shprehur dhe vazhdoj të shprehem në mbështetje numërimit të popullsisë në baza fetare dhe etnike, sepse më duket që kjo është në të mirë të Shqipërisë.
Gafa e Pestë: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ndan shtetin nga feja. Nëse kryetari i shtetit shqiptar fut hundët në punët e besimit (ose mosbesimit), ai shkel kushtetutën. Kur Kryeministri, që nga karrigia e tij në krye të mbledhjes së qeverisë, fyen një pjesë të popullsisë së vendit të vet, e vogël apo e madhe qoftë kjo, për shkak të besimit (ose mosbesimit) të tyre te feja, atëherë ai ka shkelur Kushtetutën. Të shprehesh me përbuzje, urrejtje, apo përçmim për njerëzit "pa zot", për "mjeranë ateistë që kanë frikë zotin", përbën shkelje të kushtetutës, ligjit të vendit dhe një fyerje të drejtpërdrejtë të një pjese të popullsisë të cilën nuk ke asnjë të drejtë ta fyesh si politikan dhe, aq më tepër, si kryeministër.
"Këta të cilët na, në virtutin, në mesazhin më të shkëlqyer që kemi, se po shkruajtëm fenë - e di ç'janë këta? Këta janë njerëz pa zot, ju them unë, këta janë mjeranë ateistë që kanë frikë zotin. Ata të cilët, shfrytëzojnë karriget e larta shtetërore, ata i përdhosin ato karrige. Ata përdhosin, kushtetutën, postet dhe karriget dhe janë më të mjerë se çakejtë e tyre, sepse çakejtë së paku lehin, kurse vetë fshehin fytyrën, kanë frikë të dalin, dhe shndërrojnë institucionet kushtetuese të vendit në strofulla, në strofulla praktikash, konceptesh, dhe qëndrimesh ataviste primitive. Nuk them anti-kombëtare fare, se nuk mund t'i vendosësh në raport me kombin këta. Të njëjtën gjë bënë një pjesë e tyre për kartat e identitetit, ndërmorën fushatën më primitive kundër kartave dhe tani na thonë se nëqoftëse shqiptarët do të kenë mundësi të shprehen për besimin, të shprehen për përkatësinë etnike, do shpërbëhet qenia jonë...." Nga fjala e Berishës në Mbledhjen e Qeverisë, 20 Korrik 2011.

Nga Kushtetuta e Republikës së Shqip[risë:
Neni 10:
———
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
Neni 24:
———
1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.
2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.
3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Saturday, July 9, 2011

Kompleks Shtatorial

Vëmendjen e shtypit dhe opinionit publik ndërkombëtar e kanë tërhequr së tepërmi përpjekjet e shqiptarëve për të nderuar dhe respektuar figurat e shquara botërore që kanë dhënë ndihmesë në zhvillimin e kombit, përmbysjen e komunizmit dhe kalimin me sukses të fazës së tranzicionit. Me gëzim dhe enthusiazëm u prit në të gjithë Amerikën e Veriut lajmi që Bashkija e qytetit të Ndroqit do të ngrerë shtatoret e dy figurave historike botërore, ish-Presidentit amerikan Bill Klinton dhe ish-Drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kahn. Kompleksi shtatorial Klinton-Kahn do të vendoset në sheshin kryesor të Ndroqit.
Për realizimin e veprës së artit Bashkija e Ndroqit shpalli tenderin që u fitua nga skulptorët Vasfi Kodoshi dhe Izet Qorri.
“Shtatoret do të jenë 3 metra e 16 centimetra të larta,” u shpreh për shtypin ndërkombëtar Vasfi Kodoshi. “Vepra do të realizohet në bronz të derdhur.”
Kompleksi shtatorial ka për qëllim përjetësimin e ndihmesës që i kanë dhënë jo vetëm Shqipërisë, por edhe gjithë botës këto dy figura të mëdha.
Duke gjykuar nga modelet në studio që gazetarët ndërkombëtarë u lejuan të shohin, liderët botërorë do të paraqiten mes e lart me xhaketa dhe kollare, ndërsa mes e poshtë cullak.
“E kemi menduar si një ndërthurje integrale të skulpturës klasike greko-romake, ku njeriu paraqitej i zhveshur, duke shpalosur forcën dhe bukurine fizike mashkullore, apo femërore, sipas rastit, me perceptimin modern, ku figurat dalin si burra shteti, duke përballuar stuhitë e politikës moderne. Ndërkohë, ne duam të thyejmë edhe klishetë e vendosura në shekuj, ku njerëzit, sa herë paraqiten gjysmë nudo, jepen të veshur mez e poshtë. Ne duam ta vëmë klasiken sa më pranë themelit, dhe modernen sa më lart.”
Ideja e përzjerjes së dy stileve skulpturore ka gjetur mbështetje të plotë, veçanërisht te kritikët anglezë të artit, të cilët e komentojnë këtë si një paraqitje gjeniale të ndërthurjes së tipareve evolucionare të zhvillimit dhe rikthimit nga dhe në homo erectus në dhe nga homo sapiens, çka shpreh edhe esencën e këtyre dy figurave botërore.
“Kompleksi shtatorial,” shpjegon në konfidencë një nëpunës i Bashkisë së Ndroqit që nuk pranon të identifikohet, “synon edhe në tërheqjen e sa më shumë turistëve. Këtë kompleks shtatorjal unikal në botë parashikohet ta vizitojnë entuziastë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke ndihmuar në zhvillimin e industrisë hospitalore në Ndroq.”
Të dy skulptorë po debatojnë dhe nuk kanë arritur ende të bijen në ujdi në lidhje me disa detaje të shtatoreve. Një prej këtyre detajeve është pozicioni i burrave të shtetit – a do të jenë përballë njëri-tjetrit, njëri mbas tjetrit, apo kthyer me kurriz nga njëri tjetri. Në këtë pikë po fiton terren ideja e fundit, me burrat duke parë, si shqiponja dy krenare, në dy drejtime të kundërta.
Një tjetër detaj mësohet të jetë përfshirje e purove në kompleksin shtatorial. Ndërsa artistët pajtohen se elementi i puros është i domosdoshëm, ata janë ende të paqartë në lidhje me numrin e purove dhe vendin ku do të paraqiten – në duart e figurave, në gojë apo diku tjetër, paralel me elementë të tjerë figurativisht të ngjashëm të veprës së artit.
Parashikohet që ky detaj të mbetet enigmë deri ditën e shpalosjes së shtatores.

Thursday, July 7, 2011

Bisedë në Studio 5


Drejtuesi i Emisionit: Mirëdita të nderuar shikues. Duke pasur parasysh të dhënat e fundit të Ministrisë së Punës dhe Institutit Kombëtar të Statistikave, vendosëm që bisedën tonë ta zhvendosim në orët e vona të paradites, kohë kur shumica e njerëzve janë zgjuar nga gjumi dhe vërtiten në shtëpi. Sipas studimit të MP-së dhe INSTAT-it, shqiptarët punojnë mesatarisht 4 orë në ditë, ndërkohë që flenë mesatarisht 9 orë. Dhe kjo duhet të jetë për ata që punojnë. Sipas këtij studimi, 70 përqind e grave nuk punojne (me pagesë), pra janë shtëpiake, ndërkohë që 40 perqind e burrave rrijnë në shtëpi. Studimi ka edhe shifra të tjera interesante, të cilat do t'i diskutojmë në vijim të bisedës. Por, fillimisht le të paraqesim të ftuarit në studio: Zoti Nuro Shkëmbi, Drejtor i Drejtorisë së Kafeneve dhe Lokaleve në Ministrinë e Punës; Zonjusha X, Projekt Manaxhere në INSTAT; Zotin Perlat Rikoti, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Burrave; dhe Zonjusha Dorina Flaka, Nënkryetare e Shoqatës Gratë pa Kufi. Së pari, një sqarim të vogël - Kohët e fundit, Instituti Kombëtar i Statistikave është vënë në shënjestër të sulmeve nga grupe patriotike që deklarohen kundër numërimit. Kjo ka bërë që punonjësit e INSTAT, të cilët merren vetëm me numërime, të dalin në ilegalitet. Zonjushës X nuk do t'ia përmendim emrin, nuk do t'i shfaqim fytyrën dhe do ta lejojmë ta deformojë pak zërin, për arsye sigurie. Atëherë le të fillojmë: Mirëmëngjes të gjithëve.
Të gjithë: Mirëmëngjes.
Drejtuesi i Emisionit: Do të desha ta filloj bisedën e sotme me një pyetje drejtuar zotit Shkëmbi. Si e shihni ju, si Ministri faktin që 70 perqind e grave dhe 40 perqind e burrave shqiptarë nuk punojnë?
Nuro Shkëmbi: E shoh si problematik. Shumë problematik, do të thosha. Në një kohë kur 70 përqind e grave dhe 40 përqind e burrave nuk punojnë, ne na rezulton se kafenetë dhe lokalet frekuentohen në 70 përqind nga burra dhe 30 përqind nga gra. Kjo është vërtet shqetësuese. Gratë duhet të dalin nga shtëpia dhe të vijnë më shpesh në lokale, sepse e kanë kohën me bollëk. Ne duhet të luftojmë me programe qeveritare që në lokale të ketë një numër të barabartë burrash dhe grash.
Perlat Rikoti: Më falni që po ndërhyj, por mua më duket se nuk qëndron aty shqetësimi. Problemi kryesor është pjesmarrja e njerëzve në punë. Burrat po stërmundohen. Kjo pabarazi është e tmerrshme - diskriminim i paparë. Shoqata jonë nuk do të rreshtë së luftuari që të arrijë ditën kur edhe nga burrat do të punojnë vetëm 40 përqind.
Zonjusha X (me zë të ndryshuar si zë burri): Problemi, them unë, qëndron te paga, e cila është 35 përqind më e lartë për burrat.
Perlat Rikoti: LOL!
Zonjusha X: LOL?! Përse LOL? Ç'ka këtu për të qeshur?
Perlat Rikoti: Hej, kokë - sado që të fitojnë burrat, paratë përfundojnë në xhepin e grave.
Dorina Flaka - Nuk është e thënë. Shumë burra nuk e çojnë rrogën në shtëpi.
Perlat Rikoti: Kjo s'do të thotë se nuk iu përfundon rroga në xhepin e grave. Nuk iu përfundon ne xhepin e bashkëshorteve, por iu përfundon në xhepin e ndonjë gruaje tjetër. Po ta marrësh si total, rroga e fituar nga burrat me mund e me djersë, me gati katër orë punë të palodhur në ditë, përfundon në xhep të grave. Gratë, si specie, dalin gjithmonë më të fituara.
Zonjusha X (me zë burri): Ua mami ç'farë thotë ky!
Dorina Flaka: Gratë nuk janë specie.
Nuro Shkëmbi: Unë them që INSTAT duhet të bëjë edhe një studim të detajuar se kush e fut më shpesh dorën në xhep kur vjen puna për të paguar në lokal. Vë bast që do të dalin më shumë burrat - me diferencë të madhe.
Drejtuesi i Emisionit: Si do ta komentonit faktin që, sipas studimit, 95 përqind e grave bëjnë punë shtëpiake, ndërsa nga burrat punë shtëpiake bëjnë vetëm 39 përqind?
Perlat Rikoti: Vërtet? Vetëm 95 përqind e grave?! Kjo qënka vërtet shqetësuese. Po 5 përqind që mbeten, ç'bëjnë? A i ka hyrë studimi këtij problemi?
Nuro Shkëmbi: Ato zbavitin 61 përqind të burrave që nuk bëjnë punë shtëpie - Hihihi! Hahaha! Huhuhu!
Perlat Rikoti: LOL!
Dorina Flaka: Ah, si s'keni turp!
Zonjusha X (me zë edhe më të trashë): Ua mami, këta po e bëjnë baltë fare.
Donika Flaka: Mua më duket vërtet shqetësuese dhe aspak për të qeshur. Eshtë turp që vetëm 39 përqind e burrave bëjnë punë shtëpie.
Perlat Rikoti: Po pse ore, ku ta gjejnë fuqinë ata?! Iu bije bretku 4 orë në punë. Duhet të bëjnë edhe punë shtëpie. Gratë e kanë kohën me bollëk.
Dorina Flaka: Nuk është fare e vërtetë, zoti Rikoti. Gratë e sotme e kanë kohën të mbushur me veprimtari. Ti s'e di se sa kohë i merr gruas së sotme përgatitja për të dalë në pazar. Sa kohë i merr vetë pazari, manikyr, pedikyr, sallon flokësh, masazh, etj.
Drejtuesi i Emisionit: Sipas Studimit të INSTAT, meshkujt shqiptarë kanë shumë më tepër kohë të lirë se sa meshkujt norvegjezë.
Perlat Rikoti: Mos na ngatërro me norvegjezët tani. Ç'na duhet ne ç'bëjnë norvegjezët.
Dorina Flaka: Na duhet që ç'ke me të. Duke parë nga Norvegjia do hyjmë në Europë.
Drejtuesi i Emisionit: Meshkujt norvegjezë i ndajnë punët e shtëpisë 50 përqind me 50 përqind me gratë. Ndërsa meshkujt italianë punojnë në shtëpi më shumë se gratë.
Perlat Rikoti: Ej, kokë, janë gra italiane ato. I ke parë në televizor? Për ato lë punët e shtetit pa bërë Berluskoni, që është kryeministër, jo të mos e lërë italiani i thjeshtë. Silli këtu gratë italiane, ta shohësh se si i bëjnë meshkujt shqiptarë të gjitha punët e shtëpisë.
Dorina Flaka: Ide e shkëlqyer. Dhe ndërkohë na dërgoni të gjitha ne grave shqiptare në Itali, te meshkujt italianë.
Perlat Rikoti: LOL!
Nuri Shkëmbi: Se pak gra shqiptare kemi dërguar ne te meshkujt italianë...
Zonjusha X (me zë normal të trashë) - Ua mami, këta të gjitha i lidhkan me seksin!
Nuri Shkëmbi: Me seksin?! Kush po flet për seks?
Perlat Rikoti: Gjithë biseda për seks është, apo jo?
Drejtuesi i Emisionit: Në një farë kuptimi...
Zonjusha X: Unë kujtova se do të flisnim për punën.
Dorina Flaka: Çfarë pune, moj. Puna e punës së asaj punës. Kush po punon sot? Kupton ti që vetëm 60 përqind e burrave punojnë katër orë në ditë?! Gjen dot popull më dembel ti? Asnjeri s'punon. Të gjithë e kanë mendjen te seksi.
Nuri Shkëmbi: Edhe te gjumi - mesatarisht 9 orë në ditë. Popull latant.
Drejtuesi i Emisionit: Mendoj se problemet dolën, prandaj le ta mbyllim këtu bisedën në studio. Të nderuar shikues, mirupafshim në biseda të tjera për probleme të mprehta shoqërore të kombit. Kalofshi një ditë të mirë dhe të rehatshme. Besoj se e kuptoni ku e ngas fjalën.

Thursday, June 30, 2011

“Një komb një pasaportë”

Aleanca Kuq e Zi i kërkon parlamentit ndryshimin e “menjëhershëm” të Kushtetutës në dispozitat për dhënien e shtetësisë shqiptare dhe “kërkon me forcë“ dhënien e pasaportave shqiptare për çdo qytetar me origjinë dhe kombësi shqiptare kudo që jeton si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Serbi apo në diasporë.
Lëvizja e fundit është një tërheqje taktike e Aleancës nga politika e saj e mosnumërimit. Të paktën, Aleanca pranon numërimin deri në “një”, gjë që duket edhe në kërkesën për ndryshimin e “menjëhershëm” të pasaportës, si edhe në politiken e re Një komb, Një pasaportë - numri një përsëritet një-një-një herë.
Në kërkesën e saj Aleanca, si pjellë e mendjeve më të ndritura ligjore të vendit, bazohet në të drejtën ligjore ndërkombëtare për ndryshimin e kushtetutave me peticione organizatash, gjë që përbën bazën e demokracisë. Gjithashtu, kërkesa e Aleancës për pajisjen me pasaportë shqiptare të qytetarëve të kombësisë shqiptare në Greqi i bashkëngjitet logjikisht kërkesës së Aleancës për mosnjohjen (mosnumërimin) pasaportave greke lëshuar qytetarëve me kombësi greke në Shqipëri. Kërkesa bazohet në parimin themelore të shovinizmit ndërballkanik, sipas të cilit e drejta ime quhet kombëtare, e drejta jote quhet shoviniste, prandaj unë kam me shumë të drejtë se ti.
Pasi të ndryshohet Kushtetuta si rezultat i peticionit, Aleanca ka ndërmend të nxjerrë edhe një peticion tjetër për të pajisur me pasaportë kombëtare shqiptare në retrospekt të gjithë qytetarët e botës (të gjallë e të vdekur) që mendohet të kenë qënë shqiptarë. Po përgatitet një listë e detajuar dhe janë porositur pasaporta shqiptare për vlonjatin Aleksandër i Maqedonisë, dardanin Kostandini i Madh, astronautin Alen Shepard, fizikantin Albert Ajnshtajn, aktorin Roberto Deniro, futbollistët Ziko, Maradona, Zidan, Krojf, dhe gjithë ekipin kombëtar të Spanjës, përmetarin Majkëll Xhekson, 26 Papë të Vatikanit, Presidentët amerikanë Xheferson, Washington, Bush (i vogli, se të madhit nuk i takon), shkrimtarët Ernest Heminguei dhe Luan Tolstoi, dy nga gratë e Henrikut të Tetë, Mao Ce Dunin, Princeshën Diana dhe, natyrisht, Kate Midleton. Po gërmohet për t’i gjetur ndonjë gjë Madonës dhe Justin Biberit.
Aleanca Kuq e Zi propozon gjithashtu që qeveria shqiptare të krijojë edhe Ministrinë e Pasaportave, e cila do të merret kryesisht me gjetjen e njerëzve që iu takon pasaporta shqiptare dhe lëshimin e këtyre pasaportave për ta.
Dhënia e pasaportave do të sigurojë supremacinë shqiptare në Ballkan dhe Euroë dhe do të zgjidhë shumë nga problemet e shoqërisë së sotme shqiptare, duke përfshirë edhe paaftësinë për të numëruar votat.
Agjencia e lajmeve AK