Saturday, March 30, 2013




Çfarë i mban shqiptarët shqiptarë
Arben Kallamata

"Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj" (Nga Lahuta e Malcis, Gjergj Fishta)

Ndoqa me vëmendje bisedën e Kim Mehmetit në lidhje me promovimin e librit të tij të ri Shkupi, për të cilën është bërë aq zhurmë kohët e fundit. Biseda është shumë e mirë, shumë e qartë, shumë e argumentuar, deri sa arrin në minutën e 32të të saj, kur shkrimtari lëshon këto fjalë:
“Sepse duhet pranuar një gja, që nuk ka religjone destruktive por ka njerëz destruktivë që e përdorin religjonin si …Absolutisht, matematikisht mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thashë më parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht. Mund t’ia u dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i ke, katolikët shqiptarë nuk i ke në Shkup. I ke vetëm shqiptarët muslimanë.” (Transkriptimi im, AK)
Krejtësisht e pavërtetë, krejtësisht e gabuar. Ajo që të çuditi më tepër, ishte që këto fjalë bijen në kundërshtim me gjithçka që vetë Kim Mehmeti ka thënë deri në atë pikë të bisedës. Ai flet për shkrirjen masive të shqiptarëve katolikë (rreth 60 mijë, sipas bisedës), të cilët të detyruar nga shtypja kanë lëvizur për në Kroaci; flet për tretjen e një numri të madh shqiptarësh ortodoksë, të cilët duke u lidhur me kishën greke ishin shndëruar në grekë (gjë që e dimë të gjithë që ka ndodhur jo vetëm në Shkup por edhe gjetkë); flet edhe për firosjen e shqiptarëve muslimanë, sidomos pas ikjeve të shumta në Turqi. Kim Mehmeti duket se ka në kokë një tablo të qartë dhe të mirëinformuar për historinë e shqiptarëve të Shkupit, ose të historisë së Shkupit si qytet shqiptar. Megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë informacion, ai lëshoi deklaratën e mësipërme.
Pyetja është: A duhet anatemuar shkrimtari kështu siç po bëjmë këto kohët e fundit në media publike dhe shoqërore, apo duhet pranuar ajo që është e logjikshme dhe bindëse nga biseda e tij – ndoshta 95 përqind e atyre që thotë – duke kërkuar prej tij dhe kujtdo tjetër që ka dëshirë të marrë pjesë në këtë diskutim mundësinë e sqarimit, saktësimit, ose ndoshta ri-pozicionimit.
Mendoj se këtu nuk ka fare vend për urrejtje dhe shfryrje pasionante nacionaliste. Nëse një intelektual hedh një tezë të gabuar, përse të mos e marrim shtruar, ta diskutojmë dhe të shprehim mendimin në lidhje me të, ta analizojmë dhe kundërsthojmë mënyrë qytetare, pa qënë nevoja për etiketime dhe sharje.
Për mendimin tim, as muslimanizmi, as katolicizmi, as ortodoksia, as bektashizmi si fe nuk e kanë ndihmuar ndonjëherë çështjen kombëtare shqiptare. Dhe, meqë ra fjala, as paganizmi. Është më se e vërtetë që ka pasur klerikë patriotë të të katër feve, siç është po aq e vërtetë edhe që ka pasur klerikë anti-shqiptarë të të katër feve. Por s’mund të thuash se fetë në vetvete kanë ndihmuar në mbijetesën e shqiptarëve në komb. Të paktën unë s’di ndonjë rast të tillë. Përkundrazi, sa herë që kanë futur hundët në punët e politikës, gjë që nuk ka ndodhur rrallë, fetë në Shqipëri kanë përfaqësuar interesat e atyre që i kanë sjellë.
Vetëdijen shqiptare e ka ndihmuar vetëm aftësia e shqiptarëve për ta vënë përkatësinë etnike-kombëtare përmbi çdo vetëdije tjetër – sidomos përmbi vetëdijen fetare. Ose, për t’i parë këto të dyja, ashtu siç duhen parë - krejtësisht të ndara nga njëra tjetra. Këtë element e kanë kapur edhe rilindasit  dhe intelektualët më të shquar shqiptarë, jo vetëm Pashko Vasa me vargun e tij monumental “feja e shqiptarëve është shqiptaria”, por edhe Naim Frashëri, edhe Konica, edhe Fishta. Vargjet e Fishtës te Lahuta e Malcis e japin në mënyrën më të përmbledhur dhe artistike atë që i ka shpëtuar shqiptarët nga asimilimi:  "Edhe un frati tham t'vërtetën / me muslimanët e baj fli veten / Varrem n'krab; lidhem n'vargaj / E Shqipënin un' nuk e l’shoj".
Jo pa të drejtë në bisedën e tij Kim Mehmeti vë në dukje se vitet më shkatërruese për vetëdijen e shqiptarëve të Maqedonisë kanë qënë dhjetëvjeçarët e Jugosllavisë komuniste. Ai thekson se është ndjekur një politikë e menduar mirë anti-shqiptare ndërkohë që edhe shqiptarët e Maqedonisë kanë pjesën e tyre të fajit. Kjo është më se e vërtetë. Një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë kanë rënë në grackën jugosllavo-maqedonase të cytjes kah islamizmi, kah identifikimi me muslimanizmin. Për dyzetë vjet të Jugosllavisë, por edhe sot, autoritetet maqedonase i kanë shtyrë shqiptarët larg shkollave shqipe dhe drejt medreseve, larg librave laikë shqip dhe drejt librave fetarë shqip. Fatkeqsisht, shqiptarët atje janë treguar të paaftë për t’iu përgjigjur kësaj politike. Por kjo vërteton të kundërtën e asaj që thotë Kim Mehmeti në deklaratën që citova në krye të këtij shkrimi. Kjo tregon se muslimanizmi nuk ka qënë mburojë, por mbulojë e shqiptarisë. Ka qënë guri i rëndë i varrit që Maqedonasit e kanë ngritur me kujdes për të mbuluar vetëdijen etnike dhe kombëtare të shqiptarëve.

Friday, March 29, 2013

Turqia

500 vjet: Na la vjedhjen si profesion kombetar; na la pabesine si baze te karakterit; na la injorancen si institucion intelektual dhe genjeshtren si institucion moral; na la ndjenjen e provincialit; na la izolimin si instikt mbijetese; na ndau ne pese vilajete; na ndezi edhe me keq sherret me te gjithe fqinjet rreth e rrotull; perdhunshem na e shkaterroi ADN-ne; na mesoi t'i themi derrit daje...dhe tani na kerkojne te ndryshojme historine.

Wednesday, January 9, 2013

Përse nuk është Zoti ai që krijoi Gjithësinë



Nga Stiven Hoking dhe Leonard Mlodinow
Krijimi i botës ku jetojmë mund të shpjegohet bindshëm me anë të shkencës - nuk ka nevojë për perëndi.
Sipas mitologjisë Vikinge, eklipset ndodhin kur hëna ose dielli kapen nga dy ujq të quajtur Skoll dhe Hati. Sa fillonte eklipsi njerëzit mblidheshin dhe fillonin të bënin sa më shumë zhurma, me shpresë se do t'i trembnin ujqit. Natyrisht, me kalimin e kohës ata e panë se eklipset vazhdonin punën, pavarësisht nga kusitë që përplaseshin aty poshtë.
Duke mos ditur se si punojnë gjërat në natyrë, njerëzit e kohëve të lashta filluan të krijojnë mite të shumtë që s'ishin tjetër veçse përpjekje për t'i dhënë një farë kuptimi botës përreth. Më vonë ata iu kthyen filosofisë, domethënë përdorimit të arsyes -- me një dozë të mirë intuite -- si mjet për të deshifruar gjithësinë. Sot ne përdorim arsyen, matematikën dhe provat eksperimentale -- me fjalë të tjera, shkencën bashkëkohore.
Albert Ajnshtaini thoshte: "Gjëja më e pakuptueshme për gjithësinë është se ajo është e kuptueshme." Me këtë ai nënkuptonte që, në dallim nga një shtëpi e papastruar, gjithësia nuk është aspak  përzjerje sendesh që lëvizin secili në hesap të vet. Çdo gjë në gjithësi, pa asnjë përjashtim, ndjek ligjësi të caktuara.
Njutoni besonte se sistemi ynë djellor, që për çudi ishte i banuar, nuk "ka dalë nga rrëmuja përmes ligjeve të natyrës." Jo, ai thoshte se i gjithë rregulli i gjithësisë ishte "krijuar fillimisht nga Zoti dhe ruhej prej tij edhe sot e kësaj dite i pandryshuar." Zbulimi kohët e fundit i disa detajeve të hollësishme të shumë e shumë ligjeve të natyrës mund t'i bëjë disa njerëz t'i rikthehen mendimit se ky plan madhështor duhet të jetë patjetër vepër e një Planifikuesi madhështor. Megjithatë, zhvillimet e fundit në kozmologji arrijnë të shpjegojnë qartë se përse ligjet e gjithësisë duken si të prera me gërshërë për njerëzit, pa pasur nevojnë e një krijuesi bamirës.
Për krijimin e planimetrisë tokësore të përshtatshme për njerëzit janë ndërthurur një sërë ndodhish të pazakonshme, të cilat do të ishin vërtet shumë të pakuptueshme nëqoftëse sistemi ynë diellor do të ishte i vetmi në Gjithësi. Por ne sot njohim me qindra siteme të tjerë diellorë, ndërkohë që janë shumë të paktë ata që mund ta venë në dyshim se duhet të ketë pambarimisht të tjerë midis miliarda yjeve të galaksisë sonë. Planetet janë nga më të ndryshmit dhe s'ka dyshim se, nëqoftëse në një planet të caktuar që është i përshtatshëm për jetën do të kishte qënie të afta për ta shqyrtuar botën rreth tyre, ata do të arrinin në përfundimin se mjedisi përreth është në gjenjde t'i plotësojë kushtet e duhura për jetesën e tyre.
Pohimin e fundit mund ta kthesh lehtësisht në parim shkencor: Fakti që ne jemi përcakton kufijtë e tipareve të llojit të mjedisit rrethues. Për shembull, po të mos e dinim largësinë e Tokës nga Dielli, fakti që ka qenie si ne do të na lejonte të caktonim kufizime se sa e madhe apo sa e vogël do të duhej të ishte largësia midis Tokës dhe Diellit. Që të jetojmë, ne na duhet ujë i lëngshëm, dhe po të kishte qënë Toka më pranë Diellit, ky ujë do të kishte avulluar; po të ishte më larg, do të kishte ngrirë. Ky parim quhet parimi "i dobët" antropik.
Parimi i dobët antropik nuk është edhe aq i debatueshëm. Ndërkohë, është një trajtë e tij më e ashpër që shihet me përbuzje nga disa fizikanë. Parimi i fortë antropik nënkupton që fakti që ne jemi detyrimisht vë kufizime jo vetëm mbi mjedisin rreth nesh, por edhe në formën dhe përmbajtjen e vetë ligjeve të natyrës.
Një mendim i tillë është krijuar sepse nuk janë vetëm karakteristikat e veçanta të sistemit tonë diellor që duken të jenë çuditërisht të përshtatshme për zhvillimin e jetës së njeriut, por edhe karakteristikat e gjithë gjithësisë -- dhe ligjeve të saj. Ato duken se kanë një planifikim që duket sikur është prerë me gërshërë për të na mbështetur ne dhe, nëqoftëse do të vazhdojmë të jemi, le fare pak vend për ndryshime në të ardhmen. Kjo është shumë më e vështirë për t'u shpjeguar.
Historia se si gjithësia e hershme e përbërë nga hidrogjeni, heliumi dhe pak litium u zhvillua në një gjithësi që evoluoi në një gjithësi të aftë për të mbajtur të paktën një botë me formë jete të arsyeshme si jona është histori me shumë kapituj. Forcat e natyrës duhet të ishin të tilla që të bënin të mundur prodhimin e elementëve më të rëndë - veçanërisht karbont - nga elementët e hershëm, dhe jo vetëm kaq, por edhe që këta të ishin të qëndrueshme të paktën për disa miliarda vjet. Këta elementë të rëndë u formuan në furrra gjigande që ne i quajmë yje, prandaj këto forcave kishin detyrë që fillimisht të lejonin formimin e yjeve dhe të galaksive. Këto, nga ana tjetër, u krijuan nga farat e inhomegeneitieve të vegjël në gjithësinë e hershme.
Po edhe kjo nuk mjaftonte: Dinamizmi i yjeve duhej të ishte i tillë që disa prej tyre do të duhej t'iu vinte dita të shpërthenin pikërisht në mënyrë të tillë që të lejonte shpërndarjen në hapësirë të elementëve më të rëndë. Jo vetëm kaq, por ligjet e natyrës do të duhej të diktonin që këto mbeturina të rikondensoheshin në breza të rinj yjesh, tashmë të rrethuar nga planete që kishin në vetvete elementët e rëndë të porsa krijuar.
Po të shqyrtosh gjithësitë modele që gjenerojmë kur ndryshohen teoritë e fizikës në forma të caktuara, mund të arrish të studiosh në mënyrë metodike pasojat e ndryshimeve të ligjeve fizike. Përllogaritjet tregojnë se një ndryshim qoftë edhe 0.5 % në intensitetin e forcës nukleare intensive, ose 4% i forcës elektrike, do të shkatërrote ose pothuajse gjithë karbonin ose gjithë oksigjenin në të gjitha yjet dhe, në këtë mënyrë, edhe mundësinë e jetës kështu siç e njohim ne. Gjithashtu, pjesa më e mdhe e konstanteve themelore me të cilat merremi në teoritë tonë duken të përllogaritura shumë imët në kuptimin që, po t'i ndryshoje në një masë sado të vogël, gjithësia do të ishte cilësisht e ndryshme dhe, në shumë raste, e papërshtatshme për zhvillimin e jetës. Për shembull, po të kishin qënë protonet 0.2% më të rëndë, ato do të ishin kthyer në neutronë, duke destabilizuar gjithë atomet.
Duke pasur parasysh se që të zhvillohet jetës planetare i nevojiten disa qindra milion vjet në një orbitë të qëndrueshme, del se edhe numri i përmasave hapësinore është i përcaktuar nga qenia jonë. Kjo ndodh se, sipas ligjeve të gravitetit, orbitat e qëndrueshme eliptike janë të mundshme vetëm në tre përmasa. Në çdo përmasë tjetër veç këtyre të treve, edhe turbullimi më i vogël, si për shembull diçka e shkaktuar nga tërheqja e planeteve të tjerë, do ta dërgonte planetin përtej orbitës së vet rrethore, dhe do ta detyronte që të vërtitej në formë spilare ose tutje, ose në drejtim të diellit.
Dalja e strukturave të ndërlikuara të afta për të mbajtur vëzhgues të arsyeshëm duhet të jetë shumë e brishtë. Ligjet e natyrës krijojnë një sistem që është jashtëzakonisht i detajuar. Si duhet t'i kuptojmë këto përkime? Fati në formën e saktë dhe në natyrën e ligjeve bazë të fizikës është një lloj tjetër fati nga fati që gjejmë te faktorët mjedisorë. Ai na ngre pyetjen e natyrshme se përse është kështu siç është.  
Disa njerëz duan t'i përdorin këto përkime si dëshmi të punës së Zotit. Mendimi se gjithësia është krijuar që të rehatojë njerëzimin mund të gjendet në teologjitë dhe mitologjitë më të vjetra, që prej mijëra vjetësh. Në kulturën Perëndimore Testamenti i Vjetër përmban mendimin e një plani hyjnor, megjithëse pikpamja tradicionale e krishterë ka qënë jo pak e ndikuar nga Aristoteli, i cili besonte "te një botë inteligjente natyrore që funksionon sipas një plani të qëllimshëm."
Nuk është kjo përgjigja që jep shkenca moderne. Sipas të dhënave të fundit më të përparuara të kozmologjisë, ligjet e gravitetit dhe teoria kuantum japin mundësi për krijimin e gjithësisë në mënyrë spontane nga asgjëja. Krijimi spontan është arsyeja se përse ka diçka në vend të asgjësë, përse është gjithësia, përse jemi ne. Nuk është aspak e nevojshme të ftosh Zotin që të ndezë letrën e lakmusit blu dhe të verë gjithësinë në punë.
Gjithësia jonë duket se është një ndër shumë të tillë, secila me ligje të ndryshëm. Mendimi i shumëgjithësive nuk është aspak përfytyrim i shpikur për të shpjeguar mrekullinë e detajimit. Ai është një pasojë e parashikuar nga shumë teori të kosmologjisë moderne. Nëqoftëse është i vërtetë, ai është në gjendje ta kthejë parimin e fortë antropik në të dobët, duke e vënë detajimin e ligjeve fizike në të njëjtin rrafsh me faktorët mjedisorë, sepse kjo do të thotë që habitati ynë kozmik - he për hë e gjithë gjithësia e vëzhgueshme - s'është gjë tjetër veçse një ndër të shumtat.
Secila nga gjithësitë ka shumë histori të mundshme dhe shumë gjendje të mundshme. Vetëm disa pak prej tyre do të lejonin qenien e krijesave si ne. Në një farë mënyre, megjithëse jemi të brishtë dhe të parëndësishëm përballë përmasave të kozmosit, kjo na bën ne zotër të krijimit.
Stiven Hoking është profesor në Universitetin e Kembrixhit. Leonard Mlodinow është fizikant që jep mësim në Kaltek. Përshtatur nga "Plani i Madh" nga Stiven Hoking dhe Leonard Mlodinow, për t'u botuar nga Bantam Books në 7 Shtator.
Përktheu Arben Kallamata

Sunday, December 2, 2012

Gjyshi



Gjyshi im nuk ka qënë një nga ata që kanë firmosur Dokumentin e Pavarësisë. Gjyshi im nuk ka qënë nga ata që pritën Princ Vidin në Durrës. Gjyshi im nuk ishte ministër i qeverisë së Fan Nolit, Zogut, dhe as i ndonjë qeverie tjetër para dhe pas tij. As gjyshja ime nuk ka qënë ajo që qëndiste flamurin që do të ngrihej në Vlorë, Durrës, Elbasan, Shkodër, apo Tiranë. Gjyshrit e mij nuk kanë pasur toka, prona, lidhje të rëndësishme, për të qënë njerëz që ngrinin flamurë, firmosnin dokumentë, organizonin beteja të ashpra fitimtare. Gjyshrit dhe gjyshërit e mij kanë qënë thjesht disa shqiptarë të zakonshëm, besoj të ndershëm, që iu lanë bijve dhe bijave të tyre, domethënë edhe prindërve të mij trashëgim gjuhën shqipe dhe vetëdijen shqiptare. Prindërit e mij m'i përollën këto mua. A s'kam të drejtë edhe unë ta gëzoj 100 vjetorin e pavarësisë po aq sa nipi apo mbesa e Filan Bëmëmadhit, Fistek Beut, Firmëtar Nismëtarit, Themelues Bajraktarit, e gjithë këtyre superpatriotëve që po na mbysin gjithë këtë kohë? A është 100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë festë për të gjithë shqiptarët, apo vetëm për nipërit dhe mbesat e figurave te ndritura historike? Jo për gjë, po sikur po na troshitët trutë duke iu rënë papushim gjokseve nëpër televizorë, gazeta, faqe interneti dhe facebook-u.

Sipas bathëve



Kur të festohet 150 ose 200 vjetori i Pavarësisë njerëzit do jenë krejt ndryshe nga këta të sotmit - të paktën po aq ndryshe sa jemi ne nga njerëzit e 100 viteve më parë. Me sa duken bathët, edhe vlerat morale do kenë ndryshuar ca, ndërkohë që nuk ka asnjë shenjë që të na bindë se do të ndryshojnë për mirë. Prandaj, po të na duhet të parashikojmë ç'do të ndodhë aty rrotull 150 vjetorit të Pavarësisë, mund të nisemi themi me bindje se Facebook nuk do ekzistojë më - me siguri që do të jetë zëvendësuar me Assbook. Në Assbook do të gjesh statuse të tilla (të shoqëruara ose jo me video apo fotografi dhe video tri-dimensionale):
- Ky është gjyshi im që ka qënë Ministër në inicie të viteve 2000. Manipulonte tendera. Ka fituar aq shumë euro, saqë ka lënë për ne dhe për fëmijët tanë. Auguri Indipendencën!
- Daja. Një nga xhornalistët më brilante televizivë të tranzicionit. Kur inicuan televizionet private, u bë nga më të paguarit në Shqipëri. E dini ç'iu punonte njerëzve të korruptuar? Ua gjente pikën e dobët, i filmonte (zakonisht me ndonje zuskë) dhe pastaj iu kërkonte para per të mos e publikuar videon. Vuri pare me thes. Happy 150 Compleanon!
 - Kjo këtu, djathtas, me legen në dorë, është gjyshja ime patrimoniale. Ai bambinoja i vogël në krah është babai im. Ditën që është marrë fotoja ishte 100 aniversari i Indipendencës. E mbushën legenin me tortë dhe hëngrën gjithë fisi. Babai, kur u rrit, lavoravi në doganë.
- E shikoni këtë femrën kuazi nudo këtu? Eshtë sorrela e gjyshes. Për guston aktuale s'duket gjë, po në tempon e vet ka qënë seks bomba. Pioniere e operacioneve plastike për implantet e gjoksit. Sa ishte e re punoi si sekretare për pesë a gjashtë ministra. Pastaj, u matrimonua me një biznesmen dhe e la punën. U divorcua shpejt. Nuk pati fëmijë, por ama kur vdiq ishte mjaft e pasur. Na ka lënë gjithë ato para. Njerëz si ajo e kanë bërë Shqipërinë kjo që është sot.
- E shikoni këtë mashkullin këtu? Vëllai i gjyshit. Sa ishte ministër - nja dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet - mund të ketë ndërroi mbi tridhjetepesë sekretare. Gjashtë muaj maksimumi dhe hë - tjetra.
- Ja edhe gjyshi im. Politikan me nam. Në kohë të komunizmit ishte anëtar i Partisë së Punës. Pastaj u bë Social-demokrat. Më vonë kaloi me Aleancën Demokratike, me Ballin, me Republikanen, me Partinë e Mbretit, me Kristian Demokratët, me Aleancën Kuq e Zi, me aleancën Blu-Jeshil, me Aleancën...Nuk numërohet sa parti ka ndërruar. Gjashtë herë deputet. Mjeshtër i vërtetë. Gjyshi vuri themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
- Kjo është teze-madhja. I thomi "teze", pavarësisht nga brezat. Ja, kjo ishte ajo që i piu gjakun atij shikasit mu në mes të sheshit në Vlorë në 1997tën. Më vonë u bë deputete. Hajde fis, hajde! Na nderojnë të gjithë. Nipërit dhe mbesat e saj të gjithë ambasadorë e drejtorë drejtorie u bënë.
Ndërkohë, të gjitha statuset e Assbook-ut do të jenë të shoqëruara nga komente si:
- Uau! E papame!
- Të puç fort! Puç-puç!
- Të jeni krenar për gjyshin! I papam!
- Normal! I papam!......
Lum kush të rrojë, ta shohë Zonjë!