Thursday, August 27, 2015

Koalicioni i mjekrave të yndyrta

Para një muaji, diktatura islamike e Arabisë Saudite shpalli një ligj sipas të cilit të mos besosh te zoti është terrorizëm.  Domethënë, për një nga regjimet më të egra në botë, për një shtet që pret rregullisht duar dhe vret njerëz me gurë shesheve, për një shoqëri që e mban gjysmën e popullsisë të mbuluar me çarçaf dhe nuk lejon gratë të ngasin makina e të dalin jashtë shtëpive të pa shoqëruara, të mos besosh në zot është po aq e tmerrshme dhe shkakton po aq, ndoshta edhe më shumë terror sa të rrëmbesh avjona me njerëz dhe t’i përplasësh pas ndërtesave të larta; po aq sa të masakrosh gazetarët në mes të Parisit vetëm sepse kanë botuar karikatura; po aq sa të veshësh një jelek plasës dhe t’ia mbash vetes duke marrë më qafë me dhjetra burra, gra, pleq, e fëmijë përreth; po aq sa të rrëmbesh vajza nga shkollat dhe t’i kthesh ato në skllave; po aq sa të hedhësh bomba atomike apo të rrafshosh qytete me popullsi të pafajshme.
Fatmirësisht, bota e qytetëruar nuk shkon me logjikën e mbrapshtë mesjetare të hoxhallarëve mjekëroshë të Arabisë Saudite. Sepse po të shkonte unë do t’i kisha shkruar këto rreshta me pendë gjeli mbi një copë lëkure dhije, dhe jo në kompjuter. Vetë mjekrat dhe padronët e tyre nuk do të lundronin në florinj të fituar nga shitja e naftës, por do të vazhdonin të bënin tregëti bagëtish dhe skllevërish nga një oaz në tjetrin.
Me interes është të shohësh se si logjika e mjekroshëve të Arabisë Saudite gjen jehonë te mjekëroshë të tjerë, për shembull, te logjika e mjekëroshëve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Nuk dihet përse, por e zënë në një konflikt me shtetin shqiptar  në lidhje me emërtimin kishë apo monument kulture të ca gurëve në Dhërmi, organizata e Janullatosit ka shfrytëzuar rastin t’iu vërsulet atyre që s’besojnë te përralla e krijimit të mbinatyrshëm të universit. Mbi mbeturinat e gurëve të mbetur nga ajo që Edi Rama e shihte si quante “haur”, ndërsa janullatasit “kishë”, propagandistët e ortodoksë kanë ngritur në mënyrën melodramatike tabelën me fjalët “Ndal Terrorit Ateist!”.
Vetëm njerëz që janë mësuar gjithë jetën të gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë mund të flasin e të shkruajnë me një mungesë të tillë përgjegjësie ndaj të vërtetës. Së pari, në rrëzimin e objektit nuk bëhet fjalë fare për terror, por thjesht për prishjen e ca mureve për pronësinë e të cilave shteti shqiptar ka mendime të kundërta me Kishën Ortodokse të Janullatosit. Pra tabela fare mirë mund të shkruante : «Ndal prishjes së pronave të kishës.» Terror do të thotë veprim i dhunshëm, vrasje, për të shkaktuar frikë masive në mënyrë që të arrihet një synim i caktuar politik. Prishja nga shteti e një objekti që ai (shteti) e sheh si të vetin mund të jetë, më së shumti, veprim i paligjshëm i shtetit, por kurrsesi nuk mund të quhet terror.  
Së dyti, edhe sikur të ishte terror, nga e nxjerr Janullatosi me trimat e tij idenë që është kryer nga ateistët? Edi Rama, kryeministri që qëndron në anën tjetër të konfliktit dhe që duket se ka dhënë urdhërin për prishjen është vetëshpallur botërisht si Katolik. Përse nuk kërkojnë mjekëroshat e KOASH-it që të ndalojë “terrori katolik”, por ai ateist? Ose, me çfarë mandati i heq KOASH-i Edi Ramës të drejtën për të qënë katolik?
E vërteta është që ateizmi mbetet armiku më i frikshëm për kishën dhe për besimin në përgjithësi. Sulmet e diktaturës islamike të Arabisë Saudite dhe të KOASH-it të Janullatosit ndaj ateistëve kanë të përbashkët urrejtjen dhe frikën nga mendimi i lirë, nga ideja bazë e ateizmit – nuk ka zot. Po t’i heqësh zotin, diktaturës arabe i hiqet guri i themelit dhe shkërmoqet si kokrrat e rërës. Ndërsa Janullatosi dhe mjekëroshët e tjerë në Shqipëri mbeten pa punë - s’kanë për çfarë të mashtrojnë dhe në bazë të ç’gënjeshtre tjetër t’i pretendojnë pronat, paratë, privilegjet, pushtetin mbi njerëzit dhe gjithçka tjetër që iu mbush jetën e tyre parazitare.
Ateizmi për ta është i tmerrshëm, terror i vërtetë, pavarësisht se ateistët nuk veprojnë me armë por me fjalë, me shkrime, me shkencë dhe me forcën e logjikës. Prandaj edhe nuk lenë rast pa përdorur për të sulmuar ateistët duke u përpjekur t’i identifikojnë ata me gjithçka të keqe – me komunizmin, me fashizmin, me terrorizmin. Ateizmi, mosbesimi në zot është për ta mishërimi i armikut. Çdo gjë e keqe, çdo akt i papranueshëm ligjërisht e moralisht duhet identifikuar me ateizmin. Dhe, si në gjithçka tjetër që ka lidhje me fenë, edhe këtu, veçanërisht këtu, parimi i përsëritjes merr përparësi. Edhe gënjeshtrën më të madhe dhe më të papranueshme logjikisht, po e përsërite pafundësisht, do të vijë dita që do ta pranojnë.
Besimet për ekzistencën e një fuqije të mbinatyrshme që 6000 vjet më parë krijoji botën në qendër të universit, nxori Adamin nga balta dhe Evën nga brinja e tij; që përmes shpirtit të shenjtë la edhe shtatzënë edhe të virgjër Marien për të lindur djalin e vet që ishte njëkohësisht edhe vetja e vet edhe shpirti i shenjtë, e të tjera përralla si këto i përkasin një periudhe foshnjore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Sot, në shekullin 21, në kohën e përparimit të shkencës, ato janë po aq të vjetëruara sa edhe mjekrat e gjata të yndyrta, veshjet qesharake, ritualet boshe të atyre që i përhapin. Edhe si mjete sundimi atyre iu ka ikur koha, sepse mbahen vetëm mbi shpatullat e dhunës dhe injorancës. Aty ku janë në pushtet, njerëzit e fesë kanë regjimet më të ndyrë, më shtypës, më anti-demokratikë - Arabi Saudite, Iran. Aty ku s’janë në pushtet, kanë thjesht mashtrimin, si mjet të njerëzve të pamoralshëm për të siguruar mbijetesën.

Monday, June 22, 2015

Ana e keqe e poetit


Ky postim në faqen fb Faik Konica Public Figure ka marrë 4348 like dhe 573 share.

Nuk është hera e parë që i lexoj këto vargje të Fishtës dhe sinqerisht, sa herë më dalin para syve më vjen turp ato janë shkruar prej tij. Unë e pëlqej Fishtën, por këto vargje më duken gjëja më e ndyrë, më e ulët, më e pavlerë që ka shkruar. Ato janë formuluar me një gjuhë urrejtjeje - “mallkuar qoftë“, “iu thaftë goja” - krejtësisht të padenja për një klerik, ose për atë që pretendohet të jetë standarti i një kleriku. Pëlqimi i kësaj gjuhe të ashpër, intolerante nga 4348 vetë, shpërndarja e saj si diçka me vlerë nga 573 prej tyre, të ngjeth mishin.

Por edhe po ta pranosh ashpërsinë, egërsinë, brutalitetin e këtyre vargjeve si diçka normale për kohën kur është shkruar (kurrsesi për shekullin e 21të), përsëri logjika e “gjuhës së perëndisë“, e “gjuhës hyjnore” mbetet foshnjore dhe qesharake. Mbase s’kuptoj shumë nga poezia dhe e gjykoj ashpër të folurën figurative, por këto përrallat e gjuhës hyjnore dhe gjuhës së perëndisë që folka shqip janë përhapur aq keqazi saqë shpesh herë merren si të mirëqëna, jashtë figuracionit.

Dhe së fundi diçka më konkrete. Unë e dua gjuhën shqipe dhe e dua atë të pastër. Që kur jam larguar nga Shqipëria fëmijëve të mij iu kam folur shqip dhe ata flasin shqip. Por si unë, që na vitet 1990të e këtej janë larguar me dhjetra mijëra, me qindra mijëra shqiptarë. Shumë fëmijë të tyre e kanë humbur gjuhën. A s’është e turpshme, e pamoralshme, t’i mallkosh ata dhe fëmijët e tyre? A s’është çnjerëzore të mallkosh fëmijët e mij, dhe të kujtdo tjetër, nëqoftëse ata nuk ia lenë gjuhën fëmijëve të tyre? Çfarë kafshërie është kjo?! Çfarë mungese qytetarie dhe humanizmi është ky? Aq më tepër që midis atyre 4348 vetëve që e kishin bërë “like” gjen një shumicë që janë vetë, ose kanë njerëz të afërt në mërgim, fëmijët ose nipërit e tyre mund ta humbin fare mirë gjuhën shqipe.

Ne kemi prirjen të idealizojmë njerëzit – ose për mirë, ose për keq. Nëse pëlqejmë një poet, ta zemë Fishtën, do të themi që gjithçka që ka bërë e shkruar ai është e mirë, e “papame”. Por nuk është kështu. Edhe Fishta, edhe Konica, edhe Noli, edhe Naim Frashëri, edhe kushdo tjetër, kanë kusuret e tyre. Fishta iu servilos pushtuesve fashistë, ndërsa Noli dhe Konica herë shanin dhe here i puthnin të prapmen Ahmet Zogut, sipas rastit, duke treguar një mungesë karakteri të pashembullt.  Ata duhen parë më me gjakftohtësi dhe me sy më kritik e jo të na ekzaltojnë me çdogjë që kanë shkruar e kanë bërë.

Merrni, citoni gjëra me vlerë, dhe lerini në harresë ose trajtojini siç duhen trajtuar budallëqet dhe kafshëritë që kanë shkruar – kushdo që t’i ketë shkruar – pa idealizuar asnjërin.

Sunday, March 29, 2015

Komb i Krishterë? Që kur kështu?

Kevin M. Krusse (Marrë nga New York Times)*

Amerika mund të jetë vendi i njerëzve që besojnë, por që ta quash atë “Komb i Krishterë” duhet pak sforco.

Jo më shumë se para dy javësh Anketimi i Politikave Publike njoftonte se 57 përqind e republikanëve mbështesin transformimin e Shteteve të Bashkuara në një vend të Krishterë. Ndërkohë, një anketim i vitit 2007 nga Qendra e Amandamentit të Parë tregonte se 55 përqind e popullsisë ishin të bindur që vendi i tyre tashmë ishte i tillë.

Nuk është e vështirë të kuptosh çfarë e shkakton paqartësinë. Pavarësisht nga gjithë zhurma për ndarjen e fesë nga shteti, gjuha fetare ka arritur të futet me metoda nga më të ndryshmet në kulturën politike. Ajo është bërë pjesë e betimit për patriotizëm; ka arritur të shënohet te paratë, gdhendet në mure gjykatash dhe madje edhe në Kapitol. Dhe ndoshta ngaqë e shohim kudo ne e marrim si të mirëqënë që gjithmonë duhet të ketë qënë kështu.

Megjithatë ceremonitë dhe parrullat që na kujtohen sa herë që duam të përcaktojmë nëse ky është vërtet një komb i krishterë apo jo nuk janë sajuar nga baballarët e kombit. Përkundrazi, ato janë shpikur nga gjyshërit tanë.

Diku në vitet 1930-të krerët e biznesit u gjendën në pozita aq të vështira saqë ishin të detyruar të hidheshin në veprim për t’u mbrojtur. Kriza e Madhe ua kishte shkatërruar plotësisht imazhin te njerëzit; Franklin D. Ruzvelti po i sulmonte me Marrëveshjen e Re, ndërsa lëvizja sindikaliste kishte filluar t’i gërryente nga poshtë. Në përpjekje për t’u rikthyer në pozita kontrolluese, krerët e korporatave nisën kundërsulmin në të gjitha frontet. Ata i hapën luftë në mënyrë figurative organeve ligjëvënëse të shteteve dhe, krahas saj, një çelën një front më të prekshëm rrugëve, me fushatat propagandistike që filluan të shtriheshin që nga gjykatat gjyqësore deri te gjykuesit e opinionit publik. Por asgjë nuk do t’iu jepte rezultat aq të prekshëm sa ofensiva e marrëdhënieve publike që e paraqiste kapitalizmin si shërbëtor besnik të Krishtërimit.

Kjo nuk ihste hera e pare që këto dy konceptet përshkruhesin si vëllezër shpirtërorë. Veçse kësaj rradhe, në këtë fushatë, duket se dikush po i bashkonte për t’iu kundërvënë «socializmit të pështirë» të Marrëveshjes së Re. Deri në atë kohë, qeveria federale nuk kishte bërë asnjëherë përpjekje për të ndikuar mbi mënyrën përfytyrimin e amerikanëve për marrëdhëniet midis fesë dhe sipërmarrjes së lirë, ndoshta edhe ngaqë këto marrëdhënie nuk kishin arritur të tërhiqnin ndonjëherë interesin e bizneseve. Por tani kishte kjo marrëdhënie po lëshonte një hije të madhe ogurzezë.

Në përputhje me këtë strategji gjatë viteve 1930-të dhe 1940-të krerët e korporatave filluan të reklamojnë një ideologji të re që përzjente elementë të Krishtërimit me një farë libertarianizmi anti-federal. Në krye dolën lobet e fuqishëm të biznesit si Dhoma e Tregëtisë e Shteteve të Bashkuara dhe Shoqata Kombëtare e Prodhuese, të cilët me anë të konferencave dhe fushatave publike propogandonin anët tërheqëse të idelologjisë së re. Ata gjetën mbështetje të fuqishme financiare jo vetëm te firma të famshme prodhuesish të njohur si Harvey Firestone, Conrad Hilton, E.F. Hutton, Fred Maytag dhe Henry R. Luce, por edhe te të tjerë, deri atëherë pak të njohur si U.S. Steel, General Motors dhe DuPont.

Drejtuesit ekzekutivë u treguan aq dinakë sa t’ua ofronin klerikëve rolin e zëdhënësit të korpororatave të tyre. Siç vinte në dukje edhe J. Howard Pew i Sun Oil, anketimet tregonin qartë se ata që dinin ta përpunonin më mirë se kushdo tjetër opinionin public ishin pikërisht priftërinjtë,. Prandaj edhe biznesmenët iu përveshën rekrutimit të klerikëve përmes takimeve të drejtpërdrejta private dhe thirrjeve publike. Ata iu përgjigjen thirrjeve në masë, ndonëse vëmendje të veçantë meritojnë tre prej tyre.  

Reverendi James W. Fifield –  i njohur si “Dishepulli i 13të i Biznesit të Madh” dhe si “Shën Pavli i të Pasurve” – shkëlqeu si ndër evangjelistët e parë të kauzës. Gjatë një predikimi për milionerët në Kishën e Grigjës së Parë në Los Anxheles Zoti Fifield do të deklaronte se të lexosh Biblën “është si të hash peshk – njeriu shijon mishin, por largon me kujdes halat. Jo të gjitha pjesët kanë të njëjtën vlerë.» Kështu ai linte mënjanë si të padëshirueshme paralajmërimet e Testamentit të Ri për natyrën korruptive të pasurisë. Në vend të kësaj ai bashkonte Krishtërimin dhe Kapitalizmin në luftë kundër «statizmit pagan» të Marrëveshjes së Re.

Përmes organizatës së tij mbarëkombëtare të quajtur “Mobilizimi Shpirtëror” themeluar në 1935, Z. Fifield propagandonte “lirinë nën Zot”. Andej nga fundi i viteve 1940 grupi i tij kishte nisur të propagandonte frymën e besimit dhe të sipërmarrjes së lirë përmes një reviste me qarkullim masiv dhe një programi javor radioje që transmetohej nga mbi 800 stacione në katër anët e vendit. Ai arriti deri atje sa të nxiste priftërinjtë t’i predikonin temat e tyre në konkurse ku ofroheshin edhe shpërblime me para. Liberalët filluan të ulërijnë duke kundërshtuar ngatërrimin e zotit me tahmaqarllëkun për para; në 1948, gazetari radikal Carey McWilliams do t’i demaskonte këto metoda në një shkrim rrëqethës. Por Z. Fifield diti si ta shfrytëzojë kritikën për të mbledhur edhe më shumë fonde dhe për t’i dyfishuar përpjekjet.

Ndërkohë, një tjetër Reverend, Abraham Vereide e ngriti edhe më lart kauzën e libertarianizmit të Krishterë përmes krijimit të një rrjeti kombëtar grupimesh për lutje. Pas predikimeve për industrialistët që luftonin kundër grevave të mëdha të unioneve në Seatle dhe në San Francisco në mes të viteve 1930të, Z. Vereide filloi të ngrejë grupe për lutje mëngjesi në qytete të ndryshme anë e mbanë Amerikës ku bashkonte në një kauzë të vetme elitat e biznesit dhe të politikës. «Njerëz me peshë dhe krerët e vërtetë në Nju Jork dhe Çikago,» i shkruante ai të shoqes, «më respektojnë aq shumë saqë më venë në siklet.» Vetëm në Manhatan atij i kërkonin takim James Cash Penney, Thomas Watson i IBM, Norman Vincent Peale dhe Kryetari i Bashkisë H. La Guardia.

Në 1942 Zoti Vereide e shtriu ndikimin e tij edhe në Uashington. Ai arriti të bindë Kongresin dhe Senatin të fillonin serinë e takimeve javore për lutje “me qëllim që të ktheheshim në një komb i kontrolluar nga dhe i orjentuar drejt Zotit.” Z. Vereide hapi një zyrë në Washington – të cilën e quajti “Ambasada e Zotit” – dhe u kthye në një forcë të fuqishme brenda institucioneve që deri atëherë kishin qënë laike. Mes veprimtarive të tjera ai organizoi edhe “ceremoni përkushtimore” për gjykatës të Gjykatës Supreme. Në ceremoninë e betimit në 1949 Gjykatësi Tom C. Clark do të deklaronte: “Asnjë komb i qytetëruar nuk mund të ketë jetëgjatësi nëqoftëse nuk bazohet te vlerat e krishterimit.”

Megjithatë, kleriku më me peshë i libertarianizmit të Krishterë mbetet Reverendi Billy Graham. Që në kishën e tij të parë në fillim të viteve 1950të Z. Graham i mbështeste me aq zell interesat e korporatave saqë një gazetë e Londrës e quante “evangjelisti i Bizneseve të Mëdha”. Ai i tregonte grigjës së tij të ringjalljes se Kopështi i Edenit ishte një parajsë “pa kuota dhe pa krerë unionesh, pa gjarpërinj dhe pa sëmundje.” Me të njëjtën gjuhë ai godiste gjithë “kufizimet që i bënte qeveria” punëve të ekonomisë, të cilat ai i konsideronte «socialiste».

Në 1952 Zoti Graham vajti në Uashington dhe arriti të fusë gjithë Kongresin në grigjën e vet. Ai rekrutoi përfaqësues të zgjedhur që t’i shërbenin si roje për t’iu treguar vendet atyre që mbushnin cep më cep sallat e takimeve të ringjalljes dhe inskenoi shërbimet e para formale në shkallët e ndërtesës së Kapitolit. Po atë vit, me nxitjen e tij, Kongresi themeloi Ditën Kombëtare të Lutjeve. «Po të më mbushej mendja të kandidoja sot për president i Shteteve të Bashkuara me platformën e një thirrjeje për njerëzit që t’i rikthehen Zotit, Krishtit, Biblës,» parashikonte ai, «do ta kisha fitoren të sigurt.»

Parashikimin e tij do ta vinte në jetë Dwight D. Eisenhower. Me mbështetjen e Zotit Graham që i ofronte pjesë nga libri i shenjtë për të mbushur fjalimet, kandidati republikan u lëshua në një fushatë që ai e quajti «kryqëzata e madhe për liri.» Si ushtarak gjenerali ishte një kandidat i shkëlqyer për president. Por kur erdhi puna te fushata ai e vuri më tepër theksin te çështjet shpirtërore se sa ato tokësore. Siç vërente gazetari Xhon Temple Graves, «Në këndvështrimin e Eisenhower-it Amerika nuk është thjesht vend i njerëzve të lirë. Ajo është vendi i lirisë nën Zot.» Pasi fitoi me diferencë të madhe, Eisenhowever i tha Zotit Graham se sapo i ishte dhënë mandate i «ringjalljes shpirtërore.»

Pavarësisht se gjatë fushatës Eisenhower u mbështet gjerësisht te grupet e krishtera libertariane, pas zgjedhjes ai nuk ngurroi të shkëputej prej tyre. Korporatat që i kishin sponsorizuar fushatën e tij kishin parë të retorika fetare rrugën për të sulmuar Marrëveshjen e Re. Por presidenti i sapo zgjedhur e kuptonte që ky ishte budallallëk me brirë. “Çdo parti politike që do të përpiqej të anullonte Sigurimin Shoqëror, sigurimin e punës dhe të eliminonte ligjet e unioneve dhe programet e fermave,” vinte në dukje ai privatisht,”do të zhdukej dhe s’do t’i ndihej më zëri në historinë tonë politike.”

Me shkëputjen që i bëri gjuhës së “lirisë nën Zot” nga rrënjët e veta të krishtera libertariane, Eisenhower ngriti një tendë edhe më të madhe konkuruese në të cilën ai iu bënte ftesë edhe çifutëve dhe katolikëve që t’i bashkoheshin protestantëve, si demokratë ashtu edhe republikanë.

Java e parë e Shkurtit të vitit 1953 pati një ritëm marramendës për të: Të Djelën në mëngjes u pagëzua; po atë natë ai transmetoi një fjalim nga Dhoma Vezake për fushatën “T’i Rikthehemi Zotit” të Legjioneve Amerikane; të Enjten doli përkrah Z. Vereide në të parin Mëngjes të Lutjeve Kombëtare; të Premten institucionalizoi hapjen e mbledhjeve të kabinetit me lutje.

Të tjerë në Uashington ndoqën shembullin e tij në përpjekje për t’u shenjtëruar. Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe agjensitë e tjera ekzekutive nxituan të krijonin shërbimet e tyre të lutjeve. Në 1954 Kongresi i shtoi fjalët “nën Zot” Betimit deriatëherë laik të  Besnikërisë. Po atë vit Kongresi iu ngjiti një parrullë të ngjashme, “Besojmë në Zot” pullave të postës dhe më vonë votoi për t’ia shtuar këto fjalë kartëmonedhave; në 1956 këto fjalë u kthyen në moton zyrtare të kombit.

Gjatë gjithë këtyre viteve amerikanëve iu është theksuar në mënyrë të përsëritur jo vetëm që vendi duhet të jetë një komb i krishterë, por edhe që ai kishte qënë gjithmonë i tillë. Brenda një kohe të shkurtër njerëzit filluan ta përfytyrojnë Shtetet e Bashkuara si “një komb nën Zot”. Që atëherë ata vazhdojnë ta besojnë verbërisht këtë.  

*Kevin M. Krusse është profesor hostorie në Princeton dhe autor i librit të botuar kohët e fundit “Një komb nën Zot: Si e Shpiku Amerika e Korporatave Amerikën e Krishterë.”

Sunday, February 22, 2015


Bisedë në studio 13

Incident Diplomatik me Brunein

Drejtuesi i Emisionit: Të nderuar teleshikues, mirëse-erdhët në bisedën tone të rradhës. Sot do të flasim rreth performancës së diplomacisë shqiptare në lidhje me incidentin e caktimit të ambasadorit, ose më saktë, ambasadorëve tanë në Sulltanatin e Bruneit. Kemi ftuar në studio përfaqësues nga tre hallkat qeveritare që lidhen drejtpërdrejt me emërimin e ambasadorëve, zotin Gjindar Dushku nga Ministria e Punëve të Jashtëme, Zotin Erlind Plepi nga Kryeministria dhe zotin Rrami Shtupa nga Presidenca. Të nderuar zotërinj, mirë se vini.
Të tre të ftuarit (njëzëri) – Mirëse iu gjetëm.
Drejtuesi - Doja ta filloja me ju, zoti Dushku, për të na përshkruar pak incidentin diplomatik me ambasadorët tanë në Brunei.
Erlind Plepi (MPJ) – Ç’të them unë. Fill pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe mbretërisë Kombi i Bruneit, Strehë e Paqes, sepse kështu quhet zyrtarisht, por ne për shkurt duhet t’i referohemi thjesht me emrin Brunei, meqë mund t’ia lejojmë vetes këtë sepse jemi në një mjedis jo shumë diplomatik, dhe për këtë duhet të na falë përfaqësuesi legjitim i Kombit të Bruneit, Strehë e Paqes këtu në Tiranë, pra fill pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Brunein ne iu vumë punës për zgjedhjen dhe propozimin e një ambasadorit.
Drejtuesi – Keni ndonjë komision të posaçëm në Ministrinë e Punëve të Jashtëme që merret  me përzgjedhjen e kandidatëve?
Plepi – Në fakt komisioni…
Rrami Shtupa (Presidencë) (e ndërpret) – Po ç’komision, o’, komision thotë. Ministri bën propozime për nja dy-tre vetë aty ku e ka interesin ai, megjithëse është i sigurt se s’ka për t’ia varur njeri, pasi ata i cakton Kryeministri.
Drejtuesi - Është e vërtetë kjo, zoti Dushku?
Gjindar Dushku (Kryeministri) – Hm, si të them. Kryeministri ka kopetencën që t’i propozojë Presidencës, por këta të Presidencës na sjellin gjithmonë shqetësime.
Shtupa – Po ç’të mos iu sjellim shqetësime. Ju vajtët dhe na propozuar për ambassador në Sulltanatin e Bruneit, një vend me predominancë Muslimanësh Suni, një ortodoks, Kristaq Vërnickën. Ku ta çonim ne Vërnickën? Sapo ia dërguam emrin për miratim përfaqësuesit të Bruneit këtu, ai u hodh përpjetë.
Erlind – Nuk u hodh përpjetë. Vetëm sa u shpreh në mënyrë të butë duke sugjeruar se do të ishte mirë që përfaqësuesi i Shqipërisë, një vend me shumicën e popullsisë muslimane, në Sulltanatin e Bruneit, një vend musliman, të jetë musliman. Një sugjerim bëri.
Shtupa – Epo në diplomaci sugjerime bëhen, por kuptohen si urdhëra. Ne nuk mund të çonim në Bandar Seri Begavan një të krishtrë. Prandaj e kthyem mbrapsht për rishikim kandidaturën e Vërnickës, megjithë respektin që kemi për të.
Dushku – Po Kiço Vërnicka ishte kandidaturë e përsosur. Ai është një diplomat i shquar karriere, që ka qënë ambasador në disa vende. Veç kësaj, ai u tregua i gatshëm të konvertohej në islam, mjafton që ta linim të shkonte.
Shtupa – S’kemi përse të dërgojmë të konvertuar, kur kemi muslimanë safi me bollëk.
Plepi – Po, me bollëk, prandaj na ndodhi ashtu si na ndodhi me kandidatin e dytë.
Drejtuesi– Pse, çfarë ndodhi me kandidatin e dytë?
Plepi – Kandidatin e dytë e zgjodhëm musliman safi – Hajdar Hoxhën.
Shtupa – Edhe ne kështu menduam, prandaj e miratuam.
Drejtuesi – Menduat? Pse, ç’ndodhi pastaj? Mos iu doli që ky ishte konvertuar në i krishterë?
Dushku – Prit ti, se ta shpjegoj unë. Përfaqësuesi i Sulltanatit të Bruneit ra dakort. I dhame zotit Hoxha ca mësime elementare në gjuhën Malai, megjithëse ai e flet rrjedhshëm anglishten, që është gjuha e dytë zyrtare e Bruneit, dhe e nisëm. Ne thamë se çdo gjë do të shkonte mirë; Zoti Hajdar mbërriti në Bandar Seri Bagawan, gjeti një goxha vend për të hapur ambasadën dhe residencën, dhe u bë gati të paraqiste letrat kredenciale. Këtu plasi skandali. Ditën e paraqitjes së letrave kredenciale... Le ta vazhdojë ky i Ministrisë historinë se mua më vjen zorr ta them.
Plepi – S’ka ndonjë gjë për të të ardhur zorr. Hajdari vajti në pallatin sulltanor dhe po priste ta thërrisnin në audiencë me Madhërinë e Tij Paduka Seri Baginda Sultan Haji Hassanal Bolkiah Mu'izzaddin Waddaulah, kur i erdhën dy punonjës të shërbimit të fshehtë sulltanor dhe i kërkuan provë që ishte musliman.
Drejtuesi – Çfarë provë, s’mjaftonte emri Hajdar dhe mbiemri Hoxha?
Plepi – Me sa duket jo. Ne shqiptarëve na ka dalë nami i keq për fallsifikime, prandaj ata kërkuan provë përpara se ta paraqisnin te Sulltani. S’iu vë dot faj. S’mund të paraqesësh te Sulltani si musliman një që s’është musliman.
Drejtuesi – Po zoti Hoxha është musliman, apo jo?
Plepi – Me letra po. Teknikisht jo. Autoritetet e Bruneit i kërkuan ta nxirrte.
Drejtuesi – Ta nxirrte? Çfarë t ënxirrte? Dokumentin?
Plepi – Jo. Ka ikur koha e dokumentave. I kërkuan ta nxirrte atë…
Drejtuesi – Po kë, se na vdiqe? Çfarë duhet të nxirrte?
Plepi – Atë pra, provën që ishte bërë synet.
Drejtuesi – Aaaah! Po si u bë. E nxorri Hajdari i madh të voglin?
Plepi – Zoti Hoxha refuzoi ta nxirrte, dhe e quajti kërkesën “incident diplomatik”. Po si duket ata zotërinjtë e shërbimit të fshehtë sulltanor s’para e vrasin mendjen për incidente diplomatike. Njëri e kapi Hajdarin për sqetullash, ndërsa tjetri i uli pantallonat. Doli që muslimani që kishim dërguar ne nuk ishte bërë synet. Na e nisën mbrapsht pako postale. Siç na tha Hajdari kur u kthye, ata kishin pasur edhe një mendje që t’ia prenë fare nga inati. Por pastaj e kishin lënë atë punë.
Shtupa – Ky incident na ka vënë në siklet të madh diplomatik jo vetëm me Sulltanatin e Bruneit por me të gjithë vendet muslimane. Tani në çdo moment ata mund t’iu kërkojnë ambasadorëve tanë provën e synetllëkut.
Plepi – Edhe Izraeli.
Shtupa – Natyrisht që edhe Izraeli.
Drejtuesi – Po si i bëhet, në këtë rast?
Dushku – S’kemi ç’bëjmë. Thirrëm urgjent të kthehen në atdhe të gjithë ambasadorët nga 56 vendet muslimane me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike dhe nga Izraeli. I mblodhëm në Kryeministri dhe ua bëmë të qartë: Ose bëhuni synet, ose s’ka më ambasadë.
Drejtuesi – Dhe a pranuan ambasadorët?
Plepi – Oj të pranuar. Çudia më e madhe ishte që asnjeri nuk ishte bërë synet. Të gjithë muslimanë, asnjeri synet. Veç të shikoje Ministrinë pas tre ditësh – u mbush me ambassadorë me fustane të gjata.
Dushku – Këtu s’ka asgjë për të qeshur. Procedura është tepër e dhimbshme, veçanërisht kur bëhet në moshë të madhe. Sa më i moshuar të jesh, aq më shumë kohë duhet për ta marrë veten. Nga ana tjetër, ne s’mund t’i linim në shtëpi pa kufizim.  
Shtupa – Brrrrr!
Plepi – Tani në Ministri ka plasur synetllëku në masë. Të gjithë ata që ëndërrojnë të shkojnë në ambasada, bëhen synet. Edhe të krishterët. ‘Ku i dihet,’ thonë. ‘Përderisa është kriter, le ta kemi edhe këtë në rezyme, pasi na jep përparësi ndaj të tjerëve’.
Drejtuesi – Të nderuar teleshikues, jemi të detyruar ta ndërpresim këtu emisionin për disa spote propagandistike. Ju lutem qëndroni me ne, pasi vazhdimi do të jetë po kaq, ndoshta edhe më interesant.
(Vijon)

Friday, January 2, 2015

Mos ma zhgaravit murin!

Fjala “Tag” si emër ka kuptimin “etiketë“, “kartë identiteti”, “markë“; ndërsa si folje: “t’i vesh etiketë“ (për shembull mallrave që shiten), ose “të identifikosh” një objekt. Ndërsa në Facebook ka kuptim tjetër: kur bën “tag” një person, atëherë fotografija, ose shkrimi që ke postuar në murin tënd, ripostohet edhe në murin e personit në fjalë. Pra, atë që ti e ke vënë për miqtë e tu, do të jenë në gjendje ta shikojnë edhe miqtë e mikut tënd, të cilin ti e ke bërë “tag”. Jo vetëm kaq, por të gjithë komentet që i bëhen postimit tënd, i dalin në fb edhe personit që ke bërë tag.  

Funksioni është i thjeshtë dhe nuk do ndonjë shkencë të madhe për t’u kuptuar. Përgjithësisht ata që përdorin Facebook e dijnë fare mirë ç’efekt ka. Problemi është me kulturën, ose me etikën e tagimit.

Tagu përdoret rëndom për foto. Kur disa vetë dalin bashkë në fotografi, ai që ka pasur kamerën e poston atë dhe i bën tag edhe të tjerëve. Disave iu pëlqen të shpërndahen kopje të fotove të tyre, disa të tjerëve jo. Prandaj duhet kujdes.

Por shumë njerëz bëjnë tag edhe video, shkrime, ose thënie të mençura apo jo dhe aq të mençura. Këtu problemi është edhe më i madh, pasi mendimet se sa të mençura apo idiote janë videot, shkrimet apo thëniet ndryshojnë shumë. Nuk është aspak e udhës të bësh tag njerëz që nuk i njeh mirë dhe s’ua di shijet.

Para disa ditësh dikush të cilin unë e njoh shumë pak më kishte bërë tag një video të një gruaje që e kishte zënë vapa dhe hiqte njëra pas tjetrës rrobat e trupit. Duke e bërë tag te unë dhe te nja 28 të tjerë, ai e kishte vënë këtë video në muret tona, në mënyrë që të gjithë miqtë e mij dhe të atyre të tjerëve ta shikonin. Natyrisht unë e bëra veten “un-tag” dhe, me mend, i nxorra kartonin e verdhë personit.

Po kështu, një zonjëzë e nderuar më bëri para një jave tag një kartolinë ku dallohej një urim për krishtlindjet dhe gërmat 25 të shkruara në mënyrë simetrike, nën të cilat lexohej: ka vetëm një ditlindje të përjetshme – që nënkuptonte 25 dhjetorin që festohet nga një pjesë e të krishterëve si ditëlindja e Jezu Krishtit.

Nuk jam as kundër festimit të Krishtlindjeve, as kundër urimeve që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit për krishtlindje. Edhe unë kam uruar këto ditë dhjetori me dhjetra herë: Gëzuar Krishtlindjet. Madje unë jam edhe kundër atyre që e zëvendësojnë urimin “Gëzuar Krishtlindjet” me “Gëzuar Festat”.

Megjithatë, ata që më njohin drejtpërdrejt, ose përmes facebook-ut mund ta kenë vënë re, për shembull, që kam një si prirje për ta bërë dallimin midis përrallave dhe fakteve historike, të vërtetave dhe imagjinatave. Në kartolinën në fjalë, për shembull, shkruhej se ka vetëm një ditëlindje të përjetshme. Po ta mendosh, kjo shprehje ka pasaktësi dhe mungesë të theksuar humanizmi. Unë iu përkas atyre njerëzve që nuk janë të bindur që Krishti, si person historik, të ketë ekzistuar vërtet. Për mua s’ka pasur as ditë lindje as ditë vdekje të personit në fjalë. Por edhe po të lëshoja pe për hir të argumentit dhe të pajtohesha me ata njerëz që janë të bindur se ka ekzistuar një njeri me emrin Jezu Krisht, përsëri do të ngulja këmbë nuk ka asnjë të dhënë të vetme historike, ose nuk ka asnjë mundësi të tërthortë që të provojë se ai ka lindur në 25 dhjetor. Edhe historianët më të përkushtuar të krishtërimit e pranojnë që data 25 dhjetor është caktuar arbitrarisht për konveniencë astrologjike, pasi përkon me fillimin e vitit të ri më shumë se data 1 Janar, të cilës i është dhënë ky status nga Papa Gregori. Shumica e historianëve fetarë të Krishtërimit hamendësojnë se Virgjëresha Mari duhet të jetë çliruar diku nga fundi i pranverës ose fillimi i verës.

Nga ana tjetër, nga këndvështrimi i trinitisë së shnjtë Krishti është edhe i biri i Zotit, edhe Zoti vetë, edhe Shpirti i Shenjtë. Ky është një koncept tepër i ndërlikuar, të cilin mendja ime e thjeshtë vdekatare, dhe e gjithë të tjerëve, është e supozuar që të mos e kuptojë, por ta pranojë si thelbin e dogmës. Megjithatë, unë kuptoj kaq gjë - që Krishti është edhe Zoti, pra që ditëlindja e Krishtit duhet të jetë e njëjtë me atë të Zotit – i cili presupozohet të ketë ekzistuar gjithmonë, dhe jo të ketë lindur në 25 janar të ndonjë viti diku rrotull vitit 0. Nuk po e zgjas me këtë arsyetim, sepse kam frikë se më pëlcet koka.

Por t’i kthehemi anës humanitare dhe pretendimit që 25 Dhjetori, ditëlindja imagjinare (e një personi imagjinar) na qënka data më e rëndësishme e vitit. Kjo mua më duket revoltuese, pasi unë mund të numëroj me dhjetra ditëlindje, vetëm në Dhjetor, që janë shumë më të rëndësishme se sa kjo. Për shembull, dihet saktësisht që unë kam lindur në 3 dhjetor; gruaja ime ka lindur po në dhjetor; siç kanë lindur në dhjetor edhe shoqet e mija të tetëvjeçares Ina dhe Teuta, ose Mishel Koçiu, ose Lasgush Poradeci. Në 25 dhjetor ka lindur edhe një njeri që, sipas Neil deGrasse Tyson, kur arriti moshën 30 vjeç do të transformonte botën në mënyrë të pakthyeshme – Isak Njutoni. Të gjithë këta njerëz, që për atë zonjëzën që më bën tag mua kartolinën që përmenda mund të mos jenë fare të rëndësishëm, për mua kanë shumë më tepër se sa ai tjetri që mund të ketë ose mund të mos ketë ekzistuar dymijë e ca vjet më parë. Pra, ajo nuk ka të drejtë të postojë në murin tim një kartolinë në të cilën thuhet se data 25 dhjetor, kur mendohet se ka lindur miku i saj imagjinar me datëlindje imagjinare, qënka më e rëndësishme se sa datat e tjera, kur kanë lindur miqtë e mij realë, Lasgush Poradeci, Isak Njutoni dhe, pa pikë modestie, edhe unë. Ajo zonjëza ka të drejtën e saj që kartolinën ta postojë në murin e saj dhe të kënaqet sa të dojë. Por ajo nuk ka asnjë të drejtë ta postojë në murin tim, pasi sistemi i vlerave të murit tim është krejtësisht i papajtueshëm me sistemin e vlerave të saj. Te muri i saj unë mund ta pëlqej ose ta kaloj në heshtje, edhe po s’e pëlqeva. Ndërsa te muri im, duket sikur unë i jap vulën e miratimit tim personal, sikur unë e mbështes idenë që shpreh ajo. Kur në fakt unë nuk e mbështes fare.

Ne të gjithë kemi nga një shtëpi në rrugën imagjinare të quatur Rruga Facebook. Secili nga ne ka nga një mur në këtë rrugë. Unë vë në këtë mur çfarë të më dojë qefi mua. Por kur bëj ‘tag’ dikë, atëherë një kopje të asaj që kam vënë te muri im, unë e vë pa lejen e tjetrit, te muri i tij, ose i saj. Në këtë rast, përpara se ta kryej një veprim, gjëja më normale do të ishte të pyesja veten: A do t’i pëlqejë atij ose asaj që në murin e vet të ketë diçka të zgjedhur nga unë?

Sa për saktësim, këtë shkrim, si dhe shumë të tjerë, nuk ia kam bërë “tag” asnjë njeriu.

Sinqerisht,

Gëzuar Krishtlindjet, Vitin e ri, Festivus, Hunakkah, Yaldan, Kwanzan, Omisokan, Saturnalian, Pancha Ganapatin dhe gjithë festat e tjera të dhjetorit!

Sunday, December 14, 2014


A ka shpirt morri?

Nuk dihet nëse ishte frymëzuar nga filmi i Disney’t “All Dogs go to Heaven”, apo thjesht kishte pasur ndonjë komunikim me autoritetin përkatës, por Papa Francesku i befasoi katolikët këtë javë kur, krejt papritur hapi portat e Parajsës për të lejuar futjen në të të qenve. Papa e bëri komentin në një çast emocional, kur po fliste me një djalkë të pikëlluar se i kishte ngordhur qeni. “Mos u mërzit,” i tha ai fëmijës. “Portat e Parajsës janë të hapura për të gjithë.”

Diskutimi se ç’bëhet me qentë, macet, dhe krijesat e tjera pas vdekjes i ka cfilitur për mijëra vjet ata që besojnë te ekzistenca e parajsës dhe ferrit. Që qentë e macet të marin vizë për të vajtur në parajsë së pari duhet të kenë shpirt. Paraardhësi i Franceskut, Benedikti ishte i bindur që kafshët nuk kanë shpirt. Gjon Pali II, nga ana e vet, paska lënë diku të kuptohet se ishte partizan i vajtjes së disa kafshëve në Parajsë. Ndërkohë, një rradhë e gjatë Papësh e kanë kundërshtuar me forcë idenë që ndonjë krijesë tjetër veç njeriut të ketë shpirt.

Kundërthëniet e krerëve të kishës pasqyrohen edhe te besimtarët. Pjesa më konservatore e tyre, ata që quhen nganjëherë edhe të djathtë ekstremë, ose fondamentalistë, duket se s’para besojnë te vajtja e qenve dhe maceve në Parajsë. Në rastin konkret, mund të thuhet se këta dalin më katolikë se Papa.

Ndërsa disa liberalë dhe kryesisht ata që kanë kafshë shtëpiake – qen, mace, papagall, kanarinë, peshk të kuq, lepur, minj u gëzuan shumë nga vendimi i Franceskut.

Puna është se duke hapur portën e Parajsës për qentë dhe macet, Papa nuk mund ta mbajë atë mbyllur për qeniet e tjera. Bashkë me canis familiaris tani në parajsë do të kenë të drejtë të hyjnë edhe krokodilët, hienat, gjarpërinjtë, peshkaqenët, kandilat e detit, kërmijtë, pleshtat, mishkonjat, morrat, çimkat – gjithçka e gjallë që ekziston dhe që mendohet se është krijesë e Perëndisë. Në fund të fundit, përderisa qentë kanë shpirt, edhe ato duhet të kenë, apo jo? Përndryshe, ku është kufiri dhe kush e vendos atë?  

Pyetja “A ka shpirt qeni?” me pak imagjinatë mund të marë edhe formën: “A ka shpirt morri?” Dhe, nëse ka, ose nëse pranojmë atë që thotë Papa Francesku që ka, a bëjmë mëkat kur shtypim morra? A bëjmë mëkat kur vrasim brumbuj, miza, pleshta, çimka, etj., thjesht sepse ato na bezdisin duke shëtitur nëpër lëkurë dhe duke pirë nga një çikë gjak? A mos ne vetë, duke vrarë këto insekte, që me siguri do të shkojnë në Parajsë, i zvogëlojmë shanset vetes për të shkuar atje?

Duke lejuar kafshët në Parajsë Papa Franceskut ka entuziasmuar tej mase organizatat e mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, si PETA. Tani ato kanë një argument më shumë për kauzën e tyre. Por ai ka ngritur peshë edhe grupet e vegjetarjanëve, të cilët thonë që njerëzit nuk duhet të ushqehen me mish kafshe, as me peshk, pasi ngrënia e tyre detyrimisht kërkon edhe vrasjen paraprake të tyre, që do të thotë vrasjen e një qenieje me shpirt, që sipas Biblës është mëkat. Me një fjalë, që sot e tutje, çdo katolik i mirë, që beson në ndershmërinë dhe në shenjtërinë e Papa Franceskut, duhet të kthehet në vegjetarjan. Katolicizmi në këtë rast, bije në kundërshtim me therrjet masive të qingjave për Pashkë, bije në kundërshtim me ngrënien e peshkut çdo të premte. Dhe me që ra fjala te peshqit, a bënte mëkat Krishti kur ushqente gjindjen me peshk? Hmm, gjëra të ndërlikuara vërtet.

Të gjitha këto më çojnë mua detyrimisht te një nga legjendat më makabre dhe më të tmerrshme të librave të shenjtë, Biblës dhe Kuranit – legjendës së Sakrifikimit të Isakut (për të krishterët) ose Ismailit (për muslimanët) nga Abrahami (Ibrahimi). Sipas legjendës, Zoti i kërkoi Abrahamit të sakrifikonte djalin e tij dhe kur ky, i bindur, po përpiqej ta therrte për t’i bërë qefin, Zoti ndërhyri dhe i tha të lëshonte djalin. Pastaj i kërkoi që, në vend të tij, të sakrifikonte një dash, që askush s’e mori vesh se si u gjend aty pranë. Abrahami therri dashin. Pyetja është, si e lejoji zoti Abrahamin që t’i merrte jetën një qenieje me shpirt? Ose, për ta vazhduar edhe më tej, a është shpirti i njeriut, që në këtë rast nuk u sakrifikua, më i vlefshëm se sa shpirti i dashit. Me sa shpirtra deshësh është i barazvlefshëm një shpirt njeriu? Sa shpirtra morrash duhen për të…?

Thursday, December 4, 2014


Gomerë dhe Miza
        Naumi shkruante në statusin e tij se dikush në mëmëdhe është bezdisur nga mizat, në një kohë kur aty po ngordhin në masë gomerët.
        Që t’i hyet më mirë kuptimit të muhabetit, Naumi është arkitekt. Që këtu nga Kanadaja ai ka shprehur në shtypin shqiptar, në facebook, dhe në letra të drejtpërdrejta autorëve indinjatën e tij si profesionist dhe qytetar për një përçudnim që po i bëhet qendrës së Korçës. Naumi nuk është thjesht arkitekt – ai është arkitekt shumë i mirë dhe intelektual me peshë në Korçë, ku e njohin të gjithë. Kur ai u ngrit të kundërshtonte shëmtimin nga një firmë arkitekturore gjermane dhe krerët e Bashkisë së Korçës të qendrës së qytetit, shumë korçarë e mbështetën me komente, duke bërë “like” dhe duke i dërguar mesazhe. Unë i di mirë këto, sepse kam qënë pranë kësaj historie.
         Çudia ishte se disa nga ata të cilët ia kishin pëlqyer shkrimet, që i kishin bërë “like” Naumit, po i bënin “lajka” edhe kryetarit të Bashkisë së Korçës dhe të tjerëve që kishin gisht pikërisht në atë që kritikonin shkrimet e Naumit. Mirëpo Naumi nga ata që s’ta përton dhe nuk e mbyll gojën kollaj kur sheh legenllëqe të tilla. Ai shkruajti përsëri, kësaj rradhe për ata që e kthejnë pllakën sa në një anë në tjetrën, duke iu qarë hallin për sikletin që i ka zënë.
        Kjo s’i ka shkuar për shtat të gjithëve, ndaj edhe ka dalë dikush që është ankuar se “sos gomerët që na ngordhën, po s’na lenë rehat as mizat.” Për sqarim të figurës letrare, mizat jemi ne, shqiptarët në emigracion që, si puna e Naumit, shkruajmë lartë e poshtë që nga përtej deteve dhe oqeaneve për problemet e atyre që kanë mbetur atje, në atdhe, me gomerët e ngordhur.
        Po të ishte një zë i veçuar s’do t’ia vlente të merreshe me të. Halli është që sikur janë shtuar ca si shumë këta që ankohen dhe akërrohen ndaj nesh, mizave të emigracionit. Prandaj them se ia vlen të futem edhe unë në këtë histori me bzzzz-in tim të bezdisur.
        Ne që kemi lënë Shqipërinë që nga viti 1990të e këtej duhet të jemi ndonja 1 milion e ca. Këtë e them me hamendje, pasi me sa di unë ata që kanë në dorë të mbajnë statistika, domethënë ata që kanë defterët në atdhe, nuk kanë marrë mundimin të na numërojnë.
        Mes nesh ka gjithçfarësh – hajdutë, prostituta, horra, mashtrues, burgaxhinj e kriminela. Por ka edhe shumë njerëz të ndershëm – ka plot punëtorë, zanatçinj të mirë, mjekë, ingjinerë, ekonomistë, gazetarë, mësues, shkencëtarë, profesorë universitetesh. Ka të ndershëm e të pandershëm. Ka nga ata që kanë ikur nga Shqipëria duke menduar që përtej kufijve është parajsa e dembelave. Por ka edhe nga ata kanë ikur me mendjen top, që do të bëjnë çdo lloj pune për të siguruar një jetë të ndershme. Këta më duket se janë shumica.
        Disave nuk iu ka ecur gjithçka si në vaj – janë rregulluar ku kanë mundur, me punëra poshtë nivelit të asaj që kanë bërë në Shqipëri, larg aftësive të tyre. Por ka shumë, shumë më tepër nga ç’ua pret mendja disave që bezdisen në Shqipëri, që kanë arritur sukses – ka ingjinerë që punojnë si ingjinerë, arkitektë që punojnë si arkitektë, kirurgë që operojnë, profesorë që japin leksione, financierë që drejtojnë kompani të mëdha – ka drejtorë uzinash, ka CEO, ka zëvendës-presidentë firmash të njohura në gjithë botën, ka gazetarë, poetë, dhe shkrimtarë që botojnë. Të arrish në këto nivele në vend të huaj, ku flitet gjuhë e huaj nuk është pak. Është shumë, dhe këta njerëz janë për t’u admiruar, jo për t’u injoruar si miza të bezdisshme.
        Pra ne jemi gjithfarësojësh – të mirë e të këqij, të suksesshëm e jo aq të suksesshëm, të ndershëm e të pandershëm, të aftë e të paaftë. Megjithatë, kemi një gjë të përbashkët – jemi larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë. A e kemi arritur atë? Them se përgjithësisht po. Po të mos e kishim arritur, do të ishim kthyer, siç janë kthyer shumë prej nesh. Për t’u kthyer në Shqipëri nuk kërkohet vizë.
        Një gjë tjetër që mendoj se e kemi të përbashkët është se, pavarësisht se ndoshta mund të jemi larguar me idenë që “të ikim, se ai vend nuk bëhet”, përsëri, thellë në zemër nuk e besojmë këtë. Ne sinqerisht shpresojmë dhe dëshirojmë që ai vend të bëhet – të bëhet një vend i zhvilluar, i denjë, ku njerëzit të respektojnë ligjin, të drejtën, njeri-tjetrin. Prandaj edhe nuk rrijmë rehat dhe herë pas herë japim ndonjë mendim për atë që ndodh aty. Ndoshta na gënjen mendja se mund të vazhdojmë të ndihmojmë sadopak përmes përvojës së ketushme.  
        Po a kemi të drejtë ne të japim mendim për ato që ndodhin aty? Kemi që ç’ke me të. Ne, mizat, jemi po aq shqiptarë sa edhe ata të bezdisurit që qajnë gomerët e ngordhur. Ne flasim po aq shqip sa edhe ata, ndoshta edhe ca më shumë. Ne na dhemb vendlindja po aq sa iu dhemb edhe atyre.
        Natyrisht, jo të gjitha ato që themi janë gjëra me mend. Mes nesh ka budallenj e të mençur, llafazanë e të heshtur, kritizerë dhe eruditë. Si ka midis ç’do grupimi tjetër. Por kjo s’do të thotë që dikush mund të ketë të drejtë të na heqë të drejtën e fjalës dhe të drejtën të japim mendim për atë që ndodh në Shqipëri. Ne do flasim e do japim mendim sa të na dojë qefi. Nëse ato që themi do t’i pëlqejnë dhe do t’i vlejnë njeriu, mirë. Nëse nuk i pëlqejnë, le t’i flakin tutje. Gjykimi mendimeve bëhet në bazë të atyre që thuhen apo shkruhen, jo në bazë të paragjykimit ndaj një grupi ku përfshihet ai apo ajo që e ka shkruar.  
        Shkurt muhabeti, gjërat nuk janë bardhë e zi dhe ne këtej nuk para na vjen mirë kur na krahasojnë me mizat. Atë vend të quajtur Shqipëri e duam po aq sa edhe ata që jetojnë atje. Ia duam të mirën dhe përpiqemi të japim ndonjë mendim duke i parë gjërat nga larg. Nëse dikujt nuk i pëlqejnë ato që themi ne vetëm e vetëm ngaqë ne nuk jetojmë në Shqipëri, atëherë le të vazhdojë të merret me gomerët e ngordhur.