Tuesday, January 10, 2023

S’ka kuptim

Ç'kuptim ka të mburresh për lashtësinë e gjuhës shqipe, kur e përdhos atë në çdo çast duke e keqpërdorur?

Ç'kuptim ka të vërtetosh që je populli më i vjetër i Ballkanit, kur gjysmën e njerëzve i ke të shpërndarë si zogjtë e qyqes nëpër botë?

Ç'kuptim ka t’i vesh qeleshe mbi kokë Homerit, kur rreth teje vërtiten gjysmë zhveshur lypës të uritur?

Ç'kuptim ka të bërtasësh se je krenar që je shqiptar, kur në Romë, Athinë, Londër e Paris ecën me kokën ulur?

Ç'kuptim ka të mbushësh sytë me lot për gjyshen arbëreshe të Deni DeVitos, kur nënën tënde të vetmuar e rrahin në shtëpinë e pleqve?

Ç'kuptim ka të kërkosh rrënjët arvanitase të Irenë Papas kur para syve të tu shkulin nga themelet teatrin kombëtar dhe ti nuk lëviz dot as gishtin?

Ç'kuptim ka t’i kërkosh drejtësi një politikani të korruptuar nga mitingu i kopjes së tij të klonuar?

Ç'kuptim ka të revoltohesh për padrejtësi shoqërore kur s’le rast pa vjellë vrer ndaj kujtdo që është ndryshe prej teje?

Ç'kuptim ka të rrahësh gjoksin për mikpritjen shqiptare kur ke vite që s'fton e s'qas njeri në shtëpi dhe kur çmimet e hoteleve dhe restoranteve i ngre në qiell?

Ç'kuptim ka ta mbash veten racë superiore kur në kurriz ke të freskëta shenjat e kamzhikëve të racizmit?

Nuk ka kurrfarë kuptimi ti kërkosh gjërat aty ku s'janë.

Ndoshta do të kishte më tepër kuptim sikur ta shfryje pak tollumbacen që mban mbi supe dhe të uleshe disi më poshtë,  sa të të preknin këmbët në tokë.

Të përiqeshe ta flisje dhe shkruaje shqipen më pastër e më qartë. 

Të mundoheshe ta edukoje djalin dhe vajzën duke i dhënë shembullin e pastërtisë morale, ndershmërisë,  dhembsurisë për të tjerët dhe nevojës për të qënë i drejtë.

Të hiqje dorë nga vemjet politike që kanë tridhjetë vjet që e kanë mbërthyer vendin për gryke dhe të kërkoje me urtësi dhe përgjegjësi qytetare rrugëzgjidhje të reja.

Të prisje ndonjë biletë koncerti, teatri, apo filmi për t’i dhënë një dorë talenteve të vendit. 

Të lexoje ndonjë libër nga fillimi në fund. 

Të punoje me ndershmëri, pa vjedhur, pa dhënë e marrë rryshfet. 

Të toleroje mendimin e tjetrit dhe të pranoje idenë që edhe ai që e sheh botën ndryshe nga ti mund të ketë një farë të drejte. 

E di që do thuash se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë përballë gjithë atij llumi që na ka mbytur përreth, por mos harro se ti je e vetmja shpresë e mbetur.  Gjithçka fillon nga ti, nga unë.


Wednesday, January 4, 2023

“Nuk janë përgjegjësia jonë“

(thotë Ambasadori i Shqipërisë në Britani për shtetasit shqiptarë)

Nëse doni të kuptoni mirëfilli shprehjen “O sa siklet me qënë shqiptar!” shikoni videon e bashkëngjitur. Komiteti i Punëve të Brendëshme i Parlamentit Britanik ka organizuar një takim me Ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Qirjako Qirko. Situata është kjo: Sipas Ministrisë së Brendëshme britanike, 35 përqind e 44 mijë njerëzve që kalojnë në mënyrë të paligjshme Kanalin Anglez janë shtetas shqiptarë. Për britanikët ky është problem shqetësues. Ata kanë ftuar ambasadorin shqiptar për të diskutuar gjendjen së bashku.

Video fillon me fundin e fjalës së Ambasadorit i cili, sipas kontekstit, duhet të ketë shprehur idenë që Shqipëria është një vend mikpritës që pret krahëhapur turistë nga gjithë bota, duke përfshirë edhe nga Britania e Madhe, ide që padyshim nuk ka asnjë lidhje me temën e takimit. Më pas, ndërhyn Lee Anderson Anëtar i Parlamentit Britanik i cili shtron një pyetje të thjeshtë: “Për të udhëtuar nga Shqipëria në Londër mjafton të blesh një biletë me Wizair që kushton jo më shumë se 28 pound. Udhëtimi me avjon zgjat tre orë. Përse shqiptarët parapëlqejnë të paguajnë mijëra paund stërlina për të hyrë ilegalisht me gomone në Britani, në udhëtime të rrezikshme që zgjasin nga 16 orë, kur mund të udhëtojnë rehat me avjon?”

Ambasadori nuk e kupton pyetjen dhe kërkon t’ia përsërisin.

Anëtari i parlamentit britanik ia përsërit. Ambasadori përtypet. Nuk e di përgjigjen. Në fakt, ambasadori nuk di asnjë përgjigje. Në një video të shkurtër prej katër minutash ai thotë disa herë nuk e di, si një nxënës i keq që nuk është përgatitur për provim.

Natyrisht, ambasadori shqiptar ka ditur të përsërisë si papagall përrallën e mikpritjes shqiptare, të parajsës turistike shiptare, të arritjeve dhe sukseseve të qeverisë shqiptare. Por, kur vjen puna për të diskutuar për problemin e shqiptarëve që hyjnë ilegalisht në një vend të huaj, pra problemin për të cilin po merr pjesë në takim, ai nuk di të thotë asgjë.

Më në fund Lee Anderson detyrohet të thotë: “Ju nuk dini edhe aq shumë gjëra ambasador, apo jo? A nuk e ndjeni që Shqipëria duhet të japë kontributin e vet për rëndesën që po i sjellin taksapaguesve britanikë shtetasit ilegalë shqiptarë?”

Këtu ambasadori shqiptar ndjen një rrezik të madh – ndjen rrezikun që qeverisë së tij, shefit të tij, mund t’i faturohen shpenzimet e veprimeve të paligjshme të shtetasve të tij. Prandaj, me një gjest sa spektakular aq edhe të turpshëm ai mohon çdo lidhje me shtetasit shqiptarë. “Jo,” thotë ai pa i bërë syri tërr. “Ata nuk janë përgjegjësi e shtetit shqiptar.” Pra ambasadori i Shqipërisë i braktis menjëherë shtetasit shqiptarë, bashkëkombasit e tij që kërkojnë strehim në Britani, lëshon ata fare lirë, pa pare, thjesht i bën hasha, duke mohuar çdo lidhje me ta. Fap-fap, i lan duart prej tyre.

Ja, kjo është gjendja ku ndodhemi. Një shtet që përfaqësohet në një nga vendet më të rëndësishëm të botës me një ambasador që nuk ia ka idenë se çfarë ndodh, që është i painformuar, që nuk di të shpjegohet, që nuk di të sqarojë dhe që, për të shpëtuar prapanicën e vet shet pa hezitim bashkëkombësit, ata bashkëkombas që janë braktisur një herë nga qeveria në vendin e tyre dhe që e ka për detyrë, ose më saktë paguhet që t’iu dalë për zot.

Video të lë pa fjalë. Më e pakta që mund të ndodhte pas kësaj do të ishte dorëheqja ose shkarkimi i menjëhershëm i Ambasadorit. Ndoshta duhet të kërkojë dorëheqjen edhe Ministrja e Punëve të Jashtëme. Sepse është vërtet turp për të ashtuquajturën diplomaci shqiptare dhe të ashtuquajturin shtet shqiptar.


 

Wednesday, November 23, 2022

Sunday, October 16, 2022

Ana tjetër e dhimbjes

Ndoshta shqipja është pak e kursyer me asnjëanësinë gjinore dhe nuk jep shumë mundësi gjithëpërfshirëse. Fjalë si “i përndjekur” (apo edhe shumësi, “të përndjekurit”) vijnë më lehtësisht në mashkullore. Gjithësesi, nuk duhet të jetë vetëm gjuha, por edhe një thyerje brenda ndërgjegjes sonë kolektive që na ka bërë ta shohim (edhe në rastet kur kemi dashur ta shohim) atë plagë të tmerrshme si padrejtësi historike që iu është bërë kryesisht burrave.

Ne flasim e lexojmë (gjithmonë më pak se duhet) për të përndjekurit e regjimit, për të burgosurit politikë, për të internuarit, për figura anti-komuniste ose thjesht mendjehapura që kanë vuajtur trajtën më të ashpër, më të pashpirt të egërsisë njerësore. Janë më së shumti burra, ndërkohë që rrallëherë kujtohemi për atë dhimbjen tjetër të madhe, dhimbjen e grave dhe vajzave, e foshnjave, fëmijëve, që vuanin përkrah tyre.

Pikërisht këtë ka dashur të na kthejë në kujtesë Bujar Alamani me filmin e tij dokumentar “Fluturat”, që iu çfaq ditën e shtunë, në datën 15 Tetor, 2022 për shqiptarët e Torontos në një nga teatrot e Kinemave Cineplex në Etobiko.

“Flutrat” e Alimanit është ajo ana tjetër e dhimbjes, anë që ose nuk e njohim, ose e mbajmë të ndrydhur në vetëdijen tonë shoqërore. Është drama stërmadhe e gjithë atyre familjarëve të të burgosurve që jetuan, shpresuan dhe pritën me zemër të dridhur fatin e tyre dhe të të afërme të tyre nga sektorët e internimit. Ne kemi folur (kurrsesi aq sa dhe si duhet) për gjyqet e sajuara, për dënimet e pajustifikuar, për torturat e paligjshme, për vrasijet mizore në burgje. Por pak, shumë pak jemi ndalur te vuajtjet e familjarëve, te inkoherencën logjike e internimeve, te mungesa e plotë e justifikimit ligjor për vendimet që shkatërronin plotësisht aq shumë jetë njerëzish të pafajshëm.

“Fluturat” është mozaiku i ndjenjave jetësore të 21 grave dhe vajzave që rikujtojnë tmerrin e fëmijërisë dhe rinisë së tyre në sektorin e internimit në Gradishtë të Lushnjes. I gjithë filmi është një klithmë, të cilën Alimani dhe, natyrisht edhe vetë zonjat protagoniste, kanë arritur ta japin qetë, bukur, plot dinjitet. Nuk është bërtitje, nuk është ekzagjërim, nuk është shfrehje e pakontrolluar ndjenjash, megjithese të gjitha këto do të ishin plotësisht të justifikuara për vuajtjet që ato kanë kaluar.

Me një gjuhë të pastër dhe tejet elokuente, me emocion të përmbajtur trimërisht, gratë e intervistuara qëndrojnë me rradhë përpara kamerës dhe paraqesin akuzën e tyre ndaj një sistemi, një shoqërie që në mënyrën më të përbindshme i vinte etiketën armik foshnjeve të porsalindura, përndiqte, përbuzte, torturonte dhe mundohej t’i shkatërronte ëndrrat fëmijëve të pafajshëm, iu vriste adoleshencën vajzave të reja që s’i kishin bërë dëm kërkujt në jetë. Ato risjellin në kujtesë punën e rëndë, kushtet e papërballueshme, mungesat e mjeteve më të domosdoshme të jetesës dhe, mbi të gjitha, trajtimin çnjerëzor nga shumë prej atyre që kishin përreth. Flasin për tmerrin që ngjallte ardhja në intervale të rregullta të “xhipit” të Degës së Punëve të Brendshme për të arrestuar ndonjë prej baballarëve apo vëllezërve të tyre, për shpirtvogëlsinë e brigadierit që i detyron të punojnë të zhytura në ujë e baltë pa asnjë shpërblim, për cinizmin e drejtorit të shkollës që gjen kënaqësi në torturimin e një nxënëseje krejtësisht të pafajshme. Tregojnë për mallin e papërballueshëm për etërit e burgosur, torturuar e vrarë, për udhëtimet e gjata dhe cfilitëse drejt burgjeve për t’iu çuar të afërmve pak ushqim, ndërkohë që shtëpinë pas i kanë lënë bosh.

Artistikisht Bujar Alimani është në të njëjtin hap me mesazhin që përcjellin personazhet e tij. Kamera, në dukje statike dhe e paangazhuar, iu le grave hapësirë të plotë të shprehin vetveten. Ai di të kombinojë bukur intervistat me pamjet e kursyera filmike nga e kaluara dhe ato origjinale. Dokumentari ka një ritëm të brendshëm dhe nuk të lodh. Përkundrazi, të bën ta ndjekësh me një frymë.

“Fluturat” është një dëshmi e gjallë e asaj ane të dhimbjes së shoqërisë shqiptare që ne nuk duhet ta lemë kurrsesi në harresë. Pranimi dhe kujtesa kolektive e një krimi monstruoz është më e pakta dhe, njëkohësisht, më e domosdoshmja që ne si shoqëri mund dhe duhet të bëjmë jo vetëm për të respektuar ata që kanë vuajtur, jo vetëm për të pastruar ndërgjegjet tona, por edhe për t’i shërbyer vetvetes, për të mos lejuar përsëritjen. Filma si “Fluturat” duhet të jenë pjesë e programit mësimor në shkolla.

Në këtë vështrim është për t’u çmuar veçanërisht nisma e dy organizatave të komunitetit shqiptaro-kanadez në Toronto, Albanian Canadian Development Alternative, themeluar nga Rudin Dakli dhe RH Scholarship themeluar nga Rej Haxhillari që e sollën filmin për shqiptarët e Torontos. Nëse filmi do ishte në DVD shumë prej nesh, të pranishmëve, do të ishim të lumtur të kishim një kopje të tij në shtëpitë tona. 

Monday, August 29, 2022

Lea Ypi dhe Sindroma Shqiptare e Shën Kollit

Arben Kallamata

Sindroma e Shën Kollit (Santa Claus Syndrome) quhet ndikimi psikologjik te fëmijët e gënjeshtrës së Babagjyshit të Krishtlindjes, ose Shën Kollit. Përtej përrallës së plakushit hokatar që iu shpërndan fëmijëve dhurata nga vrima e oxhakut qëndron një gënjeshtër e madhe me pjesëmarrjen e thuajse gjithë shoqërisë. Kur rriten dhe e marin vesh të vërtetën, njerëzit janë të detyruar të vazhdojnë të gënjejnë të miturit për të mos i prishur lezetin lojës.

Në librin “Të lirë - të rritesh në fund të historisë“, Lea Ypi në formë autobiografike përcjell dramën që shoqëron kalimin e saj përmes Sindromës Shqiptare të Shën Kollit, përrallës së ndyrë që iu është treguar fëmijëve dhe të rriturve për 45 vjet të diktaturës komuniste.

“Kur e ke kuptuar që nuk ekziston Shën Kolli?” është pyetje që në perëndim bëhet rëndom. Përgjigjet vërtiten kryesisht te mosha e kalimit nga fëmijëria në adoleshencë. Por të kuptuarit e të vërtetës është traumatik dhe shumica e njerëzve e mbajnë mend me saktësi çastin kur është thyer magjia dhe janë bërë të vetëdijshëm se kanë qënë të mashtruar.

“Kur e ke kuptuar që komunizmi ishte sistem antinjerëzor, që në krye të shtetit ishte një diktator i pashpirt dhe që ti jetoje në një nga vendet më të mjerueshme të planetit?” është një pyetje që ne shqiptarët ia bëjmë rrallë njëri-tjetrit, megjithëse shumica e ka përjetuar sindromën. Jo të paktë janë ata që nuk kanë dalë ende nga sindroma dhe vazhdojnë të besojnë te mrekullia e komunizmit. Të tjerë, në krahun e kundërt, nuk pranojnë ta kenë kaluar ndonjëherë atë fazë dhe përbetohen që kanë lindur me urrejtje për regjimin. Të dyja palët vazhdojnë të rigjenerojnë përralla.

Unë hamendësoj se për shumicën duhet të jetë e njëjta moshë kur në perëndim njerëzit kuptojnë se nuk ekziston Shën Kolli. Janë vitet kur individi fillon i analizon ca gjëra, ka vëmendje të dëgjojë dhe të kuptojë më shumë ç’thuhet në familje dhe rreth saj dhe, ajo që është më e rëndësishme, familjarët ndihen më të sigurt t’i besojnë sekrete të rëndësishëm.

Merita e Lea Ypit te “Të lirë“ është se është krejtësisht e shpenguar kur përshkruan me haptazi, qartë dhe realizëm përvojën e saj. E lindur në vitin 1979, Lea 11 vjeçare ia paraqet veten lexuesit në fund të vitit 1990 duke përqafuar këmbët e statujës së Stalinit të cilës ia kanë hequr kokën demonstruesit. Vajzë e një familje me prejardhje nga shtresat e pasura të shqiptarëve të para luftës, ajo është rritur me gënjeshtrën se jeton në sistemin shoqëror më të përparuar të botës, nën kujdesin e një partie që mendon vetëm për popullin dhe të një udhëheqësi të dashur që rrezaton dashuri dhe mirësi për të gjithë.

Çfarë i shtyn prindërit, veçanërisht në një familje “të deklasuarish” të gënjejnë fëmijët për realitetin përreth? Është frika, instinkti i vetëruajtjes, i mbrojtjes së fëmijëve, është një cikël i imponuar në formën më të fëlliqur nga i cili e ke të vështirë të dalësh. Ndodhesh në një sistem shoqëror-politik kur për një fjalë goje përfundon në burg, familja shkon në internim dhe jetë njerëzish shkatërrohen, kthehen përmbys. Nëna dhe babai nuk mund të jenë të sigurt që fëmija e tyre katër-pesë vjeçar nuk do të përsërisë në kopësht dhe, më vonë, në shkollë, ato që dëgjon të flitet në shtëpi. Prandaj, në sy të fëmijës flasin sikur të kenë sekretarin e partisë në dhomë.

Fëmija rritet duke u edukuar nga prindët që të dojë udhëheqësin dhe partinë. Në kopësht e në shkollë vazhdon të dëgjojë, madje me tone më të forta, të njëjtën histori. Të gjitha lëndët mësimore përshkohen nga filli i kuq i ideologjisë së partisë. Kur del nga shkolla për të luajtur me bashkëmoshatarët mbizotëron e njëjta frymë, sepse të secili prej tyre, në familjet përkatëse, ka ka marë të njëjtën dozë mashtrimi.

Pamundësia për ta edukuar fëmijën si do dhe si duhet, frika për t’i mësuar të vërtetën është ndër krimet më të mëdha të diktaturës.

Një nga episodet  më interesante të librit është marrëdhënia e familjes Ypi me fqinjët, Papasët, Donikën, ish punonjëse poste në pension dhe Mihalin, ish-partizan, sekretar partie. Midis dy familjeve shkaktohet një sherr serioz në lidhje me një kanaçe koka-kole, të cilin ata arrijnë ta kapërcejnë duke rivendosur marrëdhëniet normale. Në darkën e përbashkët për të festuar pajtimin, Lea e vogël, fare pa të keq plas bombën: “Këta s’duan të kenë fare të bëjnë me Xhaxhin Enver,” thotë ajo për prindërit e saj, “vazhdojnë të më premtojnë që do ta vënë fotografinë e tij në mur dhe gjithmonë i bëjnë bisht. Më duket se nuk e duan Xhaxhin Enver.” Të gjithë ngrinë. Po tani?

“Mihali u vrenjt,” shkruan Lea. Pastaj m’u kthye mua me një vështrim jashtëzakonisht serioz, madje të sertë në fytyrë. “Eja këtu,” më tha…”Kujtoja se ishe vajzë e zgjuar…Ajo që sapo the nuk ishte gjë që e thonë vajzat e zgjuara. Ishte budallëk me brirë. Budallëku më i madh që kam dëgjuar prej teje…”

Papasët ishin në lojë, pjesë e sindromës. Edhe ata nuk besonin, por luanin rolin e tyre, si gjithë të tjerët. Pleqtë e urtë u treguan njerëz dhe nuk e shitën as Lean, as prindët e saj.

Përplasja me të vërtetën Leas i vjen papritur dhe jo natyrshëm. Në vitin 1990 prindërit e saj janë të detyruar ta pranojnë që ngrehina e gënjeshtrës për të mbrojtur vajzën dhe veten është thjesht tymnajë. Me të drejtë Lea e vogël ndihet e prerë në besë nga njerëzit më të afërt të saj dhe ve në dyshim ndershmërinë e tyre dhe të gjithë shoqërisë.

Pyetja që lind duke lexuar librin është “Pse kaq vonë?” Pse pritën Ypët fundin e vitit 1990 që t’i tregonin vajzës të vërtetën.

“Unë e mësova të vërtetën kur nuk ishte më e rrezikshme, por edhe në një kohë kur isha aq e rritur sa të pyesja veten përse më kishte gënjyer familja për një kohë aq të gjatë. Ndoshta nuk kishin besim te unë. Po nëse nuk kishin, përse duhet të kisha unë te ata?” shkruan Ypi*.

Shumë shqiptarë kanë filluar të flasin hapur në familje dhe në rrethe të ngushta shoqërore një ose dy vjet pas vdekjes së diktatorit. Në 1989 e kishte marrë ferra uratën, kishte rënë Muri i Berlinit dhe ishte pushkatuar Çaushesku. Në shumë mjedise flitej hapur se regjimit i kishte ardhur fundi. Të paktën ata të rritur që ishin të vetëdijshëm për mashtrimin e madh ndiheshin të sigurt se diktaturës i kishin rënë dhëmbët.  Duket pak e çuditshme që të vazhdoje ta mbaje fëmijën me përrallën e Shën Kollit. Ndoshta si të persekutuar që ishin prindërit e Leas kanë dashur të jenë më të kujdesshëm se të tjerët deri në fund. Sindroma e Shqiptare e Shën Kollit është më e fortë në hallkat më delikate të saj.

 *  *  *

Kur më ra fillimisht në dorë “Të lirë…” i Lea Ypit pata një lloj ngurrimi për ta lexuar. Kisha parë shkarazi për disa minuta një intervistë të autores në TV ku në tre katër raste përdori togfjalëshin Xhaxhi Enver, për të cilin kam alergji. Fjala ‘xhaxhi’ në shqip shpreh një marrëdhënie afërsie shpirtërore, një lloj dashurie fëminore për një njeri të afërt të familjes. E bashkuar me atë emër të urryer të shkakton pështjellim në zorrë. Është njëlloj si të thuash Xhaxhi Hitler, ose Xhaxhi Kriminel. Përgjithësisht ndër shqiptarët e përdorin ata që s'kanë dalë ende nga Sindroma dhe kanë nostalgji për atë kohë të mbrapshtë.

Jo, nuk më kishin ndikuar aspak komentet negative në rrjetet sociale, sharjet e papërmbajtura dhe akuzat si marksiste nga njerëz që ashiqare nuk kishin marrë mundimin të lexonin librin. Ndërsa fakti që ajo jep Marksizëm në Shkollën e Londrës për Ekonomi vetëm më intrigonte. Unë kam arritur ta ndaj Marksin filosof nga forma e marksizmit që u përdor gjerësisht si fytyrë ideolgjike e diktaturës.

Sidoqoftë, rast për ta lexuar u bë djali që e bleu, e lexoi shpejt dhe fliste me pasion për librin. Ai ka lindur në 1991 dhe ka shumë kurreshtje të ballafaqojë “përrallën” që ne si prindër i kemi treguar me “përrallat” që tregojnë njerëz të tjerë.

Bëra mirë që e lexova sepse ia vlente plotësisht. Në këtë shkrim u ndala vetëm në pjesën e parë, që mendoj se është edhe pjesa më e mirë e librit. Urime Leas.

Kujtdo që lexon këto rreshta, veçanërisht nëse nuk e kanë jetuar periudhën e komunizmit shqiptar, ia rekomandoj fort këtë libër. Do të mësoni shumë të vërteta, veçanërisht të vërtetën për Sindromën Shqiptare të Shën Kollit dhe gënjeshtrën e madhe kolektive.

 

 

*Përkthimet e pasazheve janë të miat (AK) pasi në dorë kam vetëm librin anglisht, jo botimin shqip. 

Friday, August 26, 2022

Udhëtim për në Viktoria.


Viktoria është kryeqyteti i British Kolumbias dhe ndodhet ne Ishullin e Vankuverit. Vankuveri është qyteti më i madh, por nuk ndodhet në ishullin e Vankuverit, por në kontinent. Dita e tretë për ne ishte nga ato ditë kur e ke të vështirë të përcaktosh çfarë qe më e bukur, rruga apo pikëmbërritja.

Nga Vankuveri (qyteti) duhet të marrësh traget për të shkuar në Vankuver (ishull). Udhëtimi zgjat një orë e gjysmë por është një kënaqësi më vete. Në gjysmë orën e parë sheh se si iu largohesh maleve të larta, ndërsa pjesën tjetër trageti gjarpëron mes ishujve të shumtë. Kaltërsia e detit dhe e qiellit luajnë me të gjelbrën e thellë të pishave në ishujt përreth. Po të mos jenë pikat shumëngjyrëshe të varkave të vogla aty-këtu, mund të të duket vetja sikur je zhvendosur pesëqindmijë, njëmiljon vjet prapa në kohë. Është një bukuri e përjetshme.

Ti thua me vete se ky udhëtim ia vlente qoftë edhe për rrugën, por pastaj arrin në Viktoria dhe fillon të dyshosh. Viktoria është bukuri më vete. Gjëja e parë që të bije në sy është mungesa e qiejgërvishtësve. Kjo nuk do të thotë që nuk ka ndërtesa të rënda mbresëlënëse. 


Gjurmët e talentit të Francis Ratenbërit duken qartë në Hotelin Fairmont Empress dhe të famshmen ndërtesë të Asamblesë Legjislative të British Kolumbias. (Për arkitektin Francis Ratenbërin do të shkruaj një herë tjetër, pasi meriton hyrje më vete.)

Ndër befasitë më të këndshme për ne ishte Fisherman’s Wharf (Skela e Peshkatarit), jo vetëm për shtëpizat e vogla gjithë ngjyra, por edhe për ushqimin e shijshëm me peshk të freskët.

Kthimi ishte përsëri kënaqësi dhe një orë e gjysmë lundrim nuk u ndje fare. 

Saturday, August 13, 2022

Gjuaji me bosht

Ti je duke diskutuar në tryezë, në facebook, në debat televiziv, në gazetë. Ke sjellë argumenta, ndihesh i sigurt, madje të duket edhe sikur e ke vënë disi përpara dhe po e mposht kundërshtarin kur, fap, ai të nxjerr Boshtin.

Ti mbetesh pa fjalë, pa asnjë kundër-argument, pa asnjë shteg nga të shpëtosh. Sepse kur tjetri të nxjerr boshtin duhet të dorëzohesh. Boshti është i pakundërshtueshëm.

Një nga boshtet e hershëm ka qënë ai Romë-Berlin-Tokjo. Po të të sulmonin me boshtin Romë-Berlin-Tokjo fill pas Luftës së Dytë Botërore ishe i mbaruar, ose përfundoje në litar, ose në burgim pa afat

Më vonë dolën boshte të tjerë, boshti Moskë-Beograd, ai anglo-amerikan. Ose të tjerë që s’kishin fare lidhje me kryeqytete apo me gjeografinë, boshti imperialisto-revizionist, boshti social-imperialist.

Sot boshti mund të jetë i çfarëdollojshëm, etno-ideologjik (sllavo-komunist), etno-fetar (sllavo-ortodoks), ose thjesht nacionalist (greko-serb). Mund të jetë i jashtëm, por edhe i brendshëm, si për shembull boshti vllaho-ortodoks. Në vartësi nga përdoruesi, boshti mund të jetë i majtë ose i djathtë. Veçanërisht parapëlqehen boshtet ndërkombëtare: soroist, trampist, liberal, konservator.

Kur të sulmojnë me bosht është e pamundur të mbrohesh, me përjashtim të rasteve kur ke gati edhe ti boshtin e kundërt. Atëherë kemi kryqëzim boshtesh dhe beteja mund të shkojë pa fund, por gjithmonë përfundon me barazim.

Kur përdor boshtin si argument nuk ke nevojë as të dish shumë, as të mendohesh shumë, dhe as të kërkosh shumë. Mjafton të mbash mend emrin e boshtit. Boshti nuk është nga ato armët e ndërlikuara që duhet t’i kalibrosh mirë, apo t’i drejtosh si duhet. Nuk ka nevojë as të rrafshosh thepin me shqekëzën. Nuk të hyjnë në punë as fjalët e ndërlikuara, as konstruktet e vështira gramatikore, as drejtshkrimi, as shenjat e pikësimit. Mjafton ta kapësh boshtin, të mbyllësh sytë dhe ta lëshosh: islamofob, homofob, marksist, fashist, racist. Boshtin e përdorin me të njëjtin efekt edhe profesionistë të shquar, që kanë vite që mbushin faqe gazetash dhe botojnë libra, edhe amatorë enthuziastë që mezi njohin gërmat në tastierat e celularëve, edhe kushdo në mes të tyre që përton të mendojë. Nganjëherë mund të marrësh edhe boshtin e dikujt tjetër dhe t’ia përplasësh tjetrit në fytyrë. Ky quhet bosht-citim, ose citim-bosht, si të duash.

Nuk ka rëndësi forma. Rëndësi ka të dish që kur mbetesh keq dhe s’sheh tjetër rrugëdalje, gjuaji tjetrit me bosht. E ke të sigurt që do ta hedhësh pa frymë në tokë.