Wednesday, April 18, 2018

Ekzorcizëm me cellular


(Bijtë e shqipes në pararojë të shkencës së shekullit 21)
Sipas Reuters këtë javë në Romë po zhvillohet ku
rsi një-javor i ekzorcistëve. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë ekzorcist: përfaqësues i fesë që mendohet se ka aftësi të largojë djallin ose shpirtin e keq nga trupi i dikujt. Për ata që nuk e dijnë që kjo praktikë ekziston ende në shekullin e 21të: po, ekziston dhe sponsorizohet edhe nga Vatikani.
Kursin e organizuar në Romë e ndjekin kryesisht priftërinj katolikë që do të dëgjojnë leksione që varjojnë nga magjia në Afrikë, deri te ndryshimi midis syrit të keq dhe sëmundjeve mendore. Natyrisht, kursi përmban edhe udhëzime të hollësishme për mënyrën e largimit të shpirtit të keq.
Sipas Reuters, nteres të veçantë në ditët e para ka ngjallur Kardinali shqiptar Ernest Simoni me një leksion mbi largimin e shpirtit të keq përmes telefonit celular.   
‘Më marrin në telefon dhe flasim. E bëjmë nëpërmjet celularit,’ sqaron për Reuters-in Kardinali 89 vjeçar shqiptar, duke shpjeguar se si ua lexon përmes telefonit lutjet Latinisht viktimave që i ka mbërthyer shpirti i keq.
Nuk jepen shifra të sakta, por Kisha Katolike thotë se numri i atyre që iu ka hyre dreqi në bark ka ardhur duke u shtuar.
‘Vitet e fundit është shtuar numri i ritualeve ekzorciste, gjë që shpjegohet me shtimin e kërkesave për t’i kryer ato,’ thotë Profesor Xhuzepe Ferrari, organizator i “Kursit të Ekzorcismit dhe të Lutjeve të Çlirimit”.
Ndihmës Ekzorcistë
Në kurs do të ligjërojnë jo vetëm ekzorcistë të licensuar, por edhe teologë, psikologë, mjekë, kriminologë dhe historianë të kishës. Në fund, studentëve pjesmarrës, mes të cilëve ka edhe gra, do t’iu jepet nga një certifikatë, megjithëse kjo, sipas Profesor Ferrarit, nuk iu jep atyre automatikisht të drejtën që të dëbojnë shpirtrat e këqinj. Ekzorcizmin mund ta kryejnë vetëm priftërinjtë, pasi të kenë marrë leje me shkrim ose certifikatë nga peshkopi. Të tjerët janë thjesht Ndihmës Ekzorcistë.
Kardinali shqiptar Simoni ka sqaruar se ekzorcizmi do të kryhet vetëm pasi mjekët të mos jenë në gjendje të shpjegojnë se çfarë po ndodh me njeriun që mendohet se është ngërthyer nga shpirtrat e këqinj.
“Ka shumë rëndësi që të jemi të kujdesshëm,” thotë ai, duke theksuar se ai e shihte veten thjesht si një instrument i një fuqije më të lartë.
Nuk mund të mbyllet ky lajm i gëzuar pa vargjet e famshme:
Rreth e rrotull kish marrë nam
Dor’ e hoxhës tul e dhjam
Se shëronte fëmijë e pleq
Nga lugati e syni i keq
Ky i sotmi nuk është hoxhë, po prift
Lajmi është marrë nga Reuters:
https://www.reuters.com/article/us-religion-exorcism/exorcism-by-cellphone-beating-the-devil-in-the-21st-century-idUSKBN1HN1WK

Monday, April 2, 2018

Jo A po Si


Mënyra e pagesës për Rrugën e Kombit duhet të zgjidhet me referendum.
Nuk jemi vendi i parë i botës që ndërtojmë autostrada. Ndoshta jemi nga të fundit. Prandaj edhe nuk kemi as përse të shpikim, as përse të rrihemi për mënyrat si financohet mirëmbajtja e tyre.
Autostradat dhe të gjithë rrugët në përgjithësi, kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme. Veçanërisht në zonat e ftohta, ku ndryshimet midis temperaturave shkaktojnë tkurrje dhe lëshim maksimal të materjalit të ndërtimit të tyre, mirëmbajtja është edhe më e shpeshtë, edhe më e kushtueshme. Kur themi se kanë nevojë për mirëmbajtje, nënkuptojmë se kanë nevojë për para, për mjete financiare të vazhdueshme, vjetore.
Pyetja ku nxirren këto para ka vetëm një përgjigje: nga populli. Nga njerëzit që jetojnë në vend. Kësaj përgjigje nuk ke sesi t’i shmangesh. Pra, nuk mund të diskutohet. Ngado që ta vërtitësh, sido që ta kthesh, paratë do t’i paguajë populli.
E vetmja gjë që mund të diskutohet nuk është A do t’i paguajë, por Si do t’i paguajë populli këto para. Ka dy mënyra për pagesën e tyre:
1.       Paguan gjithë populli nëpërmjet taksave.  
2.       Paguajnë vetëm përdoruesit, përmes faturimit.
Një parantezë e vogël: Kur ky problem merr karakter politik, zakonisht janë partitë e krahut të majtë ato që mbrojnë idenë se mirëmbajtjet e rrugëve duhet të paguhen nga taksapaguesi, ndërsa partitë e djathta ato që përkrahin sistemin e faturimit të përdoruesve, shpesh herë edhe duke i privatizuar rrugët. Por, në Shqipëri si për gjithçka tjetër, edhe kjo ndarje është kokëposhtë.
Koncepti i shtetit, për një pjesë të madhe të popullsisë së vendit është ende i paqartë, megjithëse kanë kaluar 27 vjet nga rënia e komunizmit që e shkaktoi paqartësinë. Shteti nuk prodhon para, nuk i nxjerr mjetet financiare nga ajri. Shteti vepron me anë të taksave që iu mbledh taksapaguesve. Për këto taksa, për mënyrën se si i përdor ato, shteti duhet të jetë transparent dhe i hapur me taksapaguesit, pasi paratë, në fund të fundit, janë të tyre, jo të shtetit.  Tek ne shtetarët parapëlqejnë të mos jenë të hapur, pas kanë qef të abuzojnë.
Rrugën e Kombit e ndërtoi shteti shqiptar. Nuk e ndërtoi as Pandeli Majko me socialistët, as Sali Berisha me demokratët. Pandeli Majko propagandoi idenë, qeveria e Berishës mori nismën. Paratë për ndërtimin i pagoi populli shqiptar.
Tani puna nuk qëndron kush do të paguajë për mirëmbajtjen - demokratët apo socialistët. Sepse përgjigja dihet, do të vazhdojë të paguajë populli. Pyetja është: do të paguajë vetëm populli që e shfrytëzon rrugën, apo të gjithë? Pyetja nuk duhet të jetë A do t’i mbledhë paratë Rama apo do t’i mbledhë Basha, por si do mblidhen paratë. Edhe Basha kur të vijë në pushtet do të jetë i detyruar ta mirëmbajë Rrugën e Kombit dhe të gjejë fonde për këtë punë – pra t’ia marrë popullit ato.  
Se si do mblidhen paratë është pyetje delikate dhe shumë e rëndësishme, prandaj ata që marrin përsipër t’i japin përgjigje, marrin edhe një përgjegjësi të madhe mbi vete – përgjegjësi politike dhe sociale. Madje, siç po duket, edhe historike. Mënyra se si po veprojnë socialistët për t’i dhënë drejtim kësaj çështjeje është fare e papërgjegjshme. Ata thjesht marrin një vendim dhe e deklarojnë, pa pyetur për mendimin dhe ndjenjat e njerëzve që kanë të drejtë të vendosin – ata që paguajnë, populli. Pasojë e kësaj arrogance janë edhe ato që po ndodhin në Kukës këto ditë.
Normalisht, mënyra si do të financohej mirëmbajtja e rrugëve kombëtare duhet të ishte një nga pikat e rëndësishme të fushatës zgjedhore që kaloi. Atë duhet ta kishin ngritur edhe politikanët, edhe zgjedhësit. Fakti që gjatë fushatës nuk u kujtua asnjeri të pyeste s’do të thotë që socialistët kanë mandat për të bërë si t’iu dojë qefi dhe të vendosin pa marrë parasysh dëshirën e njerëzve. Përkundrazi, ata duhet të shkojnë te populli dhe t’i kërkojnë atij ta japë mendimin e vet përmes votës. Të shtrojnë pyetjen e thjeshtë: doni që mirëmbajtjen e rrugës ta paguani përmes taksave, apo doni që ta paguani me faturim përdoruesi? Për këtë, ata duhet të bëjnë edhe një punë sqaruese – sa para kërkohen për mirëmbajtjen e rrugës? Sa përqind do t’i rritet taksa shqiptarëve nëse do t’i paguajnë ato para përmes taksave? Sa mendohet të jetë tarifa e përdorimit, nëse vendoset që të paguhet me këtë formë.
Lereni popullin ta vendosë me votë. Në këtë mënyrë nuk ka asnjë arsye përse njerëzit të acarohen dhe t’i vërsulen dhe të shkatërrojnë objekte, të cilat po me paratë e tyre do të rindërtohen.

Friday, March 30, 2018

Sqarim për një postim


Është zhgënjyese kur shkruan diçka me ironi dhe të tjerët ta marrin seriozisht. Sepse kupton që përtacia intelektuale arrin shkallë që nuk i parashkon dot. Megjithëse ti përpiqesh të shkruash shkurt që të mos iu lodhësh kokën njerëzve, ka shumë që as e marrin mundimin të përpunojnë atë që lexojnë. Nuk e kam fjalën për ata që nuk më lexojnë fare – kushdo ka të drejtë të mos ia hedh sytë statuseve apo shkrimeve të mia. As për ata që lexojnë dhe nuk pëlqejnë. E kam fjalën për ata që të lexojnë, të bëjnë ‘like’, madje të shkruajnë edhe komente, dhe as që marrin mundimin të kuptojnë çke shkruar.   
E hapja një nga postimet e fundit në fb me fjalinë ‘Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat ata të LGTB’ sepse shpresoja të merrej vesh që në fillim se po ironizoja idenë që LGTB mund të rekrutojë. Aq pa kulturë dhe të paditur jemi sa të pranojmë që dikush mund të rekrutohet, të bindet me fjalë për t’u kthyer në gay apo lesbian?!

Të qënit ‘gay’ nuk është parapëlqim ideologjik. Nuk është as modë, siç e ironizoj në fjalinë e tretë të statusit (Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë). Është thjesht një gjendje biologjike që i bije për hise një përqindjeje të caktuar të njerëzve por edhe specieve të tjera. Ka ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit, në çdo epokë, në çdo regjim, në çdo kulturë, pavarësisht nëse është luftuar me ligje, nganjëherë edhe shumë të ashpra, apo është parë me tolerancë nga shoqëria. Është provuar shkencërisht që një individ që lind ‘gay’ nuk mund të kthehet në heteroseksual. Siç është e vërtetë edhe e kundërta – dikush që lind heteroseksual, nuk mund të kthehet në ‘gay’, sado propagandë dhe punë rekrutuese t’i bësh. Siç është e vërtetë që ka edhe njerëz ‘bi-seksualë‘, domethënë që mund të bëjnë seks edhe me burra edhe me gra (gërma B në LGTB).
Të qënit ‘gay’ nuk është sëmundje që të mund të kurohet me ilaçe apo kemoterapi. Në fjalinë e dytë të statusit tim shkruhej : Deri tani frika ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë.Qëllimisht kam lënë jashtë logjikën në pjesën e dytë të fjalisë. Dy baballarë homoseksuale nuk mund të kenë fëmijë me njëri-tjetrin. Ata mund të adoptojnë, por fëmija i adoptuar nuk mund të jetë kurrsesi fëmija gjenetik i dy etërve homoseksualë. Nuk ka asnjë logjikë të thuash që homoseksualiteti është i trashëgueshëm gjenetikisht.
Në fjalinë e fundit të statusit shkruaja: ‘Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri. Kjo fjali shpreh formën më të pastër të budallallëkut, siç edhe shpreh formën më të shëmtuar të tifozllëkut të verbër partiak. Nuk ka idiotësi më të madhe se të mendosh që t’i përqasesh çështjes së homoseksualitetit me partishmëri dhe ideologji. Nëse ndokush nga miqtë e mij në facebook mendon që këtë unë rresht mund ta shkruaj seriozisht, atëherë i këshilloj që të më heqë nga lista, pasi nuk e meritoj. Nëse nuk e kuptojnë që po shkruaj me ironi, ndoshta jam unë që duhet t’i heq. I vetmi justifikim që mund t’iu jap në këtë rast është se përtojnë të lexojnë, iu hedhin një sy të përciptë rreshtave përmes ekraneve mikroskopikë të celularëve dhe pastaj bëjnë ‘like’ apo komentojnë si ua pret mendja.  

Shënim: Postimi i plotë - Po na rekrutojnë djemtë dhe vajzat e gjimnazeve ata të LGTB. Deri tani frika ishte se mos homoseksualiteti ishte thjesht sëmundje ngjitëse, ose të paktën e trashëgueshme – domethënë që dy baballarë ose dy nëna homoseksuale po të adoptojnë një fëmijë jo homoseksual, e kthejnë në të tillë. Pastaj u mendua se mos ishte modë, si moda e pantallonave të ngushta, apo xhaketave dopjo-petë. Tani po del që qënka ideologji, dhe LGTB është parti politike me objektiva të përcaktuara qartë - ta kthejë popullin shqiptar në homoseksual (larg-qoftë). Për këtë kanë vënë në përdorim gjithë pasurinë e Xhorxh Sorosit, i cili ka për strategji shkatërrimin e botës me anë të skalioneve të homoseksualëve shqiptarë, dhe diplomacinë e shthurrur eoro-amerikane. Tani që e kuptuam ç’është, dijmë edhe si ta luftojmë - me ideologji dhe partishmëri.

Monday, March 26, 2018

Dashuri qorrazi


Vendi nuk bëhet duke mbështetur qorrazi një grup politikanësh për t'iu vërsulur një grupi tjetër politikanësh. Vendi bëhet duke qënë të vëmendshëm për të mos lënë asnjë politikan të bëjë pisllëqe dhe abuzojë ligjin në kurriz të njerëzve që jetojnë aty.
Çdonjëri prej nesh duhet të shohë ç’bëhet, qoftë edhe me dëshirën për të ndihmuar krahun që mbështet. Edhe tifozët e futbollit kur analizojnë ekipin e vet mendojnë se qendërmbrojtësin nuk e kanë shumë të mirë, se mesfusha duhet të bëjë nja dy ndërrime dhe se kur nuk jep rezultat duhet hequr edhe trajneri.
Para dy javësh revista amerikane Mother Jones botoi një artikull të gjatë në të cilin shkruhej se veprimtaria lobiste në Shtetet e Bashkuara e një agjenti përfaqësues të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha financohej nga burime ruse.  
Mother Jones është e njohur për shkrimet hetimore. Gazetari hetimore, që fatkeqsisht ne në Shqipëri nuk e kemi të zhvilluar, do të thotë që një gazetari, ose një ekipi iu jepen mjete financiare dhe kohë për të hetuar thellësisht një temë të caktuar. Hetimi kërkon mbledhje faktesh, vërtetim të tyre dhe sigurim provash bindëse, pasi temat janë delikate dhe përbëjnë subjekte gjyqesh e dënimesh që mund të shkatërrojnë reputacionin dhe ekonominë e revistës. Botimet me emër e marrin seriozisht këtë punë. Natyrisht, ka pasur raste kur edhe mediat më të njohura kanë gabuar dhe kanë kaluar hetime të paverifikuara e të pavërteta, por këto numërohen me gishta.
Revista si Mother Jones, trajtojnë tema që i interesojnë lexuesve amerikanë, tema të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore në SHBA, si edhe tema ndërkombëtare, kur në to përfshihen aktorë të rëndësishëm të arenës politike dhe ekonomike botërore. Ato nuk ka aspak të ngjarë të shpenzojnë dollarë dhe kohë për t’u marrë me hetimin e veprimtarisë së kryetarit të partisë që aspiron të marrë pushtetin në një vend të vockël të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka asnjë pikë interesi në asnjë përqindje të përfillshme të lexuesve të Mother Jones për të lexuar ç’bëhet në pika të vogla dhe për ta pa rëndësi të globit. Pra, Mother Jones as që mund të përfytyrohet të hedhë ndonjë kacidhe për t’u marrë me një temë nga Shqipëria, e aq më tepër t’i shtojë kësaj edhe rrezikun e humbjes së emrit të mirë dhe të milionave dollarëve në gjyqe duke gënjyer apo duke përhapur ‘fake news’ për Lul Bashën.
Kjo është situata që duhet ta marrë parasysh çdokush kur vihet të lexojë artikullin e Mother Jones. Duhet të dijë edhe që porositja e artikujve të tillë nga miliarderi Xhorxh Soros është po ashtu jashtë çdo lloj logjike. Edhe vetë Sorosi nuk do të kishte përse t’i shpenzonte paratë e veta në një mënyrë aq pak të efektshme për t’i bërë dëm kryetarit të opozitës shqiptare.
Këto të bëjnë të mendosh se ato që përshkruhen në atë artikull janë të besueshme. Për ata që përtojnë të lexojnë origjinalin historia është pak a shumë e tillë: Lulëzim Basha pajton agjentin amerikan Nik Muzin që të kryejë veprimtari në mbështetje të PDsë në SHBA. Muzin, ish punonjës i fushatës elektorale të Presidentit Trump regjistrohet pranë Departamentit të Drejtësisë si lobist i PDsë, procedurë kjo e rregullt dhe normale në Washington. Në fund të Marsit 2017 Muzin përgatit vizitën e Bashës në Amerikë dhe i organizon takime, ndër të cilat edhe ftesën në një darkë donatorësh organizuar nga Guvernatori Republikan i Miluokit, Skot Walker me të ftuar nderi Presidentin Trump. Këtu, po të paguaje 20,000 dollarë mund të dilje në fotografi me Trumpin. Basha doli në fotografi me Trumpin, megjithëse nuk iu është përgjigjur pyetjeve të Mother Jones se si ka paguar për këtë foto.
Basha nuk përgjigjet, por agjentët që punojnë në Uashington për qeveri apo parti jashtë Amerikës janë të detyruar t’i deklarojnë të ardhurat si edhe të përshkruajnë veprimtarinë që kanë kryer. Prej tyre rezulton se gjatë tre muajve që ka punuar për PD-në Nik Muzin ka marrë 675000 dollarë. Gjithashtu rezulton që paratë janë paguar jo vetëm nga Basha dhe PD, por edhe nga një burim tjetër, nga kompania Biniatta Trade, me bazë në Edinburg të Skocisë. Biniatta Trade është një kompani fantazëm, që drejtohet nga individë rusë me para që vijnë nga Rusia. Ajo ka nënshkruar edhe një kontratë tjetër me Muzin për t’i paguar atij tre këste nga 150 mijë dollarë dhe një shumë prej 500 mijë dollarë për të ndihmuar veprimtaritë në dobi të Shqipërisë.
E ndërsa lexuesit amerikan të Mother Jones kjo aferë i intereson vetëm përsa i përket lidhjeve të dyshimta të një ish-punonjësi të fushatës së Trumpit me burime financiare ruse, lexuesin shqiptar  duhet ta shqetësojë pyetja se ku i gjen Basha qindar-mijëra dollarë për të mbështetur lobizmin pro PD në SHBA? Nëse lexuesi është anëtar apo simpatizant i PDsë, ai do të dojë të dijë a e ka Lulzim Basha mbështetjen e bazës së partisë për shpenzimin e këtyre dollarëve, apo ka vepruar në kokë të vet, si edhe të llogarisë sa i efektshëm ka qënë ky shpërdorim parash nga ana e Bashës që i humbi zgjedhjet. Për të gjithë lexuesit shqiptarë, mbështetës apo jo të PDsë, duhet të bëhet e qartë cilat janë lidhjet e Bashës me Biniatta Trade dhe përse është e gatëshme një kompani ruse të financojë veprimtaritë e PD-së, duke përfshirë edhe çfarë i kanë kërkuar rusët Bashës si shkëmbim për paratë e dhëna. Ndërsa populli i varfër shqiptar, populli më i varfër në Europë, fare mirë mund të pyesë nëse është ekonomikisht e pranueshme që një parti politike shqiptare të shpenzojë shuma të tilla për veprimtari që ndodhin dhjetra-mijëra kilometra larg.
Por në vend që të shtrojnë këto pyetje, anëtarë dhe simpatizantë të PDsë kanë hyrë në garë për të na mbushur mendjen se ka ardhur koha që Shqipëria t’i rikthehet dashurisë së dikurshme për rusët.
Natyrisht, partitë individët, partitë politike dhe vetë shtetet kanë të drejtë t’i ndërrojnë prioritetet e marrëdhënieve të tyre politike, të rishikojnë e të ripërcaktojnë marrëdhëniet me të tjerët përreth. PD ka të drejtë të kthehet e të rishikojë qëndrimin që mban ajo ndaj Rusisë dhe të kërkojë krijimin e marrëdhënieve normale me atë vend. Por a pasqyron ndërrimi i papritur i qëndrimit ndaj Rusisë vendime të marra në interes të elektoratit të PDsë, në interes të Shqipërisë - pra një qëndrim të menduar mirë gjeopolitikisht dhe të përcaktuar qartë nga strukturat përkatëse të PDsë - apo është thjesht mënyra për të justifikuar veprimtarinë e fshehtë dhe ligjërisht të dyshimtë ekonomike të kreut të saj?
Për partitë politike dhe politikanë marrëveshjet e fshehta, të pista dhe të ndyra nuk janë diçka e padëgjuar. Ato bëhen në kurriz të interesave të votuesve, në kurriz të interesave të përkrahësve politikë të të dyja krahëve, në kurriz të interesave të popullit në përgjithësi; bëhen që të përfitojnë politikanët. As turmat e pozicionuara prapa partive, as grupet e entuziastëve të verbër që janë gati të gëlltisin dhe të pranojnë gjithçka që iu servirin liderët partiakë nuk janë të padëgjuara. Ato i gjen kudo. Por vendet me demokraci të zhvilluar kanë edhe një shtresë njerëzish të arsyeshëm, të qetë dhe të ndërgjegjshëm, të arsimuar dhe të edukuar, që mbi interesin e partisë dhe të kreut venë interesin vendit, ose të paktën interesin e vetes dhe të familjeve të tyre. Këta janë ata janë në gjendje dhe duhet t’i gjykojnë objektivisht politikanët. Këta janë ata që e ndryshojnë votën e tyre. Këta janë pjesa likuide e elektoratit, pjesa që mendon dhe s’ta jep votën po s’e binde. Sa më e madhe dhe e ndërgjegjshme të jetë kjo shtresë, aq më patundshme është demokracia.
Në Shqipëri kjo shtresë është jo vetëm e pakët në numër por, ajo që është më shqetësuese, edhe tepër indiferente – nuk i qaset kutive të votimit. Përdersa ajo të vazhdojë të qëndrojë indiferente, fatet e vendit do t’i kenë në dorë dy grupime politike me shumë probleme. Nëse bëhen aktivë, këta kanë fuqi t’ua tundin votat para turinjve politikanëve dhe të ushtrojnë presion mbi ta, t’iu kërkojnë t’i mbajnë vithet drejt e të mos shkelin ligjet e normat, t’i mbajnë vazhdimisht përpara përgjegjësisë. Në të kundërt, nëse politikanët janë të bindur se, çfarëdo që të bëjnë do të kenë mbështetjen e pakushtëzuar të turmave të eksituara të tifozerisë, atëherë korrupsioni do vazhdojë të lulëzojë i pafrenuar.
Në fund të fundit, fajin për korrupsionin nuk e kanë të gjithin politikanët. Fajin e kanë edhe ata që rreshtohen qorrazi pas tyre dhe që i brohorasin si heronj edhe kur ata korruptohen.

Sunday, February 18, 2018

Facebook Boulevard

Pjesa e dytë
Shëtitja në Facebook Boulevard duhet të ketë diçka më shumë se çmallja dhe shkëmbimi i përshëndetjeve. Përndryshe bëhet mërzitshëm. Edhe kur takohesh vërtet me miq për një kafe ke nevojë të shkëmbesh mendim për çka ndodh përreth, të marrësh e të japësh, të mësosh dhe të përcjellësh përvojë.
Facebook Boulevard gjen plot tema diskutimi, nganjëherë edhe stimuluese për trurin. Shkruhet për politikën (shqiptare e botërore), për luftrat dhe terrorizmin, të drejtat dhe të padrejtat e njeriut, filosofinë dhe fenë, historinë e të ardhmen, sportin, artin, ekonominë, ushqimin - për gjithçka që i intereson njeriut.
Por a jemi gjithmonë në gjendje të zhvillojmë biseda normale, të qeta, pa fyerje vetjake, përputhur me rregullat mirësjelljes dhe respektit për njëri-tjetrin? Kam përshtypjen se po bëhet përherë e më e vështirë të mbash një bashkëbisedim të qytetëruar, të shkëmbesh dy mendime të thjeshta të kundërta, pa marë ndonjë të sharë apo goditje. Në çdo cep të Facebook Boulevard do të gjesh njerëz të gatshëm që, me të dëgjuar një ide që nuk përputhjet me bindjet e tyre të hidhen në grykë e të fyejnë. Zhgënjimi më i madh është kur sheh që në këtë lojë futen edhe njerëz për mendimin e të cilëve ke respekt.
Përse ndodh kjo? Së pari, edhe në jetën e përditëshme ne nuk e kemi zhvilluar ende sa duhet kulturën e shkëmbimit të mendimeve. Këtu ndikon ndoshta prejardhja nga struktura shoqërore ku shprehja e mendimit dhe diskutimi i lirë kanë qënë tabu. Por as mënyra se si është ndërtuar Facebook nuk ndihmon për ruajtjen e rregullave të njerëzillëkut. Përdoruesit më së shumti ndihen të shkëputur fizikisht dhe, për pasojë, edhe emocionalisht nga bashkëbiseduesit. Kjo ndjesi iu krijon përshtypjen e gabuar se nuk është e domosdoshme të ndjekin të njëjtat rregulla mirësjelljeje apo qytetarie që do të kishin ndjekur po të ishin fizikisht përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, në Facebook Boulevard ne vetë i lejojmë vetes të shëtisim dhe të shkëmbejmë fjalë me lloj-lloj njerëz të panjohur, të cilët për një arsye apo për një tjetër i kemi futur në listën e atyre që në anglisht quhen ‘friends’ dhe në shqip përkthehen si miq apo shokë, por që në realitet nuk janë të tillë. Madje nuk janë as të njohur të rastit. Shumë prej tyre nuk kanë as kulturë në përgjithësi, as kulturën e të shprehurit me shkrim dhe as shkollimin apo edukatën qytetare për të shkëmbyer mendime. Këta njerëz ose duhen shkolluar (gjë që është e vështirë në një klimë kur të gjithë mendojnë se i dinë të gjitha) ose duhen hequr nga lista. Le të shëtisin diku gjetkë.
Në këtë këndvështrim, marrëdhëniet midis njerëzve në Facebook Boulevard i ngjajnë më tepër marrëdhënieve të njerëzve që ngasin makina, se sa atyre që janë ballë për ballë me njëri-tjetrin. Kur janë në timon, brenda makinës së tyre, njerëzit priren të jenë shumë më të ashpër, më të pasjellshëm, më arrogantë me të tjerët përreth. Krejt ndryshe nga sa do të ishin në kushtet e një përballjeje të drejtpërdrejtë. Brenda makinës ata shajnë me të madhe, kërcënojnë, nuk hapin rrugë, fyejnë, pa pasur asnjë konsideratë se kush mund të jetë në makinën ose makinat përreth. Kur dalin nga makina dhe përballen me njerëzit që kanë sharë, e ndjejnë veten keq.  
Po sjell një shembull për ta ilustruar mendimin e mësipërm. Tre vetë ulen në një lokal. Përballë është një ndërtesë e re, e porsa ngritur, për të cilën fillojnë të diskutojnë. Biseda e tyre mund të marrë dy drejtime:
1.      
A - Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – Vërtet të duket e bukur? Mua s’më pëlqen fare gjithë ajo fasadë betoni. Më duket si bunker. Edhe dritaret janë shumë të vogla. Duket sikur të merr frymën.
C – Unë pajtohem me A. Kjo lagje ka pasur gjithmonë nevojë për diçka të re dhe të freskët, diçka moderne….
2.
A -  Sa e bukur kjo ndërtesë. Ia ka ndryshuar pamjen gjithë lagjes.
B – E ku merr vesh ti nga arkitektura? Ty të pëlqen sepse je gati t’i dalësh në mbrojtje çdo gjëje që ndërtojnë këta të korruptuarit që janë në pushtet. Po të kishe shije estetike ti do të dije të kombinoje ngjyrën e kravatës me të këmishës. Por edhe këmishën e ke të palarë.
C – Juve komunistëve nuk iu pëlqen asgjë që bëhet sot. Na hëngrët shpirtin për pesëdhjetë vjet, dhe tani vazhdoni me avazin tuaj. Ti flet kështu sepse edhe yt atë, edhe xhaxhai yt kanë qënë të lidhur me regjimin…

Pa dyshim biseda 1 ka më shumë të ngjarë të zhvillohet në një kafene të zakonshme qyteti, ndërsa biseda 2 është nga më të rëndomta në Facebook Boulevard. Pyetja është: A mund të arrijmë ta ruajmë frymën etike të bisedës 1 edhe në mjedisin ku zhvillohet biseda 2? Them se po, por duhet shumë përpjekje.
Dua të theksoj këtu se për mendimin tim ‘përpjekja’ s’duhet kurrsesi të synojë shmangien e debatit. Nuk është tema e debatit, nuk është debati në vetvete ai që na bën të shkelim rregullat e etikës, por është mungesa e kulturës në debat që nuk na le të shkëmbejmë si duhet idetë.
Unë kam qef të ngacmoj në facebook. Por kam qef të ngacmoj me përplasje idesh, me mendime të kundërta, veçanërisht kur e di që ato mund të ngjallin diskutim. Më pëlqen veçanërisht të gërricem me aksioma të pranuara masivisht si të padiskutueshme dhe dua t’i bëj bashkëbiseduesit të mendohen pak për të dhënë argumente për padiskutueshmërinë. Kur ngacmoj unë nuk kursej as miq, as të njohur, dhe as të panjohur. I trajtoj të gjithë njëlloj, pasi nuk ‘i bije në qafë‘ (të paktën jo me vetëdije) njeriut, bashkëbiseduesit, por idesë. Njeriu është i shenjtë dhe nuk duhet fyer kurrë, ndërsa idetë, ngjarjet dhe këndvështrimi për to, opinionet, figurat historike e politike, të vërteta dhe imagjinare nuk ka përse të kursehen.
Bazuar në këtë, mendoj se janë disa këshilla që mund të ndiqen për të ruajtur qytetarinë dhe mirësjelljen në një bashkëbisedim virtual.
1.       Mos ia thuaj kurrë tjetrit atë që s’do t’ia thoje po ta kishe përballë.
2.       Bashkëbiseduesi nuk duhen fyer, idetë nuk duhen kursyer.
3.       Nuk kursehen as figurat politike, publike, historike (imagjinare apo reale).
4.       Mos iu përgjigj sulmeve personale me sulme personale.
5.       Të pranosh gabimin dhe të kërkosh falje është forcë karakteri, jo dobësi.
6.       Mbaje mendjen e hapur për ta ndryshuar.
7.       Çdo gjë e shkruar është e diskutueshme.
8.       Mos diskuto me citime, por me argumenta.
9.       Të gjithë njerëzit janë të paditur (injorantë) për shumicën e gjërave.

Në pjesën e tretë (po qe se ia mbush mendjen vetes që ta shkruaj) do të përpiqem të shtjelloj më hollësisht disa prej tyre. 

Friday, February 9, 2018

Facebook Boulevard

(Pjesa e Parë)
Çdo ditë, më së shumti disa herë në ditë, unë bëj shëtitjen e zakonshme virtuale në Facebook Boulevard. Është si ato xhirot e dikurshme në shëtitoret e qyteteve, ku dilje për të parë dhe për t’u përshëndetur me të njohur. Ndryshimi është që sot shëtitjet bëhen pa lëvizur vendit, pra janë më shumë të dëmshme, se sa të dobishme për gjymtyrët. E vetmja dobi që kërkoj prej saj është t’i bëj të paktën pak gjimnastikë trurit.
As miqtë e mij në Facebook Boulevard nuk lëvizin fizikisht. Ata presin të gjithë aty, gjithkush në kjoskën e vet. Facebook Boulevard funksionon nëpërmjet kjoskave – disa janë shitore, disa janë ekspozita, të tjera janë kënde agjitacioni e propagande ose skena interpretimi.
Facebook Boulevard unë hyj përmes kjoskës sime. Nëse kam ndonjë ide në kokë apo ndonjë shkrim gate, i jap dorën e fundit, ngre qepenat e kjoskës dhe e ve në vitrinë. Me këtë dua t’i them miqve të mij që jam këtu, po iu ra rruga dhe keni kohë, jeni të mirëpritur të shkëmbejmë ndonje fjalë me njëri-tjetrin. Ose qoftë edhe një përshëndetje të lehtë nga larg, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’.
Pastaj vazhdoj shëtitjen. Facebook Boulevard është ekonomik. Ai të jep mundësi të kalosh vetëm nëpërmjet kjoskave të hapura. Nëqoftëse dikush nuk e hap kjoskën, nuk ve asgjë në vitrinë, ti s’ke përse shpenzon energjitë për të kaluar përpara saj. Energjitë të duhen për të tjera gjëra, si për shembull për të kaluar përpara kjoskave që s’paraqesin asnjë lloj interesi për ty.
Eci dhe shikoj me interes se kush ka dalë për shëtitje, kush e ka hapur kjoskën e me kë mund të përshëndetem. Ja, një miku im si gjithmonë, ka vënë një thënie të shkurtër të mençur – vetëm një fjali. E lexoj dhe buzëqesh me vete. I jap një përshëndetje, që në gjuhën e Facebook Boulevardit quhet ‘like’. Ose, nëqoftëse më vjen ndonjë gjë e këndëshme në mend, diçka që shkon logjikisht me atë që është thënë, ose që vazhdon në të njëjtin damar humori, ndalem dhe e shkruaj. Ndalesa të tilla bëhen shpesh shkak për biseda më të gjata, për ato që unë i quaj ‘kafè virtuale’.
Te kjoska tjetër dikush ka vënë një fotografi të vetën me mbesën. Të kënaqet shpirti ta shikosh. I jap një përshëndetje në formë ‘like’. Nëse është njeri i afërt, ‘like’ e kthej në ‘zemër’.
Pastaj kaloj në rresht, njëra-pas tjetrës, dy-tre kjoska politikdashësish. Këta janë zakonisht tepër të prerë dhe aspak tolerantë dhe unë përpiqem të eci me sa më shumë kujdes që të jetë e mundur. Kjoskat e politikdashësve janë të mbushura me portrete kryetarësh partish, të cilët pronarët e kjoskave i adhurojnë. Në këto kjoska do të gjesh më shpesh se kudo shenja vandalizmi – ndërhyrje nga pronarët e kjoskave kundërshtare - një bojë e hedhur gjithë mllef mbi portretin e udhëheqësit; shkarravitje grafiti mbi qepenat e kjoskës dhe, jo rrallë, baltë e të pëgëra që hidhen mbi vetë pronarin e kjoskës. Prandaj edhe këtë të fundit do ta gjesh përherë të gatshëm të të përgjigjet me nervozizëm, pa pranuar asnjë mendim të ndryshëm. Kjoskat e politikdashësve lyhen me blu ose të kuqe, me të bardhë ose të zezë. Ngjyra të tjera nuk pranohen.
Ja edhe kjoska e një mikut tim piktor. Aty të shlodhet syri. Portrete, peizashe, origjinale dhe të piktorëve të tjerë. E përshëndes gjithmonë, por nuk i ndalem më për të pirë kafe. Ndoshta e kam gabim, por jam i bindur që pavarësisht se është piktor i mirë, nuk e meriton t’i bësh koment. Para nja tre vjetësh, kur sapo u bëmë miq virtualë - kemi qënë dikur miq realë dhe unë u gëzova që u rilidha me të në Facebook Boulevard – unë ndalesha shpesh te kjoska e tij dhe lija komentet e mia, vlerësimet për pikturat e tij. Ashtu si dikur, kur ishim miq të vërtetë dhe pinim ndonjë kafe te Lidhja e Shkrimtarëve. Por ai asnjëherë nuk përgjigjet. Thjesht bën një ‘like’ për komentin tim, sa për të thënë që e ka lexuar, por nuk merr mundimin të më ftojë për kafe, domethënë për të shkëmbyer dy fjalë. Gjithashtu më ka rënë në sy se ai nuk kalon kurrë përpara kjoskës sime. Ose kalon dhe nuk ia hedh sytë. Ose kalon, i hedh sytë, por nuk i bënte asgjë përshtypje. Me një fjalë, nuk merr kurrë mundimin të përshëndeste. Është ndër ata miq që del në Facebook Boulevard vetëm për të marrë vlerësime, vetëm për të demonstruar, jo për të komunikuar me njeri. Ka respekt të veçantë për veten, por nuk tregon asnjë shenjë respekti për të tjerët.    
Shumë nga ne janë të zënë dhe s’kanë shumë kohë për ta kaluar në Facebook Boulevard. Unë e kuptoj këtë. Edhe vetë përpiqem t’i bëj shëtitjet sa më të shkurtra, pasi jeta ka shumë gjëra të tjera veç bulevardit virtual. Kur bëj shëtitjen e mëngjesit, në ato pesë ose dhjetë minuta përpara se të nisem për punë, kohën e kam tepër të kufizuar. Kaloj përpara kjoskave miqve të mij prozatorë që vënë në vitrinë tregime dhe, megjithëse dua me gjithë shpirt t’i lexoj, jo gjithmonë mundem. E njëjta gjë ndodh edhe me ata që shkruajnë shkrime relativisht të gjata (si ky që po shkruaj unë). I lexoj vetëm kur kam kohë dhe shumë prej tyre më shpëtojnë pa lexuar. Sidoqoftë, diçka ia kam detyruar vetes: ‘Nuk bëj kurrë ‘like’ pa e lexuar tregimin apo shkrimin dhe pa e pëlqyer atë.” Nëqoftëse unë të përshëndes, të përshëndes se vlerësoj atë që ke ekspozuar. Nëse nuk më pëlqen, unë bëj sikur s’e shoh ose ndalem dhe nuk përtoj ta them mendimin tim (Për këtë do shkruaj më gjatë në pjesën e dytë).
Kur shëtis në Facebook Boulevard kam ndjesinë se pronarët e bulevardit – Zukerbergu me shokë - më vënë gjithmonë dikë që më ndjek nga pas. Unë nuk i kam parë, por e ndjej praninë e tyre virtuale. Ata ndjekin dhe marrin shënim të gjitha lëvizjet e mia – në cilat kjoska ndaloj, me cilët njerëz përshëndetem, çfarë pëlqej dhe çfarë nuk pëlqej. Këta spiunë të Facebook Boulevardit janë të bezdisshëm, sepse i fusin hundët aty ku s’iu takon. Po të venë re se jam ndalur dy-tre herë në të njëjtën kjoskë (gjë që unë mund ta kem bërë pa e pasur mendjen dhe pa ndonjë arsye të veçantë), ata përpiqen të ma nxjerrin atë kjoskë sa më shpesh përpara në shëtitjen time virtuale. Nëqoftese e kaloj një kjoskë pa e përshëndetur, të nesërmen ma sfumojnë, ose ma vënë aq larg në bulevard, saqë shpesh herë nuk kam mundësi ta shoh. Ky zell i tyre për ‘të më dhënë mua ç’më haet’, ka bërë që shpesh herë të shkëputem për një kohë të gjatë nga miq të cilët do të desha t’i takoja më shpesh.
Ky është përfytyrimi im për Facebook Boulevard. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi do të përpiqem të shpjegoj se ç’më tërheq më shumë mua në këtë ritual shëtitjesh dhe pse sillem ashtu siç sillem kur jam atje.

Friday, December 8, 2017

Kush na le të tundohemi?!

Përsiatje teologjike
Papa Françesko doli me propozimin për të ndryshuar përkthimin anglisht të Lutjes Themelore të të Krishterëve (e njohur si Lord’s Prayer). Përkthimi i deritanishëm është kryer që në shekullin e 4 nga Latin Vulgate, që mendohet të jetë marrë nga varjante më të vjetra në greqisht, hebraisht ose Aramaikisht dhe ka problem me frazën “(Zot) mos na ço në tundim” (lead us not into temptation). Papa propozon që të shkohet drejt një varjanti të ngjashëm me atë francez, që thotë pak a shumë “(Zot) mos na lerë të bijem në tundim” ("do not let us fall into temptation"). Edhe varjanti shqip është ”E mos na lër të biem në tundim…”
Papa the teologët e Vatikanit arsyetojnë se nuk është Zoti që i shtyn njerëzit në tundim, por janë njerëzit që tundohen në kokë të vet. Pra, nuk mund të akuzohet Zoti se i shtyn njerëzit në tundim.  
Por a nuk është mëkat që të akuzosh Zotin për diçka që ai nuk e ka bërë? A nuk është mëkat t’i thuash Zotit se po i shtyn njerëzit në tundim, në  një kohë kur ai nuk ka pasur kurrë ndërmend ta bëjë një gjë të tillë? Kështu duhet të jetë, prandaj edhe Papa po mundohet ta ndërrojë lutjen. Puna është se që në shekullin e katërt e deri më sot, pra për nja njëmijë e gjashtëqind e ca vjet, me miliona njerëz kanë lindur dhe kanë vdekur duke iu lutur Zotit ditë për ditë, brez pas brezi, që ky të mos i shtyjë në tundim. Në rastin më të mirë, këto miliona – ose më saktë, miliarda – lutje kanë shkuar dëm. Në rastin më të keq, ato kanë fyer drejtpërdrejt Zotin, duke e akuzuar për diçka që nuk e ka bërë. Papa s’mund ta kalojë këtë punë kaq lehtë, domethënë që me një të rënë të lapsit të ndërrojë lutjen dhe gjithçka të harrohet. Ku shkojnë shpirtrat e gjithë atyre miliardave njerëzve që kanë shprehur gabim Lutjen Themelore të Krishtërimit? Kush e mban përgjegjësinë për këtë kasaphanë shpirtrash?
Pavarësisht se ndihem paksa i ngushëlluar që, të paktën besimtarët shqiptarë janë në rregull me këtë lutje, mua përsëri nuk me fle karari. Sepse, edhe me varjantin e ri që propozon Papa dhe që e kanë përdorur shqiptarët Zoti nuk del fare i shfajësuar. Edhe kur thuhet "E mos na lër të biem në tundim…”, përsëri përgjegjësia i lihet në derë Zotit. Domethënë atij i thuhet : Ti o Zot, e ke në dorë të mos më lesh mua dhe të tjerët përreth meje që të bijem në tundim. Nëqoftëse ne bijem në tundim, atëherë ishe ti që na le të bijem në tundim. Ti e ke në dorë që të mos i lesh gjithë njerëzit që të bijen në tundim, e përsëri nuk e çan kokën dhe i le që të bijem në tundim."

Në fakt, ndryshimi i fjalëve që po përpiqet të bëjë Papa nuk ndryshon asgjë nga përmbajtja e Lutjes Themelore dhe nga qëndrimi akuzues ndaj zotit i atij që lutet. Përsëri besimtarët vazhdojnë  të thonë që Zoti e ka në dorë t’i ndalojë tundimet njerëzore, por nuk e bën. Ose e bën ndonjëherë, kur i dëgjon lutjet. Ose e bën shumë rrallë, se tundimet vazhdojnë në të katër anët. Përfundimisht, Papa i ka hyrë një rruge pa krye, ose një rruge, kreu logjik i të cilës është braktisja e një praktike të kotë dhe pa kuptim si lutja.