|
Amerikanët i kujtojnë dëshmorët e luftrave të tyre të hënën e fundit të muajit Maj. Tradita ka lidhje me Luftën Civile (1861-1865) dhe i kushtohet të vrarëve në të dy anët, Veri dhe Jugë, fitimtarë e të humbur. Janë të gjithë amerikanë dhe nderohen njëlloj. Data është caktuar paksa arbitrarisht, duke u bazuar në traditën e nderimit të varreve të të rënëve që filloi njëkohësisht me luftën.
Në Britani, Kanada, Australi dhe vendet e tjera të Komonuelthit të vrarët përkujtohen në 11 Nëntor, ditën e mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Atë ditë nderohen të rënët e të gjitha luftërave, përpara dhe pas saj. Tek ne si Ditë e Dëshmorëve përkujtohet Pesë Maji. Mbi 20 vjet pas rënies së komunizmit, zyrtarë të lartë dhe politikanë vazhdojnë traditën e filluar nga Enver Hoxha me vizita e veprimtari të tjera solemne, ndërkohë që shumica jonë e marrim këtë datë si të mirëqënë, pa e vrarë mendjen përse dhe nga kush është zgjedhur ajo, çfarë përfaqëson dhe a është e drejtë të vazhdohet të respektohet. Data u caktua nga Enver Hoxha për të përkujtuar vrasjen e Qemal Stafës, një ndër themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Do të ishte e pafrytshme të debatoje për vërtetësinë e varjanteve të shumtë të vrasjes (ose vetvrasjes) së Qemal Stafës dhe rolin e Enver Hoxhës në të. Prandaj është më mirë të mbështetemi vetëm te ato pika ku pajtohet pjesa dërrmuese. Për shembull, që Qemal Stafa është vrarë mëngjesin e 5 Majit 1942 duke u përpjekur të largohet nga një shtëpi në Tiranë ku kishte qëndruar një natë më parë dhe pasi dikush e kishte spiunuar. Ai ka qënë në ikje dhe, nëse plumbi e ka marrë në trup dhe e ka hedhur poshtë, apo e ka marrë në këmbë dhe ai pastaj ka vrarë veten, s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ai nuk është vrarë duke kryer heroizëm, por duke ikur. Edhe nëse e ka spiunuar Enver Hoxha apo dikush tjetër nuk ka ndonjë rol me peshë në caktimin e tij si kryehero. Nuk kanë peshë (të paktën në mbështetje të kësaj date) as motivet që e shtynë Enver Hoxhën ta caktonte ditën e vrasjes së Stafës si ditën më të rëndësishme për të përkujtuar të dëshmorët dhe heronjtë e kombit në të gjitha kohërat. Enver Hoxha kishte për borxh të mohonte gjithë historinë e Shqipërisë që të nxirrte mbi gjithçka luftën e komunistëve me atë vetë në krye. Por nëse bijen rrethanat e vrasjes dhe motivet për zgjedhjen e kësaj date, atëherë përse vazhdon të nderohet figura e Qemal Stafës? Mos vallë ai, si figurë historike e meriton këtë nder pavarësisht nga rrethanat e vrasjes dhe motivet e njerëzve që e zgjodhën për ta nderuar? Kur u vra, Qemali ishte komunist. Ai ishte anëtar i një partie e cila në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore u gjend në luftë të armatosur jo vetëm me pushtuesin, por (ose veçanërisht) edhe me parti të tjera shqiptare – Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Ishte gjithashtu një ndër themeluesit e një partie e cila dihet mirëfilli se u krijua (të paktën) nën kujdestarinë e dy të dërguarve të Partisë Komuniste Jugosllave, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Qemal Stafa nuk përfaqësonte dhe s’kishte se si përfaqësonte të gjithë popullin shqiptar në luftë. Ai përfaqësonte vetëm partinë e tij, vetëm Partinë Komuniste. Në këtë vështrim, pra duke marrë parasysh faktin që ai përfaqëson vetëm një parti politike dhe veprimtaria e tij lidhet ngushtë me këtë parti politike, zgjedhja e tij si figurë për të përfaqësuar të gjithë dëshmorët e kombit është e gabuar. Më e udhës do të ishte të nderohej një simbol që përfaqëson të gjithë dëshmorët, të gjithë heronjtë dhe, natyrisht, të gjithë popullin dhe jo eksponentin e një partie të zgjedhur në mënyrë arbitrare nga kjo parti, ose më saktë nga kreu i kësaj partie. Qemal Stafa mori pjesë në mbledhjen e themelimit të Partisë Komuniste në Nëntor 1941. Përpara kësaj date dhe pas saj, deri ditën kur u vra, nuk dihet të ketë pasur ndonjë veprimtari të veçantë në shërbim të atdheut. Dihet vetëm që është arrestuar dhe gjykuar një herë në Janar të vitit 1939 – një gjyq i propaganduar nga komunistët si diçka e jashtëzakonshme, veçanërisht me klishenë e stërpërsëritur që “ai u kthye nga i akuzuar në akuzues”. As historia e gjyqit dhe as skicat e tij letrare nuk përbëjnë bazë heroizmi dhe arsye për nderim të veçantë. Të kesh qënë kundër Zogut nuk përbën heroizëm kombëtar, siç nuk përbën heroizëm të qënit kundër Edi Ramës, apo Sali Berishës. Padyshim, sistemi i drejtësisë në kohën e Zogut bënte gabim të pafalshëm që burgoste një të ri për veprimtari dhe bindje politike, por kjo nuk e bën Qemal Stafën hero. Qemal Stafa doli nga burgu kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Pak muaj më vonë ai boton në gazetën “Fashizmi” (e Djelë, 1 Tetor 1939) shkrimin me mbresat e veta nga jeta e burgut të titulluar “Rreze Frëngjijash”. Nga shkrimi dhe nga organi që ka zgjedhur për ta botuar atë (gazeta “Fashizmi”) duket qartë se Qemal Stafa i sheh robëruesit e atdheut të tij dhe fashizmin në përgjithësi si shpëtimtarët e vet personalë, qëndrim ky që s’duket as heroik, as atdhetar. Natyrisht, fashizmi ia shperbleu mirënjohjen duke i dhënë të drejtën të studionte në Itali – fakt ky shpeshherë i anashkaluar nga hostorigrafia komuniste. A mund të shpallet Hero i Popullit dhe kryedëshmor pikërisht një njeri që e sheh pushtimin e vendit të vet nga fashistët si diçka pozitive, vetëm e vetëm se ai i shërbeu interesit të tij vetjak? A mund të shpallet hero një njeri që mundohet të përfitojë nga pushtuesit? Fakti që dy vjet më vonë Qemal Stafa filloi veprimtarinë kundër Italianëve i renditur në rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, nuk i jep atij ndonjë meritë të veçantë. Ky fakt i jep më tepër meritë tezës historike që në vitin 1941 Moska (e cila deri Qershorit të atij viti nuk kishte lëvizur as gishtin kundër fashizmit) ndihej nën presionin e agresionit Gjerman kundër saj dhe po përpiqej të organizonte sa më shumë qëndresë kundër koalicionit Berlin-Romë. Në këto përpjekje përfshihet, padyshim, edhe krijimi i PKSHsë në Nëntor 1941, si edhe veprimtaria e Qemal Stafës brenda saj. Pra, me vetëdije apo jo, Qemal Stafa ka kaluar nga miratues i fashizmit, në një veprimtar (aktiv ose jo) i lëvizjes komuniste ndërkombëtare, orkestruar nga Moska nëpërmjet Beogradit. Vështirë të gjesh në veprimtarinë e Qemal Stafës tipare të heroizmit dhe sakrificës për atdheun që ta cilësojnë atë jo vetëm dëshmor, por edhe Dëshmor të Dëshmorëve, në atë shkallë saqë vdekja e tij të përcaktojë datën e përkujtimit të të gjithë të rënëve për atdhe. Caktimi i ditës së vrasjes së Qemal Stafës si Dita e Dëshmorëve tingëllon pavend dhe nënvlerësim edhe ndaj atyre që e meritojnë një nder të tillë. Ata janë të shumtë, por unë do të veçoja Mujo Ulqinakun, i cili bashkë me Abaz Kupin dhe heronjtë e tjerë që luftuan përkrah tij, sakrifikoi dhe u vra heroikisht në 7 Prill 1939 duke i bërë qëndresë pushtimit italian. Mujo Ulqinaku është ndër figurat më pak të vlerësuara në historinë e Shqipërisë - në një kohë kur ai është hero me përmasa të jashtëzakonshme. Nuk besoj se ka heroizëm më të madh, shenjë më të qartë atdhedashurie dhe vetëmohimi se sa të dalësh me një grusht njerëzish dhe të përpiqesh t’i tregosh një prej ushtrive më të mëdha të kohës se je kundër pushtimit. Mujo Ulqinaku ishte oficer i marinës shqiptare dhe e dinte mirë se çfarë fuqie po sfidonte duke u vënë përballë marinës ushtarake italiane. Megjithatë, ai as u tremb dhe as u tërhoq, por qëndroi si burrat. Për orë të tëra një nga fuqitë më të mëdha të kohës mbeti e gozhduar, pa mundur të bënte përpara, aq sa më vonë ushtarakë të lartë Italianë do të deklaronin se, jo e gjithë ushtria shqiptare sikur të kishte rezistuar, por edhe një repart zjarrfikësish të kishin qënë, do ta kishin rrezikuar seriozisht pushtimin. Shembulli heroik i Mujo Ulqinakut i nevojitet popullit dhe, veçanërisht ushtrisë sonë. Që nga krijimi i shtetit shqiptar, forcat e shtetërore ushtarake shqiptare nuk kanë shfrytëzuar edhe aq shumë raste për të justifikuar ekzistencën e tyre dhe pjesën e buxhetit që kanë thithur nga shteti dhe populli në kohë paqe. Përkundrazi, në shumë raste, kur iu është dashur të tregojnë forcë dhe trimëri, ata kanë parapëlqyer të tërhiqen, të dezertojnë. Jo vetëm Prilli i vitit 1939 që e pa ushtrinë shqiptare të shpërndarë, por edhe më vonë, nënshtrimi i plotë i të gjithë klasës së ushtarakëve ndaj klikës së Enver Hoxhës, bindja si delet për të hequr gradat dhe çdo gjë tjetër që iu kërkonte diktatori të hiqnin në vitet 1970të; dezertimi i turpshëm në 1997tën dhe lënia e depove të armëve dhe armatimeve në dorë të banditëve dhe rrugaçëve, të gjithë këto raste flasin për mungesë frymëzimi dhe atdhedashurie në rradhët e ushtrisë shqiptare. Heroizmi i Mujo Ulqinakut do të ishte vërtet një shtytje për moralin e ushtrisë dhe të gjithë shqiptarëve. Ndoshta më mirë se në 5 Maj, do të ishte që Ditën e Dëshmorëve ta përkujtonim në 7 Prill – ditën kur u vra një hero i vërtetë, një dëshmor i vërtetë, një njeri me vlera të veçanta. S’ka dyshim që mund të ketë edhe heronj të tjerë që përfaqësojnë gjithë kombin. Mujo Ulqinaku nuk i përkiste dhe nuk i përket asnjë partie. Ai shërbente në Ushtrinë Shqiptare dhe luftoi edhe pasi mbreti u largua nga vendi. Ai luftoi kundër pushtuesit dhe u sakrifikua për popullin e tij – as për komunizmin, as për Bashkimin Sovjetik, as për Moskën, as për Beogradin, as për Londrën, as për Athinën. Ai është hero i vërtetë, i pastër shqiptar që ra në betejë si hero në një datë historike që është e dhimbshme për të gjithë ne. (Shënim: Shkrimi është botuar fillimisht te Mapo në 5 Maj 2014.) |
10 Porosite nga George Carlin
Saturday, May 5, 2018
Pse Pesë Maji?
Wednesday, April 18, 2018
Ekzorcizëm me cellular
(Bijtë e shqipes në pararojë të shkencës së shekullit 21)
Sipas Reuters këtë javë në Romë po zhvillohet ku
rsi një-javor i
ekzorcistëve. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë ekzorcist: përfaqësues i
fesë që mendohet se ka aftësi të largojë djallin ose shpirtin e keq nga trupi i
dikujt. Për ata që nuk e dijnë që kjo praktikë ekziston ende në shekullin e 21të:
po, ekziston dhe sponsorizohet edhe nga Vatikani.
Kursin e organizuar në Romë e ndjekin kryesisht priftërinj katolikë
që do të dëgjojnë leksione që varjojnë nga magjia në Afrikë, deri te ndryshimi
midis syrit të keq dhe sëmundjeve mendore. Natyrisht, kursi përmban edhe udhëzime
të hollësishme për mënyrën e largimit të shpirtit të keq.
Sipas Reuters, nteres të veçantë në ditët e para ka ngjallur
Kardinali shqiptar Ernest Simoni me një leksion mbi largimin e shpirtit të keq
përmes telefonit celular.
‘Më marrin në telefon dhe flasim. E bëjmë nëpërmjet celularit,’
sqaron për Reuters-in Kardinali 89 vjeçar shqiptar, duke shpjeguar se si ua
lexon përmes telefonit lutjet Latinisht viktimave që i ka mbërthyer shpirti i
keq.
Nuk jepen shifra të sakta, por Kisha Katolike thotë se numri i
atyre që iu ka hyre dreqi në bark ka ardhur duke u shtuar.
‘Vitet e fundit është shtuar numri i ritualeve ekzorciste, gjë që
shpjegohet me shtimin e kërkesave për t’i kryer ato,’ thotë Profesor Xhuzepe
Ferrari, organizator i “Kursit të Ekzorcismit dhe të Lutjeve të Çlirimit”.
Ndihmës Ekzorcistë
Në kurs do të ligjërojnë jo vetëm ekzorcistë të licensuar, por
edhe teologë, psikologë, mjekë, kriminologë dhe historianë të kishës. Në fund, studentëve
pjesmarrës, mes të cilëve ka edhe gra, do t’iu jepet nga një certifikatë,
megjithëse kjo, sipas Profesor Ferrarit, nuk iu jep atyre automatikisht të
drejtën që të dëbojnë shpirtrat e këqinj. Ekzorcizmin mund ta kryejnë vetëm
priftërinjtë, pasi të kenë marrë leje me shkrim ose certifikatë nga peshkopi. Të
tjerët janë thjesht Ndihmës Ekzorcistë.
Kardinali shqiptar Simoni ka sqaruar se ekzorcizmi do të kryhet
vetëm pasi mjekët të mos jenë në gjendje të shpjegojnë se çfarë po ndodh me
njeriun që mendohet se është ngërthyer nga shpirtrat e këqinj.
“Ka shumë rëndësi që të jemi të kujdesshëm,” thotë ai, duke
theksuar se ai e shihte veten thjesht si një instrument i një fuqije më të lartë.
Nuk mund të mbyllet ky lajm i gëzuar pa vargjet e famshme:
Rreth e rrotull kish marrë nam
Dor’ e hoxhës tul e dhjam
Se shëronte fëmijë e
pleq
Nga lugati e syni i keq
Ky i sotmi nuk është hoxhë, po prift…
Lajmi është marrë nga Reuters:
https://www.reuters.com/article/us-religion-exorcism/exorcism-by-cellphone-beating-the-devil-in-the-21st-century-idUSKBN1HN1WK
Monday, April 2, 2018
Jo A po Si
Nuk jemi
vendi i parë i botës që ndërtojmë autostrada. Ndoshta jemi nga të fundit.
Prandaj edhe nuk kemi as përse të shpikim, as përse të rrihemi për mënyrat si
financohet mirëmbajtja e tyre.
Autostradat
dhe të gjithë rrugët në përgjithësi, kanë nevojë për mirëmbajtje të
vazhdueshme. Veçanërisht në zonat e ftohta, ku ndryshimet midis temperaturave
shkaktojnë tkurrje dhe lëshim maksimal të materjalit të ndërtimit të tyre, mirëmbajtja
është edhe më e shpeshtë, edhe më e kushtueshme. Kur themi se kanë nevojë për
mirëmbajtje, nënkuptojmë se kanë nevojë për para, për mjete financiare të
vazhdueshme, vjetore.
Pyetja ku
nxirren këto para ka vetëm një përgjigje: nga populli. Nga njerëzit që
jetojnë në vend. Kësaj përgjigje nuk ke sesi t’i shmangesh. Pra, nuk mund të
diskutohet. Ngado që ta vërtitësh, sido që ta kthesh, paratë do t’i paguajë
populli.
E vetmja gjë që mund të diskutohet nuk është A do t’i paguajë, por Si do t’i paguajë populli këto para. Ka
dy mënyra për pagesën e tyre:
1.
Paguan gjithë populli nëpërmjet taksave.
2.
Paguajnë vetëm përdoruesit, përmes faturimit.
Një parantezë e vogël: Kur ky problem merr karakter politik,
zakonisht janë partitë e krahut të majtë ato që mbrojnë idenë se mirëmbajtjet e
rrugëve duhet të paguhen nga taksapaguesi, ndërsa partitë e djathta ato që përkrahin
sistemin e faturimit të përdoruesve, shpesh herë edhe duke i privatizuar rrugët.
Por, në Shqipëri si për gjithçka tjetër, edhe kjo ndarje është kokëposhtë.
Koncepti i shtetit, për një pjesë të madhe të popullsisë së
vendit është ende i paqartë, megjithëse kanë kaluar 27 vjet nga rënia e
komunizmit që e shkaktoi paqartësinë. Shteti nuk prodhon para, nuk i nxjerr
mjetet financiare nga ajri. Shteti vepron me anë të taksave që iu mbledh
taksapaguesve. Për këto taksa, për mënyrën se si i përdor ato, shteti duhet të
jetë transparent dhe i hapur me taksapaguesit, pasi paratë, në fund të fundit,
janë të tyre, jo të shtetit. Tek ne
shtetarët parapëlqejnë të mos jenë të hapur, pas kanë qef të abuzojnë.
Rrugën e Kombit e ndërtoi shteti shqiptar. Nuk e ndërtoi as
Pandeli Majko me socialistët, as Sali Berisha me demokratët. Pandeli Majko
propagandoi idenë, qeveria e Berishës mori nismën. Paratë për ndërtimin i pagoi
populli shqiptar.
Tani puna nuk qëndron kush do të paguajë për mirëmbajtjen -
demokratët apo socialistët. Sepse përgjigja dihet, do të vazhdojë të paguajë populli.
Pyetja është: do të paguajë vetëm populli që e shfrytëzon rrugën, apo të gjithë?
Pyetja nuk duhet të jetë A do t’i mbledhë paratë Rama apo do t’i mbledhë Basha,
por si do mblidhen paratë. Edhe Basha kur të vijë në pushtet do të jetë i
detyruar ta mirëmbajë Rrugën e Kombit dhe të gjejë fonde për këtë punë – pra t’ia
marrë popullit ato.
Se si do mblidhen paratë është pyetje delikate dhe shumë e rëndësishme,
prandaj ata që marrin përsipër t’i japin përgjigje, marrin edhe një përgjegjësi
të madhe mbi vete – përgjegjësi politike dhe sociale. Madje, siç po duket, edhe historike. Mënyra se
si po veprojnë socialistët për t’i dhënë drejtim kësaj çështjeje është fare e papërgjegjshme.
Ata thjesht marrin një vendim dhe e deklarojnë, pa pyetur për mendimin dhe
ndjenjat e njerëzve që kanë të drejtë të vendosin – ata që paguajnë, populli. Pasojë
e kësaj arrogance janë edhe ato që po ndodhin në Kukës këto ditë.
Normalisht,
mënyra si do të financohej mirëmbajtja e rrugëve kombëtare duhet të ishte një
nga pikat e rëndësishme të fushatës zgjedhore që kaloi. Atë duhet ta kishin
ngritur edhe politikanët, edhe zgjedhësit. Fakti që gjatë fushatës nuk u kujtua
asnjeri të pyeste s’do të thotë që socialistët kanë mandat për të bërë si t’iu
dojë qefi dhe të vendosin pa marrë parasysh dëshirën e njerëzve. Përkundrazi, ata
duhet të shkojnë te populli dhe t’i kërkojnë atij ta japë mendimin e vet përmes
votës. Të shtrojnë pyetjen e thjeshtë: doni që mirëmbajtjen e rrugës ta paguani
përmes taksave, apo doni që ta paguani me faturim përdoruesi? Për këtë, ata
duhet të bëjnë edhe një punë sqaruese – sa para kërkohen për mirëmbajtjen e
rrugës? Sa përqind do t’i rritet taksa shqiptarëve nëse do t’i paguajnë ato
para përmes taksave? Sa mendohet të jetë tarifa e përdorimit, nëse vendoset që
të paguhet me këtë formë.
Lereni
popullin ta vendosë me votë. Në këtë mënyrë nuk ka asnjë arsye përse njerëzit të
acarohen dhe t’i vërsulen dhe të shkatërrojnë objekte, të cilat po me paratë e
tyre do të rindërtohen.
Friday, March 30, 2018
Sqarim për një postim
Është zhgënjyese
kur shkruan diçka me ironi dhe të tjerët ta marrin seriozisht. Sepse kupton që
përtacia intelektuale arrin shkallë që nuk i parashkon dot. Megjithëse ti përpiqesh
të shkruash shkurt që të mos iu lodhësh kokën njerëzve, ka shumë që as e marrin
mundimin të përpunojnë atë që lexojnë. Nuk e kam fjalën për ata që nuk më
lexojnë fare – kushdo ka të drejtë të mos ia hedh sytë statuseve apo shkrimeve
të mia. As për ata që lexojnë dhe nuk pëlqejnë. E kam fjalën për ata që të
lexojnë, të bëjnë ‘like’, madje të shkruajnë edhe komente, dhe as që marrin mundimin
të kuptojnë çke shkruar.
E hapja një
nga postimet e fundit në fb me fjalinë ‘Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat ata
të LGTB’ sepse shpresoja të merrej vesh që në fillim se po ironizoja idenë që
LGTB mund të rekrutojë. Aq pa kulturë dhe të paditur jemi sa të pranojmë që
dikush mund të rekrutohet, të bindet me fjalë për t’u kthyer në gay apo
lesbian?!
Të qënit ‘gay’
nuk është parapëlqim ideologjik. Nuk është as modë, siç e ironizoj në fjalinë e
tretë të statusit (Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e
pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë). Është thjesht një gjendje
biologjike që i bije për hise një përqindjeje të caktuar të njerëzve por edhe specieve
të tjera. Ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në çdo epokë, në çdo
regjim, në çdo kulturë, pavarësisht nëse është luftuar me ligje, nganjëherë
edhe shumë të ashpra, apo është parë me tolerancë nga shoqëria. Është provuar shkencërisht
që një individ që lind ‘gay’ nuk mund të kthehet në heteroseksual. Siç është e
vërtetë edhe e kundërta – dikush që lind heteroseksual, nuk mund të kthehet në ‘gay’,
sado propagandë dhe punë rekrutuese t’i bësh. Siç është e vërtetë që ka edhe
njerëz ‘bi-seksualë‘, domethënë që mund të bëjnë seks edhe me burra edhe me gra
(gërma B në LGTB).
Të qënit ‘gay’
nuk është sëmundje që të mund të kurohet me ilaçe apo kemoterapi. Në fjalinë e
dytë të statusit tim shkruhej : ‘Deri tani frika ishte se mos
homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme
– domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë
jo homoseksual, e kthejnë në të tillë.’ Qëllimisht kam lënë jashtë
logjikën në pjesën e dytë të fjalisë. Dy baballarë homoseksuale nuk mund të kenë
fëmijë me njëri-tjetrin. Ata mund të
adoptojnë, por fëmija i adoptuar nuk mund të jetë kurrsesi fëmija gjenetik i dy
etërve homoseksualë. Nuk ka asnjë logjikë të thuash që homoseksualiteti është i
trashëgueshëm gjenetikisht.
Në fjalinë e fundit të
statusit shkruaja: ‘Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me
ideologji dhe partishmëri.’ Kjo fjali shpreh formën më të pastër të
budallallëkut, siç edhe shpreh formën më të shëmtuar të tifozllëkut të verbër
partiak. Nuk ka idiotësi më të madhe se të mendosh që t’i përqasesh çështjes së
homoseksualitetit me partishmëri dhe ideologji. Nëse ndokush nga miqtë e mij në
facebook mendon që këtë unë rresht
mund ta shkruaj seriozisht, atëherë i këshilloj që të më heqë nga lista, pasi
nuk e meritoj. Nëse nuk e kuptojnë që po shkruaj me ironi, ndoshta jam unë që
duhet t’i heq. I vetmi justifikim që mund t’iu jap në këtë rast është se përtojnë
të lexojnë, iu hedhin një sy të përciptë rreshtave përmes ekraneve mikroskopikë
të celularëve dhe pastaj bëjnë ‘like’ apo komentojnë si ua pret mendja.
Shënim: Postimi i plotë
- Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat e gjimnazeve ata të LGTB. Deri tani frika
ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e
trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të
adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë. Pastaj u mendua se mos
ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë. Tani
po del që qënka ideologji, dhe LGTB është parti politike me objektiva të
përcaktuara qartë - ta kthejë popullin shqiptar në homoseksual (larg-qoftë).
Për këtë kanë vënë në përdorim gjithë pasurinë e Xhorxh Sorosit, i cili ka për
strategji shkatërrimin e botës me anë të skalioneve të homoseksualëve
shqiptarë, dhe diplomacinë e shthurrur eoro-amerikane. Tani që e kuptuam
ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri.
Monday, March 26, 2018
Dashuri qorrazi
Vendi nuk bëhet duke
mbështetur qorrazi një grup politikanësh për t'iu vërsulur një grupi tjetër
politikanësh. Vendi bëhet duke qënë të vëmendshëm për të mos lënë asnjë
politikan të bëjë pisllëqe dhe abuzojë ligjin në kurriz të njerëzve që jetojnë
aty.
Çdonjëri prej nesh duhet
të shohë ç’bëhet, qoftë edhe me dëshirën për të ndihmuar krahun që mbështet. Edhe
tifozët e futbollit kur analizojnë ekipin e vet mendojnë se qendërmbrojtësin
nuk e kanë shumë të mirë, se mesfusha duhet të bëjë nja dy ndërrime dhe se kur
nuk jep rezultat duhet hequr edhe trajneri.
Para dy javësh revista
amerikane Mother Jones botoi një
artikull të gjatë në të cilin shkruhej se veprimtaria lobiste në Shtetet e
Bashkuara e një agjenti përfaqësues të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim
Basha financohej nga burime ruse.
Mother Jones është e njohur për shkrimet hetimore. Gazetari hetimore, që
fatkeqsisht ne në Shqipëri nuk e kemi të zhvilluar, do të thotë që një
gazetari, ose një ekipi iu jepen mjete financiare dhe kohë për të hetuar thellësisht
një temë të caktuar. Hetimi kërkon mbledhje faktesh, vërtetim të tyre dhe sigurim
provash bindëse, pasi temat janë delikate dhe përbëjnë subjekte gjyqesh e dënimesh
që mund të shkatërrojnë reputacionin dhe ekonominë e revistës. Botimet me emër e
marrin seriozisht këtë punë. Natyrisht, ka pasur raste kur edhe mediat më të
njohura kanë gabuar dhe kanë kaluar hetime të paverifikuara e të pavërteta, por
këto numërohen me gishta.
Revista si Mother Jones, trajtojnë tema që i
interesojnë lexuesve amerikanë, tema të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore
në SHBA, si edhe tema ndërkombëtare, kur në to përfshihen aktorë të rëndësishëm
të arenës politike dhe ekonomike botërore. Ato nuk ka aspak të ngjarë të shpenzojnë
dollarë dhe kohë për t’u marrë me hetimin e veprimtarisë së kryetarit të partisë
që aspiron të marrë pushtetin në një vend të vockël të Ballkanit Perëndimor. Nuk
ka asnjë pikë interesi në asnjë përqindje të përfillshme të lexuesve të Mother Jones për të lexuar ç’bëhet në pika
të vogla dhe për ta pa rëndësi të globit. Pra, Mother Jones as që mund të përfytyrohet të hedhë ndonjë kacidhe për
t’u marrë me një temë nga Shqipëria, e aq më tepër t’i shtojë kësaj edhe
rrezikun e humbjes së emrit të mirë dhe të milionave dollarëve në gjyqe duke gënjyer
apo duke përhapur ‘fake news’ për Lul Bashën.
Kjo është situata që
duhet ta marrë parasysh çdokush kur vihet të lexojë artikullin e Mother Jones. Duhet të dijë edhe që
porositja e artikujve të tillë nga miliarderi Xhorxh Soros është po ashtu jashtë
çdo lloj logjike. Edhe vetë Sorosi nuk do të kishte përse t’i shpenzonte paratë
e veta në një mënyrë aq pak të efektshme për t’i bërë dëm kryetarit të opozitës
shqiptare.
Këto të bëjnë të
mendosh se ato që përshkruhen në atë artikull janë të besueshme. Për ata që përtojnë
të lexojnë origjinalin historia është pak a shumë e tillë: Lulëzim Basha pajton
agjentin amerikan Nik Muzin që të kryejë veprimtari në mbështetje të PDsë në SHBA.
Muzin, ish punonjës i fushatës elektorale të Presidentit Trump regjistrohet
pranë Departamentit të Drejtësisë si lobist i PDsë, procedurë kjo e rregullt
dhe normale në Washington. Në fund të Marsit 2017 Muzin përgatit vizitën e Bashës
në Amerikë dhe i organizon takime, ndër të cilat edhe ftesën në një darkë donatorësh
organizuar nga Guvernatori Republikan i Miluokit, Skot Walker me të ftuar nderi
Presidentin Trump. Këtu, po të paguaje 20,000 dollarë mund të dilje në
fotografi me Trumpin. Basha doli në fotografi me Trumpin, megjithëse nuk iu është
përgjigjur pyetjeve të Mother Jones
se si ka paguar për këtë foto.
Basha nuk përgjigjet,
por agjentët që punojnë në Uashington për qeveri apo parti jashtë Amerikës janë
të detyruar t’i deklarojnë të ardhurat si edhe të përshkruajnë veprimtarinë që
kanë kryer. Prej tyre rezulton se gjatë tre muajve që ka punuar për PD-në Nik
Muzin ka marrë 675000 dollarë. Gjithashtu rezulton që paratë janë paguar jo
vetëm nga Basha dhe PD, por edhe nga një burim tjetër, nga kompania Biniatta
Trade, me bazë në Edinburg të Skocisë. Biniatta Trade është një kompani fantazëm,
që drejtohet nga individë rusë me para që vijnë nga Rusia. Ajo ka nënshkruar
edhe një kontratë tjetër me Muzin për t’i paguar atij tre këste nga 150 mijë
dollarë dhe një shumë prej 500 mijë dollarë për të ndihmuar veprimtaritë në
dobi të Shqipërisë.
E ndërsa lexuesit
amerikan të Mother Jones kjo aferë i
intereson vetëm përsa i përket lidhjeve të dyshimta të një ish-punonjësi të
fushatës së Trumpit me burime financiare ruse, lexuesin shqiptar duhet ta shqetësojë pyetja se ku i gjen Basha
qindar-mijëra dollarë për të mbështetur lobizmin pro PD në SHBA? Nëse lexuesi është
anëtar apo simpatizant i PDsë, ai do të dojë të dijë a e ka Lulzim Basha mbështetjen
e bazës së partisë për shpenzimin e këtyre dollarëve, apo ka vepruar në kokë të
vet, si edhe të llogarisë sa i efektshëm ka qënë ky shpërdorim parash nga ana e
Bashës që i humbi zgjedhjet. Për të gjithë lexuesit shqiptarë, mbështetës apo
jo të PDsë, duhet të bëhet e qartë cilat janë lidhjet e Bashës me Biniatta
Trade dhe përse është e gatëshme një kompani ruse të financojë veprimtaritë e
PD-së, duke përfshirë edhe çfarë i kanë kërkuar rusët Bashës si shkëmbim për
paratë e dhëna. Ndërsa populli i varfër shqiptar, populli më i varfër në Europë,
fare mirë mund të pyesë nëse është ekonomikisht e pranueshme që një parti
politike shqiptare të shpenzojë shuma të tilla për veprimtari që ndodhin
dhjetra-mijëra kilometra larg.
Por në vend që të
shtrojnë këto pyetje, anëtarë dhe simpatizantë të PDsë kanë hyrë në garë për të
na mbushur mendjen se ka ardhur koha që Shqipëria t’i rikthehet dashurisë së
dikurshme për rusët.
Natyrisht, partitë
individët, partitë politike dhe vetë shtetet kanë të drejtë t’i ndërrojnë
prioritetet e marrëdhënieve të tyre politike, të rishikojnë e të ripërcaktojnë
marrëdhëniet me të tjerët përreth. PD ka të drejtë të kthehet e të rishikojë qëndrimin
që mban ajo ndaj Rusisë dhe të kërkojë krijimin e marrëdhënieve normale me atë
vend. Por a pasqyron ndërrimi i papritur i qëndrimit ndaj Rusisë vendime të
marra në interes të elektoratit të PDsë, në interes të Shqipërisë - pra një qëndrim
të menduar mirë gjeopolitikisht dhe të përcaktuar qartë nga strukturat përkatëse
të PDsë - apo është thjesht mënyra për të justifikuar veprimtarinë e fshehtë dhe
ligjërisht të dyshimtë ekonomike të kreut të saj?
Për partitë politike
dhe politikanë marrëveshjet e fshehta, të pista dhe të ndyra nuk janë diçka e
padëgjuar. Ato bëhen në kurriz të interesave të votuesve, në kurriz të
interesave të përkrahësve politikë të të dyja krahëve, në kurriz të interesave
të popullit në përgjithësi; bëhen që të përfitojnë politikanët. As turmat e
pozicionuara prapa partive, as grupet e entuziastëve të verbër që janë gati të
gëlltisin dhe të pranojnë gjithçka që iu servirin liderët partiakë nuk janë të
padëgjuara. Ato i gjen kudo. Por vendet me demokraci të zhvilluar kanë edhe një
shtresë njerëzish të arsyeshëm, të qetë dhe të ndërgjegjshëm, të arsimuar dhe
të edukuar, që mbi interesin e partisë dhe të kreut venë interesin vendit, ose
të paktën interesin e vetes dhe të familjeve të tyre. Këta janë ata janë në
gjendje dhe duhet t’i gjykojnë objektivisht politikanët. Këta janë ata që e ndryshojnë
votën e tyre. Këta janë pjesa likuide
e elektoratit, pjesa që mendon dhe s’ta jep votën po s’e binde. Sa më e madhe
dhe e ndërgjegjshme të jetë kjo shtresë, aq më patundshme është demokracia.
Në Shqipëri kjo shtresë
është jo vetëm e pakët në numër por, ajo që është më shqetësuese, edhe tepër
indiferente – nuk i qaset kutive të votimit. Përdersa ajo të vazhdojë të qëndrojë
indiferente, fatet e vendit do t’i kenë në dorë dy grupime politike me shumë
probleme. Nëse bëhen aktivë, këta kanë fuqi t’ua tundin votat para turinjve
politikanëve dhe të ushtrojnë presion mbi ta, t’iu kërkojnë t’i mbajnë vithet
drejt e të mos shkelin ligjet e normat, t’i mbajnë vazhdimisht përpara përgjegjësisë.
Në të kundërt, nëse politikanët janë të bindur se, çfarëdo që të bëjnë do të
kenë mbështetjen e pakushtëzuar të turmave të eksituara të tifozerisë, atëherë
korrupsioni do vazhdojë të lulëzojë i pafrenuar.
Në fund të fundit, fajin
për korrupsionin nuk e kanë të gjithin politikanët. Fajin e kanë edhe ata që
rreshtohen qorrazi pas tyre dhe që i brohorasin si heronj edhe kur ata
korruptohen.
Sunday, February 18, 2018
Facebook Boulevard
Shëtitja në Facebook
Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i
përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq
për një kafe ke
nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të
mësosh dhe të përcjellësh përvojë.
Në Facebook Boulevard
gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për
politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe
të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin,
artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.
Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda
normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe
respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e
vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të
thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të
gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur
sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.
Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk
e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon
ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi
i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra
se si është ndërtuar Facebook nuk
ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti
ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit.
Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin
të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të
ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të
shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për
një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht
quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet
nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre
nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe
as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz
ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë
mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku
gjetkë.
Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në
Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin
makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon,
brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të
pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do
të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata
shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë
konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga
makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.
Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm.
Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur,
për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:
1.
A - Sa e
bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – Vërtet
të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si
bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.
C – Unë
pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët,
diçka moderne….
2.
A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar
pamjen gjithë lagjes.
B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je
gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë
në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e
kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.
C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët
shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu
sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…
Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një
kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund
të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet
biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.
Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet
kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është
debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa
e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.
Unë kam qef të ngacmoj
në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta,
veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të
gërricem me aksioma të pranuara masivisht
si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë
argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të
njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në
qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është
i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për
to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse
të kursehen.
Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të
ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.
1.
Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia
thoje po ta kishe përballë.
2.
Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen
kursyer.
3.
Nuk kursehen as figurat politike, publike,
historike (imagjinare apo reale).
4.
Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme
personale.
5.
Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është
forcë karakteri, jo dobësi.
6.
Mbaje
mendjen e hapur për ta ndryshuar.
7.
Çdo
gjë e shkruar është e diskutueshme.
8.
Mos
diskuto me citime, por me argumenta.
9.
Të
gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.
Në pjesën e
tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të
shtjelloj më hollësisht disa prej tyre.
Friday, February 9, 2018
Facebook Boulevard
(Pjesa e Parë)
Çdo ditë, më së shumti disa herë në ditë,
unë bëj shëtitjen e zakonshme virtuale në Facebook
Boulevard. Është si ato xhirot e dikurshme në shëtitoret e qyteteve, ku
dilje për të parë dhe për t’u përshëndetur me të njohur. Ndryshimi është që sot
shëtitjet bëhen pa lëvizur vendit, pra janë më shumë të dëmshme, se sa të dobishme
për gjymtyrët. E vetmja dobi që kërkoj prej saj është t’i bëj të paktën pak
gjimnastikë trurit.
As miqtë e mij në Facebook Boulevard nuk lëvizin fizikisht. Ata presin të gjithë aty,
gjithkush në kjoskën e vet. Facebook Boulevard funksionon nëpërmjet kjoskave
– disa janë shitore, disa janë ekspozita, të tjera janë kënde agjitacioni e
propagande ose skena interpretimi.
Në Facebook
Boulevard unë hyj përmes kjoskës sime. Nëse kam ndonjë ide në kokë apo
ndonjë shkrim gate, i jap dorën e fundit, ngre qepenat e kjoskës dhe e ve në
vitrinë. Me këtë dua t’i them miqve të mij që jam këtu, po iu ra rruga dhe keni
kohë, jeni të mirëpritur të shkëmbejmë ndonje fjalë me njëri-tjetrin. Ose qoftë
edhe një përshëndetje të lehtë nga larg, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’.
Pastaj vazhdoj shëtitjen. Facebook Boulevard është ekonomik. Ai të
jep mundësi të kalosh vetëm nëpërmjet kjoskave të hapura. Nëqoftëse dikush nuk
e hap kjoskën, nuk ve asgjë në vitrinë, ti s’ke përse shpenzon energjitë për të
kaluar përpara saj. Energjitë të duhen për të tjera gjëra, si për shembull për
të kaluar përpara kjoskave që s’paraqesin asnjë lloj interesi për ty.
Eci dhe shikoj me interes se kush ka dalë për
shëtitje, kush e ka hapur kjoskën e me kë mund të përshëndetem. Ja, një miku im
si gjithmonë, ka vënë një thënie të shkurtër të mençur – vetëm një fjali. E
lexoj dhe buzëqesh me vete. I jap një përshëndetje, që në gjuhën e Facebook
Boulevardit quhet ‘like’. Ose, nëqoftëse më vjen ndonjë gjë e këndëshme në
mend, diçka që shkon logjikisht me atë që është thënë, ose që vazhdon në të njëjtin
damar humori, ndalem dhe e shkruaj. Ndalesa të tilla bëhen shpesh shkak për
biseda më të gjata, për ato që unë i quaj ‘kafè
virtuale’.
Te kjoska tjetër dikush ka vënë një
fotografi të vetën me mbesën. Të kënaqet shpirti ta shikosh. I jap një përshëndetje
në formë ‘like’. Nëse është njeri i afërt, ‘like’ e kthej në ‘zemër’.
Pastaj kaloj në rresht, njëra-pas tjetrës,
dy-tre kjoska politikdashësish. Këta janë zakonisht tepër të prerë dhe aspak
tolerantë dhe unë përpiqem të eci me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur.
Kjoskat e politikdashësve janë të mbushura me portrete kryetarësh partish, të
cilët pronarët e kjoskave i adhurojnë. Në këto kjoska do të gjesh më shpesh se
kudo shenja vandalizmi – ndërhyrje nga pronarët e kjoskave kundërshtare - një
bojë e hedhur gjithë mllef mbi portretin e udhëheqësit; shkarravitje grafiti
mbi qepenat e kjoskës dhe, jo rrallë, baltë e të pëgëra që hidhen mbi vetë
pronarin e kjoskës. Prandaj edhe këtë të fundit do ta gjesh përherë të gatshëm
të të përgjigjet me nervozizëm, pa pranuar asnjë mendim të ndryshëm. Kjoskat e
politikdashësve lyhen me blu ose të kuqe, me të bardhë ose të zezë. Ngjyra të
tjera nuk pranohen.
Ja edhe kjoska e një mikut tim piktor. Aty
të shlodhet syri. Portrete, peizashe, origjinale dhe të piktorëve të tjerë. E përshëndes
gjithmonë, por nuk i ndalem më për të pirë kafe. Ndoshta e kam gabim, por jam i
bindur që pavarësisht se është piktor i mirë, nuk e meriton t’i bësh koment.
Para nja tre vjetësh, kur sapo u bëmë miq virtualë - kemi qënë dikur miq realë
dhe unë u gëzova që u rilidha me të në Facebook
Boulevard – unë ndalesha shpesh te kjoska e tij dhe lija komentet e mia,
vlerësimet për pikturat e tij. Ashtu si dikur, kur ishim miq të vërtetë dhe
pinim ndonjë kafe te Lidhja e Shkrimtarëve. Por ai asnjëherë nuk përgjigjet.
Thjesht bën një ‘like’ për komentin tim, sa për të thënë që e ka lexuar, por
nuk merr mundimin të më ftojë për kafe, domethënë për të shkëmbyer dy fjalë. Gjithashtu
më ka rënë në sy se ai nuk kalon kurrë përpara kjoskës sime. Ose kalon dhe nuk
ia hedh sytë. Ose kalon, i hedh sytë, por nuk i bënte asgjë përshtypje. Me një
fjalë, nuk merr kurrë mundimin të përshëndeste. Është ndër ata miq që del në Facebook Boulevard vetëm për të marrë
vlerësime, vetëm për të demonstruar, jo për të komunikuar me njeri. Ka respekt
të veçantë për veten, por nuk tregon asnjë shenjë respekti për të tjerët.
Shumë nga ne janë të zënë dhe s’kanë shumë
kohë për ta kaluar në Facebook Boulevard.
Unë e kuptoj këtë. Edhe vetë përpiqem t’i bëj shëtitjet sa më të shkurtra, pasi
jeta ka shumë gjëra të tjera veç bulevardit virtual. Kur bëj shëtitjen e mëngjesit,
në ato pesë ose dhjetë minuta përpara se të nisem për punë, kohën e kam tepër të
kufizuar. Kaloj përpara kjoskave miqve të mij prozatorë që vënë në vitrinë
tregime dhe, megjithëse dua me gjithë shpirt t’i lexoj, jo gjithmonë mundem. E njëjta
gjë ndodh edhe me ata që shkruajnë shkrime relativisht të gjata (si ky që po
shkruaj unë). I lexoj vetëm kur kam kohë dhe shumë prej tyre më shpëtojnë pa lexuar.
Sidoqoftë, diçka ia kam detyruar vetes: ‘Nuk bëj kurrë ‘like’ pa e lexuar tregimin apo shkrimin dhe pa e pëlqyer atë.” Nëqoftëse
unë të përshëndes, të përshëndes se vlerësoj atë që ke ekspozuar. Nëse nuk më pëlqen,
unë bëj sikur s’e shoh ose ndalem dhe nuk përtoj ta them mendimin tim (Për këtë
do shkruaj më gjatë në pjesën e dytë).
Kur shëtis në Facebook Boulevard kam ndjesinë se pronarët e bulevardit – Zukerbergu
me shokë - më vënë gjithmonë dikë që më ndjek nga pas. Unë nuk i kam parë, por
e ndjej praninë e tyre virtuale. Ata ndjekin dhe marrin shënim të gjitha lëvizjet
e mia – në cilat kjoska ndaloj, me cilët njerëz përshëndetem, çfarë pëlqej dhe
çfarë nuk pëlqej. Këta spiunë të Facebook
Boulevardit janë të bezdisshëm, sepse i fusin hundët aty ku s’iu takon. Po
të venë re se jam ndalur dy-tre herë në të njëjtën kjoskë (gjë që unë mund ta kem
bërë pa e pasur mendjen dhe pa ndonjë arsye të veçantë), ata përpiqen të ma nxjerrin
atë kjoskë sa më shpesh përpara në shëtitjen time virtuale. Nëqoftese e kaloj
një kjoskë pa e përshëndetur, të nesërmen ma sfumojnë, ose ma vënë aq larg në
bulevard, saqë shpesh herë nuk kam mundësi ta shoh. Ky zell i tyre për ‘të më
dhënë mua ç’më haet’, ka bërë që shpesh herë të shkëputem për një kohë të gjatë
nga miq të cilët do të desha t’i takoja më shpesh.
Ky është përfytyrimi im për Facebook
Boulevard. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të përpiqem të shpjegoj se ç’më
tërheq më shumë mua në këtë ritual shëtitjesh dhe pse sillem ashtu siç sillem
kur jam atje.
Subscribe to:
Posts (Atom)





