That night when Mother died, my heart was shattered to a thousand pieces and it gave me pain so unbearable that cannot be compared to anything else.
10 Porosite nga George Carlin
Sunday, November 8, 2020
That night when Mother died
Thursday, October 22, 2020
Përballë Përbindëshave 2
Arben Kallamata
Pjesa e dytë: Dopamine
(Shënim
hyrës: Kjo është pjesa e dytë e serisë së shkrimeve që kam përgatitur për marrëdhëniet
tona me teknologjinë moderne, posaçërisht me gjigandët e teknologjisë që i kemi
çdo ditë përpara syve – Internetin, Google, Facebook, Twitter, YouTube,
Snapchat, Netfix, etj. Idetë e shprehura në këto shkrime nuk janë origjinale. Unë
jam përpjekur të përmbledh, përshtas në shqip dhe organizoj mendime që ka kohë
që i shqetësojnë njerëzit. Për ata që nuk e kanë lexuar pjesën e parë, do t’i
rekomandoja që ta bënin këtë.)
Që
të arrijnë të njohin mënyrën se si vepron mendja e secilit prej nesh kompanitë
IT kanë nevojë për ndihmën tonë, për pjesmarrjen tonë në lojën e tyre. Ata nuk
dërgojnë pyetësorë për të matur parapëlqimet tona. Përkundrazi, ata e studiojnë
mendjen e secilit prej nesh përmes mënyrës se si sillemi ne kur përdorim mallin
e tyre – kërkimin në Google, Facebook, videot e YouTube. Gjithçka që ne
klikojmë iu jep kompjuterave të tyre një të dhënë më shumë për mënyrën se si
operon mendja e secilit prej nesh. Sa më shumë klikojmë, aq më shumë gjëra
mësojnë ata rreth nesh.
Tristan
Harris shpjegon se lufta midis kompanive të tekut sot është e përqëndruar te
tërheqja e vëmendjes së përdoruesve, domethënë, sa kohë kalojmë ne në një
mjedis të caktuar. Shuma e përgjithshme vëmendjes së njerëzve nuk është një
madhësi e pakufizuar. Ajo mund të përfytyrohet si një masë e caktuar, gjigande
vërtet, por gjithsesi që i ka kufijtë e saj. Pikërisht për ndarjen e këtij
malli që është vëmendja jonë, për tërheqjen e një thele sa më të majme nga kjo
masë konkurrojnë sot të gjithë, bizneset, shoqatat, politikanët, lojrat, arti,
gjithcka. Por mbi të gjitha, konkurrojnë kompanitë IT që kanë në dorë ta
analizojnë dhe ndikojnë vëmendjen tonë.
Le
të sjellim një shembull. YouTube kërkon të tërheqë sa më shumë vëmendjen e
njerëzve duke i mbajtur ata të lidhur sa më gjatë të fiksuar te videot e veta.
Për ta arritur këtë ata shpikin një marifet të vogël: pas çdo videoje që ti
sheh, ata jo vetëm të rekomandojnë disa të tjera, por edhe fillojnë të luajmë
automatikisht një tjetër. Pa e kuptuar, njerëzit gjejnë veten të ngujuar për
orë të tëra duke parë video në YouTube.
Me
ta parë këtë marifet, Facebook nuk mund të mbetej prapa. Një ditë prej ditësh
ne vumë re që videot e postuara në Facebook filluan të hapen vetë, pa qënë
nevoja t’i klikoje. Ti duhet të klikosh për t’i ndaluar, jo për t’i nisur. Natyrisht, pakkush nga ne e vrau mendjen ta analizonte
përse ndodhte kjo.
Të njëjtën gjë bën edhe Netflix. Ti shikon një episod
të një seriali televiziv dhe, pa e mbaruar ende mirë atë, ata fillojnë të të
çfaqin automatikisht tjetrin. Asgjë nuk është rastësore. Gjithçka është e
llogaritur. Të gjithë janë në gare kush e kush të na mbajë sa më gjatë lidhur
pas aparateve dhe në faqet e tyre.
Dikush mund të thotë se edhe televizionet apo gazetat
dikur kërkonin të njëjtën gjë, pra mënyrën se si t’i mbanin shikuesit apo
lexuesit të lidhur. Por ato nuk kishin salla kontrolli që studionin
shkencërisht se si ta tërhiqnin dhe ta drejtonin vëmendjen e njerëzve. Nuk
kishin njerëz që të studionin emocionet njerëzore dhe t’i shfrytëzonin ato për
t’i mbërthyer njerëzit sa më gjatë pranë pajisjeve elektronike.
Ne lexojmë diçka në Facebook dhe ndihemi të revoltuar.
Revoltimi për secilin nga ne është emocion negativ. Jo për
Zuckerbergun. Për të është emocion që na detyron ne ta bëjmë ‘share’ postimin
në fjalë, t’i themi të tjerëve: lexojeni edhe juve këtë që më ngjalli mua
emocion. Në këtë rast ndjesia e revoltës punon për llogari të Facebookut. Nëse
unë, ose ti, do të kishim mundësi të zgjidhnim për të lexuar ose diçka që na
shkakton revoltë, ose diçka që nuk na bën asnjë përshtypje, ne me siguri që do
të zgjidhnim të parën. Është në natyrën njerëzore. Këtë e dijnë shumë mirë ata
që janë në sallën e kontrollit dhe që kanë në dorë të na ushqejnë atë që duan
të na ushqejnë.
Po
për çfarë dobësish bëhet fjalë? Njerëzit në përgjithësi kanë një nevojë të
brendëshme për të qënë pjesë e diçkaje, një shtytje të brendëshme për status
shoqëror. Prandaj edhe truri i njeriut e trajton çdo informacion për vetveten
si formë shpërblimi. Sistemi i vlerave që kemi në tru aktivizohet sa herë që
sjellja jonë shpërblehet me gjëra të prekshme, si para, apo ushqim. Por ai
aktivizohet edhe kur merr informacion që na prek egon, informacion të cilit i
jepet përgjithësisht përparësi.
(Këtu
mbaron pjesa e dytë. Në vazhdim do të shohim se si na ‘ushqejnë‘ me informacion
të gabuar, me informacion të shtrembëruar e të gënjeshtërt, duke na futur
brenda vathëve, grazhdeve, apo kullotave sipas interesit të përbindëshve të tekut.)
Sunday, October 18, 2020
Përballë Përbindëshave 1
Arben Kallamata
Pjesa
e parë: Mish për top
Në
një sallë të madhe kontrolli ngarkuar me kompjutera të fuqishëm punojnë të
përqëndruar mbi njëqind specialistë të ITsë dhe psikologjisë. Ata studiojnë dhe
përpunojnë mendjet e miliarda njerëzve, duke analizuar deri në detaje prirjet
dhe dëshirat e secilit prej tyre dhe duke i drejtuar mendimet andej nga duan
ata.
Duket
si skenë e marrë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, por në fakt është
realitet. Prej vitesh salla të tilla kontrolli janë pjesë e trurit të
gjigandëve të teknologjisë si Google, Facebook, YouTube, Snapchat, etj. Studimi
dhe përpunimi i mendimit të miliarda njerëzve nuk kryhen thjesht për kurreshtje
shkencore. Ato janë pjesë e modelit të biznesit, mënyrës se si kompanitë
teknologjike i fitojnë triliardat e dollarëve.
Një
prej specialistëve që ka punuar si eticist projektues për Google pikërisht në
një nga këto salla është Tristian Harris. Deri para pak kohësh ai kujdesej për
ruajtjen e normave të etikës në procesin e përpunimit dhe drejtimit të mendimit
të njerëzve për qëllime fitimprurëse. Duke e kuptuar se ishte e pamundur të
realizohej një gjë e tillë, pasi etika njerëzore binte ndesh me interesat e
punëdhënësit të tij, ai u tërhoq dhe tani, me biseda, artikuj, dhe podcaste përpiqet
t’iu shpjegojë sa më shumë njerëzve mënyrën se si funksionojnë gjigandët e
teknologjisë dhe rrugët më të efektshme për t’i detyruar ata t’i respektojnë
vërtet normat e etikës.
Përmes
celularëve, tabletëve dhe kompjuterave ne i përdorim shërbimet falas të
kompanive teknologjike pa e vrarë mendjen të dijmë se si kanë arritur ato të
bëhen organizmat më të pasura të planetit. Ne e përfytyrojmë veten si klientë tyre,
si përdorues legjitimë të shërbimit që ata ofrojnë, duke harruar se kur
shërbimi të jepet falas nuk mund të quhesh klient. Ne nuk e fusim dorën në xhep
kur kërkojmë të dhëna në Google; nuk paguajmë abonim mujor apo vjetor për t’u
lidhur me miqtë në Facebook, apo për të dëgjuar muzikë dhe parë video në
YouTube. Nga dalin fitimet?!
“Reklamat,”
do të thotë dikush, ata i nxjerrin fitimet nga reklamat. Po si? Cili është
malli që na shitet ne me aq shumicë saqë gjigandët e teknologjisë arrijnë të
nxjerrin fitime të papërfytyrueshme? Si arrijnë reklamat të shkojnë aty ku
duhet në një masë kaq të madhe përdoruesish?
Modeli
i biznesit të kompanive të mëdha IT është origjinal dhe fitimprurës pikërisht
ngaqë nuk ndjek rrugën tradicionale – unë publikoj reklama për përdoruesit në
tërësi, dhe reklamuesit e mallrave më japin mua para. Përballë miliarda
përdoruesve të internetit, reklamuesit kanë nevojë për ndarje të audiencës, për
seleksionim, në mënyrë që ata ta drejtojnë reklamën e tyre pikërisht te
njerëzit që kanë potencialin për të blerë mall, përndryshe reklama nuk ka efekt.
Ata kërkojnë grupime sipas interesave dhe piketim sa më të saktë të objektit të
reklamave të tyre.
Pikërisht
këtë punë marrin përsipër të bëjnë gjigandët e teknologjisë. Ato iu japin
reklamuesve grupime njerëzish sipas interesave të reklamuesve, audiencë me
potencialin më të lartë blerës. Ata iu japin atyre të dhëna nga më të
detajuarat për secilin prej nesh. Për këtë ata përdorin inteligjencën
artificiale të superkompjuterave që, përmes algoritmave janë në gjendje jo vetëm
të analizojnë të dhëna pa fund për një numër të pakufizuar përdoruesish, por
edhe të ndikojnë në këndvështrimin e njerëzve.
Në
marrëdhëniet midis reklamuesve dhe gjigandëve të teknologjisë (Facebook,
Google, Twitter, etj.) ne, përdoruesit nuk jemi klientët. Ne jemi malli. Jemi
malli që kompanitë IT i shesin kompanive të reklamave. Malli që shitet është thjesht
mendja jonë. Gjigandët e Tekut i bëjnë fitimet duke iu shitur mendjet tona atyre
që reklamojnë mallra. Nga pikëpamja e tyre ne jemi thjesht mish për top.
Kur
ne përdorim me orë të tëra në ditë Facebook, Youtube, Google, Twitter,
Snapchat, kompjuterat regjistrojnë dhe mësojnë për ne shumë më tepër se sa
dijmë ne për veten tonë. Ata i kanë të gjitha të dhënat për të analizuar çfarë
na pëlqen dhe çfarë nuk na pëlqen ne; çfarë e tërheq vëmendjen tonë, dhe çfarë
na kalon shkarazi, pa i kushtuar rëndësi. Ata njohin parapëlqimet tona për
ngjyrat, për muzikën, për artin, për artistët, për filmat, për veshjet, për
ushqimin dhe për pijet, për vendet ku duam të pushojmë, për mënyrën se si duam
ta dekorojmë banesën, për problemet sociale, për fenë dhe, sidomos edhe, për
politikën.
(Këtu
mbaron pjesa e parë. Në pjesën e dytë do të shohim se si
kompanitë e mëdha teknologjike arrijnë të ndikojnë në zgjedhjet dhe parapëlqimet
tona, si arrijnë të na detyrojnë të bëjmë atë që duan ata.)
Friday, August 28, 2020
Fakte Alternative dhe e Djathta Alternative
Fakte alternative (përkthimi shqip: të vërteta ndryshe) është një shprehje që tashmë ka hyrë në fjalorin e përditshëm politik në Shtetet e Bashkuara. Ajo është përdorur për herë të parë në 22 Janar 2017 nga Këshilltarja e Presidentit Amerikan Kellyanne Conway gjatë një interviste për emisionin “Takim me Shtypin” (Meet the Press) të rrjetit televiziv NBC. Gjatë intervistës, gazetari i njohur Chuck Todd i kërkoi Conway-t të shpjegonte se si mund t’i lejohej Sekretarit të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer të gënjente haptazi në takimin me gazetarët për gjëra që ishin lehtë të verifikueshme. Një Sekretar Shtypi nuk mund të dalë kundër fakteve. Conway u përgjegj duke thënë që Spenseri nuk kishte gënjyer. Thjesht kishte dhënë ‘fakte alternative’. Chuck Todd e kundërshtoi aty për aty: ‘Dëgjo, faktet alternative nuk janë fakte. Ato janë thjesht gënjeshtra.” Conway nuk u përgjigj.
Përdorimi i
shprehjes “fakte alternative” për të mbuluar gënjeshtra që mund të kundërshtohen
fare lehtë me fakte u prit me humor nga media në Shtetet e Bashkuara. Gazetarë
prestigjozë si Dan Rather dhe Jill Abramson e cilësuan shprehjen tipike
orwelliane, duke e lidhur veçanërisht me termin ‘doublethink’ (dymendim). Me
interes është fakti që pas këtij cilësimi, shitja e “1984” të Orwellit u rrit
95 herë brenda katër ditëve, duke e ngjitur atë në krye të listës së librave më
të blerë në Amazon.com.
Më pas
Conway u përpoq ta përkufizonte ‘fakte alternative’ si ‘fakte shtesë dhe
informacion alternativ.’
E Djathta Alternative, Alternative Right ose shkurt Alt-Right është një lëvizje jo shumë e përqëndruar e të djathtës ekstreme të nacionalistëve të bardhë amerikanë. Në grupet që e quajnë veten pjesë të alt-right hyjnë nacionalistët e bardhë, supremacistët e bardhë, separatistët e bardhë, populistët e djathtë, racistët, anti-komunistët, anti-zionistët, anti-imigrantët, mohuesit e holokaustit, ksenofobët, anti-semitët, anti-feministët, homofobët dhe islamofobët. Lëvizja është kryesisht dukuri interneti që e ka origjinën në fillim të viteve 2010 në SHBA por që është përhapur edhe në vende të tjerë të botës.
![]() |
Termi
Alt-Right është përdorur për herë të parë nga i vetëquajturi filosof paleokonservativ
Paul Gottfried në 2008 në fjalimin e titulluar “Rënia dhe ngritja e të Djathtës
Alternative”. Shprehja u përvetësua
shpejt nga Richard Spencer, President i Institutit të Politikës Kombëtare dhe
themelues i lëvizjes E Djathta Alternative. Spencer, Neo-Nazisti më i njohur
amerikan e pa termin më se të përshtatshëm për të maskuar fytyrën e vërtetë të
organizatës që ai drejton dhe për ta bërë më tërheqëse për të rekrutuar anëtarë
të rinj.
Ndër të tjera Richard
Spenser kërkon kthimin e Bashkimit Europian në një perandori të bardhë raciste
dhe krijimin e një shteti etnikisht të bardhë në Amerikën e Veriut. Atij i është ndaluar hyrja në shumë
vende të Europës. Spencer njihet edhe për mbështetjen ndaj dhunës kundër
gjithkujt që s’është i bardhë. Ai ka dalë haptaz në mbrojtje të skllavërimit të
haitianëve nga të bardhët, pastrimit etnik të minoriteteve raciale nga Shtetet
e Bashkuara, si edhe pastrimin etnik të turqve nga Anadoll.
Një ndër burimet
informative të lëvizjes Alt-Right është portali Beritbart News. Richard Spenser
e ka quajtur Breitbart ‘porta e madhe drejt ideve dhe shkrimtarëve të Alt-Right’.
Breitbart është krijesë e konservatorit Andrew Breitbart në vitin 2005, që pas
vdekjes së tij në 2012 ra në duart e Steve Banon i cili i dha një drejtim më
agresiv nga e djathta ekstreme. Vetë Bannon e ka quajtur Breitbart ‘platformë për
alt-right’ (2016, intervistë për Mother Jones).
Të dhënat janë marrë
nga Wikipedia.
Friday, July 17, 2020
Milionerë të të gjitha vendeve, bashkohuni!
“Kur u
njoha me parimet ideologjike të marksizmit që qëndrojnë në bazë të programit të
Partisë BLM nuk mund t’i bëja dot ballë tundimit për të dhënë sa më parë edhe unë
ndihmesën time,’ shpjegon futbollisti francez i Manchester United Paul Pogba, që
ndihet i pakënaqur me rrogën e tij mizerabël prej 313,000 dollarë amerikanë ose
274,000 euro në javë. “Përse të mos paguhemi të gjithë futbollistët njëlloj?’,
pyet ai i revoltuar duke pasur parasysh rrogat maramendëse të lojtarëve të tjerë
në ligat e Ballkanit perëndimor. Thursday, July 16, 2020
Të gjithë vandalët një fytyrë kanë
Vetëm në
Romë numërohen me dhjetra objekte të qytetërimit të lashtë romak që janë përvetësuar
dhe përshtatur për t’i shërbyer krishterimit. Ndër to Curia Iulia, Selia e
Senatit Romak u kthye në kishë të krishterë në shekullin e shtatë; Bazilika e
Shën Pjetrit që është edhe sot e kësaj dite katedralja e Vatikanit ngrihet mbi
një nekropol romak; Panteoni i famshëm ka shërbyer për një kohë të gjatë si
Santa Maria Rotonda, Banjat e Dioklecianit u kthyen në Santa Maria degli Angeli
e dei Martiri dhe San Bernardo alle Terme; ndërsa Koliseumin e shohim sot çerek
të rrënuar vetëm se të krishterët i hiqnin gurët për t’i përdorur si materjal
ndërtimi në kishat e ndryshme të Romës. Shnderrimi
i tempujve, faltoreve dhe objekteve të tjera në kisha e katedrale shtrihet në
të gjithë botën dhe përfshin shkatërrime pafund. Katedralja Metropolitane e
qytetit të Meksikos ngrihet mbi një tempull Aztek, ndërsa kisha Nuestra Senora
de los Remedios është ndërtuar mbi Piramidën e Madhe të Cholulas. Saturday, July 11, 2020
Kapini se na vodhën Akilin!
![]() |
| Shkollimi i Akilit - Eugene Delacroix, 1862 |
![]() |
| Thetis duke zhytur Akilin ne ujrat e Shkumbinit?! |






